Më 1912, vitin e Pavarësisë, në Athinë doli një libër i vogël për nxënësit e klasës së tretë: Kendimét é dyta per çunat. Në kopertinë ka vetëm inicialet e botuesit, D. H. (Diogjen Harito). Biblioteka Kombëtare ia atribuon librin Luigj Gurakuqit (1879–1925): mësues, drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit, njëri nga firmëtarët e Pavarësisë dhe ministri i parë i Arsimit.
Sot libri është i plotë në Fletoret: 87 këndime, me 12 figurat e botimit të parë, dhe si e-book.
Po vajzat?
“Për çunat” nuk do të thotë se vajzat nuk shkonin në shkollë. Djemtë dhe vajzat mësonin veç, dhe ky ishte libri për shkollat e djemve. Por vajzat që mësonin ishin shumë më të pakta. Shkolla e parë shqipe për vajza u hap në Korçë vetëm më 1891, nga Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi. Gjer më 1913 kaluan në bankat e saj rreth një mijë nxënëse.
Edhe më herët, më 1865, Dora d’Istria i kërkonte Evropës që vajzat të shkolloheshin njësoj si djemtë. Libri i saj Për gratë, nga një grua është tani edhe ai në Fletoret, i përkthyer për herë të parë në shqip. Për të kemi shkruar këtu.
Edhe në librin e Gurakuqit vajzat nuk mungojnë: Léna é vogle, Vajza pertacé dhe Gruaja é véje é vajza é 'saj kanë secila këndimin e vet.
Çfarë ka brenda
Pjesët janë të shkurtra, sa për një orë mësimi. Një mësues plak i nxjerr djemtë e katundit për të parë lindjen e diellit, lulet, milingonat. Pastaj vijnë mësimet për ajrin e pastër, për larjen me ujë të ftohtë, për punën dhe për kafshët e shtëpisë, delen, dhinë e gomarin. Ka edhe përralla me luanë, dhelpra e bretkosa, tregime për Uashingtonin e për Pjetrin e Madh, një vjershë të Çajupit, e madje edhe një pjesë ku Profeti Muhamet mallkon pijen, pasi një festë fshati përfundon me gjak. Gjuha është e thjeshtë, por jo e varfër. Çdo pjesë mbyllet me një mësim të qartë.
Drejtshkrimi është i hershëm. Shkronja e e thjeshtë shënon ë-në, é-ja shënon e-në, kështu që Kendimét é dyta lexohet “Këndimet e dyta”. Të duhen vetëm dy-tri faqe për t’u mësuar.
Gjinkalla, atëherë dhe sot
Në shtator të vitit 2014, disa faqe nga tekstet e ciklit fillor u përhapën në rrjete sociale dhe u bënë skandal. Në librin e leximit për klasën e dytë kishte një pjesë me titull “Shkumësi magjik”. Prej saj u citua sidomos një fjali: “Tretni një copë shkumës në ujë, dhe do ju rritet temperatura menjëherë”, që dukej si këshillë për t’u sëmurur e për të mos shkuar në shkollë. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, premtoi rishikim e heqje nga qarkullimi. Në nëntor 2018, emisioni “Top Story” në Top Channel e ngriti sërish çështjen, bashkë me një version të ri të fabulës së La Fontenit, ku gjinkalla e kishte kaluar verën “në shkuma party dhe check-in në Dhërmi”.
Duhet thënë se “Shkumësi magjik” është një tregim i Dionis Bubanit. Gazeta Dita shkroi se në rrjete u shpërnda vetëm faqja e parë, dhe se tregimi i plotë e dënon pikërisht aventurën. Por debati nuk ishte vetëm për një faqe. Ishte për kujdesin me të cilin zgjidhen e redaktohen tekstet për fëmijë shtatëvjeçarë.
Gurakuqi e ka po atë fabul, në pjesën Thnégla é gjingalla. Është dimër i madh, gjinkalla dridhet nga të ftohtit dhe milingona i përgjigjet:
Ç’bâné ti gjithe kohen é véres kur une mblithnja gjâna per te ngrâne ne dimen? Kendonjé gjithe diten majé lisavét é s’linjé as udhetaret te pushonin qétesisht nen hijé. Atehéré kendonjé, tani pra kercè é luaj vallé!
Pastaj mësuesi plak e mbyll me një fjali: “Te punojem sa jémi te rij qe te mos mbétémi, si gjingalla, pa buke ne pléqesie.”
Është po ajo histori, me një shekull diferencë. Libri i vitit 1912 nuk është pa të meta: ka gabime shtypi, dhe toni është shpesh moralizues. Por shihet që dikush, në një shtypshkronjë të vogël në Athinë, ka menduar mirë se çfarë do t’u jepte të lexonin fëmijëve shqiptarë, në një kohë kur shkollat shqipe ishin ende të pakta.
Lexojeni këtu, ose shkarkojeni si e-book për ta lexuar me fëmijët.
Burimet
- Shqiptarja.com, “Skandal me tekstet shkollore. Ja si edukohen fëmijët shqiptarë”, 17 shtator 2014. Reagimi i ministres Nikolla.
- Top Channel, “Top Story/ Skandali me tekstet: Mos shkoni në shkollë dhe bëni shkuma party”, 21 nëntor 2018.
- Dritare.net, “Shkuma party dhe si të sëmuren/ Ja çfarë mësojnë fëmijët e vegjël, në shkolla!”, 22 nëntor 2018. Fjalia për shkumësin dhe gjinkalla në Dhërmi.
- Koha Jonë, “Shkuma party në Dhërmi, skandalet me tekstet shkollore të klasave fillore”, 14 shtator 2021.
- Wikipedia, “Shkolla e vashave, Korçë”, dhe Gazeta Tema, “Sevasti Qiriazi, mësonjësja e vashave korçare në vitin 1891”, 7 mars 2019.
- Gazeta Dita, “Kolosi Dionis Bubani në librat e shkollës”.
