Çfarë trajton kjo letër
Kureshtja që gjendja e vendeve perëndimore zgjon sot në Lindje. — Sa e vështirë është ta kuptosh këtë gjendje. — Larmia e racave, e gjuhëve dhe e feve brenda një shteti të vetëm. — Grupet kryesore të Perëndimit. — Latinët dhe gjermanikët. — Prirje dhe ide krejt të ndryshme. — Urrejtjet kombëtare. — Dëshira për pajtimin e latinëve me gjermanikët.
Nga brigjet e Mesdheut.
Mikeshë e dashur, ju më kërkoni t’ju përshkruaj gjendjen e grave në Perëndim. Kur lexuat librin ku u përpoqa t’u tregoja perëndimorëve si jetojmë ne, gratë, në Lindje, ju lindi dëshira të dini diçka të saktë edhe për atë pjesë të botës ku, që prej Luftës së Krimesë, janë kthyer vazhdimisht sytë e popujve të Lindjes.
Më thoni se, nga të gjithë të njohurit tuaj, askush nuk mund ta shuajë më mirë se unë këtë kureshtje kaq të arsyeshme. Më sillni në vëmendje se unë i kam parë dinastitë kryesore të Perëndimit, disa në mërgim e disa në kulmin e lavdisë: Burbonët e Francës, të Napolit dhe të Spanjës; në Berlin, oborrin e Frederik Vilhelmit IV; në Dresden, princat e shtëpisë mbretërore të Saksonisë; në Vjenë, rreth Ferdinandit I dhe perandoreshës Maria Ana, shpurën e madhe të arqidukeshave dhe të arqidukëve. Shtoni pastaj se, me po aq kujdes sa oborret, kam studiuar edhe borgjezinë e qyteteve perëndimore, dhe se, nën strehën e shtëpive prej druri në male, jam përpjekur të njoh nga afër jetën e mundimshme të malësorëve të Alpeve.
Sipas jush, mjafton t’i mbledh kujtimet, dhe do ta kem po aq të lehtë t’ju flas për Berlinin sa edhe për Lozanën, për Marsejën sa për Vjenën, për Brukselin sa për Napolin.
Pa dyshim, ka shumë të vërtetë në këto vargje të fabulistit të madh francez:
Kush shumë ka parë,
shumë mund të mbajë mend.[1]
Megjithatë, as arsyetimi juaj, as autoriteti i La Fontenit nuk më qetësojnë krejtësisht. Sepse ju më kërkoni pikërisht atë që një udhëtar e ka më të vështirë ta mësojë. Peizazhet, monumentet dhe veshjet përshkruhen më lehtë se jeta e brendshme e një populli. Kjo është aq e vërtetë, saqë mund të lexoni plot libra udhëtimesh nëpër vendet më të vizituara të Perëndimit pa gjetur në to asgjë serioze për gjendjen e grave. Në Francë, madje edhe në Gjermani, do të gjenit lehtësisht njerëz të shkolluar që kanë vetëm një ide shumë të mjegullt për marrëdhëniet që ligji vendos midis dy gjinive. Në fakt, kjo s’ka asgjë për t’u habitur, po të kemi parasysh gjendjen në disa vende. Disa prej tyre, për sa u përket kodeve ligjore, kanë mbetur më prapa se disa shtete despotike. Legjislacioni anglez, për shembull, është një lëmsh që s’ia gjen dot fillin. Në Gjermani çdo shtet ka ligjet e veta, sepse popujt gjermanikë nuk kanë kurrfarë prirjeje për atë unitet që u pëlqen latinëve. E njëjta larmi vihet re edhe në Zvicër, ku secili nga njëzet e dy kantonet ka ligjet e veta. Para revolucionit të vitit 1789, Franca ndahej midis së drejtës së shkruar dhe së drejtës zakonore, që përbëhej nga pesëdhjetë zakone të përgjithshme dhe dyqind e njëzet e pesë vendore.
Zakonet nuk ndryshojnë më pak se ligjet. Emrat Francë, Britani e Madhe, Gjermani, Itali, Zvicër etj. krijojnë vazhdimisht iluzione. Në të vërtetë, sa larmi fshihet pas tyre! Në Francë, alsaciani u ka mbetur besnik traditave gjermane; bretoni pothuajse nuk ka ndryshuar që nga koha e galëve; baski është ende iber; provansali nuk e ka harruar prejardhjen e vet greko-latine; te normandi dallon ende disa tipare të karakterit skandinav. Në Britaninë e Madhe, anglosaksoni ndryshon thellësisht nga kelti i malësive të Skocisë, ndërsa kelti katolik i Irlandës së gjelbër do ta kishte të vështirë ta njihte si vëlla malësorin skocez. As Italia nuk ka në thelb më shumë unitet. Piemontezi ka zjarrin luftarak të galo-latinëve; toskani, shijet letrare dhe artistike të etruskëve; romaku, edhe pse s’e ka energjinë e të parëve të vet, e do si ata pushtetin; napolitani është po aq i ndryshueshëm sa helenët, nga të cilët rrjedh. Në Zvicër puna është edhe më e ndërlikuar! Çdo kodër ndan një shtet nga tjetri dhe shënon kufirin e një feje, kurse ndryshimet e lartësisë ju çojnë brenda një dite nga Siberia në Spanjë. Dhe duhet ta quash veten me fat kur një kanton i vetëm nuk banohet, si Graubündeni, nga disa kombe njëherësh: gjermanikë, romançë dhe italianë. Megjithëse jam mësuar të flas gjuhët më të ndryshme, e pranoj se gjuhë si romançishtja, baskishtja dhe bretonishtja më vënë në po atë siklet që do të ndiente një konteshë franceze, po ta gjente veten papritur në Kënigsberg ose në Edinburg.
Me këto në mendje, nuk kam asnjë pretendim që do të jem në gjendje t’ju jap një pasqyrë të plotë të jetës së grave të Perëndimit. As jeta e vëzhguesit më të durueshëm nuk do të mjaftonte për një punë të tillë. Prandaj do t’ju lutem të kënaqeni me disa skica. Për t’i bërë ato më të qarta, mendoj ta ndaj Perëndimin në dy grupe kryesore: latinët (francezët, italianët, spanjollët etj.) dhe gjermanikët (gjermanët, skandinavët, anglosaksonët). Të parët, me pak përjashtime, i përkasin Kishës romake dhe, qoftë në Evropë, qoftë në Amerikë, e shohin martesën si diçka të shenjtë, divorcin si një gjë të neveritshme, dhe pranojnë vetëm ndarjen e bashkëshortëve pa e zgjidhur martesën.[2] Të dytët, që zënë një vend kaq të rëndësishëm në veri dhe në qendër të Evropës, që mbajnë vendin e parë në Amerikën e Veriut, që po e qytetërojnë Oqeaninë dhe sundojnë në Afrikën e Jugut e në Azinë Jugore, i përkasin përgjithësisht Kishës së reformuar.[3] Kisha ungjillore nuk i jep martesës asnjë kuptim mistik, prandaj beson se lidhja bashkëshortore mund të zgjidhet në disa raste, që ndryshojnë nga një vend në tjetrin. S’ka nevojë t’jua kujtoj se Kisha lindore mban në këtë çështje një qëndrim të mesëm: edhe pse edhe ajo e sheh martesën si një lidhje të shenjtë,[4] nuk e ka quajtur kurrë të pazgjidhshme.
E shihni, pra, se vështrimi i parë mbi Perëndimin duket se i jep të drejtë Paskalit: “E vërtetë këtej Pirenejve, gabim përtej tyre!” Por ka, siç duket, pengesa shumë më të vështira për t’u kapërcyer se Pirenejtë. Latinët, cilado qoftë prejardhja e tyre (galë si francezët, iberë si spanjollët apo etruskë si toskanët), kanë mësuar nga cezarët, e më pas nga papët, t’i flijojnë prirjet e tyre të hershme për hir të unitetit, që për ta është shije, madje do të thosha pasion. Kanali i ngushtë që quhet La Mansh është një humnerë shumë më e thellë se të gjitha greminat e Pirenejve. Në njërin breg: protestantizmi, divorci, një kujdes i madh për të drejtat e individit, një liri e palëkundur, një aristokraci e plotfuqishme dhe një jetë kombëtare aq e mbyllur në vetvete, sa e akuzojnë për egoizëm. Në bregun tjetër: murgjit, martesa e pazgjidhshme, një liri gjithmonë e kontestuar, barazia triumfuese dhe një prirje e fortë për ta vënë shtetin mbi individin dhe punët e mbarë njerëzimit mbi ato të vendit. E merrni me mend se dallime të tilla nuk mund të ngjallin simpati. Në Perëndim flitet shumë për grindjet midis grekëve dhe rumunëve, midis serbëve dhe shqiptarëve, dhe lindorët janë qortuar ashpër për to më shumë se një herë. Por këto grindje do t’ju jepnin vetëm një ide të zbehtë të përçarjeve të Perëndimit. Për gjermanikun, të cilin italiani e quan “barbar”, gali është “fqinji i pabesë” ose “armiku shekullor”, ndërsa gali, nga ana e vet, nuk mendon më mirë për fitimtarët e Kresit dhe të Azenkurit. Gratë, sigurisht, marrin pjesë në këtë luftë. Gruaja gjermane flet pa pushim për “moralin e dobët” të francezeve dhe të italianeve, ndërsa këto, nga ana e tyre, lënë vazhdimisht të kuptohet se “sentimentalizmi” gjermanik fsheh, nën maskën e një naiviteti, dredhitë më të stërholluara të bijave të Evës. “Në Londër, — thotë një udhëtar francez, z. Malot, — për çdo shtatë gra të ndershme ka një prostitutë, dhe nga çdo tri vajza të shtresës së ulët, njëra, para se të mbushë njëzet vjeç, do të bëhet pashmangshmërisht një virgjëreshë e marrë.” Mjafton vetëm ky citim kurioz për t’ju treguar deri në ç’pikë “kjo çështje e virtytit” ndez rivalitete dhe shkakton pohime të guximshme.
Po të doja t’u bëja jehonë akuzave të tilla, do ta kisha shumë të lehtë të grumbulloja hollësitë më pikante. Për tani do të mjaftohem të përshkruaj gjendjen e mendjeve. Veç kësaj, unë, që i kam predikuar gjithmonë Lindjes pajtimin, do të ruhem aq më tepër të mos i acaroj grindjet e Perëndimit, sepse jam e bindur se përparimi i tij varet nga mirëkuptimi midis racës latine dhe asaj gjermanike, dhe se grindjet e tyre u sjellin dobi vetëm partive prapanike.
Në origjinal: Quiconque a beaucoup vu / Peut avoir beaucoup retenu. Nga fabula “Dallëndyshja dhe zogjtë e vegjël” e La Fontenit (Fabulat, I, 8). — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal: ils considèrent le mariage comme un sacrement, le divorce comme une abomination et ne tolèrent que la séparation. Ndarja këtu është ajo që juristët francezë e quajnë séparation de corps: bashkëshortët jetojnë veç, por martesa nuk zgjidhet dhe asnjëri prej tyre nuk mund të martohet përsëri. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Përjashtimet më të dukshme janë në jug të Gjermanisë, ku një pjesë e bavarezëve dhe gjermanët e Austrisë janë në krye të gjermanikëve katolikë. ↩︎
Në origjinal: tout en regardant le mariage comme un « mystère » ou sacrement. Kisha lindore e numëron martesën ndër “misteret” e saj (gr. mystērion), ritet që Kisha katolike i quan “sakramente”. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Dora d'Istria