Francezet në kohën e Restaurimit

Letra V

Lexoje në frëngjisht (origjinali): Les Françaises de la restauration

Çfarë trajton kjo letër

Heqja e divorcit. — Libri i vikontit de Bonald. — Rikthehen në pushtet të preferuarat e mbretit. — Luigji XVIII dhe zonja du Cayla. — Kujtime nga një qëndrim në Venecia. — Dukesha d’Angoulême, ose Burbonët e Francës. — “I vetmi burrë i familjes.” — Dukesha de Berry, ose Burbonët e Napolit. — Madame në Paris, në Vandea dhe në mërgim. — Një vjehërr dhe një xhaxha. — Rënia e Karlit X dhe e Aleksandër X Gjikës. — Kontesha de Chambord. — Dukesha e Parmës. — Konti dhe kontesha de Montemolin, ose Burbonët e Spanjës. — Ferdinandi VII, infantja Carlotta dhe mbretëresha Maria Kristina. — Epërsia e grave mbi burrat në familjen e Burbonëve.

Pa dyshim, edhe ju, si unë, i keni dëgjuar shumë herë lindorët të habiten me polemikat kundër martesës që shpërthyen në fillim të mbretërimit të Luigj-Filipit. Jehonën e madhe këtyre polemikave ua dhanë romanet e para, dhe më të famshmet, të zonjës Zhorzh Sand. Por habia e tyre do të shuhej, po ta njihnin mirë historinë e sotme të Perëndimit. Me sulmet e veta kundër arritjeve të Revolucionit, Restaurimi e kishte përgatitur vetë një reagim të pashmangshëm. Qysh në vitin 1816 ai nxitoi të fshinte nga Kodi Civil dispozitat e mençura për divorcin. Dhe nuk u mjaftuan me këtë goditje të rëndë kundër lirisë së besimit, me këtë fyerje ndaj protestantëve francezë, të cilët nuk e quajnë martesën të pazgjidhshme. Filozofë të çuditshëm, si vikonti de Bonald, autor i një shkrimi kundër divorcit (Mbi divorcin dhe shoqërinë familjare), e shtynin monarkinë drejt humnerës. “Burri dhe gruaja nuk janë të barabartë, — thoshte vikonti, — dhe nuk do të bëhen dot kurrë.” Që të merrni një ide për pikëpamjet e kësaj shkolle, mjafton t’ju them se një bir i vikontit, z. Victor de Bonald, pohon në një libër të jashtëzakonshëm, Moisiu dhe gjeologët, se Inkuizicioni kishte të drejtë kundër Galileut dhe se Toka nuk rrotullohet rreth Diellit. Sa qe gjallë Luigji XVIII, shkolla katolike, e frenuar nga një mbret që ajo e quante “jakobin”, u detyrua të kënaqej me heqjen e divorcit. Por nën Karlin X, që ishte i dhënë pas jezuitëve, u përpoqën të vendosnin të drejtën e parëbirnisë, që ia linte trashëgiminë djalit të madh. Kështu do t’u hiqnin vajzave garancitë që u kishte dhënë Kodi i Napoleonit, i cili kishte vendosur parimin e ndarjes së barabartë të trashëgimisë.

Zonja de Stal do të kishte bërë, pa dyshim, një luftë të fuqishme kundër partisë absolutiste, sikur të mos e kishte marrë një vdekje e parakohshme në fillim të Restaurimit, pikërisht në përvjetorin e marrjes së Bastijës (14 korrik 1817). Ithtarët e regjimit që ajo e kishte luftuar gjithë jetën patën zgjuarsinë ta kthenin në ndihmëse të tyre një grua tjetër, jeta e së cilës është e lidhur ngushtë me trazirat e asaj kohe. Zoé Talon, kontesha du Cayla, shpejt zuri vendin e parë në oborrin e “mbretit shumë të krishterë”, siç quheshin mbretërit e Francës. Hijeshia e fytyrës, biseda tërheqëse, natyra e gëzuar dhe ndjenja e hollë për rregullat e sjelljes në shoqëri patën një ndikim aq të madh mbi zemrën e mbretit plak, saqë jezuitët, që papa Piu VII i kishte rivendosur pak më parë, e panë të nevojshme të siguronin përkrahjen e së preferuarës së tij. Thuhet se ajo pati një pjesë të madhe në ardhjen në pushtet të z. de Villèle dhe të z. de Corbière, dhe se arriti ta mposhtte mospëlqimin e mbretit për njerëzit që mbronte i vëllai. Në të vërtetë, Luigji XVIII nuk ishte aspak i huaj për idetë e shekullit të vet. Ishte rritur me idetë e enciklopedistëve dhe, gjatë mërgimit, ishte mësuar të shihte se Anglia madhështinë e saj ua detyronte lirive. Në rrethana të tjera, ndoshta, ai do t’i kishte pajtuar Burbonët e degës së vjetër me Revolucionin Francez. Por miku mendjehollë i zonjës du Cayla[1] ishte i rrethuar nga një parti, mbeturinat madhështore të së cilës më ra rasti t’i shoh në Venecia. Më rri gjithmonë para syve fytyra e rreptë e dukeshës d’Angoulême, ashtu siç e pashë në një shfaqje teatrale me amatorë te dukesha de Berry. Kjo princeshë, që Napoleoni e quante “i vetmi burrë i familjes së saj”, dukej se kishte një karakter të papërkulur. Në vitin 1815, mbesa e “mbretit” Maria Tereza[2] ishte përpjekur ta mbronte Bordonë kundër ithtarëve të Napoleonit, dhe guximi i saj duhet t’i ketë skuqur nga turpi dy xhaxhallarët e saj. Dihet se në kohën e Revolucionit ata kishin treguar pak energji dhe se, kur u kthye Napoleoni, nxituan të strehoheshin mes ushtarëve të koalicionit. Megjithëse populli francez e çmon trimërinë, duket se dukesha nuk u bë kurrë e dashur për të. Devotshmëria e saj e tepruar i bënte njerëzit të mendonin se ishte mendjedobët dhe krejtësisht në dorë të jezuitëve, të cilët atëherë po e rrënonin monarkinë me trazirat dhe planet e tyre absurde. Veç kësaj, kam menduar gjithmonë se hija e trishtimit që i mbulonte ballin e bënte Francën të besonte se ajo nuk do t’ia falte kurrë skenat e zymta të Terrorit. Është e vërtetë se mendja e saj nuk ishte aq e fortë sa të kuptonte se skena të tilla ndodhin vetëm në vendet ku masat janë shtypur e trullosur nga një despotizëm i gjatë, dhe se fajin kryesor për to e kanë qeveritë e këqija. Për fat të keq, shpirtrat që quhen të devotshëm i mbajnë mërit aq më gjatë, sa më pak i kuptojnë ligjet e historisë. Ata kujtojnë se, duke u hakmarrë për fyerjet që u janë bërë, mbrojnë vetë çështjen e qiellit.

Dukesha de Berry, princeshë napolitane, i përket, ashtu si kunata e saj e ndjerë, familjes së Burbonëve nga i ati, Françesku I, dhe shtëpisë së Lorenës nga e ëma, e bija e perandorit Leopold II. Por ajo dhe “mbretëresha” — kështu e quanin dukeshën d’Angoulême në palazzo Vendramine, ku banonte dukesha de Berry — bënin kontrastin më të çuditshëm. Dihet sa të gjalla e të rrëmbyera janë gratë e Italisë së Jugut. Parisienët ia falnin me gjithë qejf gruas së dukës de Berry këtë gjallëri, që u ngjante më shumë karakterit të tyre sesa ngurtësia e dukeshës d’Angoulême dhe devotshmëria e vjehrrit të saj (Monsieur-it,[3] më vonë Karlit X). Edhe pse edukimi i saj, sipas zakonit italian, ka qenë shumë i lënë pas dore, ajo ka zgjuarsinë e gjallë të vendit ku lindi: është e butë dhe e çiltër, ka shpirt besues, dhe kur ishte e re, pa qenë e bukur, thonë se kishte hir e hijeshi. Sapo mbërriti në Marsejë (maj 1816), i fitoi provansalët me një fjalë shumë të qëlluar. Duka de Lévis deshi ta përshëndeste në italisht: “Frëngjisht, — tha ajo, — frëngjisht, unë nuk njoh gjuhë tjetër!” Luigji XVIII e deshi shumë, madje edhe i shoqi i tregoi respektin më të madh, megjithëse kishte tashmë dy vajza me një angleze dhe nuk e fshihte shumë lidhjen me Virginie Letellier, balerinë e Operës. Ashtu si ajo, edhe duka i donte artet, dhe, në mungesë të një dashurie shumë të zjarrtë, këto shije të përbashkëta krijonin mes bashkëshortëve njëfarë afërsie. Dukesha ishte mbrojtësja e teatrit të ri Gymnase, që më vonë u quajt Théâtre de Madame, ku Scribe pati aq sukses. Në Venecia ajo nuk e kishte harruar as teatrin e saj, as autorin e saj të parapëlqyer, dhe një ditë deshi të më jepte rolin e Ndrikullës. Disa njerëz të letrave gjetën tek ajo po aq përkrahje sa artistët. Sa për tregtarët e kryeqytetit, meqë ajo blinte shumë dhe paguante rregullisht, ata e shihnin si një dhuratë nga qielli. Udhëtimet e shpeshta në Diep, vizitat në Mont-Dore dhe shëtitja në Bearn, vendlindja e paraardhësit të saj të shquar,[4] ia shtuan edhe më shumë popullaritetin.

Por shpejt në këtë qiell të kthjellët u shfaqën re. Duka u vra nga Louvel (13 shkurt 1820), dhe në maj të atij viti dy fanatikë u përpoqën ta frikësonin të venë, me shpresë se do të lindte para kohe dhe fëmija që mbante në bark do të vdiste. Mes këtyre sprovave mizore ajo tregoi po atë forcë shpirtërore dhe po atë qetësi. Qëndroi pranë të shoqit gjatë agonisë së tij të gjatë dhe i premtoi se do të bëhej nënë për vajzat e anglezes. Po ashtu, ajo mori nga mbreti faljen e dy burrave që juria i kishte dënuar me vdekje. Megjithatë, shumëkujt i erdhi keq që ajo kishte dhënë një ballo ditën kur u ekzekutuan rreshterët e La Rochelle-s.[5] Ky është ndoshta i vetmi tipar i jetës së saj që të kujton se është e bija e Françeskut I dhe motra e Ferdinandit II, dy princër kujtimi i të cilëve urrehet me të drejtë në Itali.

Ndonëse italiane, dukesha nuk ishte e verbër, si kunata dhe vjehrri i saj, para antipatisë që bigotizmi i oborrit ngjallte në Francë. Ajo u përpoq më kot ta hiqte edukimin e të birit nga duart e jezuitëve. Ishte kundër dëshirës së saj që z. Tharin, agjent dhe mbrojtës i trashëgimtarëve të Lojolës, domethënë i jezuitëve, u emërua mësues i dukës së Bordosë. Në fillim të vitit 1830 ajo arriti ta largonte; por tashmë po gjëmonte stuhia që do ta çonte edhe një herë në mërgim një dinasti që nuk dinte të shihte përpara.

Sot këto hollësi janë harruar thuajse po aq sa ekspedita që ndërmori dukesha de Berry për të rrëzuar mbretin Luigj-Filip. Tregimin e fushatës plot aventura të “regjentes Maria Karolina” mund ta lexoni në Kujtimet e gjeneralit Dermoncourt, i cili më në fund e zuri, falë tradhtisë së një hebreu të kthyer në katolicizëm. Si kundërshtar i ndershëm, gjenerali ia njeh guximin: “Ajo është, — thotë autori i librit Vandea dhe Madame, — nga ato natyra të brishta që duket se i përkul një fllad, por që e jetojnë jetën plotësisht vetëm kur ka stuhi në qiell ose në zemër.” Një provë të shkëlqyer të kësaj energjie ajo dha kur ndenji tridhjetë e gjashtë orë pas pllakës së një oxhaku, duke duruar nxehtësinë e zjarrit, e pushtuar nga ankthi, nga uria dhe nga pagjumësia.

E zënë rob dhe e mbyllur në kështjellën e Blaye-s, dukesha nuk mund ta fshihte më një shtatzëni mjaft të përparuar. Prandaj më 22 shkurt 1833 ajo shpalli martesën që kishte lidhur në Itali me kontin Lucchesi-Palli, diplomat napolitan, më vonë duka della Grazia (vdiq më 1864). Ministri Calomarde e kishte dëbuar kontin nga Madridi për shkak të ndikimit që kishte mbi mbretëreshën Kristina, motrën e dukeshës. Thuhet se konti po shkonte në Hagë për të marrë detyrën e ministrit të Mbretërisë së Dy Sicilive, kur takoi nusen e djalit të Karlit X, e cila pranoi të lidhte me të një martesë morganatike.[6] Mua nuk m’u duk se ai ishte i përshtatshëm, as nga mendja, as nga fisnikëria e sjelljes, për rolin romantik që kishte luajtur në Madrid dhe në Massa. Nga ana tjetër, me kalimin e viteve dhe me fatkeqësitë, edhe vetë dukesha i kishte rimarrë pjesërisht zakonet napolitane. Tek ajo ishte e vështirë të njihje mbrojtësen e teatrit Gymnase, zonjën e kështjellës së Rosny-t, mikpritësen e pavijonit Marsan, mikeshën e Shatobrianit dhe të Berryer-it; megjithatë ajo e kishte ruajtur një dashamirësi që as tradhtia, as fatkeqësia nuk e kishin prishur. E kam parë shpesh bashkë me nënën time, jo vetëm në pritjet zyrtare, por edhe në rreth të ngushtë. Ajo fliste më me qejf për çështje arti ose thjesht letërsie sesa për çdo temë tjetër. Nuk më kujtohet të ketë thënë ndonjëherë qoftë edhe një fjalë për ekspeditën e saj të famshme në Francë. Kufizohej te disa aludime për fatkeqësitë që në ditët tona nuk kursejnë askënd. Këto aludime ishin aq më të natyrshme, sepse sulltani i dobët Abdylmexhid sapo kishte përfituar nga gabimet e Aleksandër X Gjikës[7] — gabime që paanësia nuk më lejon t’i mohoj — për ta rrëzuar nga froni i Vllahisë dhe për ta bërë edhe më të pasigurt gjendjen, tashmë aq të mjerë, të këtij vendi fatkeq. “Ah! — thosha me vete, — sikur të kishte mbretëruar atëherë në Bukuresht një patriot energjik si Grigor III Gjika, princi i paepur i Moldavisë, ose Grigor IV Gjika Restauruesi, kurora e Mihai Trimit nuk do të ishte bërë lodër në duart e diplomatëve dhe të despotëve të degjeneruar të Stambollit!”

Unë e shihja shumë më qartë se të afërmit e mi sa e vështirë është, në disa raste, ta ndalësh ecjen e revolucioneve, dhe e kuptoja qysh atëherë se kokëfortësia e Aleksandër X Gjikës i ngjante disi kokëfortësisë së Karlit X. Duket se edhe dukesha kishte mendime të ngjashme për vjehrrin e saj, dhe sot të gjithë e dinë se ajo do ta kishte parapëlqyer shumë më tepër monarkizmin e mençur të një Berryer-i dhe të një Shatobriani sesa këshillat e princit de Polignac dhe të jezuitëve. Në Saint-Cloud, gjatë ditëve të korrikut,[8] ajo i bëri mbretit vërejtje që nuk u dëgjuan, sepse burrat e quanin poshtërim t’u vinin veshin këshillave të një gruaje që merret me çështje të tilla. Rreziqet që ajo hoqi më pas në Jug të Francës dhe në Vandea, sprovat që i përballoi me gazin dhe guximin e një bije të Henrikut IV, nuk i kishin pëlqyer aspak autorit të urdhëresave. Aq më pak, sepse ai vetë, gjatë luftës së parë civile, për shkak të kujdesit të tepruar, kishte merituar fjalët më të ashpra që një njeri i brumit të Charette-it[9] mund t’i thoshte një princi që e quante frikacak. Prandaj dukeshës de Berry iu desh shumë mund që t’ia falnin atë veprim të nxituar. I hoqën çdo autoritet mbi të birin, i cili kaloi nga duart e mbretit plak në ato të djalit të Karlit X, dhe më në fund në duart e dukeshës d’Angoulême.

Në atë kohë (1847), Karli X dhe duka d’Angoulême kishin vdekur, ndërsa duka i Bordosë ishte martuar. Po të gjykojmë nga disa manifeste, për shembull Politika mbretërore, trashëgimtari i Burbonëve të degës së vjetër ka arritur më në fund të mendojë se pikëpamjet relativisht të moderuara të nënës së tij nuk ishin aspak më të këqija se ëndërrimet e absolutistëve. Pikërisht këtyre u detyrohet që humbi kurorën që është quajtur “më e bukura pas asaj të qiellit”. Por konti de Chambord — kështu e quanin tashmë dukën — nuk pati fëmijë, prandaj ata pak ithtarë që i kanë mbetur degës së vjetër të Burbonëve sot nuk mund të shpresojnë më asgjë për të ardhmen. Nga ana tjetër, e pranoj sinqerisht se kontesha de Chambord m’u duk princesha më pak e përshtatshme për ta bërë popullor një restaurim. Maria Tereza, arqidukeshë e Austrisë, ishte e bija e Françeskut IV, dukës së Modenës dhe të Rexhos, dhe motra e Françeskut V: dy tiranë të vegjël, emri i të cilëve ka mbetur i urryer për gjithë Italinë liberale. Grabitqari Françesku V, bir i denjë i xhelatit të Menotti-t dhe të Ricci-t, u detyrua në ditët tona të ikte në Austri para zemërimit të drejtë të nënshtetasve të vet. Do të ruhem mirë të mos ia vesh konteshës de Chambord të gjitha idetë e të atit dhe të vëllait. Shembulli i dukeshës de Berry tregon se një njeri i zgjuar dhe dashamirës nuk është domosdo skllav i mendimeve të të afërmve të vet. Do të mjaftohem të them se kontesha de Chambord jo vetëm nuk është e bukur, por i mungon edhe ai lloj hijeshie që e kanë shpesh edhe gratë e shëmtuara.

Motra e kontit de Chambord ishte martuar në vjeshtën e vitit 1845. Këtë princeshë të re e pashë te nëna e saj. Kishte një kokë shumë të bukur, ndonëse kjo kokë ishte tepër e madhe dhe tepër e futur në supe. Kam dëgjuar të thonë se këtë trup e kishte trashëguar nga i ati fatkeq. Pak gra kanë pasur fat më tragjik se dukesha e Parmës. Pas vrasjes së dukës de Berry, ajo u detyrua të ikte para fitimtarëve të korrikut. Më vonë pa nënën e saj të burgosur nga dega më e re e familjes, dhe vendin e të atit ta zinte një njeri me prejardhje aspak të shquar. Kur u martua me një anëtar të familjes së vet, Karlin III, dukën e Parmës dhe të Piaçencës, dukej se në këtë principatë fatkeqësitë e saj do të merrnin fund. Por i shoqi nuk e trajtonte më mirë se nënshtetasit e vet. Fillimi i sundimit të Karlit ishte shënuar nga një prej atyre pushtimeve austriake që italianët i urrenin me të drejtë, nga ekzekutime, madje edhe nga dënimi i turpshëm me kamxhik për ata që kishin fatkeqësinë të mos i pëlqenin dukës. Duka sundohej nga anglezi Ward dhe u bë aq i urryer për nënshtetasit e vet dhe për gjithë Italinë, saqë kur ra nga dora e një vrasësi (mars 1854), askush nuk derdhi asnjë lot për këtë vdekje të parakohshme. Kur mori regjencën në emër të të birit, Robertit I, dukesha në fillim u dallua për masa të mençura. E uli shumën që shteti i jepte çdo vit oborrit, listën civile, nga 1.800.000 lira në 600.000; shpërndau dy të tretat e ushtrisë, mbajtja e së cilës i kushtonte shumë këtij shteti të vogël; riorganizoi drejtësinë dhe rihapi disa shkolla që i kishte mbyllur i shoqi; më në fund, në vend të baronit Ward vuri ministra më të pëlqyer nga nënshtetasit e të birit. Por me mizoritë dhe marrëzitë e veta, duka i ndjerë e kishte bërë familjen aq të urryer, saqë reformat e dukeshës nuk arritën t’i qetësonin mendjet. Ajo ndodhej në të njëjtën gjendje si stërgjyshi i saj Luigji XVI, kur ky zuri vendin e një princi që, me paaftësinë, shthurjen dhe pakujdesinë e vet, e kishte çuar monarkinë franceze buzë humnerës. Sovranët rrezikojnë të paguajnë për gabimet e paraardhësve po aq sa për gabimet e veta. Nga ana tjetër, në një rast shumë kritik dukesha pati ngathtësinë t’i tregonte popullit të saj një ashpërsi që mund t’i bënte njerëzit të harronin fillimet e sundimit të saj. Kur shpërtheu një kryengritje e nxitur nga ithtarët e Maxinit, dukati i Parmës iu la sërish në dorë veglave të mjera që kishte përdorur duka i ndjerë. Të paktën kështu e tregon libri gjerman Frauen der Zeit (“Gratë e kohës”), shumë më pak dashamirës ndaj dukeshës sesa artikulli që z. Cuvillier Fleury botoi te gazeta Débats (4 prill 1864). Prandaj dukesha e kishte humbur krejt popullaritetin kur lëvizja kombëtare e viteve 1859–60 e detyroi të merrte përsëri rrugën e mërgimit me katër fëmijët e saj. Ajo po vendosej në tokën zvicerane kur unë po bëhesha gati të nisesha për në Greqi, dhe zviceranët vinin re se nuk linte rast pa i përgëzuar për qetësinë dhe mbarësinë që gëzonin. A nuk është e mundur që, pas kaq vuajtjesh, pasi i pa të atin dhe të shoqin të vdisnin nga kama, dukesha të jetë ndier thuajse e lumtur që jetonte në një vend ku teprimet e një pushteti arbitrar nuk ua vënë vazhdimisht në rrezik jetën atyre që mbajnë pushtetin? Ajo vdiq në Venecia në fillim të vitit 1864.

A nuk e keni vënë re sa shumë ua kalojnë gratë burrave në këtë degë franceze të Burbonëve? Kujtoni guximin e dukeshës d’Angoulême më 1815 dhe energjinë me të cilën dukesha de Berry luftoi në Vandea, dhe krahasojeni këtë sjellje me dobësinë që treguan vëllezërit e Luigjit XVI në të gjitha çastet vendimtare të jetës së tyre. Ndoshta konti de Chambord do të ishte mbret kushtetues i Francës, sikur nëna e tij të kishte qenë regjente në korrik të vitit 1830. Sa për motrën e tij, kush do të guxonte ta vinte në një radhë me të shoqin, Karlin III?

Burbonët e Spanjës, që jetonin edhe ata në Venecia, ushqenin shpresa që dukeshin më të bazuara se iluzionet e të afërmve të tyre të mërguar nga Franca. Një parti e mbështetur nga të gjitha qeveritë absolutiste, që kishte pasur në radhët e veta klerin kaq të fuqishëm të Gadishullit Iberik dhe prijës si Zumalacarreguy dhe Cabrera, dukej në gjendje ta niste sërish luftën kundër mbretëreshës Izabela II dhe kundër regjimit kushtetues. Më 1844, don Karlosi, që ithtarët e tij e quanin Karli V, kishte hequr dorë nga të drejtat e veta në favor të djalit të madh. Ky, sa të rivendosej në fronin “e Spanjave dhe të Indive”, mbante emrin modest kont de Montemolin. I ardhmi Karl VI ishte martuar me Maria Karolina Ferdinandën, motër e dukeshës de Berry nga i ati, por nga martesa e dytë e tij. Kontesha de Montemolin, që vdiq në Trieste më 1861, disa orë pas të shoqit, nuk ishte aspak e hijshme dhe nuk dukej shumë e zgjuar. Nga ana tjetër, shurdhimi nga i cili vuante ndoshta ndikonte në atë shprehje që ia kam parë gjithmonë në fytyrë. Konti dukej më i gjallë dhe më i zgjuar. Më vonë ai bëri disa përpjekje për ta ringritur në Spanjë partinë apostolike, domethënë partinë e absolutistëve fanatikë. Pasi e zunë rob në njërën nga këto kryengritje, hoqi dorë, në favor të Izabelës II, nga të drejtat që i mvishte vetes.

Në Venecia, Burbonët e Spanjës tregoheshin shumë të zemëruar me kujtimin e infantes[10] Carlotta dhe me sjelljen e Maria Kristinës. Të dyja, ashtu si kontesha de Montemolin, ishin bija të Françeskut I të Napolit dhe të gruas së tij të dytë, Maria Izabelës së Spanjës. Është e sigurt se këto dy princesha, që e kuptonin turbullt, si motra e tyre dukesha de Berry, se pushteti absolut e kishte bërë kohën e vet, kanë dhënë një ndihmë të madhe për ringjalljen e Spanjës. Maria Kristina nuk e kishte energjinë e dukeshës d’Angoulême, dhe infantja Carlotta nuk e kuptonte gjendjen e mendjeve aq mirë sa mikja e Shatobrianit; megjithatë rrethana të jashtëzakonshme u dhanë mundësi të luanin një rol shumë më të rëndësishëm.

Pa dyshim, as infantja Carlotta, as regjentja Maria Kristina nuk mund të vihen pranë atyre grave të famshme që sunduan shekullin e tyre. Askujt nuk do t’i shkojë ndër mend t’i krahasojë me Elizabetën e Anglisë, me Maria Terezën e Austrisë apo me Katerinën e Rusisë. Por po t’i krahasosh Carlottën dhe motrën e saj me princat spanjollë të së njëjtës kohë, epërsia do t’u mbetet, pa dyshim, princeshave. Nuk duhet harruar në ç’gjendje e kishin katandisur atdheun e Servantesit dhe të Maria de Pachecos[11] mendjeshkurtri Karli IV dhe fanatiku Ferdinandi VII. Me ardhjen e Carlottës në oborrin e Ferdinandit fillon një epokë e re. Deri atëherë oborri turpërohej me patriotët dhe me qytetet që kishin luftuar me lavdi kundër Napoleonit I, sepse u vinte faj se e bashkonin dashurinë për lirinë me dashurinë për Spanjën. Kur Carlottës i lindi një djalë, më 1822, ajo deshi që ai të mbante titullin dukë i Kadizit, emrin e qytetit që kishte qenë djepi i kushtetutës së vitit 1812 dhe i kryengritjes së vitit 1820. E bukur, e zjarrtë, urdhëruese, ajo zemërohej me rolin e errët ku e dënonte politika e partisë absolutiste dhe murgjërore. Por kur e motra, Maria Kristina, u martua me Ferdinandin VII dhe i lindi një vajzë, Carlotta pati vetëm një mendim: të shfuqizohej ligji salik, që ua mbyllte grave rrugën e fronit. Këtë ligj e kishin sjellë në Spanjë Burbonët, dhe ai binte ndesh me gjithë traditat e një vendi që krenohej se kishte nxjerrë Blankën e Kastiljes dhe Izabelën I. Duke anuluar ndryshimin që Filipi V i kishte bërë sipas qejfit rendit të trashëgimisë, Ferdinandi e largonte nga froni princin injorant dhe mendjengushtë që ishte shpresa e manastireve dhe e partisë prapanike. Priftërinjtë e kërcënonin mbretin me ferrin; ambasadorët e qeverive absolutiste — dhe të tilla ishin atëherë thuajse të gjitha — vepronin kundër infantes; vetë mbretëresha tregohej e lëkundur dhe e frikësuar. Asgjë nuk e tronditi Carlottën, e cila mendonte qysh atëherë ta ulte njërin nga djemtë e saj pranë Izabelës në fron. Ky plan u realizua ditën kur mbretëresha u martua me don François d’Assise. Falë saj, Ferdinandi vdiq pa i anuluar vendimet nga të cilat varej e ardhmja e Spanjës kushtetuese. Në të vërtetë, regjentja Maria Kristina nuk kishte ndonjë dashuri të madhe për idetë liberale; por e gjithë partia absolutiste u rreshtua njëzëri pas don Karlosit, dhe kjo e detyroi t’u drejtohej liberalëve dhe të jepte një kushtetutë, Statutin Mbretëror (Estatuto real) të 15 prillit 1834.

Një ditë do t’ju tregoj si u ringjall Spanja nën skeptrin e një gruaje.


  1. Shih Kujtimet e dukës de La Rochefoucauld-Doudeauville. ↩︎

  2. Maria Tereza e Austrisë u kurorëzua më 1741 “mbret” (lat. rex) i Hungarisë; prandaj autorja e vë fjalën në thonjëza. Dukesha d’Angoulême ishte e bija e Maria Antoanetës, pra mbesa e saj. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  3. Monsieur (“Zotëria”) ishte titulli i vëllait më të madh të mbretit në oborrin francez, këtu konti d’Artois, më vonë Karli X. Po ashtu dukesha de Berry njihej në oborr me titullin Madame (“Zonja”); prej saj mori emrin Théâtre de Madame. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  4. Henriku IV (1553–1610), mbret i Francës dhe i Navarrës, i pari mbret nga dinastia e Burbonëve, lindi në Po (Pau), në Bearn. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  5. Katër rreshterë të garnizonit të La Rochelle-s, anëtarë të shoqërisë së fshehtë të karbonarëve, që u ekzekutuan në Paris më 1822 për komplot kundër monarkisë. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  6. Martesë midis një pjesëtari të familjes mbretërore dhe një personi me rang më të ulët; bashkëshorti dhe fëmijët nuk marrin titujt dhe të drejtat mbretërore. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  7. Aleksandër Gjika (Alexandru II Ghica), princ i Vllahisë nga 1834 deri më 1842, kur u rrëzua nga Porta. Ishte xhaxhai i autores, e cila vetë ishte nga familja Gjika (Elena Gjika). — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  8. Revolucioni i Korrikut 1830. Pas urdhëresave të Karlit X që pezullonin lirinë e shtypit, Parisi u ngrit dhe mbreti u rrëzua; froni kaloi te dega më e re e Burbonëve, te Luigj-Filipi. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  9. François de Charette, prijës i kryengritjes mbretërore në Vandea (1793–1796). Konti d’Artois, më vonë Karli X, nuk zbarkoi për t’iu bashkuar kryengritësve, dhe Charette e fajësoi rëndë për këtë. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  10. Infante, infantë: titulli i princave dhe i princeshave të familjes mbretërore në Spanjë dhe në Portugali. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

  11. María Pacheco (rreth 1496–1531), fisnike spanjolle që udhëhoqi mbrojtjen e Toledos gjatë kryengritjes së komuneve kundër Karlit V. — Shënim i përkthyesit. ↩︎

Pjesa e radhës
Francezet nën sundimin e Luigj-Filipit

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB