Çfarë trajton kjo letër
Aristokracia franceze. — Fisnikëria e fshatit. — Fisnikëria e Perëndimit. — Jeta e zonjave të kështjellave. — Larmi interesante krahinash. — Piktorët e jetës provinciale. — Zonjat C. Reybaud dhe L. Figuier. — Jeta e rëndë e fshatareve. — Fisnikëria e qyteteve. — Parizianet. — Si jetohet “fisnikërisht”. — Jeta aktive e lagjes Saint-Germain. — Parizianet në fshat dhe në llixha. — Shkrimtaret e aristokracisë dhe të borgjezisë. — Autoret e dramave. — Zonja de Girardin. — Zonja d’Altenheim. — Zonja Ancelot. — Zonja G. Sand. — Zonja de Bawr. — Poetet. — Zonja L. Colet. — Zonja Desbordes-Valmore. — Zonja Tastu. — Historianet. — Zonja D. Stern. — Zonjusha Bader. — Zonjusha de Marchef-Girard. — Udhëtimet. — Zonja L. d’Aunet. — Zonja Hommaire de Hell. — Pedagogjia. — Zonja Guizot. — Zonjusha Ulliac-Trémadeure. — Zonja Pape-Carpentier. — Francezet në arsim. — Provimet. — Trupi mësimor. — Artistet. — Piktoret. — Zonja Lebrun. — Zonjusha Rosa Bonheur. — Zonjat Juillerat, Brune, Debay, Rude, de Mirbel, Mutel, Herbelin. — Skulptoret. — Marie d’Orléans. — Zonja Lefèvre-Deumier. — Zonjusha de Fauveau. — Claude Vignon, skulptore dhe romanciere. — Romani. — Muzika. — Zonjusha Bertin. — Zonja Lemoine. — Arti dramatik. — Filantropia. — Zonjat Millet dhe Mallet. — Tregtia. — Tregtaret. — Gjendja e trishtuar e punëtores.
Qeveritë që erdhën pas republikës e ruajtën parimin e barazisë para ligjit. Megjithatë fisnikëria, që Napoleoni e rivendosi, jo vetëm nuk u zhduk, por pa të hynin në radhët e saj një mori anëtarësh të rinj, të cilët u quajtën “fisnikëria e perandorisë”. Në këtë mënyrë themeluesi i dinastisë së katërt e bëri realitet ëndrrën e zotit Zhurden.[1] Fitimtari i Marengos e dinte sa i neveriteshin borgjezisë, që nga koha e Molierit, markezët dhe kalorësit, prandaj u mjaftua të krijonte duka, princa, konte dhe baronë. Kështu u pa se si disa nga ata që kishin dënuar mbretin me vdekje dhe disa njerëz të Terrorit, si Fouché, për shembull, e ndërruan kësulën e kuqe të revolucionit me kurorën e dukës.
Cilado qoftë prejardhja e saj, fisnikëria franceze jeton pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Ajo duhet të luftojë me ligje shumë të drejta, që e ndajnë trashëgiminë në pjesë të barabarta dhe u njohin edhe vajzave të drejtën të trashëgojnë. Prandaj s’ka rrugë tjetër: ose zbaton teorinë e famshme të ekonomistit Maltus,[2] ose “u hedh pleh tokave të veta”, domethënë, për ta thënë me një gjuhë më pak feudale, kërkon nuse ndër vajzat e bankierëve dhe të industrialistëve të pasur. Nuk kam ndër mend të shqyrtoj nëse këto martesa, ku “arsyeja” sundon deri në këtë shkallë, e lartësojnë idealin e martesës. Po kufizohem të vërej se kontesha dhe baronesha të sapodala krenohen me stemat e tyre njësoj sikur stërgjyshërit e tyre të kishin vendin në sallën e kryqëzatave në Versajë,[3] ose sikur një kalorës i fisit të tyre ta kishte shoqëruar të birin e Robertit Djall në pushtimin e “Anglisë së gëzuar”.[4]
Aristokracia franceze ndahet në dy grupe: fisnikëria e fshatit dhe fisnikëria e qyteteve. Fisnikët që jetojnë në fshat, sidomos në krahinat e largëta të perandorisë, kanë ruajtur zakone krejt patriarkale. Këto zakone mund t’i përfytyroni lehtë po të lexoni historinë e luftërave civile në perëndim të Francës gjatë Revolucionit Francez. Gjysmë fshatarë e gjysmë fisnikë, zotërinjtë e fshatrave u kishin mbetur besnikë ideve të Mesjetës, ashtu si bujqit mes të cilëve jetonin. Njerëzit që rrethonin në Venecia dukeshën de Berry dhe kontin de Chambord flisnin për fisnikërinë e krahinave Poitou, Maine, Anjou dhe Bretani si për ajkën e kalorësisë. Duket se hekurudhat, telegrafi elektrik, Kodi i Napoleonit etj. i kanë ndryshuar këto krahina, përderisa ato nuk ngrihen më në kryengritje për Burbonët. Kur reja e Karlit X u përpoq ta rrëzonte Luigj-Filipin, burrat dhe gratë ruanin ende diçka nga zjarri luftarak që shpërthen në Kujtimet e markezes de la Rochejacquelin, një libër shumë interesant. Dukesha hyri në Vande e veshur si fshatare, pasi i kishte prerë flokët, dhe në përleshjen e Chêne-it u bind se vandeasit nuk e kishin humbur frymën luftarake të të parëve të tyre. Por kujtimet e së shkuarës nuk kishin më fuqi mbi masën e fshatarëve. Pasi i fashoi vetë të plagosurit në fushën e betejës, Maria Karolina e shpëtoi jetën vetëm falë kalit që z. de Charette i dha në vend të kalit të saj. Perëndimi i Francës nuk lëvizi, dhe dukesha, e shoqëruar nga një plak dhe një vajzë e re, z. de Ménars dhe zonjusha de Kersabiec, u detyrua të strehohej në Nant, ku zonjushat du Guigny i kishin përgatitur një strehë. Ajo hyri në qytetin demokratik e veshur si fshatare, këmbëzbathur, me këmbët të ndotura nga balta e rrugëve. Atë ditë mori fund Vandeja.
Sot më kot do të kërkonit emocione të tilla nëpër kështjella. Disa vepra fetare, libra për stemat fisnike, një gazetë legjitimiste, domethënë e ithtarëve të Burbonëve, si l’Union ose Gazette de France, vizitat e fqinjëve, bisedat me famullitarin ose me “motrën” murgeshë: këto janë pothuajse të vetmet argëtime të zonjave të kështjellave. Burrat, në përgjithësi, kanë një arsim krejt të pamjaftueshëm. Kanë oreksin e fortë, mendjen e trashë dhe sjelljet e fshatit, si gjahtarë të rraskapitur ose si njerëz të mësuar të rrinë gjithë ditën jashtë për të mbikëqyrur punën në tokat e veta. Që kur gradat në ushtri dhe në marinë jepen me konkurs ose si shpërblim për vjetërsinë, jeta e tyre është po aq monotone sa ajo e fshatarëve. Nga fshatarët dallohen jo aq nga dituria dhe ndjenja e përparimit, sa nga disa tradita kalorësiake që ende i ruajnë.
Natyrisht, zakonet e zonjave të kështjellave, ashtu si ato të fshatareve, ndryshojnë sipas prejardhjes së popullsisë së krahinës. Iberët dhe latinët e Jugut nuk kanë të njëjtat zakone si keltët e Qendrës apo gjermanikët e Lindjes. Disa gra shkrimtare kanë pasur idenë e mbarë të përshkruajnë zakonet e krahinave të tyre. Zonja Sand ka përshkruar krahinat e Qendrës, thellësisht gale; zonja L. Figuier, Jugun iberik; zonja Louise Reybaud, Jugun greko-latin (provansal); zonjusha Ulrique Trémadeure, autore e librit Armoricaines, Perëndimin kelt. Ndër romancierët, Balzaku, një nga më të shquarit, është një piktor i pashoq i jetës provinciale. Souvestre iu kushtua keltëve të Bretanisë, z. Ducom gaskonjezëve, e kështu me radhë.
Me gjithë ndryshimet në qytetërim midis krahinave, gjendja e fshatareve në përgjithësi nuk është e kënaqshme. Sipas z. Mishle (Gruaja, XXII), pikërisht në Francë gjendet mishërimi më i plotë i “bujkut të ashpër” (durus arator). “Në fshat, — thotë ai, — ka shumë ashpërsi. Japin pak, nga frika se mos u vihet zjarri, por i lënë prindërit e tyre të vdesin urie.” Ndaj ai e krahason gjendjen e fshatareve me atë të zezakëve. Ndonjëherë i mbrehin bashkë me gomarët. Shumica vdesin nga tuberkulozi, sidomos në Veri. Francezët, që kujtojnë se s’kanë asgjë për t’u pasur zili fqinjëve, do të bënin mirë të shëtisnin pak nëpër kantonet Vaud, Bernë dhe Cyrih. Kështu do të bindeshin se është e mundur, pa u dhënë aspak pas ndonjë “iluzioni socialist”, që fshatareve t’u sigurohen arsim dhe mirëqenie të mjaftueshme.
Gratë e aristokracisë së qyteteve, ashtu si burrat e tyre, janë shumë më të hapura ndaj ideve të kohës së vet sesa ato që jetojnë në fshat. Do t’ju flas sidomos për parizianet, së pari sepse i njoh më mirë, dhe së dyti për shkak të ndikimit që zakonet e kryeqytetit kanë në një vend kaq të centralizuar si Franca.
Do të filloj duke ju bërë të vini re se me fjalën “pariziane” kuptohen më shumë ato që kalojnë në Paris një pjesë të stinës së ftohtë sesa bijat e vetë qytetit të madh. Parizianet e mirëfillta janë mjaft të rralla, dhe do t’i gjenit më shumë në borgjezi sesa në fisnikëri. Prandaj, duke studiuar gratë e Parisit, mund të krijoni një ide të saktë për larminë, ndonjëherë të çuditshme, të tipave provincialë. Por, sado të ndryshëm të jetë karakteri që gratë e aristokracisë kanë marrë nga prejardhja e tyre, jeta e tyre në Paris i afrohet pak a shumë të njëjtit ideal. Dhe ky ideal përputhet mjaft mirë me shprehjen e vjetër “të jetosh fisnikërisht”. Të jetosh fisnikërisht do të thotë të jetosh pa bërë asgjë. Ç’po them, pa bërë asgjë? Në mëngjes bëhen vizita. Në mbrëmje shkohet në ballo, në teatër, ose thjesht “në shoqëri”. Një ditë në javë presin miq në shtëpi. Shtojini këtyre punëve disa detyra fetare: të dielave, lutjet e mbrëmjes; gjatë Kreshmëve, predikimet e predikuesit që është në modë; pastaj disa lexime shumë të rralla dhe krejt pa vlerë. Kështu do të keni një ide mjaft të saktë për jetën e një markezeje ose të një konteshe të lagjes aristokratike Saint-Germain. Megjithatë, mos kujtoni se kjo mungesë idesh dhe punësh serioze i pengon të jenë të këndshme, madje edhe mendjehollë. Meqë kanë shumë finesë dhe takt, ato i shmangin me një kujdes të mrekullueshëm të gjitha bisedat që do t’i nxirrnin në shesh boshllëqet e mëdha të arsimit të tyre. Kanë mijëra raste të shohin e të dëgjojnë burra të shquar, dhe mbajnë mend nga fjalët e tyre disa fraza “me efekt” për fenë, filozofinë dhe politikën. I përdorin aq me mjeshtëri, saqë për njëfarë kohe mund t’i mashtrojnë vëzhguesit sipërfaqësorë.
Kjo mënyrë jetese pajtohet po aq keq me parimet e filozofisë sa edhe me mësimet e fesës. “Kush nuk punon, të mos hajë”, thotë ashpër Dhiata e Re. As e Vjetra nuk flet më pak qartë: “Njeriu ka lindur për të punuar, ashtu si zogu për të fluturuar.” Dhe asnjë qenie nuk i shkel pa u ndëshkuar ligjet e natyrës së vet. Sa hidhërime foshnjore, sa intriga qesharake, sa pasione të marra lindin nga zbrazëtia e tmerrshme që përtacia lë në shpirt! “Bashkëshortja që ka pasuri me bollëk, — thotë shumë bukur z. E. de Girardin, — përkulet nën peshën e një përtacie që, më së shpeshti, ia ndez dhe ia çorodit imagjinatën.” (Liria në martesë.) Mjekët pohojnë, ashtu si moralistët, se një nga plagët më të rënda të shoqërisë aristokratike është përtacia që e bren. Politikanët do të shtonin se asgjë nuk e bën më të paaftë të luajë një rol të denjë për pozitën e saj, dhe asgjë nuk e bën më të urryer në sytë e masave, që e fitojnë me djersën e ballit bukën e hidhur të përditshme.
Disa gra, — sidomos kur afrohet pleqëria, — përpiqen t’i shpëtojnë kësaj zbrazëtie duke u dukur sikur janë të zëna me diçka. Disa përzihen në intriga pak a shumë diplomatike, si “gruaja politikane” për të cilën bie në dashuri i nderuari Groscassand (nga Gironda) te Këmbë balte, vepër e romancierit mendjemprehtë Charles de Bernard (Dugrail de la Villette). Të tjera, — dhe kjo ndodh më shpesh, — u përkushtohen interesave të klerit, si baronesha Pfeffers te komedia e z. Augier.[5] Në përshkrimin e bukur që z. Sent-Bëv i bën sallonit të zonjës Swetchine (Bisedat e reja të së hënës), do të gjeni modelin e disa shtëpive ku përzihen elementet më të kundërta, dhe që ndonjëherë i ofrojnë piktorit të zakoneve skena të denja për autorin e pavdekshëm të Tartufit.
Kur vjen stina e mirë, shoqëria e lartë pariziane shkon në pronat e veta, në plazhe ose në llixha. Gratë, në përgjithësi, nuk e duan shumë jetën në kështjellë, ku mërzia e papunësisë u shtohet edhe më, sidomos kur duhet të bësh orë të tëra rrugë për të gjetur fqinjë, që zakonisht janë mjaft fshatarakë. Veç kësaj, jeta në llixha të jep aq liri, saqë mund t’i vazhdosh nga aty ku i le mijëra historitë e dashurisë të dimrave parizianë. Kronika, domethënë shkrimet e lehta të gazetave për ngjarjet e ditës, është një gjini që ka marrë hov në Francë që kur kombi merret më pak me punët e veta. Ajo gjen një burim të pashtershëm në dramat e vogla që luhen në Baden, Ems, Biarritz ose Trouville. Sa për filozofët që duan të kuptojnë zakonet e shoqërisë franceze, aty mund të bëjnë vëzhgimet më të dobishme.
Po të kesh parasysh sa kohë të lirë kanë francezet e aristokracisë, do të pritej që pjesa më e madhe e grave që merren me letërsi të ishin prej tyre. E megjithatë nuk ndodh kështu. Ndër gratë shkrimtare ka gra nga familje dukësh (kontesha d’Haussonville, e bija e dukës de Broglie; zonja Amet, e bija e dukës d’Abrantès), kontesha (kontesha d’Agoult, kontesha Dash, kontesha de Bawr), viskontesha (zonja Viktor Hygo) dhe baronesha (Zhorzh Sand, e ndjera Marie de l’Épinay); por shumicën e përbëjnë borgjezet.
Gratë e borgjezisë ndahen në dy grupe krejt të dallueshme. Të parat marrin pak a shumë pjesë në jetën plot përtaci të aristokracisë; të dytat tregojnë një veprimtari shumë të shquar në letërsi, në arsim, në arte dhe në tregti.
Nuk kam ndër mend t’ju njoh me të gjitha shkrimtaret franceze. Për shembull, nuk do të ndalem te romancieret, sepse romanet franceze janë mjaft të njohura. Do t’ju flas sidomos për autoret e dramave, për poetet, për udhëtaret, për historianet dhe për shkrimtaret që janë marrë me arsimin.
E ndjera zonja de Girardin, e bija e një shkrimtareje të shquar, Sophie Gay, ishte njëkohësisht poete, autore dramash dhe gazetare, dhe është një nga emrat më të njohur të letërsisë së sotme franceze. Që në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç nisi të shkruante vjersha patriotike. Një nga poezitë e saj të para, Motrat e Shën Kamilit, fitoi më 1822 një çmim të jashtëzakonshëm nga Akademia Franceze. Më 1827 u bë anëtare e Akademisë së Tiberit, e cila i dhuroi një kurorë. Poezitë e plota do t’ju japin një ide për talentin e autores së romanit Napoline.
Në teatër iu desh më shumë këmbëngulje për të fituar pëlqimin e publikut. Tragjedia kishte dalë tashmë nga moda kur Rachel luajti Juditën dhe Kleopatrën, dhe as gjenia e artistes së madhe nuk arriti ta mposhtte në Teatrin Francez indiferencën e publikut. Në një gjini më pak madhështore, zonja de Girardin pati më shumë fat. Faji është i burrit, Lady Tartuffe (satirë për besimtaret hipokrite të vitit 1853), Gëzimi të tremb dhe Kapela e orëndreqësit u pritën shumë më mirë se tragjeditë e saj. Gëzimi të tremb i preku thellë spektatorët, kurse Kapela e orëndreqësit i bëri të shkriheshin gazit.
Zonja de Girardin e ka namin sidomos nga Letrat pariziane, që u botuan së pari në la Presse (1836–48), gazetë ku i shoqi ishte kryeredaktor. Sa shumë u pëlqyen këto biseda, që ajo i botoi me pseudonimin viskonti de Launay, e dëshmojnë imitimet e shumta që u bëjnë sot “kronikanët”. Për fat të keq, trashëgimtarëve të viskontit të famshëm shumë shpesh u mungon ajo elegancë e hollë që do t’i shkonte kësaj gjinie të lehtë. As e vërteta nuk është gjithmonë e mbrojtur nga cenimet. Njëri kronikan shfryn mërinë e vet, tjetri jepet pas një entuziazmi të pakuptueshëm. Me habi të madhe kam parë ndonjëherë të shndërrohen në hyjnesha gra që nuk kishin as atë “bukuri të djallit”, siç u thonë francezët freskisë së rinisë, dhe që s’kishin më shumë mend sesa hijeshi. Duhet pranuar se nevoja për të qenë interesant dhe mendjemprehtë, kur mungojnë si ngjarjet ashtu edhe mendimet, i justifikon shumë fjalë të kota.
Te zonja de Girardin gjetëm një tip thellësisht parizian. Gjinia ku ajo pati më shumë sukses, kronika, vështirë se mund të lulëzojë jashtë një qyteti ku ziejnë kaq shumë pasione dhe ide, dhe ku janë drejtuar sytë e mbarë botës. Një poete tjetër, gjithashtu e bija e Parisit, zonja d’Altenheim (Gabrielle Soumet), na bën me fillimet e saj dëshmitarë të skenave thellësisht pariziane. E lindur më 1844, e reja Gabrielle hyri qysh në adoleshencë në jetën intelektuale të qytetit të madh. “Sapo kishte mësuar të shkruante, — thotë z. Delaforêt, — dhe tashmë shkruante vargje.” Qysh e vogël, ajo recitonte në shoqëri fragmente nga Filiales, titulli i të cilave (vjersha të dashurisë për prindërit) e tregon mjaft qartë temën dhe ndjenjat. Zonja d’Altenheim ishte e bija e një poeti epik dhe autori tragjedish, ndaj ishte e natyrshme të tërhiqej nga temat serioze. Dy pjesë të saj, të shkruara bashkë me të atin, Gladiatori dhe Jane Grey, u vunë në skenë në Teatrin Francez gjatë mbretërimit të Luigj-Filipit.
Zonja Ancelot lindi në Burgoni më 1792. Krahinat ku u vendosën burgundët në kohën e dyndjes së barbarëve janë shembulli më interesant i përzierjes së racës kelte me racën gjermanike. Disa, besnikë të frymës burgunde, e shtyjnë seriozitetin deri në një madhështi ndonjëherë të tepruar, më shumë teutonike se franceze (Shën Bernardi, Bosyeja, Byfoni, Lacordaire, Zhan-Zhak Rusoi, zonja de Stal, z. Lamartin); të tjerë (Piron, presidenti de Brosses, B. de Lamonnoie) janë përfaqësues të vërtetë të ironisë gale. Zonja Ancelot nuk e pëlqeu stilin e fryrë të bashkëvendasit të saj, predikuesit Lacordaire, dhe zgjodhi një gjini më të afërt me traditat e vërteta letrare të Francës. Madje ajo diti t’i rezistonte më mirë se “Muza e atdheut”[6] tundimit për të shkruar tragjedi, për “të mbathur koturnin”, siç thuhej. Sukseset e saj më të mëdha në Teatrin Francez, Një martesë e arsyeshme (1835), Maria (1836) dhe Kështjella e mbesës sime (1837), ishin triumfe të shkëlqyera edhe për zonjushën Mars, një nga aktoret më të famshme të shekullit XIX. Teatri i plotë i zonjës Ancelot, i botuar më 1848, përmban jo më pak se njëzet pjesë, nga të cilat më e çmuara është Maria. Kushdo që do ta njohë jetën pariziane do ta lexojë me interes librin e saj Sallonet e Parisit.[7] Zonja Ancelot është marrë edhe me pikturë, dhe më 1828 ekspozoi tablonë Një lexim në shtëpinë e z. Ancelot.
Dy francezet që ende marrin pjesë aktive në lëvizjen letrare, zonja G. Sand dhe zonja D. Stern, kanë shkruar edhe për teatër. Që nga viti 1848, zonja Sand ka vënë në skenë disa pjesë në teatrin Odeon. Cosima, Mbreti pret, Fransua, fëmija i gjetur, Claudie, Martesa e Viktorinës, Pushimet e Pandolfit, Djalli i vatrës, Molieri, Presa e rrushit, Flaminia, Mjeshtri Favilla, Mauprat, Markezi de Villemer etj. e treguan talentin e saj të zakonshëm prej shkrimtareje, por provuan njëkohësisht se thirrja e saj e vërtetë ishte romani. Megjithatë Markezi de Villemer pati një sukses që, po të përsëritej, do ta ngrinte zonjën Sand në një vend shumë të nderuar ndër autorët e dramave. Zonja Stern vuri në skenë në Torino dramën e saj Zhana d’Ark, ku italianët panë një mishërim të Italisë së ringjallur. Ndër autoret e dramave duhen numëruar gjithashtu zonja Ségalas (Anaïs Ménard), autore e disa përmbledhjeve me poezi (Gruaja, Algjerianet, Për fëmijët etj.); kontesha de Bawr (Sophie de Champgrand), autore e librave Historia e muzikës, Kujtimet e mia dhe Kurs i letërsisë antike; aktorja e ndjerë zonja Roger (Éléonore Doze), autore e librit Rrëfimet e zonjushës Mars; dhe zonjusha Augustine Brohan, e Teatrit Francez. Kontesha de Bawr ka shkruar edhe disa komedi shumë gazmore (Paraja dhe shkathtësia, Rivali i sjellshëm, Xhaxhai i panjohur, Dredhia e dyfishtë), dhe pjesa e saj Pasojat e një balloje me maska ka mbetur në repertorin e Teatrit Francez. Nga përvoja e vet, kontesha mund të kishte nxjerrë më shumë se një kujtim komik.
Konti Sen-Simon, pasi i plotësoi me udhëtime studimet e rinisë, mendoi të martohej, që të mblidhte në sallonin e vet shkrimtarët dhe dijetarët. Meqë ndodhej në kantonin Vaud, shkoi për vizitë në Coppet, ku jetonte atëherë zonja de Stal. Sapo hyri në sallonin e baroneshës, i mbajti këtë fjalim të çuditshëm: “Zonjë, ju jeni gruaja më e jashtëzakonshme në botë, ashtu siç jam unë burri më i jashtëzakonshëm; të dy bashkë, pa dyshim do të bënim një fëmijë edhe më të jashtëzakonshëm.” Meqë zonja de Stal nuk pranoi ta vinte në zbatim “parimin e përzgjedhjes”, Sen-Simoni u pajtua të martohej me Sophie de Champgrand. Eksperimenti doli mjaft keq: gruaja e tij, ndonëse i dukej e denjë për dashurinë e tij, nuk ishte në gjendje “të fluturonte bashkë me të përtej çdo kufiri të zakonshëm”. Divorci nuk ndalohej në atë kohë, dhe gruaja e braktisur u martua me një oficer rus, z. de Bawr, i cili e bëri të lumtur, por vdiq në mënyrë tragjike: më 1812 e shtypi një karrocë.
Ndër poetet franceze, vendin e parë sot e zë zonja Colet.
Zonja Colet (Louise Révoil, 1810) vjen nga një krahinë ku ndjenjat shprehen me shumë më tepër gjallëri sesa në kryeqytetin e Francës ose në vendlindjen e zonjës Ancelot. E lindur në Aix-en-Provence, ajo nisi me një përmbledhje poezish të titulluar Lule të Jugut. Tre vjet më vonë (1839), poema e saj Muzeu i Versajës fitoi çmimin e poezisë të Akademisë Franceze, dhe në vitet që pasuan (1839–1855) po ajo Akademi nderoi edhe poemat Monumenti i Molierit, Kolonia e Mettray-së dhe Akropoli i Athinës. Në poemat e zonjës Colet, ashtu si në provat e saj dramatike dhe në veprat e saj në prozë, dallohet një shqetësim i gjallë dhe i ligjshëm për gjendjen e gruas franceze, si dhe një kujdes i madh për të nxjerrë në pah rolin e gjinisë sonë në historinë e njerëzimit. Mjafton të përmendim Poemën e gruas (Fshatarja, Shërbëtorja dhe Murgesha), Sharlota Korde dhe zonja Rolan, Zonja du Chastelet dhe Ese mbi shkrimet e zonjës de Lambert, që u prin veprave morale të kësaj zonje.
E ndjera Marceline Desbordes-Valmore kishte lindur në Flandër (1786), një krahinë që nuk i ngjan Provancës më shumë sesa Saksonia Italisë. Prandaj në poezitë e saj gjen më shumë melankolinë gjermanike sesa ndjenjat e racave të Jugut. Zonja Ancelot vëren se të gjitha shkrimet e saj kanë “të njëjtin karakter naiviteti, plot butësi ëndërrimtare dhe vrull pasionesh të mbushur me trishtim”. Vetëm titujt e poezive të zonjës Desbordes (Elegji, Lot, Lule të varfra) e kujtojnë prejardhjen e saj dhe atë “vuajtje të vazhdueshme” që, sipas zonjës Ancelot, ia kishte larguar nga shpirti përshtypjet e zjarrta dhe të gëzueshme që i ndiejnë lehtë popujt e Jugut.
Zonja Tastu (Sabine Voïart), e lindur në Metz më 1795, i përket, si zonja Desbordes-Valmore, Francës gjermanike. Poezitë e saj dolën më 1826. Një nga biografët e saj vëren te Poezitë e reja mbizotërimin e “gjinisë elegjiake dhe sentimentale”, vulë e prejardhjes së saj. Ajo, shton ai, “iu kushtua këngës për gëzimet e vatrës”, një tjetër tipar gjermanik. Heronjtë e Zvicrës gjermane, çlirimtarët e kantoneve themeluese, i frymëzuan vargjet e saj më të bukura, Liria, ose Betimi i tre zviceranëve (1825).
Ishin aty të tre! Nëpër re, hëna
zbulonte në fytyrat e tyre burrërore
shenjat fitimtare të një shprese heroike:
nën rrobat e trasha rrihnin zemra fisnike.
Një betim bujar del nga buzët e tyre të pastra,
dhe jehona kërcënuese, që e përsërit jehona,
e thotë mal më mal, me një gjëmim të shurdhët:
Liri! Liri![8]
Më 1839 Akademia Franceze kurorëzoi veprën e zonjës Tastu Lavdërim për zonjën de Sévigné. Që nga ajo kohë, zonja Tastu iu kthye edukimit dhe historisë së letërsisë. Kohët e fundit ajo e shoqëroi në Lindje të birin, që është konsull i Francës. Ndër poetet duhen përmendur edhe zonja Ackermann; zonjusha Ernestine Drouet, vëllimi i së cilës, Charitas, u kurorëzua nga Akademia; baronesha de Montaran, e ndjera zonja d’Arbouville dhe markezja Blanche de Saffray.
Në Francën e sotme historia lëvrohet me më shumë sukses se poezia. Historianë si Gizoja, Tjeri, Mishle dhe Minjeja mund të vihen përkrah historianëve si Makoli, Grouti, Momseni, L. Ranke dhe Gervinusi. Ishte e pamundur që gratë të mos i jepeshin edhe ato asaj rryme, fare të kuptueshme, që i shtyn mendjet më të larta drejt kësaj fushe. Nga të gjitha francezet, pa asnjë dyshim, zonja D. Stern është ajo që ka pasur më shumë sukses në çështjet historike. Historia e revolucionit të vitit 1848 (1851) dhe Njëzet e pesë vjet nga historia e Vendeve të Ulëta (1863) dëshmojnë se autorja e Mendimeve ka bërë studime serioze. Është e qartë se ajo synon të tregojë se gratë mund të merren edhe me tema të tjera, jo vetëm me “zhanret e dorës së dytë”. Gjithçka na lë të shpresojmë se e njëjta gjë do të mund të thuhet edhe për zonjushën Bader.
Po atë vit që zonja D. Stern botonte Njëzet e pesë vjet nga historia e Vendeve të Ulëta, doli edhe libri Gruaja në Indinë e lashtë i zonjushës Clarisse Bader, e cila në moshën njëzet e dy vjeç ishte bërë anëtare e Shoqërisë Aziatike të Parisit. Libri tregon historinë e gruas indiane, që nga dyndja e arianëve në gadishull e deri te mbretërimi i Vikrama Ditya-s, pak para erës sonë. Duke ndjekur gjurmët e gjinisë së vet në Indi, zonjusha Bader e gjen gruan të lirë dhe të nderuar kur bijtë e racës fisnike ariane zbresin në Septasindou, dhe e lë në Maloua, të mbyllur në harem, pa zot tjetër e pa fe tjetër veç burrit, që i është bërë zotëri.
Zonjusha Bader nuk është e vetmja franceze që e ka kuptuar sa të rëndësishme janë për gratë kërkimet historike mbi gjendjen e tyre. Para saj, zonjusha J. de Marchef-Girard, që sot drejton në Paris Shoqërinë për Arsimin Profesional të Vajzave, kishte botuar librin Gratë: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tyre. Një kritik i shquar, një mendje thellësisht liberale, që Franca e humbi para kohe, z. Léon de Wailly, për këtë vepër dhe për librin tim Gratë në Lindje shkruante me zgjuarsi: “Kur një vepër çlirimi fillon ta kuptojnë ata që do të përfitojnë prej saj, kjo është shenjë e mirë. Sepse zakonisht janë pikërisht ata që u hedhin gurin e parë çlirimtarëve të tyre, sipas asaj maksime të Vovenargut, i cili thotë se skllavëria i ul njerëzit — fjala këtu përfshin të dyja gjinitë — aq poshtë, sa ata arrijnë ta duan.”[9] Autori i romanit Angelica Kauffmann shton se zonjusha Marchef, ndonëse pajtohet me mua në parime, nuk mendon gjithmonë njësoj për mënyrën si duhen zbatuar ato. “Zonjusha de Marchef, — thotë ai, — tërhiqet para divorcit, ndoshta sepse, si beqare, ka pasur më pak raste të mendojë për të.”[10]
Udhëtimet i shërbejnë shumë përparimit të shkencës historike, sepse na japin të dhëna gjithnjë e më të sakta për gjendjen e njerëzimit. Franca nuk ka një Ida Pfeiffer,[11] por mund të përmendë gjithsesi zonjën Léonie d’Aunet (zonja Biard), autore e librit Udhëtimi i një gruaje në Spitsbergen (1854), dhe zonjën Hommaire de Hell. Kjo e fundit ka botuar një vëllim me vjersha, Ëndërrimet e një udhëtari, ka shkruar një pjesë të veprës së madhe Stepat e detit Kaspik, që i shoqi e botoi në vitet 1844–47, dhe ka punuar bashkë me të edhe për Udhëtim në Persi dhe në Turqi.
Francezet e kanë kuptuar prej kohësh rëndësinë e pedagogjisë. Në kohën e Perandorisë gjejmë zonjën Campan, teoritë e së cilës nëna ime i përmblodhi në rumanisht (Pentru educasia kopiilor, Bukuresht, 1839).[12] Edhe zonja Gizo (Pauline de Meulan), e lindur në Paris më 1773, i përket periudhës së Perandorisë. Ishte nga një familje me emër në botën e financës dhe, kur të sajët u rrënuan nga revolucioni, vendosi të merrte penën për t’ua lehtësuar gjendjen. Historia mjaft romantike e martesës së saj me z. Gizo, që ishte katërmbëdhjetë vjet më i ri se ajo, është aq e njohur, sa nuk ka nevojë ta tregoj. Kur u njoh me historianin e famshëm, zonjusha de Meulan shkruante në gazetën Publiciste, që e drejtonte z. Suard. Që atëherë ajo kishte bindje që s’pajtoheshin fort me fenë e “shumicës së francezëve”,[13] dhe u mbeti besnike bindjeve të veta deri në çastin e fundit. Vdiq me qetësinë e atyre filozofëve të lashtë që e prisnin afrimin e orës së fundit me kthjelltësinë e admirueshme të një mendjeje të çliruar nga çdo frikë e kotë.
Në shkrimet e zonjës Gizo duhen dalluar dy pjesë: njëra i kushtohet teorisë, tjetra zbatimit. Letrat mbi edukimin në familje përmbledhin përvojën e një mendjeje të lartë, në shërbim të prindërve që s’kanë përvojë. Në shkrime të tjera, për shembull te Nxënësi, autorja përpiqet, me anë të formës dramatike, t’i bëjë fëmijët të kuptojnë detyrat e njeriut dhe t’u japë një ide për virtytet që duhet të fitojnë. Kjo vepër, që u shpërblye nga Akademia, u bë, bashkë me Fëmijët dhe Përrallat e reja, modeli i një zhanri që francezet e kanë lëvruar shumë. Ndër to veçojmë zonjat Z. Carraud, de Bawr, de Bassanville, de l’Épinay, Lebrun, Bernard, Surville (motra e Balzakut), Woillez, dhe zonjushat Belloc (me origjinë irlandeze), Montgolfier etj.
Zonja Tastu, me librin Edukimi nga nëna (1835), dhe kontesha Drohojowska (e lindur Simon de Latreiche), me librin Mbi edukimin e vajzave (1854), e vazhduan veprën pedagogjike të zonjës Gizo. Në të njëjtën kohë një bretone, e ndjera zonjusha Ulliac Trémadeure, drejtoresha e Journal des jeunes personnes, shkruante romane edukative për të rinjtë. Ato i sollën dy herë çmimin e Akademisë Franceze dhe janë shumë të përhapura në Francë.
Zonja Pape-Carpentier, e lindur në departamentin Sarthe më 1815, është edhe ajo, si zonjusha Trémadeure, nga krahinat perëndimore të Francës. Të dyja duhet të jenë tronditur mjaft nga padija ku kalben ato anë, kaq të ndryshme nga një pjesë e departamenteve lindore, dhe kështu kanë kuptuar sa i nevojshëm është arsimi i popullit. Zonja Pape nisi me një vëllim vjershash, Preludet (1841). Kur u vendos në Paris, ku sot drejton shkollën normale për edukatoret e kopshteve të fëmijëve, ajo u bind se kleri katolik, në kryeqytet njësoj si në departamentet perëndimore, nuk është i gatshëm t’i lërë gratë që nuk u përkasin urdhrave fetarë të punojnë për arsimin e popullit. Zonja Pape kishte botuar Këshilla për drejtimin e kopshteve të fëmijëve (1845), Mësimi praktik në shkollat për fëmijët e vegjël (1849) dhe Tregime dhe mësime me sende për fëmijët (1859), tri vepra të shpërblyera nga Akademia Franceze, kur e goditi një dekret i Romës (1863). Dekreti ndalonte, nën kërcënimin e shkishërimit, që Këshillat të lexoheshin, të mbaheshin, të shiteshin ose të bliheshin. Meqë askush nuk arriti të thoshte se ku ishte treguar heretike zonja Pape, shakaxhinjtë sajuan se faji ishte te mbiemri i saj. “Pape”, domethënë “papë”, ishte titull që dikur e mbanin të gjithë peshkopët dhe që e mbajnë ende priftërinjtë grekë.[14] Ky emër, thanë ata, kishte tërhequr mbi të “rrufetë e Selisë së Shenjtë”, siç thonë francezët, dhe Piu IX ishte frikësuar se mos shihte një papeshë Joanë[15] që predikonte dogma në brigjet e Senës. Babanë ia kishin vrarë shuanët e Perëndimit,[16] e tani autorja e Këshillave u detyrua t’u nënshtrohej edhe të mundurve të Kastelfidardos[17] dhe të nënshkruante me përulësi një deklaratë ku hiqte dorë nga ç’kishte shkruar!
Jeta e zonjës Pape tregon se francezet nuk mjaftohen të shkruajnë për pedagogjinë, por mund të zënë edhe poste të larta në arsim. Fjalët “trupi mësimor” nuk janë aspak të fryra, sepse sot gratë japin provime në Sorbonë. Ato hyjnë në ato mure ku, në Mesjetë, universiteti i vjetër i Parisit tërhiqte aq shumë studentë nga e gjithë Evropa, në ato mure ku në ditët tona ka kumbuar zëri elokuent i njerëzve si Gizoja, Villemain, Kuzeni dhe Jules Simon. “Sorbona e rëndë, Sorbona mashkullore u mund!” thotë z. Legouvé. Çdo vit, në gusht, para një komisioni që përbëhet nga tre profesorë të Universitetit Perandorak të Francës, kryerabini, dy priftërinj katolikë, një pastor protestant dhe tri zonja inspektore, paraqiten ato që kërkojnë të marrin diplomë. Provimet janë të rrepta, por kjo nuk i pengon shumë vajza të dalin para këtij komisioni. Vitin e kaluar (1863) disa madje fituan, në Fakultetin e Letërsisë dhe në Fakultetin e Shkencave, diplomën e maturës, për skandalin e madh të shtypit ultramontan, domethënë të ithtarëve të papës.
Me një diplomë në dorë, para një gruaje hapen disa rrugë. Ajo mund të bëhet ndihmësmësuese në një konvikt vajzash, drejtoreshë e një shkolle pa konvikt ose e një konvikti, mund t’u japë mësime privatisht nëpër shtëpi, ose mund të bëhet guvernantë në një familje.
Sipas asaj që thotë zonja Romieu në një libër të posaçëm, Konviktet e vajzave, ndihmësmësueset e kanë gjendjen të trishtë dhe të pasigurt. Nuk ndodh e njëjta gjë me drejtoreshat e konvikteve dhe të instituteve. Drejtoresha e një konvikti, është e vërtetë, duhet të ketë një diplomë të shkallës së parë, të lëshuar nga Sorbona, kurse drejtoresha e një instituti duhet të japë në bashki një provim të shkallës së lartë, provimin më të vështirë që mund të japë një grua që do të mbajë konvikt. Pasi i kryejnë këto formalitete, drejtoreshat e kanë jetesën të siguruar.
Për të drejtuar një shkollë pa konvikt duhet marrë në Sorbonë një diplomë e shkallës së parë. Në një shkollë të tillë nuk mund të presësh të fitosh aq sa në një konvikt. Por drejtoresha ka më pak përgjegjësi dhe gëzon njëfarë lirie veprimi, sepse mbikëqyrja e nxënëseve i zë vetëm disa orë të caktuara.
Edhe më të pavarura janë mësueset që paguhen për çdo orë mësimi dhe që zakonisht quhen maîtresses au cachet. Por jeta e tyre është e rëndë: u duhet të luftojnë me konkurrencën e fortë të burrave që japin mësim, dhe zgjidhen para tyre vetëm po të pranojnë një pagë më të ulët.
Guvernantet e kanë gjendjen materiale më të mirë, ndonëse ka edhe nga ato që nuk fitojnë më shumë se gjashtëqind franga. Vuajtjet dhe vështirësitë që u sjell kjo punë kanë tërhequr prej ca kohësh vëmendjen e romancierëve. Romani i Eugène Sue-së, Guvernantja, tregon, është e vërtetë, vetëm njërën anë të çështjes. Të tjerë janë marrë me mundimin që heq nëna për të mos lejuar që guvernantja t’i bëhet rivale në autoritet, dhe me vështirësinë e saj për të ruajtur dashurinë dhe besimin e vajzës. Në situata kaq delikate, është e qartë se guvernantja duhet të ketë shpirt të mirë dhe ta ketë në shkallën më të lartë virtytin e vetëmohimit. Por asnjë nënë e zgjuar dhe e matur nuk do ta quajë veten kurrë të çliruar nga detyra për të vigjiluar në çdo çast.
Inspektoret e shkollave janë nëpunëse të vërteta shtetërore, që varen vetëm nga Universiteti i Francës. Për shkollat e djemve ka tri kategori inspektorësh, sipas tri shkallëve të arsimit. Por për francezet nuk ka arsim të lartë. Madje në Paris u ndalohet të ndjekin leksionet e Sorbonës. Kundër këtij ndalimi të çuditshëm disa pariziane sapo kanë protestuar me të drejtë (shkurt 1864) dhe kanë kërkuar me një peticion që t’u hapet Sorbona, ashtu siç u janë hapur tashmë Collège de France dhe Muzeu i Historisë Natyrore. Qeveria iu përgjigj peticionit (mars 1864) duke organizuar në amfiteatrin e madh të Sorbonës konferenca, ku do të pranohen edhe gratë, të mbajtura nga profesorët e Sorbonës, të Collège de France dhe të Shkollës Politeknike. Kjo masë meriton lavdërim, por nuk krijon një arsim të lartë për gjininë tonë. Prandaj ka vetëm dy kategori inspektoresh: inspektoret e shkollave të mesme (konviktet dhe institutet) dhe inspektoret e shkollave fillore.
Klasa e artistëve përfshin shumë lloje, nga kompozitori deri te aktorja e teatrove të vegjël, dhe nga piktori i famshëm deri te mësuesja e vizatimit.
Një vajze të re franceze i është shumë më e lehtë t’i kushtohet pikturës sesa letërsisë. Asnjë paragjykim nuk ia pengon hapat e parë në këtë rrugë, dhe prindërit nuk habiten aspak kur një vajzë e varfër kërkon të sigurojë me penel një jetesë të ndershme. Vetë qeveria, në vend që ta mbajë gjininë tonë larg kësaj pune, ka hapur për vajzat pa pasuri një shkollë falas vizatimi, të cilën sot e drejton zonjusha Rosa Bonheur. Në ekspozita, ato mund të konkurrojnë për çmimet që jep juria. E megjithatë, edhe këtu vazhdon të mbretërojë pabarazia. Është e qartë se, po të kishte qenë burrë, zonjusha Rosa Bonheur do ta kishte marrë prej kohësh kryqin e Legjionit të Nderit.
Para shekullit XIX, francezet merreshin pak me pikturë. Megjithatë mund të përmendet një përjashtim i shkëlqyer: zonja Le Brun (Élisabeth Vigée), e lindur në Paris më 1755, anëtare e Akademisë së vjetër Mbretërore të Pikturës dhe e akademive kryesore të Evropës. Zonja Le Brun ka pikturuar portretet e shumë grave të famshme, si Maria Antoaneta, Katerina II, zonja de Stal si Korina, zonja Catalani, lady Hamilton, aq e famshme për keq, si bakante dhe si sibilë etj. Memoaret e saj, me titull Kujtimet e zonjës Le Brun, do t’i lexojë me interes kushdo që interesohet për historinë e artit.
Në ditët tona, pa asnjë dyshim, vendin e parë ndër gratë artiste e zë zonjusha Rosalie, ose Rosa, Bonheur. E lindur në Bordo më 1822, ajo doli për herë të parë në Sallonin e vitit 1841 me dy piktura të vogla: Dhi dhe dele dhe Dy lepuj. Që prej asaj kohe ka ekspozuar pa pushim tema të marra pothuajse gjithmonë nga jeta e kafshëve. Pa e tepruar, mund të thuhet se Tregu i kuajve ishte suksesi më i madh i ekspozitës së vitit 1855. Për këtë ajo mori një medalje të klasit të parë. Zonjusha Bonheur ka skalitur edhe grupe kafshësh. Akademia e Pikturës nuk do të kishte hezituar ta pranonte ndër anëtarët e saj. Por Akademia e Arteve të Bukura, e cila, njësoj si Akademia Franceze, nuk tregohet aspak e rreptë me mediokrët e gjinisë mashkullore, do të ruhet mirë të mos zgjedhë një grua që fama e saj evropiane e ngre shumë mbi shumicën e anëtarëve të vet.
Zonja Juillerat (Clotilde Gérard) është nga Lioni. Ajo është marrë pothuajse vetëm me portrete (për shembull, portreti i markezes de Castelbajac) dhe më 1841 fitoi një medalje të parë. Zonja Brune, pariziane, nuk u tremb nga vështirësitë e mitologjisë dhe të historisë. Apuleu, Longu dhe Bibla i kanë dhënë temat kryesore: Psikeja e rrëmbyer nga Zefiri, Dafni dhe Kloja, Moisiu i shpëtuar nga ujërat. Më 1831 ajo mori një medalje të dytë.
E ndjera zonja Debay dhe zonja Rude u morën me sukses me pikturën e skenave nga jeta e përditshme. Zonja Rude mori më 1833 një medalje të klasit të dytë.
Pak miniaturistë e kanë çuar talentin aq larg sa e ndjera zonja de Mirbel. Nxënësja e saj, zonja Mutel, nga Shampanja, mori më 1845 një medalje të klasit të parë. Zonja Herbelin, e bija e gjeneralit baron Habert, ka fituar pothuajse të gjitha nderimet që mund të marrë një artist. Mjafton të them se në Ekspozitën Botërore të vitit 1855 mori një medalje të parë.
Princesha Maria d’Orléans, zonjusha de Fauveau, zonja Lefèvre-Deumier dhe Claude Vignon janë francezet që në ditët tona janë shquar më shumë në skulpturë.
Një vdekje e parakohshme ia rrëmbeu artit princeshën Maria. Zonjusha de Fauveau, që tani jeton në Firence, mori pjesë në ekspeditën e dukeshës së Berry-së në Vande (1832).[18] Zonja Lefèvre-Deumier është normande dhe në Ekspozitën Botërore të vitit 1855 mori një përmendje nderi. Claude Vignon (Noëmi Constant) është njëherësh “skulptor, romancier dhe kritik”, — këto janë fjalët e z. A. Pommier në kushtimin e librit Zonja me mantel të kuq. Nga ana tjetër, nuk duhet të harroj se shumica e francezeve për të cilat ju kam folur në këtë letër, kur u ndala te historia, udhëtimet, teatri etj., kanë shkruar një ose më shumë romane. Kështu, zonjat de Girardin, Ancelot, Louise Colet, Léonie d’Aunet, de Bawr, D. Stern, Juliette Lamber, d’Arbouville dhe de Montaran duhen radhitur edhe ndër romancierët. Në këtë grup shkrimtarësh duhen futur gjithashtu zonjat Élisa Voïart, kontesha d’Hautefeuille (me pseudonimin Anna Marie), Joséphine Amet, e ndjera baronesha de Bruchez (me pseudonimin Marie de l’Épinay), Joséphine Martin (me pseudonimin Anna Prévost), zonja Berton, e lindur Samson, etj.
Me muzikë merren shumë franceze, por më tepër si profesion sesa si art. Nuk është e rrallë të shohësh zonja nga shtresa e lartë, që fatkeqësitë ekonomike i kanë detyruar të punojnë, të japin mësime pianoje. Pianistet, ndonëse të shumta, në Paris paguhen përgjithësisht mirë.
Deri më sot gratë janë marrë rrallë me kompozim, dhe do të ishte e pamundur të përmendësh një kompozitore të gjinisë sonë që të ketë në muzikë vendin që ka zonja Sand në roman dhe zonjusha Bonheur në pikturë. Megjithatë, zonjusha Bertin ka kompozuar disa opera: Guy Mannering, Ujku-njeri, Fausto dhe Esméralda. Ajo është poete, dhe vjershat e saj, Kallëzat, u shpërblyen nga Akademia Franceze; është motra e drejtorit të gazetës Débats dhe vjen nga një familje ku dashuria për artet trashëgohet brez pas brezi. Zonja Ancelot i lavdëron “meloditë e hijshme dhe të fuqishme të këtyre kompozimeve muzikore”, por shton se “asnjëra nuk ka pasur sukses të vërtetë”. Disa franceze kanë kompozuar edhe romanca. Mund të përmendim zonjat de Bawr dhe Lemoine (Loïsa Puget). Dielli i Bretanjës sime dhe romanca të tjera të L. Puget kanë qenë vërtet shumë të dashura për publikun.
Roli i aktoreve është pothuajse kudo i njëjti. Asnjë gjendje tjetër nuk ka kontraste më të mëdha: nga aktorja e teatrove të mëdha të Parisit, me famën e së cilës merret i gjithë shtypi dhe që fiton shuma të mëdha, deri te “protagonistja e re” që, në ndonjë qytet provincial, duhet të kënaqet me pagën më modeste dhe me vargjet e ndonjë mendjeholli nga Brives-la-Gaillarde ose Landerneau. Zakonet ndryshojnë po aq sa edhe gjendja. Disa aktore kanë të gjitha veset e loretave, grave të mbajtura të Parisit. Të tjera, thotë zonja Romieu, “shndërrohen në borgjeze të ndershme dhe mendjengushta”, për fitimin e madh të moralit. Por rregullat e moralit, mjerisht, nuk pajtohen gjithmonë lehtë me interesat e artit.
Pa dashur të hyj në çështje shumë të rënda dhe pa u përpjekur të pajtoj virtytin me estetikën, jam e lumtur t’ju tërheq vëmendjen se në këto dy shekujt e fundit gjinia jonë ka shkëlqyer fort në skenën franceze. Aktore si Mars, Contat, Clairon dhe Rachel mund të krahasohen me aktorët më të famshëm.
Nuk do ta mbaroja dot kurrë, po të doja të dilja nga fusha e letrave dhe e arteve për të kërkuar gjurmët e veprimtarisë së francezeve në bamirësi, në tregti dhe në industri.
Megjithatë nuk mund të mos përmend zonjën Millet, që themeloi kopshtet e para të fëmijëve, dhe zonjën Mallet, autoren e librit Gratë në burg.
Z. Mishle beson se francezja, më shumë se anglezja, më shumë se gjermanja, më shumë se çdo grua tjetër, mund të bëhet për burrin jo vetëm shoqe jete, por edhe “miku, ortaku, uni i dytë (alter ego)”. Ndonëse personaliteti i fortë i gruas latine nuk i duket pa të meta, këtu ai i pranon anët e mira. Mbështetesh vetëm te diçka që nuk lëshon pe. “Me një ortak të tillë, — thotë autori i Priftit, — shtëpia do të begatohet.” Ai duket i habitur nga zotësia e saj për të “mbajtur librat e llogarive”. Por kjo nuk duhet të na çudisë. Burrat i kanë përzënë gratë nga punët që u shkonin më shumë, dhe ato kanë mësuar, me një durim e një nënshtrim vërtet të admirueshëm, të bëjnë llogaritë në “dhomëzën me xhama të ndonjë dyqani të errët”, ndërsa shitësit — “më gra se gratë”, thotë z. Mishle — shpalosin shiritat dhe prekin dantellat. Rregulli, kursimi dhe vigjilenca që francezet kanë treguar në tregti e kanë detyruar ligjin t’u japë tregtareve që punojnë në emrin e vet një liri që nuk është në zakonet e tij: “Gruaja që ushtron tregtinë publikisht, — thotë Kodi i Napoleonit, — mund, pa autorizimin e burrit, të marrë përsipër detyrime për gjithçka që lidhet me tregtinë e saj; dhe në këtë rast detyron edhe burrin, nëse pasuria e tyre është e përbashkët.” (neni 220.)
Punëtoret ndahen në dy grupe: punëtoret e arave dhe punëtoret e fabrikave. Kur ju fola për fshataret, ju dhashë një ide për gjendjen e punëtores së arave. Punëtoret e fabrikave janë edhe më për t’u mëshiruar. Çfarë mund t’i shtoj pasqyrës që ka bërë z. Jules Simon në librin e tij të bukur Punëtorja? Z. Mishle nuk flet më pak qartë, dhe libri i tij Gruaja përmban hollësi vërtet të dhimbshme “për punën që të shfaros dhe për përzierjen e pamoralshme të njerëzve nëpër fabrika”. Historiani i shquar mendon se asgjë nuk e tregon më mirë “barbarinë e Perëndimit” sesa fshatarja “që vdes nga puna dhe punëtorja që vdes nga uria”. Makina e qepjes e zhduku “rrobaqepësen”, makina e lirit e zhduku tjerrësen. Punëtorja e vetmuar, pasi ka luftuar gjatë kundër konkurrencës së tmerrshme të manastireve dhe të burgjeve, ku punohet për qeverinë, pret me ankth të thellë fundin e një krize ekonomike. Kriza është edhe më e rëndë, sepse edhe te pagat do të gjejmë përsëri një pabarazi që të bie në sy. Zonja Romieu pohon se ka profesione ku francezja paguhet dy ose tri herë më pak se burri, dhe ku prej saj kërkohet më shumë punë. Ajo shkon deri aty sa thotë se gruaja që jeton në qytetet e mëdha nuk mund ta mbajë veten me punën e saj. Pamjet që ajo u vë para syve lexuesve i vërtetojnë, mjerisht, më se mirë këto pohime të trishta. As të dhënat që jep për nivelin e pagave në departamente të ndryshme të perandorisë nuk të qetësojnë aspak. Sa më shumë pasurohen murgjit dhe murgeshat, sa më shumë kapitale gllabërojnë çdo ditë ushtritë e përhershme, aq më e natyrshme është që populli të varfërohet gjithnjë e më shumë.
Zoti Zhurden: personazhi kryesor i komedisë Borgjezi fisnik (1670) të Molierit, një tregtar i pasur që ëndërron të bëhet fisnik. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Thomas Malthus (1766–1834), ekonomist anglez, këshillonte që të kufizoheshin lindjet, që popullsia të mos rritej më shpejt se mjetet e jetesës. Këtu: të bësh pak fëmijë, që pasuria të mos copëtohet. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në pallatin e Versajës, Luigj-Filipi krijoi “sallat e kryqëzatave”, ku u vendosën emrat dhe stemat e familjeve fisnike që kishin marrë pjesë në kryqëzata. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
I biri i Robertit Djall, dukës së Normandisë, ishte Uilliam Pushtuesi, që e pushtoi Anglinë më 1066. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Baronesha Pfeffers: personazh i komedisë Le Fils de Giboyer (1862) të Émile Augier-së, një zonjë e shoqërisë së lartë që intrigon në shërbim të partisë klerikale. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
“Muza e atdheut”: nofka që iu dha Delphine Gay-t, zonjës de Girardin të mëvonshme, për vjershat e saj patriotike. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Zonja de Bassanville sapo ka botuar edhe Sallonet e vjetra të Parisit. ↩︎
Poema i këndon betimit që, sipas traditës, bënë në livadhin e Ryltit (1291) përfaqësuesit e kantoneve Uri, Shvic dhe Unterwalden për t’u çliruar nga sundimi i Habsburgëve. Në origjinal: Ils étaient là tous trois ! À travers les nuages, / La lune révélait sur leurs mâles visages / D’un héroïque espoir les présages vainqueurs : / Sous leurs habits grossiers battaient de nobles cœurs. / Un serment généreux sort de leurs bouches pures, / Et l’écho menaçant, par l’écho répété, / Redit de monts en monts, avec de sourds murmures : / Liberté ! Liberté ! — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Vovenargu (Vauvenargues, 1715–1747): moralist francez, autor i një libri me maksima. Maksima e tij thotë: La servitude abaisse les hommes jusqu’à s’en faire aimer. Në frëngjisht fjala hommes do të thotë edhe “burra”, edhe “njerëz”, prandaj z. de Wailly sqaron se këtu përfshihen të dyja gjinitë. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Illustration, 10 dhjetor 1856. ↩︎
Ida Pfeiffer (1797–1858): udhëtare austriake, që bëri dy herë xhiron e botës dhe i përshkroi udhëtimet e saj në libra. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Titulli rumanisht do të thotë “Për edukimin e fëmijëve”. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Me këto fjalë e përcaktonte katolicizmin Konkordata e vitit 1801 midis Napoleonit dhe papës: “feja e shumicës së madhe të francezëve”. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në Kishën e hershme titulli “papa” (atë) u jepej të gjithë peshkopëve. Priftërinjtë ortodoksë grekë quhen ende papás, ashtu si te ne “papa” për priftin ortodoks. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Papesha Joana: sipas një legjende mesjetare, një grua që, e veshur si burrë, gjoja u zgjodh papë në shekullin IX. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Shuanët (fr. chouans): fshatarë rojalistë e katolikë të Francës perëndimore, që u ngritën kundër Revolucionit (1793–1800). — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Te Kastelfidardo, në Itali, ushtria e papës u mund më 1860 nga ushtria piemonteze. “Të mundurit e Kastelfidardos” janë, pra, papa dhe njerëzit e tij. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Më 1832 dukesha e Berry-së u përpoq të ngrinte Vandenë (Vendée) kundër mbretit Luigj-Filip, për t’ia dhënë fronin të birit. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Dora d'Istria