Çfarë trajton kjo letër
Kisha dhe murgeshat. — Manastiret e Lionit dhe të Parisit. — Murgeshat e mbyllura. — Karmelitanet. — Karmeli në Lindje dhe në Spanjë. — Shën Tereza dhe një teori e z. Deschanel. — Z. Maury dhe murgeshat histerike. — Karmelitanet në Francë. — Zonja Acarie. — Gjakheqjet dhe burgjet e manastireve. — Ursulinat. — Një vizitë te varri i Shën Ursulës dhe i 11.000 virgjëreshave. — Si bëheshin shenjtorët në Mesjetë. — Takimi i parë me ursulinat. — Arsimi dhe edukata në manastire. — Vizitandinat. — Shën Françesku i Salës dhe Shën Chantal. — E lumja Maria Alacoque dhe Zemra e Shenjtë. — Vert-vert dhe vizitandinat. — Murgeshat që nuk rrinë të mbyllura. — Motrat e bamirësisë. — Shën Vinçenc de Pauli dhe Louise de Marillac. — Idealizimi i motrave të bamirësisë dhe historia. — Pasojat e beqarisë murgjërore në shtetet jugore të Perëndimit. — Motrat e bamirësisë dhe Carolina Chisholm. — Popullsia e Francës dhe manastiret. — Drejtuesit shpirtërorë të motrave të bamirësisë. — Prirjet e lazaristëve. — Taktika e zgjuar e jezuitëve. — Sakrificat e motrave të bamirësisë. — Bukuria, rinia dhe fisnikëria në manastir. — Guximi murgjëror dhe trimëria franceze. — Fryma e Mesjetës që vazhdon në manastire. — Vegimet e murgeshave. — Motra Anne-Catherine Emmerich dhe biografët e saj. — Mundimet e Krishtit dhe jeta e Virgjëreshës. — Përparimi i bestytnive në Perëndim. — Gruaja me plagët e Krishtit nga Draguignan. — Gjendja ligjore e murgeshave franceze nën qeveritë e ndryshme. — Urdhri i tretë te domenikanët dhe te françeskanët. — Kongregatat e jezuitëve. — 8.000 shoqatat franceze. — Pasuritë e murgjve dhe të murgeshave. — Gjendja e tyre financiare nën Luigjin XVIII, Karlin X, Luigj-Filipin dhe Napoleonin III. — Ndikimi i murgeshave në arsim. — Statistika e shkollave të manastireve. — Morali në manastire. — Murgeshat dhe mësueset laike. — Kisha dhe francezet e kohëve të fundit. — Aristokracia. — Borgjezia. — Fshataret. — Bujqit nën “mbretin e madh” dhe pas vitit 1789. — Përpjekjet e Kishës për të penguar arsimin fillor. — Arsimi fillor në Francë. — Ligji Guizot dhe ligji Falloux. — Mësuesja dhe “kafshata e bukës”. — Kundërshtimet që ngrihen në Francë ndaj arsimit fillor të detyrueshëm.
Në Francë shoqëria civile merret shumë pak me çështjet që kanë më shumë rëndësi për të ardhmen e saj. Kisha romake, përkundrazi, nuk rri duarkryq: ajo punon për ta forcuar dhe për ta zgjeruar sundimin e vet. Mjetet që përdor më me dëshirë janë urdhrat murgjërorë. Krerët e tyre rrinë në Romë, ku marrin udhëzime drejtpërdrejt nga sovrani shpirtëror i njëqind e pesëdhjetë milionë shpirtrave.
Ka kaluar koha kur murgjit, vetmitarë të përulur e të rreptë, nuk mund të bëheshin as priftërinj, as peshkopë. Sot ata kanë pushtuar gjithçka, dhe peshkopët vlejnë fare pak përballë këtyre shoqërive që të gjithë i druajnë. Për prirjet e tyre jam përpjekur të shkruaj te Jeta murgjërore dhe te Letra për një filozof athinas. Këto shoqëri kanë në dorë kapitale të mëdha, i shtrijnë degët në mbarë botën e krishterë dhe sigurojnë për vete sundimin e tokës, ndërkohë që u thonë pa pushim të varfërve në shpirt të mendojnë vetëm për “mbretërinë e qiellit”. Janë si ata gjuetarë me përvojë që kujdesen t’i vënë fillestarët pikërisht aty ku gjahu nuk kalon kurrë!
Ju kam folur tashmë për politikën e regjur të Kishës romake në organizimin e manastireve të grave. Nuk mendoj, si shumica e gazetarëve, se kjo politikë e ka humbur zgjuarsinë e dikurshme. Më tepër besoj, bashkë me lord Macaulay, historianin më të famshëm anglez të kohës sonë, se pikërisht thellësisë së diplomacisë së papëve i detyrohet suksesi i pakët që patën Republika dhe Napoleoni I në luftën e tyre me papatin. Po të doni të hedhim së bashku një sy mbi organizimin e manastireve të murgeshave, do të bindeni vetë sa të sakta janë pohimet e këtij bashkëpunëtori të shquar të Edinburgh Review.
Në përgjithësi, popujt latinë i nisin revolucionet e tyre duke hequr qafe murgjit. Dekretet e Asamblesë Kushtetuese franceze janë me të drejtë të famshme. Pas vdekjes së Ferdinandit VII, Spanja kushtetuese u ngrit kundër manastireve. Edhe Portugalia i mbylli manastiret e burrave në kohën e mbretëreshës Maria II. Në Piemont, Viktor Emanueli II ua bëri manastireve të paguanin fitoren që austriakët, aleatët e tyre, kishin korrur në Novara.[1] Por kur zhduken murgjit, murgeshat mbeten dhe u përgatitin atyre një kthim pak a shumë triumfal. Kështu, në Francë, pas vitit 1848 pamë si u shpaguan urdhrat e burrave për dekretet që kishte nxjerrë kundër tyre Asambleja Kushtetuese dhe që i kishin mbajtur në fuqi Napoleoni I, Luigji XVIII, Karli X i devotshëm (urdhëresat e vitit 1828) dhe Luigj-Filipi. Sot jezuitët, domenikanët, françeskanët, maristët etj. mizërojnë në tokën e Galisë dhe, “për lavdinë më të madhe të Zotit”,[2] grumbullojnë pasuri aq të mëdha, saqë një ekonomist që nuk e kundërshton jetën murgjërore, z. L. de Lavergne, ka pohuar në Revue des Deux Mondes se pasuritë e klerit sot janë po aq të mëdha sa para vitit 1789. Edhe në vitin e Zotit 1864, besëlehtësia e njerëzve mbetet burimi më i mirë i pasurisë.
Disa armiq të grave na e mohojnë aftësinë në punët e financës dhe të administrimit, por pjesën më të madhe në këtë rezultat të mahnitshëm e ka padyshim gjinia jonë. Po të vinit në Lion, për të përmendur vetëm një shembull, do të habiteshit, siç u habita edhe unë, nga madhësia e shtëpive që murgeshat kanë atje, nga sasia e kapitaleve që kanë në dorë dhe nga ndikimi i plotfuqishëm që ushtrojnë. Një zonjë gjermane mendjehollë, rrëfimin e së cilës e citon z. Mishle, u habit jo më pak kur pa për herë të parë “lagjen e devotshme të Parisit ku ka kaq shumë manastire”. Shumë shkaqe e shtyjnë gjallërinë e zjarrtë të gjinisë sonë drejt jetës murgjërore. Prandaj urdhrat ose kongregatat e grave janë edhe më të larmishme se urdhrat e murgjve. Ato ndahen në murgesha që rrinë të mbyllura brenda manastirit dhe murgesha që nuk rrinë të mbyllura. Karmelitanet, ursulinat dhe vizitandinat bëjnë pjesë në grupin e parë, motrat e Shën Vinçenc de Paulit në të dytin.
Karmelitanet, siç e tregon edhe emri, janë një urdhër që pretendon se e ka prejardhjen nga Lindja. Thuhet se qelitë e tyre të para i ka ndërtuar në malin Karmel profeti Elia, ai mbrojtës i ashpër i monoteizmit semit. Më lehtë mund të provohet se Luigji IX gjeti murgj të vendosur në atë mal dhe solli disa prej tyre në Paris. Por Perëndimi nuk është fort i prirur për asketizmin e Lindjes, dhe urdhri u prish aq shumë, saqë dy spanjollë, Tereza e Avilës dhe Gjoni i Kryqit, e patën shumë të vështirë t’i reformonin manastiret e karmelitaneve në shekullin XVI. Tereza, që Kisha romake e ka shpallur shenjtore, na ka lënë në autobiografinë e saj (Discurso o relacion de su vida, “Rrëfim ose tregim i jetës së saj”, 1562) një nga librat që hedhin më shumë dritë mbi gjendjen morale të murgeshave të vendeve të Jugut.
Disa vjet më parë, një kritik i zoti, z. Émile Deschanel, pohoi se vegimet dhe mrekullitë në jetën e Terezës mund të shpjegoheshin fare mirë me histerinë dhe me dhunën e pasioneve jugore të ndrydhura. Ky pohim u quajt “skandaloz” dhe “i pafe”, siç ndodh sa herë që shkenca shpjegon ndonjë dukuri që shekujt e padijes e kishin për mrekulli. Por më vonë një nga anëtarët më të shquar të Institutit të Francës, z. Alfred Maury, bibliotekar i pallatit të Tuileries, i dha hipotezës së z. Deschanel gjithë vlerën e një prove shkencore. Ky profesor i ditur i Collège de France, që është njëherësh mjek, filozof dhe arkeolog, para se të shkruante Legjendat e Mesjetës dhe librin Magjia dhe astrologjia, e kishte shqyrtuar me imtësi jetën e murgeshave të shpallura shenjtore ose të lume. Ai arriti në një përfundim për të cilin duhet të mendohen thellë moralistët dhe shpirtrat vërtet të krishterë: “Sot është e sigurt se në ekstazat e devotshme të një morie grash vizionare janë përzier kriza histerie, dhe shpesh kanë qenë pikërisht këto kriza që i kanë shkaktuar.” (Legjendat, 90). Te Legjendat e Mesjetës, z. Maury sjell si provë veprat e Shën Terezës, jetën e motrës Maria Alacoque, zbulesat e Shën Brigitës dhe të Shën Gertrudës (Legjendat, 90–91), letërkëmbimin interesant të motrës Cornuau, mikeshë e peshkopit Bossuet, me këtë orakull të Kishës anglikane, etj. Te Magjia ai ka shtuar, pranë atyre që kishte vënë re më parë, edhe shumë fakte të tjera me rëndësi të madhe. Z. Maury ka përshkruar devijimet e trishta të një misticizmi epshor e të vetmuar. Kur ky misticizëm nuk u mjaftonte murgeshave të zjarrta të Jugut, historia e nënës Agueda na tregon se deri ku mund të shkonin në shfrenimet e tyre.
Një grua me një energji të jashtëzakonshme, zonja Acarie (e lumja Maria e Mishërimit), i solli karmelitanet në Francë dhe ursulinat në Paris. Por në shekullin XVII fryma e kohës nuk ishte fort e favorshme për një urdhër si ai i karmelitaneve, që predikonte asketizmin e rreptë të Mesjetës. Bashkëkohësit e papëve Gregori VII dhe Inocenti III kujtonin se, me agjërime shfarosëse, me netë të tëra pa gjumë që të dërrmonin dhe me gjakheqje të shpeshta, do t’i detyronin njerëzit e kushtuar jetës fetare t’i mbanin me përpikëri betimet e tyre. Traktati mbi burgjet e manastireve, nga benediktini i ditur Mabillon, dëshmon se kamxhiku dhe birucat e nëndheshme (in pace) ishin plotësimi i domosdoshëm i regjimit murgjëror. Z. Mishle, madje, beson se kjo disiplinë mizore është ende në fuqi. Por në shekullin e Dekartit njerëzit nuk gënjeheshin më se mjete të tilla sillnin ndonjë dobi. Prandaj karmelitanet nuk u bënë kurrë shumë të dashura në Francë. Urdhri u shfuqizua më 1790, dhe dega e grave e Karmelit u rishfaq në kohën e Restaurimit. Por revolucioni i kishte dhënë një goditje të rëndë jetës “soditëse”, dhe karmelitanet e sotme duhet të pajtohen me punën e mësueses. Zonja Romieu nuk i përmend fare në kapitullin që i kushton Gruas në jetën fetare në librin e saj.[3] Prej kësaj nxjerr se Karmeli, në këtë fushë, s’ka as për së afërmi rëndësinë e kongregatës së Zemrës së Shenjtë.
Kongregata më e vjetër e grave që është marrë me mësim është ajo e ursulinave. Në Këln kam parë varrin që tradita ia ka caktuar mbrojtëses së tyre. Shoqja e vetme e Ursulës quhej Undecimilla (Ursula et Undecimilla, V. V. M. M.).[4] Hartuesit e legjendave e morën këtë emër për një numër, dhe kështu thonë se Ursula u vra si martire nga hunët, të parët e magjarëve, bashkë me njëmbëdhjetë mijë virgjëresha. Z. Maury vëren se kuptimi i dyfishtë i një emri u ka dhënë shpesh rast papëve të sajojnë shenjtorë e shenjtore. Por Shën Undecimela është me siguri një nga shembujt më kuriozë të kësaj mendjelehtësie të pabesueshme. Në vend që ta pranojnë gabimin, në kishën që mban emrin e Ursulës në qytetin e Këlnit vazhdojnë t’u tregojnë njerëzve arkëzat me eshtrat e shoqeve të saj, bashkë me varrin e shenjtores dhe me pikturat që paraqesin legjendën. Në Këln, më shumë se kudo tjetër, këto ekspozime të çuditshme sjellin shumë para.
Kur më 1156 u gjet varri ku thuhet se prehet trupi i Ursulës, kulti i saj u bë aq popullor, saqë tri institucione dijesh e zgjodhën për mbrojtëse: në Francë Sorbona, në Austri universiteti i Vjenës dhe në Portugali universiteti i Koimbrës. Si mbrojtëse e kaq shumë studentëve, në shekullin XVI ajo i dha emrin e vet kongregatës që themeloi një italiane, Angela Merici, dhe që iu kushtua edukimit të vajzave. Papa Gregori XII i detyroi ursulinat të rrinin të mbyllura në manastir, dhe te tri betimet që bëjnë murgeshat (varfëria, jeta pa martesë, bindja) shtoi edhe betimin për t’i edukuar vajzat falas. Më 1789, në Francë ato kishin afro 300 manastire.
Ky rezultat nuk ishte arritur pa shumë mundime. Duhet lexuar Kronika e ursulinave për të kuptuar sa neveri u ngjallte njerëzve të asaj kohe vetëm mendimi se vajzat mund të mësonin diçka, qoftë edhe gjënë më të thjeshtë.
Kur Françoise de Saintonge deshi të hapte një shtëpi ursulinash në Dizhon, i ati, këshilltar në parlamentin e atij qyteti (gjykatën e lartë të krahinës), mezi pranoi një vendim kaq të çuditshëm. Ai pyeti katër doktorë të teologjisë, për të mësuar nëse t’u japësh mësim grave “nuk ishte vepër e djallit”. (Kronika, themelimi i Dizhonit). Vendimi i tyre doli në favor të ursulinave, por nuk i qetësoi shpirtrat e mirë të Burgonjës, dhe një kryengritje e popullit gati e vuri në rrezik veprën që sapo kishte lindur. Aq shumë tmerr ngjallte atëherë një edukim i thjeshtë me katekizëm, një mësim litanish!
Me ursulinat u takova për herë të parë para se të martohesha. Me një pjesë të familjes sime po vizitoja monumentet e atij qyteti interesant që e themeloi mbretëresha Libusha dhe që sllavët e quajnë “Praga me pragun e artë”. Te vepra e z. A. Michiels, Historia e fshehtë e Austrisë, do të shihni si e shfarosën perandorët e Vjenës ajkën e fisnikërisë çeke dhe si e mbytën në lumenj gjaku këtë komb sllav. Që kur u shfarosën bijtë “skizmatikë” të Jan Husit, trashëgimtarë të denjë të lirive fetare të Lindjes, manastiret e kanë mbuluar Boheminë, mbretërinë e dikurshme të Gjergj Podjebradit. Vetëm Praga ka shtatëmbëdhjetë, dhe pasuria e tyre i bën nder zellit të katolikëve. Manastiri i Strahovit, për të përmendur vetëm një shembull, ka një galeri me 500 piktura. Manastiri i karmelitaneve ngrihet krenar mbi Hradçan, akropolin e Pragës, pranë atij pallati të famshëm të Shën Vaclavit, prej nga fisnikët i hodhën nga dritaret qeveritarët e perandorit.[5] Manastiri i ursulinave nuk kishte vlerën artistike të manastirit të Strahovit dhe nuk zinte një vend aq të rëndësishëm sa ai i karmelitaneve. Megjithatë, mua më interesonte në mënyrë të veçantë, për shkak të rolit që luajnë ursulinat në edukimin e gjinisë sonë.
Meqë ursulinat rrinë të mbyllura, nëna ime kërkoi leje që të hynim në manastir ajo dhe unë. Eprorja e manastirit erdhi me nxitim te grila dhe na tha se e kishte lexuar në gazeta që kishim mbërritur në Pragë; me kënaqësi, shtoi ajo, do t’i lejonte edhe tim eti të hynte në manastir. Pasi mendoi pak, me buzëqeshje ia bëri të njëjtin nder edhe vëllait tim më të madh, duke vënë re se ishte ende mjaft i ri për këtë leje. Kjo murgeshë më tregoi se ishte bijë gjenerali dhe se kishte pasur “hidhërime zemre”, por nuk më shpjegoi se sa kishin ndikuar ato hidhërime në vendimin e saj për t’u murgëruar. Një murgeshë e re që takova në manastir kishte në fytyrën e saj të zbehtë e të trishtë gjurmë shumë më të thella të sprovave të jetës.
Nuk do të mund t’ju them me siguri si drejtohej mësimi te ursulinat e Pragës. Në përgjithësi, arsimi që japin manastiret ndryshon sipas shkallës së kulturës në çdo vend. Kam pyetur gjermane, franceze dhe italiane që ishin rritur nga murgeshat, dhe jam bindur se murgeshat kudo e vënë “edukatën” shumë më lart se arsimin. Me “edukatë” ato kuptojnë sidomos besnikërinë e rreptë ndaj mësimit të Kishës dhe një largim të madh nga idetë e kohës dhe nga bota. Megjithatë, zonja Romieu, që nuk duket se i kundërshton manastiret e grave, pranon se manastiret nuk janë aspak të lira nga ligësia që ua qortojnë njerëzve të botës, dhe se “thashethemet e grave atje janë ndoshta edhe më të padurueshme se në botë”. Sa për atë lloj pasionesh të ndrydhura që kanë lënë kaq shumë gjurmë në shkrimet e murgeshave të famshme, veprat e mjekëve më të zotë të Perëndimit tregojnë se natyra njerëzore është sot ajo që ishte në kohën e grave si Tereza dhe Maria Alacoque.
Disa klerikë i kanë vënë re prej kohësh dëmet që mënyra e jetesës së karmelitaneve dhe të ursulinave u sillte fantazisë së murgeshave. Qysh në kohën e rimëkëmbjes katolike shohim një prelat, që ishte një nga veglat kryesore të kësaj rimëkëmbjeje, të bëjë një përpjekje të ndrojtur në një drejtim tjetër.
Peshkopi i Anesisë, Françesku i Salës, i shpallur më vonë shenjt, e largoi nga bota një të ve simpatike, gjyshen e zonjës de Sévigné, Jeanne Frémiot, baroneshë de Chantal, dhe themeloi me të kongregatën e Vizitacionit (1618); murgeshat e saj u quajtën vizitandina. Rregulla ishte gjithçka veç e rreptë, dhe në fillim murgeshat nuk detyroheshin të rrinin të mbyllura. Qëllimi kryesor ishte të vizitonin dhe të ngushëllonin të sëmurët e varfër. Por shpejt mbizotëroi fryma soditëse, dhe murgeshat ranë pre e atyre sëmundjeve që i ka përshkruar doktori Dubois (nga Amiens) në Historinë filozofike të hipokondrisë dhe të histerisë. Qysh atëherë Shën Chantal, në një krizë misticizmi histerik, e tatuoi mbi gjoks emrin e Krishtit. Vdekja e Shën Françeskut e hodhi në një delir dëshpërimi. Dhjetë vjet më vonë, kur hapën varrin e peshkopit savojar, ajo ende jepej pas vegimeve më të çuditshme. Qëndroi duke u lutur pranë trupit “në një ekstazë dashurie”, siç thotë një nga biografët e saj të devotshëm, dhe i dukej se e ndiente “fare qartë” dorën e të lumit, të vënë mbi kokën e saj, që ia shtrëngonte “me një ledhatim të ëmbël”.
Me Maria Alacoque e keqja arriti kufijtë e fundit. Kjo vajzë kishte qenë e sëmurë që në fëmijëri. Kur u shërua nga një paralizë, ia njohu Virgjëreshës meritën për përmirësimin e përkohshëm të shëndetit. Por, pasi hyri në kongregatën e vizitandinave, gjendja e mjerë e nervave të saj u shfaq në teka, vegime, profeci dhe mrekulli. Ashtu si Shën Chantal, deshi ta ngulitë emrin e Jezusit mbi gjoks, por në vend të hekurit të skuqur përdori një brisk xhepi. Sipas biografëve të saj, Krishti nuk mbeti i pandjeshëm ndaj këtij akti entuziazmi. Ajo pati më shumë fat se zonja de Chantal, kokën e së cilës e kishte shtrënguar me butësi vetëm një i vdekshëm: asaj i vinte për vizitë vetë dhëndri qiellor. Bëri me të një dasmë si martesa mistike e Shën Katerinës së Sienës dhe firmosi me gjakun e vet kontratën që kishte hartuar eprorja. Madje pati edhe fatin e rrallë të shihte zemrën e përgjakur të Jezusit në gjoksin e tij të hapur. Jezuitët i shfrytëzuan këto ëndërrime të marra për ta bërë popullor nderimin e Zemrës së Shenjtë, që sot është kaq i përhapur në Perëndim dhe që kremtohet me një nga festat më të mëdha të Kishës romake. Për pjesën tjetër të jetës së kësaj vizitandine të famshme, ju dërgoj te biografët e saj zyrtarë. Peshkopi Languet, anëtar i Akademisë Franceze, ka treguar mrekullitë e motrës Maria Alacoque, kurse Volteri, me talljet e tij, e bëri të pavdekshme si figurë qesharake. Por sot Volteri nuk është më autori i preferuar i zotit Prudhomme.[6] Duket se Maria Alacoque, që vdiq më 1690, është shpallur “e lume”, se është më në modë se kurrë dhe se po flitet për ta shpallur shenjtore.
Shekulli XVIII, më pak naiv se yni, qeshi me vizitandinat dhe me vegimet e motrës Alacoque. Më 1733 poeti Gresset e kishte vënë në lojë me epigrame të holla urdhrin e Vizitacionit; më 1792 ky urdhër doli në skenë, i ekspozuar ndaj talljeve të pamëshirshme të komediografit Picard, autorit të Vizitandinave.[7] Zonja Romieu e radhit këtë kongregatë, që në shekullin e kaluar kishte 6.000 murgesha, ndër manastiret e mbyllura që në Francë merren me mësim.
Françesku i Salës thoshte se e kishte krijuar kongregatën e tij për të vejat dhe për gratë e sëmura. Vinçenc de Pauli, themeluesi i kongregatës së Shën Lazarit, me ndihmën e një të veje, zonjës Legras (Louise de Marillac), përdori forca më të gjalla për një vepër shumë më të rëndësishme. Përveç kësaj, ai e kuptoi shumë më mirë nevojën e një organizimi që t’u përshtatej ideve të kohës dhe prirjeve të vendit të tij. Prandaj motrat e bamirësisë, që nganjëherë quhen edhe motrat gri, e kanë mbushur botën katolike me famën e tyre.
Ju keni parë në Lindje disa bija të Shën Vinçenc de Paulit, dhe unë vetë kam takuar shpesh të tilla gjatë udhëtimeve të mia. Pranoj se kanë cilësitë e racës së tyre dhe se janë shumë më lart se ato murgesha budallaqe, të neveritshme e të pista që hiqen zvarrë nëpër qytetet e Italisë Qendrore dhe Jugore. Por nuk pranoj që të shihen, qoftë edhe pak, si qenie të jashtëzakonshme.
Së pari, motrave të mëshirës do t’u kundërvë arsyet më të rëndësishme pse shtetet duhet të kenë frikë kur beqaria kthehet në ideal. Dihet ç’pasoja pati për Spanjën, Italinë, Amerikën e Jugut etj. entuziazmi për jetën murgjërore. Ndërsa vendet më të pasura binin me shpejtësi, disa vende të varfra, të lëna pas dore nga natyra, e habitnin botën me përparimin e tyre të mrekullueshëm. Anglia rritej mes shkëmbinjve të Uellsit dhe të Skocisë, derisa u bë zonja e deteve; Prusia ngrinte në rërat e Brandenburgut fuqinë e parë të Gjermanisë së Veriut. Është e vërtetë se në Londër, në Edinburg dhe në Berlin, në vend që të mahniteshin si budallenj para mrekullive të manastireve, lavdëronin nënën e familjes, barkun pjellor që i jepte atdheut qytetarë, dijetarë, bujq, detarë dhe ushtarë. Prandaj, ndërsa raca latine mezi arrin ta mbushë me njerëz e ta punojë tokën pjellore që ia lanë të parët, raca anglosaksone dhe Gjermania protestante dërgojnë çdo vit përtej deteve një “pranverë të shenjtë”.[8] Këta njerëz çojnë deri në skajet e botës fenë, shkencat dhe zakonet e popujve më sipërmarrës e më punëtorë të rruzullit. Falë këtyre pionierëve të guximshëm të qytetërimit, Afrika e Jugut, Amerika e Veriut, Australia, Zelanda e Re, e gjithë Oqeania dhe Azia Jugore po mbushen me qytete të lulëzuara. Një botë e re po lind nga hiçi me një shpejtësi të habitshme. Këto botë do të zënë së shpejti vendin e tyre në politikë, dhe historia e tyre do të krenohet me vetëmohime shumë më të mëdha, e mbi të gjitha shumë më të dobishme, se devotshmëria e bijave të Vinçenc de Paulit. Cila motër e mëshirës mund të vihet përkrah zonjës Carolina Chisholm,[9] historinë e mrekullueshme të së cilës z. Mishle e ka treguar aq bukur te Gruaja? “Ajo, — thotë ai, — është legjenda e një bote, dhe historia e saj do të rritet brez pas brezi.”
Dy regjistrimet e fundit të popullsisë në Francë (Moniteur, 31 dhjetor 1856, dhe Journal des économistes, shkurt 1857) tregojnë se jeta murgjërore, e ringjallur atje, po sjell të njëjtat pasoja si në Spanjë dhe në Itali. Në vendet anglosaksone (Angli dhe Shtetet e Bashkuara) popullsia rritet me një shpejtësi vërtet të jashtëzakonshme. Në Francë, përkundrazi, gjatë dhjetë vjetëve ajo mezi është rritur, ndonëse atje shpërngulen shumë pak njerëz. Ky përfundim i ka alarmuar aq shumë ekonomistët francezë, saqë disa prej tyre e kanë shprehur shqetësimin me propozimet më të çuditshme. Ilaçi është shumë i thjeshtë: t’i dërgosh batalionet e murgjve dembelë pas parmendës; t’i bësh murgeshat nëna të përkushtuara ndaj familjes; dhe t’ia kthesh bujqësisë ushtritë që ruajnë manastiret e Romës dhe të Meksikos.[10]
Përveç këtyre arsyeve të përgjithshme, kur bëhet fjalë për një kongregatë, duhet pyetur para së gjithash se ç’frymë e udhëheq. Bashkë me z. Feillet (Vinçenc de Pauli dhe mjerimi në kohën e Frondës), ia njoh plotësisht Vinçencit mirësinë ndaj njerëzve, dhe as që më shkon ndër mend t’ia mohoj titullin e shenjtit këtij njeriu të shkëlqyer. Por shenjtorët vdesin dhe, mjerisht, vendin e tyre e zënë gjithmonë fanatikë, hipokritë ose politikanë. Z. Mishle, te Historia e Francës (Luigji XIV), ka provuar se lazaristët nuk janë as më pak të paduruar, as më pak dinakë, as më pak të pamëshirshëm se dominikanët dhe jezuitët. Edhe te Prifti ai nuk ishte treguar më dashamirës ndaj zotërinjve të Shën Llazarit, dhe çdo fjalë e tij meriton të mendohet seriozisht, sidomos në Lindje. “Jezuitizmi, — thotë ai, — vepron përmes sulpicianëve, që edukojnë klerin; përmes injorantinëve (vëllezërve të doktrinës së krishterë), që edukojnë popullin; përmes lazaristëve, që drejtojnë gjashtë mijë motra të mëshirës.” (Parathënia e botimit të shtatë.) Në shekullin XVII lazaristët luajtën një rol të trishtë: u bënë vegla të përkushtuara të përndjekjeve të neveritshme të Luigjit XIV kundër protestantëve. Kjo na tregon ç’duhet të presim prej tyre, nëse ata dhe gratë që u rrëfehen atyre do të bëheshin zotër në një vend “skizmatik”.[11] Kur në Perëndim një popull, si italianët, kërkon pavarësinë dhe liritë e veta pa lejen e “Atit të Shenjtë”, s’ka nevojë t’ju them se në cilën anë qëndrojnë lazaristët, motrat e mëshirës, ndjekësit e tyre të panumërt dhe pasuritë e tyre të mëdha. Nuk duhet harruar se Dictionnaire de la conversation e vlerëson pasurinë e lazaristëve në tridhjetë milionë, në një artikull të shkruar nga një prej admiruesve të tyre.
Gjithë kjo botë, jini e bindur, vetëm në pamje është e padjallëzuar. Atë e drejtojnë politikanë të regjur, dhe ajo qesh me naivitetin që liberalët e të gjitha ngjyrave e tregojnë çdo ditë e më shumë. Kur ndesh në një vend që ua mbyll derën jezuitëve të saj të frikshëm, dominikanëve, trashëgimtarëve të Inkuizicionit, françeskanëve cinikë dhe lazaristëve të pasur, ajo përpiqet të fusë atje një pararojë me sy të përmallshëm e të ulur, me fytyrë të zbehtë, me zë të ëmbël e me pamje të druajtur, me një fjalë, të aftë t’i qetësojë edhe më mosbesuesit. Dhe nëse arrin ta bindë armikun se nuk ka pse të ketë frikë nga një gjini e devotshme, e thjeshtë dhe e ndrojtur, fitorja e saj është e sigurt. Në të vërtetë, çdo urdhër katolik i ka këto mjete të frikshme propagande e pushtimi: forcën e shoqërimit, një udhëheqje të vetme, fshehtësinë e provuar, këmbënguljen e palëkundur në qëllime, pasuri të pamasa dhe bindjen e plotë ndaj planeve të papatit. Prandaj, kur shfaqet kapela e motrave gri, kjo nuk është për mendimtarin dhe për politikanin një shenjë aq e parëndësishme sa për turmën që s’mendon për të nesërmen dhe i beson gjithçkaje. Këto mendime shpjegojnë shqetësimin që shkaktoi kohët e fundit në Portugali ardhja e një grupi motrash të mëshirës.
Le t’i lëmë mënjanë këto arsye, që do të kërkonin shumë shtjellim, dhe të vijmë te ajo frazë e Volterit, e komentuar aq herë në prozë dhe në vargje… të kurorëzuara nga Akademia Franceze. Autori i Kandidit, në një nga ato çaste kur mendonte, si Kuzeni, se duhej “t’i hiqte kapelën katolicizmit”, thotë: “Ndoshta nuk ka asgjë më të madhe mbi tokë se flijimi që bën një gjini e brishtë, kur heq dorë nga bukuria, nga rinia, shpesh edhe nga prejardhja fisnike, për të lehtësuar nëpër spitale gjithë atë grumbull mjerimesh njerëzore, pamja e të cilave e poshtëron aq shumë krenarinë tonë dhe e fyen aq shumë ndjeshmërinë tonë.”
Ky është ideali; le ta krahasojmë me realitetin.
“Njerëzimi nuk është i bukur”, ka thënë një murg shumë i njohur, dominikani Lacordaire. Mendoj se në këtë aksiomë përfshihen edhe murgjit e murgeshat, ashtu si ne të tjerët, njerëzit e botës. Gjithsesi, përvoja do ta hidhte poshtë çdo pretendim të kundërt. Në vendet e Jugut nuk kam parë asgjë aq të shëmtuar e aq të ndyrë sa murgjit dhe murgeshat. E kuptoj që, pranë këtyre qenieve të neveritshme, bijat e Shën Vinçenc de Paulit duken të hijshme, me kapelën e tyre koketë, me krahë të mëdhenj që valëviten në erë, me fustanin gri, zakonisht të pastër, dhe me sjelljet e tyre të qytetëruara franceze. Por çdo iluzion që do t’i kthente në bukuroshe nuk do t’i qëndronte një shqyrtimi të kujdesshëm. Në përgjithësi, manastiret nuk i mbushin vajzat me pamje të këndshme.
Sa për flijimin e “rinisë”, këtu duhen bërë disa dallime. Në vendet përvëluese të Jugut kjo fjalë mund të kishte njëfarë kuptimi. Prandaj kongregata e motrave të mëshirës nuk i gjen anëtaret e saj në dy gadishujt katolikë, por në ato vende ku, po t’u besojmë vëzhgimeve të z. Alfred Maury për lidhjen e klimës me pasionet, beqaria nuk është edhe aq e rëndë. Në predikimin e tij të famshëm për martesën, jezuiti Bourdaloue, që jetonte në Francë, pranon se virgjëreshat e kushtuara Zotit nuk kanë për të bërë beteja shumë të ashpra në brigjet e Senës, dhe se gjendja e grave të martuara është shumë më e vështirë se e tyre.
Po pse të flasim për gratë? A nuk thotë z. Legouvé se, për një pjesë të vajzave franceze, jeta është “një Golgotë”? Po të jetë kështu, a bën vallë ndonjë “flijim” të madh një murgeshë kur hyn te motrat e mëshirës? Atje ajo ka strehë të mirë, veshje të mirë e ushqim të mirë. Atje gëzon aq nderim, saqë kryqi i Legjionit të Nderit, që në Francë u mohohet grave më të shquara, ka shkëlqyer më shumë se një herë mbi rasën gri të motrave, të cilave Akademia u ka dhënë me bollëk “çmimet e virtytit”.[12] Atje e lartësojnë aq shumë, saqë poetët e lëvdojnë si një engjëll të vërtetë të zbritur nga qielli. Flitet për “flijime”! Le të shohim, te libri i bukur i z. Jules Simon, Punëtorja, dhe te Gruaja e z. Mishle, se kujt i kërkon Franca flijime që i kapërcejnë forcat e njeriut! Me siguri jo zonjave të pasura të Zemrës së Shenjtë, as bijave fatlume të Vinçenc de Paulit, por atyre nënave të varfra, jeta e të cilave është një martirizim i gjatë. Ato luftojnë, për një pjesë të jetës, me mungesën e rrobave, me të ftohtin dhe me urinë, dhe për to filozofët, poetët, akademikët e politikanët nuk kanë as një fjalë të mirë, as një mendim!
Lotët e motrave u numëruan,
lotët e popullit janë tepër për t’u numëruar.[13]
E megjithatë, pikërisht këto gra të harruara e të përbuzura i japin Francës ushtarët më të mirë të botës. Me kafshatën që ia heqin gojës së vet të uritur, ato ushqejnë dhe rritin punëtorët dhe ushtarët me të cilët atdheu, mosmirënjohës ndaj nënave të tyre, krenohet me aq të drejtë.
Në kohën e tij, Volteri mund të thoshte se shpesh prejardhja fisnike i shtonte radhët e murgeshave që u shërbenin të sëmurëve. Në një kohë kur ligjet e padrejta të Francës i detyronin vajzat fisnike të zgjidhnin midis manastirit dhe jetës si “shërbëtore të vëllezërve të tyre”, gjithçka të bën të besosh se kështu duhej të ishte. Pasqyra që jep z. Legouvé për gjendjen e sotme të vajzave të varfra të aristokracisë dhe të borgjezisë së lartë më bën të mendoj se hidhërimi duhet të shtyjë edhe sot jo pak prej tyre drejt manastireve. Por duhet të jesh i verbër për të parë në këtë dëshpërim të një zemre të plagosur qoftë edhe hijen e vetëmohimit për kauzën e shenjtë të njerëzimit. Është më pak “poshtëruese” të kujdesesh për të sëmurët në një spital, sesa të durosh sprovat e rënda që varfëria u sjell shpirtrave krenarë nga natyra, në një shekull “që vallëzon para viçit të artë”, siç thotë me forcë z. Pierre Leroux.
Vini re mirë: nuk mohoj asnjë nga aktet e guximit që u atribuohen motrave. Te një popull frikacak — mjerisht, ka edhe të tillë — akte të tilla do të meritonin me siguri admirim. Po kush nuk është trim në Francë? A nuk ka thënë Viktor Hygoi se në korrik të vitit 1830 pleqtë, fëmijët dhe gratë suleshin mbi batalionet e rënda? A nuk është mbushur historia e “kombit të madh” me vepra guximi të një morie grash heroike, që nga Zhana d’Ark e deri te zonja Rolan? A i ka parë kush ndonjëherë mjekët francezë, këta “materialistë të urryer”, këta nxënës të Cabanis-it dhe të Broussais-it, të ngurrojnë gjatë epidemive ta flijojnë shëndetin dhe jetën për detyrat e tyre të rënda? Pra, le të mos na i paraqesin më si përjashtime këto vajza: ta zgjedhin rrezikun në vend të turpit i detyron më shumë fakti që janë franceze, sesa titulli i murgeshës. Kjo vërejtje vlen për shumë fakte të ngjashme. Autori i Historisë së feve, z. Clavel, ka pasur të drejtë kur ka vënë re se është krejt e pamundur t’i vihet në llogari Kishës ajo që i detyrohet vetëm trimërisë kelte dhe energjisë gjermanike. A nuk thoshin galët, para se të bëheshin katolikë romakë, se po të binte qielli, do ta mbanin me hekurin e shtizave të tyre? A nuk e kishin hedhur gjermanikët në pluhur kolosin e perandorisë, para se të pagëzoheshin? A nuk e kishin sfiduar vdekjen në qindra beteja gratë e galëve dhe të skandinavëve, para se të dinin emrin e Jezu Krishtit?
Ajo gjendje e çuditshme e mendjes dhe e zemrës që kam vënë re te gra si Shën Tereza dhe Marie Alacoque nuk është zhdukur ende nga Perëndimi. Atje gjen ende, si në Mesjetë, gra që bien në ekstazë, madje edhe gra me stigmata, domethënë me shenjat e plagëve të Krishtit në trup. Z. Maury, në një artikull që u vu shumë re në Revue des Deux Mondes, dhe që pastaj e ribotoi të zgjeruar në veprën e tij të ditur e plot shpirt mbi magjinë, ka dhënë hollësitë më interesante për prejardhjen e stigmatave. Ato janë shumë të zakonshme te vizionaret e Perëndimit: shembuj të çuditshëm janë Gertruda, Ida e Lëvenit, Katerina e Sienës, Osana e Mantovës, të gjitha të shpallura shenjtore. Ndër rastet më të jashtëzakonshme që kam gjetur në Perëndim, duhet t’ju përmend motrën Anne-Catherine Emmerich. Po t’i besojmë historianit të saj, gjermanit Brentano, jeta e saj ka qenë një mrekulli e pandërprerë. Në vegime jo më pak të habitshme se zbulesat e grave si Brigita dhe Gertruda, ajo pa të shpaloseshin para syve skena që duan të na i paraqesin si një plotësim të Dhiatës së Re.
Motra Emmerich ishte murgeshë augustiniane në manastirin e Agnetenberg-ut, në Dülmen. Konti Léopold de Stolberg, njeri që i besonte gjithçkaje dhe që e kishte braktisur protestantizmin për arsye vërtet të cekëta, e njohu vëllanë e Bettinës me këtë vizionare të famshme.[14] Clément Brentano kaloi vite të tëra pranë saj dhe i studioi vegimet e saj me një durim vërtet gjerman. Ajo e sodiste aq thellë dhe aq pa pushim mundimin e Krishtit, saqë i kishin dalë në trup shenjat e plagëve të të kryqëzuarit. Çdo vit, kur afrohej Java e Shenjtë dhe lutjet e saj bëheshin më të zjarrta, stigmatat rishfaqeshin. Në duar, në këmbë dhe në brinjë, një skuqje, që Brentano me naivitet e quante të mbinatyrshme, tregonte vendin e gozhdëve dhe të goditjes me shtizë. Shëtitjet e saj të imagjinuara nuk mbeteshin vetëm në Palestinë. Ndonjëherë ajo shkonte deri në Himalaje, dhe flluskat që i dilnin në këmbë dëshmonin për lodhjen që i shkaktonin këto udhëtime në ëndërr. (Doktori Demangeon, autor i një libri të shquar mbi fuqinë e imagjinatës, sjell shumë raste të ngjashme.) Një ditë ajo vizitoi mbretëreshën Maria Antoaneta në birucën e saj. As shëtitjet në fushat e parajsës apo në birucat e ferrit nuk i ishin të ndaluara. Ajo pa Luterin që përpëlitej si i pushtuar nga djalli, por që nuk digjej në flakët e ferrit. Murijoja i shkollës së Dyseldorfit, austriaku Steinle,[15] i ka riprodhuar tipar për tipar peizazhet e parajsës që pa murgesha, në vizatimet që ilustrojnë historinë e saj.
Veprat e motrës Emmerich për mundimet e Krishtit dhe për jetën e Marisë, një përmbledhje e vegimeve të saj kryesore, i ka përkthyer në frëngjisht z. de Cazalès. Ai është i biri i oratorit të famshëm të Asamblesë Kushtetuese, redaktor i Correspondant, ish-përfaqësues i popullit dhe dikur profesor në universitetin e Lëvenit, në Belgjikë. Vetëm ky fakt do t’ju japë një ide se sa ka përparuar bestytnia në Perëndim. Është botuar edhe një përkthim italisht, dhe botimet e shumta të këtyre shkrimeve të çuditshme po i përmbytin sot vendet katolike. Atje jeta e Virgjëreshës, e shkruar nga motra Emmerich, i bën konkurrencë një vepre të ngjashme të një murgeshe vizionare spanjolle. Bëhet fjalë për Marinë e Agredës, e cila, te Qyteti mistik i Zotit, na tregon se ç’bënte Maria në barkun e nënës së saj, etj.
Edhe Franca e Jugut ka, në rrethinat e Draguignan-it, një grua me stigmata, jetën e së cilës doktori Reverdit e ka përshkruar për le Mercure artésien. Sikur gjëra të tilla të shiheshin në “Lindjen lehtëbesuese”, ç’britma nuk do të dëgjoheshin nga brigjet e Senës deri te brigjet e Vistulës! Ç’nuk do të thuhej, sikur ndonjë filozof lindor të shkruante një libër si Mistika e krishterë (Die Christliche Mystik) e Joseph Gœrres-it! Aty një nga orakujt e Gjermanisë katolike i sheh ëndërrimet dhe sëmundjet e disa murgeshave të mjera si prova të qarta se Kisha e tij është hyjnore.
Nuk kam ndër mend t’ju tregoj gjithçka që ka të bëjë me murgeshat. Do të mjaftohem t’ju jap një ide për mënyrën si jetojnë. Në Francë, gjendja e tyre civile nuk është aspak ajo që ishte para revolucionit. Nën regjimin e vjetër, meqë katolicizmi ishte feja e shtetit, qeveria i detyronte murgjit dhe murgeshat t’i mbanin betimet e dëlirësisë, të bindjes dhe të varfërisë, të quajtura betime solemne. Prandaj një murgeshë nuk mund ta linte manastirin për t’u martuar. As nuk kishte të drejtë të trashëgonte ose të merrte një dhuratë. Familjet fisnike kishin interes t’i mbanin me forcë në manastire vajzat që i varrosnin atje me shumicë.
Kështu ndodh ende në vendet ku katolicizmi është feja e shtetit. Por në Francë betimet murgjërore u shfuqizuan me një dekret të 15 shkurtit 1790. Napoleoni I, nga frika se mos lëndonte ndjenjën kombëtare, e rivendosi jetën murgjërore vetëm pjesërisht. Me një dekret të 18 shkurtit 1809, ai u lejoi murgeshave që u shërbenin të sëmurëve të bënin vetëm betime pesëvjeçare. Ky dekret nuk u shfuqizua nga ligji i Restaurimit (24 maj 1825), që i ligjësoi të gjitha bashkësitë e grave. Prandaj del se çdo betim që e kalon afatin pesëvjeçar nuk ka vlerë para ligjit. Nuk është e rrallë, pra, të shohësh murgesha që martohen, si autorja e Étienne Saulnier, zonja Joséphine Amet, e bija e dukës d’Abrantès, e cila në fillim kishte qenë motër e mëshirës.
Meqë murgeshat e ruajnë të drejtën për të trashëguar, familjet e pasura nuk kanë më të njëjtin interes për ta shtuar numrin e “viktimave të mbyllura”. Si rrjedhojë, urdhrat fetarë në Francë tani i gjejnë anëtaret kryesisht ndër vajzat e popullit. Prandaj, kur dikush nga një familje e kamur tregon njëfarë dëshire për t’u murgëruar, kongregatat e ndryshme grinden mes tyre për një “shpirt” që mund t’ua shtojë me pasurinë e vet të ardhurat. Me këtë arsye z. Mishle e shpjegon zellin e rrëfyesve për t’i shtyrë drejt manastirit gratë e pasura që u rrëfehen atyre.
Ligjet e Revolucionit Francez nuk e njihnin as klauzurën, domethënë mbylljen e murgeshave larg botës, as betimet e përjetshme. Që nga Konkordata e lidhur midis Napoleonit dhe papa Piut VII, pushteti bashkiak i detyron qytetarët e thjeshtë ta respektojnë klauzurën, por e mban për vete të drejtën të hyjë në çdo orë në manastire. Kështu siguron që aty nuk ndodh asgjë në kundërshtim me ligjet që u garantojnë murgeshave lirinë civile. Fatkeqësisht, ndikimi i manastireve është aq i madh, saqë këto ligje nuk japin aspak garanci të mjaftueshme. Një shkresë e avokatit Tilliard (Kan, 1846) tregon se, edhe nën Luigj-Filipin, ligji francez shumë shpesh vdiste te ai kufi i manastireve të murgeshave që quhet “klauzurë”. Zbulimet e botuara në Indépendance belge provojnë se e keqja është rritur pa pushim që nga viti 1846.
Në Lindje nuk ka rrugë të mesme midis jetës së murgjve dhe jetës në botë. Perëndimorët, përkundrazi, kanë gjetur mënyrën t’i lidhin me urdhrat fetarë një mori njerëzish që nuk kanë ndër mend të mbyllen në manastir, por që janë shumë të gatshëm t’i marrin murgjit dhe murgeshat si udhërrëfyes në punët më të rëndësishme. Në Mesjetë, burrat dhe gratë që u bashkoheshin urdhrave të dominikanëve dhe të françeskanëve quheshin “urdhri i tretë” dhe ndiqnin rregulla të veçanta. Edhe jezuitët, nga ana e tyre, kanë ngritur kongregata, si ato të Zemrës së Shenjtë dhe të Ngjizjes së Papërlyer. Sipas z. Aubert de Vitry, këto kongregata kanë përdorur çdo mjet për t’i joshur dhe për t’i trullosur vendet katolike: fshikullimet e burrave dhe të grave, që “nxitnin epshe të tmerrshme” — po përdor fjalët e z. Aubert —, dhe, me një fjalë, të gjitha mënyrat për ta vënë “një ultramontanizëm të dëmshëm mbi katolicizmin e vërtetë”.[16] Kongregata e parë e këtij lloji u themelua në Romë, në kolegjin e jezuitëve (1563). Të tilla ngritën edhe oratorianët në institucionet e tyre, dhe u panë gjithashtu në konviktet e vajzave. Revolucioni e shpëtoi Francën prej tyre për njëfarë kohe. Por sapo u nënshkrua Konkordata e vitit 1801, ish-jezuiti Delpuits e ringjalli kongregatën, e cila u shtua shumë. Napoleoni, kur u grind me papën, e dëboi nga toka e perandorisë. E riorganizuar nën Burbonët, sot ajo përbën “një mbretëri të madhe të nëndheshme me 8.000 shoqata”. Baronesha Pfeffers te komedia Le Fils de Giboyer do t’ju tregojë se ata që imitojnë sot fshikulluesit e Mesjetës nuk kanë më shumë skrupuj se dikur në zgjedhjen e mjeteve.[17] Ndoshta autori mendjehollë duhej ta kërkonte rrënjën e jetëve të tilla te edukata që japin murgeshat. Pasi i rritin vajzat që u besohen, murgeshat ndiejnë nevojën të ruajnë mbi to një pjesë të ndikimit. Kur i bëjnë anëtare të ndonjë shoqate, janë të sigurta se nuk do t’i humbasin nga sytë dhe se, po të duhet, do t’i vënë në shërbim të planeve të tyre.
Dokumentet zyrtare më lejojnë t’ju jap një ide të saktë për pasurinë që kanë sot manastiret franceze dhe për pjesën që zënë murgeshat në edukimin e vajzave. Në maj të vitit 1860, prokurori i përgjithshëm i Gjykatës së Kasacionit, senatori Dupin, shkruante në një raport zyrtar se në Francë kishte atëherë 4.932 shoqata fetare të autorizuara dhe 2.870 të paautorizuara. Ai shtonte se pasuria e paluajtshme e të parave vlerësohej njëqind milionë, por se ishte e pamundur të dihej sa arrinte pasuria e luajtshme e të gjithave. Dhe me të vërtetë, disa gjyqe për të cilat ka shkruar l’Indépendance belge tregojnë se kongregatat mund ta shtojnë pa fund kapitalin e tyre pa e vënë re shteti. Në raportin që i dërgoi perandorit në vitin 1862 për punimet e Këshillit të Shtetit, z. Baroche thoshte se nga viti 1852 deri në 1860 dhuratat për peshkopatat kishin arritur në 2.125.028, pra thuajse sa shuma që kishin marrë në tetë vitet e mëparshme. Në të njëjtën periudhë, seminaret kishin marrë nga besimtarët 2.759.586 franga dhe famullitë 18 milionë e gjysmë. Sa për kongregatat murgjërore, ato futën në arkat e tyre:
| Periudha | Shuma |
|---|---|
| Nga 1815 deri në 1830 (15 vjet) | 17 milionë |
| Nga 1830 deri në 1845 (15 vjet) | 6 milionë |
| Nga 1845 deri në 1860 (9 vjet) | 9 milionë |
Këtyre shifrave duhen shtuar edhe blerjet me pagesë, që shpesh janë dhurata të maskuara dhe që, sido që të jetë, dëshmojnë për pasurinë e fituar me rrugë të njohura ose të panjohura.
Vlera e këtyre blerjeve nga viti 1802 deri në 1814 (Napoleoni I) ishte vetëm 105.400 franga.
Nga 1815 deri në 1830 (Restaurimi), një rritje e dukshme: bëhet fjalë për 5 milionë e gjysmë.
Nga 1830 deri në 1845 (Luigj-Filipi) gjejmë një vlerë edhe më të madhe: 6 milionë.
Së fundi, gjatë nëntë vjetëve nga 1852 deri në 1860 (Napoleoni III), blerjet arrijnë shifrën e stërmadhe prej 25 milionë frangash.
Kështu, një kongregatë grash që ekziston vetëm që nga viti 1844 ka sot 25 milionë në prona të paluajtshme, pa llogaritur pasurinë e luajtshme. Motra të gjora!
Pjesa që zënë sot murgeshat në edukimin e gjinisë sonë u jep atyre, po aq sa pasuria, një ndikim të madh mbi fatet e Francës. Z. Louandre pohonte te Revue des Deux Mondes e vitit 1844 (në kohën e Luigj-Filipit) se ato rritnin më shumë se gjashtëqind mijë vajza (622.000). Shifra të tilla i jepnin të drejtë z. Mishle të thoshte: “Vajzat tona i edukojnë armiqtë e revolucionit dhe të së ardhmes.”
Sipas Raportit mbi gjendjen e Perandorisë (1863), shkollat e vajzave janë 26.592. Prej tyre, 13.491 (pak më shumë se gjysma) drejtohen nga mësuese laike dhe 13.101 nga murgesha.
Nga këto 13 mijë murgesha, 12.335 kanë vetëm “letrën e bindjes”.
Po kështu edhe me kopshtet e fëmijëve (salles d’asile). Gjithsej janë 3.162, dhe 958 prej tyre drejtohen nga mësuese laike, të cilat kanë të gjitha dëshminë e aftësisë.
Prandaj një deputet, z. Havin, drejtor i gazetës le Siècle, thoshte në debatin për adresën e vitit 1864:[18] “13.000 shkolla laike kanë 614.000 nxënëse; 13.000 shkolla të kongregatave kanë një milion vajza.”
Ata francezë që gëzohen për këtë përhapje të madhe të murgjërisë në vendin e tyre pohojnë se kongregatat japin garanci për një moral të rrallë! Aspak, sepse brenda tridhjetë muajve te mësuesit e kongregatave u gjetën dymbëdhjetë herë më shumë krime (kryesisht sulme kundër moralit të fëmijëve) se te mësuesit laikë. Qysh para revolucionit, Gjermania ishte skandalizuar nga sjellja e mësuesve të Shoqërisë së Jezusit, që shumë shpesh bëheshin “Tirsisë dhe Koridonë kolegjesh”.[19] Prej kësaj doli një gjyq i tmerrshëm, që me siguri bashkatdhetarët krenarë të Luterit dhe të Lesingut nuk e kanë harruar.
Megjithë shqetësimet që mund të zgjojnë fakte të tilla, ligji u jep kongregatave një privilegj vërtet të jashtëzakonshëm. Mjafton një leje e eprores, e quajtur “letër bindjeje” (lettre d’obédience), që një murgeshë, qoftë e mbyllur në manastir, qoftë e lirë të dalë prej tij, të fitojë të drejtën të japë mësim. Kështu murgesha jo vetëm nuk ka nevojë të japë në Sorbonë provimet që do të vërtetonin aftësinë e saj, por ka në anën e vet mbrojtjen e klerit, mbështetjen e kongregatës dhe dashamirësinë e prapanikëve të të gjitha ngjyrave. Në një gjendje kaq të pabarabartë, mësueses së gjorë laike nuk i mbetet tjetër veçse të vdesë urie ose të veshë petkun e murgeshës.
Kisha nuk mbështetet vetëm te përkushtimi i murgeshave: ajo e di se gëzon simpatinë e zjarrtë të një pjese të madhe të francezeve.
Kur fisnikëria e Francës përqafoi në shekullin XVIII mësimet e enciklopedistëve, nuk u pa që burrat t’i detyronin gratë e tyre të mbeteshin besnike ndaj katolicizmit. Por kur borgjezia mori në dorë punët e vendit, që në fillim të sundimit të vet u përpoq të vendoste një sistem që iu duk më i matur. Ajo mori dallimin që bënte Volteri midis “njeriut të ndershëm” — gentleman-it të anglezëve — dhe “llumit”. Për vete kishte si rregull pavarësinë e plotë në çështjet e fesë, por pohoi se katolicizmi ishte i mirë për atë shtresë që, siç besohej, do të mbetej përgjithmonë e mitur dhe e përulur. Mirëpo ligji i fuste gratë ndër të miturit, dhe kështu katolicizmi u bë feja e fshatarëve, e punëtorëve, e fëmijëve dhe e grave. Disa mendonin se atij duhej t’i liheshin edhe pleqtë e të dyja gjinive, nga mëshira për moshën që me përbuzje e quajnë “fëmijëria e dytë”.
Kur kombet më burrërore gjermanike — skandinavët, anglosaksonët, holandezët dhe gjermanët e Veriut — braktisën Kishën romake në shekullin XVI, askujt nuk i shkoi ndër mend të zbatonte aksiomat që i kanë dhënë Joseph Prudhomme-it një famë aq të merituar.[20] Prandaj uniteti i qytetërimit gjermanik nuk u thye, dhe burri e gruaja nuk u desh të rreshtoheshin nën flamuj të ndryshëm. Borgjezia franceze kujtoi se ishte më e zgjuar kur e ndau shoqërinë në dy kampe. Sikur të ishte e mundur, në mes të shekullit XIX, të kishe dy doktrina: një të fshehtë, për të zgjedhurit, të mirë për gjininë e fortë, dhe një të jashtme, për të gjithë të tjerët, të lënë për gjininë e dobët!
Aristokracia franceze nuk e pranon as sot, ashtu si në shekullin XVIII, këtë ndarje të rrezikshme. Kur e kuptoi se filozofia e shekullit XVIII ishte po aq e dëmshme për parimin aristokratik sa edhe për teokracinë, ajo u bë sërish katolike. Tani vajzat i rritin në shkollat e Zemrës së Shenjtë ose në institucione të ngjashme, kurse djemtë u besohen jezuitëve ose njerëzve të tyre. Kush e njeh krenarinë e grave të fisnikërisë franceze, mund të dyshojë nëse ato do ta kishin pranuar politikën që mbizotëron në shtresat e mesme. Atje, përkundrazi, kjo politikë duket aq e natyrshme, saqë, po t’u besosh biografëve të kreut të shkollës pozitiviste, shkollës më të përparuar në Francë, zonja Littré i mbante të gjitha ritet e katolicizmit, dhe zonjusha Littré ndjek shembullin e së ëmës.
Ndër filozofët francezë, z. Mishle, më armiqësor se të tjerët ndaj Kishës romake, e ka kuptuar shumë mirë sa e çuditshme ishte kjo gjendje. Libri i tij i famshëm, Prifti, gruaja dhe familja, është një protestë e fuqishme kundër këtij dyzimi që pranoi borgjezia franceze. Por sistemi i “mesit të drejtë” (juste-milieu), që ajo kishte zgjedhur, shkonte aq mirë me marrëveshje të tilla, sa borgjezia nuk u shqetësua shumë nga ankesat e profesorit të Kolegjit të Francës. U mjaftuan t’i përgjigjeshin se koha e polemikave “të ashpra” kishte kaluar dhe se “volterianizmi” ishte po aq kundër frymës së “eklektizmit” sa edhe jezuitizmi i klerikalëve.[21]
Revolucioni i shkurtit nuk e shtyu borgjezinë t’i jepte të drejtë z. Mishle. Përkundrazi, një numër pjesëtarësh të kësaj shtrese ndoqën shembullin që kishte dhënë aristokracia pas Revolucionit të madh Francez. Si z. Maréchal te Le Fils de Giboyer, ata besuan se fisnikëria dhe borgjezia e lartë, të bashkuara nën flamurin e Kishës romake, do të ishin në gjendje t’u bënin ballë trazirave të klasave punëtore. Data e komedisë Le Fils de Giboyer tregon se këto shpresa kanë vazhduar të veprojnë mbi mendjet edhe nën perandorinë, ndonëse zjarri i “reaksionit fetar” ka nisur të shqetësojë më shumë se një nga ata që sapo janë kthyer në fe dhe po përgatit largime si ajo “braktisje e fesë” që bën z. Maréchal në fund të komedisë.
Por autori mendjehollë, kur përshkruan zemërimin e zonjës Maréchal kundër sjelljes së burrit të saj, na bën të kuptojmë mjaft qartë se gratë e borgjezisë së lartë nuk nxitojnë aspak të ndërrojnë flamur. Mund të shtojmë se në Francë shumica e grave mendojnë si zonja Maréchal. Pa dyshim, në shumë qytete, madje edhe në fshatrat që kanë lidhje me Parisin, gratë borgjeze dhe fshataret nuk bëjnë aspak radhë para rrëfyesoreve. Por në një numër mjaft të madh departamentesh, gratë fisnike, një pjesë e grave borgjeze, shumica e fshatareve dhe kongregatat e grave përpiqen ta ngushëllojnë Kishën për braktisjen nga burrat e shkolluar. Mjafton të hysh në një nga tempujt e katolicizmit për t’i parë pasojat e kësaj gjendjeje. Para altarëve shihen aq pak burra, sa do të thoje se gati të gjithë burrat kanë shkuar në luftë. Në Paris shkëlqejnë me mungesën e tyre edhe “bluzat”, siç u thonë punëtorëve, dhe në atë qytet të pamasë mezi mund të mblidhen, për ceremonitë që synojnë t’u bëjnë përshtypje njerëzve, disa mijëra fisnikë, borgjezë të pasur dhe shërbëtorë. Kisha ka pasuri të mëdha, që i numëron vepra interesante e z. de Pressensé, Mbi katolicizmin në Francë. E megjithatë është e qartë se Kisha galikane, domethënë Kisha e Francës, po bëhet gjithnjë e më shumë një Kishë kryesisht e grave.
Në vendet e tjera latine, gjendja nuk ka arritur ende deri këtu.
Në përgjithësi, besimi te katolicizmi është aq më i fortë sa më e madhe është padituria. Kështu, Italia është më e devotshme se Franca, dhe Spanja më katolike se Italia dhe Portugalia. Kisha i sheh me tmerr këto pasoja të dritës së diturisë dhe bën çmos të pengojë përhapjen e arsimit, sidomos të arsimit fillor, me pretekstin se ai i bën dëm “moralit”, domethënë interesave të saj. Po të ishte e drejtë teoria e saj, krahinat e Napolit dhe të Sicilisë do të ishin vendi i të gjitha virtyteve, dhe unë s’kam parë asnjë legjitimist, sado i vendosur, që të guxojë ta mbrojë këtë tezë. Deri tani kleri katolik ia ka dalë mjaft mirë ta bëjë thuajse të pamundur arsimimin e masave. Është thënë se në një ushtri prusiane prej 290.000 vetash ndoshta nuk do të gjeje as gjashtë ushtarë që nuk dinë shkrim e këndim. Një anëtar i ditur i Senatit të Italisë, z. Matteucci, ka thënë se, po të ishte fjala për një ushtri italiane, ndoshta pohimi do të duhej përmbysur.
Edhe në Francë populli është kryesisht i paditur. Nuk do të habiteshit po të kishit një ide për gjendjen e fshatarësisë. “Shihen, — shkruante një shkrimtar i ‘shekullit të madh’, — disa kafshë të egra, meshkuj e femra, të shpërndara nëpër fushë, të zeza, të zbehta e të djegura krejt nga dielli, të mbërthyera pas tokës që gërmojnë e trazojnë me një kokëfortësi të pathyeshme. Kanë diçka si zë të nyjëtuar; dhe kur ngrihen në këmbë, tregojnë një fytyrë njeriu; dhe në të vërtetë janë njerëz. Natën strehohen në strofka, ku jetojnë me bukë të zezë, me ujë dhe me rrënjë.”[22] Marshalli Vauban, kryepeshkopi Fenëloni dhe gjyqtari Pesant de Boisguilbert e vërtetojnë saktësinë e kësaj pamjeje të llahtarshme që ka vizatuar autori i Karaktereve. Pa dyshim, revolucioni, që e mallkojnë aq shumë ata që nuk e njohin historinë e së shkuarës, i ka bërë njerëz “kafshët e egra” për të cilat fliste La Bruyère. Por gjendja e bujqve francezë lë ende shumë për të dëshiruar, siç e dëshmon vepra e z. Bonnemère, Historia e fshatarëve.
Dija e tyre është edhe më e ulët se mirëqenia. Librat e z. Guichard dhe të z. Leneveux (Arsimi në Francë) dhe i zonjushës Daubié (Mbi përparimin e arsimit fillor, 1862) tregojnë se Franca vjen pas Hanoverit, Saksonisë, Bavarisë, madje edhe pas Austrisë. Me Prusinë as që mund të krahasohet. Në vitin 1845, në një ushtri prej 122.897 prusianësh, vetëm dy ushtarë nuk dinin shkrim e këndim. Në Francë, në vitin 1864, 600.000 fëmijë — kjo është shifra zyrtare — mbeten pa asnjë lloj arsimi, dhe në 1.018 komuna nuk ka fare shkollë. Nëntë departamentet më të arsimuara janë ato që kufizohen me Gjermaninë, djepin e Reformës. Departamenti i Senës (Parisi) vjen vetëm i dhjeti.
Vetëkuptohet se gratë i shpëtojnë ndikimit të mirë të arsimit edhe më lehtë se burrat. E megjithatë z. J. Simon ka thënë me të drejtë: “Kur arsimon një djalë, ndriçon një burrë; kur arsimon një vajzë, ndriçon një familje.” Në vitin 1853, gjysma e grave nuk qenë në gjendje të nënshkruanin në martesën e tyre. Në vitin 1864, 19.303 komuna nuk kanë as shkolla publike për vajza, as shkolla private për to. Kjo s’ka asgjë për t’u habitur. Ligji i vitit 1833, përndryshe i shkëlqyer, e organizoi arsimin fillor për djemtë, por gjykoi se nuk ishte ende koha të merrej me vajzat.
Ligji Falloux, që e hartoi partia klerikale, u ruajt mirë të mos tregonte më shumë zell.[23] Prandaj Raporti mbi gjendjen e perandorisë, i paraqitur para dhomave legjislative në vitin 1862, thotë: “Gjendja e mësueseve, të cilat ligji i vitit 1850 nuk deshi t’i barazonte me mësuesit e komunave (për interesin e murgeshave që japin mësim), kërkon ende vëmendjen e qeverisë.”
Në vitin 1863, ministri i arsimit publik pranon se mësueset, në këtë kohë kur gjithçka është shtrenjtuar, kanë për të ngrënë, për t’u veshur etj. 400 franga në vit (nganjëherë 340, më pak se një frank në ditë). Kjo, thotë ai hapur, është “një copë bukë”. E besoj! Dhe kërkon — për vitin 1865 — 500 franga! “Më mirë do të ishte për to të bëheshin shërbyese!” thërriste z. J. Simon në debatin për adresën e vitit 1864.
E megjithatë Franca, që nuk mund t’u japë mësueseve të saj “një copë bukë”, gjente mënyrën t’i paguante klerit, brenda një viti të vetëm, 42.411.050, ndërsa pagesat e besimtarëve për pagëzime, martesa e varrime u sillnin kishave të Parisit shumën e stërmadhe prej 5.080.000 frangash. Këtë e thonë z. Garnier dhe z. Guillaumin te Vjetari i ekonomisë politike për vitin 1851. Në Itali dhe në Spanjë puna është edhe më keq! Këtu fraza e zakonshme për “moralin” nuk do të ishte aspak jashtë vendit. Në të vërtetë, një artikull i gazetës les Débats i 2 korrikut 1863 tregon se gjyqet për tradhti bashkëshortore kanë qenë më të shpeshta pikërisht në departamentet e prapambetura të Francës.
Kundër atyre që kërkojnë arsim fillor të detyrueshëm për vajzat ashtu si për djemtë, duhen sjellë pra argumente të tjera, jo “rreziku i imoralitetit”. Ky arsim, thonë, bie ndesh me lirinë. “Unë e respektoj pushtetin e prindërve, — thoshte në vitin 1864, në debatin për adresën, një deputet konservator, z. Nogent Saint-Laurens, — kur ai është dashamirës dhe i pastër. Por kur e lë një fëmijë të endet rrugëve, nuk më frymëzon shumë respekt.” Prandaj ai pohonte se “arsimi i detyrueshëm nuk e trembte shumë”. Të tjerë thonë se është një masë socialiste. Po të jetë kështu, pse z. Kuzen, në vitin 1833, e shpallte me forcë para Dhomës së Perëve nevojën e arsimit të detyrueshëm? Ai fliste si relator i një komisioni ku bënin pjesë dukët de Crillon dhe Decazes, markezët de Laplace dhe Jaucourt, kontët de Germiny dhe Portalis dhe profesori Villemain. Pse u shprehën në favor të tij ekonomistët më të shquar, Turgot, Adam Smithi, Rossi, z. J. Stuart Mill, z. Baudrillart etj.? Pse e kanë pranuar Shtetet e Bashkuara, Konfederata Zvicerane (përveç Gjenevës dhe kantoneve prapanike Shvic, Uri dhe Untervalden), Prusia, Austria, Saksonia, Hanoveri, Vyrtembergu, Badeni, Saksen-Vajmari, Saksen-Koburg-Gota, Hesen-Kaseli, Hesen-Darmshtati, Nasau, Bavaria, Holanda, Danimarka, Suedia, Norvegjia dhe Portugalia, vende aspak socialiste? Të gjitha kundërshtimet e partisë klerikale janë pretekste të kota. Liria e prindërve kufizohet kudo dhe gjithmonë me masa shumë më “socialiste” se kjo. Dhe është e çuditshme t’i dëgjosh të dalin si mbrojtës të të drejtave të “babait të familjes” pikërisht ata njerëz që e miratuan aq shumë rrëmbimin e të voglit Mortara dhe aq e aq raste të ngjashme.[24]
Beteja e Novarës (1849), ku Austria e mundi Piemontin. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Latinisht Ad maiorem Dei gloriam, motoja e jezuitëve. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Gruaja në shekullin XIX. ↩︎
V. V. M. M.: Virgines Martyres, “virgjëresha martire”. Emri Undecimilla u lexua si undecim millia, që latinisht do të thotë “njëmbëdhjetë mijë”. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Defenestrimi i Pragës (1618): fisnikët protestantë çekë hodhën nga dritarja e kështjellës dy përfaqësues të perandorit. Ngjarja ndezi Luftën Tridhjetëvjeçare. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Joseph Prudhomme, personazh i shkrimtarit Henry Monnier, tipi i borgjezit mendjengushtë e të vetëkënaqur. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Jean-Baptiste Gresset tallet me vizitandinat te poema Vert-Vert, për një papagall të një manastiri të tyre që mëson të shajë. Louis-Benoît Picard shkroi komedinë muzikore Les Visitandines (1792). — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Te popujt e lashtë të Italisë, “pranvera e shenjtë” (ver sacrum) ishte zakoni që të rinjtë e lindur në një pranverë të caktuar, kur rriteshin, të dërgoheshin të kërkonin toka të reja dhe të themelonin atje një ngulim. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Caroline Chisholm (1808–1877), bamirëse angleze që ndihmoi emigrantët në Australi, sidomos gratë e vajzat e vetmuara. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në kohën kur u shkrua libri, ushtria franceze mbante garnizon në Romë për të mbrojtur shtetin e papës, dhe ndodhej në Meksikë (1861–1867), ku mbështeste perandorin Maksimilian. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Kisha katolike i quante “skizmatikë”, domethënë të ndarë prej saj, besimtarët e Kishës lindore. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Çmimet Montyon, që Akademia Franceze i jepte çdo vit për vepra virtyti dhe vetëmohimi. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal: Des yeux des sœurs on a compté les larmes, / Les yeux du peuple en ont trop pour cela. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Bettina von Arnim (1785–1859), shkrimtare gjermane; i vëllai, Clemens Brentano (1778–1842), poet i romantizmit gjerman. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Bartolomé Esteban Murillo (1617–1682), piktor spanjoll i njohur për pikturat fetare. Edward von Steinle (1810–1886) ishte piktor austriak i temave fetare. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Ultramontanizmi (nga latinishtja “përtej maleve”, domethënë përtej Alpeve, në Romë): rryma që kërkonte nënshtrimin e plotë të Kishës së çdo vendi ndaj papës; e kundërta e galikanizmit. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Le Fils de Giboyer (“Biri i Giboyer-it”, 1862): komedi e Émile Augier kundër partisë klerikale. Baronesha Pfeffers është një intrigante e kësaj partie; z. Maréchal, një borgjez i pasur dhe mendjengushtë që lidhet me të. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Adresa: përgjigjja që dhomat i jepnin çdo vit fjalimit të perandorit. Debati për adresën ishte rasti kryesor për të kritikuar qeverinë. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Tirsisi dhe Koridoni janë barinj te Bukolikat e Virgjilit; në eklogën e dytë Koridoni digjet nga dashuria për djaloshin Aleksis. Autorja bën fjalë, pra, për marrëdhënie të mësuesve me nxënësit djem. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Joseph Prudhomme: personazh i shkrimtarit dhe karikaturistit Henry Monnier, tipi i borgjezit francez mendjengushtë e fjalëmadh, që shqipton me solemnitet të vërteta boshe. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Juste-milieu (“mesi i drejtë”) quhej politika e Luigj-Filipit (1830–1848), që donte të mbante mesin midis reaksionit dhe revolucionit. Eklektizmi, filozofia e Viktor Kuzenit, që kërkonte të bashkonte të mirat e të gjitha sistemeve, ishte në atë kohë filozofia zyrtare e shkollave franceze. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Pjesa është nga Karakteret (1688) e Jean de La Bruyère, kapitulli “Për njeriun”. “Shekulli i madh” quhet në Francë shekulli XVII, koha e Luigjit XIV. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Ligji Falloux (1850), me emrin e ministrit Frédéric de Falloux, i dha klerit dhe kongregatave liri të gjerë në arsim. Është i njëjti “ligj i vitit 1850” që përmendet në raport. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Edgardo Mortara, djalë hebre nga Bolonja, u mor me forcë nga prindërit në vitin 1858 me urdhër të autoriteteve të papës, sepse një shërbyese e kishte pagëzuar fshehurazi. Rasti bëri bujë në gjithë Evropën. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Dora d'Istria