Çfarë trajton kjo letër
Gjermanikët dhe katolicizmi. — Cvingli dhe Luteri. — Ndikimi i Reformës në gjendjen e grave. — Katerina fon Bora. — Përpjekjet komuniste. — Anabaptistët dhe poligamia. — Ringjallja e poligamisë. — Mormonët dhe mbrojtësit e tyre. — Jeta intelektuale te gjermanikët në shekujt XVII dhe XVIII. — Elizabeta e Palatinatit. — Kristina dhe Ulrika e Suedisë. — Sofi-Sharlota dhe Kristina. — Elizabeta, mbretëresha e Prusisë. — Katerina e Anhalt-Cerbstit. — Prirjet e grave gjermanike. — Dy degët e racës indoevropiane. — Si e fitoi protestantizmi shumicën e gjermanikëve. — Ndikimi i tij te gratë gjermanike. — Ndikimi i klimës. — Jeta familjare dhe arsimi. — Mjetet për të studiuar në vendet gjermanike. — Fuqia e ideve aristokratike te gjermanikët.
Ju kam treguar cilat ishin prirjet dhe ligjet e popujve gjermanikë para se të shfaqeshin në tokat e perandorisë. Katolicizmi, që ishte feja e Romës së lashtë në një trajtë të re, nuk përputhej aspak me karakterin e tyre. Por deri në Reformë këta popuj nuk patën lirinë të ndiqnin prirjet që u japin një fytyrë kaq të veçantë. Shpata e Karlit të Madh dhe heshta e kalorësve teutonë e të kalorësve të Shpatës i kishin imponuar Gjermanisë një sistem më shumë politik se fetar, dhe Gjermania priste rastin për ta hequr qafe. Prandaj kundërshtimi shpërtheu që në Mesjetë, dhe fjala e reformatorit ungjillor sllav e tronditi mbarë Gjermaninë. Por, pasi krerët e teokracisë e dogjën Jan Husin në Konstancë, nga hiri i tij lindën Cvingli dhe Luteri. Vendi që e kishte ndriçuar flaka e turrës së Husit, si dhe kjo tokë saksone, që predikuesit e katolicizmit, të veshur në hekur, e kishin larë me gjak, nxorën hakmarrës për çështjen e tyre. Kështu teprimet e forcës sjellin reagime të pashmangshme.
Që prej asaj kohe, midis botës së mirëfilltë gjermanike dhe shoqërisë latine është ngritur një mur i madh. Duke ndjekur traditat e veta, shoqëria latine u ka mbetur besnike teorive të unitetit politik dhe fetar, me të cilat e mësuan cezarët. Gjermanikët nuk e duan centralizimin as në fe, as në jetën civile. Ata kanë krijuar në të gjitha anët e botës shtete me një frymë origjinale, që meriton plotësisht vëmendjen e mendimtarëve.
Heqja e beqarisë së detyruar për priftërinjtë dhe murgjit, si dhe rikthimi i divorcit, e ndryshuan thellësisht gjendjen e grave gjermane, që në fillim të Reformës. Sapo u hapën manastiret e murgeshave, murgu hero i Vitenbergut u martua me një murgeshë saksone, Katerina fon Bora. E bija e Hans de Mergenthal de Deutschenbora sapo kishte dalë nga fëmijëria kur prindërit e mbyllën në manastirin e Nimptschen-it, që i përkiste urdhrit të cistercianëve. Por kjo jetë murgeshe, që i qe imponuar me detyrim, u lëkund fort kur ajo lexoi veprat e Luterit. Meqë familja nuk pranonte ta nxirrte nga manastiri, ajo iu drejtua reformatorit bashkë me tetë shoqe të saj. Luteri i ndihmoi të arratiseshin natën e 4 prillit 1523. Pasi i sistemoi shoqet e Katerinës, i çoi fjalë asaj se kishte ndër mend ta martonte. Por Katerina e refuzoi burrin që i propozoi ai, ndonëse tha se do të martohej me gjithë qejf me Luterin ose me Amsdorfin, predikues në Vitenberg. Luteri, që e kishte hequr zhgunin e murgut në vitin 1524, vendosi ta merrte Katerinën për grua. S’ka nevojë t’ju them me sa vëmendje është marrë historia me jetën e këtij çifti. Po t’u vini veshin katolikëve, ajo ishte plot trazira dhe trishtime. Sinqeriteti i admirueshëm i Luterit, që nuk i fsheh asnjë nga hidhërimet që sjell pashmangshëm roli i reformatorit, u jepte shkas hamendjeve të tilla. Por Luteri i tregon gëzimet e veta po aq ndershmërisht sa edhe mundimet, dhe testamenti i tij dëshmon se te Katerina, të cilën e bëri trashëgimtaren e vetme, ai gjeti “një grua të përshpirtshme, besnike dhe të nderuar”. Në kishën e Torgaut (Prusi) shihet ende varri i së shoqes së Luterit, me statujën e saj në madhësi natyrore.
Do t’ju flisja më gjatë për shoqen e jetës së Luterit, po të mos ishte treguar jeta e saj aq shumë herë. Që në shekullin XVII, J.-F. Mayer shkroi një vepër për këtë temë. Në shekullin XVIII, biografinë e Katerinës e shkruan z. Kuen dhe Ch. Walch. Së fundi, në ditët tona, z. W. Beste (1843) dhe z. F. Hoffmann (1845) e kanë trajtuar sërish këtë çështje, që i intereson shumë mbarë vendet gjermanike.
Luteri ishte mjaftuar ta paraqiste krishterimin ungjillor si idealin të cilit shoqëria gjermanike duhej të përpiqej t’i afrohej. Një nga dishepujt e tij, Stork, u dha pas një admirimi fanatik për demokracinë e Izraelit të lashtë. Ëndrrat e veta ai i predikoi pikërisht në qytetin e Vitenbergut. Carlostadt, Munzer dhe entuziastë të tjerë u vunë në anën e anabaptistëve, domethënë të “ripagëzuesve”. Imitimi i verbër i zakoneve dhe i ideve hebraike do të çonte në rikthimin e poligamisë. Një përpjekje e tillë do të ishte e pamundur në vendet latine, ku personaliteti i grave do t’i kishte bërë një qëndresë të pathyeshme. Te gjermanikët, përkundrazi, pati aq sukses, saqë u desh të derdheshin lumenj gjaku për ta mundur komunizmin anabaptist. Një shkrimtar legjitimist,[1] që në fillim kishte mbrojtur ide të tjera, z. Alexandre Weill, i përshkroi në vitin 1847, te Lufta e fshatarëve, ngjarjet kryesore të një kryengritjeje që, sipas tij, ishte njollosur me shpifje. E pranoj me gatishmëri se fshatarët kishin arsye shumë të drejta për t’u ankuar kundër feudalizmit gjerman; por shumë shpejt i komprometuan aleatë të rrezikshëm. Komunistët nuk i kanë sjellë kurrë dobi çështjes së cilës pretendonin se i shërbenin. Përkundrazi, e kanë bërë të papëlqyeshme me ëndrrat e tyre prapanike dhe me teprime të çdo lloji.
I mundur në fushat e betejës në shekullin XVI, komunizmi ka dhënë në ditët tona shenja të reja jete. Nuk do t’ju flas për mbrojtësit që ka gjetur në shtetet gjermanike, sepse i kam kushtuar tashmë kësaj çështjeje disa faqe te Zvicra gjermane. Më e rëndësishme se të gjitha teoritë është përhapja e shpejtë e sektit të mormonëve në Shtetet e Bashkuara. Z. L. A. Bertrand, te Kujtimet e një mormoni, ka provuar se dishepujt e Xhozef Smithit dhe të Brigam Jangut dalin pothuajse vetëm nga degët e ndryshme të racës gjermanike. Hollësitë vërtet të pazakonta që jep ky dëshmitar okular për nënshtrimin e grave të mormonëve do t’i linin gratë latine të shtangura. Edhe një tipar tjetër do t’i habisë ata që nuk i njohin shqetësimet e preferuara të shoqërisë gjermanike. Sipas republikanëve të Jutës, “shenjtorët e ditëve të fundit” (latter days saints) po punojnë për ta rivendosur “virtytin” në tokë. Poligamia, thonë ata, është mënyra e vetme për të zbatuar urdhrin e Zotit për ta mbushur me njerëz botën, që ka mbetur ende pjesërisht e shkretë, dhe për ta shpëtuar botën e krishterë nga një plagë që e gërryen dhe e çnderon: prostitucioni. Kujtimet e një mormoni, Libri i mormonëve, Ungjilli i mormonëve, Ylli i shkretëtirës etj. e hedhin poshtë njëzëri dhe me tmerr akuzën për imoralitet që u bëjnë kundërshtarët e tyre në të dyja botët.
Disfata e anabaptistëve e shpëtoi Gjermaninë nga të ashtuquajturat reforma të frymëzuara nga komunizmi. Ndonëse Reforma nuk i dha menjëherë të gjitha frytet e saj, që në shekullin XVII gratë e shtresave të larta nisën të merrnin pjesë në lëvizjen intelektuale dhe filozofike të kohës. Dekarti, filozofi më i madh francez i shekullit të vet, pati ndër dishepujt e tij më të përkushtuar Elizabetën e Palatinatit, të bijën e mbretit të Bohemisë, Frederikut V. Që herët princesha tregoi një prirje aq të fortë për studimin, saqë u mendua se mund t’i jepte mësime filozofie vetë autori i Ligjërimit mbi metodën. Nga frika se mos e shkëputnin nga studimet që i donte aq shumë, ajo refuzoi dorën e mbretit të Polonisë, Vladislavit IV. U tërhoq në abacinë protestante të Hervorden-it, ku u bë abaceshë dhe ku vdiq në fund të shekullit XVII (1680). Tregojnë se Hegeli, në shtratin e vdekjes, thoshte: “Vetëm një njeri më ka kuptuar… dhe as ai nuk më ka kuptuar mirë.” Dekarti ishte më i kënaqur me të bijën e mbretit të Bohemisë. Në kushtimin e Parimeve të veta, ai pohon se ajo ishte i vetmi njeri që i kishte kuptuar plotësisht teoritë e tij.
Sa gra në brigjet e Danubit, madje edhe buzë Ilisit të Athinës, do ta merrnin këtë histori të thjeshtë për roman? Në gadishullin tonë, bashkëshortja madhështore e ndonjë nëpunësi të vogël do të zemërohej shumë vetëm me mendimin se dikush mund ta parapëlqente titullin “shkrimtare” mbi titujt pak a shumë të zbukuruar me të cilët mburret ajo. Do të ishte koha që studimi i historisë, qoftë edhe fare fillestar, t’u jepte fund marrëzive të tilla. Në të vërtetë, shembulli i Elizabetës nuk është aspak i vetëm në vendet më të ndritura të Evropës. Kristina, një tjetër nxënëse e Dekartit, e flijoi fronin e Suedisë për dashurinë ndaj letrave dhe arteve. Ulrika Eleonora, që erdhi në fron pas Karlit XII, ia la të shoqit skeptrin e Gustav Vasës dhe të Gustav Adolfit të Madh, për t’u mbyllur në vetmi dhe për t’iu kushtuar studimit. Në Prusi, Sofi-Sharlota, bashkëshortja e Frederikut I, ishte më krenare për nderin se kishte themeluar Akademinë e Berlinit sesa për titullin e mbretëreshës. Mbretëresha Kristina-Elizabeta, gruaja e Frederikut të Madh, shembull mëshire dhe dinjiteti, e ndante jetën midis bamirësisë dhe letrave. Kjo autore fisnike e Mendimeve mbi gjendjen e punëve publike në vitin 1778 nuk e quante poshtërim t’i përkthente vetë në frëngjisht veprat që shkruante në gjermanisht. Kontesha d’Albany studionte ndonjëherë deri në tetë orë në ditë. Katerina e Madhe kishte për letrat një pasion që e përmendin të gjithë historianët e Rusisë. Disa shkrimtarë perëndimorë janë ndalur më pak te ky pasion sesa te historia tepër e gjatë e të preferuarve të saj, për të nxjerrë përfundimin se gratë ruse janë mesalina.[2] Duket se harrojnë që Katerina ishte një princeshë e Anhalt-Cerbstit dhe se, nga gjaku dhe nga edukata, i përkiste vendit që krenohet më shumë se çdo vend tjetër për “virtytin e vet”. Veç kësaj, besoj se gjermanët nuk janë aspak të gatshëm të heqin dorë nga kjo grua gjeniale. Dobësitë e saj, që sidoqoftë nuk dua aspak t’i justifikoj, nuk kanë asnjë lidhje me poshtërsitë që tregon Volteri në Kujtimet e veta, kur flet për qëndrimin e tij pranë mikut të vet mbretëror. E megjithatë Prusia nuk ka pushuar t’i ngrejë statuja Frederikut II. Sa për francezët, mjafton të kujtojnë skenat e Regjencës dhe të Parc-aux-Cerfs-it[3] për t’u bindur se te ta princat kishin edhe më pak skrupuj se Katerina. Por sot, ndërsa secili ruhet nga fryma e kastës kur gjykon historinë, askujt nuk i shkon ndër mend të shqetësohet për “frymën e gjinisë”. Prandaj duket krejt e natyrshme që Katerina të paguajë për të gjithë monarkët e kohës së saj dhe që për jetën e saj private të flitet vetëm me një turp plot indinjatë. Asnjë epitet nuk duket i tepruar. Sovranja që i mbrojti Volterin dhe Didroin nga fanatikët e vendit të tyre nuk duhet të durojë vetëm mallkimet e katolikëve. Mbi kokën e saj bien si shi edhe tiradat virtuoze të njerëzve që e quajnë veten pasardhës të filozofit të Fernejit, Volterit, ndërsa në elokuencë garojnë me heroin “e nderuar” të z. Henri Monnier.[4]
Më shumë se një princeshë gjermane i gjen të tepruara mallkimet kundër Katerinës II. Por asnjëra prej tyre, po e them menjëherë, nuk është e gatshme ta marrë si model. Përkundrazi, sovranet dhe zonjat e mëdha, borgjezet dhe fshataret e shekullit XIX nuk e lënë rast pa shpallur me të madhe se një bijë e Germanisë duhet të tregojë, me jetën e saj të rregullt, epërsinë e racës së vet mbi latinët dhe mbi sllavët.
Cilado qoftë vlera e këtyre pretendimeve, është e sigurt se raca indoevropiane ndahet në dy grupe, që ndryshojnë nga trupi po aq sa edhe nga gjuha. I pari përbëhet nga popuj me flokë të verdhë ose të kuqërremtë, i dyti nga kombe me flokë të zinj ose me ngjyrë të errët. Një natyralist i Shteteve të Bashkuara ia mohon këtij grupi emrin “të bardhë”, që me krenari ia rezervon të parit. Ndryshimi i tipit tregon që tani ndryshimin e instinkteve. Gratë latine kanë zakonisht sy të zinj ose kafe, flokë me ngjyrë të errët, muskuj të fortë, fytyrë shprehëse dhe lëkurë pak a shumë të verdhë. Gratë gjermanike kanë zakonisht sy të kaltër e pa shprehje, lëkurë të bardhë, faqe të kuqe, shumë ind nënlëkuror: të gjitha tiparet kryesore të temperamentit limfatik. Prandaj te ato shihni se në vend të personalitetit të theksuar të temperamentit kolerik vjen një vullnet i butë. Do të vini re se ndjesitë janë më pak të gjalla, pasionet më të përmbajtura, shijet më të prirura për ndenjje në shtëpi, dhe se në vend të masës në të ngrënë vjen një oreks që nuk lodhet kurrë. Aq më tepër dua të shtoj se “çdo rregull ka përjashtimet e veta”, sepse sot askush nuk e vë në dyshim ndikimin e trurit mbi temperamentin. Në Veri si në Jug, te gjermanikët si te latinët, te burrat si te gratë, ka natyra të privilegjuara që, falë një energjie të jashtëzakonshme të mendjes, të forcuar vazhdimisht me studim, duket se u shpëtojnë ndikimeve që sundojnë masat. Këto natyra duket se mbledhin në vetvete cilësitë e të gjitha racave, pa ruajtur asnjë gjurmë nga shtrembërimet apo të metat e tyre.
Nuk mjafton të vërehen tiparet e përgjithshme të dy grupeve kryesore të racës indoevropiane; duhen shqyrtuar me kujdes edhe llojet që përbëjnë secilin prej tyre. Në Francë, kimrët duhen dalluar nga galët;[5] madje edhe në Itali, në Venecia, shihen flokët e artë të sllavëve (venedëve). Ndër gjermanikët, gjermanët, sidomos ata të Jugut, që në shumicë kanë mbetur katolikë, ndryshojnë shumë nga skandinavët dhe nga anglosaksonët. Këta të fundit, një përzierje keltësh, anglësh, saksonësh, danezësh dhe normanësh, i kanë marrë elementet e tyre gjermanike nga popujt më të kalitur të Veriut. Por kelti, më shumë luftëtar se studiues, më fort ushtar se filozof, u ka lënë një mospërfillje të rrënjosur për gjithçka që ka të bëjë me teoritë dhe me arsimin. Prandaj arsimi në Angli është shumë më pak i përhapur se te gjermanikët e kontinentit.
Në përgjithësi, gruaja gjermanike, në të dyja botët, i përket Kishës së reformuar. Shpesh është thënë se karakteri serioz i popujve të Veriut i bënte të prirur të ktheheshin te një krishterim thjesht semitik. Të tjerë këtë parapëlqim ia kanë atribuar frymës filozofike të gjermanikëve ose mospëlqimit që kanë ata nga natyra për centralizimin. Së fundi, është menduar se traditat autokratike të Cezarit, që ishte njëkohësisht kryeprifti i Romës, e kanë ruajtur prestigjin e tyre te popujt e perandorisë së vjetër. Në të vërtetë, Kisha romake ka nën vete jo vetëm latinët e të dyja botëve (përveç rumunëve në Lindje dhe disa përjashtimeve në Perëndim), por edhe gjermanikët që u bindeshin perandorëve romakë (Noriku, ose Bavaria; Panonia e Epërme, ose Austria e mirëfilltë, etj.). Unë jam më e prirur t’u jap secilit prej këtyre shkaqeve pjesën e vet sesa të kërkoj një shpjegim të vetëm.
Më vështirë është ta mohosh ndikimin e klimës në zhvillimin e jetës familjare. Në përgjithësi, popujt latinë jetojnë nën një qiell aq të bukur, saqë ndiejnë vazhdimisht dëshirën të dalin jashtë. Në kohët e lashta jeta e tyre zhvillohej krejt jashtë shtëpisë, dhe as sot nuk kanë më shumë dëshirë se atëherë të mbyllen brenda kufijve të ngushtë të banesës. Kurse në vendet gjermanike natyra ka një pamje të zymtë, madje të ashpër. Në mjegullat e Anglisë, nën dëborat e Skandinavisë, në ajrin e ftohtë të Berlinit, secili mblidhet instinktivisht rreth vatrës. Kështu lind jeta shtëpiake, të cilën e kërkonin që atëherë gjermanikët e lashtë, ndonëse shumë më pak se bijtë e tyre.
Kjo mënyrë jetese; feja, që të detyron të mësosh, sepse e bën një libër rregull të besimit; shijet paqësore të një race që e do më shumë jetën e qetë se lëvizjen: të gjitha këto do t’u jepnin popujve gjermanikë vendin e parë në fushën e mendimit dhe të dijes. Sa herë jam mrekulluar në Dresden me vëmendjen me të cilën shitëset e perimeve lexonin diçka ndërsa prisnin blerësit! Asgjë e tillë në botën latine. Vetëm “memecët” — kështu i quajnë sllavët gjermanikët[6] — besojnë se nga një shkrimtar i madh mëson më shumë se nga të gjitha bisedat. Edhe pse jam krejt e një mendjeje me ta, mbetem gjithmonë e habitur kur shoh se te ta edhe njerëzit e shtresave më të ulëta e kanë këtë bindje dhe veprojnë sipas saj. Edhe sikur latinët ta pranonin këtë në teori, natyra e tyre e trazuar vështirë se do t’i përshtaste veprimet me një mënyrë të tillë të menduari.
Qeveritë veprojnë si popujt. Në Itali, para vitit 1859, studimi ishte pothuajse i pamundur. Bibliotekarët i ruanin librat si eunukët një harem.[7] A i përdornin vetë librat që u ishin besuar? Nuk e di. Sido që të jetë, ata refuzonin me kokëfortësi t’i jepnin hua, madje edhe kur dikush u ofronte si garanci disa herë vlerën e librit. Shkoni në Zvicrën gjermane dhe do të keni sa libra të doni. Bibliotekarët atje janë aq të gatshëm, sa jam e lumtur që më jepet rasti t’u bëj nderim. Disa prej tyre, për shembull doktor Kurz, drejtuesi i bibliotekës së kantonit në Aarau, zënë një vend të shquar në letërsinë gjermane, dhe pothuajse të gjithë marrin pjesë aktive në lëvizjen letrare. E megjithatë i gjen gjithmonë gati t’i lënë punët e tyre për t’i dhënë çdo qytetari, ç’po them, edhe udhëtarit më të thjeshtë, informacionet dhe librat që i duhen. E njëjta gjë ndodh, sidoqoftë, edhe në Zvicrën frëngjishtfolëse dhe në Zvicrën italishtfolëse: bibliotekarët e Lozanës dhe të Luganos meritojnë po ato lëvdata si bibliotekarët e Bernës dhe të Aarau-t. Por klubet u ofrojnë burrave aq shumë mundësi, saqë zakonisht u mjaftojnë atyre që janë kalimthi. Me një kartë prezantimi, që pronarët e hoteleve e sigurojnë për të huajt, ata mund të shkojnë e të lexojnë falas për një muaj në shoqërinë Museum të Cyrihut. Në klubin e Bazelit mjafton të të paraqesë një anëtar. Në këto institucione të rëndësishme gjen revistat dhe gazetat kryesore të Evropës, veprat e reja, me një fjalë, të gjitha ato mjete pa të cilat njerëzit e kulturuar e kanë aq të vështirë të rrinë, qoftë edhe në udhëtim. Nuk po flas për sallat e leximit, ku mund të marrësh me qira jo vetëm romane, por libra të çdo lloji.
Në Gjermani, cila amvise nuk është e abonuar në sallën e leximit më të afërt, dhe cili qytet nuk i jep mundësi ta kultivojë mendjen? Një organizim i tillë do të dukej si mrekulli në Itali. Atje vetëm i ndjeri J. P. Vieusseux, që u ka bërë aq shërbime njerëzve të letrave italianë, arriti të mbante në këmbë një sallë leximi, një gabinetto letterario, që të kujton “shoqëritë e leximit” të Bernës dhe të Gjenevës. E dyta prej tyre, ndonëse në vend latin, është nga më të pasurat në Zvicër. Prandaj dëshira për të lexuar është po aq pak e përhapur te italianet sa është e përgjithshme te gratë gjermane. Francezet, ndonëse jo aq të paditura sa gratë e vendit të Dantes dhe të Alfierit (donne), e çmojnë pak arsimin. Është e vërtetë se në vendet që dikur ishin pjesë e Perandorisë Romake të Perëndimit, absolutizmi politik dhe fetar, censura, Indeksi i librave të ndaluar, Inkuizicioni etj. kanë bërë gjithçka që është njerëzisht e mundur për t’i zhytur në një padituri të pashërueshme brezat që u detyruan të hiqnin zgjedhën e tyre. Pothuajse kudo, fryma e Rilindjes, që premtonte t’i jepte jetë të re Jugut të Perëndimit, u mbyt me dhunë ose me dinakëri. E ringjallur me revolucionin e vitit 1789, ajo pengohet ende sot në vrullin e saj bujar nga qëndresa e egër e përfaqësuesve të Mesjetës.
Dija që është përhapur në vendet gjermanike i ka bërë deri tani më shumë dëm absolutizmit se aristokracisë. Gjermania, edhe me kushtetutë, i ka mbetur besnike frymës feudale. Askund parimi aristokratik nuk ka shkëlqyer aq sa në Angli, dhe nuk duket se Britania e Madhe është në prag të një revolucioni demokratik. Prandaj z. Mishle dhe z. Prudon, që i gjejnë francezet “aristokrate”, ndoshta nuk do të ishin më të kënaqur me gjermanet dhe me anglezet; por as burrat nuk janë aspak ndryshe nga gratë. Megjithatë, kur gjermanikët vendosin të ecin përpara, është pothuajse e pamundur t’i kthesh prapa, dhe te ta një 1789 nuk do të përfundonte me një terror të bardhë.[8] Shtetet e Bashkuara dhe kantonet gjermane të Zvicrës i kanë përshtatur me vendosmëri institucionet e tyre shoqërore me formën republikane. Më kot janë përpjekur plantatorët, në shtetet e Jugut, të krijonin një aristokraci të vërtetë, të shërbyer nga skllevër. Një republikane zemërmadhe, zonja Beecher-Stowe,[9] i ka dhënë “institucionit të veçantë”, domethënë skllavërisë, goditje të tmerrshme, nga të cilat ai nuk do të ngrihet më. Edhe në vendet gjermanike të Evropës sonë ideja demokratike do të fitojë në fund. Njerëzit mund të pikëllohen ose të gëzohen për këtë, por e ardhmja i përket qartësisht demokracisë. Dhe shtetet që mësuan nga Luteri dhe Melanktoni cilat janë të drejtat e shqyrtimit të lirë[10] nuk do të jenë, me siguri, mbrojtësit e fundit të së shkuarës.
Legjitimistët ishin përkrahësit e degës së vjetër të Burbonëve, të rrëzuar nga froni i Francës në vitin 1830. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Mesalina, gruaja e perandorit romak Klaudi (shek. I), emri i së cilës është bërë simbol i shthurjes. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Regjenca (1715–1723), vitet kur Franca sundohej nga Filipi i Orleanit në emër të Luigjit XV të mitur, u bë e famshme për shthurjen e oborrit. Parc-aux-Cerfs ishte shtëpia në Versajë ku Luigji XV mbante vajzat e reja që i sillnin për dashnore. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Heroi i Henri Monnier-së është Joseph Prudhomme, borgjezi fodull i mbushur me fjalë të mëdha e të zbrazëta. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Historianët francezë të kohës, pas Amédée Thierry-së, i ndanin galët në dy degë: galët (Galls) dhe kimrët (Kymris). — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në gjuhët sllave gjermanët quhen Nemci (rus. nemcy), fjalë që lidhet me nem, “memec”: ata që nuk dinë të flasin gjuhën e vendit. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Autori i Vesprave siciliane, sot ministër i Arsimit Publik (prill 1864), po bën shumë përpjekje për të vendosur një regjim më liberal. [Bëhet fjalë për historianin Michele Amari (1806–1889), ministër i Arsimit të Italisë në vitet 1862–1864. — Shënim i përkthyesit.] ↩︎
Pas rënies së Napoleonit, në vitin 1815, mbretërorët francezë u hakmorën me dhunë kundër ish-revolucionarëve dhe bonapartistëve; kjo valë hakmarrjeje u quajt “Terrori i bardhë”. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Harriet Beecher Stowe (1811–1896), shkrimtare amerikane, autore e romanit kundër skllavërisë Kasollja e xha Tomit (1852). Në Jug skllavëria quhej zakonisht “institucioni i veçantë” (the peculiar institution). — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Parimi protestant sipas të cilit çdo besimtar ka të drejtë ta lexojë dhe ta gjykojë vetë Biblën, pa iu nënshtruar autoritetit të Kishës. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Dora d'Istria