Çfarë trajton kjo letër
Gjermanikët dhe keltët e Britanisë së Madhe. — Mbretëreshat. — Ana Bolejn, ose Reforma. — Maria e Përgjakshme, ose reaksioni katolik. — Elizabeta, ose triumfi i Reformës. — Zonjusha A. Strickland, historiania e mbretëreshave të Anglisë dhe të Skocisë. — Maria II, ose triumfi i regjimit kushtetues. — Ana, ose lufta kundër absolutizmit të Luigjit XIV. — Gjendja civile e grave anglosaksone në të dyja botët. — Shkrimtaret angleze. — Kolonia e Firences. — Udhëtimet, poezia dhe shkenca. — Zonjat Trollope, Browning dhe Sommerville. — Bashkëkohëset e zonjës Trollope. — Ledi Morgan, zonja Anna Jameson dhe zonja Catherine Gore. — Zonjusha Martineau dhe racionalizmi anglez. — Zonja Ellis dhe kuakerët. — Piktoret e jetës angleze. — Ledi Lytton-Bulwer, zonja Gaskell, Charlotte Brontë etj. — Vajzat e reja në Angli dhe në kontinent. — Shkrimtaret e Shteteve të Bashkuara. — Zonja Beecher-Stowe. — Profesionet e grave angleze. — Fshatarët e Britanisë së Madhe.
Bota gjermanike u shtri drejt Perëndimit duke u marrë kombeve kelte toka të rëndësishme. Pasi kaluan Rinin, gjermanikët zunë një pjesë të Zvicrës. Dy ishujt që sot quhen Britania e Madhe e ruajtën emrin e britëve të lashtë, te të cilët është e pamundur të mos shohësh vëllezërit e galëve. Por keltët, të detyruar të tërhiqeshin para gjermanikëve, mbajtën “malësitë” e Skocisë dhe Irlandën, që poetët e tyre e quajnë “një smerald i ngulitur në mes të deteve”.
Kombi anglez, përzierje elementesh kelte dhe gjermanike, i ruan tiparet e kësaj prejardhjeje të dyfishtë.
Gruaja gjermane e ka parapëlqyer gjithmonë qetësinë e vatrës familjare, ndërsa gruaja angleze ka treguar më shumë se një herë, në një skenë më të gjerë, një gjallëri vërtet galike. Dashuria e Henrikut VIII për Ana Bolejnin e shtyu Tjudorin e vrullshëm të prishej me oborrin e Romës. Por mbreti ishte i ndarë midis simpatisë për idetë absolutiste dhe mërisë kundër papatit. Prandaj, siç thotë shumë drejt një nga historianët e Reformës, z. Merle d’Aubigné, ai “duhet quajtur më shumë xhelati i Reformës sesa themeluesi i saj në Angli”. Lëkundjet e Henrikut u jepnin shpresë katolikëve. Kështu, pas mbretërimit mjaft të shkurtër të Eduardit VI, ata u përpoqën ta merrnin sërish në dorë drejtimin e punëve. Xhejn Grei, e ditur dhe e hijshme, mbesa e Henrikut, e cila mishëronte idenë protestante, e pagoi me jetë besnikërinë ndaj Reformës. Kur shqyrtova letrat e saj në Cyrih, vura re se në të gjitha vendet protestante ruhet një kujtim i dashur për këtë mbretëreshë të një dite. Ajo i frymëzoi Jangut një poemë, zonjës de Stal, z. Brifaut dhe z. Soumet nga një tragjedi, kurse Ezhen Delakruait i dha idenë për një nga pikturat e tij më të mira.
Katolicizmi triumfoi me Marinë e Përgjakshme,[1] bijën e Henrikut dhe të spanjolles Katerinë. Kjo sovrane ishte e shkolluar dhe e vendosur, por fanatike dhe kokëfortë. Duke u martuar me të birin e Karlit V (Filipin II), ajo vinte në rrezik pavarësinë politike të vendit të saj dhe, njëkohësisht, ua dorëzonte inkuizitorëve liritë fetare të vendit. Por hasi kaq shumë qëndresë, saqë u detyrua ta mbulonte Anglinë me turra druri ku digjeshin njerëz dhe me skela ekzekutimi.
Hakmarrja e vendit ndaj komploteve të Romës dhe të Spanjës i ishte lënë një angleze të vërtetë, bijës së Henrikut dhe të Ana Bolejnit. Nga mbretërimi i Elizabetës së Madhe nis mbarësia gjithnjë në rritje e Anglisë. Dhe nëse dinastia e Habsburgëve u detyrua të hiqte dorë nga plani për ta vënë Evropën nën skeptrin e Spanjës dhe nën zgjedhën e papatit, kjo i detyrohet kësaj mbretëreshe të ditur dhe energjike, të zonjës të vinte në jetë planet më të mëdha, kujtimin e së cilës anglezët e ruajnë si diçka të çmuar. Kombi i fuqishëm që sot i bindet Viktorisë I, sovranes më liberale të botës së krishterë, kombi që vendin e tij të shquar në botë ua detyron mbretërimeve të lavdishme të Elizabetës, të Anës dhe të Viktorisë, nuk mund t’i mohojë shërbimet që i ka bërë gjinia jonë.
Ishte e natyrshme që historinë e mbretëreshave që i dhanë lavdi vendit të saj ta tregonte një grua që, nga ana e nënës, lidhet me gjakun mbretëror të Plantagenetëve. E përgatitur për punë të mëdha nga një edukim i fortë, që i bashkonte shkencat me studimet historike e arkeologjike dhe me gjuhët e lashta, zonjusha Agnes Strickland nisi të shkruante jetën e mbretëreshave të Anglisë, nga pushtimi normand deri te Viktoria I (Jetët e mbretëreshave të Anglisë,[2] 1840–1851, 8 vëll., in-8°). Në këtë vepër punoi edhe një nga motrat e saj, zonjusha Elisabeth. Libri pati një sukses të jashtëzakonshëm: secili nga vëllimet e tij u ribotua disa herë para se vepra të mbaronte. E nxitur nga ky sukses, poetja që kishte kënduar Fushën e betejës së Uorçesterit, autorja e Skenave historike, botoi nga viti 1852 deri më 1856 biografinë e mbretëreshave të Skocisë (Jetët e mbretëreshave të Skocisë,[3] 4 vëll., in-8°). Stili i kësaj bije fisnike të “kavalierëve”[4] nuk ka ndonjë shkëlqim të madh, por ka cilësi të qëndrueshme: në shkrimet e saj gjen një studim të ndërgjegjshëm të burimeve dhe një renditje të zgjuar të materialit. Në Mbretëreshat e Skocisë ra në sy sidomos studimi i saj për fatkeqen Maria Stjuart, e cila u përpoq t’i kundërvinte Elizabetës fitimtare hijeshinë e vet dhe fuqinë e Romës. Meqë vinte nga një familje që e kishte flijuar pasurinë për Stjuartët, zonjusha Strickland e ka studiuar historinë e Marisë, siç duket qartë, me kujdes të veçantë. Përmbledhja e saj e letrave të mbretëreshës së Skocisë (Letrat e Marisë, mbretëreshës së skocezëve,[5] 1845), me kaq shumë dokumente të pabotuara, hedh dritë të fortë mbi historinë e asaj kohe. Falë këtij botimi dhe atij të princit Labanov (1844), z. Mignet mundi të jepte për mbretëreshën Maria Stjuart një gjykim të paanshëm (1851), që nuk është tamam në favor të rivales së Elizabetës.
Bija e Henrikut VIII e çliroi Anglinë përfundimisht nga zgjedha e teokracisë, por vendi kishte ende për të bërë një fitore tjetër. Për fat të keq, pasardhësit e dobët të Elizabetës, Stjuartët, nuk e vazhduan aspak veprën e saj. Të dhënë pas teorive të së drejtës hyjnore të mbretërve, Jakobi I dhe Karli I donin të vendosnin pushtetin absolut, ndërsa Karli II këtyre prirjeve u shtonte një anim të qartë nga katolicizmi. Jakobi II, vëllai dhe pasardhësi i tij, pikërisht duke mohuar mësimet protestante, do ta siguronte fitoren e Reformës dhe të institucioneve liberale. Por, ndonëse Jakobi ishte i pabesë ndaj të gjitha traditave kombëtare, e bija, Maria, nuk ishte si ai. Kjo princeshë nuk ngurroi asnjë çast “t’i linte të vdekurit të varrosnin të vdekurit e tyre”[6] dhe të mbante anën e protestantizmit dhe të një rendi politik që u përgjigjej prirjeve të papërmbajtshme të Anglisë. Prandaj, ashtu si emri i Elizabetës është i pandashëm nga revolucioni i madh fetar i shekullit XVI, emri i Marisë II, bashkëshortes së denjë të Uilliamit III, do t’u kujtojë gjithmonë anglezëve revolucionin e paharrueshëm politik të vitit 1688. Po ashtu, emri i Anës u sjell ndër mend një luftë të lavdishme kundër mbretit të Francës, Luigjit XIV, mishërimit të despotizmit fetar dhe politik.
Historia e shekullit XVI na lejon që tani të vëmë re një ndryshim midis grave gjermane dhe atyre angleze. Katerina fon Bora dhe gratë e kohës së saj na shfaqen si bashkëshorte të qeta e të qëndrueshme, që e ndjekin me bindje lëvizjen e madhe të Reformës. Në Angli, gratë luajnë një rol shumë më aktiv. Ana Bolejn e tërheq pas vetes Henrikun VIII; Xhejn Grei vë kokën në rrezik; Elizabeta sfidon kamat e jezuitëve dhe Armadën e Pamposhtur; Maria Tjudor lufton me po aq zjarr kundër protestantizmit. Në vend që t’i nënshtrohen me bindje ndikimit të burrave, gratë zënë vendin e parë në të dy kampet. Nëse keni krahasuar ndonjëherë në një sallon fytyrën dhe qëndrimin e një angleze me qetësinë e patundur të një gjermaneje, do ta kuptoni këtë ndryshim rolesh.
Do të prisje që në një vend ku gratë kanë pasur kaq shumë ndikim, ligjet t’u kishin dhënë atyre një vend shumë të madh. Por kjo është larg së vërtetës. Autori i Historisë së gruas habitet që asnjë mbretëreshë “nuk pati vendosmërinë e mjaftueshme për të përfituar nga një gjendje e jashtëzakonshme dhe për të nxjerrë ligje që do ta përmirësonin gjendjen e përgjithshme të gjinisë së saj”. Ai shton se, “po të ishte gjetur qoftë edhe një e vetme, vepra e saj nuk do të ishte zhdukur dhe emri i saj do të ishte shkruar përjetë pranë bamirësve më të mëdhenj të njerëzimit”.
Meqë e drejta romake nuk është baza e ligjeve angleze, vajzat nuk përfitojnë nga përmirësimet që solli në të Justiniani. Pjesa më e madhe e tokës britanike është në duart e aristokracisë, dhe në familjet aristokrate pasuria e patundshme e të atit i kalon të tërë djalit të madh, sipas një rregulli që nuk lejon të ndahet. Vajzat, është e vërtetë, marrin pjesë në ndarjen e pasurisë së tundshme. Por ligji i jep babait të drejtë të bëjë me të si të dojë, dhe ky pushtet i pakufishëm i rrezikon të mbeten pa burimin e fundit të jetesës. Kjo e drejtë nuk u takon vetëm fisnikëve. Çdo borgjez që synon të bëhet themelues i një dere fisnike nuk e ka dorën të lidhur nga ligji, si në Francë: ai mund t’u marrë djemve dhe vajzave të tij gjithë pasurinë, për ta pasuruar fëmijën e madh. Ndryshe nga vendet latine, zakonet nuk i kundërshtojnë këto prirje, dhe imitatorët e zotit Zhurden[7] në Angli nuk i vë askush në lojë. Kështu, një vajzë e rritur në begati mund të gjendet papritur para sprovave më të rënda.
Martesa nuk ia përmirëson aspak gjendjen. Burri nuk bëhet vetëm kujdestari i saj ligjor, por edhe pronari i vetëm i gjithë pasurisë së saj. “Ajo nuk mund të ketë asgjë në pronësi, — më thoshte një zotëri i nderuar,[8] — as edhe fustanin që ka veshur.” Nëse bën borxhe, nuk mban më shumë përgjegjësi se një i mitur. Kjo gjendje ia bën të pamundur çdo zeje e çdo tregti. Ky është ligji, dhe ai zbatohet sa herë që nuk ka ndonjë marrëveshje martesore. Prandaj vajzat që kanë ndonjë pasuri rrallë martohen pa bërë një marrëveshje të tillë, e cila nuk duhet ngatërruar me aktin e martesës civile. Por kjo marrëveshje nuk ua mbron dot mirë interesat. Në të vërtetë, gruaja jo vetëm nuk mund ta administrojë vetë pasurinë që mbron marrëveshja, por është e detyruar t’ua lërë administrimin disa administratorëve të besuar[9] dhe të mbështetet krejt në ndershmërinë e tyre. Ata kanë pushtet ta përdorin e ta keqpërdorin atë pasuri, dhe nuk i lidh asgjë tjetër përveç ndjenjës së nderit. Pa dyshim, në Angli ka shumë njerëz të ndershëm; po pse t’i vërë ligji para tundimeve të rrezikshme? Sa të jetë gjallë gruaja, duhet të presësh grindje pa fund midis burrit të saj dhe administratorëve për mënyrën më të mirë të përdorimit të parave që këta kanë në dorë.
Një vajzë që do të arratisej nga shtëpia e prindërve, ose do të martohej pa pëlqimin e tyre, nuk do të kishte, sipas ligjit, të drejtë të bënte marrëveshje. Sidoqoftë, marrëveshja duhet nënshkruar para martesës, sepse, po të bëhet martesa pa këtë masë paraprake, gjithçka që ka gruaja bëhet pronë absolute e burrit.
Nga këto rregulla mund ta merrni me mend se nëna nuk ka asnjë autoritet ligjor mbi fëmijët. Në rast divorci, fëmijët i lihen asaj nëse nuk i kanë mbushur tetë vjeç dhe nëse ajo nuk ka dhënë prova se ka sjellje të shthurur. Nëse vërtetohej se babai bën jetë të shthurur, fëmijët do t’i liheshin nënës, e cila do të ushtronte mbi ta autoritetin atëror.
Para ligjit të reformës të vitit 1857, një grua e braktisur nga burri ishte krejt e pafuqishme për të mbrojtur interesat e veta. Veç kësaj, shfaqeshin gjithnjë e më shumë ato çrregullime që ndodhin në çdo vend ku martesa është e pazgjidhshme. Njerëzit trembeshin, për shembull, nga përhapja e bigamisë, që luan një rol kaq të madh në romanet angleze, sidomos në shkrimet e zonjushës Braddon. Anglia nuk pranonte as ndarjen e bashkëshortëve pa zgjidhur martesën, që njihet në vendet latine, as divorcin, që e pranojnë protestantët e kontinentit. Kështu, ajo gjendej përballë kundërshtimeve të të dyja Kishave që e ndajnë Perëndimin midis tyre.
Por anglezët më shumë se vdekjen e kanë frikë të duken sikur imitojnë vrullin francez.[10] Kur bëhet fjalë të prekin ligjet e vjetra, janë jashtëzakonisht të kujdesshëm. Për fat, në këtë rast nuk kishte nevojë të kundërshtoheshin parimet e ligjit, sepse divorci ishte pranuar në teori që nga koha e Reformës. Them “në teori”, sepse çdo kërkesë për divorc duhej paraqitur në Dhomën e Lordëve dhe kërkonte shpenzime të mëdha, kështu që në praktikë divorci ishte thuajse i pamundur. Kjo është aq e vërtetë, saqë para vitit 1857 njihet vetëm një rast divorci i dhënë me kërkesë të gruas.
Tani për këto çështje ka një gjykatë të posaçme, dhe mund t’i drejtohesh asaj pa bërë shpenzime të tepërta. U pranuan njëkohësisht edhe ndarja e bashkëshortëve, edhe divorci. Për ndarjen mund të vendosin gjykatat që gjykojnë me juri. Gruaja ka të drejtë të kërkojë ndarjen nëse burri e braktis, nëse e trajton me mizori, ose nëse kryen tradhti bashkëshortore me një grua me të cilën do të kishte të drejtë të martohej, po të ishte i lirë. Ligji i ri është aq në favor të gruas së braktisur, saqë gjyqtarët e policisë në kryeqytet dhe gjyqtarët e paqes në kontetë (krahinat) mund t’i japin të drejtën ta administrojë pasurinë e vet sikur të mos ishte e martuar. Dhe çdo vajzë e pamartuar, sapo mbush njëzet e një vjeç, ka të njëjtat të drejta si burrat.
Tradhtia bashkëshortore është i vetmi shkak që burri mund të ngrejë kundër gruas për të marrë divorcin. Gruaja mund të mbështetet te tradhtia bashkëshortore kur kjo shoqërohet me disa rrethana rënduese, si dhe në dy raste të tjera shumë të rralla. Por edhe vetë tradhtia, po të ishte kryer në rrethana që do të linin të kuptohej se bashkëshortët janë marrë vesh për divorcin, nuk do të ishte më shkak i mjaftueshëm për ta zgjidhur lidhjen martesore.
E veja nuk i rimerr të drejtat që humbi me martesën. Ajo nuk i merr mbrapsht pasuritë që ishin objekt i marrëveshjes. Administratorët i caktojnë një pjesë të të ardhurave për jetesën e saj, kurse pjesa tjetër u jepet fëmijëve. Marrëveshja duhet të përcaktojë nëse ajo mund ta rimarrë menjëherë gjithë pasurinë e vet, në rast se burri vdes pa lënë pasardhës. Sa për pjesën e pasurisë që nuk ishte përfshirë në marrëveshje, ajo i përket burrit aq plotësisht, saqë ai mund t’ia lërë me testament kujt të dojë.
Francezët, që janë shumë kundër padive për të vërtetuar atësinë e një fëmije, vazhdojnë të botojnë karikatura të tilla të ligjit anglez, saqë e shoh të nevojshme t’i vë faktet në vend.
Është e vërtetë se, sipas ligjeve të vjetra të famullive, çdo nënë e pamartuar që deklaronte se kishte mbetur shtatzënë nga një burrë besohej me fjalë. Babai i supozuar, po të mos parapëlqente të martohej me nënën, ishte i detyruar të paguante për ushqimin e fëmijës; nëse refuzonte, gjyqtarët kishin madje të drejtë ta burgosnin. Ky zakon kishte sjellë abuzime për të cilat është folur shumë në kontinent. Meqë instinkti i llogarisë është shumë i zhvilluar te popujt gjermanikë, nuk mungonin vajza të gatshme t’i jepeshin të parit që u dilte përpara, me shpresën se, në mungesë të martesës, do të siguronin një pagesë për mbajtjen e fëmijës. Më të paturpshmet bënin tregti edhe me të drejtën e denoncimit që u jepte ligji: u merrnin para të rinjve duke i kërcënuar se, po të mos u jepnin një shumë të caktuar, do t’i padisnin te gjyqtarët. Ligji i vitit 1835, ndonëse donte t’i pengonte këto abuzime, nuk u largua nga parimi i ligjeve gjermanike, që me mençuri e lejojnë padinë për vërtetimin e atësisë. Por ai vendosi që çdo fëmijë i lindur jashtë martese të mbetej në ngarkim të nënës deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç. Nëse ajo nuk kishte mundësi ta mbante, fëmija binte në ngarkim të famullisë, dhe atëherë kujdestarët e famullisë kishin të drejtë t’i kërkonin babait të supozuar të paguante për mbajtjen e tij. Në këtë rast dëshmia e vajzës nuk mjafton më: duhen dëshmi të tjera përveç saj dhe gjurmë pothuajse materiale për ta vërtetuar atësinë. Famullia ka ende të drejtë t’ia sekuestrojë babait të ardhurat ose rrogën si garanci për pagesën, por nuk mund ta burgosë më.
Ligji skocez ndryshon në më shumë se një pikë nga ligji që sundon në Anglinë e mirëfilltë. Në Angli, martesa civile, e vetmja e detyrueshme, që duhet të bëhet para asaj fetare, kryhet nga nëpunësi i gjendjes civile të rrethit, para dëshmitarëve. Kjo bëhet njëzet e një ditë pasi të fejuarit kanë regjistruar në zyrën e tij qëllimin për t’u martuar dhe nëpunësi u ka lëshuar dëshminë e kësaj deklarate. Për t’u shmangur këtyre formaliteteve, çiftet që për ndonjë arsye donin të martoheshin pa vonesë kalonin kufirin e Skocisë, ku për t’u martuar mjafton ta shpallësh vendimin para një dëshmitari. Meqë shtëpia e parë skoceze rastisi të ishte një farkë në Gretna-Green, farkëtari fitoi falë kësaj rastësie një klientelë të madhe dhe një famë që e ruan ende në romane. Por një akt i parlamentit (31 dhjetor 1856) kërkoi njëzet e një ditë qëndrim në Skoci që martesa e një anglezi, e lidhur sipas ligjit skocez, të ishte e vlefshme në Angli.
Në Irlandë sapo ka ndodhur diçka shumë më me peshë se të gjitha ngjarjet që mund të ketë parë kufiri i Skocisë. Gjykata e Bankës së Mbretëreshës, në Dublin, vendosi që gratë të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet bashkiake. Për këtë ngjarje njoftoi la Presse e Parisit (26 janar 1864). A nuk duket se ajo provon që në Irlandë u ka rënë në sy roli që u japin grave ligjet e reja të Perandorisë së Austrisë, dhe se atje duan të tregojnë që çdo nënshtetase e Madhërisë së Saj britanike është po aq e denjë sa austriaket për të marrë pjesë në jetën politike të vendit? Po t’i besojmë një redaktori të l’Opinion nationale, z. Édouard de Pompery, mbretëresha nuk do të ishte aspak kundër reformave të tilla. “Nuk është e fshehtë për askënd, — thoshte ai disa ditë para se të mësohej në kontinent vendimi i dhënë në Dublin, — se mbretëresha Viktoria ka ndjenja dhe ide që e kapërcejnë shumë horizontin e aristokracisë angleze. Botimet e fundit[11] që ka lejuar Madhëria e Saj hirplotë janë prova e kësaj.”
Anglosaksonët që janë vendosur në Shtetet e Bashkuara kanë ruajtur nga ligjet martesore të vendit mëmë, siç dëshmon vepra e gjykatësit Bishop, gjithçka që përputhej me institucionet demokratike. Tek ata gruaja mbetet e mitur: nuk mund të bëjë testament dhe as ta mbajë pasurinë e vet, veç nëse e rezervon me anë të një marrëveshjeje. Por, meqë e drejta e të parëlindurit nuk ekziston, ajo trashëgon njësoj si vëllezërit. Prindërit kanë, është e vërtetë, të drejtë t’i favorizojnë disa nga fëmijët në dëm të të tjerëve, por zakonet e shohin me neveri këtë praktikë.
Divorci pranohet si në Angli, por është shumë më i lehtë. Çdo shtet i federatës amerikane ka ligjet e veta për këtë çështje (përveç Karolinës së Jugut, që e quan martesën të pazgjidhshme). Prandaj po ju dërgoj thjesht te vepra e z. Bishop, Martesë apo divorc,[12] dhe po shtoj vetëm këtë: kur bashkëshortët duan të ndahen dhe ligji i shtetit të tyre nuk ua lejon, u mjafton të kalojnë në një shtet tjetër, ku rasti i tyre pranohet si shkak divorci. Me të drejtë, në disa shtete, si edhe në disa kantone të Zvicrës, pirja e tepërt e pijeve të forta dhe dehja e përhershme janë ndër shkaqet e divorcit: gruaja, pa dyshim, ka pasur ndër mend të martohet me një burrë, jo me një kafshë.
Sa i përket ndarjes ligjore, domethënë ndarjes së bashkëshortëve pa e zgjidhur martesën, disa shtete e pranojnë, por amerikanët në përgjithësi e shohin si të pamoralshme. Vetëm ky gjykim mjafton për të kuptuar sa të thella janë dallimet midis mendimeve të kombeve katolike dhe atyre të kombeve protestante.
Në Evropë është folur shumë e me zjarr kundër abuzimit me divorcin në Shtetet e Bashkuara. Pa hyrë në thelb të çështjes, mjafton të vëmë re se, në rastet për të cilat është folur më shumë, divorcin zakonisht e kanë kërkuar gratë, për arsye që, sipas gjykatave, nuk u bënin shumë nder burrave të tyre. Nuk mendoj si Aleksis de Tokvili, mbrojtësi i famshëm i demokracisë amerikane, se “rregullsia e madhe e zakoneve amerikane” bie shumë në sy krahasuar me zakonet angleze. Vetëm vë re se ai e sheh shkakun e përparimit të republikës, që nga Lufta e Pavarësisë, “te arsyeja burrërore dhe te energjia krejt mashkullore” e amerikaneve. “Po të më pyesnin, — thotë ai, — kujt mendoj se i detyrohet kryesisht mbarësia e rrallë dhe forca gjithnjë në rritje e këtij populli, do të përgjigjesha se u detyrohet epërsisë së grave të tij.”[13] Mund të shtojmë se, sikur republika e madhe t’i kishte ndjekur këshillat patriotike të zonjës Beecher-Stowe, sot nuk do t’u jepte armiqve të institucioneve republikane pamjen që i gëzon më shumë se çdo gjë tjetër.[14]
Anglo-saksonja e Shteteve të Bashkuara e di mirë sa i shërben vendit të saj, prandaj pajtohet më pak se motra e saj në Angli me zgjedhën e një legjislacioni që bie ndesh me parimin e barazisë, themelin e republikës amerikane. Në përgjithësi, vajzat marrin një arsim më të kujdesshëm se djemtë, që nxitojnë të hyjnë në tregti; ndaj nuk është e rrallë të shohësh vajza të reja që mësojnë latinisht, matematikë dhe fizikë. Të rritura kështu, dhe në një vend demokratik, ato kanë kërkuar më shumë se një herë barazi në të drejtat civile. Disa prej tyre, të zemëruara që kërkesat e tyre patën kaq pak sukses, e kthyen zellin gjetiu. Kjo lëvizje nuk mbeti pa fryt. Tani në Shtetet e Bashkuara pranohet se gruaja mund ta ushtrojë me dobi mjekësinë, dhe për ne gratë janë hapur dy shkolla, në Boston dhe në Filadelfia. Veç kësaj, shkollat e mjekësisë në Cincinnati dhe në Syracuse kanë pranuar edhe studente. Kështu, një numër grash kanë marrë diplomat dhe e ushtrojnë artin e shërimit.
E dini se bota e lashtë greko-romake ua lejonte grave nderin të ishin priftëresha. Krishterimi, që mburret se ka bërë aq shumë për to, i urdhëron “të heshtin” në kishë. Ky urdhër, që në fakt nuk vjen nga Jezu Krishti, por nga Shën Pali, mbrojtësi i beqarisë, nuk i ka penguar disa bashkësi presbiteriane të Shteteve të Bashkuara, që i përkasin një sekti të njohur për rreptësinë e vet, t’ua besojnë grave detyrën e pastorit. Që atëherë numri i grave që shërbejnë si pastore e predikuese është rritur mjaft, kështu që duhet menduar se edhe kisha të tjera kanë ndjekur shembullin e presbiterianëve.
Ka edhe një shkak tjetër që i forcon kërkesat e anglo-saksoneve: numri i madh i shkrimtareve të shquara që kanë dalë prej tyre.
Pa dyshim, arsimi në Angli është shumë më pak i përhapur se në Shtetet e Bashkuara, sepse në arsimin fillor Anglia është më e prapambetura ndër kombet ku mbizotëron elementi gjermanik. Megjithë këtë gjendje jo të kënaqshme të arsimit, Britania e Madhe është një nga vendet më të pasura me gra shkrimtare. Shkrimtarja (authoress) është, mund të thuhet, pjesë thelbësore e jetës britanike të sotme. Pasi u qëndroi me guxim thumbave kundër “çorapeve blu”, siç i quanin me tallje gratë e shkolluara, ajo zë tani një vend të shquar në poezi, në shkencë dhe në roman.
Kur qëndrova për herë të parë në Firence, aty ndodheshin njëkohësisht tri angleze, të famshme secila për arsye të ndryshme; dy prej tyre ishin afër fundit të jetës. Zonja Trollope dhe zonja Browning nuk rrojnë më, kurse zonja Somerville vazhdon të merret me shkencat fizike me një aftësi vërtet të jashtëzakonshme. E pashë zonjën Trollope (Frances Milton) në moshë shumë të shtyrë, të rrethuar nga kujdesi i dashur i familjes së saj të shkëlqyer: i të birit, z. Adolphe Trollope, autor i librit Rinia e Katerina de Mediçit, dhe i nuses së djalit, zonjës Théodosie Trollope, e njohur mirë në shtypin anglez, të cilën italianët e numërojnë ndër mbrojtëset më të zellshme të kombit të tyre. Veprat e zonjës Trollope, të radhitura në bibliotekën e vilës së saj të vogël, përbënin një koleksion të vërtetë; e megjithatë ajo ishte dyzet vjeçe kur botoi librin e parë. Shkrimet e saj të shumta ndahen në dy grupe: romanet dhe librat e udhëtimeve. Këta të fundit e ndihmuan shumë famën e saj, por i sollën edhe mërinë e popujve që mendonin se ajo i kishte gjykuar tepër ashpër. Megjithatë, duhej mbajtur parasysh se kombet gjermanike priren ta mendojnë veten më lart se të tjerët. Për më tepër, në kohën kur shkruante ajo, besohej lehtë se patriotizmi të detyronte të ishe shumë i rreptë me vendet e tjera. Harrohej tepër shpesh se çdo shkrimtar duhet të kujtojë se, para së gjithash, është “qytetar i njerëzimit”, për të përdorur shprehjen e bukur të gjermanit Clootz.[15] Edhe francezët — vepra si Greqia e sotme e z. About e dëshmojnë mjaft — ndonëse kanë një natyrë të dashur, nuk ishin aspak të lirë nga e meta që u qortohet turistëve anglezë. Do të shtoja se disa gjykime të zonjës Trollope, që atëherë dukeshin të papranueshme, sot do të dukeshin më pak të nxituara. Është krejt e sigurt se Shtetet e Bashkuara, ku gruaja ka mbetur e mitur para ligjit dhe zezaku skllav, nuk e meritonin gjithë entuziazmin që i ngjallnin Tokvilit. Sot Tokvilin e akuzojnë për optimizëm. Edhe mua, si këtij publicisti të shquar, më kanë qortuar se i gjykoj gjërat me tepër mirëkuptim. Midis sistemit të zonjës Trollope dhe timit do të jetë gjithmonë e vështirë të mbash mesin. Ata që, si autorja e Zakoneve shtëpiake të amerikanëve, kanë gjithmonë para syve një popull ideal, ose që e mendojnë si të tillë, mbeten mjaft të pakënaqur nga ajo që vëzhgojnë. Ata që, si unë, janë marrë shumë me historinë e njerëzimit, që kujtojnë si pikënisjen e tij të përulur, ashtu edhe skenat mizore që ka parë çdo vend deri në shekullin tonë, ndoshta priren tepër të jenë zemërbutë me bashkëkohësit tanë dhe të besojnë se njerëzit nuk do të bien më në marrëzitë dhe në tmerret e së kaluarës.
Zonja Browning (Élisabeth Barrett) nuk shkroi aq shumë sa zonja Trollope, zonja Gore apo zonja Jameson, por, përveç një imagjinate poetike, kishte një njohje të greqishtes së vjetër shumë të rrallë te gratë e kohës sonë. Përkthimi i saj në vargje i Prometeut dëshmon dijet e saj filologjike dhe shijen e saj të sigurt. Sepse pak vepra e meritojnë më shumë vëmendjen e thellë të poetëve dhe të mendimtarëve se tragjedia e Eskilit, gjeninë krijuese të të cilit Shekspiri e kujton, pa e arritur kurrë artin e tij vërtet grek. Midis Adamit që ha frytet e pemës së dijes dhe Titanit që vjedh zjarrin e qiellit ka ngjashmëri, dhe duket se pikërisht këto e shtynë autoren e Poezive të ndryshme të trajtonte sërish një temë që Miltoni e kishte trajtuar me aq sukses. Drama e mërgimit e saj nuk u pa e padenjë për t’u lexuar edhe pas Parajsës së humbur. Zonja Browning, që për shkak të shëndetit ishte e detyruar ta kalonte një pjesë të jetës në Firence, ku edhe do të vdiste, kishte shpirt tepër bujar për të mos u prekur nga fatkeqësitë e Italisë së gjorë. Tabloja e shquar që botoi në vitin 1851 për gjendjen politike të Gadishullit përshkruante vuajtje që ishin gati të mbaronin… Ah, po harroja Romën dhe Venecian![16]
Zonja Somerville (Marie Fairfax), ashtu si zonja Browning, e studioi me kujdes greqishten e vjetër, pa lënë pas dore as latinishten, as artet e bukura. Por, në vend që të garonte me zonjën Dacier në fushën e erudicionit, ajo parapëlqeu të ishte për Anglinë ajo që ka qenë Sophie Germain për Francën. Ç’do të thoshin Nikola Boaloi, zotëria i Despréaux-it, dhe Molieri i pavdekshëm, sikur ta dinin se pasardhësit e Krizalit të mirë nuk turpërohen ta quajnë zonjën Somerville “matematikane dhe astronome e famshme”?[17] Autorja e Mekanizmit të qiejve, e Lidhjes së shkencave fizike dhe e Gjeografisë fizike, me thellësinë dhe larminë e dijeve të saj shkencore, a nuk është provë e qartë se “qenia më e ulët” ka filluar të garojë me “zotin” e saj — master, për të përdorur shprehjen e lady Morgan — në një fushë që mendohej e paarritshme për gjininë tonë?
Nëse në një koloni të vogël angleze në Firence gjeta disa gra me kaq vlerë, nuk do ta keni të vështirë të besoni se Anglia është një nga vendet e Evropës ku gratë merren me letërsi me më shumë sukses.
Brezit që, si zonja Trollope (e lindur më 1791), erdhi në jetë në fund të shekullit të kaluar, i përkasin edhe lady Morgan (1783), zonja Anna Jameson (1797) dhe zonja Catherine Gore (1799). Të katra kanë vdekur këto vitet e fundit, pasi patën ushtruar secila një ndikim më të gjerë ose më të ngushtë.
Lady Morgan dhe zonja Jameson ishin nga Irlanda. Edhe poetja zonjusha Frances Brown ka lindur në Irlandë (1818). Te lady Morgan (Sidney Overson) gjen njëkohësisht udhëtaren, romancieren dhe historianen. Por, në të gjitha këto shfaqje të mendimit të saj, autorja e Harpës së Erinit dhe e Irlandezes së re nuk harron kurrë se rrjedh nga fisi Mac Owen, dhe nuk e heq kurrë nga mendja synimin për ta ngritur vendin e saj. Sa e admiron zonja Trollope Anglinë dhe anglezët, aq i do lady Morgan keltët dhe Erinin e gjelbër, siç e quajnë poetët Irlandën. Ajo nuk ka në mendje gjithë paragjykimet që gjen te një kelt i Bretanjës, z. Aurèle Kervigan (Anglia siç është, 1860); megjithatë, në romanet e saj i pëlqen të vërë përballë hollësinë dhe mirësjelljen e keltëve me rëndesën dhe heshtjen e anglo-saksonëve. Sado i saktë të jetë ky krahasim, ai na jep një rast të mirë për të njohur irlandezët dhe irlandezet. Një mbesë e zonjës de Stal, zonja d’Haussonville, e lindur princeshë de Broglie, ka treguar gjithashtu shumë zell për irlandezët në një roman me titull Robert Emmet. Lady Morgan, ndryshe nga z. Kervigan, nuk e bashkon dashurinë për vendlindjen, fort të kuptueshme, me mërinë fetare. Lordi Bajron nuk do ta kishte quajtur Italinë e saj (1821) një pamje fort të saktë të Gadishullit në atë kohë, sikur ajo ta kishte parë papizmin e autorit të Anglisë siç është si një doktrinë që u përgjigjet nevojave të shekullit tonë. Lady Morgan nuk u ngjante aspak atyre irlandezëve, kaq të shumtë në ditët tona, që flasin me zjarr për pavarësinë e ishullit të tyre, por do të donin që Italia të mbetej nën zgjedhën e teokracisë, aleate e Austrisë. As Galia e vjetër, e qeverisur nga i fundit i Burbonëve të degës së vjetër, nuk i dukej parajsë kësaj bije të racës kelte, dhe veprat që botoi në vitet 1827 dhe 1830 (Franca dhe Franca në vitin 1829) u dukën për më shumë se një kritik francez po aq larg shijes së mirë sa edhe së vërtetës. Ne lindorët nuk e kemi harruar se Karli X veproi denjësisht për frymën bujare të Francës kur urdhëroi ekspeditat e Moresë dhe të Algjerit,[18] që i dhanë një goditje të tmerrshme barbarisë myslimane. Por një shkrimtare e mësuar me liritë e Anglisë duhej të fliste me njëfarë acarimi për një vend që dukej gati të binte nën sundimin e bijve të Lojolës, domethënë të jezuitëve.
Si armike e absolutizmit fetar dhe e despotizmit politik, autorja e librit Gruaja dhe zoti i saj (Woman and her Master), në fund të jetës së saj prej shkrimtareje, sulmoi përfaqësuesin më të famshëm të teokracisë në Perëndim, në një shkrim plot zgjuarsi me titull Letër kardinalit Wiseman (1850).[19] Në pleqëri lady Morgan u verbua. Vdiq në vitin 1859, dhe shtypi anglez i lëvdoi njëzëri shkrimet dhe personin e saj. Ajo kishte nisur të botonte autobiografinë e saj, vazhdimin e së cilës duhet ta kërkojmë në librin e z. Fitzpatrick, Miqtë, armiqtë dhe aventurat e lady Morgan.[20]
Lady Morgan nuk e kishte çuar historinë e saj të gruas përtej rënies së Perandorisë Romake. Zonja Jameson (Anna Murphy), e cila merrej më pak me botën e lashtë se me shekujt e krishterë, i ka hedhur një dritë shumë të gjallë historisë së gjinisë sonë në një varg shkrimesh të çmuara. Jetët e mbretëreshave të famshme, Bukuroshet e oborrit të Karlit II, Heroinat e Shekspirit, Motrat e mëshirës, katolike dhe protestante tregojnë se autorja e kishte kuptuar sa e rëndësishme është bërë të tregohet në dritën e vet të vërtetë roli që kanë luajtur gratë në histori. Nga një mendim i ngjashëm lindën edhe Dashuritë e poetëve: në këtë vepër, zonja Jameson donte të tregonte ndikimin që kanë pasur gratë te shkrimtarët e mëdhenj. Kjo grua e shquar i trajton me aq zjarr çështjet që lidhen me gjendjen e gjinisë së saj, saqë një shkrimtar francez e akuzon se në librin Kujtime dhe sprova[21] “ka predikuar emancipimin e gruas”. “E emancipuar” apo jo, zonja Jameson, në shkrimet që sapo përmenda, e vërteton një fjalë të famshme të doktorit Hecquet, mjek francez i shekullit XVIII: “Vetëm gratë i njohin gratë.” Prandaj Allan Cuningham, në Skica të letërsisë moderne angleze, vëren se te Karakteret e grave te Shekspiri[22] — temë që më vonë e trajtoi edhe zonja Clarke — gjen, përveç hollësisë së zakonshme të zonjës Jameson, një njohje të përsosur të “të fshehtave të gjinisë së saj”.
Gjatë udhëtimeve të saj të gjata, zonja Jameson pati shumë raste të përdorte “vështrimin e saj të thellë, që depërton në të fshehtat e zemrës”, për të përdorur shprehjen e një prej biografëve të saj gjermanë. Skica dhe tregime udhëtimi, ku përfshihet ditari i saj i shkëlqyer Diary of Ennuyee (Ditari i një gruaje të mërzitur, një udhëtim në Itali, vepra e saj e parë), si edhe Skena nga jeta gjermane dhe Studime dhe shëtitje në Kanada, na e tregojnë atë në qytetet e dijes të Perëndimit dhe midis lëkurëkuqve të Amerikës së Veriut. Në Dresden e paraqitën te princesha Amalia e Saksonisë, komeditë e së cilës i përktheu në anglisht. Në Vajmar u miqësua me Gëten e madh dhe me nusen e djalit të tij, Otilien.
Vitet e fundit të jetës (vdiq në vitin 1860), zonja Jameson ua kushtoi punimeve për artin dhe për artistët, që francezët i quajnë “serioze”, por të cilave kritika gjermane, shumë më e vështirë për t’u kënaqur, u njeh vetëm “një rëndësi kalimtare në studimin e arteve”. Vepra e saj kryesore në këtë fushë, një lloj trilogjie kushtuar artit fetar, u pa si tërheqje e mjaftueshme nga ata që, disa vjet më parë, e kishin akuzuar për ide socialiste. Zonja Jameson, përveç dijeve të shumëllojshme, dinte edhe të fliste bukur në publik, dhe foli disa herë në mbledhje bamirësie. Vizatonte shumë mirë, dhe gravurat kryesore të librit Gratë e Shekspirit janë vetë të autores.
Zonja Gore (Catherine-Grace Francis), e lindur në vitin 1799, që në fillimet e saj nuk i shpëtoi së metës që u bëri aq dëm shkrimeve të saj. Romanin e parë, Theresa Marchmont, e shkroi brenda një jave. Suksesi që kishin në atë kohë improvizime të tilla i nxiste shkrimtarët që mendonin më shumë për bashkëkohësit se për brezat e ardhshëm. Shkrimtarët që i ngjajnë zonjës Gore i përkushtohen vetëm një gjinie që, ndonëse të jep një famë kalimtare, kërkon shumë pak dije. Ata grumbullojnë vëllim pas vëllimi — zonja Gore shkroi rreth pesëdhjetë romane — pa e vënë re se lexuesi lodhet t’i dëgjojë gjithmonë duke i kënduar Afërditës dhe Erosit. Kur je i ri, kur pasionet janë të gjalla dhe imagjinata e zjarrtë, tregimtari mund t’i shprehë bukur ndjenjat që i provon vërtet. Por publiku e di fare mirë nëse, me flokë të bardha, je në gjendje ta përsëritësh me pak hijeshi dhe me frymëzim të vërtetë poemën e të njëzetave!
Është e vërtetë se, për ta fshehur monotoninë e përmbajtjes, mund të kalosh nga romani historik te romani baritor, nga romani baritor te romani detar, e kështu me radhë. Zonja Gore, që kishte ndjenjën praktike të anglezeve, pas disa vitesh me një prodhim kaq të dendur, vuri re se, ndërsa katalogët tremujorë të librarëve njoftonin gjithnjë ndonjë roman me emrin e saj, tregimet historike po dilnin nga moda. Në një vend aristokratik, ku jeta e shtresës së lartë (high-life) zgjon interesin e të gjithëve dhe ku romani Pelham i sir Henry Bulwer ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm,[23] nuk është e vështirë t’i tërheqësh lexuesit duke u premtuar se do t’u zbulosh të fshehtat e një shoqërie që mbetet e paarritshme për turmën. Por talenti i zonjës Gore, kur kaloi në këtë fushë tjetër, nuk u rrit dukshëm, dhe pjelloria mbeti cilësia e saj kryesore. Megjithatë, në romanet e saj gjen ato aftësi që improvizatorëve nuk u mungojnë gjithmonë: gazin, dinakërinë dhe njëfarë njohjeje të botës.
Duket se ky prodhim romanesh pa fund nuk ia shteronte zonjës Gore gjithë energjinë, sepse ajo gjeti kohë të shkruante edhe disa drama e komedi dhe një poemë dramatike. Një vepër e këndshme, Libri i trëndafilave (the Book of rose, or rosen-fancier’s manuel), tregon se ajo do të kishte mundur të garonte me shkrimtaret më të shquara, sikur të kishte pranuar t’u kushtohej temave vërtet me interes dhe ta forconte intelektin me meditim e me studim. Duhet t’i njohim edhe një talent të vërtetë për muzikën. Disa melodi që kompozoi për poezitë e Bërnsit, për shembull “Dhe do të ecësh e veshur me mëndafsh”,[24] u bënë shpejt të njohura.
Zonja Gore u martua për herë të dytë me lord Thyrone (1853). Disa vjet para se të vdiste, në shkurt të vitit 1861, humbi dritën e syve.
Zonjushën Martineau nuk mund ta akuzosh, si zonjën Gore, se e shkriu jetën në punë pa rëndësi. Përkundrazi, pak shkrimtarë i kanë rrokur me aq vendosmëri çështjet që i shqetësojnë të gjithë mendimtarët e kohës sonë. Zonjusha Henriette Martineau vjen nga ajo racë energjike galësh protestantë që në shekullin XVII përbënin madhështinë e Francës, dhe që Luigji XIV, në marrëzinë e tij, i detyroi të linin vendlindjen.[25] Henriette lindi në fillim të shekullit (1802). Ishte e shurdhër dhe me shëndet të dobët. E veçuar nga jeta e jashtme për shkak të kësaj të mete, ajo iu kushtua aq herët studimeve serioze, saqë shkroi një libër që në moshën nëntëmbëdhjetë vjeç. Veprat e saj të para shprehin, siç është e natyrshme, besimet që kishte marrë nga familja, domethënë pikëpamjet e unitarianëve.[26]
Një shpërthim zemërimi të verbër i popullit të Mançesterit, që kishte thyer makinat, e shtyu autoren e re të përpiqej t’u përhapte shtresave të ulëta ide të shëndosha e praktike për ekonominë politike. Duke përdorur herë formën e romanit e herë atë të shpjegimit, ajo botoi një varg shkrimesh. Disa prej tyre, për shembull disa nga tregimet e saj dhe Shpjegime të ekonomisë politike (1832–1841, 8 vëllime in-8°), e bënë emrin e saj të njohur në gjithë Evropën.
Ajo nuk mendonte vetëm si ta ndriçonte popullin, për të cilin ka treguar gjithmonë një simpati të zjarrtë; kishte parasysh edhe përparimin intelektual të gjinisë së saj. “Prandaj, — thotë një nga biografët e saj, — ajo nuk u tërhoq para asnjë mundimi e asnjë lodhjeje për t’ua bërë të kapshme grave edhe ato shkenca që zakonisht u tërheqin më pak, si ekonominë politike dhe statistikën.” Në veprat e saj të shumta e shohim t’i kthejë vazhdimisht vëmendjen gjendjes së gjinisë sonë, të flasë për nevojën e përmirësimit të arsimit popullor, dhe mbi të gjitha të ngulë këmbë që gratë të marrin një arsim më pak të mangët. Mësuesja e fshatit, që mund të ndihmonte aq shumë në suksesin e kësaj pune, i dha idenë e romanit Deerbook (1839).
Një mendje kaq e gjallë nuk rrinte e mbyllur në ishullin e vet. Zonjusha Martineau deshi të shihte Tokën e Shenjtë, që në rini i kishte frymëzuar Traditat e Palestinës; Arabinë, ku lindi themeluesi i njërit prej sistemeve të mëdha fetare që e ndajnë botën mes tyre; Egjiptin, ku raca kushite themeloi e para një shtet të qytetëruar. Nga ky udhëtim doli Lindja e dikurshme dhe e sotme (1848). Më parë, ashtu si zonja Trollope dhe zonjusha Bremer, ajo i ishte dorëzuar asaj joshjeje që i shtyn shkrimtarët e botës së vjetër të shkojnë në Shtetet e Bashkuara për të studiuar zakonet e një shoqërie të madhe republikane. Atje e pritën me nderimet më të mëdha. Vëzhgimet e saj për shtetin kryesor të Amerikës së Veriut zonjusha Martineau i hodhi në dy libra: Shoqëria në Amerikë (1837) dhe Vështrim prapa mbi udhëtimet në Perëndim (1838).[27]
E vetmja vepër historike e saj, Historia e Anglisë gjatë paqes tridhjetëvjeçare, pati mjaft sukses për të treguar se ajo do t’ia kishte dalë mbanë edhe në këtë gjini të lartë, sikur shijet e saj të mos e kishin shtyrë drejt çështjesh shumë më delikate.
Latinët duket se autoren e Mademoiselle la Quintinie[28] e shohin si një shkrimtare “shumë të guximshme”. Ç’do të thoshin kritikët e Parisit apo të Torinos, po t’u shkrepte të studionin disa vepra të zonjushës Martineau, për shembull Letrat mbi gjendjen shoqërore dhe zhvillimin e njeriut? Kur përktheu Filozofinë pozitive të Ogyst Kontit, zonjusha Martineau rrezikonte stuhi shumë më të frikshme se sikur të kishte botuar një roman kundër partisë klerikale. Kujtojmë se para pak kohësh, pas një akuze të ashpër të imzot peshkopit të Orleanit, Akademia Franceze ia mbylli dyert dishepullit kryesor të Kontit.[29] Prandaj edhe vetë anglezët, ndonëse janë shumë më të prirur se latinët për lirinë e mendimit, nuk e panë pa “tmerr” njërin nga shkrimtarët e tyre më të njohur të futej në një rrugë që i kapërcen kaq guximshëm mësimet e unitarianëve. Britania e Madhe nuk është mësuar ende, si Gjermania, t’i diskutojë të gjitha teoritë filozofike pa anësi e pa zemërim, me një fjalë, me qetësinë e shkencës së vërtetë. Por zonjusha Martineau është aq e pavarur, sa mund t’i shprehë lirisht të gjitha idetë e veta. Më 1832 ajo refuzoi një pension që lord Grey i ofroi në emër të qeverisë, dhe më 1839 nuk i priti më mirë as ofertat që i bëri lord Melbourne. E megjithatë, më 1839 ishte aq e rraskapitur nga puna dhe nga sëmundja, saqë mjekët e mbanin për të humbur. Kësaj periudhe të jetës së saj i përket Jeta e një të sëmure (1844), që kritikët më të mirë gjermanë e quajnë një varg “skicash plot mendime të fuqishme dhe vërejtje psikologjike tërheqëse”.
Duhet shtuar se, edhe sikur të mos ishte kaq e pavarur, zonjusha Martineau do ta kishte pasur të vështirë t’i fshihte mendimet e veta. Ajo i trembet aq pak qortimit se është ekscentrike, saqë, në një vend ku origjinaliteti nuk shihet aspak me sy të keq, autorja e Letërkëmbimit me Atkinsonin i ka habitur bashkatdhetarët e vet më shumë se një herë. Zonjusha Martineau shëtit me ditë të tëra, madje me javë, nëpër male, me një trastë në shpinë, dhe në kopshtin e saj e përdor belin me një shkathtësi që rrallë e gjen te njerëzit që e përdorin penën aq mirë sa ajo. Veç kësaj, është një zonjë shtëpie e shkëlqyer, me karakter të hapur, dhe i pëlqen të merret me të varfrit e t’u japë këshilla vërtet si nënë. Stili i saj është si karakteri: i gjallë e plot vrull. Dhe dija e saj e thellë nuk ia ka hequr aspak tingullin poetik.
Kuakerët nuk kishin ide aq të përparuara sa unitarianët, e megjithatë e skandalizuan botën e krishterë kur filluan të mësonin se të gjitha ritet e shenjta të Kishës janë shpikje njerëzore dhe se Jezu Krishti nuk themeloi asnjë hierarki kishtare. Njerëzit u mësuan me mësimet e kësaj sekte kur e panë t’u jepte të tjerëve shembullin e ndershmërisë dhe të bamirësisë. E famshmja Elisabeth Fry, e lindur më 1780 dhe e vdekur më 1845, ia kushtoi jetën veprave bamirëse. Do t’i gjeni të renditura në një libër që botuan vajzat e saj, Kujtime nga jeta e Elisabeth Fry-së (Londër, 1847).[30] “Prirja mistike që u përzie në veprat e saj, — thotë z. Philarète Chasles, — nuk duhet të na pengojë t’i japim të drejtën kësaj jete vërtet të lartë, ku çdo ditë u shënua nga një vepër e mirë.” Zonja Ellis (Sarah Strickney) përfaqëson sot në Angli moralin e kuakerëve. Këtë moral ajo e ka shtjelluar në një varg veprash për bashkatdhetaret e saj: Vajzat e reja në Angli, Bashkëshortet në Angli, Nënat në Angli. Gratë në Angli (1838) kanë një interes të veçantë, sepse autorja përpiqet të tregojë ndikimin që u takon grave falë cilësive ose talenteve të tyre. Zonja Ellis, si zonjusha Martineau, ka lindur në fillim të shekullit (1800).
Nuk kam pretendim t’jua njoh të gjitha autoret[31] që kanë shkruar romane. Do të mjaftohem t’ju përmend emrat e atyre që do t’ju japin më shumë hollësi për jetën e anglezeve.
Lady Lytton-Bulwer deshi të përshkruante te Cheveley atë aristokraci angleze që Dikensi, Tekeri dhe nganjëherë edhe vetë burri i lady Lytton-Bulwer e kanë paraqitur në një pasqyrë jo fort lajkatare. Buxheti i familjes Bubble përmban skena satirike nga jeta borgjeze. Autorja e Vajzës së lordit, e romanit Bianca Capello, e Shkollës së burrave dhe e Kujtimeve të një moskoviti nuk u mjaftua të përshkruante jetën shoqërore të Anglisë. Lady Lytton-Bulwer nuk është aspak shkrimtare mistike: Miriam Sedley e dëshmon këtë.
Ndryshe qëndron puna me lady Fullerton (Georgina Leveson Gower). Autorja e Ellen Middleton dhe e Lady Bird përfaqëson një pjesë të aristokracisë angleze që është dhënë me pasion pas Kishës së Romës. Kjo pjesë e aristokracisë i çon në skaj prirjet e një romancieri konservator, i cili është edhe burrë shteti, z. Dizraeli, dhe e bën këtë nga urrejtja për demokracinë, që ecën fitimtare dhe që tani nuk e ndal dot më askush.
Zonja Gaskell nuk ëndërron, si e bija e kontit Granville, një rikthim të pamundur të Kishës dhe të feudalizmit të Mesjetës. Përkundrazi, i pëlqen të merret me shtresat e ulëta, gjendja e të cilave lë aq shumë për të dëshiruar në “Anglinë e gëzuar”.[32] Te Cranford ajo përshkruan jetën e fshatarëve dhe të fshatareve. Por, si në Angli ashtu edhe në kontinent, njerëzve u kanë bërë përshtypje sidomos hollësitë që japin Mary Barton dhe Veriu dhe Jugu për gjendjen dhe vuajtjet e punëtorëve dhe të grave të tyre, që ndajnë me ta një jetë të trishtë. Zonja Gaskell, që u martua me një pastor unitarian të Mançesterit, një nga qendrat e jetës industriale, ishte në vendin e duhur për t’i parë gjërat nga afër. Edhe zonjusha Jewsbury, e lindur në Mançester, i kushtoi një nga romanet e saj (Marianne Whiters) disa përshkrimeve interesante të klasës punëtore.
Sharlot Brontë (Currer Bell), motrat e së cilës, Emili dhe Ana, u morën edhe ato me letërsi, u mbyll me dëshirën e vet në një rreth përshtypjesh më vetjake. Bijë pastori, guvernante, më vonë grua e ndihmës-pastorit të Harworth-it (z. Nichols), autorja e Jane Eyre, një nga romanet më të mira që ka nxjerrë Anglia e sotme, u përpoq të shprehte, me pasionin e përmbajtur të një angleze e të një protestanteje, ndjenjat që kishte provuar në rrethanat nëpër të cilat kishte kaluar. Mund ta shohim si zëdhënësen e një shtrese grash angleze, jeta e të cilave, shpesh shumë e trazuar, zbulon gruan me karakter.
Zonja Bray, autore e një romani historik për mbretërimin e mbretëreshës Maria Tudor, i kushtoi një vepër letrare Sprovave të familjes, sprova që nuk ndodhin vetëm në Britaninë e Madhe. Zonjusha Braddon, nga ana e saj, u ka folur lexuesve të saj të shumtë sidomos për njërën nga plagët shoqërore të vendit të vet: bigaminë, një krim që e ka zanafillën në kohët kur martesa ishte e pazgjidhshme.
S’ka nevojë t’ju them se romancieret e gjinisë sonë nuk kufizohen te përshkrimi i jetës angleze. Zonjusha Pardoe ka shkruar njëherësh për Lindjen (Qyteti i sulltanit, Romani i haremit etj.) dhe për Perëndimin (Rrëfimet e një gruaje të bukur, Gruaja xheloze etj.). Zonjusha Kavanagh, para se të përshkruante jetën angleze te Grace Lee dhe Rachel Gray, ishte përpjekur, në romane dhe në skica plot mprehtësi, t’ua njihte bashkatdhetarëve Francën e Jugut dhe francezet e shekullit XVIII. Zonja Lee doli nga bota e qytetëruar: gjatë qëndrimit në Kepin e Shpresës së Mirë, ajo mblodhi lëndën për një përmbledhje interesante (Tregime të huaja), që synonte t’u tregonte anglezëve zakonet e fiseve të egra.
Tipari themelor i romaneve të shkruara nga anglezet, tipar që u bie në sy edhe vëzhguesve më pak të vëmendshëm, është mënyra si e shohin ato fatin e vajzës së re dhe marrëdhëniet e saj me shoqërinë. Vendet latine mendojnë, si Lindja, se vajza nuk duhet të largohet kurrë nga krahu i nënës dhe se çdo sistem tjetër do të ishte shumë i rrezikshëm. Anglosaksonët e Britanisë së Madhe dhe vëllezërit e tyre të Shteteve të Bashkuara besojnë, përkundrazi, se për gjininë tonë rinia është mosha e lirisë, dhe se jeta e ndenjur në shtëpi duhet të fillojë me martesën. Dallimet nuk mbarojnë me kaq. Vajzës angleze i lihet shumë liri në zgjedhjen e burrit — vetëm mendimi i një rrëmuje të tillë e tmerron z. Prudon — kurse amerikania e Veriut ka edhe më shumë pavarësi në një çështje kaq serioze. Në moshën dymbëdhjetë vjeç, asaj nuk i duhet as pëlqimi ligjor i familjes për t’u martuar. Këto zakone, kaq të ndryshme nga tonat, e kanë mahnitur autorin e Demokracisë në Amerikë.[33] Edhe z. Moke, profesor në universitetin e Gentit, në një vepër për “fatin e gruas” (Bruksel, 1860), është gati t’ia propozojë ato Belgjikës si model.
Gjithçka shpjegohet me ndryshimin e mjedisit dhe të zakoneve. Anglosaksonja e ka që herët mendjen e llogaritjes aq të zhvilluar, sa t’i shmanget “vrullit francez” dhe mendjelehtësisë italiane. Edhe në Amerikë, bisedat intime të flirtit nuk e bëjnë as vajzën më të gjallë të harrojë maturinë largpamëse të racës së saj. Veç kësaj, anglezët, dhe sidomos amerikanët, mbajnë ndaj grave një qëndrim krejt ndryshe nga ai i burrave të kontinentit tonë. Një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare mund ta përshkojë territorin e pafund të Shteteve të Bashkuara nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim pa dëgjuar asnjë fjalë e pa parë asnjë gjest që mund t’ia fyejë ndjenjën e turpit. Cilido qoftë mendimi ynë për këto dy sisteme, le të urojmë që kombet latine të përfitojnë nga shembulli i shkëlqyer që u japin këta popuj. Latinët i akuzojnë me kaq qejf për vrazhdësi, dhe u pëlqen të mendojnë se janë aq të zhytur në frymën tregtare, sa nuk i kujtojnë më traditat me të cilat krenohej kalorësia.
Meqë veprimtaria e ethshme e anglo-amerikanëve shfaqet më shumë në punët materiale se në letërsi, njeriu do të mendonte se gratë e Shteteve të Bashkuara janë edhe më të huaja për jetën letrare se anglezet. Por nuk është aspak kështu.
Ndër amerikanet që mbrojtën kundër bashkatdhetarëve të tyre të Jugut kauzën e madhe të barazisë së njerëzve dhe luftuan me vendosmëri skllavërinë, vendi i parë i takon pa dyshim zonjës Harriet Beecher-Stowe, autores së famshme të Kasolles së xha Tomit dhe të romanit Dred. Duhen përmendur edhe Lydia-Maria Child, “kundërshtare e fuqishme e skllavërisë”, motrat Sarah dhe Angelika Grimké nga Karolina e Jugut dhe zonjushat Weston nga Masaçusetsi.
Përmbledhja me titull Poetet femra të Amerikës, nga R. W. Griswold, përfshin jo më pak se shtatëdhjetë shkrimtare. Një përmbledhje tjetër, e botuar nga John J. Hart, Prozatoret e Amerikës, me portrete, shënime biografike dhe pjesë të zgjedhura nga shkrimet e tyre, tregon se anglo-amerikanet nuk ia kanë dalë më keq në prozë. Poetet më të vlerësuara janë zonjusha Julia Ward, zonja Hove dhe e ndjera kontesha Ossoli (e lindur Marguerite Fuller). Ndër prozatoret duhen përmendur zonjusha Catherine-Maria Sedwick, autore e Një romani të Anglisë së Re; zonjusha Cumming, autore e Ndezësit të fenerëve; zonja Kirkland (me pseudonimin Mary Clavers), autore e Jetës në pyje; zonjusha Suzanne Warner (me pseudonimin Élisabeth Wetherell), autore e romanit Bota, bota e gjerë; motra e saj, zonjusha Anna (me pseudonimin Amy Lothrop), autore e librit Dollarë dhe cente; zonjusha Anna C. Johnson, autore e Jetës së fshatarëve në Zvicër; dhe bashkëpunëtoret e Atlantic Monthly: A.-D. Whitney, Louisa-A. Alcott, P. Akers, Lucy Larcom, Harriet Prescott, Gail Hamilton.
Gratë e këtij vendi luajnë një rol shumë të madh në arsim. Shumë amerikanë janë krenarë që e kanë mësuar historinë e vendit të tyre nga Historia e Bashkimit, e shkruar nga Emma Willard, dhe jetën e bimëve nga Botanika e saj. Qytetarët e republikës së madhe e respektojnë aq shumë gjininë tonë, saqë z. Adolphe Kolatschek, autor i një vepre interesante për amerikanet (Pozita e grave në Amerikë, Vjenë, 1864),[34] pa në një qytet të Masaçusetsit një mësuese që u mësonte gjeometri dhe trigonometri djemve katërmbëdhjetëvjeçarë, të cilët silleshin si xhentëlmenë të vërtetë.
Në fushën e arteve duhen përmendur dy skulptore, zonjusha Lardner dhe Harriet Hosmer.
Amerikanet janë shquar shumë edhe në studimin e shkencave. Astronomja Maria Mitchell dhe zonja të tjera marrin pjesë në diskutimet më të thella të mbledhjeve të dijetarëve, krah burrave si z. Agassiz.
Këtë skicë të jetës së anglosaksoneve do ta mbyll me një tabelë kurioze që ma jep regjistrimi i fundit i popullsisë në Angli. Sipas këtij regjistrimi, më 1863 kishte gra në profesione që në kontinentin tonë i ushtrojnë pothuajse vetëm burrat:
| Profesioni | Numri |
|---|---|
| Bankiere | 10 |
| Agjente burse | 54 |
| Shtypshkronjëse | 419 |
| Përfaqësuese tregtare shëtitëse | 25 |
| Nëpunëse tregtie | 274 |
| Tregtare | 38 |
| Doktoresha në mjekësi | 12 |
| Nallbane | 29 |
| Stenografe | 6 |
| Kujdestare kishe | 3 |
| Mësuese të artit të të folurit | 4 |
| Dentiste | 17 |
| Rrjepëse kafshësh të ngordhura | 2 |
| Natyraliste | 4 |
| Astronome | 4 |
| Magjistare | 4 |
| Punëtore bujqësore | 43.964 |
Siç e shihni, shumë angleze punojnë në punët e fushës. Do të donim të besonim se ato bëjnë një jetë të lumtur, në një vend ku bujqësia nderohet me kaq të drejtë. Por nuk duket se është kështu. “Kam përshkuar shumë vende, — thoshte z. Cobden[35] në Rochdale, në nëntor të vitit 1863, — por pak kam parë ku gjendja e punëtorëve të tokës dhe e fshatarëve të jetë aq e mjerë sa në Anglinë e pasur. Në Francë toka është e copëtuar, e ndarë midis atyre që e punojnë. Po a njihni ju, në qarqet tona bujqësore, qoftë edhe një njeri që punon me bel a me parmendë dhe që mund të mburret se lëron një copë tokë të vetën?” Në përgjithësi, në këtë vend thellësisht aristokratik, gjendja e shtresave të ulëta është larg së qeni e mirë. “Klima e kësaj shoqërie, — thoshte më 1850 një ekonomist francez, Léon Faucher, — është krejt vdekjeprurëse për njerëzit e varfër.” Britania e Madhe, pra, ashtu si Franca, e ka kryer vetëm gjysmën e detyrës së vet. E para ka fituar lirinë fetare dhe politike, e dyta sot e gëzon barazinë. Por liria pa barazi nuk e shuan atë etje për drejtësi që ndodhet në thellësi të zemrës së njeriut modern. Dhe barazia pa liri është aq larg idealit të një shoqërie të krishterë, saqë më shumë se një herë kemi parë perandoritë aziatike t’i shkrijnë të gjitha shtresat në një skllavëri të vetme, e cila, ndonëse ishte e përbashkët për të gjithë, nuk bëhej aspak më e lavdishme.
Në origjinal anglisht, në kllapa: Bloody Mary. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal: The lives of the queens of England. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal: The lives of the queens of Scotland. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Kavalierët: ithtarët e mbretit Karli I në Luftën Civile Angleze (1642–1651). — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal: Letters of Mary, queen of Scots. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Fjalë e Jezusit në Ungjill (Mateu 8, 22). Këtu do të thotë se Maria e la pas të atin dhe të kaluarën. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Zoti Zhurden: personazhi kryesor i komedisë Borgjezi fisnik (1670) të Molierit, një tregtar i pasur që ëndërron të bëhet fisnik. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal anglisht: gentleman. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal anglisht: trustees, që autorja e shpjegon me frëngjisht fidéi-commissaires: persona të cilëve u besohet administrimi i një pasurie për llogari të dikujt tjetër. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal italisht: furia francese. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Bëhet fjalë për shkrime fetare të botuara nga Madhëria e Saj, shkrime në përputhje me mësimet liberale të Zschokke-s. ↩︎
Vepra e juristit amerikan Joel Prentiss Bishop, Commentaries on the Law of Marriage and Divorce (1852). — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Mbi demokracinë në Amerikë, IV, 104. ↩︎
Harriet Beecher-Stowe, autorja e romanit kundër skllavërisë Kasollja e xha Tomit (1852). Aluzioni është për Luftën Civile Amerikane (1861–1865), që po zhvillohej kur u shkrua ky libër. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Anacharsis Cloots (1755–1794), baron prusian që mori pjesë në Revolucionin Francez dhe e quante veten “oratori i njerëzimit”; vdiq në gijotinë. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Kur u botua libri (1865), Roma ishte ende nën sundimin e papës dhe Venecia nën Austrinë. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Krizali është personazh i komedisë së Molierit Gratë e dijshme (1672), një borgjez i thjeshtë që nuk i duron dot gratë e shtëpisë së vet, të dhëna pas filozofisë e pas astronomisë. Edhe Boaloi, në Satirën X, i përqeshi gratë e dijshme. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Ekspedita franceze në Peloponez (Morea) më 1828, që ndihmoi çlirimin e Greqisë, dhe pushtimi i Algjerit më 1830. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal anglisht: Letter to cardinal Wiseman. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal anglisht: The Friends, Foes and Aventures of lady Morgan. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal anglisht: Memoirs and Essays. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal anglisht: Characteristics of the female of Shakespeare. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Romani Pelham (1828) është në fakt i Edward Bulwer-Lytton, vëllait të sir Henry Bulwer. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal anglisht: And ye shall walk in silk attire. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Fjala është për hugenotët, protestantët francezë, që u larguan me dhjetëra mijë nga Franca pasi Luigji XIV shfuqizoi Ediktin e Nantes-it (1685). Familja Martineau kishte origjinë hugenote. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Unitarianët: protestantë që nuk e pranojnë Trinitetin dhe besojnë se Zoti është një person i vetëm. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Titujt në anglisht: Society in America dhe Retrospect of Western Travels. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Mademoiselle La Quintinie (1863): roman i Zhorzh Sandit kundër ndikimit të klerit katolik në familje. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Fjala është për Émile Littré-në, dishepullin e Ogyst Kontit. Më 1863 peshkopi i Orleanit, Félix Dupanloup, e sulmoi publikisht kandidaturën e tij, dhe Akademia Franceze nuk e zgjodhi; Littré u bë akademik vetëm më 1871. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Titulli në anglisht, siç është shtypur në origjinal: Memoirs of the life Elisabeth Fry. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal: authoresses, fjalë angleze për “autoret, shkrimtaret”. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Në origjinal jepet edhe shprehja angleze: merry England. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Aleksis dë Tokvil (Alexis de Tocqueville, 1805–1859), autor i veprës Demokracia në Amerikë (1835–1840). — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Titulli në gjermanisht: Die Stellung der Frauen in Amerika. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Richard Cobden (1804–1865), politikan liberal anglez, mbrojtës i tregtisë së lirë. — Shënim i përkthyesit. ↩︎
Dora d'Istria