Shumë prej nesh mbajnë mend rreshtat nga poezia Gjuha Shqype e Gjergj Fishtës:
Porsi kanga e zogut t’veres,
Qi vallzon n’blerim të Prillit;
Porsi i amli flladi i eres,
Qi lmon gjít e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtû â gjûha e jonë shqyptare.
Ajo që disa prej nesh mund të kenë harruar, është që kjo poezi, bashkë me shumë të tjera u publikuan për herë të pare në vitin 1913 në librin Mrizi i Zanave. Sot, i njëjti publikim është pjesë e Fletoreve.
Mrizi i Zanave manifeston një mori motivesh e ndjenjash: dashuria dhe adhurimi për atdheun (Shqypnija dhe gjuhën shqipe (Gjuha Shqype), reflektimi mbi gjendjen e Shqipërisë (Shqypnija e lirë), revolta ndaj padrejtesive të fuqive të medha të Europes dhe dëshpërimi (Çohi të dekun! dhe 29 Nanduer 1913).
Fishta është frat, poet, mesues, politikan, rilindas dhe përkthyes, por mbi të gjitha Fishta është mjështër i fjalës, duke lënë pas rreshta të paharrueshëm:
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’jetës të rrnoftë tý ndera.
– Shqypnija
Shka bâjn Shqyptarët?.. Hán fiq e kastraveca:
E pijn mastikë, e qesin petlla n’uej;
E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej
Palè a kan ksulen qyp a se kapelë,
A e ká uficiali kalin at a pelë.
– Çohi të dekun
Lamtumirë! ti shpija e t’Parvet,
Kû mâ s’parit m’agoi drita
E kû strehë u dhaçë shtektarvet
Miqt e babës edhe kû i prita.
Lamtumirë, carâni m’voter!
Lamtumirë, ju armët e shkreta!
Lamtumirë, ti nânë e motër!
Lamtumirë, per sá t’jét jeta! …
– I Dbuemi
Dixhitalizimi i Mrizit të Zanave është përshkruar më gjatë këtu. Jemi munduar t’i qendrojmë besnik publikimit të parë në gegnisht. Gjithsej, ky libër përmban 5633 rreshta ose 26354 fjalë. Faleminderit vullnetareve që ndihmuan me publikimin e Mrizit të Zanave tek Fletoret: u/Straight-Excuse dhe u/uanitasuanitatum.