Çohi të dekun!

(Surgite, mortui!)

Shqyptarë, a ndiet? Europa, mrrutë e ndŷt,
Shnjerzue me Evrej t’Parisit e t’Londonit,
(Së cilles dreqi i a plasi të dy sŷt
E marren mâ s’e shef), njitash n’e s’vonit
E bâni gjýgj qi t’nipat e Kastriotit
Shkjevet t’Balkanit urë t’u rrijn mbas sotit.

Po; per Shqyptarë pleqnue e ká Europa,
Qi shi njatyne urë t’u rrijn per dhé,
Të cillët kishat rrenue u a kan me topa
E n’djep foshnjet e njoma u a kan pré:
Qi t’ndertat vasha u kan koritë perdhûni
E rrugavet bâmë i kan me dekun ûni.

E mbas sotit Shqyptarët n’gjûhë t’huej do t’flasin;
E gjaksvet t’vet do t’bâjn kta t’u ngjatët jeta!
Hajnat lapera zotëní do t’thrrasin,
E t’pá rodit do t’i apin pagë e t’dheta;
Me armë shqyptare, n’zâ gjithmonë e n’nâmë,
Sogje Shqyptari shkjaut do t’rrijë sod m’kâmë.

Ah váj! Ah kob! A ká mâ zí n’ket jetë?
A ka si i bâhet kujë mâ teper dhûn? …
Ehu! Shka do t’bâjn, thue, tash Shqyptarët e shkretë:
Ata, qi m’vedi pasë e kan kanûn:
Ata, qi n’dej kan gjak të Skanderbeut:
Qi sheklli mbajtë i ká per burra t’dheut? –

Shka bâjn Shqyptarët?.. Hán fiq e kastraveca:
E pijn mastikë, e qesin petlla n’uej;
E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej
Palè a kan ksulen qyp a se kapelë,
A e ká uficiali kalin at a pelë.

E armët e t’Parvet shkojn kta tuj kerkue,
Ndo 'i karajfile t’gjatë, a ndo 'i tagan: –
Por, jo, – mos drueni! – jo per me luftue
Me malazez të shkyem a me serbjan:
Por per me mujtë me zjerrun kund ndo 'i grosh
Tue rrêjtë me to ndonji Hingliz balosh.

Jo, po; Shqyptarët kan sot të madh kujdes…
Njata, po tham, qi ndo 'i miráz e presin,
E druen se êmta a gjyshi vrik s’u des:
Pse per Shqypní, qi krajlat po u a shesin,
S’çájn kryet aspak, me sá çáj kryet un sot
Per shkarpa t’vjetra, qi kam shkye kahmot.

Ahi! turp e marre! Burra, lé e rritun
Me armë mizore n’dorë, e qi fatosa
T’Parët i kan pasë, me ndêjë kshtû sod t’topitun
Si t’dekunt n’vorre, sod qi mrrìka sosa
Së mjeres mos Shqypní edhè Shqyptarvet,
E u shueka Atdheu e u shueka ndera e t’Parvet!

Ktû, ktû Shqyptarë!.. A ndiet?.. Kû u kam… Kû jeni
Mo 'lêni, burra!.. M’armë!.. Mbaroi Kosova!..
Ianina hûmbi!.. e ndoshta, Tepeleni…
Shkoi Monastiri! Dibra edhè Gjakova!..
Vendet mâ t’mirat né na i mori shkjau,
E, shk’â mâ zí, né vllá me vllá na dau!

Ah! M’kamë, bre burra! M’kamë! Shka jini mshefun
Nder furka t’gravet, si do rrole t’kqija?..
Sod armët duen rrokë; taganat sod duen prefun;
Asht turp, per Zotin! Shurdhë me hupë Shqypnija.
Mo’lêni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
A gjallë me nderë, a dekun grue e trim!

Kû jé, Bibdoda, ti nji rrfé prej qielle?..
Jé derës bujare, e trim i drejtë ti jé!
Flamurin e Shqypnís, sod n’ajr ti shtielle;
E grishi malet me qindrue p’r Atdhé.
Kû thêmra e jote per Atdhé të shklase,
Atje kryet t’onë, po, per Atdhé t’humase!

Mo’lê Toptan, qi me shpatë t’ande binde
Nji shekull mbarë m’at mâje Taraboshi!
Prap shpaten njesh, e prîju prap ti gjind’e;
— Ndêjun n’voter s’prarohet jo kondoshi…
Mlidh Toskë e Lapë, e sod per Shqyptarí
Qindro, si 'i herë qindrove me trimní.

M’kâmbë Dedë Gjo’Luli! Thonë se 'i t’birit [t’shkines]
Lekët e Malcís sod t’dhetat do t’i a lájn.
Se edhè do t’vêjn kapicen e Cetines:
A 'imend, thue, ti, kaq marre do t’a bâjn;
Atà Sokolat t’ue – Lekët e Malcís,
Qi aq gjak kan derdhun per Lirí t’Shqypnís?

Jo kurr! Jo kurr! Por mbí Deçiq ti xiri
Shkaf âsht i Lekë, e thueju, se Shqypnija,
Aty kufín e ká, per báll me Viri,
E ké me pá ti at herë, se rrokullija
Me u çue m’e zhgulë andej, nuk mund t’a hjekun;
Pse per Shqypní Malcorët janë msue me dekun.

Ah! M’kâmbë, Shqyptarë! E mos t’u lshojë, jo, [zêmra]
Pse Perendija s’ká me u lânë me u thye.
T’u bijë nder mend, se fort mâ e rândë â thêmra
E shkaut koktrashë, se guri i vorrit m’krye.
Urra! po, djelm! Shqyptár kushdo ká lé,
N’mos mûjtë Shqyptár me mbetë, Shqyptár t’hîjë n’dhé!

E n’kjoftë se lypet prej s’hyjnueshmes Mní,
Qi flìje t’bâhet ndo’i Shqyptár m’therore,
Qe, mue tek m’kini, m’merrni e m’bâni flí
Per Shqyptarí, me shue çdo mní mizore. –-
Oh! edhè pá mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë,
E nâmi i sajë per jetë u trashigoftë!

Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’Drî
E porsi krandja e thát n’nji flakadâ,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrrî
Kushdo Shqyptár, qi s’brohoritë me zâ,
Kushdo Shqyptár, qi s’brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!