Shqypnija

Edhè hâna do t’a dijë,
Edhè dielli do t’két pá,
Se për çark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká!

Fusha t’gjâna e kodra t’blera,
Zijes s’mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’Parrizit t’larmet shtroja.

Nën nji qiellë përherë t’kullueme,
N’rreze e n’dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ajrí.

Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’kjarta e t’cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn nper râjë e curra.

Mbî ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’cillvet, p’rherë besnike,
Janë permendë ndër fise t’tâna.

Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’flakë t’nji diellit:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qiellit.

Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N’dorë t’ktij shndritë per vend të Parit.

Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’turr t’Shqyptarit pît ka rá.

Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmen kû e thrret Lirija.

Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s’mund t’i a shkelin,
Turrin ferri s’mund t’i a ndale.

Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’gjí,
Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë.

Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.

Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S’i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’i ka thye,

Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t’fali i Amshueshëm,
Sá 'dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’gjí t’and vorri âsht i lakmueshëm.

Po, edhè hâna do t’a dijë,
Edhè dielli do t’két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká!

Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’jetës të rrnoftë tý ndera.