Në Kishë

Në qytet tonë asht një lagje… E n’at lagje asht një kishë. Mbrenda në kishë asht një lyps, në të cilin jeton një dëshirë: me jetue.

“Eni tek unë ju të dëbuemët dhe të përbuzunit e këtij shekulli, - ka thanë dikur zot i kësaj kishe, - se tek unë do të gjeni prehje…”.

Lypsi ka ardhë. Dhe me të vërtet ka gjetë prehje. Lagshtina e kishës e fashiti të nxehtit e trupit të tij që gati e përvëloi.

Jashtë asht zheg. Dielli asht aq marrisht i nxehtë dhe aq egër të lëmon, saqë të rrahin tamthat, si të rrahunat e farkatarit mbi hekurin e kuqun. Sa mund pati lypsi derisa mrrijti në kishë! Si për sherr, vapa s’e lente të eci ma shpejt. Kollaj mujshin dhe me e zanë. Por edhe vapa e shpëtoi. Se polici që e ndiqte ishte aq i shndoshët, saqë rrezikonte veten të shkrihet si dhjami në fultere, po qe se vazhdonte ndjekjen. “T’i hajë dreqi ata pes’ a gjashtë lekë, për të cilët u dyshue në lypsin! - mendonte polici. T’i hajë dreqi! Ndoshta dhe lypsi nuk i ka marrë.” Por lypsi nuk donte ta përgënjeshtrojë at dyshim. Jo për gja tjetër, por pse, si njeri i ndershëm, nuk ka qejf të dali para gjyqit. Ka të drejtë! A nuk bajn njashtu dhe tregtarët e parë të qytetit tonë? - E kush mund ts dyshojë në nderen e tyne? Me dalë para gjyqit edhe si i pafajshëm - asht turp në sy të popullit tonë.

E lypsi në kishë… Rrin në bankë dhe kënaqet në freski. Oh sa mirë asht me ndejë, me u shplodhë e me qenë i siguruem me bukë për dy ditë…

Gjashtë lekë! Edhe tri ditë mund të kalosh me gjashtë lekë. Një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë lekë. Tik-tik-tik-tik! Një frat, në thellsi të shejtë mbas lterit, trazohet me kët tingllim monedhe. E qet kryet mbrapa shtatores së një shejti. Por asgja! Shef vetëm një lyps, i cili me shuplaka të njituna i lutej zotit. Edhe lypsi, i hutuem, shikon kryet e padres. Frigsohet. Gadi asht të besojë se po ngjet ndoj mrekulli. Por jo. Ishte kryet e padres. U diktue. Kur u zhduk kryet, lypsi vazhdoi t’i lëmojë gjashtë lekët dhe t’andrrojë ma tepër dhe të knaqet ma tepër se tradhtari Iskariot me tridhetë q’i fitoi, kurse e shiti Mësuesin e vet dhe t’atij padres.

Dalngadalë, n’andrrim e sipër, lypsin e zu gjumi në bankën e mbrapme të kishës, - gjumi i tij ishte i qetë, si gjumi i njerzve pa kujdese jete.

Qetësia e kishës filloi të trazohet… kapela të kuqe e të zeza, petka të bardha e të kaltërta, çarapë të mëndafshtë e pambuku, fytyra me mustakë dhe pa mustakë, të qeshuna e të ngërdheshuna - besnikët vijnë të ndëgjojnë oratorin e mbasdrekes.

"Vërtet, me të vërtetë po ju tham, - bumbullon padreja prej së nalti dhe shi e breshën e lëshon mbi mkatarët. Të gjithë besnikët i kanë la dhe dlirë veshët e ndëgjojnë fare mirë. Pleqt kanë hapun gojën. Një plakë qeshet simbolikisht. Dy të reja grinden me shejat e duerve: “A asht rrue padreja sot, a dje?” Një vajzë knaqet me rreze t’ylberta që kanë ra në zhgun të padres tue përshkue nëpër dritoret bojna-bojna… Dhe oratoria shkon krejt mirë. Por kur padreja filloi t’u kërcnohej atyne që vjedhin, dhe n’atë mënyrë e preku n’intimitet lypsin, ky u çue, duel jashtë, e te dera, mbasi plot mni e nderoi padren, me një të shame, pëshpriti: “Po si do të jetoj unë?.. këtë kurr s’ma the. E unë, pra, due të jetoj!”

Pjesa e radhës
Ngjarje pa lëvizje