Dhe tani besoj se këto mjaftojnë për diplomën në fjalë. Por unë nuk e quaj pa vënd të them edhe diçka për familjen, atdheun dhe origjinën e Skënderbeut apo Gjergj Kastriotit. Duke u mbështetur, pra, në auktorë shumë të sprovuar e të dëgjuar, unë do të provoj, (që kundërshtari të skuqet t’i dalë përpara numurit të math të historianëvet me famë), se familja e Kastriotëve ka ekzistuar në Epir apo Shqipëri dhe se Kastriotët nuk e kanë pasur në asnjë mënyrë fillin e tyre nga i biri i Vukashin Margnaviçit. Gjithashtu unë do të provoj nga auktorë të ndryshëm me vlerë dhe nga mendimi i përgjithëshëm i Epirotëve apo Shqiptarëve, se prindi i Skënderbeut Jan ka lindur nga kjo familje shumë e vjetër dhe se prandaj ne duhet të pohojmë se ai është i ndryshëm nga Juanis Margnaviçi. Nga të gjitha këto do të dalë gjithashtu qartë në shesh se Gjergj Kastrioti ka lindur nga prindër shqiptarë, se ka lindur në Epir, se ka qënë princ i Epirit dhe se prandaj ai është Epirotas apo Shqiptar. Dhe më pëlqen sigurisht, që t’ja nis nga Volaterrani, i cili shkurt, por shumë qartë, i dëshmon këto të gjitha.
Ky auktor, kur bën përshkrimin e Maqedhonisë dhe të pjesëvet të saja, thotë këto në Gjeografinë e tij: «Tri sidomos familje i zotëronin të gjitha këto vende bashkë me Epirin, (për të cilin do të flas më poshtë). Këto familje ne i pamë të gjitha të mërguara në Romë. Komnenët , që rrjedhin nga një fis fisnik Stambollitësh, zotëronin vëndet bregdetare, si Durrësin, Vlorën e shumë të tjera. Nga kjo familje Arianiti vdiq në paqe, i pacenuar, por bijtë e tij dbuan [1]. Ndër këta Kostandini, burrë trim e me pamje heroike, u ftua në juridiksionin subalpin të Italisë. Familja e dytë është ajo e Kastriotëve, nga të cilët Jan Dibra apo Dobrensi zotëronte Trojën dhe disa vënde të tjera më përbrënda». — Pastaj Volaterrani vazhdon të tregojë shumë gjëra të tjera lidhur me këtë familje, (ku pohon se Skënderbeu është pasardhës i denjë i Pirros dhe i emërit të Aleksandrit), dhe përmënd si familje të tretë atë të Dhespotëvet. Por ne mendojmë se nuk është nevoja t’i radhisim këtu të gjitha këto, prandaj i lëmë me kënaqësi mënjanë; vërejmë vetëm se auktori në fjalë e quan Krujën në këtë rast me emrin Trojë.
Nga këto duket mjaft qartë se familja e Kastriotëve numërohet si më e vjetra ndër familjet e tjera më fisnike të Epirit apo Shqipërisë; prandaj ajo s’e ka origjinën e saj nga Juanis Margnaviçi. Përveç kësaj prindi i Skënderbeut quhet këtu fare hapur Dibra ose Dobrens, kështu që ai duhet të thuhet Epirotas, d.m.th. i lindur në Epir, veçse po ta shkëputësh Dibrën nga Epiri. Më në fund edhe vetë Jani, prindi i Skënderbeut, thuhet se e ka pasur origjinën nga Kastriotët, pra, jo nga Margnaviçët, veçse po ta quash Vukashinin në mënyrën më absurde Kastriotas. Në favor të këtyre është edhe Bartoldi , i cili, «në Jetën e Skënderbeut» e quan babën e këtij Kastriotas. Ai shkruan kështu: «Gjergj Kastrioti ka lindur nga Jan Kastrioti, princ i Epirit dhe në radhë të parë i Krujës.» Kështu flet Bartoldi. Le të shtojmë menjëherë pas kësaj Vladislavin, mbretin e Hungarisë dhe të Polonisë , i cili, në një letër që i shkruan Skënderbeut, i thotë, sipas Barletit [2], kështu: «Si u ngrit përmes vështirësish Jan Kastrioti, baba yt, princ, siç dëgjoj, që meritoi më së miri shpresat e të gjithëve… etj.» Dhe, që të mos zgjatem duke cituar autorë, të gjithë ata, që bëjnë fjalë për prindin e Skënderbeut, e quajnë atë Jan Kastriot. Shiko për këtë Analet turke, venecjane, të Raguzës, Marin Becihemin, Jan Nikolla Doglionin, i cili bën veçanërisht fjalë për të dy, edhe për Juanisin e Tomkos edhe për Jan Kastriotin, prindin e Skënderbeut, Jan Korol Saracenin, veprën e Jakov Gordonit të shoqërisë së Jezuitëvet, Cezar Kampanën dhe shkrimtarë të tjerë shumë të kujdesshëm. Këtyre mund t’u shtojmë edhe vetë Barletin, i cili flet kështu në librin e parë, kur prek origjinën e Skënderbeut: «Gjatë asaj kohe, (mos kujtoni se dëshiroj të zgjatem tepër që në fillim në përshkrimin e historivet të huaja), sundonte në mënyrë të veçantë në Epir, ndërmjet mbretërvet të vegjël e princërvet, emri tepër fisnik i Jan Kastriotit, si në qytete të tjera, ashtu edhe në Krujë. Dhe mbasi nuk e quaj me vend që fisi i Skënderbeut të mbetet krejt i panjohur, por nga ana tjetër s’kam ndërmënd të përshkruaj tërë vargun e të parëve të tij, do të më mjaftojë të prek vetëm një gjë, se kryet e fisit të Kastriotëve rrjedhin nga Ematia, prej origjine fisnike, dhe se kanë sunduar në Epir me lavdi e fatbardhësi. Këtyre të gjithëve, (si thashë në fillim) ua kaloi me lehtësi Jani nga urtësia, rëndësia dhe shpirtmadhësia e tij e pamposhtur, si edhe nga virtute të tjera e nga bukuria e rrallë e trupit, (nëse vlen të thuhet kjo në këtë rast)». Kështu flet Barleti.
Këtu duhen vrejtur me vëmëndje fjalët: «Kryet e fisit të Kastriotëvet», sepse me këto fjalë Barleti i njeh fisit të Kastriotëve jo vetëm një themelues, (siç bën Tomku, i cili nxjerr si themelues të vetëm të këtij fisi Juanisin, të birin e Vukashin Margnaviçit), por shumë. Gjithashtu me të njëjtën vëmëndje duhen çmuar këtu fjalët: «të fisit të Kastriotëvet», sepse nga këto del fare qartë se familja në fjalë ka qenë atëhere numeroze. Ky konkluzion nuk mund të mprohet nga mendimi i Tomkut, i shprehur në faqen 23, ku na thotë se Kastriotë janë quajtur vetëm niprit e Juanis Margnaviçit. Përkundrazi, ai na del këtu sheshit e pa dyshim gënjeshtar dhe përrallaxhi. Por nga kjo pjesë e Barletit del gjithashtu qartë se në kohën e Janit, babës së Skënderbeut, kanë pasë jetuar shumë Kastriotë, sepse për ndryshe, po të mos kishin ekzistuar ata në këtë botë, s’mund të thuhej se «ai ua kaloi atyre nga virtutet»,
Pastaj me emrin Ematia , nga e cila Barleti thotë se kanë dalë Kastriotët, shënohet këtu Maqedhonia. Kjo del nga vetë fjalët e Barletit, i cili në librat mbi pushtimin e Shkodrës, qytet i Epirit apo Shqipërisë, thotë se Ematia dhe Maqedhonia është po ajo gjë. Në favor të këtyre është dëshmia e mbretit të Napolit Ferdinand , për të cilën Barleti shkruan kështu: «Kur muarrën fund këto punë, po mbushej një vit qëkurse Skënderbeu ishte hedhur në Apuli bashkë me forca ushtarake të ushtrisë së tij. Duke parë, pra, se i kishte dhënë fund luftës në Apuli, se mbretin Ferdinand e kishte vendosur në fron e në fuqi, se të gjitha çështjet e tjera të provincës i kishte zgjidhur ashtu, siç dëshironte, e mbasi nga ana tjetër donte të kthehej në Epir bashkë me ushtrinë e tij përmes detit, pati më parë një bashkëfjalim të gjatë me mbretin për shumë çështje. Pastaj Ferdinandi, para se të ndahej me Skënderbenë, thirri në një mbledhje të gjithë princët dhe kryekomandantët e ushtrisë dhe foli kështu: «Me gjithë që unë, o Skënderbe, princ i ndritur, i jam falur emrit tënd, por tani, nga ç’më shohin sytë, unë të falem krejtësisht ty; sepse unë me të vërtetë kam provuar e kam parë me sytë e mij më shumë e më tepër nga ç’thonë e tregojnë zakonisht për ty. E s’është çudi, kur ti ke një origjinë nga gjyshër e nga një vënd i tillë, siç është Epiri apo Shqipëria, e cila dikur quhej edhe Maqedhoni, në të cilën kanë lindur e janë shquar aqë e aqë princër nga më fisnikët e nga më të pamposhturit, aqë prijës e perandorë kryetrima të palodhur, që, duke luftuar me vrullin më të math, nënshtruar gjithë rruzullin e dheut. Këtyre pastaj ua zunë vëndin me radhë paraardhësit e tu dhe ti vetë, o princ i pathyeshëm, i dërguar nga Zoti i thuaj i zbritur nga qielli, ti që po bën kaq vepra të ndritura e gati të pavdekshme për çështjen e Krishterimit».
Pas këtyre shtojmë menjëherë fjalët me shumë rëndësi të Skënderbeut, të cilat, sipas Barletit, ai ua ka thënë princërvet të Epirit, mbas rregullimit të principatës atërore të tij: [3] «Por çfarë, për perënditë e pavdekshme (që të flas më lirisht me Ju)? Mos, vallë, do të ishte më e drejtë që bashkëqytetari juaj ta kalonte jetën për gjithmonë i mërguar larg atdheut, në skllavëri pranë Muratit, në mes rreziqesh të shumtë e me një fe të dënuar, apo ta ngrysë jetën në Epir, në truallin ku lindi, (— lëxonjësi le të vërejë me vëmëndje fjalët: në truallin ku lindi), pranë të krishterëvet, pranë jush? E veç kësaj, a mos, vallë, do të mund të ndodhej ai në Epir e të shihte të përlyhen e të shëmtohen edhe më atdheu, perandoria atërore, varret, tempujt, vetë perënditë nga sundimi i barbarëvet? Më në fund, ç’mendoni për Krujën, (që të harrojmë për një çast çdo dashuri për atdheun përgjithërisht)? [4] Mos, vallë, një qytet kaqë i fortifikuar, kaqë i përmëndur për vepra e shumë i fuqishëm, ka qenë për t’u lënë në duart e armikut? Me zor, sigurisht, mund të mohoni, (në rast se nuk ja bëj tepër qefin vehtës) se ajo është zemra e fuqisë së Arbënit, e ndërtuar nga të parët tanë dhe e vetmja për të përballuar çfarëdo kondita paqeje e lufte». — Por që Kastriotët kanë rrjedhur prej Maqedhonie, mund të nxirret nga «Kuitimet» e Piut të II. — . Ky thotë se Skënderbeu, në një letër që i dërgonte princit të Tarantos Jan Antonit, i është përgjegjur kështu: «Në thënç se Shqipëria është një pjesë e Maqedhonisë, atëherë ti i pranon të parët tanë shumë më fisnikë, sepse ata, nën Aleksandrin, u futën gjer në Indi, duke i nënështruar gjithë fiset që u dilnin përpara me lehtësinë më të madhe. Prej atyre kanë zbritur këta njerëz etj. gjer te Skënderbeu vetë.» Por jo vetëm kaqë; nga e njëjta pjesë del në të vërtetë fare shevshit se Skënderbeu ynë ka qënë, si nga atdheu si nga origjina, Epirotas apo Shqiptar. Sepse, (me gjithëqë edhe nga fjalët e tij, siç përmëndëm më sipër, duket se ka lindur në Krujë, në qytetin më fisnik e më të fortë të Epirit), princi i lartpërmëndur i Tarantos, Jan Antoni, e quan në fillim të letrës së tij me plot gojën Shqiptar; ai flet kështu: «Jan Antoni, princ i Tarantos, i dërgon përshëndetje Gjergj Shqiptarit».
Princit tarantin mund t’i shtojmë Stefanin , mbretin e fundit të mbretërisë së Boshnjës, për të cilin Abat Marto Orbini shkruan në gjuhën italiane sa vijon: «Stefani, mbreti i fundit i Boshnjës, dërgoi delegatët e tij tek Pius i II. Njeri prej këtyre foli kështu: «Stefani, mbreti i fundit i Boshjës, bir [5] i Juaj, (o atë i lumnueshëm) na dërgoi pranë jush, që t’Ju parashtrojmë në emër të tij sa vijon: «Kam lajme të sigurta», thotë ai, «se Murati kësaj vere ka për të më sulmuar dhe se, për t’ja arritur kësaj, ka pregatitur gjithëçka i nevojitet për këtë qëllim. Forcat e mia nuk janë të mjafta për t’i bërë ballë. U jam lutur Hungarezëvet, Venecianëvet dhe Gjergj Shqiptarit, që të kenë mirësinë e të më vinë në ndihmë në këtë rast nevoje. Për këtë i lutem Zotit edhe nga ana Juaj». — Pas mbretit Stefan vjen menjëherë vetë Abat Orbini, i cili, duke ndjekur Barletin, shkruan për Gjergj Dhespotin, që kemi përmëndur më lart, dhe për Skënderbeun si vijon: «Mbassi Gjergji s’ua vinte aspak veshin këtyre gjërave e mbasi, nga ana tjetër, Skënderbeu e shikonte kështu se s’kishte shpresë tjetër përveç armëvet, me gjithqë nuk i pëlgente dhe i dukej një punë plot rreziqe të fillonin që këndej vuajtjet e luftës, sepse fuqitë e freskëta të tij i ruante kundër ushtërisë mbretërore [6], me gjithë këto e quajti për nder të provonte e ta çante rrugën me shpatë, po të mundej. Por ndërsa Shqiptari po vonohej kështu për shumë arësye të padëshiruara në kufitë e Misisë dhe Dhespoti ja ngadalësonte më tepër se sa ja pengonte udhëtimin Skënderbeut, (sepse këmbëngulja e Kapedanit do t’i kishte mposhtur më në fund e do t’i kishte kaluar të gjitha pengesat, megjithëse jo pa derdhur gjak ushtari), Vladislavi, pjesërisht duke marrë zëmër nga letrat e Skënderbeut, pjesërisht… etj.».
Orbinit do t’i shtoj Sabelikun, i cili, në librin e 9-të të «Historisë së Venetisë», ka këto fjalë: «Passi kaloi në Shqipëri (d.m.th. Sulltan Murati), e sulmoi Skënderbeun më fort se kurrë. Thonë se ky i fundit ka qenë shumë trim dhe se pas Piros, i cili luftoi me Romakët në Itali, Shqipëria s’e ka pasë shokun e tij. Baba im Jan Koçi, i cili në moshë shumë të re kishte qenë ushtar me rrogë në luftën e Kalabrisë nën trimin Robert Orsinin, e kishte zakon të më tregojë se e kish parë këtë Shqiptar, i cili me gjashtëqind kalorës ishte hedhur në Apuli në emër të mbretit Ferdinand, të luftojë krahëçveshur, herë me heshtë, herë me shpatë të përdredhur, të plagosë e të vrasë në beteje aqë shumë njerëz, sa as gjithë skuadra që kishte pas, duke i kallur tmerin armikut. Ky, si e shtiu përsëri në dorë me përpjekjet e veta principatën e Shqipërisë, e mbrojti atë sa ishte gjallë kundër Turqvet me shumë pak njerëz, duke treguar kështu një trimëri të madhe e të pashoqe. Me vehte mbante gjashtëqind kalorës të zgjedhur [7] dhe thuaj se kurrë nuk përdorte një numur më të madh. Me këta shpesh herë i theu dhe i bëri të merrnin arratinë ushtëritë turke, që ishin shumë më të mëdha në numur. Prandaj, siç thonë, ndodhi që popujt, pas vdekjes së tij, për të admiruar në mënyrë të shënuar këtë njeri, sikur të dallonin tek ai diçka të mbinatyrëshme, të këndonin trimëritë e tij të admirueshme me vjersha nga më solemnet. E disa njerëz, që meritojnë t’u besosh, më kanë rrëfyer se një numur i madh vajzash, në mes të rrezikut të luftës, atëhere kur çdo gjë të shtinte frikën e ushtrisë turke, mblidheshin në mes të rrugëvet në qytet, ku ai kishte qënë zot, dhe këndonin lavdinë e kryetrimit të tyre të vdekur, ashtu siç e kishin zakon të vjetrit në gostitë për kujtim të njerëzvet të mbëdhenj…» —
Kështu shkruan Sabeliku, do, s’do Tomku.
Këtij shkrimtari kaqë të gojës do t’i shtoj Francisk Sansovinin, , i cili, në «Historinë e përgjithëshme mbi origjinën dhe luftrat e Turqvet», flet kështu: «Ndërmjet popullit shqiptar, i cili luftoi me trimëri të rallë kundër Turkut, kanë qënë shumë princër fisnikë e të mbëdhenj, të cilët, në këto kohë të fillimit të rritjes së Otomanëvet, u vunë përballë me të gjitha forcat e tyre kundër përpjekjeve të Turqvet. Por ndërmjet këtyre të gjithëve ka qënë njeri, Zoti Skënderbe, që është më fisniku dhe më i denji për t’u mbajtur mënd për jetë, sepse ky njeri e mbrojti trimërisht besën e krishterë në këto anë për shumë vjet dhe prandaj meritoi të bëhej mbret i Epirit. Veç kësaj, ai u bëri që të shkëlqejë përsëri ky komb i shtypur për shumë vjet nga ironia e fatit». — Kështu thotë Sansovini, pas të cilit do të përmënd edhe Lazar Soranxin . Ky referon në «Otomanidën» e tij: «E megjithëqë ka qënë një kohë, kur Shqiptarët u treguan shumë trima kundër Turqvet, dhe veçanërisht në kohën e Gjergj Kastriotit, tani ata s’mund të tregohen të tillë; sepse jo vetëm që armikun e kanë zot absolut në shtëpinë e tyre, por e kanë edhe mbas shpine, nga që Turku ka pushtuar vëndin e tyre dhe vëndin kufitar, gjë që atëhere nuk ndodhte. Përveç kësaj Shqiptarët janë pakësuar shumë dhe u mungon një Prijës i guximshëm, siç ishte ai, që i dinte mirë punët e Turqvet dhe e njihte me pëllëmbë vëndin e vet dhe që e donin dhe e admironin për së tepërmi fshatarët dhe ushtarët e tij».
Do të kaloj tani tek Bartholome Dionizi prej Fane, i cili, në faqen 187 të: «Kopshti i gjithë historivet të botës», e përmënd kështu Skënderbeun: «U shqua në kohën e tij edhe Gjergj Skënderbeu, Shqiptar. Ky, si iku nga sarajet e Turqut, e zuri përsëri Shqipërinë, shtetin e tij atëror, dhe e mbrojti atë fatbardhësisht me trimërinë më të madhe kundër fuqisë turke, duke i dhënë mbretit [8] goditje të atilla, që shpesh e shpunë më dëshpërimin më ekstrem». — Këto thotë ai. Por s’mund të lëmë pa përmendur këtu Jan Baptista Pignën, i cili në librat e historisë së princërvet «Atestinë» , pikërisht në librin e tetë, shkruan kështu: «Por në një gjëndje kaqë kritike zbriti në Bari (Barolum), në kohën e duhur, Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbe. Ky, mbasi kishte bërë armë pushim për një vit me Turkun, armikun e përhershëm të tij, me nxitjen e Pontifikut [9] dhe të Insubrinit , nxori në kontinent disa legjione dhe 700 (shtatëqind) kalorës epirotas». Dhe pak më poshtë ai vazhdon: «Dalmatët po i ndrydhte Murati, sepse që në fillim të këtij viti kishte vdekur Gjergj Epiroti, të cilin Murati e kishte quajtur në gjuhën turke Aleksandër që në moshën më të vogël të fëminisë së tij. Nga fushatat e shumta në Azi e në Evropë, Skënderbeu fitoi emër shumë të madh për trimërinë e tij. Më në fund, me rastin e fitores që pati Jan Huniadi pranë Moravës , u tërhoq fshehurazi në atdhe, çliroi nga duart e të mbrapshtëvet Krujën dhe mbretërinë atërore dhe i shpërndau e i detyroi t’u mbathin këmbëvet Aliun, Feruzin dhe Mustafanë, oborrtarë të Sulltanit. Pastaj ai e mbrojti me trimërinë më të madhe këtë krahinë nga sulmet e Muratit, si dhe Krujën e fortifikuar. Dërmoi Sinanin, Isuf Begun, Karaxhabegun, Sheremetin, Ballabanin, Jakupin, komandantë të Sulltanit. Muhametin, i cili e rrethoi për së dyti Krujën [10] e detyroi të largohet me turp». — Kështu flet Pigna.
Ja se sa unanimisht Skënderbeu thirret e konsiderohet nga të gjithë Shqiptar apo Epirotas, që të lë për tani: Analet turke, të cilat e quajnë atë gjithëkund «Armatum» [11] , d.m.th. Epirotas; Leonklavin, që e quan «Arbanozium», (kjo është një trajtë ilirike (sllave) dhe do të thotë Shqiptar); Kardinalin Petro Bembin , burrë i madhërishëm, i cili, në librat e historisë së Venetisë, e quan Epirotas; Tuberonin dalmatas dhe Tuberonin raguzin (?); të dy abatë, të cilët nuk dyshuan ta quajnë Shqiptar. Po lë gjithashtu menjëanë, që të mos mërziteni, shkrimtarë të tjerë të panumurtë e të shquar, sidomos, italianë, por edhe poetë si Jan Babtista Marinin gruan fisnike Margarita Sarroki, , e cila ka hartuar me shumë mjeshtëri dhe e botoi një librëzë për lavdinë e Skënderbeut, ku e quan vazhdimisht kryetrimin tonë Shqiptar dhe Jan Jakov Ricin . Ky, në librin e tij të titulluar «Argëtimet e Parnasit, rimë e prozë etj»…, dhe të botuar në po këtë vit, [12] shkruan kështu për Skënderbeun, në librin e pestë, num. 649:
Beteja e Herkulit dhe e Skënderbeut, [13]
«Por me gëzim të math e me furi,
Skënderi Epirotas, i pathyëshëm,
? Sulmon kreshnik n’betejë e del gadhnyëshëm,
Shpirtmath, i vrullëshëm dhe plot fuqi». —
Dhe më poshtë:
Frenon Aleksandri, nga Epiri dalë,
Atin e lartë, lindur aq krenar,
Në vrap i lehtë e asgan për kundërshtar,
Po aq me armë shtërngue e ball për ball.
Parzmore prej lëkure t’ashpër ka,
Shigjetë, e shtizë përmbi hark, hata.
U hodhën shtizat me të shpejtë prej harkut,
Shqiptari n’krye, i sjellun kah Tebani,
Tjetër topus përdor nga Herkuliani —, etj. —
Këto pak rrjeshta i parashtrova këtu jo vetëm për të konfirmuar vërtetësinë e auktorëve tanë, por edhe për hir të lexonjësit kurios.
Nga fjalët, pra, plot autoritet të kaqë shkrimtarëve, princërve dhe mbretërve, mund të nxirret fare lehtë përfundimi nëse Skënderbeu dhe të parët e tij kanë qënë Epirotas apo prej ndonjë kombësie tjetër. Nuk po përmënd në këtë rast dëshminë shumë të qartë të Barletit, të cilin kaqë herë e kemi cituar gjer tani dhe i cili ka përfshirë në shkrimet e tij historike veprat e shquara të Skënderbeut, duke e quajtur atë gjithkund Kastriot, Shqiptar, Epirotas.
Po me qëllim që të çduket çfarëdo arësye dyshimi për atdheun dhe origjinën e Skënderbeut, do të sjell këtu disa auktorë të shquar e nga çdo anë më të mbëdhenj, nga dëshmitë e të cilëvet lëxonjësi ynë me vullnet të mirë do të mundet fare lehtë dhe pa dëmtuar aspak të vërtetën ta përcaktojë mirë gjithë këtë çështje. Le të jetë i pari ndër këta Gjergj Baltoldi, kryeoiqar [14] prej Prage i cili, me shumë kujdes dhe me zellin më të madh ka prekur shumë çështje të Orientit. Ky auktor, pra, ndërsa po shkruan në hyrje të veprëzës së tij për Skënderbenë, flet kështu për prindin e këtij Jan: «Baba i Skënderbeut, Jan Kastrioti, ka qenë princ i shkëlqyer i Epirit dhe i Shqipërisë. Ky e ka origjinën e tij nga fisi bujar dhe mbretëror i mbretit të Epirit Piro dhe është zot i shumë qytetve të Epirit dhe të krahinave të tjera, ndër të cilat Kruja ka qenë veçanërisht e dalluar për fuqinë dhe qëndresën e saj». — Këto thotë Bartoldi, burrë me rëndësi shumë të madhe. Le të shohë tani Tomku nëse prindi i Skënderbeut Jan rrjedh nga familja e Margnaviçëvet apo nga e Kastriotëvet, nga Vukashini apo nga kryetrimi ynë Pirro, mbret i Epirotëvet. Po këtë vlerësim të rëndësishëm të Bartoldit do ta gjesh fjalë për fjalë në Analet turke dhe tek interpretuesi i Kolkokondilit.
Pas këtyre shtoj edhe Jan Tarkognatin , i cili, në pjesën e dytë të librit të 17-të të: «Historitë e botës», kur shkruan për veprat e Muratit, Sulltanit të Turqvet, thotë kështu për Janin, prindin e Skënderbeut: «Edhe Murati [15] gjithashtu pat sulmuar shpesh herë Hungarezët dhe Vllajanët. E mbasi bëri shumë dëme në Boshnjë e në Shqipëri, pushtoi këtu Krujën, qytet i fortë dhe i përshtatur, të cilën duan të thonë se e mori nga Jan Kastrioti, Zot i Shqipërisë, bashkë me tre bijtë e tij, me qëllim që të sigurohej se Jani nuk do t’i dilte nga besa që i kishte dhënë e se do të ishte kështu partizani i tij i devotshëm». Dhe në buzë të librit, në indeks, ndërsa i shkruan këto italisht, shënon: «Jan Kastrioti, Shqiptar». — Le t’i hapë sytë Tomku e le të shohë përsëri nëse prindi i Skënderbeut ka qenë sllav apo Shqiptar ose Epirotas.
Por le të dëgjojmë së treti, nëse ju pëlqen, dëshminë e shënuar të vetë Skënderbeut, i cili, në përgjigjen që i bën princit të Tarantos Jan Antonit, i shkruan kështu për origjinën e fisit të vet, — sipas kujtimevet të Piut të II: — «Pasaj ti e përbuz fisin tonë dhe Shqiptarët i quan bagëti. Sipas zakonit që ke, ti flet me përbuzje e duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë. Të parët tanë kanë qenë Epirotas, nga të cilët ka zbritur ai Pirroja i famshëm, sulmin e të cilit me vështirësi mundën ta durojnë Romakët dhe i cili Taranton e shumë vënde të tjera të Italisë i pushtoi me armë». — Kështu flet ai. Por mbasi kundërshtari do të mund të na përgjigjej, ndoshta, në një farë mënyre, se Gjergj Kastrioti s’ka prekur këtu origjinën e veçantë të tij, po atë të fisit të tij, lexonjësi le të vërejë me vëmëndje se Skënderbeu nuk ka shkrojtur: «origjinën e fisit tim» ose «të parët e fisit tim kanë qenë Epirotas», por, përkundrazi: «duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë».
Që këto të gjitha të duken më qartë dhe që të evitojmë çdo konfuzion, e gjeta të udhës të parashtroj këtu vetë letrat në fjalë, të nxjerra nga «Kujtimet» e lartpërmëndura të Piut të II-të, me që veçanërisht këto letra përmbajnë shumë gjëra të shkruara me zgjuarësi dhe shije të veçantë. Ja përmbajtja e tyre.
«Jan Antoni, princ i Tarantos, i dërgon përshëndetje Gjergj Shqiptarit.
Ty, që fati i luftës të pat bërë të përmëndur, të kishte hije që armiqtë, të cilët dikur pate caktuar t’i dbosh për të mirën e fesë së krishterë, t’i ndiqnie gjer në çfarosje dhe jo, si i ngacmove pakëzë e le fushën e betejës, ta sillnje luftën në Itali, kundër të krishterëvet. (Në buzë të letrës shënohet [16]: Princi i Tarantos, mbasi kishte dëgjuar shpesh qarjet e të varurvet të tij, të cilët ua mbathnin përpara Shqiptarëvet, thuhet se ka shkruar në këtë mënyrë). Ç’ke ti me mua? Çfarë faji kam bërë unë ndonjë herë kundër teje? Çfarë grindje kemi pasur ndonjëherë midis nesh? Ti i ke çveshur fushat e mija, kundër të varurvet të mi je sjellë si i xhindosur dhe luftës ja fillove para se ta shpallësh. Ti thua se je një mbret kryetrim për fenë e krishterë, por ja që tani po ndjek ata, që me plot të drejtë quhen të parët e të krishterëve. Kundër Frëngjvet e ktheve shpatën, të cilëvet u përket mbretëria e Siqelisë (208.) Ke shpresuar, ndoshta, se do të luftosh kundër Turqvet të çburrëruar, apo kundër grekërvet të paaftë për luftë, që je mësuar t’i vësh në ikje e t’u biesh mbas shpine. Të tjerë burra do të gjesh këtu. Sadoqë tmerrohen, kur të shikojnë, por asnjeri nuk do t’i largohet fytyrës sate; madje, ushtari ynë do të të egërsojë ty, por gjaku italian nuk do t’i trëmbet fytyrës shqiptare. Ne e njohim fisin tënd; Shqiptarët i konsiderojmë bagëti. Është turp të kesh armik një fis kaqë të ulët dhe ti nuk do t’i kishe hyrë një punë kaqë të madhe, po të kishe mundur të qëndroje në atdheun tënd. I je shmangur sulmit të Turqvet dhe, me që s’ishe në gjëndje të mbroje atdheun tënd, mendove të sulmosh atdheun e tjetrit: Je gabuar, veçse në kërkon për atdhe të kesh varrin.
Qofsh shëndoshë». —
Kësaj letre i është bërë kjo përgjigje.
«Gjergji, Zoti i Shqipërisë, i dërgon përshëndetje Jan Antonit, princit të Tarantos.
Pasi ja arrita armëpushimit me armikun e fesë, nuk desha që miku im të gabohej për ndihmën time. Alfonsi shpesh herë, kur isha në rrezik, më pat dërguar ndihmë kundër Turqvet; unë do të isha mosmirënjohës, në rast se nuk do t’ja shpërblenja të birit. Unë e mbaj mend mirë se ai ka qenë mbreti yt; përse i biri nuk ja zënka vëndin babës për ty? Babën e ke ardhuruar e të birin kërkon ta rrëzosh? Kush ta dha këtë fuqi? Mos, vallë, thonë se të përket ty apo Pontifikut të Romës të caktojë mbretërit e Siqelisë? Unë kam ardhur që të ndihmoj kundër pabesisë sate dhe kundër tradhtivet të panumurta të parësisë së tij Ferdinandin, birin e mbretit në fjalë, sepse ky është mbreti i proklamuar nga Selia Apostolike. Do të japësh llogari për besën e dhunuar e nuk do t’i shkelësh betë vazhdimisht pa u ndëshkuar. Ky është për mua shkaku i luftës me ty. Në këtë rast nuk jam më pak i denjë se sa kur sulmoj Turqit, sepse ti s’je më i mirë se Turqit e ka nga ata që ty të quajnë se s’hyn në asnjë sekt. Ti më vë mua përballë Frëngjtë dhe emrat e Galëvet [17], që paskanë bërë luftëra të mbëdha për të mirën e fesë? Nuk dua të diskutoj për çështje të vjetra, të cilat, ndoshta, kanë qenë shumë më të vogla se sa flitet për to . Një gjë është e qartë për kohën tonë, se shpesh flota e Aragonasve ka përshkuar detin Egje, ka shkretuar bregdetin e krahinavet Turke, ka marrë shumë plaçkë nga dora e armikut. Dikur Turku ua pat frikën Aragonasvet dhe Troja, [18] mu në grykë të armiqvet, po mprohet gjer më sot me armë të Aragonasvet [19]. Ç’më kujton gjërat e vjetra e le mënjanë të rejat? Ndryshojnë zakonet e familjevet dhe bujqit bëhen mbretër e mbretërit bujq dhe as që zgjat më tepër fisnikëria nga virtuti. Unë s’e kam harruar se ti ke qenë dikur armiku më i tërbuar i Galëvet , sepse me ndihmën tënde Alfonsi i nxori ata jashtë. Tani nuk e di se çfarë burrëri e re ka dalë në dritë, ndoshta, ndonjë Yll i ri ka aguar ndërmjet Galëvet, që ti e adhuron! — Pastaj ti na përbuzke fisin tonë dhe Shqiptarët na i quake bagëti: sipas zakonit tënd, ti flet me përbuzje, por duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë. Të parët tanë kanë qenë Epirotas; nga ata ka dalë ai Pirroja i famshëm, sulmin e të cilit mezi mundën ta durojnë Romakët dhe i cili pushtoi me armë Taranton e shumë vënde të tjera të Italisë. S’ke si vë përballë Shqiptarëvet, burra kryetrima, Tarantinët e qullosur, të lindur vetëm për të zënë cironka. Në thënç se Shqipëria është pjesë e Maqedhonisë, atëhere të parët tanë i njeh shumë më fisnikë, sepse ata nën Aleksandrin u futën gjer në Indi, duke i nënështruar gjithë fiset, që u dilnin përpara, me lehtësinë më të madhe. Prej atyre kanë lindur këta njerëz, që ti i quan bagëti. Nëse ne jemi bagëti, atëhere pse ju, njerëz, ua mbathni përpara bagëtivet? Se bagëtia s’bëhen dot njerëz. Shpesh herë në këto ditët e para [20] është provuar nëse Shqiptarët apo Apuljanët kanë qenë kafshë dhe unë s’kam takuar gjer tani ndonjë nga ushtarët e tu, që të ketë mundur të durojë fytyrën time. Se sa mirë janë armatosur shpinat e tyre, këtë e di për bukuri, por gjer tani s’kam mundur të më zërë syri ndonjë parzmore dhe as që ja kam njohur fytyrën ndonjerit, përveç atyre, që kam shtënë nën pranga. Unë s’kërkoj atdheun tënd, kur më mjafton imi, por unë përpiqem që ti, i cili shpesh herë e ke nxjerrë jashtë të pronavet parësinë fqinj, të mos mundësh të hedhësh jashtë mbretin e të sulmosh mbretërinë, siç të është mbushur mendja me të padrejtë. Në qoftë se unë në këtë punë do të vritem e do të varrosem, siç më uron ti, atëhere duroje lavdinë që do të kem edhe nga Zoti , drejtuesin e gjithësisë, për veprën e shkëlqyer që unë mendova dhe ndërmora me gjithë fuqitë e mia, qoftë edhe sikur të mos përkryhet.
Mbeç shëndoshë».
Këto janë nxjerrë nga kujtimet e Piut të II-të, Pontifikut të madh, e sipas këtyre ne duhet të themi pa dyshim dy gjëra: ose Tomku e numëron pa të drejtë dhe pa asnjë bazë Skënderbeun ndërmjet Margnaviçëvet, ose Skënderbeu vetë, para se t’i shkruante këto radhë, pat shkundur ndonjë gotë plot ujë nga lumi Lethë dhe kështu e harroi krejtësisht fisin e tij! Sepse për ç’arësye, kur po tregonte bujarinë e fisit të tij, nuk e zuri në gojë se është nip i mbretit të fuqishëm Vukashin, siç ka trilluar Tomku, dhe se rrjedh nga familja shumë e vjetër e Margnaviçëvet, e cila, (siç ëndërron Tomku), e paska origjinën e saj nga vetë Kostandini i Madh? Pse s’i përmëndi veprat e shkëlqyera të të parëvet të tij, d.m.th. të Ugleshit dhe të Goikut, kundër Turqvet? — Privilegjet e veçanta dhe titujt e të parëvet të tij, kontetë, arkonditë, gradat senatoriale, Jupanatin e madh, starostatin e Rashës, avantazhet e principatit të madh dhe, më së fundi, dinjitetin mbretëror, të gjitha këto s’i zuri në gojë dhe u drejtue nga fama, shkëlqimi dhe fisi i Pirros tonë, mbret i Epirotëvet! [21]
Po kështu flet Skënderbeu edhe tek Barleti, i cili na e paraqit duke thënë fjalët e mëposhtme me rastin që nuk donte t’i mbante armiqtë e zënë robër në Apuli: «Më kujtohet, veç kësaj, ai gjesti bujar e i përmëndur, që bëri kundrejt Romakëvet Pirroja im i famshëm, mbret i Epirotëvet, kur, si i dërmoi pa mëshirë ushtëritë në këto fusha, i la të lirë, si dhuratë pa shpërblim, të gjithë robërit që zuri, si njeri shpirtmadh e fisnik që ishte». —
Megjithëse ato që kemi thënë gjer tani mund të mjaftonin për vërtetësinë e çështjes në fjalë, unë do të shtoj edhe disa gjëra nga mëndja ime, të cilat ndihmojnë tepër për ta ndriçuar punën e familjes së Kastriotëve. Duhet të dimë, d.m.th., se është një pjesë e vogël e Epirit apo Shqipërisë, që sot në kohën tonë quhet zakonisht nga Epirotët dhe bashkëkombasit tanë — As. Pranë këtij vëndi janë vendosur e ndodhen Pulatasit [22] dhe Dukagjinasit, popullsi shqiptare. Përmes këtyre popullsive dhe përmes maleve shumë të larta rrëshqet lumi i shënuar dhe shumë i shpejtë Drin. Në këtë pjesë të Epirit, ndërmjet vëndeve malore të asaj krahine, ngrihet një fshat i njohur, i quajtur prej Askolëvet [23] Kastrat. Ky fshat bashkë, sigurisht, me shumë fshatra, bashtina, kështjella e qytete të tjerë, që ndodhen në vëndet më të ashpra të malevet, u sjell dëme jo të pakta mësymjevet dhe sulmevet të Turqvet. Për shkak të pozitës shumë të fortë të malevet dhe të këmbënguljes së banorëvet, ky, bashkë me vëndet që zumë në gojë, nuk e duron zgjedhën turke; prandaj gëzon një famë e lavdi të madhe pranë këtyre popujve, të cilët shpesh herë me forca të pakta i shpërndajnë turmat numeroze të Turqvet, (të cilat i quajnë sanxhakë), i vënë në ikje dhe i mbajnë larg kufijvet të tyre. Të drejtën dhe pushtetin mbi këtë fshat e pretendon për vehten e saj një familje e përmëndur dhe shumë e vjetër ndërmjet bashkëvëndasve tanë, e quajtur Kastrati. Prej kësaj familjeje kanë dalë shumë burra të respektueshëm për mençurinë dhe trimërinë e tyre luftuarake. Nga këta burra ata, që edukohen sipas normavet kristiane, sjellin shërbime të shquara në luftën kundër Turqvet, kurse ata që rrëmbehen prej Turqvet që kur janë fëmijë, ose prishen, kur rriten, nga marrëzitë [24] muhamedanë prej vetë perandorit turk, ose ngarkohen gjithmonë me detyra tepër të rëndësishme, si Jenicerë, spahij, sanxhakë, pashaj e me shumë të tjera, sipas zakonevet që kanë. Këtë e konfirmojnë Soranxi, Jovio, Analet Turke dhe shumë të tjerë, të cilët referojnë se komandantët më trima dhe më të dalluar të perandorit turk dalin nga Shqipëria. Unë për shumë arësye guxoj ta pohoj si të vërtetë se nga ky vënd e nga kjo familje kanë dalë ata që quhen zakonisht «Kastriotë» . Së pari, se me këtë mendim është në pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit, gjë që unë e kam patur shumë parasysh në çështjen që shqyrtojmë. Sepse ato që ne trashëgojmë nga etërit dhe gjyshërit, ua lëmë me lehtësi pasardhësvet tanë, sidomos kur është fjala për gjëra të shquara e që vlejnë të mbahen mënd, sipas fjalës: «Pyet babanë tënd e do të t’i tregojë të parët e tu». (Deuter. 32). — Pastaj është nevoja të merret parasysh se, që nga koha e Skënderbeut e gjer tani, nuk ka kaluar aqë kohë, sa që të jetë shlyer e harruar çdo kujtim i tij e i njerëzvet të tij nga bashkëkombasit tanë. (Sepse këta e kanë zakon që të këndojnë gjithmonë nëpër gostitë e tyre, ashtu siç bënin të vjetrit, për origjinën dhe veprat e paharrueshme të burravet të tyre të shkëlqyer.) Dhe është aqë e pabesueshme sa edhe qesharake të pohosh se, sikurse gabojnë fare lehtë pak njerëz në çështje shumë të vjetra të lashtësisë [25], po ashtu gabon një popull i tërë i një krahine, që të mos them i një mbretërie, shumë të gjërë.
Argumenta të tjera për këtë mendim dhe supozime të shumta jo të parëndësishme, po i lë mënjanë. Vetëm do të parashtroj në favor të këtij opinioni rëndësinë e jashtëzakonëshme të Analevet të Raguzës, të cilën duhet ta çmojë shumë në këtë punë kushdo që e di kujdesin e veçantë të Raguzinëvet në shqyrtimin e çështjevet të Orientit. Këto Anale flasin për origjinën dhe përmbajnë kujtime të çmueshme të të gjitha familjeve, që kanë patur një farë rëndësie në ato anë. Sepse Raguzinët, (që të hesht për pjesë të tjera të botës; se është e ditur që këta kanë penetruar gjer në Indi e në krahinat e Etiopisë, nga ku sjellin në Europë sasira të pabesueshme pasurish), i bien an’e mb’anë botës, e vizitojnë bregdetet më të vetmuara të Lindjes, Arabinë, Egjyptin e vënde të tjera shumë të largëta, e së këndejmi kthehen tek ne me sigurinë më të madhe dhe me anijet të ngarkuara plot e përplot me mallra. Dhe këtë e bëjnë, sepse gëzojnë privilegje shumë të mbëdha e përjashtohen nga detyrime gjithashtu shumë të mëdha nga ana e Perandorit të Turqvet, kështu që, nga pangopësia e pamasë që ka ky për të sunduar, ata e ruajnë me lavdinë më të madhe lirinë natyrale të tyre. Mbi gjithë këto vjen pastaj fqinjësia shumë e afërt e tyre me Epirotasit, sepse janë kufitarë dhe ngjitur pjesës së Shqipërisë, që shtrihet në brigjet e detit Adriatik. Bile, kur Gjergj Skënderbeu i dërgonte ndihmën e tij ushtarake mbretit të Napolit kundër Galëvet, udhëtimin e tij e bëri përmes vëndit që zotëronin Raguzinët, nga të cilët edhe u prit me nderimet më të mbëdha e më madhështore për gjithë kohën, që qëndroi në Raguzë . Skënderbeu nuk e harronte këtë të mirë që pati nga Raguzinët, prandaj ai pas kësaj u tregua në të ardhmen shumë mik i tyre.
Analet, pra, shumë të vjetra të këtyre, ndërsa bëjnë fjalë për një farë mbreti të vogël apo dukë, i cili kishte vendosur të sulmonte Epirin, [26] japin edhe këto informata në gjuhën italiane, që unë, si zakonisht, po i parashtroj këtu fjalë për fjalë, me qëllim që të mos dyshohet se u kam bërë ndonjë ndryshim. «. . .Pastaj u kthye pranë ushtërisë, në dëm të Shqiptarëvet. Por mbasi mori vesh pregatitjet që bënin Turqit nga brënda, dhe Jan Kastrioti, Zoti i Krujës, Familja e të cilit ka dalë nga Kastrati, një katund në juridiksionin e Asit në Shqipëri, pak larg lumit Drin, . . . etj.». Dhe në buzë të fletës, ku ne i lëxojmë këto fjalë, është ky shënim: «Nga pat origjinën e saj familja e Kastriotëvet».
Këto janë informatat që përmbahen atje [27]. Por me gjithë këtë, unë nuk mund të kaloj në heshtje, ndërmjet të tjerësh, dy nga heronjtë e panumurtë të familjes Kastrati, të cilët janë gjallë gjer më sot. Njeri nga këta është turk , tjetri i krishterë. I pari u rrëmbye që fëmijë nga duart e prindërvet të tij katolikë prej një farë Turku Epirotas [28], që mban emrin Isuf Beg dhe që është nga më të fuqishmit e kohës sonë. Mbasi u edukua ndërmjet oborrtarëvet të këtij si pas zakonit turk, u la pastaj i lirë e mbas pak vjet shkoi në Stamboll, ku u nderua me gradën e Spahiut. Po të përjashtojmë marrëzitë muhamedane, ky është një burrë trim, i urtë dhe i pajisur me dhunti të tjera të shquara. Tani jeton pranë njerëzvet të tij, i mbuluar me lavdinë më të madhe, e quhet Mustafa Kastrati.
I dyti është dhënë plotësisht mbas normavet të Krishtit dhe është prijës, ose, siç thonë Epirotët, Kefalias i atyre të krishterëve, që, siç thamë, nuk e durojnë dot tiraninë turke. Quhet Gjon, (d.m.th. latinisht: Joannes) [29] dhe është një luftëtar pararojë i palodhur i krishterimit. Duke dhënë çdo ditë prova të shkëlqyera të burrërisë së tij, po tregohet kështu trashëgimtar i denjë i lavdisë dhe trimërisë stërgjyshore.
Për këtë familje unë nuk pata mundësi të gjurmoj tani për tani fillimin dhe vargun e origjinës së saj më të vjetër; nuk do të mërzitem ta bëj në të ardhmen. . Me gjithë këtë nuk e gjej pa vënd që të bëj këtu vetëm një vërejtje, d.m.th. se Jani, prindi i Skënderbeut tonë, quhet prej disave Iban, princ shumë i fuqishëm i Tribalëvet. Unë kam arësye të mos dyshoj për këtë, sepse vëndet, që sundonte ai, kanë qenë kufitarë me ato të popullsivet tribale dhe sepse nën sundimin e tij pati shumë Tribalë, që banonin në disa vënde të Epirit. Nga këta ka marrë emrin edhe Sfjetigradi, fjalë kjo e gjuhës ilirike [30], që do të thotë «qytet i shënjtë». (Sfjetigradi, sipas mendimit të të gjithëvet, ndodhet në Shqipëri). Mund të shikohet për këtë çështje Barleti, i cili e dëshmon fare qartë se në kohën, kur sundonte në Epir Skënderbeu, Dibra e sipërme banohej prej Tribalësh, të dhënë krejtësisht pas zakonevet greke. Nuk ka gjithashtu dyshim se Abati Mavro Orbini, njeri i rrahur me vaj e me uthull, më mirë se kushdo tjetër, në punët e historisë dhe ndriçues, i palodhur i kombit të tij, [31] do ta kishte shënuar edhe Skënderbeun tonë bashkë me Iriliket apo sllavët, kur përmënd duket dhe princët e shquar të fisit ilirik apo sllav dhe prek përmbledhtas e me shumë kujdes veprat e tyre, po ta kishte gjykuar se kjo do të mund të ishte në harmoni me të vërtetën historike, së cilës ky auktor i është përmbajtur me ngulmin më të madh. E me gjithë që ai e ka patur volinë në shumë raste ta bënte këtë, prej tij del konkluzioni i kundërt, sepse, siç duket nga sa janë thënë më lart, ai e quan sheshit Skënderbeun tonë Shqiptar dhe Epirotas.
Pastaj, në rast se ndryshimi i shënjavet apo diademavet tregon ndryshimin e një familjeje, atëhere edhe nga kjo pikë kyçe do të mund të konstatohet se Skënderbeu ynë nuk ka rrjedhur në asnjë mënyrë nga familja e Margnaviçëvet. Siç del qartë nga Barleti dhe nga privilegjet e Familjes imperiale të Flav Engjellit , ky princ shumë i fuqishëm përdorte një shqipe dykrenore mbi një fushë të kuqe. Këtë stemë Skënderbeu e pat prej të parëvet dhe stërgjyshëvet të tij. Familja e Margnaviçëvet, përkundrazi, ka patur shumë pak shënja të këtij lloji dhe kjo duket qartë nga Orbini në «Gjeneologjinë e Margnaviçëvet». Por kjo duket edhe nga vetë Tomku, i cili thotë se ka qënë prej kësaj familjeje të Margnaviçëvet dhe prandaj ka përdorur shënjat e saj dhe është kujdesur, në një mënyrë që s’është parë gjer më sot, të pikturohen në tiaren e tij.
Gjithashtu nuk mund të mos merret në këtë rast si një argument i rëndësishëm dashuria e pabesueshme e Epirotasvet kundrejt Skënderbeut, sepse me siguri që ata nuk do ta kishin dashur aqë tej mase, sikur Skënderbeu të mos ishte Shqiptar. Kjo është e qartë, sepse Shqiptarët nuk luftojnë me qejf nën një prijës prej kombësie të huaj. Dhe që e kanë dashur sa s’ka ku të vejë më, duket sheshit nga puna se ushtarët e tij, (siç lëxojnë nëpër historitë) shumë shpesh hidheshin në rreziqet më të mbëdha, për të mbrojtur vetë Skënderbeun. Dhe vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkombasit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimërinë e tij nëpër gostitë, siç thamë, dhe e quajnë Skënderbeun tonë, për antonomasi , me emrin e shquar «Kulçedra e Arbënit», d.m.th. dragoi i Epirit. [32] Dhe sa herë që shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu. —
Nga të gjitha këto që kemi thënë, del pa tjetër ky konkluzion: nëse s’gabon Tomku, kur thotë që Skënderbeu ka qënë sllav, atëhere gabojnë kaqë shkrimtarë, princër dhe mbretër, kur pohojnë se Skënderbeu ka qënë Epirotas apo Shqiptar. Por nëse gabojnë tërë këta shkrimtarë shumë të rëndësishëm e të dëgjuar, tërë këta princër të shkëlqyer dhe të shquar e gjithë këta mbretër të ndritur e të fuqishëm që kemi përmendur, dhe mbi të gjitha nëse gabon mendimi i përgjithshëm i kombit tonë, apo Tomku, që punon për qëllimin e vet, këtë s’ka njeri që të mos e shohë.
Më në fund, duke lënë mënjanë gjithë ato që Tomku ka trilluar këtu, sipas zakonit që ka, për gruan e perandorit të Turqvet Selim, nuk mund të mos çuditem së tepërmi me paturpësinë e tij, që të mos them me paqëndrueshmërinë dhe mëndjelehtësinë e këtij kundërshtari. Sepse ky, megjithëqë ka lindur në Dalmaci, në mbretërinë më fisnike të të gjithë kombit ilirik , në qytetin e shquar të Dalmacisë Sicencë, por nga një familje e panjohur, (sepse Tomku është aqë larg nga familja e Margnaviçëvet sa fundi i tokës nga pika më e lartë e qiellit [33], guxon, me pacipësinë më të madhe, të na shitet herë për Niseas, herë për Boshnjak, por kurrë për Dalmatas.
Për në rast se ti, o Tomko, dëshiron madhërinë, skeprat, kurorat dhe diademat perandorake, kujton se Dalmacia nuk do të të mbushë me mbretër e princër tepër të fuqishëm, me perandorë e monarkë të hyjnishëm të Romanëvet? Nëse kërkon palmat [34] dhe triumfet prej purpuratësh [35] të hyjnishëm, tiarat dhe shënjat e kryevalltarëvet, [36] a nuk t’i shtron ty këto përpara, sa që të mos i numërosh dot, kori i shënjtorëvet dhe i pontifikëvet më të mëdhenj, Dalmacia që i lindi? Nëse kërkon fisnikëri dhe lashtësi origjine për fisin tënd, vepra heroike fushatash ushtarake dhe trimërira luftëtarësh, burra shumë të dëgjuar për studimet e pasionuara të tyre në punët e paqes dhe të luftës, morinë e kështjellavet dhe të qytetevet më të fortifikuara; nëse dëshiron, më në fund, trimërinë e pashoqe, jetën elegante të qytetevet, shënjtërinë, a nuk do t’i gjesh, vallë, të gjitha këto me bollëk tek Dalmatët? [37]
Çfarë shkëlqimi, pra, i siguron Tomku vehtes pranë Boshnjakëvet të tij, kur s’ka shpresë ta gjejë këtë në vëndin e lindjes së tij, në Dalmaci?
Por Dalmatët sigurisht që ja dinë origjinën Tomkut dhe prandaj ky, me që s’puth në shkëlqimin e tyre, është futur në birucat e Boshnjakëvet .
— FUND —
FOOTNOTES
D.m.th. nga mbretëria e t’et. — Sh. p. ↩︎
Barleti, Lib. II faq. 55-56 (Edicioni i vit. 1537) Veç të tjerave, letra ngreh në qiell lavdinë e Skënderbeut. — Sh. p. ↩︎
Barleti, Libr. II. faq. 40 (Bot. 1537 — nga fjala e Skënderbeut në mbledhjen e Leshit) — Sh. p. ↩︎
D.m.th. Skënderbeu e quan Krujën si atdhe të veçantë. — Sh. p. ↩︎
Në kuptimin shpirtëror. Papa quhet «atë» shpirtëror i të krishterëvet Vetë fjala «Papë» do të thotë babë, atë. — Sh. p. ↩︎
D.m.th. të Sulltanit. — Sh. p. ↩︎
Këta formojnë, siç dihet, vetëm gardën mbretërore të Skënderbeut, (praetoria cohors — Barleti). Sh. p. ↩︎
Sulltanit. ↩︎
Papa Pius II. — Papa është me Ferdinandin. — Sh. p. ↩︎
Më 1466, Qershor. — Sh. p. ↩︎
Shqiptar (turqisht arnaut). — Sh. p. ↩︎
D.m.th. në të njëjtin vit me Margarita Sarrokin. — Sh. p. ↩︎
Rima, në shqip nga prof. V. Bala. ↩︎
Në origjinal ka «praepositus», titull i përgjithshëm, që nuk specifikon detyrën. Shiko shënimin përkatës (Nr. 205). — Sh. p. ↩︎
D.m.th. Murati i II, i cili mori peng Skënderbeun më 1421, bashkë me tre bijtë e tjerë të Gjon Kastriotit. — Sh. p. ↩︎
Shënimi duhet të jetë i Papa Piut II. Duket, pra, se Papa Piu riprodhon nga mëndja e tij, d.m.th. letra s’është, ndoshta, origjinale, nga dora e auktorit. — Sh. p. ↩︎
Frëngj ose Galë është po një gjë. — Sh. p. ↩︎
D.m.th. Kruja — Sh. p. ↩︎
D.m.th me armë të dërguara nga Alfonsi. Skënderbeu i thekson Antonit në këtë mënyrë aleancën e tij të ngushtë me Alfonsin. — Sh. p. ↩︎
D.m.th. se, kur Skënderbeu i përgjigjet Jan Antonit, lufta është në vazhdim. — Sh. p. ↩︎
Vërë re ironinë e qëlluar të Bardhit. — Sh. p. ↩︎
Banorët e Pultit (Pulatit), Pultasit. — Sh. p. ↩︎
Banorët e Asit. — Sh. p. ↩︎
Marrëzi muhamedane (muhametica deliria) quan Bardhi «tepërimet» muhamedane në përgjithësi, të kuptuara jo vetëm në anën morale. — Sh. p. ↩︎
Vërë re këtë mendim të rëndësishëm të Barletit. — (Shiko hyrjen). — ↩︎
Kush është ky? — S’kemi mundur ta identifikojmë — Sh. p. ↩︎
D.m.th. në Analet e Raguzës. — Sh. p. ↩︎
D.m.th. Muhamedani shqiptar (shiko shën. Nr. 220). ↩︎
D.m.th. Jan. — Sh. p. ↩︎
sllave — Sh. p. ↩︎
D.m.th. sllav (shiko shën. Nr. 72) ↩︎
Bardhi shënon në originalin: «Culcedra e Arbenit» dhe këtë e shpjegon latinisht: «Draco Epiri», që do të thotë «dragoi i Shqipërisë». — Sh. p. ↩︎
Do thonim sot: «Sa nadiri nga zenithi». — Sh. p. ↩︎
Palma — dafine: metaf: fitore. — Sh. p. ↩︎
Purpuratë — të veshur në të kuq. Quheshin kështu oborrtarët e mbretit. — Sh. p. ↩︎
D.m.th. mitrën episkopale dhe shënjat e tjera episkopale. — Sh. p. ↩︎
Vërë re këtu ironinë e pamëshirshme prej mjeshtri të Bardhit. — Sh. p. ↩︎
Frang Bardhi