II. SHËNIMET
-
— Epirotas. — Përdoret gjithkund me kuptimin e fjalës shqiptar, shpesh paralelisht me të. Me vendosjen e sllavëvet në Ballkan, (definitivisht në shekullin e VII, v. 641) fjala Ilir, Iliri etj., ka marrë kuptimin e fjalës sllav dhe me këtë kuptim sillet në shkrimet e kohës. Kështu edhe Epiri = Shqipëria etj.
-
— Nxënës i kolegjit «de propaganda fide». — Është kolegji në Romë (Collegio Urbano) i «Shintësë Fe», siç thotë Bardhi në parathënien e fjalorit të tij, d.m.th., është kolegji nën kujdesin e «Kongregacionit të Shënjtë», të «Kuvendit të Shënjtë». Në këtë kolegj vinin e studjonin të rinj nga të gjitha anët e botës. Kuvendi i Shënjtë ka patur si detyrë kryesore të tij mbrojtjen dhe përhapjen e fesë katolike në botë; prandaj ai i jepte rëndësi pregatitjes së kuadrove të kishës për këtë nëpër kolegjet dhe veçanërisht në seminaret. Një mjet tjetër i tij ka qënë shtypi. Kuvendi botonte e përhapte libra të ndryshme theologjike, filozofike etj. në gjithë botën. Kështu «Kongregacioni apo Kuvendi i Shënjtë» ka qënë në realitet «dikasteri papal», që drejtonte tërë aktivitetin misionar të kishës katolike. Bardhi erdhi në Romë pas studimevet të tij në kolegjin e Loretos.
-
— Sapë. — Bardhi thotë se «Sapa quhet popullorçe nga Shqiptarët Zadrimë». Epishkopata e Zadrimës përbëhej nga pesë gjymtyrë me qendër Sapën. (Shiko për këtë relacionin e Bardhit Kongregacionit (kuvendit) të Shënjtë të propagandës, botuar në buletin e shk. shoqërore nr. 2, vit 1956, faqe 265, me përkthim e shënime të I. Zamputi).
-
— Sardanje. — (Sardë). Njera nga të pesë gjymtyrët e kishës së Sapës, me kishë famullitare. — (Shiko shën. 3).
-
— Administrator i popullsive të tjera. — Bardhit i është ngarkuar kujdesi dhe administratimi i Pultit dhe i dy gjymtyrëvet (rrethevet) të tjera, që përfshiheshin në kishën e Sapes, d.m.th. në Episkopatin e Zadrimës. Shprehja «popullsi» do të thotë këtu «Banorë rrethi ose katundesh», siç e shpjegon vetë Bardhi në relacionin e tij, që përmendëm (Shiko shën. 3).
-
— Lejë e privilegjuar. — Në Venetik ishte vendosur «Censura e shtypit» që prej vitit 1527, e dekretuar nga këshilli i lartë i Senatit. Bardhi e ka siguruar aprovimin e Senatit për botimin e librit të tij. Thuhet se shkaku i vendosjes së censurës ka qënë botimi nga vëllezërit Bernardino dhe Mattheo di Vitali, tipografë të shquar në Venetik dhe, sipas Sabelicus, shqiptarë, i jë vepre me titullin: «Origjina e proverbavet vullgare», viti 1526.
7 — Ndihma e Venecianëvet Skënderbeut. — Duket qartë se Bardhi flet këtu sipas Barletit, i cili, në gjithë veprën e tij, s’ka dashur kurrë të nxjerrë nga goja «ndonjë fjalë të keqe për mbretëreshën e deteve», siç thotë F. Noli. E vërteta historike është se Skënderbeu s’ka pasur nga Venetia një ndihmë të tillë; përkundrazi, gjatë gjithë jetës së Skënderbeut, Venetia ka qenë një armike e hapur ose e fshehur dhe rrallë një mike e ftohtë, (nga fundi i jetës së Skënderbeut).
-
— Dëshira e fundit e Skënderbeut. — Bardhi edhe këtu flet me gojën e Barletit. E vërteta është krejt ndryshe. Nga historia dihet pa asnjë farë dyshimi se Skënderbeu nuk i la Venetisë as mbretërinë as fëmijët, asgjë. (Shiko hollësira për këtë: «Historia e Skënderbeut». F. Noli, botim 1921, faqe 12-13 etj.).
-
— Familja e Bardhëvet. — Në relacionin e lartpërmëndur (shën. Nr. 3) Kongregacionit të Shënjtë të propogandës, Bardhi thotë: «Dihet me siguri se nga ky katund (Nën Shati) kanë dalë katër epishkopë, d.m.th. Gjergj Suma, Tozol Bardhi, Nikollë Bardhi dhe i përmënduri Gjergj Bardhi, tani kryepishkop i Tivarit. Tre të fundit kanë hequr mundime të mbëdha për të drejtuar e për të mbajtur besimtarët e krishterë, që janë nën mizorinë muhamedane, tash e 90 vjet e gjer te epishkopi i tanishëm Frang Bardhi, i gjakut dhe pasardhës i tyre. Familja dhe fara e Bardhëvet është bujare në Shqipëri». — Gjergji ka qënë ungji i Frangut dhe paraardhës i tij, si epishkop i Zadrimës; pas vdekjes së Frangut (1643), ai kthehet përsëri në këtë vënd. — Këtu informohemi se familja e Bardhëvet krenohet edhe për burra të tjerë të famshëm, ndër të cilët përmënden prijsit ushtarakë Preng dhe Pavël Bardhi.
-
— Kryevalltarë. — Kemi përkthyer kështu termin latin praesul (=Prezul). sepse mendojmë se Frangu flet me figurë. Prezuj quheshin në historinë e Romës, priftërinjtë Salë, që ja fillonin të parët valles dhe e drejtonin atë nëpër rrugët e Romës gjatë festavet për nder të perëndisë së luftës Mars. Frangu, pra, i quan me figurë të qëlluar e plotësisht të përpiktë paraardhësit e tij kryevalltarë (= udhëheqës të kishës, prelatë para tij).
-
— Kisha Antibareze. — Është kisha e Tivarit, i cili quhej nga Grekërit dhe latinët Antibaris ose Antivaris.
-
— Për gjithë këto nderime. — Bardhi ngreh kështu lart emrin e familjes së tij, duke përmëndur (shën. nr. 9) gjithë këta tituj të nderuar të burravet të shquar, dhe thekson njëkohësisht besnikërinë e tyre ndaj Republikës Veneciane.
-
— Koha e shkurtër. — Bardhi ka vetëm 15 ditë në dispozicion për të hartuar veprën. Preokupimet, tronditjet dhe ngatërresat e tjera, për të cilat flet Bardhi këtu, janë kryesisht telashet e nisjes nga Roma për në Zadrimë, si epishkop i saj. (shiko shën. Nr. 16).
-
— Familja e Margnavíçëve. — Tomku përpiqet ta nxjerrë këtë si një familje bujare arkondësh, që lidhet me Kostandinin e Madh. Por Bardhi e provon se kjo familje rrjeth nga Marko Margnava, bujar sllav i shekullit XIV. (shiko shën.: Marko Margnava Nr. 33).
-
— Jan Tomku. — Një sllav bashkëkohës i Bardhit, njeri i ditur, siç e thotë vetë Bardhi. Ky kërkon ta nxjerrë Skënderbeun me origjinë sllave dhe vehten e tij pasardhës të familjes së Margnavíçëvet. Bardhi ja heth poshtë pretendimet e tij.
-
Nisja nga Roma. — Bardhi ka ardhur në Zadrimë me detyrën e epishkopit në vitin 1636, në muajin Janar ose Shkurt. Kjo del nga letrat, që Bardhi i dërgon Kongregacionit të Shënjtë, një vit pas marrjes në dorë të epishkopatit të Zadrimës, më datë 8 shkurt 1637. Bardhi, para se të niset, qëndron 15 ditë në Romë, për të hartuar veprën në fjalë, në mes të telashevet dhe preokupacionevet të nisjes. Fakti që Bardhit i jepen 15 ditë lejë për këtë qëllim, tregon se vepra hartohet me pëlqimin e superiorëvet të tij (= të Kongregacionit të Shënjtë).
-
— Shumë pak ka të bëjë me Shqiptarët: — Bardhi nuk e quan të nevojëshme me doemos që të shqyrtojë punën e familjes së Margnavíçëvet, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut; ai e bën këtë për hir të dëshirës së miqvet të tij. Por, me gjithë këtë, duke hedhur poshtë pretendimet absurde dhe shpifarake të Tomkut, Bardhi konsolidon konkluzionet e tij. Bardhi shqyrton veçanërisht punën e Skënderbeut në pjesën e dytë të veprës së tij. (Shiko hyrjen).
-
— Nisa. — Është Nishi i sotëm, qytet i Jugosllavisë. Qyteti është shumë i vjetër, kryeqytet i Ilirëve Dardanë, vendlindja e Konstandinit të Madh. Në shekullin X pushtohet nga Bullgarët, por Emanuel Komneni (1143-1180) e ripushtoi. Pas këtij qyteti bie në duart e Serbëvet. Këtu Stefan Nemania, Jupan i madh i Serbëvet, priti më 1189 Frederikun I, të quajtur Barbarosa (Aenobarbus), në krye të kryqëzatës së III-të.
-
— Konstandini i Madh (306-337). — Ndër të tjera, Konstandini e shpalli fenë e krishterë si fenë zyrtare të perandorisë, prandaj ai quhet «christianissimus» nga Bardhi. Kisha e ka qujtur shënjt dhe e lut më 21 Maj. Duhet shënuar se në kohën e Konstandinit sllavët s’ishin dukur në Ballkan, prandaj pretendimet e Tomkut s’kanë bazë historike.
-
— Bogomili-Theofili (?) Tomku duket se përkthen këtu fjalën Bogomil (— bog=zot, perëndi, mil = i dashur) me fjalën greke Theofil. Bogomilët kanë qënë edhe një sekt fetar në mesjetë, mjaft të dëgjuar.
-
— Justiniani (527-565), perandori i shquar bizantin me origjinë Iliriane, d.m.th. shqiptare. Si pas F. Nolit, ka lindur në një Ishat afër Krujës (Kashar).
-
— Diplomë. — Kuptimi ad literam i fjalës është: send i palosur më dysh. Me këtë emër thuhej çdo shkresë (akt) i autoritetevet kompetentë, me anë të së cilës ndokujt i ngarkohej zyrtarisht ndonjë funcion ose i akordonte ndonjë privilegj. Këtu diploma është një akt zyrtar i sovranit (mbretit). Si pas autoritetit që i lëshonte, diplomat ishin të ndryshme edhe në formë, si nga shkrimi, letra, vula etj.
-
— Mbret i Hungarisë Matthia Korvini (1458-1490). — Është nga mbretërit më të ndigjuar të Hungarisë, bir i Jan Huniadit të famshëm, lindur më 1440 dhe kurorëzuar mbret më 1458, një vit pas vdekjes së papritur të t’et. Korvini luftoi kundër gjithë familjevet aristokratike, që ishin rivale të fronit dhe kundërshtare të Huniadëvet, të cilat, pas vdekjes së Jan Huniadit, ngritën krye. Kundërshtar i Korvinit në fillim ka qënë edhe daja i tij Mihail Zilagi, por më në fund ky e mori nën kujdestarinë e tij nipin, duke e emëruar guvernator i mbretërisë. Korvini i vuri si qëllim vehtes çlirimin e Evropës nga Turqit, si edhe të bëhej perandor i Gjermanisë, por asnjerit prej këtyre s’ja arriti. Me gjithë këtë ai u bë mbret i shumë vëndeve, si i Bohemisë, Moravisë, Silezisë, i Austrisë dhe i Stirisë. Korvini është i dëgjuar edhe si mbrojtës dhe përkrahës i humanizmit. Në oborrin e tij mblodhi humanistët më të dëgjuar nga jashtë, krijoi i pari «bibliotekën korvine», tipografinë e parë në Hungari etj.
-
— Këto. — (shiko përcaktimin e hollsishëm të këtyre në diplomën e Matthias, faqe 32-38).
-
— Nikifori. Manueli. — I pari është Nikifor Fokai, perandor i Bizantit për shtatë vjet (963-969). I dyti është Manuel Komneni, perandor i Bizantit (1143-1180).
-
— Balduini. Me këtë emër njihen dy perandorë në historinë e Bizantit: a) Balduini i I-rë (1204-1205), perandori i parë i Latinëvet (Frengjvet) pas pushtimit të Stambollit më 1204; b) Balduini i II-të (1239-1261), i cili e humbi Stambollin, që e ripushtoi Mihail Paleologu (1261). Këtu është fjala për Balduinin e dytë.
-
— Senator Konstandinopolitan. — Perandoria bizantine, për t’i tërhequr më lehtë pas vehtes prijësit e popujvet që sundonte ose që ishin rreth saj, u akordonte atyre tituj të ndryshëm.
-
— Mihail Paleologu. — (1261-1282). — Perandori bizantin, që dboi Latinët nga Stambolli (1261) dhe e ripërsëriti kështu perandorinë e Bizantit, e cila vazhdoi të jetojë edhe dyqind vjet akoma (1453).
-
— Jupani i Madh. — Sllavët, të cilët u vendosën në Ballkan, e ruajtën organizimin shoqëror patriarkal të tyre në zhupanie (lat. juppa), d.m.th. në fise e tribu, në krye të të cilavet qëndron zhupani ose jupani (çobani!). Zhupania përbëhet nga bashkimi i shumë familjeve, në krye të të cilavet qëndronte starosti (starost=plak, i vjetër). Zhupani është një kryestarost etj.
-
— Samueli (980-1014). — Mbreti i famshëm bullgar për luftrat kundër Bizantit. Organizoi një shtet të madh, i cili përfshinte edhe Shqipërinë.
-
— Stefan Nemania. — Me emrin Nemania është e njohur dinastia mesjetare e Serbisë (Rashës). Themeluesi i kësaj është Stefan Nemania (1130-1196), Jupan i Madh. Kjo dinasti ngrihet në mbretëri nga zhupanat i madh që ishte prej të birit të Nemanas në fjalë, Stefan Nemania i I, (1196-1227), i cili më 1217 u kurorëzua mbret nga papa Onori i III-të. Këtu është fjala për këtë Stefan Nemania. Stefan Dushani e ngriti dinastinë Nemania në perandori (1346). Më 1371 mbaron dinastia Nemania dhe prej 1389 gjer më 1459, kur pushtohet plotësisht nga Turqit, është periudha e despotisë. Gjithë dinastët Nemania mbajnë si emër të parë emrin Stefan.
-
— Rasha (Rashka) — Është Serbia me kuptimin e parë të fjalës, që përfshinte krahinën rreth lumit Rashka me qytetin Ras, pranë Novipazarit të sotëm. Nemanasit i shtrinë kufitë e saj dhe kështu Rasha (ose Rashka) bëhet bërthama, nga dolli mbretëria Serbe. Latinisht shënohet: Rascia.
-
— Princi Marnavë. — I biri i Lourinit dhe babë i mbretit Vukashin. (Shiko shënimin Nr. 71: Vukashini).
-
— Starost (— i vjetër, plak). Shiko shën. Nr. 29.
-
— Gjuha Ilirike (gjuha sllave) Shiko shën. Nr. 1.
-
— Stanisha-Konstandin etj. — Duket se Bardhi e njeh gjuhën sllave; ndryshe s’mund t’i bënte këto diskutime.
-
— Manueli ka hipur në fron më 1143, jo më 1133. Duket se gabimi vjen nga shkrimi me germa i numurit, sepse ndryshe Bardhi nuk mund të thoshte: «mbi 170 vjet» etj.
-
— Eneu, bir i Afërditës. — Eneu ishte bir i heroit të Trojës Ankis, me të cilin perëndesha e bukurisë Afërdita ra në dashuri të zjarrtë dhe u takua me të mbi malin e Trojës Ide. Nga ky bashkim lindi Eneu, paraardhësi mitik i Romakëvet.
-
— Aleksandri, bir i Zeusit. — Aleksandri i Madh, si pushtoi Egjiptin, vizitoi tempullin e Amun Ra, i cili identifikohet me Zeusin e Grekërvet. Këtu priftërinjtë e Amunit e pritën me nderime, duke e thirrur «bir të Zeusit». — Bardhi tallet me ironi për pretendimet boshe të kundërshtarit të tij.
-
— E drejta e trashëgimit. D.m.th. se Manueli nuk mund të mos merrte parasysh veprimin e Niqifor Fokait, në rast se ky do të kishte njohur ndonjë Stanishë për arkond të Nisës.
-
— Familjes së Stanishës. — D.m.th. të Stanishës së parë.
-
— Senati i Romejvet. — Romej (Romani) janë tani Bizantinët, jo Romakët e vjetër. Fjala Romej merr më vonë kuptimin e fjalës «grek» (turqisht. Rum).
-
— Një Stanishë. — Bardhi e nxjerr Tomkun injorant dhe shpifës.
-
— Shumë Niqiforë. — Përveç Niqifor Fokait, njihen edhe dy Niqiforë të tjerë perandorë të Bizantit. Niqifor i I-rë (802-811), i quajtur Logothetis, dhe Niqifori i III-të (1078-1081), i qujtur Botanjatis.
-
— Kont — princ. — Në hierarkinë feudale konti është në një gradë më të ulët se princi.
-
— Perandorët Romanë. — Janë perandorët e Bizantit, perandorët romej. Konstandini i Madh e quajti qytetin e ngritur prej tij, Bizantin, «Roma e re», duke dashur të tregojë kështu se Bizanti është vazhdim i perandorisë së vjetër Romake.
-
— Gotët dhe Bullgarët. — Gotët, që dallohen në dy degë kryesore, në Visigotë dhe Ostrogotë, u dukën së pari në Ballkan në shekullin e III-të të erës sonë. (Më 251 lufton e vritet kundër tyre perandori Decius dhe më 270 i mundi ata perandori Dalmat Klaudi pranë Nishit, në luginën e lumit Moravë etj.). Bullgarët u vendosën në Bullgarinë e sotme në shekullin e VI. Paralelizmi midis Gotëvet dhe Bulgarëvet, në pikpamje të kohës, duket, pra, i pa vënd.
-
— Nemania. — Është fjala për themeluesin e dinastisë Nemania, për Jupanin e Madh Stefan Nemania (1130-1196), i cili ndër vëndet e tjerë pushtoi edhe Nisën më 1187, ku më 1189 priti perandorin e Gjermanisë Federik Barbarosën. (Shiko shën. Nr. 18 dhe 31). Kreshimiri dhe Mirosllavi janë vllezër të këtij Stefani.
-
— Para pak kohe. — D.m.th. më 1187 (shiko shënimin Nr. 48).
-
— Ardhjen e perandorit = D.m.th. të perandorit të gjermanisë.
-
— Ofrojnë ndihmë etj. — Dihet se Stefan Nemanija themeluesi i dinastisë Nemanija, në aleancë me Venetikun, Hungarinë dhe Perandorinë e Perëndimit, si dhe me perandorinë bullgare të ripërtëritur, luftoi ashpër kundër Bizantit, pushtoi shumë qytete të perandorisë Bizantine, si më 1187 Nisën etj. Më 1189, kur në Nisë erdhi Barbarosa, Nemania i premton ndihmë kundër Bizantit, aleancë, dhe, bashkë me bullgarët, ndihmë ushtarake. Por Barbarosa i qëndroi besnik traktatit të Nirembergut të vitit 1188, të lidhur me Isak Angjelin (1185-1195 dhe 1203-1204).
-
— Kalopetri. — I vëllai i Asanit (ose Asenit), mbretit të Bullgarisë. Një vëlla i tretë i Asanit është Jani, i cili njihet me emrin Kalojani. Ndoshta këtu bëhet konfondim.
-
— Asan. — Me këtë emër njihen disa mbretër bullgarë të mbretërisë së II-të, që formojnë dinastinë Asen. Mbretëria e parë bullgare fillon me vendosjen definitive të Bullgarëvet në Ballkan, në Bullgarinë e sotme (Misi) në shekullin VII (641) dhe mbaron me Samuelin (1014). Mbretëria e II-të fillon me dinastinë Asen, që vazhdon për 70 vjet (1187-1257). Krijuesi i kësaj është Jan (Ivan) Aseni ose Asani i I (1187-1196), i quajtur edhe Belgun. Asani i ofroi Barbarosës 40.000 ushtarë kundër Bizantit, por Barbarosa e refuzoi këtë ndihmë. (Shiko shënimin Nr. 51).
-
— Enobarb (lat. Aenobarbus=mjekërkuq). Është Friderik, (ose Federiku) i njohur me mbiemrin Barbarosa, që do të thotë mjekërkuqi.
-
— Lufta e shënjtë. — Është fjala për kryqëzatën e III-të (1187-1190), në të cilën merrnin pjesë, përveç perandorit të Gjermanisë Friderik Barbarosës, edhe mbreti i Francës Filip i II-të, si dhe mbreti i Anglisë Rikardi i II-të, zëmërluani. Këjo Kryqëzatë i nxori telashe të mbëdha Bizantit, dhe me gjithë marrëveshjen e Barbarosës me Isak Angjelin më 1188, (shiko shën. Nr. 51), ai hyri me ushtërinë e tij në Stamboll (më 1189, pas largimit nga Nisa), ku kaloi dimrin. Në pranverë u hodh në Azinë e vogël kundër Selxhukëvet, të cilët i mundi. Por ndërsa kalonte një lumë, u mbyt dhe ushtëria e tij u shpërnda. Kjo është «ekspedita aziatike» e tij.
-
— Grekërvet, d.m.th. Bizantinëvet.
-
— Udhëtonte së bashku. — Nga kjo duket qartë se Tagenoni është një shkrimtar bashkëkohës i Barbarosës dhe i Nemanias, i cili e shoqëron Perandorin në ekspeditën e tij të lindjes.
-
— Ekspedita aziatike. — shiko shënimin Nr. 55.
-
— Si ja ka rrëfyer vetë Nemania. — Bardhi me të drejtë supozon se Nemania do të ketë rrëfyer e folur për pushtimin e Nisës nga ana e tij më 1187, në kohën që i propozon Barbarosës aleancë kundër Bizantit, me rastin e pritjes që i bën këtij në Nisë dy vjet pas këtij pushtimi, më 1189, me qëllim kryesor që të vërë në dukje dobësinë e perandorisë bizantine dhe ta bindë kështu me lehtë për dobinë e kësaj aleance.
-
— Marko Margnava. — (Shiko shënimin Nr. 33 dhe 71 e 86).
-
— Perandori Stefan. — Është fjala për Stefan Dushanin (1333-1355), i cili mori titullin e Perandorit më 1346 dhe e ngriti kështu dinastinë e Nemaniavet në perandori. (shiko shënimin Nr. 31).
-
— Simeoni. — Stefan Nemania, themeluesi i dinastisë, më 1196 ja la fronin të birit Stefan dhe vetë u bë monak (murg) në malin e Shënjtë (Ajon oros). Këtu themeloi manastirin e Hilandarit, ku vdiq më 1200. Serbët e ngritën në shejt me emrin Simeon.
-
— Sava. — (1174-1235), i biri i tretë i Nemanias, vëlla i mbretit Stefan Nemania, kryepeshkop i parë i Serbëvet, ndërtues i manastirit të famshëm Ziça ku miroseshin mbretërit e ardhëshëm serbë, krijuesi i kishës autoqefale Serbe.
-
— Senator i Stambollit — Shiko Shën. Nr. 27.
-
— Niqifor Gregoraj (1296-1360) — Humanist bizantin, kronikan i dëgjuar. Vepra kryesore e tij është: «Historia bizantine», në tridhjeteshtatë libra.
-
— Familja e Engjëjvet. — Familje imperiale bizantine, nga e cila e hiqnin fillin e tyre edhe Aranitasit.
-
— Bogdan-Deodat. — Bardhi përkthen latinisht fjalën sllave Bogdan (Bog-zoti, dan-dare). Deodat (— deus-zoti, dare-me dhanë) është baras me emrin Theodhor, Dhori etj.
-
— Jan Kantakuzeni. — Perandor i Bizantit (1341-1355), dhe pas vitit 1355, shkrimtar veprash theologjike dhe historike.
-
— Tribalët. — Popullsi thrake, që banonte në Misinë e poshtme (Bullgari); shpesh, në shekujt e mesëm, quhen edhe Bullgarë. Susmani përmëndet si mbret i tyre në mesjetë.
-
— Bazileus. — Do të thotë pikërisht rex, d.m.th. mbret. Bardhi, pra, me të drejtë e akuzon Tomkun, se i bie në qafë kot Kantakuzenit.
-
— Vukashini. — Merr emrin mbret më 1366 nga perandori Urosh i IV. (1355-1371), bir të Stefan Dushanit, themeluesit të perandorisë Serbe (1346). Vukashini u vra në luftën e Çernomjanit mbi lumin Marica (Hebros) më 1371. Kështu Bardhi hedh poshtë pretendimet e Tomkut, që e shpie fillin e familjes së tij gjer te Konstandini i Madh. Vukashinin e pasoi mbreti i famshëm i Serbisë, Lazar Hrebljanoviç, i cili ra heroikisht në luftën e Kosovës më 1389. — Pas tij fillon despotia.
-
— Mavro Orbini. — Shkrimtar sllav i shekullit XVI. Ka shkruar veprën me rëndësi për sllavët: «Historia e sllavëvet».
-
— Perandori Stefan. — (Shiko shënimin Nr. 61).
-
— Blagai. — Duhet të jetë kështjella e princit Marko Margnava.
-
— Uroshi — Është Uroshi i IV (1355-1371), i fundit i dinastisë Nemania.
-
— Emrin e mbretit. — Duket se Vukashini është regjent në fillim e pastaj bëhet perandor, d.m.th. sundimtar sovran.
-
— Stefani. — d.m.th. Stefan Dushani.
-
— Vritet nga Vukashini. — Në vitin 1371. Po në këtë vit vritet në luftë edhe vetë Vukashini. (shiko shën. Nr. 71).
-
— Tartarësh. — Më drejt: «Tatarësh». — Tatarët janë një popullsi, që përfshihet në grupin turkotatar të homofilisë mongole. Fjala Tatar në gjuhën Marxhurjane d.m.th. shigjetar dhe nomad. Kanë qënë të famshëm për egërsinë e tyre. Hordhitë e Xhengis Hanit, që sulmuan Evropën në shekullin IX, u quajtën Tatarë. Trajta: «Tartar» ka ardhur nga konfondimi me fjalën e vjetër: «Tartaros=sketerrë».
-
— Fushatë kundër Turqvet. — Është lufta kundër Turqvet në Çernomjan më 26 shtator 1371, ku serbët e bregun e djathtë të lumit Marica (Hebros), ku serbët pësuan katastrofë të plotë. Kjo luftë shënon fillimin e rënies së mbretërisë unike të Serbisë, rënie që plotësohet me luftën e Kosovës më 1389, ku u vra mbreti i fundit i Serbisë, Lazar Hrebljanoviç, pasardhës i Vukashinit (Shiko shën. Nr. 71).
-
— Laoniku (1430-1490). — Është Laonik Kalkokondili, kronikan i shquar bizantin, nga Athina. Ka shkruar histori për ngjarjet e shekullit XIV dhe të shek. XV (në 10 libra). Emri i tij lidhet me historinë e Skënderbeut.
-
— Leunklavi (ose Leonklavi) (1533-1593). — Emri i tij është Jan Leonklavi (gjermanisht: Leowenklau). Ka qënë linguist, historjan dhe jurist gjerman. Si nënpunës pranë ambasadës imperiale në Stamboll, mësoi turqishten, vizitoi Turqinë dhe kështu ka mundur të shkruajë edhe vepra historike mbi Turqinë (si: «Annales sultanorum othomanidorum, historiae musulmanicae, në 18 libra etj.).
-
— Lazari. — D.m.th. Lazar Hrebljanoviçi (1371-1389), i cili konsiderohet si mbret i fundit i Serbisë, e saj mbas Vukashinit. (Shiko shën. Nr. 71).
-
— Murati. — D.m.th. Murati i I-rë (1362-1389), pasardhësi i Orhanit (1326-1359) dhe i treti sulltan i perandorisë otomane. Murati u vra në luftën e Kosovës (1389).
-
— Huniadi. — Është fjala për Jan Huniadin e famshëm, i cili do të dalë në shesh më vonë, në gjysmën e parë të shekullit 15 (shiko shënim Nr. 113). Bardhi e ka fjalën këtu pikërisht për këtë ngjarje të mëvonëshme.
-
— Marku (i biri i Vukashinit) (1371-1394). Pas luftës së Çernomjanit (1371), Marku nuk iu nënështrua Hrebljanoviçit, por qëndroi si mbret i vogël (kraljeviç) më vehte, duke pasur nën sundimin e tij një krahinë të vogël rreth kështjellës së Prilepit, ku banonte. U bë vasal i turqvet, me të cilët luftoi kundër princit rumun Mirçe dhe në këtë luftë (1394) vritet, siç e përshkruan Bardhi. Marko (Kraljeviçi) është një figurë e poezisë epike sllave, si hero kombëtar i tyre, që përmëndet edhe në legjendat tona (si në ciklin e Mujo-Halilit).
-
— Kundër të krishterëvet. — Sepse Markoja luftonte për krah Bajazitit të parë (1389-1402), kundër princit rumun Mirçe etj. — (shiko shën. Nr. 86).
-
— Balsha. — Themeluesi i dinastisë së Balshëvet është Balsha i I-rë, i cili, pas vdekjes së Stefan Dushanit (1355), u deklarua më vehte dhe e zgjeroi sundimin e tij edhe në Mal të Zi (Zeta), në një pjesë të Boshnjës dhe të Herzegovinës, të Dalmacisë e të Maqedhonisë. Balsha i I-rë: «Ngjalli perandorinë iliriane» (F. Noli). Të bijtë e tij ishin Shtrasimiri, Gjergji, Balsha (i II-të), që sundojnë pas vdekjes së babës së tyre (1379). Dinastia mbaron me Balshën e III (1422).
-
— Zeta. — (apo Xeta, Ceta). Zeta është emri më i vjetër i Malit të Zi. Zeta në fillim ka qënë një principatë e vogël me qendër politike qytetin Doklea, në vëndin ku derdhet lumi Zeta në Moraçën. Krahina është quajtur kështu nga emri i lumit. Emrin «Mal i Zi» e ka nga shek. XV, kur u duk dinastia e Çernojeviçëvet (= e të zezëvet) etj.
-
— Kështjella e Re. — Është quajtur kështu në mesjetë Elbasani i rindërtuar nga Murati i II më 1467 mbi qytetin e vjetër Skampa. Në gjuhën greke u quajt Neokastron (= Kështjella e Re), kurse në lat.: Terranova, me kuptimin e fjalës terra=kështjellë.
-
— Mbret i Turqvet. — Sulltani quhet pa dallim herë mbret, herë perandor dhe herë sulltan.
-
— Murati. — Është fjala për Muratin e II (1421-1451). Gjon Kastrioti, siç dihet, u detyrua t’i japë peng fëmijët (djemtë) e tij këtij Sulltani, nga mbarimi i vitit 1421. Tomku, pra, na e nxjerr Gjon Kastriotin bir të Vukashinit. Bardhi do t’i përgjegjet mirë më poshtë e do t’ja mbyllë gojën këtij trillonjësi «të kobshëm».
-
— Barleti (Marin Barleti). — Prifti Shkodran Marin Barleti është historjani me famë shqiptar, që ka jetuar në shek. e XV, bashkëkohës i Skënderbeut. Vepra kryesore e tij është historia e Skënderbeut (De vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis); por ai ka shkruar edhe një vepër «mbi rrethimin e Shkodrës», si edhe një biografi të Papëvet. — Kuptohet se Barleti shkruan latinisht.
-
— Ferras. — Ferrai është një qytet i Thesalisë, atdheu i poetit të njohur grek, Riga Fereut.
-
— Gjergj Brankoviçi (1427-1456). Është pasardhës i xhaxhajit të tij Stefan Lazaroviç (1379-1427), që pasoi Hrebljanoviçin. Pas luftës së Kosovës më 1389, që hap rrugën e Turqvet për pushtimin e plotë të Ballkanit, princët serbë ndjekin një politikë filoturke, për t’i shpëtuar robërimit të tyre të plotë dhe të paevituëshëm. Kështu spjegohet fakti se Stefan Lazareviçi lufton për krah Bajazitit edhe në Ankara kundër Tamerlanit (1402), se Gjergj Brankoviçi lidhet me Muratin dhe i jep vajzën për grua etj. Por, kur gjendja e Turqvet keqësohet, këta ngrihen kundër tyre; ndjekin, pra, një politikë të lëkundëshme.
-
— Dhendërr i Lazarit. — (Shiko shën. Nr. 95).
-
— Konte-ja — Është juridiksioni i një konti.
-
— Stefan Tvartkovi. — Është mbret i Boshnjës, i biri dhe pasardhësi i Tvartkos I (1354-1381). Stefan Tvartkovi ka luftuar bashkë me mbretin e Serbisë Lazar Hrebljanoviçin dhe me Buk Brankoviçin në Kosovë (1389). Tvartkovi i I, pas vdekjes së Stefan Dushanit, u kurorëzua «mbret i Serbisë, Boshnjës etj.», duke e shtrirë sundimin e tij gjer në Adriatik e në Veri. Stefani i quan këto pushtime «toka të prindërvet të mij».
-
— Mungesa e konstruksionit etj. — Duhet të theksojmë se diploma në fjalë është me të vërtetë një shëmbëll tipik i mungesës së konstruksionit të fjalëvet dhe i kuptimit të mendimevet. Të përpiqesh t’i japësh asaj kuptim, do të thotë të ndryshosh tekstin. Bardhi e godit bukur kundërshtarin edhe nga kjo anë.
-
— Lufta e Kosovës. — Në fushën e Kosovës janë bërë dy luftra kundër Turqvet pushtonjës, e para më 1389, si u tha, ku mori pjesë edhe gjyshi i Skënderbeut, Gjergj Kastrioti, dhe e dyta më 1448, kundër Muratit të II. Këtu është fjala për luftën e dytë, ku luftonte Huniadi dhe mbreti Ladislav. Në të dy këto luftëra Turqit fituan.
-
— Gjergj Dhespoti. — D.m.th. Gjergj Brankoviçi, i cili mbas luftës së Varnës, humb çdo shpresë pavarësie. Titullin «Dhespot», në të vërtetë e pat së pari Stefan Lazaroviçi.
-
— Vojvodë. — Është kryesisht titull ushtarak. Jan Huniadi ka qënë Vojvodë i Transilvanisë, ku kishte fortesën Huniad, dhuratë të mbretit Sigismont babës së tij Voiko. Nga fortesa u mbeti emri «Huniad». Është heroi i shquar i Hungarisë, si Skënderbeu për ne.
-
— Stiria — Krahinë e gjerë e Austrisë së sotme.
-
— Markez (gjerm. markgraf). (nga fjala marka=kufi) Është një titull në hierarkinë feudale, në fillim kont i kufirit, d.m.th., në krahinat kufitare.
-
— Harroi mirësitë. — Hungarezët patën ndihmuar Brankoviçin kundër Turqvet, si më 1433, ose më 1443 etj., në luftën e tij për të ripushtuar fortesat, që ja rëmbenin turqit, si p.sh., qytetin e fuqishëm Semendria. (Shiko shën. Nr. 152).
-
— Zmiderovia. — Është trajta e latinizuar e fjalës Smederovo, që është emri i një qyteti serb; njihet sidomos me emrin Semendria, kështjellë e fuqishme dhe e fundit e Serbisë, që ra në dorë të Turqvet (1459). Pas kësaj date Serbia bëhet një krahinë turke (pashallëk).
-
— Janko Semendri. — D.m.th. Jan Huniadi, ndoshta, sepse në këtë qytet-fortesë u mbajt nga Gjergj Dhespoti, pas 1448 (ose 1444).
-
— Mbreti i Hungarisë. — D.m.th. mbreti Vladislav (i quajtur Vladislav i fundit = Postumus ose Postimus).
-
— Misia. — Misia (në Europë) përfshinte Serbinë dhe një pjesë të Bullgarisë (Misia e poshtme).
-
— Gjergj Vukoviçi. — D.m.th. Gjergj Brankoviçi ose Dhespoti. Quhet Brankoviç nga gjyshi i tij Branko, që ka qenë guvernator i Ohrit në kohën e Stefan Dushanit; quhet Vukoviç (ose Bukoviç) si bir i Vukut ose Bukut, princ në krahinën e Prishtinës. Ky quhet edhe Lozogël.
-
— Titull që iu ngjit etj. — Me sa dihet, titullin dhespot e mori i pari Stefan Lazareviçi, në kohën që kthehej nga Ankaraja përmes Stambollit në Serbi, nga Jan Paleologu (1402) (shiko shën. Nr. 95).
-
— Familje fisnike etj. — Njihet si themelues i dinastisë së Brankoviçëvet Brankoja ose Brankoviçi etj. (shiko shënim Nr. 110).
-
— Lufta e Varnës. — Bëhet më 1444 kundër Turqvet, nën Huniadin dhe mbretin e Hungarisë dhe të Polonisë Vladislav. Gjergj Dhespoti i Serbisë nuk mori pjesë në këtë luftë kundër Turqvet. Përkundrazi mori anën e tyre, duke penguar edhe Skënderbenë të bashkohet me Hungarezët. Turqit fituan në këtë luftë për gabimin e Ladislavit (Vladislavit) (shiko shënim Nr. 120).
-
— Mehmeti. — D.m.th. Mehmeti i II (1451-1481), që zuri këmbën e t’et. Qe sulltani më i egër i Turqisë, që u mat me Skënderbenë dhe, pas vdekjes së këtij, përfundoi pushtimin e Ballkanit.
-
— Jan Kapistrani (1386-1456). Misionar apostolik i shquar i kishës katolike. Ka zhvilluar një aktivitet të gjerë misionar në favor të papës në shumë vende, si në Francë, Siqeli, Austri, Poloni, Hungari etj. Më 1456 luftoi bashkë me Huniadin në Beograd kundër Turqvet. Katolicizmin e ka shpallur shënjt.
-
— Traditat e urta etj. — Nuk duhet menduar, ndoshta, për paganizmë, por për rezistencë kundër katolicizmit në Serbi.
-
— Grua Muratit. — Gjergj Brankoviçi u detyrua t’ja japë për grua të bijën Muratit pas 1433, kur u mund në luftën rreth qytetit Galamboc. Sulltani nuk donte ta pranonte, por u bind nga vezirë, i tij, që Gjergji e pat blerë me ryshfet. Sulltani, me gjithë që u bind, nuk e priti mirë të bijën e Gjergjit, por e futi në haremin e tij bashkë me gratë e tjera të shumta, si shënjë përbuzje. Këtë ngjarje ka parasysh Bardhi, kur thotë se Gjergji «provoi të dhëndërrin përmes së bijës».
-
— Atëhere. — D.m.th. në kohën e pregatitjes së luftës së Varnës, më 1444.
-
— Jan Transilvani. — Jan Huniadi (shiko Shën. Nr. 102).
-
— Dikur. — Si, p.sh., më 1443 për të ripushtuar fortesa të okupuara nga Turqit. Gjergji luftoi bashkë me Hungarezët kundër Turqvet, të cilët u dërmuan nga Huniadi (Nish, 1443). Murati u detyrua t’i kthejë Gjergjit Serbinë dhe të nënëshkruajë traktatin e paqes të Segjedinin (1444). Huniadi, si shpërblim, i mbajti Gjergjit disa qytete. Kjo e bëri Gjergjin të anojë përsëri nga Murati dhe prandaj në luftën e Varnës (1444) është kundër Hungarezëvet dhe Skënderbeut (shiko shënim Nr. 113).
-
— Çlirimi i Skënderbeut. — D.m.th. largimi i Skënderbeut nga shërbimi i tij në ushtrinë e Sulltanit, gjatë luftës së Nishit mbi lumin Morava (1443). Vërë re se Barleti e quan, me të drejtë, çlirim këtë largim të Skënderbeut.
-
— Nëpër mes së bijës etj. — Shiko shën. Nr. 118.
-
— Ushtërinë mbretërore. — D.m.th. të Sulltanit (shiko shën. Nr. 91).
-
— Si armik. — D.m.th. kundër princit të Molldavisë Vllad i III, i cili është aleat i Turqvet në këtë rast. Vllahija dhe Molldavija, me gjithë këtë, kanë luftuar heroikisht kundër Turqvet.
-
— Besnikërinë e Grekërvet. — Murati i II, si edhe i ati Muhameti i I, kishte marrëveshje paqeje me Bizantinët (Grekërit), por këto shkeleshin, si pas rastit. Dihet se Huniadi u shty për luftën e Varnës jo vetëm nga papa i Romës, por edhe nga Jan Paleologu, me të cilin Murati kishte traktat paqeje (shiko shën. Nr. 126).
-
— I hoqën shpresën etj. — Dihet se Murati gjeti rezistencë në kalimin e Ngushticavet nga flota Bizantine dhe e aleatëvet të tyre, me gjithë traktatin e paqes që kishte bërë me Janin e VIII Paleologun (1423-1448) me 1423. Filipi është këtu duka i Burgundisë (Borgonjës) (1419-1467) i quajtur «conditor Belgii» dhe tek i cili Papa Nikolla i V pati shpresa për të luftuar Turqit.
-
— Disa të krishterë. Dihet se këta janë Gjenovezë.
-
— Aziani. — D.m.th. Murati, në këtë rast.
-
— Që i kishin ardhur në ndihmë. Në të vërtetë në luftën e Varnës luftuan kryesisht Hungarezët dhe Polonezët. Princi i Molldavjanëvet Vllad i III, (i quajtur edhe Drakul), tradhëtoi e u lidh me Turqit.
-
— Erdhën… në Maqedhoni. — Kjo tregon se Skënderbeu nuk mori dot pjesë në luftën e Varnës dhe se tek ai drejtohen mbeturina të ushtrisë Hungareze, që po kthehej në vend.
-
— Të disa njerëzve të tij. — Janë bujarë hungarezë, që urrejnë Huniadin dhe e shtyjnë mbretin, në dyshime për Huniadin. Vladislavi hypin në fron të Polonisë më 1434, në moshë tetëvjeçare. Më 1440, kur vdiq mbreti i Hungarisë Albert (1437-1440), ky u zgjodh mbret edhe i Hungarisë me emrin Ladislav, me përkrahjen e Huniadit dhe kundër mbretëreshës së ve, Elisabetës, dhe përkrahësvet të saj. Në këtë luftë të Varnës ai ishte vetëm 18 vjeç dhe prandaj ra në grackë të bujarëvet me lehtësi.
-
— Qytet të fortifikuar. — Semendria (ose Smiderovia), ku mbahej Huniadi. (Shiko shën. Nr. 106). Një version tjetër thotë se Huniadi u kap jo nga Gjergj Brankoviçi, por nga princi i Molldavisë Vlladi i III (Drakul).
-
— Nikolla Doglioni. — Shkrimtar italian i shek. të XV. Shkruan në shembullin e Pausanisë, si periegjet (= οι[η]γητ[ή]πες).
-
— Kraljeviç. — D.m.th. bir mbreti (shiko shën. 86).
-
— Bajaziti i I. — (1389-1402), pasardhës i Muratit të I. Lufta e Vllahisë, ku vritet Marku, bëhet nga Bajaziti kundër Vojvodës Mirçe, më 1394. Në këtë luftë e ndihmonte Bajazitin edhe dhespoti (kryezoti) i Serbisë Stefan Lazaroviç. Bajaziti i I u zu rob nga Temerlani në luftën e Ankarasë më 1402 dhe vdiq. (Shiko shën. Nr. 95).
-
— Ahmeti apo Gendiku. — Është fjala për shqiptarin Ahmet Gjedik Pashën, i cili më 1480 zbriti nga Vlora në Otranto të Italisë. Ka qënë një nga strategët më të mbëdhenj të Turqisë, siç e tregon dhe titulli «pushtues». Këtë titull, siç dihet, e mbante sulltani Mehmet i II, si pushtuesi i Stambollit (1453). Gjediku, që Jovio e quan Akomat (=Ahmet), vihet kështu pranë sulltanit, nga zotësia.
-
— Jovio (1483-1552). — Historian italian, historiografi kryesor i rilindjes italiane. Ka shkruar shumë vepra historike, si «mbi jetën dhe vepratë e sulltanëvet», «Jetëshkrimet e burravet të shquar» etj. Vepra më e madhe e tij, për të cilën punoi 30 vjet, është «Historia e kohës së tij, libr. 35».
-
— Bajazit. — D.m.th. Bajazit i II (1481-1512), që zuri vëndin e Mehmetit të II.
-
— Prijësit e vjetër. — D.m.th. Komandantët e mëparshëm të ushtërisë turke, që kanë luftuar kundër Shqipërisë në kohën e Skënderbeut (shiko shën. Nr. 168).
-
— Becihemi (1468-1526). Marin Becihemi ka lindur në Shkodër dhe u largua nga atdheu i tij më 1477, kur qyteti u rrethua nga Turqit. Ka qënë njeri me kulturë të gjerë për kohën e tij dhe ka shkruar vepra të ndryshme.
-
— Ptolemeu (Klaudi). — Ptolemeu është shkrimtari i famshëm Aleksandrin (astronom, fizikant, gjeograf etj.), që ka jetuar në shek. II (100-178). Sistemi gjeocentrik i tij në astronomi sundoi për 13 shekuj dhe vetëm Koperniku (1474-1543) e zëvendësoi me sistemin heliocentrik. Vepratë e tij janë të shumta, ndër të cilat edhe «tregime gjeografike», në 8 libra (Γεωγραφικήφη ὑγησις).
-
— Rozaci (Josif) (1530-1620) Mjek dhe gjeograf italjan. Është i njohur për veprat gjeografike të tij, si p.sh. «Bota dhe pjesët e saj» (D.m.th. Europa, Asia, Afrika, Amerika). — U kujdesua për botimin e gjeografisë së Ptolemeut.
-
— Volaterrani. — Shkrimtar Italian, lindur në Valterra më 1522. Vepra kryesore e tij shënohet: «Commentarii Urbani», një lloi enciklopedie në 38 libra, nga të cilat 12 të parat i referohen gjeografisë, 11 të tjera biografivet të njerëzvet të shquar dhe të tjerat shkencavet të kohës.
-
— Sorani (?)
-
— Botteri (Jan) — (1533-1617). Auktor veprash të ndryshme, ndër të cilat një gjeografi, ku përshkruan gjithë pjesët e botës. — Vërë re se Bardhi përdor edhe burimet gjeografike kundër pretendonjësit të çfrenuar Tomko.
-
— Loniceri. — Ndoshta, Bardhi ka parasysh humanistin gjerman Johann Lonicerin, (1499-1569), njeri i dëgjuar për kohën e tij, shkrimtar veprash të ndryshme.
-
— Kruja-Shkodra. — Janë qytetet e fundit që ranë, pas betejash të ndryshme, dhe si kish vdekur Skënderbeu, në duar të Mehmetit të II. Kruja ra më 1478, Shkodra më 1479.
-
— Bredhin në gjithë rrezullin e dheut etj. — Duhet vënë re, së pari, mendimi shumë përparimtar i Bardhit, «se gjuha është shënjë dallonjëse e një kombi». Bardhi është kështu një nga paralajmëronjësit e rrugës së rilindasvet. Së dyti, bredhja e burrave në tërë rruzullin e dheut tregon se, për Bardhin, ky është një mjerim kombëtar, rezultat i pushtimit turk.
-
— E vërteta — atdheu. — Duhet të shohim këtu një nga shprehjet më të thella dhe më esenciale të karakterit dhe të shpirtit të Bardhit. Ai nuk mendon t’i shërbejë atdheut në baza të padrejta, t’i japë atdheut çka s’i takon, por në bazë të drejtësisë të mos lejojë t’j merret atij ajo çka i përket. Në këtë mënyrë Bardhi mbron edhe me forcë atdheun e tij.
-
— Para ardhjes së Turqvet në Europë. — Dihet se Turqit shkelën për herë të parë në Europë më 1353, kur Sulejmani, i biri i Orhanit, pushtoi një kështjellë të vogël në Thrakë (Xhymbën), që u bë baza e parë e sulmit të mëtejshëm për në Europë. Më 1363 Murati i I pushtoi Adrianopojën, të cilën e bëri kryeqytet të tij.
-
— Princi i Zirforëvet Lazar. — Është fjala, ndoshta, për Lazar Hrebljanoviçin.
-
— I ktheu mbretërinë etj. — (shiko shën. Nr. 120).
-
— Tomko Margnaviçi. — D.m.th. jo kundërshtari i Bardhit, por një paraardhës i Tomkut, kont.
-
— Si Akilin. — D.m.th. e mbrojtës të tij.
-
— E peshon me kandarin e argjëndarit. — D.m.th. e çmon për së tepërmi, si argjendari floririn.
-
— Biri Marko — nipi Goiko. — Biri Marko, kuptohet i biri i Vukashinit, Marko Kraljeviçi, kurse nipi Goiko mbetet i pacaktuar. Por, siç thotë Bardhi, Tomko s’ka gjë të saktë e të përcaktuar historikisht, veçse në raste shumë të rralla.
-
— Mihail Zilagi — dajë i Korvinit, i biri Mihaili i nënës së tij, vllai i nënës së tij, Elisabetë, gruas së Huniadit. Person politik i dëgjuar për kohën e tij.
-
— Na takon Ne etj. — Në historinë e mesjetës Hungaria shpesh herë ka ushtruar influencën e saj në forma të ndryshme mbi Serbët, Boshnjakët etj. Hungarezët edhe kanë sunduar, për shëmbëll, në Boshnjë, sidomos në shek. XI-XIII.
-
— Baron. — Titull fisnikërie në hierarkinë feudale. Fjala ka kuptimin: njeri i fuqishëm, zotëronjës, sundimtar.
-
— Dioklia. — (Shiko shën. Nr. 89).
-
— Starostati. — (lat. Starostatus). Juridiksioni, vendi, ku sundon starosti, si principati, dukati etj.
-
— Vula pendente (lat. sigillum pendens). D.m.th. vulë e varur, jo aderente. Kjo është forma kryesore e diplomavet (—dokumentavet sovrane) prej shek. XIV., kurse letrat e hapura ose të mbyllura më të zakonëshme kanë vulë aderante (sigillum adhaerens) (Shiko edhe shën. Nr. 22).
-
— Festa e gjithë shënjtorëvet. — Më 1 Nëntor të çdo viti.
-
— Gjithë Orientit etj. — D.m.th. se Skënderbeu njihet nga të gjithë popujt dhe shkrimtarët se është shqiptar. Bardhi thekson këtu edhe njëherë përpjekjen prej çarlatani të Tomkut.
-
— Zgjeroi edhe më tepër etj. — Skënderbeu, passi erdhi në Shqipëri, brënda një muaji ripushtoi principatën atërore dhe njëkohësisht edhe e zgjeroi atë përtej Drinit, duke pushtuar fushën e Mokrenës. Por Skënderbeun e njohën, në të vërtet, dhe si mbret të Shqipërisë, mbi gjithë princët e tjerë.
-
— Jan Baptista Pigna (1530-1575). Shkrimtar i dëgjuar për kohën e tij, kancelar i Alfonsit të II dhe historian zyrtar i tij. Ka shkruar shumë vepra letrare (tregime, komedi etj.), si dhe «Historinë e princërvet Atestinë» (Shiko shën. 192).
-
— Pashë. — Në origjinal ka Baskë (Basca), por nuk duhet kuptuar si emër i përveçëm, sepse dihet që Sulltan Murati ia ktheu Gjergjit mbretërinë, i shtyrë sidomos nga vezirët e tij, që kishin marrë ryshfet prej Gjergjit. Në këtë peshoi edhe ndihma Hungareze, dhënë Gjergjit. (Shiko shën. Nr. 118 dhe 120).
-
— Gjashtëdhjetëvjeçar etj. — Dihet se në vitet e fundit (1464-1467) Skënderbeu përballoi trimërisht vështirësitë më të mbëdha të brëndëshme dhe të jashtme. Luftrat më heroike kundër komandantëvet të dëgjuar turq, si Sheremeti, Ballaban Pasha, dhe vetë Mehmetit të II, etj., janë zhvilluar në këtë kohë.
-
— Para perëndimit (vdekjes) së tij. — Si pas Bardhit, këtu vdekja e Skënderbeut del më 1462, gjë që s’është e vërtetë, siç dihet Shkënderbeu ka vdekur më 1468 (17 Janar).
-
— S’ishte kurorëzuar mbret etj. Korvini sillet si i kurorëzuar mbret më 1458. Duket se Bardhi këtu gabon.
-
— Bonfini (Andon). — Historian humanist, lindur më 1427. Vdiq në Budë rreth 1505 në oborrin e mbretit Matthia Korvini, i cili i pat ngarkuar të shkruajë historinë e Hungarisë. Për këtë vepër Bonfini kishte marrë titullin: «Hungaricarum rerum decades». Ka shkruar dhe vepra të tjera.
-
— Busbekvi. — (1522-1595). Diplomat, arkeolog, natyralist dhe shkrimtar, lindur në Flandër (Francë). Si diplomat ka qënë dërguar sidomos në Stamboll. Si natyralist me famë solli në Europë shumë bimë. Nga shkrimet e tij, të famëshme janë letrat mbi Turqinë, që konsideroheshin si historia më e mirë për Turqinë. Letrat mbajnë titullin: «A. G. Busbequi, legationis turcicae Epistolae IV». Këto ka parasysh Bardhi.
-
— Është për t’u vënë re indinjacioni i thellë i Bardhit në këtë rast, që e ndjen vehten të detyruar të mprojë Heronë e tij kundër princësh të panjohur. Bardhi shpreh këtu me madhështi adhurimin për «Heronë» kombëtar dhe krenarinë e thellë të tij kombëtare.
-
— Vulkogli — Duhet të jetë Gjergj Brankoviçi (Dhespoti), si bir i Vukut ose Bukut (— Vulkut, Bulkut) (Shiko shën. Nr. 110).
-
— Daino. — Është qytet i njohur Deja (italisht: Dagno-Danjo).
-
— Komnenët. — Familja e Komnenëvet në Shqipëri është familja e arianitëvet, e cila ishte lidhur me shtëpinë imperiale të Stambollit, të Komnenëvet. Perandori i parë bizantin nga Komnenët është Isak Komneni (shek. XI.), nga një familje bujarësh e pronarësh të mbëdhenj prej Thrake (nga fshati Komne, nga ka edhe emrin). Këto lidhje të familjes së Komnenëvet shqiptarë përmenden që në shek. XIII.
-
— Bartoldi (Lat. Bartholdus) Emri i plotë i tij është Gjergj Bartoldi (— lat. Georgius Bartholdus) (shiko shën. 205).
-
— Mbret i Hungarisë dhe Polonisë. — (shiko shën. 113 dhe 131).
-
— Jan Karol Saraceni. — Shkrimtar italian i shek. XVI.
-
— Jakov Gordoni. (1541-1620). Skoces, bënte pjesë në shoqërinë e Jezuitëvet. Ka shkruar mjaft vepra, të cilat kanë më tepër interes theologjik.
-
— Cezar Kampana (1540-1606). Italian, historian. Është i njohur sidomos për dy vepra historike universale të tij, (e para në 4 libra dhe e dyta në 26 libra). Në kohën e tij këto vepra qumeshin si vepra model dhe i jepnin Kampanës nder e famë të madhe.
-
— Ematia. Është emri i vjetër i krahinës së Maqedhonisë, që përfshinte krahinat e sotme të qytetevet: Edesë, Veria, Njausha, bërthama e shtetit të mëvonshëm të Maqedhonisë. Pastaj Ematia u quajt në tërësi Maqedhonia. Tek Barleti Ematia (lat. Aematia) është Mati, jo Maqedhonia, (shiko F. Noli, «Historia e Skënderbeut», f. 50-51, v. 1921).
-
— Ferdinandi, i biri i Alfonsit, miku më i mirë i Skënderbeut. (shiko shën. Nr. 209).
-
— Këtyre ua zunë vëndin etj. Ferdinandi këtu flet për Skënderbeun me qëllim që të ngrehë lart e më lart personalitetin e tij, duke patur parasysh, ndoshta, krushqinë e Epirotasvet me shtëpinë mbretërore të Maqedhonisë (Olimbiadën, gruan e Filipit etj.). Por Skënderbeu dhe paraardhësit e tij s’kanë të bëjnë me Maqedhoninë.
-
Vetë perëndité. Nuk është puna, siç dihet, për paganizmin politeist. Me këto fjalë, që Barleti ja vë në gojë Skënderbeut, dëgjohet influenca e neopaganizmit të rilindjes mbi të (= Barletin).
-
— Papa Pius i II-të. — (Lindur më 1405 dhe papë prej 1458-1464). I njohur për ne lidhur me historinë e Skënderbeut, vdekja e papriturit të cilit dëmtoi përpjekjet e Skënderbeut. Ka qënë humanist i nxehtë dhe adhuronjës i antikitetit. Ka shkruar shumë vepra me karakter të ndryshëm (poezi, komedi, mbi edukimin e fëmijëvet etj.). Vepra më e mirë e tij është: «Commentarii», d.m.th. Kujtimet, në 12 libra, një lloi autobiografie lidhur me ngjarjet e kohës së tij.
-
— Jan Antoni. — Është Duka i Tarantos Jan d’Anzhu, nga familja frënge e Anzhuinëvet, armik i Ferdinandit, pra dhe i Skënderbeut. Skënderbeu e dërmoi në luftën e Ursarës më 1462. Jan Antoni pas kësaj shkoi në Francë e s’u kthye më.
-
— Stefani, mbreti i fundit i Boshnjës etj. — Është fjala për Stefan Tomasheviç (1461-1463), mbret i fundit i Boshnjës. Ky u zu rob nga Turqit dhe u vra. Bashkë me të bie nën Turqit edhe Boshnja. (shiko dhe shënimin Nr. 98).
-
— Sabeliku (Sabelicus — 1436-1506). Historjan humanist, italjan. Emri i vërtetë i tij ka qënë Merkanton Koçi. Ka shkruar shumë vepra historike, që i kanë dhënë emër, si «Historia e Venecisë, prej themelimit të Romës etj.», në 33 libra si dhe «Rapsoditë e historivet», një farë Historie Universale në 92 libra.
-
— Francisk Sansovini (1521-1583). Lindur në Romë, por jetoi në Veneti, i rrethuar me nderime të mbëdha nga senati. Ka botuar shumë vepra. Nga vepratë historike dy ja kushtoi historisë së veprimevet turke në Europë.
-
Lazar Soranxi (shek. XVI-XVII) Një nga burrat e shquar të familjes venecjane Soranxo (Surantius, Superantius), poet, jurist dhe historjan për perandorinë turke (otomane). «Otomanida», që citon Bardhi, është vepër e tij historike për Turqinë.
-
— Princët Atestinë. — Janë princët e familjes Atestine, nga qyteti Atestë, pranë Padovës. Kjo familje është e famëshme për degëzimet e saj (p.sh. Guelfët e Gjermanisë, Hannover e Anglisë etj). Pigna, pra, shkruan edhe historinë e kësaj familjeje shumë të vjetër (prej 996) që, ishin përhapur në qytete të ndryshme të Italisë.
-
— Armëpushim për një vit. — Në të vërtetë, siç dihet, Skënderbeu, para nisjes për në Itali në ndihmë të Ferdinandit (1461), bëri paqe me Sulltan Mehmetin për 10 (ose 3) vjet (Prill 1461). Por kjo paqe u prish shpejt.
-
— Insubrini. D.m.th. të Dukës së Milanit Francesk Sforca, aleat i Ferdinandit. Me Ferdinandin është edhe Papa. Insubrinët, historikisht, ishin popullsi kelte, e vendosur në Itali që në shek. V. para erës së re me qendër Milanin. Prandaj duka i Milanit quhet «Insubrin».
-
— Aleksandër. — Domethënë si Aleksandri (i Maqedhonisë), trim si Aleksandri. Skënder është transformimi i fjalës Aleksandër, (Aleksandër = ai që i spraps burrat, trimat).
-
— Fitorja e Huniadit pranë Moravës. — Domethenë pushtimi i Nisës, pranë Moravës, më 1443 (shik. shën. Nr. 120).
-
— Armatum. — Duhet të jetë gabim shtypi, (në vend të Arnautum = arnaut = Shqiptar).
-
— Arbanozium (lat. arbanosium). Duhet të shohim këtu trajtën Arbanoi-Arbën, Habroi etj.
-
— Petro Bembi (lindur në Veneti 1470). Filolog humanist, i dëgjuar në kohën e tij. Ka shkruar vepra letrare dhe një histori të Republikës Venecjane, në lib. XII.
-
— Tuberoni, dalmatas. Historjan i shek. XVI. Ka shkruar «Commentarii» etj., për historinë e periudhës 1490 gjer më 1522, në XI libra.
-
— Jan Baptista Marini (1569-1625). Poeti italjan, me vepra letrare të shumta të kohës, si vepra enkomiastike në vjersha, rima, vepra në prozë etj. Është nga përfaqësuesit kryesorë të «marinizmit», d.m.th. të artit barok (ana e konceptualizmit) në letërsi, të artit për art, të pasur në figura, hiperbola etj. por të varfër në përmbajtje, të «artit bosh».
-
— Margarita Sarroki (vdekur në Romë më 1618). Në fillim dashnorja dhe më vonë armike e egër e poetit Jan Baptista Marinit. Grua mëndjemprehtë dhe me kulturë të gjerë. Poeteshë e kohës, ka shkruar: soneta, letra erotike etj. Por ajo e ka lënë të pavdekshëm emrin e saj në historinë e letërsisë me poemën e saj prej 23 këngësh për Skënderbenë, me titullin: «La Scanderbeide», d.m.th. «kënga e Skënderbeut». Trimëritë e kryetrimit tonë, duket, i a kanë prekur zemëren e mëndjen kësaj gruaje e ky fakt është interesant.
-
— Jan Janov Rici. Duket që është poet italjan, bashkëkohës i Margarita Sarrokit. Me mbiemrin Ricci njihen mjaft dijetarë italjanë, sidomos piktorë.
-
— Tebani. Quhet kështu Herakliu (Herkuli), i cili, sipas mithologjisë greke, ka lindur në Tebë nga Amfitrioni (ose Zeusi) dhe nga Alkmena. Skënderbeu vihet këtu përballë e krahas herojvet mitikë.
-
— Gjergj Bartoldi (Bartholdus). Nga sa thotë edhe Bardhi, person i rëndësi i kohës, shkrimtar. S’kemi mundur të specifikojmë mirë detyrën e tij (praepositus) për mungesë informatash mbi jetën e tij.
-
— Jan Tarkognati (lindur nga fundi sh. XV. vdiq më 1566). Historjan italjan. Ka kryesisht vepra historike, por edhe përkthime dhe poezi të veta. Vepra historike kryesore e tij është: «Historitë e Botës», në 2 vëllime, që konsiderohen si përpjekja e parë e një historie universale të përbotëshme.
-
— Ta sillnje luftën në Itali etj. Do me thënë korespondenca zhvillohet në Itali, ku ishte hedhur Skënderbeu në ndihmë të Ferdinandit.
-
— Frëngjvet u përket mbretëria e Siqelisë etj. Në Itali kryqëzoheshin shumë ashpër interesat e Frëngjvet dhe Aragonasvet. Jan Antoni është Anzhuin (francez), kurse Ferdinandi aragonas (spanjoll). Shprehja e Jan Antonit tregon me forcë këtë antagonizëm për Siqelinë. (shiko shën. Nr. 212).
-
— Alfonsi (1416-1458). Është mbreti i Aragonës me emrin Alfonsi V, i Katalonjës (me emrin Alfonsi IV) dhe i Napolit, me emrin Alfons i I. Në Napoli erdhi i thirrur nga mbreti i mëparshëm i Napolit, Jani i II, kundër mbretit të Francës Luigji i III, i cili donte gjithashtu ta shtinte në dorë Napolin. U njoh mbret më 1442, d.m.th. një vit para kthimit të Skënderbeut në Shqipëri, dhe gjer ditën e fundit të jetës së tij, siç dihet, ka qënë miku më i mirë i Skënderbeut. Ferdinandin, të birin e tij e martoi me një princeshë të Tarantos, ku sundonte Jan Antoni, i cili, pas vdekjes së Alfonsit, kërkon të pushtojë Napolin, d.m.th. të nxjerrë jashtë Italisë Aragonasit. (shiko shën. Nr. 187 dhe 208).
-
— Pontifiku cakton mbretërit etj. Pontifik do të thotë: «prift që flijon mbi urë». Në Romën e vjetër përbënin klasën më të rëndësishme të priftërinjvet. Kryetari i tyre quhej Pontifex maximus. Me vendosjen e krishterimit Pontifex maximus (dhe shpesh vetëm pontifex = pontifik) u quajt Papa i Romës, si kryet e Kishës, ose, siç thonin, «episcopus episcoporum». Papa konsiderohej gjatë mesjetës si përfaqësuesi i Krishtit mbi tokë, prandaj, pa bekimin e tij, mbretërit nuk quheshin të autorizuar për të mbretëruar. Ekskomunikimi ishte armë e tmershme në duart e papës kundër mbretërvet të pabindur. Shëmbëllat janë të shumta në histori.
-
— Se sa flitet për to. Ndoshta Skënderbeu bën alluzion për pjesëmarrjen e Frëngjvet në luftrat kryqësore, që bëheshin, gjoja, për të mbrojtur «Vëndet e Shënjta» (Jeruzalemin) nga islamizmi. (shik. sh. Nr. 55).
-
— Armik i Galëvet etj. Anzhuinët, gjatë historisë së tyre, kanë qënë në marrëdhënie herë miqësore dhe herë armiqësore me shtëpinë mbretërore të Francës, herë vasalë të kësaj, herë më vehte, sipas rastit. Kështu p.sh., Anzhuinët i ngjiten shtëpisë mbretërore të Francës në sh. XIII, marrin pjesë në pushtimin e Siqelisë nga Francezët nën Karlin e I (1266) etj., kurse Jani III, më 1356, i ngreh në dukatë më vehte etj. Nga fundi i shek. XV Anzhuinët i aneksohen për gjithëmonë mbretërisë së Francës. Skënderbeu tallet me shijë me anzhuinin Jan, që kërkon të zërë vëndin e Alfonsit, por që s’ka këllqe. (shik. shën. Nr. 187):
-
— Nga Zoti etj. Në aleancë e përkrahje të Ferdinandit është edhe Papa (Pius i II) e kjo mund të krijonte përshtypjen se e drejta është me Ferdinandin në këtë luftë. E vërteta është se si Ferdinandi, si Jan Antoni luftojnë për interesa të tyre, si sundimtarë në një vënd të huaj. Por lufta e Ferdinandit dhe ekspedita e Skënderbeut në ndihmë të tij është plotësisht e drejtë — vetëm, po të merret si një luftë kundër një dobësonjësi të frontit të rezistencës kundër ekspansionit turk, gjersa Skënderbeu kishte ndihmë nga mbretërit e Napolit. Ne mendojmë se Skënderbeu në esencë këtë mendon në këtë rast.
-
— Lumi Lethë. Sipas mitologjisë greke, nga lumi Lethë pinin ujë të vdekurit për të harruar jetën e mëparshme, kur do të futeshin përsëri në trupa të tjerë (= metempsikozë). Në të vërtetë, është një shprehje figurative e vdekjes. Ad literam kuptimi i fjalës lethë është baras me kuptimin e fjalës «harresë». Grekërit thonin lumi i lethës jo lumi Lethë (= jo si emër i përveçëm). Bardhi tregohet edhe në këtë rast një ironizonjës plot shijë.
-
— Gjesti bujar i Pirros etj. Këtë gjest e përmënd edhe historjani Dionis Halikarnasi (Libr. XIX, 18) me këto fjalë: (Flet Pirroja): «Si mbaroj së foluri, mbreti u kënaq fort me fisnikërinë shpirtërore të Fabricit, e zuri për dore e i tha: «Tani nuk më vjen çudi më, pse shteti i juaj është i dëgjuar dhe pse ka një fuqi aq të madhe sundimi, kur paska burra të tillë. Unë, të them të drejtën, në fillim nuk desha të bëj asnjë lloj marrëveshje me ju. Po tani që Perëndia deshi të piqemi e të njohim fuqinë e virtutin e njeri tjetrit, jam gati të bëj paqe dhe, që të filloj unë i pari nga filantropia, për të cilën më fole më sipër, po ja fal qytetit tuaj gjithë robërit pa të holla». Skënderbeu e përsërit këtë gjest bujar dhe Bardhi krenohet për këtë.
-
— Jenicerë, spahij, sanxhakë, pashë. Jeniçerët thuhet se u krijuan në kohën e Orhanit (1326-1359) me propozimin e vezirit Çanderali. Jeniçerë (= ushtëri e re) ishin ushtarët më besnikë e më të egër të Sulltanit, të cilin e njihnin si të vetëmin baba të tyre. Spahij = Kalorës, sanxhak = kryetar i një sanxhaku ose i ushtërisë së një sanxhaku (= bejlerbeu).
-
— Kastrat — Kastriotë. Të njejtin mendim shpreh edhe F. Noli, 285 vjet pas Bardhit. (shiko F. Noli «Hist. e Skënderbeut» faqe 56, botim i vitit 1921).
-
— Raguza. (= Dubrovniku). Ka lojtur një rol me rëndësi në gjithë historinë mesjetare. Më 1526 vihet nën sovranitetin e sulltanit, duke i paguar një tribut vjetor e duke gëzuar privilegje të mbëdha. Fuqia detare e saj ishte nga më të mëdhatë dhe në shek. XVI-XVII, d.m.th. edhe në kohën e Bardhit, pati lulëzimin më të madh.
-
— Skënderbeu në Raguzë. Domethënë në vjeshtë të vitit 1461. Dihet gjithashtu se Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, ishte nderuar me titullin e nderit të qytetarit të Republikës së Raguzës.
-
— Turk — i krishterë. Bardhi nuk bën dallimin midis turk, që tregon kombësi, nga muhamedan, që tregon besimin fetar.
-
— Kefalias ose Qefalias (nga kefali — kokë), d.m.th. kryezot.
-
— Ta bëj në të ardhmen. Premtimi i Bardhit tregon dëshirën e tij për të ndriçuar nga çdo anë e mundësi çështjet e historisë së popullit të tij. Bardhi është një patriot i flaktë e mëndjegjerë.
-
— Familja e Flav Engjëllit. Bardhi e shënon «augustissima familia Angelae Flaviae». Duket se është familja e princit shqiptar Andrea Flav Komnen Engjëllit, nga dera Engjëlli. Është, pra, fjala për një familje shqiptare të lidhur me shtëpinë imperiale të Komnenëvet të Stambollit. Nga historia dihet se Dinastia e Engjëjvet të Stambollit rridhte nga një familje prej Azisë së Vogël, e lidhur me krushqi me familjen e Komnenëvet. I pari perandor i Stambollit nga dera e Engjëjvet është Isaku i I Engjëlli (shek. XII). Themeluesi i despotatit të Epirit ka qënë Mikail Komnen Engjëll Duka. Kështu llagapet Komnen dhe Engjëll thuhen së bashku edhe për familje shqiptare, që lidheshin me Komnenët e Stambollit.
-
— Dashuria e pabesueshme etj. Dihet se populli dhe ushtëria e dalë nga gjiri i tij e donin shumë Skënderbeun dhe vetem në bazë të kësaj dashurie Skënderbeu u bë heroi i pavdekshëm i Kombit të tij. Por këtu duhet vënë edhe një herë re fakti se Bardhi gjykon me një mëndjeprehtësi të thellë, duke mos i hequr sytë nga populli, kur jep përgjigjet e fundit.
-
— Antonomasi. Figura është shumë e bukur, tregon fuqinë dhe vigjilencën e Skënderbeut për ruajtjen e Atdheut dhe tmerin e armiqvet prej tij.
-
Mbi të gjithë etj. Është shprehja më e theksuar e Bardhit për besimin që ka në fuqitë mendore dhe shpirtërore të popullit të tij.
-
— Dalmacia, mbretëria më fisnike etj. Dihet nga historia se Dalmacia, nga gjithë mbretëritë sllave të Jugut, ka qënë më e shquara. Bardhi thotë një të vërtetë historike.
-
— Birucat e Boshnjakëvet. Në krahasim me Dalmacinë, historia e Boshnjës është tepër inferiore nga çdo anë, ekonomike, politike, kulturale etj. Këtë ka parasysh Bardhi dhe me këtë e mbyll polemikën e tij të paëshirshme dhe ironizimin gjithmonë të qëlluar të kundërshtarit të tij mëndjemadh e pretencios.
Shënim. — Në faq 34, rrjeshti 7 duhet korigjuar kështu:
«Kështu me gëzim të madh e me flamuj në dorë po hynte [1] në kufitë e Misisë , në kohën kur, daç thuaj fati i paméshirëshëm, daç fataliteti i paevituëshëm, daç më mirë, sigurisht, zëmerimi i perëndisë si ndëshkim krishterësh të fëlliqur, po nxiste pabesinë e një njeriu të vetëm për të sjellë gjithë ato ngatërresa e turbullira dhe njëkohësisht për t’u shkaktuar vuajtje të vazhduara dhe krishterimit kërdi të madhe».
Fund
D.m.th. Ushtëria e Skënderbeut. ↩︎
Frang Bardhi