Pjesa 2 — Diploma për Skënderbenë

Por le të kalojmë tani tek ato, që Tomku ka përhapur për Skëderbeun apo Gjer Kastriotin. Këto ne i kemi lënë mënjanë gjer tani me qëllim që këtë çështje ta shqyrtojmë me kujdesin dhe vëmëndjen më të madhe, pa u shpërndarë në shumë drejtime, duke patur, sigurisht, më tepër parasysh të vërtetën se sa atdheun .

Kur, pra, Tomku shqyrtonte më lart çështjen e pasardhësvet të Vukashinit, nuk u skuq të pohonte, me gjithëqë s’e vërtetoi dot, se Skënderbeu ka qënë bir i Juanisit, ose (siç thotë vetë ai) i Jan Margnaviçit. Dhe që ta bëjë lexonjësin për vehte dhe ta mbështesë trillimin e tij në një farë autoriteti, ka nxjerrë në këtë mes, si pas zakonit që ka, një farë diplome gjoja, siç thotë, të mbretit të Hungarisë Matthia, e kështu, me qëllim që, siç thonë, «Me një gur të vrasë dy zogj», na ka parashtruar dy argumenta shumë të favorshme për të, por qesharake dhe boshe, si ngahera. Sepse, me të vërtetë, dikush do të mund ta mohonte me plot të drejtë se principati i Nisës u përket sot Margnaviçëvet si trashëgimtarë të ligjshëm të tij, edhe sikur të mund të pohonte se ky principat ka pasë qënë trashëgim i vjetër atëror i familjes së Margnaviçëvet para ardhjes së Turqvet në Europë dhe përpara rrëzimit të Vukashinit nga froni mbretëror. Dhe ja se si: Princi i Zirforëvet Lazar e pat vënë gjithë juridiksionin e Serbëvet nën sundimin e tij legjitim, kurse pasardhësit e tij e mbrojtën këtë për një kohë të gjatë, si trashëgim legjitim të tyre, nga sulmet e Turqvet dhe të princërvet të tjerë. Nga ana tjetër është më se e sigurt, nga sa u thanë më lart, se në këtë juridiksion përfshihej edhe Nisa. Kështu s’ka njeri që të mos e shohë qartë se sundimi i Nisës u përket më tepër kryezotërve, d.m.th. pasardhësvet dhe suksesorëvet të Lazarit, se sa Margnaviçëvet. Prandaj kundërshtari ynë, që të mund t’i bënte ballë këtij objeksioni, mendoi të parashtrojë pak më poshtë një diplomë, në të cilën deklarohet: «Passi Sulltani i Turqvet Murat ja ktheu mbretërinë e Rashës princit Gjergj Dhespotit, qyteti i Nisës bashkë me gjithë kështjellat, qytetet, kampet etj., duhet t’i përkasë përgjithmonë kontit Gjergj dhe nipit të tij nga ana e vëllait, Tomko Margnaviçit, si dhe pasardhësvet të tyre». Dhe kjo është pika e parë, për të cilën Tomku po derdh tani djersën e tij. Por ne kemi diskutuar për këtë më tepër se sa duhet më lart, ku treguam dhe vërtetuam qartë se Margnaviçët nuk e kanë patur kurrë ndonjëherë sundimin e tyre absolut mbi Nisën; me gjithë këtë, nga sa do të themi më poshtë dhe nga zhvillimi i mëtejshëm i fjalës, kjo pikë do të bëhet edhe më e qartë. Sa për dëshminë e Matthias, që sillet këtu e që duket se i hedh poshtë të thënat tona, do të përgjigjemi më poshtë, kur të merremi me vlerën e diplomës në fjalë.

Pika e dytë, që kundërshtari ynë ka vënë si synim të tij, është kjo: deklarohet, d.m.th., se principatën e Nisës duhet ta kenë të përbashkët e me të drejta të barabarta, princi i pathyeshëm Gjergj Juanoviçi, i quajtur zakonisht Skënderbe, dhe Konti Tomko i lartpërmëndur, si edhe trashëgimtarët e tyre, sepse këta, gjoja, janë filiza meshkuj, që zbresin ligjërisht nga i njëjti trung i mbretit Vukashin dhe i vëllait të tij Goiko, etj. — Në këtë pikë Tomku përqëndron gjithë mundin dhe derdh tërë djersën e tij. Por me që gjithë ky grumbull fjalësh, të lëshuara pa kursim, është vetëm një llomotitje e kotë dhe boshe, dëshira e tij çduket fund e krye si avull uji. Do të na duhet, pra, të shqyrtojmë vlerën e kësaj diplome dhe dëshminë e Matthias, të cilën kundërshtari ynë e ka si Akilin e vetëm të tij dhe e peshon, siç thonë, me kandarin e argjendarit . Po të përmbyset ky themel, atëhere e gjithë ndërtesa margnaviçiane apo tomkiane do të rrëzohet për tokë e do të mbulohet ndën gërmadhat e saj. Dhe që kjo të bëhet më lehtë, le të shtrojmë para syvet tanë diplomën në fjalë dhe pastaj të shqyrtojmë shkurt e një për një pjesët e saj të veçanta.

«Ne Matthias, me hirin e Zotit mbret i Hungarisë, Dalmacisë, Kroacisë etj., u lëmë që të mbajnë mënd përgjithëmonë të gjithë dhe secili veçanërisht që e intereson, sa vijon:

Me qënë se princi i pathyeshëm, i quajtur Gjergj Juanoviç, farefis i ynë shumë i dashur, princ i Thesalisë, i Shqipërisë, i Dibrës së sipërme dhe të poshtme, i Zadrimës etj. Zot i Krujës, i Ohrit, i Kosturit, i Kështjellës së Re etj., na ka njoftuar edhe me anë letrash edhe me anë të të dërguarit të tij të veçantë, burrit fisnik Stanisha, vojvodë në kufitë e Serbisë, se burri madhështor, i quajtur Tomko Margnaviç, prej Nise, kont i përherëshëm i Zvonikut, starost i Rashës, zot i Vojnicës, etj., gjithashtu farefis i ynë, pengon dhe kundërshton që zyrtarët dhe ministrat e princit të ndritur në fjalë të ushtrojnë sundimin, të drejtën, autoritetin dhe fuqinë e tyre në qytetin e Nisës dhe në territorin dhe distriktin e saj, si edhe në kështjellat, qytetet, fshatrat, bashtinat e në vënde të tjera që ndodhen pranë qytetit në fjalë dhe territorit të saj, të drejta këto që i përkasin atij për pjesën e vet në qytetin në fjalë, në kështjellat, qytetet [1], fshatrat, bashtinat dhe vendet e lartpërmëndur, si nip i Vukashinit, dikur mbret i ndritur dhe i lumtur, dhe përmes birit të këtij Juanis.

Me qënë se edhe konti Tomko nga ana e tij pretendon se vepron me të drejtë, në bazë të një deklarate, të bërë nga Vladislavi, mbret i merituar dhe i ndritur para Nesh, dhe nga prindi [2] ynë Jan, në kohën kur me ndihmën e princit tonë dhe të mbretit të ndritur që zumë në gojë, mbretëria e Rashës iu kthye nga Murati, sulltan i Turqvet, princit të ndritur, kryezotit Gjergj Dhespotit. — Sepse me insistimin e kontit Gjerg Margnaviçit, sternip i Goikut, vojvodë [3] dikur i madh i Rashës dhe vëlla i mbretit të ndritur Vukashin të lartpërmëndur dhe i kryezotit Uglesh, u bë atëhere një deklaratë nga biri Marko dhe nipi Goiko, babë i kontit të lartpërmëndur Gjergj, se qyteti i Nisës, trashëgim i vjetër atëror i familjes mbretërore të Margnaviçëvet, bashkë me gjithë kështjellat, qytetet, kampet, fshatrat, bashtinat, vëndet e tjera, me gjithë territorin e distriktin e saj e me gjithçka u takon e u përket këtyre e kudo që mund të ndodhet, duhet, në të vërtetë, të rregjistrohet e të vuloset. (sikurse edhe është regjistruar qyteti në fjalë bashkë me gjithçka i përkasin), për kontin e lartpërmëndur Gjergj dhe për nipin e tij prej vëllau Tomko. Dhe kjo është bërë me pëlqimin e vetë princit të ndritur Gjergj Dhespotit, me anë të një deklarate, me qëllim që Dhespoti i ndritur dhe pasardhësit e tij të mos mundin ndonjë herë të kenë ose të pretendojnë të kenë ndonjë të drejtë mbi qytetin e zënë në gojë më lart e mbi gjithçka i përket atij, siç i përmëndëm më sipër, por, përkundrazi, të kuptohet se ky është dhe duhet të jetë përgjithmonë i kontëvet [4] të lartpërmëndur dhe i pasardhësvet të tyre. Të gjitha këto duken sheshit në mënyrë më të zgjeruar në letrat deklarative të burrit të madhërishëm Mihal Zilagi prej Horogzeg, dajë i ynë, i emëruar atëhere në emrin e në personin tonë guvernator në krahinat e mbretërisë sonë Hungari, Dalmaci, Kroaci etj. Këto letra u shpallën në një mbledhje të përgjithëshme në qytetin Petensë në vitin njëmijë e katërqind e pesëdhjetë e tetë (1458), ku muarrë pjesë delegatë nga gjithë rendi hierarqik i mbretërisë.

Me qënë se secila nga të dy palët, si ajo e princit të shkëlqyer e të pathyeshëm Gjergj, po ashtu edhe e kontit Tomko, kërkon dhe ngul këmbë që kjo grindje të shqyrtohet, të përfundohet e të vendoset nga Ne për të mirën publike dhe qetësinë e popujvet e, gjithashtu, për të ruajtur miqësinë dhe dashurinë ndërmjet këtyre, që janë farefis i ynë. Por, nga ana tjetër, një shqyrtim i tillë Na takon Ne edhe për shkak se konti Tomko është përfshirë e pranuar ndërmjet baronëvet të mbretërisë sonë me anë letrash tona të tjera, të dërguara në muajin Korrik të po këtij viti, dhe me pëlqimin e të gjithë rendit hierarqik të mbretërisë sonë, në pajtim me përmbajtjen e këtyre letrave.

Mbassi ne shqyrtuam kështu të drejtat e secilës palë dhe si ua komunikuam pastaj zotërvet të përmëndur më lart, baronëvet dhe fisnikëvet të mbretërisë sonë, sidomos atij burri të madhërishëm, dajës sonë Mihail; mbassi jemi bindur se qyteti i lartpërmëndur i Nisës dhe sundimi absolut i tij, kështjellat, kampet, fshatrat, bashtinat dhe çfarëdo vendi e gjithë territori e distrikti i saj me të gjitha përfitimet dhe të ardhur dhe me gjithëçka i takon e i përket, është dhe gjithmonë ka qënë trashëgim atëror i familjes mbretërore të Marganaviçëvet nga vetë perandorët e Stambollit që në kohrat e vjetra, siç duket në mënyrë më të plotë në letrat origjinale, që Na janë dhënë Ne në favor të princit të shkëlqyer dhe të pathyeshëm që përmëndëm më lart; mbassi në këto letra përcaktohet që, duke përjashtuar seksin femëror, t’u përkasë mashkujve, të lindurit në mënyrë legjitime e të rrjedhur nga familja e Margnaviçëvet, pushteti, e drejta dhe sundimi absolut mbi qytetin e lartpërmëndur dhe mbi fshatrat e tij, mbi bashtinat, vëndet e tjera, qytetet, kampet, kështjellat dhe mbi çdo gjë tjetër, që i përket dhe i takon atij, dhe mbassi këto të gjitha kanë qënë dhe janë për Ne të përcaktuara me dokumenta shumë të vjetra, private dhe publike, të kësaj familje.

Prandaj, mbassi i kemi shqyrtuar të gjitha këto me kohë dhe duke e përfunduar mosmarrëveshjen në fjalë, deklarojmë dhe shpallim:

Se deklarata e të lartpërmëndurvet, mbretit të ndritur para Nesh Vladislav dhe prindit tonë Joan, si dhe të rendit tjetër hierarqit të mbretërisë, nuk ka qënë aspak dhe as që është në kundërshtim me të drejtat shumë të vjetra të familjes së lartpërmëndur të Margnaviçëvet.

Se, në bazë të këtyre të drejtave, që u përmëndën, dhe të deklaratës së dashur, qyteti i lartpërmëndur i Nisës dhe sundimi absolut i saj bashkë me gjithë kështjellat, kampet, qytetet, fshatrat, bashtinet, vënde të tjera, posedimet, përfitimet, të ardhurat, minierat e çdo lloj metali dhe tokat e lërueshme, të punuara e të papunuara, malet, luginat dhe kodrinat, fushat, livadhet, kullotat, pyjet, barërat, bjeshkat, vreshtat dhe lartësirat pranë vreshtave, ujrat, lumenjtë, liqejtë, urat dhe çfarëdo rrugë publike, vendet e bluarjes me mokra dhe të peshkimit e ujrat e rjedhshme, mullinjtë dhe vëndet e mullinjve dhe në përgjithësi çdo tërësi që paraqit një dobi të çfarëdoshme, që përfshihet në kufitë e tyre të vjetra e me çfarëdo emri që mund të quhet, si edhe të tjera të drejta dhe privilegje të veçanta. Të gjitha këto kanë qënë të përbashkëta dhe duhet të jenë të përbashkëta përgjithmonë nën sundimin e plotë dhe të përbashkët të princit të shkëlqyer dhe të pathyeshëm të lartpërmëndur Gjergj Juanoviçit, si dhe të burrit madhështor, kontit të lartpërmëndur Tomko, dhe të trashëgimtarëve e pasardhësvet të tyre si filiza meshkuj që rrjedhin në mënyrë legjitime nga i njëjti trung i mbretit të ndritur Vukashin dhe i vëllait të tij Goiko, Vojvodë i madh.

Se, në bazë të deklaratës, asnjë fuqi nuk mund të ketë e të zotërojë më tepër njeri nga tjetri, as konti i përmëndur më lart, as princi i shkëlqyer që kemi zënë në gojë, sikurse as edhe pasardhësit e suksesorët e tyre legjitimë dhe as zyrtarët e ministrat, lidhur me sundimin, ushtrimin e drejtësisë, të drejtat, të ardhurat, përfitimet dhe me çdo gjë tjetër, që rrjedh nga sundimi absolut i Nisës dhe i territorit e distriktit të saj, si dhe i çdo gjëje që i përket asaj, si nga ato që zumë në gojë më lart, ashtu edhe nga gjëra të tjera të çfardoshme. Përkundrazi, këta duhet të ushtrojnë në mënyrë të barabartë të drejtën, fuqinë, pushtetin dhe drejtësinë mbi qytetin e Nisës e mbi gjithçka i takon e i përket asaj, si dhe mbi çdo gjë që mvaret nga ajo e nga aneksat e saj, dhe të kenë kështu përfitime dhe avantazhe të barabarta sepse edhe trashëgimi i kësaj familjeje i përket në mënyrë të barabartë princit të shkëlqyer në fjalë dhe gjithë pasardhësvet legjitimë të tij, si dhe kontit të lartpërmëndur e pasardhësvet të tij që rrjedhin gjithashtu në mënyrë legjitime nga filizat meshkuj, por për deri sa këta rrjedhin e do të rrjedhin gjithmonë në të ardhmen në vijë të drejtë e legjitime nga i njëjti trung i princit të shkëlqyer Margnavë, babë i mbretit të ndritur Vukashin dhe i vojvodës së madh Goiko.

Prandaj Ne: E njohim se ky trashëgim ka qënë i përbashkët dhe mendojmë se duhet të jetë i tillë përgjithmonë në të ardhmen.

Deklarojmë dhe shpallim në favor të lartpërmëndurvet, princit të shkëlqyer dhe kontit si dhe trashëgimtarëvet dhe suksesorëvet të tyre legjitim, se:

Të gjitha nderet e ndryshme, gradat, titujt, prerogativat dhe privilegjet e veçanta kanë qënë akorduar për shkak të respektit kundrejt qytetit të Nisës dhe kundrejt virtuteve dhe meritave të familjes shumë të vjetër të Margnaviçëvet. E në radhë të parë këto u kanë qënë akorduar nga perandorët e mi famëmbëdhenj të Stambollit princërve të ndryshëm të familjes në fjalë, d.m.th.: nga Niqifori dhe Manueli i Stanishës arkond i Nises; nga Ballduini, perandor i Stambollit, princit Kostandin, të quajtur Strasimir, bir i senatorit të Stambollit dhe i arkondit të Nisës [5]; nga Mihail paleologu princit Reposh, Jupan i Madh; pastaj nga mbretrit e Bullgarisë stërgjyshëvet tanë dhe sidomos nga Samueli Tvartkos, princit të po kësaj familjeje që ishte edhe kenez veliki; më në fund nga Stefan Nemania, mbret i Rashës, Lourinit, i cili ka qënë babë i princit Marnavë dhe starost i Rashës. —

Se, sikurse të gjitha këto ndere, grada, tituj, perogativa e privilegje ia njohim si të veçanta e shumë të vjetra familjes në fjalë, po ashtu shpallim botërisht se këto duhet të jenë përgjithëmonë në të ardhmen të përbashkëta për të dy palët e trashëgimtarëve legjitimë, d.m.th. për princin, për kontin dhe për pasardhësit e tyre, siç u përmëndën më lart.

Se Ne nuk kemi për qëllim që, për shkak të kësaj shpalljeje, deklarate dhe vendimi, të krijohet e të lindë ndonjë e drejtë për të përmëndurin kont madhështor Tomko, as për pasardhësit trashëgimtarët dhe suksesorët e tij legjitimë mbi principatat, trashëgimitë dhe pronësitë e veçanta legjitime të princit të shkëlqyer të lartpërmëndur Gjergj, mbi zotërimet e trashëguara të tij të Thesalisë, Shqipërisë, të Dibrës së poshtme dhe të sipërme, të Zadrimës etj., si dhe të Krujës, të Ohrit, Kosturit, të kështjellës së Re e të pjesëvet të tjera bregdetare të Dioklisë e të Dalmacisë. Përkundrazi, këto të kuptohen se janë dhe duhet të jenë të princit në fjalë dhe të trashëgimtarëvet pasardhës të tij, gjersa do të ketë filiza meshkuj legjitimë prej tij. Gjithashtu Ne nuk kemi për qëllim që një e drejtë e tillë të lindë e të krijohet për princin e shkëlqyer në fjalë mbi principatat, trashëgimitë dhe pronësitë e veçanta të trashëguara të kontit të lartpërmëndur Tomko, d.m.th., mbi zotërimet e Starostatit të Rashës, të kontesë së Zvonikut, të dominimit të Vojnicës, të fushës Godoliensë, të konteve Kuçevo dhe Braniçevo, nga bregu i Danubit gjer te bregu i Moravës. Përkundrazi, këto të kuptohen se janë dhe duhet të jenë të kontit në fjalë dhe të trashëgimtarëvet e pasardhësvet të tij legjitimë, gjersa do të ketë filiza meshkuj. Në mungesë trashëgimtarësh legjitimë meshkuj, duhet të trashëgojnë dhe le të trashëgojnë sipas dispozitavet ligjore, d.m.th., si trashëgimtarë legjitimë mbi të mira të etërvet dhe të gjyshërvet të tyre me përjashtim të gravet.

Prandaj Ne dëshmojmë se kjo deklaratë e Jonë gjyqësore, ky vendim dhe kjo shpallje, ka qënë në mënyrë plotësisht të qartë dhe duhet të jetë përgjithmonë e njëjtë me mendimin, vullnetin, vendimin dhe deklaratën e mbretit të ndritur të dikurshëm para Nesh Vladislav, si dhe të prindit tonë Jan. Se kjo nuk vjen në asnjë pjesë të saj në mospajtim e në kundërshtim me letrat deklarative që përmëndëm më lart, të Miail Zilagit, dajës tonë madhështor, kryezot e guvernator i krahinavet të Mbretërisë Sonë në Hungari etj., dhe të baronëvet të tjerë të shquar të Mbretërisë. Kështu askush nuk mund të dyshojë për këtë çështje të deklaruar si më sipër nga Ne, ose të ketë fuqinë ta revokojë apo ta parashtrojë për t’u gjykuar e aqë më tepër për t’u vënë në dyshim pranë çdo gjykatoreje.

Këto të gjitha Ne i vendosim dhe i shpallim me anën e këtij dekreti e vendimi si te vlefshme për gjithmonë.

Që kjo ngjarje të mbesë për gjithmonë në kujtesën e njerëzvet dhe të fitojë qëndrueshmërinë e përhershme, kemi urdhëruar të bëhen dy ekzemplarë të vulës sonë sekrete pendente , që përdorim si mbret i Hungarisë, të fortë e të siguruar.

Lëshuar në Budë në festën e gjithë Shenjtorëvet , në vitin një mijë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë». —

Që në fillim mund të shihet nëse kjo diplomë është pjellë e së vërtetës apo trillim fantazie. Na u ujka këtu Skënderbeu Gjergj Juanoviç, me qëllim, sigurisht, që të besohet kështu më lehtë se ai ka lindur në Juanis, bir i Vukashin Margnaviçit. Por kjo është një gjë absurde, sepse është në kundërshtim të urryer me traditat e përgjithëshme jo vetëm të Epirotëvet dhe të Ilirikëvet [6], por edhe të të gjithë Orientit , si edhe me kujtimet e çdo shkrimtari (me përjashtim vetëm të diplomave tomkiane.(. Sepse ç’gjë tjetër përveç se trillime mund t’i quash ato që serviren këtu, për të ripërtëritur shkëlqimin e Margnaviçëvet tashmë të shuar? — Por le të vazhdojmë më tutje.

Gjergj Kastrioti quhet këtu zot i Ohrit dhe i Kos u i vënde, të cilat thuhet se i kishte ripushtuar, duke ua hequr nga duart Turqvet. Po këtë gjë pohon vetë Tomku në një vënd tjetër, në faqen 23, kur thotë: «Janë quajtur Kastrioti nga qyteti i Kosturit, që e kanë pasur nën sundimin e tyre të parët e tij». — Nga kjo unë nxjerr një argument që, sipas mendimit tim, është i patundur: sipas Tomkut dhe diplomavet të tij, është më se e sigurtë se Juanisi, i biri i Vukashinit Margnaviç, ka qënë zot i Ohrit dhe i qytetit të Kosturit. Por, sigurisht, është edhe më e sigurt se prindi i Skënderbeut tonë nuk e ka pasë mbajtur kurrë nën sundimin e tij Kosturin dhe Ohrin. Rrjedh, pra, në mënyrë fare të qartë, se Juanisi, i biri i Vukashin Margnaviçit, s’ka se si të ketë qënë babai i Skënderbeut.

Për fjalinë e parë [7], sikurse thashë, s’mund të ketë asnjë dyshim nga sa thotë Tomku. Sa për të dytën [8], ajo vërtetohet fare lehtë, sepse s’ka njeri që të dyshojë se Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, jo vetëm që ua çkuli nga duart Turqvet gjithë perandorinë atërore të tij, por edhe e shtoi dhe e zgjeroi edhe më tepër vendin, ku sundonin të parët e tij. Për këtë mund të shihet veçanërisht Jan Baptista Pigna dhe Marin Barleti, ky shkrimtar shumë i kujdesur në ndriçimin e çështjevet të Epirit. Ky shkrimtar, pra, me gjithë që shumë shpesh i përmënd një për një të gjitha vëndet, që kanë qënë nën sundimin e Skënderbeut dhe të të parëvet të tij, asnjëherë s’ka rrjeshtuar ndërmjet tyre Ohrin dhe Kosturin. Përkundrazi, në shumë pjesë të veprës së tij ai pohon se këto qytete kanë qënë duke rënkuar nën zgjedhën dhe tiraninë turke. Por ne mund ta vërtetojmë fjalinë e dytë edhe më me forcë e në mënyrë më të qëndrueshme, duke u mbështetur në argumenta më të shëndosha. Dihet, d.m.th., se prindi i Skënderbeut ka jetuar në të njëjtën kohë, në të cilën Lazar Lozogli, i quajtur nga disa edhe princ i Zirforëvet, pati titullin e dhespotit (kryezotit) mbi Serbinë. Dhe Tomku nuk do ta mohojë këtë, në qoftë se nuk don të përleshet me vetvehten. Sepse, sipas mendimit të vetë Tomkut, Juanisi, i biri i Vukashinit, që Tomku na e paraqit për babë të Skënderbeut, ka sunduar në Shqipëri në po atë kohë, kur në Serbi sundonte Lazari, me qënë se këto të gjitha kanë ngjarë menjëherë pas vdekjes së Vukashinit. Por që Ohri dhe Kosturi s’kanë pasur atëhere lidhje me prindin e Skënderbeut, duket qartë nga sa thotë Leunklavi për Vulkun. Leunklavi, d.m.th., e thotë fare sheshit se Vulku, i biri i Pladikës dhe dhëndërr i Lazarit, ka qënë në ato kohëra princ i Ohrit, i Kosturit, i Prilepit dhe i të tjera vëndeve të Maqedhonisë. Nga ana tjetër, që Pladika në fjalë s’ka qënë nga familja e Margnaviçëvet, duket qartë jo vetëm nga mendimi i përbashkët i shkrimtarëvet, por edhe nga vetë Tomku, kur pohon, në faqen 18, se Pladika ka patur kundër vëllëzërvet Margnaviçë mërira e mosmarrëveshje dhe, bile, se edhe ka luftuar kundër tyre. Ja fjalët e Leunklavit në librin e pestë: «Vulku, i biri i Pladikës, princ i Ohrit, i Kosturit, i Prilepit dhe i të tjera vëndeve të Maqedhonisë, dhëndërr i Lozarit etj.». — Këtë gjë e pohon për bukuri edhe Laonik Kalkokondili, të cilin e citojnë vetë Leunklavi dhe vetë Tomku në faqen e shënuar më lart. «Lazari», thotë Kalkokondili, «me qënë se kishte vajza, njërën ia dha për grua Susmanit, mbretit të Odrisëvet ose Molldavëvet, dhe kështu e bëri atë dhëndërr; të dytën, e martoi me Bulko Brançin, të birin e Pladikës, i cili [9] sundonte Kosturin dhe Ohrin, krahinë të Maqedhonisë». — Nga këto del qartë se Kastriotët nuk e kanë marrë emrin e tyre nga Kosturi, si qytet, gjoja, i të parëvet të tyre.

Tani, se ç’përgjigje mund t’u japë Tomku këtyre, unë nuk e sh. Përkundrazi, dikush mund të thotë: «Në qoftë se dhëndërri i Lazarit Vulko apo Bulko, ka ushtruar pushtetin dhe sundimin e tij mbi Ohër e Kostur sikurse është provuar nga Kalkokondili. Leunklavi dhe vetë Tomku, atëhere del se Juanisi, i biri i Vukashinit, s’ka qënë ndonjëherë zot i këtyre vëndeve. Diploma, pra, e parashtruar nga Tomku, është e rreme». — Unë, edhe në këtë rast të vështirë për kundërshtarin, e pranoj me kënaqësi konkluzionin që del, ashtu si edhe në rastin më lart, pa i rënë, sigurisht, as pak më qafë. Sepse, po të kishte qënë Tomku më i kujdesshëm në të shkrojtur, nuk do të kishte guxuar t’u servirte lexonjësvet trillime kaqë trashanike.

Një argument i ngjashëm mund të formulohet edhe për sa i përket sundimit të vetë Skënderbeut mbi Thesalinë, Dioklinë, Dalmacinë dhe Zadrimën. Nga Barleti dhe shkrimtarë të tjerë, sidomos Venecianë, dihet se as Skënderbeu, as prindi i tij nuk e kanë ushtruar ndonjëherë fuqinë e tyre mbi këto vënde. Por edhe vetë Tomku po këtë dëshmon, kur thotë, në faqen 23, se Juanisi i tij ka qënë zot vetëm i Shqipërisë, dhe pikërisht i Krujës, i Lisos, i Sfjetigradit, i Kështjellës së Re dhe i Kosturit. Gjithashtu ne nuk mund të themi se prindi i Skënderbeut, apo Gjergj Kastrioti, e ka patur ndonjëherë nën zotërimin e tij Lison. Sepse, sado që Tomku t’i bjerë daullës, duke thënë se këtë qytet e mbante nën zotërimin e tij Jaunis Margnaviçi, ai përfshihej atëhere nën sundimin e Republikës së ndritur Veneciane. Këtë e di çdo njeri, sado pak që mund të jetë marrë me histori.

Kështu, pra, ne jemi të detyruar të pohojmë se prindi i Skënderbeut ka qënë i ndryshëm nga Juanis Margnaviçi.

Por le të kalojmë më tutje.

Auktori i diplomës (që po shqyrtojmë) [10] thotë se Tomko Margnaviçi ka kundërshtuar që zyrtarët dhe Ministrat e Princit Skënderbe të mos ushtronin drejtësinë, pushtetin dhe fuqinë e tyre në qytetin e Nisës dhe në territorin dhe distriktin e saj; se Tomku në fjalë mendonte se e bënte këtë në bazë të një deklarate të lëshuar nga Vladislavi, mbret i Hungarisë, dhe nga Jan Huniadi, me ndihmën e të cilëvet mbretëria e Rashës i qe kthyer princit Gjergj Dhespotit nga Murati, Sullltan i Turqvet. Por këtu nuk mungojnë edhe ata që pohojnë se mbretëria e Rashës iu kthye Gjergj Dhespotit me ndihmën e një farë Pashe , që i kishte hyrë fort në zëmër Sulltanit dhe të cilin Gjergji e kishte bërë krejtësisht për vehte. Shiko për këtë Leunklavin dhe të tjerë. Por sido që të jetë puna këtu, nuk mundet, sigurisht, të besohet se Gjergj Skënderbeu, Princi i Shqiptarëvet dhe tashmë gjashtëdhjetëvjeçar, i zënë me çështje aqë të rëndësishme të sundimit të tij dhe sidomos i implikuar vazhdimisht në punët e luftës, tentoi të nxjerrë grindje të reja për një çështje, që ta them kështu, pa asnjë dobi e rëndësi për të. Them «gjashtëdhjetë vjeçar», sepse ngjarjet në fjalë kanë ndodhur brënda tre vjetëve para perëndimit [11] të tij, , sipas dëshmisë së vetë diplomës, d.m.th., në vitin 1459 (një mijë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë), në ditën, kur nderohet nga besimtarët e krishterë kujtimi i gjithë Shënjtorëvet.

Në këtë kohë Matthia Korvini nuk ishte kurorëzuar mbret . Këtë e dëshmon Bonfini , por nxirret edhe nga vetë diplomat e Tomkut, gjë që nuk është pa rëndësi. Nga ana tjetër princi në fjalë trim mbi trima lindi rreth vitit një mijë e katërqind e tre (1403) pas Krishtit, për të mirën e Krishtërimit. «Them për një çështje pa asnjë rëndësi e dobi për të», sepse pas pak do të përmënd më poshtë se cila ka qënë gjëndja dhe ç’pamje e fytyrë paraqiste në atë kohë qytetthi i Nisës, (siç e quan Busbekvi në letrën e parë të tij gjatë udhëtimit për në Stamboll). — Por kush, vallë, do të mund të thoshte, qoftë edhe kur ka eksperiencën më të vogël të çështjevet njerëzore, se «Heroi», që si ndonjë shkëmb i patundur i plandoste valët e tërbimit Otoman, nga dora e djathtë e të cilit perandoria otomane e lëkundur nga themelet, tmerohej me të drejtë për vetë zhdukjen e saj, në shpatën kërdimbjellëse të të cilit veprat e çquara të të parëvet të tij, të reflektuara si reze të ndritëshme, i kërcënonin hënëzat rrënimqare [12] me eklipsën vdekje-prurëse, — kush, pra, do të mund të thoshte se ky Hero ka kërkuar, në një çështje kaqë të pa rëndësishme e përballë një kundërshtari kaqë të pafuqishëm dhe të ulët, ndihmën e një princi, [13] të panjohur, se i është drejtuar një gjykatoreje të huaj dhe i ka besuar veten kapriços së të tjerëvet për ta gjykuar ? E me gjithë këtë Tomku thotë se «ka qënë deklaruar se qyteti i Nisës bashkë me gjithë kështjellat, kampet, qytetet, fshatrat, bashtinat, vëndet, posedimet, përfitimet, të ardhurat, minierat e çdo lloji metali, tokat e lërueshme, të punuara dhe të papunuara, malet, luginat e kodrinat, fushat, livadhet, kullotat, pyjet, barërat, bjeshkat, vreshtat dhe lartësirat pranë vreshtavet, ujrat, lumenjtë, liqenet, urat dhe rrugët publike, vëndet e bluarjes me mokër dhe të peshkimit, ujrat e rjedhëshme, mullinjtë dhe vëndet e mullinjvet dhe në përgjithësi çdo tërësi, që paraqit një dobi të çfarëdoshme dhe që u përket dhe ndodhet brënda kufijvet të tyre, me çfarëdo emri që mund të thirret, si edhe të drejta të tjera e privilegje të tjera të veçanta të panumurta, ka qënë dhe duhet të jetë e përbashkët e me të drejta të barabarta si për princin e lartpërmëndur Gjergj Juanoviçin, ashtu edhe për burrin madhështor kontin Tomko etj». — Por ç’hyn këtu ky rrjeshtim tërkuzë i kështjellavet, i qyteteve, i bashtinavet dhe i gjëravet të tjera? Ne vërtetuam më lart se, sipas Leunklavit, Nisa u pushtua me forcë dhe gati u shkatërrua prej Lazar Dhespotit dhe prej Turqvet. Gjithashtu dihet nga shkrimtarë të tjerë dhe sidomos nga Leunklavi, libri 13, se qyteti në fjalë u pushtua, u dogj e thuajse u rrënua bashkë me tre ose katër qytete të tjerë kufitarë, nga mbreti i Hungarisë Janko, [14] (i cili ka qënë prindi i mbretit Matthia), dhe nga Vulkogli të lidhur me besa besën [15]. Por më mirë se kushdo tjetër e dëshmon rrënimin e Nisës vetë Tomku, kur, në fillim të veprës së tij, e përshkruan si një qytet të sheshuar e që s’guxon t’i kundërshtojë zgjedhës së paduruëshme të Turqvet. Në qoftë se këto janë të vërteta, sikurse me të vërtetë janë të vërteta, atëhere si pajtohen kaqë kështjella, qytete, kampe, bashtina dhe shumë gjëra të tjera të panumurta të këtij lloj me një qytet të djegur, të shkatërruar dhe po thuaj të bërë gërmadhë?

Por ne tanimë kemi arritur në atë pikë të diplomës, ku do të na duhej të flisnim për vargun e famshëm të Margnaviçëvet, nga i cili kundërshtari ynë ka imagjinuar origjinën e të parëvet të tij. Me qënë se për këtë çështje është folur mjaft gjer tani e që të mos përsërisim po ato gjëra, e drejtojmë lexonjësin tonë mirëdashës tek sa janë thënë më sipër. Vetëm këtu mbetet për t’u shënuar rrëshqitja dhe gabimi jo i vogël i Tomkut, lidhur me vëndet nën sundim të Skënderbeut. Skënderbeu quhet këtu princ trashëgimtar i Zadrimës, i Thesalisë, Dioklisë, Dalmacisë dhe i të tjera vëndeve bregdetare. Por sa do që të pëllasë Tomku, mendimi unanim i gjithë shkrimtarëve vërteton se këto s’kanë qënë kurrë të princit të lartpërmëndur, i cili i pat, gjoja, në bazë të së drejtës së trashëgimit. Përkundrazi, në kohën e Skënderbeut dhe të babës së tij, por edhe shumë kohë më parë, pjesa më e madhe e Zadrimës, atdheut tim, ka qënë nën sundimin e princërvet shpirtmëdhenj Dukagjinas, kurse pjesa tjetër nën sundimin e Lek Zaharisë, bashkë me qytetin e Dajnos , të ndërtuar e të lënë këtij nga vetë paraardhësit e tij. [16] Nga ana tjetër pjesët e Dalmacisë etj., ishin atëhere nën sundimin e pamposhtur Venecian.

Tani, mbas gjithë këtyre, unë u a lë më të pjekurvet se unë që të gjykojnë se sa e madhe mund të jetë vlera e kësaj diplome dhe se sa besim mund t’i jepet asaj, kur e gjithë përmbajtja, siç duket nga sa u thanë, si edhe nga vetë dëshmia e Tomkut, i del në kundërshtim të hapur me të vërtetën. Unë, përveç kësaj, mendoj se duhet shikuar edhe çështja, në se kjo diplomë, si dhe gjithëçka tjetër që na u parashtrua në të më sipër, mbështetet në aprovimin apo garantimin autentik të ndonjë noteri apo personi publik. Sepse mund të dyshohet jo pa arësye se kjo diplomë është çpikur prej ndokujt, ose, të paktën, është deformuar pjesërisht, për t’i shërbyer kështu më mirë qëllimit të tij. [17]

FOOTNOTES


  1. D.m.th. përveç Nisës, qytete më të vegjël. — Sh. p. ↩︎

  2. Në origjinal ka: paraprind, gjysh, që duket jo e drejtë (Shiko shën. nr. 23). ↩︎

  3. I referohet Goikut. — Sh. p. ↩︎

  4. Më drejt duhej të thoshte: i princit dhe kontit. — Sh. p. ↩︎

  5. D.m.th. i Stanishës — Sh. p. ↩︎

  6. Të Shqiptarëvet dhe të Sllavëvet. (Shiko shën. Nr. 1). ↩︎

  7. D.m.th. se Juanisi ka qënë zot i Ohrit dhe i Kosturit. Sh. p. ↩︎

  8. D.m.th. se prindi i Skënderbeut s’ka sunduar Kosturin dhe Ohrin. — Sh .p. ↩︎

  9. D.m.th. Pladika — Sh. p. ↩︎

  10. Shtim i përkthenjësit. — Sh. p. ↩︎

  11. D.m.th. vdekjes. Vërë re figurën e bukur, madhështore dhe të trishtuar. — Sh. p. ↩︎

  12. D.m.th. ushtëritë turke, që mbillnin rrënimin në botën e krishterimit. — (Sh. p.). ↩︎

  13. D.m.th. të Gjergj Margnaviçit (Shiko faqe 33) — Sh. p. ↩︎

  14. D.m.th. Jan Huniadi — Sh. p. ↩︎

  15. Me marrëveshje, traktat miqësie — Sh. p. ↩︎

  16. D.m.th. të Lek Zaharisë. — Sh. p. ↩︎

  17. Meriton të vërehet dyshimi i justifikuar i Bardhit për autenticitetin e këtij dokumenti. — Sh. p. ↩︎

Pjesa e radhës
Pjesa 3 — Origjina shqiptare e Skënderbeut