Pjesa 1 — Fisi i Margnaviçëvet

GJERGJ KASTRIOTI, EPIROTAS, I QUAJTUR ZAKONISHT SKËNDERBE, PRINC TRIM MBI TRIMA DHE I PATHYESHËM, U KTHEHET BASHKATDHETARVET DHE ATDHEUT TË TIJ.

Prej

FRANG BARDHIT,

Epishkop fatlumtur i Sapës dhe i Sardanjës. —

Pata vendosur që të lë më njanë gjithçka që botoi këtu e tre vjet më parë [1] për familjen e Margnaviçëvet apo Margnaviçëvet Jan Tomku , burrë ndër të tjerë i shquar, me gjykim të sprovuar e kryevalltar në dituri, e të merrem menjëherë me ato që po ky auktor, ndërmjet dokumentavet lidhur me lashtësinë dhe fisnikërinë e familjes në fjalë, botoi për Skëndërbenë apo Gjergj Kastriotin, princ të Epirit. Por mua më mposhtën lutjet e miqvet, dëshirat e të cilëvet nuk është e urtë dhe e drejtë t’i marrësh nëpërkëmbë. Këta më luteshin pa pushim e me ngulm që unë të çfaqnja mendimin tim për familjen e Margnaviçëvet përpara se të nisesha nga Roma për në Epir, për të marrë përsipër detyrën e vyer të epishkopit. Kështu me vështirësi munda t’i hyj punës për të paraqitur botërisht disa mendime të mia, sa më shkurt që të jetë e mundur; sepse edhe kohën e kisha të pakët — mezi po më jepej një interval prej 15 ditësh —, por edhe puna është për një çështje, që shumë pak ka të bëjë me Epirotët apo me shqiptarët e mi. [2]

Nga ana tjetër, me qënë se dy gjëra, d.m.th. e vërteta dhe metoda, rekomandohen veçanërisht në histori mbi çdo gjë tjetër si dy parimet themelore të saj (me gjithëse ne shkruajmë këtu më tepër apologji se sa histori, por edhe histori, në rast se kjo vepërzë e meriton këtë emër), unë premtoj se çdo gjë që i përket së vërtetës, do ta ruaj me respekt. Sepse dëshiroj që, gjatë gjithë zhvillimit të fjalës sime, asgjë të mos thuhet, që të mos konfirmohet nga gjykimi dhe autoriteti i shkrimtarëvet të sprovuar. Sa për metodën, kam vendosur t’i përmbahem asaj që ka përdorur vetë kundërshtari, me qëllim që lexonjësi të mund të gjëjë lehtë dhe pa asnjë mundim edhe shpjegimin e argumentimevet edhe rrëzimin e pohimevet, që kundërshtari ka grumbulluar në libërzën e tij.

Pas këtyre, Perëndia përpara, po ja fillojmë punës.

Që në faqet e para të këti libërthi (të Tomkut,) që është për t’u flakur, dy gjëra, rreth të cilavet përqëndrohet gati gjithë diskutimi ynë, duhen hedhur poshtë. Pas përshkrimit të gjatë që i bën Nisës, [3] (për të cilën pohon se është quajtur edhe Nesë apo Naisë , kundërshtari ynë çfaq me siguri mendimin, megjithqë nuk mund ta vërtetojë në mënyrë serjoze, se familja e Margnaviçëvet e ka fillin e origjinës së saj më tej se princët e Nisës. Këtu ai ndjek mendimin e atyre, që pretendojnë se kjo familje rrjedh nga Kostandini i Math, , perandori më besnik i Krishtit. Ja fjalët e tij, në faqen 8: «Pastaj, për princët e kësaj, duhet çmuar shumë autoriteti i Bogomilit apo Theofilit , që përmëndëm më lartë; sepse, sipas këtij autoriteti, është plotësisht e qartë që pasardhësit e Kostandinit, në kohën e Perandorit Justinian, kanë zotëruar qytetin që zumë në gojë. Kështu ta nxjerrësh zanafillën e fisit tonë nga ky brez i Kostandinit, unë, sigurisht, as që do të mund ta kundërsht0nja, sidomos, kur stërgjyshërit tanë, siç do të duket sheshit më poshtë, kanë ushtruar lirisht për kaqë shekuj me radhë hegjemoninë e tyre mbi këtë qytet dhe kur nga vetë perandorët e Stambollit jarë quajtur arkondë, d.m.th. princër të Nisës».

Pas këtyre fjalëve ai shton një farë fragmenti si mos më keq, të nxjerrë nga një diplomë , të cilën gjoja, siç thotë, ua paska lëshuar stërgjyshëvet të tij mbreti i Hungarisë Matthia , për shërbime ushtarake që i kishin bërë me besnikëri. Unë do të them këtu hapur atë që mendoj: sikurse është, d.m.th., një gjë fund e krye falso dhe, sigurisht, kundër së vërtetës ta paraqitësh familjen e Margnaviçëvet se e ka fillimin e saj nuk do të thoshnja më larg, por nga vetë princët e Nisës, po ashtu është krejt qesharake dhe e pa qëlluar të mendosh se e njëjta familje rrjedh nga Kostandini i Madh. Unë, sigurisht, nuk do të kisha guximin ta pohonja një gjë të tillë e, në qoftë se të tjerët do ta pohonin, as që do të merrnja mundimin t’u kundërshtoj, sidomos, kur asnjeri nga familja e Margnaviçëvet nuk ka ushtruar ndonjëherë sundim të lirë [4] mbi qytetin e lartpërmëndur dhe as që është quajtur nga Perandorët e Stambollit arkond apo princ i saj. Kjo do të duket sheshit më poshtë.

Tani këto që thamë për pikën e parë, d.m.th. për lashtësinë e panjohur të familjes së Margnaviçëvet, le t’i parashtrojmë për t’i shqyrtuar shkurt e shpejt, duke shkuar pas fragmentit të diplomës, që Tomku ka përdorur në këtë rast.

«Ne Matthia etj. Për të njëjtën arësye kemi pranuar se këto kanë qënë të përbashkëta dhe mendojmë se duhet të jenë kështu përgjithmonë edhe në të ardhmen. Shpallim botërisht dhe deklarojmë se çdo gjë e çdo lloj nderimesh, gradat e larta, titujt, privilegjet dhe avantazhet e veçanta, u janë akorduar të lartpërmëndurvet [5], princit të ndritur si dhe kontit e trashëgimtarëvet të tyre legjitimë, pasardhës dhe zëvëndës të tyre, për respekt kundrejt qytetit të Nisës dhe për virtutet e meritat e kësaj familjeje shumë të vjetër. Se këto u janë akorduar para së gjithash nga perandorët e lavdishëm e të paharrueshëm të Stambollit princërve të ndryshëm të familjes në fjalë, sikurse në të vërtetë: nga Niqifori dhe Manueli Stanishës, arkond i Nisës etj.; nga Ballduini , perandor i Stambollit, princit Kostandin, të quajtur Strasimir, bir i senatorit kostandinopolitan dhe i arkondit të Nisës [6]; nga Mihail Paleollogu princit Reposh, jupani të madh; nga mbretërit e Bullgarisë stërgjyshëvet tanë dhe veçanërisht nga Samueli princit të së njëjtës familje Tvartko, kenes veliki; më në fund nga Stefan Nemania mbret i Rashës , Lourinit, babës së princit Marnavë , starost i Rashës etj.».

Tomku, pra, e nxjerr zanafillën e familjes së tij nga Stanisha, për të cilin, në faqen 8, ka thënë se mund të quhet në gjuhën latine «Kostandin». Por nga korruptimi i shëmtuar i vetë emravet, si në këtë rast, mund të provohet në mënyrë të mjaftuëshme se sa besim mund t’u japim fjalëvet të këtij kundërshtari, kur na radhit këtu vargun e gjatë të parëvet të tij. Sepse, kushdo ta shpjegonte emrin Stanisha, qoftë edhe kur e zotëron mesatarisht gjuhën ilirike, me fjalën latine Kostandin? Ai mund të bënte një shpjegim të tillë për emrin Stanisllav, megjithëse jo me saktësi të plotë, por të paktën me një afrim shumë më të madh . Unë nuk mund të mos e admiroj auktorin për këtë gabim të tij, megjithqë na e heq vehten si shumë të rrahur në gjuhën e vet dhe ka botuar edhe disa libërza në këtë gjuhë të tij amtare.

Por le t’i lëmë mënjanë të gjitha këto dhe le të kalojme në argumenta më të rëndësishme.

Tomku, pra, duke u mbështetur në autoritetin e diplomës në fjalë, na nxjerr si përfundim se Stanisha, që përmendëm më lart, është quajtur arkonde nga Niqifor Fokaj dhe nga Manueli, perandorë të Stambollit. Por Niqifori dhe Manueli i kanë marrë në dorë skeptrat e Stambollit i pari në vitin 936 dhe i dyti në vitin 1133. Atëhere unë s’e di se si mund të ngjiste që Stanisha të jetë nderuar me titullin e arkondit nga të dy këta perandorë, veçse po të themi se ky njeri ka pasë jetuar përmbi njëqind e shtatëdhjetë vjet. Këtë vështirësi e ka vënë re edhe kundërshtari ynë, por s’ka mundur t’i dalë mb’anë ndryshë, veçse duke çpikur një Stanishë të dytë. E me të vërtetë, ay shkruan kështu në faqen 10. «Por lind një vështirësi më e madhe, se si d.m.th. një dhe po ay Stanish ka mundur të quhet arkondë nga perandorët Niqifor Foka dhe Manuel, ndërmjet të cilëvet është një interval kohe mbi njëqind e shtatëdhjetë vjet. Por, ndoshta, mbreti Matthia ka patur ndërmënd dy Stanishë të nderuar me të njëjtin titull, njeri nga Niqifori dhe tjetrin pastaj nga Manueli. E me që kjo gjë është aqë më afër së vërtetës, sa është edhe vetë mbreti në një çështje kaqë të rëndësishme, të cilën ai, siç thotë vetë, e ka hetur në bazë të dokumentave shumë të vjëtra të familjes sonë, prandaj është nevoja që të pranojmë dy Stanishë.» Por në rast se Tomku, i çpik me kaqë lehtësi të parët e tij, atëhere ai do të ishte kujdesur, ndoshta, me tepër për familjen e tij, po ta kishte nxjerrë vehten si bir të Afërditës bashkë me Eneun dhe të Zeusit bashkë me Aleksandrin. Por që kjo pjesë e diplomës nuk është e zonja për sofizimat që përdor Tomku, e tregon qartë puna se, po të kishte dashur, d.m.th., dikur Manueli që ky, Stanisha i dytë, të çquhet me një titull nderi për shkak të ndonjë shërbimi të çquar kundrejt tij, atëhere, kuptohet se Manueli nuk do t’i akordonte këtij ato që i përkisnin sipas së drejtës së trashëgimit . Ky akt, d.m.th., i Manuelit nuk do të bëhej për t’ia shtuar Stanishës favoret, sa për t’i kujtuar ato të paraardhësit të tij kundrejt familjes së Stanishës . Por vetë pjesa lidhur me ato që i janë referuar senatit të popullit të Romëvet për Stanishën, e cili duhej të ndërohej me nënshtetësinë romane, është aqë e qartë dhe e çoqur, sa që të pranohet vetëm një Stanishë , i cili është quajtur arkond nga Niqifori dhe Manueli. Ky konkluzion del qartë nga fjalët e kundërshtarit, që përfshihen në faqen 55, që është faqja e fundit e libërzës së tij: «Ma ka ënda të sjell ndër mënd Stanishën, princin e Nisës, i cili është nderuar me titullin e arkondit të Nisës nga perandorët e Stambollit Niqifor dhe Manuel». Tani le të gjykojë vetë lexonjësi nga këto fjalë nëse një apo dy Stanishë kanë qënë përmëndur në Senatin e Romënjet.

Nuk po zë në gojë shumë gjëra të tjera, që do të mund të silleshin këtu, për të vërtetuar falsitetin e kësaj diplome e që Tomku i ka përdorur për vetë shpjegimin e saj. Ky, domethënë, megjithqë frenat e Perandorisë së Stambollit i kanë mbajtur dhe drejtuar shumë Niqiforë , ka pohuar pa asnjë bazë mbështetëjeje, se ka qënë Niqifori ai, nga i cili Stanisha u quajt arkond. Gjithashtu po lë mënjanë edhe besimin e pakët që ngjall Tomku në shpjegimin e emravet ilirike, kur pohon se «kenez veliki» do të thotë, për latinët, «princ i madh». Ky shpjegim qëndron larg së vërtetës, sepse «kenez veliki» për ilirikët është po ajo gjë, që për latinët është «kont i madh». Se sa ndryshim ka, sigurisht, konti nga princi , këtë ua lë të tjerëve ta gjykojnë. Me të njëjtën lehtësi ka shpallur se fjala Tvartkus ka po atë kuptim, që ka edhe fjala Valerius, d.m.th. i fortë, tek latinët; por sigurisht që ai gabon, sepse fjala Tvartkus për ilirikët ka më tepër kuptimin e fjalës i ashpër (durus). Unë do të lë në heshtje edhe shumë supozime boshe e që qëndrojnë në erë të këtij kundërshtari, të cilat, me që nuk mbështeten në asnjë argument, me të drejtë mund të quhen se s’kanë asnjë rëndësi, dhe do të kaloj në mënyrë të veçantë në ngjarjet e kohës së Nemanias. E pikërisht, në këtë pjesë këtu më poshtë, do të mund të shohësh shoshitjen, sulmin dhe rrëzimin e plotë përtoqe, që i bëjmë diplomës së kundërshtarit.

Tomku ka çfaqur mendimin, (sikurse edhe më lart, në faqen shtatë, megjithëse s’mundi ta provojë), se Nisa u ka qenë bindur perandorëvet Romanë gjer në kohën, kur këto krahina i sulmuan Gotët dhe Bullgarët, dhe se ajo rreth po kësaj kohe u qe dhenë gjyshërvet të tij nga vetë perandorët, për shkak të disa meritave të tyre — fjalët janë të kundërshtarit. Ay është përpjekur të provojë se sundimi Nisës ka qenë në duart e njërëzvet të tij gjer në kohën e Nemanias , i cili, thotë kundërshtari, e rrrëmbeu atë nga duart e Stanishës, të Stanishës së dytë, që Tomku e çpiku për familjen e tij. Por e vërteta është se Nemania nuk e rrrëmbeu Nisën nga Stanisha, por nga perandoria e Stambollit, dhe se e çfrytëzoi atë në bazë të së drejtës së luftës [7]. Këtë e dëshmon qartë Tagenon Patavini [8] me këto fjalë: «Në stuhitë e luftëravet, kur po qeshte moti i kthjellët, tanët po i afroheshin qytetit të Nisës. Këtë qytet, bashkë me gjithë krahinën rreth e përqark, e kishin vënë para pak kohe nën sundimin e vet, passi ja rrëmbyen perandorisë së Stambollit, Nemania dhe Krezimiri, kontë të mbëdhenj të Serbisë e të Rashës bashkë me vëllanë e tretë Mekilla, që e shkruajnë Mirosllav e të tjerë Mihail. Këta, kur qëllon të dalin për të pritur me gëzim ndonjë të huaj, më tepër se në çdo rast tjetër përshëndesin madhërisht ardhjen e Perandorit , ashtu siç i ka hijë atij, me pregatitje e të përçjellura madhështore. Këta e nderojnë atë me gjithë zemër, e mbysin me çfaqjet e tyre të bindjes, kurse princërvet u ndajnë bujarisht kokë për kokë qe, dhën, verë, grurë dhe elb. Duke bërë çdo gjë për këtë panair, i japin në çdo mënyrë fjalën e besës Perandorit dhe i ofrojnë vullnetarisht ndihmën e tyre kundër çdo popullsie dhe sidomos kundër perandorit të Stambollit. Dhe këtë ndihmë ja ofrojnë si nga ana e vetë, si nga ana të lidhur me besë me ta, d.m.th. nga Kalopetri dhe vëllai i tij Hasan , të cilët zotërojnë gjithashtu një pjesë të Bullgarisë rreth Danubit dhe disa pjesë të Thrakës, që i kishin nënështruar me trimërinë e tyre luftarake.» — Këto thotë Tagenoni. Por nga këto fjalë të tij shihet kjartë se Nisa s’ka qënë, para kohës së Nemanias, nën sundimin e të parëvet të Tomkut, por përkundrazi nën sundimin e Perandorisë së Stambollit dhe nën luriidksionin e saj. (Sa për të parët e Tomkut, kur të diskutoj më poshtë për fillimin e familjes së Margnaviçëvet, do të vërtetoj se këta jo vetëm që s’kanë sunduar, por as që kanë jetuar në atë kohë) [9]. Dhe kundërshtari ynë, kur e pa se autoriteti i Tagenonit i prishte shumë punë në këtë rast e me që s’kishte se ç’t’i përgjigjej, tha, — e unë s’di se me ç’sy e faqe — se ky auktor është gabuar si ndonjë i paditur. Ja fjalët e tij, në faqen 11: «Mbassi, pra, Nemania e rrëmbeu Nisën, u kënaq aqë shumë me bukurinë dhe shkëlqimin e saj, sa që vendosi që ky qytet duhej nderuar në të ardhmen si kryeqytet i dinastisë së tij. Kështu ay priti për disa ditë në këtë qytet, pak kohë pas kësaj, dhe nderoi me bujari mbretërore Frederikun. Perandorin e parë me këtë emër, të quajtur zakonisht Enobarb , i cili kishte shkuar me gatishmëri të madhe në luftën e shenjtë aty nga fundi i shekullit të XII pas Krishtit. Dhe këtë nder mbretëror nga kjo mikpritje në qytetin madhështor ai e pat me të drejtë për të mirën e vet dhe të pasardhësvet të tij nga ana e perandorit. Mikpritjen në fjalë e përmënd edhe Tagenon Patavini, me rastin e pushtimit me dhunë të këtij qytetit nga Nemania; por ai e paraqit qytetin sikur t’i përkiste perandorisë së Stambollit, për arësye, ndoshta, se princët e Nisës mbanin anën e Grekërvet dhe prandaj ai ka besuar me lehtësi se i përkiste mbretërisë greke. Tagenoni, si italian që ishte, nuk kishte eksperiencë të mjaftë për punët tona dhe prandaj, kur shkruan për hyrjen e Frederikut në Serbi, me të cilin udhëtonte së bashku , thotë kështu: «Nër stuhitë e luftërave etj.». Në të vërtetë gabimi i Tagenonit, për të cilën e akuzon Tomku, është, sigurisht, ky, se Tagenoni nuk i mban iso qëllimit dhe nuk i servir gustos së tij. Por, po të gjykoimë më drejtë, a nuk duhet të themi më mirë se fantazitë e Tomkut, të cilat nuk janë dakord me historinë e Tagenonit, janë boshe dhe përralla? Tagenoni ka jetuar në kohën e këtyre ngjarjeve, kurse Tomku po jeton bashkë me ne pas kaqë vjet, d.m.th. pas 430 vjet nga pushtimi i lartpërmëndur i Nisës; ay ka përfshirë në shkrimet e tij ato që ka parë me sytë e vet, si bashkudhëtar i perandorit në Ekspeditën aziatike , kurse ky përpiqet të deformojë në mënyrë të turpëshme çdo gjë që lexon, sa herë që nuk mund të paraqisë asnjë arësye dhe asnjë shkrimtar për të na kundërshtuar. Unë, sigurisht, nuk shoh përse duhet përbuzur autoriteti i Tagenonit në këtë rast, kur as mungesa e eksperiencës, (sepse ai nuk i shkruan ngjarjet, veçse ashtu siç i ka parë dhe dëgjuar dhe, ndoshta, si vetë Nemania ja ka rrëfyer), as ndonjë sofizëm tjetër nuk ka vënd këtu, me qënë se asnjë arësye nuk duket e mundur, për të cilën ky auktor të jetë korruptuar e të ketë shkruar kështu gënjeshtren për të vërtetë. Por, sikur ne të na lejohej që t’u mveshim me kaqë lehtësi auktorëvet gabime që s’u përkasin, atëhere ç’vlen e vërteta e padhunueshme e historisë? Besimi i pa përlyër i shkrimtarëvet? Autoriteti i antikitetit? Përse vlojnë vëllimet, kujtimet dhe monumentet e tjera të vjetërisë? Lexonjësi i mençur mund të gjykojë vetë në këtë rast se kujt i duhet dhenë më tepër besim, Tomkut që, pa e vrarë aspak mëndjen dhe pa asnjë bazë, por duke u munduar vetëm për çështjen e vet, e quan të pa ditur një auktor kaqë të shquar, apo italianit Tagenon, këtij dëshmitari konseguent e plotësisht të dizinteresuar, që çdo gjë e ka parë fill e për pe me sytë e tij, gjë kjo, që duhet çmuar shumë. Por le ta dijë Tomku, dhe kushdo tjetër që i shkon pas, se Tagenoni jo vetëm që s’ka gabuar, kur pohon se Nisa i është rrëmbyer Perandorisë së Stambollit, duke kështu me të drejtë e në mënyrë të qartë në favorin tonë, porse, edhe sikur ky qytet të mos i ishte rrëmbyer perandorisë së Stambollit, por sundimit të ndokujt tjetër, edhe në këtë rast fuqia dhe stabiliteti i këtij auktori me vlerë nuk do të zvogëlohej aspak. Sepse familja e atyre që vazhdojnë të quhen gjer më sot Margnaviçë, as ka ekzistuar gjikundi në atë kohë, as ka sunduar. Kjo gjë do të dalë farë kjartë në shesh më poshtë, kur ne do të caktojmë fillimin e familjes së Margnaviçëvet nga Marko Margnava, një burrë më tepër se kushdo tjetër i pa rëndësishëm dhe i ngritur nga gjëndja shumë e ulët në autoritet të madh pranë dhe me ndihmën e vetë perandorit Stefan.

Ndërkaqë le të diskutojmë rreth atyre, që kundërshtari ka grumbulluar këtu për pasardhës të tjerë të tij.

Ky, në faqen 22, thotë se Simeoni , i quajtur edhe Stefan, bir i Nemanias, ja ktheu Nisën bashkë me gjithë principatën Kostandinit, të quajtur Strasimir, bir i Stanishës të përmëndur më lart. Por kundërshtari ynë nuk paraqit asnjë shkrimtar, që të ketë përmëndur këtë ngjarje; prandaj nuk do të jetë vështirë që unë ta quaj këtë thënie përrallë. Në mënyrë krejt të njëjtë ai ka pohuar se motra e Strasimirit, Geliza, ka qënë marrë grua nga Simeoni në fjalë dhe se prej saj ka lindur burri i shenjtë Sava . Me të njëjtën lehtësi ka shënuar se Kostandini, i quajtur tanimë Strasimir, u shërbyer me zell latinëvet dhe se prandaj është proklamuar nga Balduini arkond i Nisës dhe senator i Stambollit. Më në fund, ndërmjet pasardhësvet të tij, numëron edhe një farë Reposhi, daç të Stanishës, daç nip (sepse as vetë Tomku s’ka mundur të gjetë në shesh gjë të sigurt në këtë mes). Pastaj ka çpikur se gruaja e këtij me emrin Dhorothea ka qënë bija e njerit nga dinastët më të mëdhenj grekë; ai citon në këtë rast Gregoranë , lib. 8. Por unë po ju them se e lëxova me kujdes tërë këtë libër, që shënohet si i teti në historinë e Niqiforit [10], por nuk munda të gjej asgjë për këtë çështje, veç se një shënim shumë të shkurtër për një farë trashëgimtari të fundit të principatës së Thessalisë nga familja e Engjëvet . Ja fjalët e Gregorajt: «Trashëgimtari i fundit i principatës kishte vdekur që kur.». — Markun e ka paraqitur si bir të Reposhit, nga i cili (Mark) lindën pastaj, sipas mendimit të kundërshtarit, Lourini, që latinisht thuhet Laurentius, dhe Bogdani, që unë mendoj se mund të thuhet fare bukur prej latinëvet Deodat . Tomku ka pohuar gjithashtu se Lourini që zunë në gojë, ka qënë quajtur prej Grekërvet Liber ose Liver, që s’ka të drejtë. Për të mprojtur mendimin e tij, kundërshtari ka cituar Jan Kantakuzenin, i cili, në librin 3, kap. 42-43 e vazhdin, përmënd një farë Liberi, princ shumë të fuqishëm të Tribalëvet dhe me një influencë të madhe ndaj mbretit të këtyre. Por megjithëse unë për një kohë të gjatë dhe me vëmendjen më të madhe e lëxova fije për fije pjesën e cituar të Gregorajt dhe gjithçka përfshihet në ata kapituj e peshova mirë, nuk munda të gjej as edhe një fjalëzë, nga e cila të mund të duket, qoftë edhe jo kthjellët, se Liberi ka qënë nga princët Niseas, apo bir i Markut të përmëndur më sipër, ose, më në fund, një me Lourinin, që Tomku na e ka përshkruar këtu. Dhe kështu, me të vërtetë, paaftësia e kundërshtarit tonë, që të shprehemi kështu, për të cituar auktorë me vlerë është e padurueshme, sepse në gjithë librin e tij ai mezi ka mundur të përmëndë tre auktorë të tillë. Por edhe këta i përmënd në mënyrë të atillë, që dy na i paraqit jashtë themës, kurse të tretin e nxjerr me lehtësinë më të madhe tepër të gabuar. Kundërshtari do të na turret, ndoshta, menjëherë e do të na thotë se nuk është një gjë e re për Grekërët që t’i ndryshojnë emrat e princërve apo të dukëvet, dhe sidomos për Kantakuzenin, për të cilin, në faqen 15 të libërthit të tij, ankohet, se Stefan Nemanian, mbretin e Rashës e ka quajtur kral e jo Bazileus . Por Tomku arkohet pa të drejtë në këtë rast kundër Kantakuzenit, sepse fjala kral apo kragl tek ilirikët ka të njejtin kuptim, që ka edhe fjala rex [11] (= mbret) për latinët. Me këtë emër (kral) ata kanë quajtur mbretërit e tyre.

Nga kjo duket qartë se Kantakuzeni me besnikërinë më të madhe ka shënuar këtu emrin mbret të Rashës, me të cilin e kish dëgjuar ta thërrisnin e vetë; prandaj Kantakuzeni ka qënë këtu më tepër për t’u lavdëruar sa për t’u qortur. Ky me të njëjtin sinqeritet e ka quajtur, në kapitullin 43, të vëllanë e Liberit me emrin e njohur tek ilirikët Bogdan. Prandaj unë s’mund të mos e admiroj guximin e kundërshtarit tim, i cili s’e ka patur për gjë të pohojë se Lourini është quajtur, si pas zakonit grek, Liber apo Liver nga Kantakuzeni.

Pas Lourinit, përmëndet nga kundërshtari ynë Marku, i pari që numërohet pa cenuar të vërtetën ndërmjet Margnaviçëvet. Por edhe në këtë rast Tomku meriton të akuzohet shumë rëndë, sepse Markun na e nxjerr bir të Liberit, për të cilën nuk e mohon se ka qenë një dinast shumë i fuqishëm i Tribalëvet. Nga ky Mark, pra, i cili quhet nga vëndasit Margnavë, e ka fillin emri i familjes së Margnaviçëvet apo Margnavëvet, siç duket qartë nga Analet e Raguzës, si edhe ajo fije famë dhe shkëlqimi i saj, në rast se e ka pasur. Markut i lindën tre djem, Vukashini , Ugleshi dhe Goiku, siç mund të shihet qartë, përveç tek Analet e Raguzës, edhe tek abati Mavro Orbini , shkrimtar shumë i kujdesur dhe i regjur për çështjet ilirike apo slave. Ky, kur flet për djemtë e Markut, shkruan kështu në gjuhën italiane: «. . . Këta (d.m.th. Vukashini, Ugleshi dhe Goiku), lindën në Hljevno nga baba i tyre Margnavë, i cili në fillim ka qënë një fisnik i varfër etj.» — Unë nuk shoh se si mund të puqen këto fjalë me të thanat e Tomkut, që i përmëndëm, d.m.th. si ndodhi që Marku në fjalë të ketë qënë një burrë me kondita kaqë të ulta, në rast se ka lindur nga një princ i fuqishëm dhe i shënuar, (d.m.th. nga Liberi), dhe aqë më tepër nga një princ i Nisës. Por nga këto vështirësi ne na nxjerr vetë Liberi, sepse as ndonjë dinast shumë i fuqishëm ka patur të bëjë ndonjëherë me Margnaviçët, as vetë Marku në fjalë ka lindur, siç ëndërron Tomku, nga princët e Nisës. Përkundrazi, ky ka lindur nga një familje prej rangu të ulët; por me që ka qënë i pajisur me cilësi shpirtërore të çquara e nga ana tjetër i qeshi edhe fati, e solli punën që të fitojë famë e shkëlqim jo të zakonshëm, kështu që përmëndet nga shkrimtarët si themelues i shquar i fisit të tij. Dhe se në ç’mënyrë Margnava i lartpërmëndur ja hapi rrugën vehtes dhe njerëzvet të tij për të fituar ndere, do ta tregoimë me gojën e Abat Orbinit, i cili, pas fjalëvet që cituam më sipër, vazhdon të thotë kështu: «Por pastaj u bë i math, bashkë me të bijt e tij, nga perandori Stefan . Ky kishte ardhur një mbrëmje vonë ndënë Blagai dhe dëshironte që të futej brënda në kështjellë; atëhere Marku e priti me kënaqësi në shtëpinë e vet. Perandori, kur i pa sjelljet e këtij në rregull, e mori në oborrin e vet bashkë me gruan, me bijtë e me dy bijat e tij. Bijtë ishin Vukashini, Ugleshi dhe Goiku». — Kështu Marku, që perandori e nderonte çdo ditë e më tepër, arriti të shtjerë në dorë për vehte dhe bijtë e tij grada jo sido. Mbas vdekjes së t’et, të bijtë, duke dhënë shëmbuj të shkëlqyer të prirjevet të tyre, arritën të marrin në dorë qeverimin e disa qyteteve dhe krahinave. Ndërkaqë perandori Stefan vdiq, duke lënë një djalë të vetëm me emrin Urosh . Ky e mori në dorë pushtetin atëror, por nga që s’kishte aspak eksperiencë për një qeverim kaqë të math, u dha fuqi më tepër se sa duhej vëllezërvet Margnaviçë, aqë sa për vehte mbajti titullin e perandorit, kurse Vukashinin nderoi me emrin e mbretit . Por Vukashini ishte një burrë oportunist, prandaj përdori çdo mënyrë për të çarë rrugën e për t’u bërë perandor ose më mirë tiran. Dhe, sikurse e konfirmoi mbas pak kohe shtjellimi i ngjarjevet, fati nuk e gënjeu. Me të vërtetë, të gjitha vëndet që, bashkë me të vëllezërit, kishte marrë nga Stefani për t’i qeverisur, si dhe shumë krahina të tjera që u dha atyre Uroshi, nuk i qeverisi në emrin e perandorit, siç ishte e drejtë, por në emrin e vet. Uroshi e vuri re këtë gjë, megjithëse vonë, e nga që nuk i mbetej më asgjë nga madhëria perandorake përveç emërit, u përpoq me shumë mënyra që të merrte përsëri në dorë pushtetin e të parëvet të tij. Por, ndërsa po lypte ndihmë nga disa mbretër të vegjël dhe princër kufitarë, i dbuar jashtë mbretëris së tij, u kap më në fund nga Vukashini në një kështjellë shumë të fortifikuar. Së këndejmi u mundi ay të ikëjë, por u kap përsëri dhe u fut në burg. Duke u përpjekur që të ikëjë për të tretën herë dhe ndërsa u kishte shpëtuar fatbardhësisht rojevet të burgut, ndiqet nga vëllezërit Margnavë dhe vritet me shpatë nga Vukashini, i cili, që të përmbushte lakminë e tij për të mbretëruar, guxoi të kryejë një krim kaqë të çnjerëzishëm, i shtyrë, besoj unë, nga një tërbim prej Tartarësh: Shëmbëll fort i rrallë mizorie dhe mprapështie ekstreme.

Ky, pra, tirani më çnjerëzor dhe më i keq, pas këtyre intrigave të kobëshme kundër perandorit, pas këtyre veprave të shëmtuara që kreu, përmëndet nga Tomku si një ndër të rrallët që kanë nderuar drejtësinë! Por kjo nuk duhet t’ju çudië, sepse në tërë libërzën e kundërshtarit tonë mezi shkëlqen një shkëndijë e vetme e së vërtetës. Këtë unë e quaj shumë të rëndësishme, sepse tregon se kundërshtari ynë nuk e gjen të nevojshme të përqafojë në veprën e tij asnjë shkrimtar me vlerë, por t’i trillojë të gjitha sipas gjykimit të vet. Kështu edhe për Uroshin ka pohuar se nuk u vra nga Vukashini, por se u çduk nga jeta për shkak të vuajtjeve të burgut, d.m.th., nga pikëllimi shpirtëror dhe nga mungesa e ushqimit. Por ai nuk citon asnjë shkrimtar për ta konfirmuar këtë. Por që Uroshi u vra me shpatë nga vetë dora e Vukashinit pas burgimesh të gjata, këtë e dëshmojnë me fjalë shumë të prera, që të mos përmënd të tjerë, Analet e Raguzës dhe abati Mauro Orbini, tek të cilët ne e drejtojmë lexonjësin.

Ndërkaqë le të kthehemi te vetë Vukashini dhe vëllëzërit e tij. Këta, mbassi ushtruan për disa vjet tiraninë e tyre mbi mbretërinë, të urryer njësoj nga Zoti e nga njerëzia, ranë që të tre në të njëjtën kohë e vend, në një fushatë kundër Turqvet , fuqitë e të cilëvet Tomku i llogarit në trimijë. Këtë shifër jep bashkë me Tomkun, përveç të tjerëve, edhe Mavro Orbini, kurse Laoniku i çmon vetëm në tetëqind e të tjerë edhe më pak, sidomos Analet turke, sipas Leuklavit .

Vukashini ka pasur katër bij, Markun [12], Juanisin, Andrean dhe Mitrasin. Gjithashtu është jashtë çdo dyshimi se Ugleshi nuk ka lënë asnjë bir. Vështirësia më e madhe është lidhur me Goikon, nga i cili Tomku ka nxjerrë vargun e gjatë të të parëvet të tij; por ne do të provojmë me poshtë se ai vdiq pa lënë fëmijë. Tani le të shikojmë shkurt disa çështje të tjera.

Me vdekjen e Vukashinit dhe të vëllezërvet të tij, mbretëria u copëtua nga më të fuqishmit: Lazari u bë kryezot, duke futur nën sundimin e vet një pjesë të madhe të mbretërisë dhe duke shtënë në dorë me siguri edhe qytetin e Nisës. Kjo duket qartë nga Jan Leunklavi, i cili në Librin e 5-të të tij e paraqit Lazarin duke folur kështu: «Asnjë kështjellë në krahinat e mia nuk është më e fortë se ajo, që, sigurisht, nuk është pushtuar nga Turqit, gjë që, të tjera, ne e çmojmë si një ndihmë dhe shpresë». — Po ky auktor shton pak më poshtë: «Mbassi Murati pushtoi Nisën dhe vëndet kufitare të saj, e detyroi Lazarin, princin e saj krahine, t’i paguajë çdo vit një tribut dhe, si bëri me të paqe me kondita të caktuara, u kthye më në fund në Adrianopojë.» — Pastaj, pjesërisht nga sa na thotë Leunklavi dhe pjesërisht nga itinerarët, që kanë hartuar shkrimtarë të ndryshëm dhe veçanërisht venecianë, del qartë se po ky qytet i ka qënë rrëmbyer sundimit turk, se ka qenë djegur e shkretuar prej Huniadit dhe mbretit të Hungarisë dhe se përsëri ka qënë pushtuar nga Turqit e katandisur në formën e një fshati. Prandaj, duke qënë se pas vdekjes së Vukashinit sundimi i Nisës, (të cilën ai e shtiu në dorë në mënyrë tiranike, sikurse edhe të tjerat), s’ka qënë kurrë në duart e Margnaviçëvet, por ac edhe përpara Vukashinit, siç u provua më lart, gabimi shumë trashanik i kundërshtarit, që të mos them gënjeshtra e tij, hidhet poshtë me lehtësi, e këtij kundërshtari, i cili në gjithë libërthin e tij afirmon e përsërit me ngulm, sa që të bën të vjellësh, se principata e Nisës është një pasuri e vjetër atërore, e lënë trashëgim familjes së Margnaviçëvet.

Por le të kalojmë tek të bijtë e Vukashinit. Këta, mbas vdekjes së t’et, mezi mundën të mbajnë nga mbretëria e tij aqë, sa mund t’u mjaftonte për të përballuar jetën: kaqë shpejt fati i rukullisi Margnaviçët nga maja më e lartë e lumturisë dhe e fatbardhësisë dhe i zhyti në fundin më të thellë të mjerimit, kështu që të vërtetohet edhe në këtë rast ndryshimi të gjeravet ajo fjalë e urtë e famshme: «djalli i solli, nëma i mori» [13]. Marku , pra, i biri i Vukashinit, — që t’ia fillojmë nga më moshatari, — i qëlluar nga një ushtar Vllahjan, i cili e pandente për egërsirë, në pyjet dhe bjeshkat e Vllahisë, u shtri për tokë tamam si egërsirë, në kohën që luftonte, i mbrapshti, në Vllahi në të mirë të Turqvet e kundër të krishterëvet . Ky nuk la asnjë fëmijë, siç e pohon dhe vetë Tomku. Nga ana tjetër Juanisi, i cili zotëronte disa vënde të pakta pranë Shqipërisë, ra në marrëveshje me Turqit për t’u paguar tribut; por me që nuk mund ta duronte tiraninë e tyre, shkoi e gjeti strehë, bashkë me njerëzit e tij, tek bijtë e Balshës , që sundonin mbi Zetën . Këtë ngjarje e përmënd dhe abat Orbini me këto fjalë: «Por Juanisi nuk mundi të qëndrojë për shumë kohë nën tiraninë e tyre (kuptohet të Turqvet) dhe u tërhoq bashkë me disa nga të tijtë në Zeta, pranë bijvet të Balshës, të cilët i pranuan me dëshirën e tyre dhe u dhanë nga vëndi i tyre aqë, sa mund të jetonin». — Po ky auktor dëshmon se Juanisi u vra nga Turqit, bashkë me shumë të krishterë të tjerë, në një ndeshje pranë Beligradit, pa lënë asnji pasardhës. Prandaj unë nuk e di se ku është mbështetur Tomku e ka shkruar për Juanisin në fjalë krejt të kundërtën, kur, në faqen 22 e vazhdim, shënon: «Joani, i cili është quajtur nga bashkëkombasit tanë Juan apo Juanis, zotëronte Shqipërinë dhe në të Krujën, Lison, Sfjetigradin dhe kështjellën e Re bashkë me Kosturin, qytet i Maqedhonisë». — Dhe pak më poshtë shton: «Joani pati shumë fëmijë dhe qe më se i lumtur, por u detyrua që t’ia japë si peng mbretit të Turqvet Murat e prandaj qau e vajtoi për ta, se u çkëputën nga dhëmshuria dhe dashuria atërore. Mbas vdekjes së tij, Gjergji, njeri nga të bijtë, i quajtur Skënderbe, d.m.th. Aleksandër Zot, burrë me virtute të admirueshme, e mbajti, sa qe gjallë, në këmbë principatën e babës, që e shtiu në dorë me mjeshtëri të mrekullueshme, duke korrur fitore të shkëlqyera kundër armiqvet. Pasardhësit e tij, të nxjerrë krejtësisht jashtë truallit atëror, zënë gjer në ditën e sotme një vënd fisnik ndërmjet bujarëvet napolitanë dhe quhen Kastriotë, nga qyteti Kostur, që ka qënë nën sundimin e gjyshërvet të tij».

Se sa i kobshëm dhe i urryer është në këtë rast gabimi i kundërshtarit tonë, konstatohet në mënyrë të mjaftueshme nga fjalët plot autoritet të Mavros, që cituam më lart. Por kjo do të dalë edhe më qartë në dritë më poshtë, kur unë do të parashtroj më tepër gjëra për Juanisin në fjalë dhe do të provoj se prindi i Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, nuk ka qënë Juanisi, i biri i Vukashin Margnavës, po një tjetër, d.m.th. Jan (Gjon) Kastrioti, Shqiptar edhe nga origjina edhe nga vendi i lindjes. Për këtë të vërtetë do të sjell dëshmi nga shumë shkrimtarë, nga Orbini, Barleti , Kalkokondili dhe Leunklavi, nga të cilët do të provohet se prindi i Skënderbeut s’ka patur kurrë në zotërim as Lison, as qytetin e Kosturit. Prandaj pohimi i kundërshtarit, se Kastriotët janë quajtur kështu nga qyteti i Kosturit, është i rremë.

Por le të parashtrojmë më parë ato që i përkasin Andreas, birit të tretë të Vukashinit. Këtu s’kemi për t’u lodhur shumë, sepse nuk jemi në kundërshtim me kundërshtarin. Prandaj unë do të përdor pothuaj vetë fjalët e tij: «Andrea, pra, i cili zotëronte disa vende në Thesali rreth Feras , pati (lindi) Dominikun, i cili quhet zakonisht Moncil, babën e Kojës, që vdiq pa lënë fëmijë si princ i Muzakëvet, dhe të Helenës, gruas së Stefan Kosaçit».

Të fundit kemi Mitrasin. Ky vdiq, pa lënë asnjë pasardhës, në kohën, kur ish zot në disa qytete malore rreth Shkupit, duke u paguar një tribut të caktuar Turqvet.

Pas këtyre që shqyrtuam lidhur me bijtë e Vukashinit, na mbeten për të hetuar disa çështje të tjera, që kanë të bëjnë si bir të vetëm të Goikut Markun. Këtë gjë ai e ka shprehur më qartë më lart, në faqen 23, me këto fjalë: «Marku, i biri i Goikut, ka qënë filiza e vetme e tij. Kur Gjergj Brankoviçi , dhëndërr i Llazarit , pushtoi Nisën, Goiku mori me short qytetin Zvonik bashkë me kontenenë pranë saj. Ky nuk u paguntë asnjë tribut Turqvet, ndërsa kushërinjtë e tij, përveç tributit, detyroheshin të bënin edhe shërbimin ushtarak për Turqit». — Këto thotë Tomku e vazhdon e shton më pas diploma të ndryshme e të gjata tërkuzë, për të provuar vargun e gjatë të pasardhësve të Goikut dhe të Markut në fjalë. Por se çfarë rëndësie mund të kenë këto diploma që ai parashtron, unë e lë me kënaqësi dhe qetësi në gjykimin e të tjerëvet. Nga ana ime as që shoh se sa mund të jenë në favor të vetë kundërshtarit, që i parashtron, prandaj edhe s’po harxhoj shumë kohë në shqyrtimin e tyre. Do të bëjë vetëm disa vërejtje, megjithëse të pakta, rreth tyre jo për t’i hedhur poshtë, sepse ato s’kanë asnjë grimë vlere, por që t’ua bëj të njohur edhe të tjerëvet peshën dhe fuqinë e tyre! — Me të vërtetë, në shumë pjesë të tyre nuk duket gjëkundi, edhe sikur të rrish e t’i kërkosh për një kohë të gjatë, as konstruksioni i fjalëvet, as kuptimi i mendimeve. Ja, p.sh., si fillon diploma, që kundërshtari parashtron në faqen 29, e cila ka këtë përmbajtje: «Ne Stefan Tvartko Tvartkovi, me hirin e Zotit mbret i Serbisë, i bregdeteve të Boshnjës, i tokavet Kulmense, i Dalmacisë, i pjesës së poshtëme të pjesëvet perëndimore të Vranjës, Solisë, Podionës etj. Para së gjithash unë i quajtur Stefan Tvartko, Tvartkovi, mbret, lavdërojmë përherë Zotin tim të gjithëfuqishëm Krisht, sepse në fillim me themel të admirueshëm forcoi qiejt, regullon gjithësinë sipas vullnetit të vet, por edhe nga zëmërdhëmpshuria e tij zbriti prej qiellit në Tokë nga dashuria për njerëzit dhe natyrën mëkatare të njerëzvet me ardhjen e tij e shpëtoi, u ngrit në qiell dhe të humbura shtëpisë së Izraelit u kthyen përsëri te Bariu dhe i vërtetës, Zoti. Që këndej duke u fuqizuar dhe lavdëruar me skeptrën mbretërore përmes gjithë Universit për lavdinë e Zotit të gjithëfuqishëm, kështu [14] edhe unë Stefan Tvartko Tvartkovi, shërbëtor i Zotit, mbret i përmëndur më lart, u bëra i denjë të mbretëronj në tokat e sipërshënuara të prindërvet dhe të gjyshërvet të mi dhe t’u sjell atyre drejtësinë, hirësinë, e mirësinë, sipas ligjevet tona të shkrojtura dhe të formuluara me besnikëri në bazë të besimit dhe të dinjitetit të tyre, me pëlqimin e mbretërisë dhe në bazë të zakonevet të të mëdhenjëvet të çfarëdo grade, e të japim shëmbëll të mirë e të sillemi ndaj shërbëtorëvet tanë besnikë ashtu, sikurse ata do të na shërbejnë me besnikëri etj.»

Nga kjo pjesë e diplomës lexonjësi i ndershëm mund ta marrë lehtë me mënd se si qëndron puna edhe për diplomat e tjera, të cilat prandaj edhe nuk e quajtëm të udhës që t’i parashtrojmë këtu; për ndryshe, ne do ta humbnim kohën kot. Por nga ana tjetër, përveç të tjeravet, ato as që mund të lexohen pa neverinë më të madhe. Duhet shtuar se në shumë pika diplomat në fjalë i kundërshtojnë mendimit të vetë Tomkut. Me gjithë këtë do të mjaftojë që unë të parashtroj këtu vetëm një pjesë të tillë, sepse gjithë të tjerat bëhen pastaj prej vetiu të ditura e plotësisht të qarta për të gjithë. Kështu, p.sh., në po këtë diplomë, që cituam, shënohet se Nisa dhe Zvoniku i përkasin Joanit, birit të Goikut, si një pjesë apo porcion nga të vëllezërit. Por, siç e ka pohuar edhe Tomku në mënyrë fare të qartë, Joani në fjalë ka patur vetëm një vëlla, me emrin Gjergj. Tani unë nuk shoh se si Tomku do të mund t’i dilte mb’anë këtij objeksioni, veçse po të themi se ose kundërshtari ynë s’mendon drejt, kur thotë që Joani i lartpërmendur ka patur vetëm një vëlla, ose se kjo diplomë është e mbushur vetëm me gënjeshtra dhe shpifje. Por sado që unë do të lë mënjanë shëmbëlla të tjera të tilla, nuk mund të kaloj pa e vënë re mirë atë që shënohet në faqen 37 të një farë diplome për Huniadin. Në këtë diplomë, d.m.th., thuhet se pas luftës në fushën e Kosovës me Sulltanin e Turqvet Murat, në të cilën ushtria e krishterë pësoi kërdinë, Jan Huniadi u pengua dhe u kap në ikje e sipër nga Gjergj Dhespoti dhe se shpëtoi nga robërimi me ndihmën e Gjergj Margnaviçit; ky ja rrëmbeu nga duart Dhespotit dhe e vuri përsëri në krye të vëndevet, ku sundonte më parë. Fjalët e kësaj diplome janë këto: «Ne Jan Huniadi, vojvodë i Transilvanisë, në emrin e në personin e princit të ndritur e të zotit tonë hyjnor Ladislav, me hirin e Zotit mbret i Hungarisë, Bohemisë, Dalmacisë, dhe i Kroacisë etj., mbret i Austrisë dhe dukë i Stirisë etj., si dhe markez i Moravisë etj., të emëruar guvernator në krahinat e lartpërmëndura të mbretërisë Hungari, Dalmaci e Kroaci, po e lëmë për ta mbajtur mënd të gjithë e secili veçanërisht, tani e përgjithmonë, këtë ngjarje: Pas luftës në fushën e Kosovës me Muratin, Sulltanin e Turqvet, kur po ktheheshim në Hungari, u zumë rob nga Gjergj Dhespoti, princ i Serbisë, që i harroi mirësitë tona të panumurta dhe të paharrueshme kundrejt tij. Por ne na shpëtoi nga duart e tij dhe na vendosi përsëri në krahinat e mbretërisë që i ishin besuar qeverimit tonë burri i fuqishëm Gjergj Margnaviçi, me kujdesin dhe trimërinë e tij të rrallë. Ky ishte kont prej Nise, kont i përhershëm i Zvonikut dhe starost i Rashës, zot i Vojnicës dhe farefis i ynë shumë i dashur. Ky, pasi mblodhi një ushtëri të fuqishme nga vendet e juridiksionit të tij, vrapoi fluturimthi në qytetin Zmiderovia , ku ne mbaheshim, dhe, duke i kallur tmerrin princit Gjergj të lartpërmëndur, na rrëmbeu, siç tham, nga duart e tij e na çliroi me trimërinë dhe famën e tij të madhe e na vuri përsëri në krye të krahinavet të mbretërisë, që i ishin besuar qeverimit tonë, etj.» Këto janë fjalët nga diploma. Por unë e di se ka të tjerë, që thonë se Huniadi nuk u mbajt aspak nga Gjergj Dhespoti si armik, por me qëllim që ky të miqësohej me të. Me këta bashkohet edhe Leunklavi, i cili, kur e përmënd këtë ngjarje në librin 14, thotë: «Dhe u kujdesua që Janko Semendrin të zënë rob, t’ja shpinin në mënyrë që ta priste me dashuri. Dhe me të vërtetë, Jankua qëndroi për disa ditë në atë vend pranë Dhespotit.» — Dhe më poshtë, passi bën fjalë për disa ankesa të Huniadit kundër Dhespotit, shton: «Por për sa i përket vetë kësaj çështjeje, mendimi i Lozoglit nuk ishte ky, se donte, d.m.th., që t’ua dorëzonte Jankon Turqvet; përkundrazi, ai dëshironte që të fitonte gjithë besimin dhe dashamirësinë e tij. Por Jankua i peshonte të tjerët sipas vehtes». — Këto janë fjalët e Leunklavit, i cili Gjergj Dhespotin e quan Lozogël dhe Jan Huniadin Janko, sipas zakonit të turqvet. Në favor të këtyre fjalëve është edhe ngjarja se Gjergj Dhespoti, kur ishte plakur më, s’pati frikë të shkojë në Hungari, gjë që me siguri nuk do të kishte guxuar ta bënte, po të kishte kurdisur një intrigë kaqë çnjerëzore kundër Huniadit. Prandaj, në qoftë se ky mendim është i vërtetë, atëhere diploma që zumë më gojë, del hapur e rreme. Por me qënë se mendimi i përgjithshëm i shkrimtarëvet e quan këtë ngjarje një pabesi të Gjergj Dhespotit, unë do të parashtroj këtu fjalët plot autoritet të Marin Barletit, i cili nuk është aspak në kundërshtim me të tjerët në këtë mes. Nga këto fjalë do të dalë qartë në shesh edhe e vërteta për këtë çështje edhe shkaqet e armiqësisë ndërmjet Dhespotit dhe Huniadit dhe, më në fund, dhe mënyra se

si shpëtoi Huniadi nga duart e Dhespotit. Barleti, pra, kur bën fjalë për fushatën e Skënderbeut, të cilit mbreti i Hungarisë i pat dërguar letër me qëllim që t’i bashkonin fuqitë e tyre kundër Turqvet, i përshkruan të gjitha këto me saktësi, si vijon, në librin 2: [15]

«Kështu me gëzim të madh po hynte si prijës në kufitë e Misisë , daç thuaje rrenesh të egër, daç fatalitet të paevituëshëm, daç më mirë, sigurisht, fundrinë të poshtër prej krishterësh të fëlliqur për të munduar njerëzinë. Pabesia e një njeriu të vetëm mundi të nxisë për të sjellë gjithë ato ngatërresa e turbullira dhe njëkohësisht për t’u shkaktuar Hungarezëvet vuajtje të vazhduara dhe kërdi të madhe krishterimit. Ky ishte Gjergj Vukoviqi , të cilin e kemi përmëndur shpesh herë, princ atëhere i asaj krahine, i quajtur zakonisht Dhespot i Serbisë, emër ky që iu ngjit dhe e mbajti përhera . Ishte një burrë si ndokush tjetër me trup të hijshëm e me pamje jashtëzakonisht madhështore, i respektuëshëm mbi të tjerët për gojtarinë e tij dhe për rëndësinë e fjalës, nga një familje fisnike shumë e vjetër dhe me moshë me të vërtet të kaluar. Dhe të gjitha këto cilësi do të mund të vlenin për sjellje të mira. Por, (që të mos ja lëmë pa thënë edhe këtë krim), për fenë dhe besimin nuk kujdesej fare, sikur të mos ja kishte njomur shpirtin rrënimqar këtij njeriu thuaj se asnjë adhurim perëndie; prandaj i përbuzte njësoj edhe mësimet kristiane edhe ligjet e Muhametit. Kur njëherë, plak nëntëdhjetëvjeçar e shumë kohë pas kësaj lufte të Varnës, shkoi në Hungari për të kërkuar ndihmë, i ndjekur nga Mehmeti , thuhet se iu përgjigj kështu Jan Kapistranit të famshëm , i cili u muar gjatë me të për fenë e krishterë: «Mund të më bindësh më shpejt që t’i jap fund jetës me lak në grykë, se sa të mohoj traditat e urta të etërvet të mij. Preferoj njëqind herë më tepër të zhdukem kështu nga faqja e dheut dhe të quhem më mirë princ fatkeq, se sa plak i marrë.» Ky, pra, mbante atëhere me ngulm anën e Turqvet, sepse jo vetëm që të bijën e tij Katakuzina ja kishte dhënë për grua Muratit por edhe sepse urrente nga ana tjetër Hungarezët dhe në mënyrë të veçantë Jan Transilvanin . Arësye e kësaj është se me gjithëqë Jani në fjalë e pat ndihmuar kundër Muratit (sikurse përmëndëm më lart me rastin e çlirimit të Skënderbeut) dhe pat bërë që të rivendosej përsëri në vëndet ku sundonte, ai nuk mund të duronte që Huniadi të mos ja kthente disa qytete të Sërbisë, që kish mbajtur si shpërblim të trimërisë së tij. Prandaj, me të marrë vesh pregatitjen e luftës nga Hungarezët dhe Skënderbeu, ja mbylli këtij të fundit të gjithë rrugët, nga mund të kalonte. Skënderbeu u përpoq më kot ta këshillonte Dhespotin me anë të dërguarish e të merrej vesh me të me fjalë të matura si këto: Le të mos preokupohej për të bërë keq, gjersa nuk kishte ndonjë arësye për këtë, dhe le të mos kërkonte që ta bënte armik nga mik që e kishte dhe të kthente kështu kundër tij njëkohësisht gjithë ushtrinë e Hungarezëvet dhe të Epirit. Ta dinte se do ta kishte gjithëmonë armik mbas shpine e ballë për ballë, në rast se nuk do t’u lihej e lirë rruga leggjoneve të tij për t’u bashkuar me forcat e Vladislavit, me qëllim që të mos pësonte ndonjë humbje të rëndë krishterimi. Se krishterimi, sikurse edhe vetë mbretëria e Dhespotit, po dobësohej dita ditës, gjersa atë e mbante të lidhur me Muratin dashuria për të bijën, megjithëse i kishte provuar mjaft edhe dhëndërrin përmes së bijës edhe mirësitë e Hungarezëvet.

Por këto përpjekje s’patën asnjë dobi për këtë njeri të shkatërruar dhe Kastrioti nuk e shikonte gjetkë veçse në armët shpresën për të çarë rrugën. Sado që ishte e vështirë dhe plot rreziqe që të fillonin që këndej vuajtjet e luftës, sepse ai i ruante fuqitë e tia të freskëta [16] kundër ushtrisë mbretërore , me gjithë këtë e pa të udhës e më për nder që të çante rrugën me shpatë, po të mundej. Ndërsa, pra, ushtrija epirotase po qëndronte kështu në kufitë e Misisë, e irituar për shumë arësye të padëshiruara, Dhespoti e vononte, por jo se mund ta ndalonte udhëtimin e Skënderbeut. — Sepse do të kishte shpërthyer më në fund e do t’i kishte mposhtur të gjitha, megjithëse jo pa derdhur gjak, trimëria këmngulëse e prijësit. — Vladislavi, i shtyrë nga letrat e Skënderbeut [17] dhe sidomos nga vonesa e tij, kaloi Vllahinë dhe Danubin e mbrriti me forcat e tija të krishtera në Varnë, me qëllim që s’andejmi, duke vazhdonte rrugën si anmik për në Rumani, duke udhëtuar më me lehtësi përmes vëndesh fushore. Varna është një vënd fushor, që ndodhet në kufitë e Misisë, nga ana e përtejme, e njohur tanimë prej shumë kohe për kërdinë e kaqë ushtërive, një truall i urryer edhe për ushtarët më trima. Me gjithë këtë Hungarezët po e prisnin ndërkaq Muratin me ushtrinë e tyre të gatshme e të ndezur nga një dëshirë e madhe për ta bërë luftën në çdo vënd e në çdo kohë, që armiku do të mund ta bënte. Ushtëria turke i sulmoi të krishterët me një farë plogështie, gjë që s’e priste njeri, sepse Murati dyshonte për besnikërinë e grekerëvet , por edhe të ushtërivet të tij që qëndronin në Europë, prandaj kishte pregatitur një ushtëri prej aziatësh. Por me që flota e Romejvet dhe e Filipit ja hoqën shpresën për të kaluar ngushticën, po qëndronte për një kohë të gjatë e me frikë në zemër, e sidomos i zhytur në mendime, gjersa disa të krishterë , në rast se kjo fjalë është e vërtetë, e shpëtuan Otomanin nga halli, duke i premtuar që t’ja kalojnë fuqitë e tij në Europë me anijet e tyre kundrejt një shpërblimi. Kështu Aziani kaloi përmes një vëndi, që ndodhet ndërmjet Propoditës dhe Euksinit e që ndan Europën nga Azia, duke paguar kokë për kokë për secilin ushtar të transportuar nga një pare floriri [18]. Thonë se kanë qënë njëqint mijë.

Kur u përhap lajmi, se Murati po vinte me fuqi kaqë të mëdha, Vladislavi dhe princët e tjerë, që i kishin ardhur në ndihmë , filluan të mendojnë bashkë me njerëzit e tyre për të ikur. Sado që ishte fare e kjartë se duhej menduar e treguar kujdes për shpëtimin e të gjithëvet dhe se nuk mund t’i kundërshtohej barbarit, që po vinte me gjithë atë fuqi, pa pësuar kërdinë më të madhe, prapë se prapë fitoi vetëm mendimi i Huniadit. Ky, nga përbuzja e madhe që kishte për armikun, bëri që të çdukej nga mëndja e gjithë ushtarëve të tij ideja e ikjes. Ai thoshte se e ka provuar kaqë herë që Turqit mbështeten zakonisht, në luftë, më tepër në emrin që u ka dalë, se sa në fuqitë e tyre ushtarake e se, po t’i hiqet ky shkëlqim emrit të tyre, ata do të jenë me siguri gra e shumë më inferiorë se Hungarezët. Kështu qëndruan e po e prisnin armikun. Por thonë se, kur ky u afërua, atëhere Huniadi, i cili i kishte qortuar më parë të tjerët për frikën e tyre, u trondit nga gjëndja dhe rreziku që kishin përpara dhe e bindi mbretin të ikëjë. Gjithashtu edhe shumë gjëra të tjera të mprapshta u përhapën atëhere për këtë luftë; bile disa kanë guxuar të thonë se Huniadi iku bashkë me dhjetëmijë ushtarë të tij, në kohën, kur lufta ishte në kulmin e zjarrit dhe kur Vladislavi ja kishte rrëmbyer Muratit fitoren nga duart. Unë, në një çështje kaqë të pasigurtë, kam preferuar të ndjek mendimin e atyre, që, pas disfatës, erdhën si lajmëtarë dhe mbeturina të ushtrisë tek Skënderbeu në Maqedhoni . Sipas këtyre, Huniadi i pat përbuzur një soj fuqitë turke, si atëhere kur dëgjoi për to, ashtu edhe kur i pat përpara syvet; ay luftoi me të njëjtin guxim e trimëri dhe, gadi, se ai u sulmoi së parë dhe pas një kërdie të madhe që u bë, i vuri përpara komandantët e ushtërisë europiane dhe aziatike dhe i ndoqi shumë larg, duke i goditur pas shpine, gjersa dolli në shesh Vladislavi. Ky i përbuzi këshillat e Jan Huniadit, që e pat ndaluar të dilte jashtë kampit përpara se ai vetë të kthehej fitimtar. Përkundrazi, i shtyrë nga këshillat rrënimqare të disa njerëzve të tij , që i thonin se Huniadi e kishte mëri lavdinë e mbretit dhe prandaj e kishte lënë në kamp, me qëllim që ta fitonte kështu për vehte tërë lavdinë e luftës, por edhe me që s’i durohej për shkak të moshës, si i ri që ishte, dolli, ugurziu, nga një anë tjetër dhe u lëshua kundër Muratit. Por, gjatë sulmit të vrullshëm që po bëhej rreth fortifikatavet të armikut, u vra duke luftuar më me hov dhe duke e ruajtur vehten më pak se të tjerët. Koka e tij, e ngulur mbi një heshtë, u vu përpara syvet të gjithëvet dhe kështu ua kthëu fitoren Turqvet e ke ishin humbur shpresën e saj. Atëhere fati i ndryshuar i luftës i detyroi Hungarezët dhe Huniadin, që po e ndiqnin armikun nga prapa, të sjellin shpinën. Kur, pas kësaj, Huniadi ikënte për në Serbi, e kapi [19] Gjergji dhe e hodhi me neveri në burg e nuk e lëshoi përpara se të shtinte në dorë ato qytete të mbretërisë së tij, që zumë në gojë. Ky qe përfundimi i kësaj lufte kaqë të përmëndur, etj». —

Këto fjalë të Barletit tregojnë se Huniadi nuk u çlirua nga robëria me fuqinë dhe trimërinë e Gjergj Margnaviçit, siç dëshirojnë diplomat e Tomkut. Me të vërtetë nuk mund të besohet se Huniadi mundi të shpetojë nga duart e Dhespotit me ndihmën e një princi të pafuqishëm, (siç na e përshkruan dhe Tomku Gjergj Margnaviçin), pa ndonjë pregatitje luftarake dhe pa forca ushtarake, sidomos, kur Dhespoti në fjalë ka pasë qënë i tmerrshëm për vetë Hungarezët dhe Turqit, që s’pati frikë, siç dëshmon Barleti, t’i mbyllë rrugën vetë rrufesë së luftës, Skënderbeut. Aqë më tepër s’mund të besohet kjo, kur Huniadi mbahej në pranga e në zinxhirë në atë qytet shumë të fortifikuar .

Kaqë sa për diplomat që Tomku na i ka servirur këtu, për të provuar se është nga pasardhësit e Gojkut. Por që Gojku, i vëllai i Vukshanit, ka vdekur pa fëmijë e pa pasardhës, e dëshmon, përveç Analevet të Raguzës që i kemi cituar kaqë herë, edhe Abat Orbini, i cili shkon pas Nikollë Doglionit e të tjerëvet dhe shkruan për familjen e Margnaviçëvet. Ky e mbyll historinë e tij me këto fjalë: «Por Juanisi nuk mundi të qëndrojë për shumë kohë nën tiraninë e tyre dhe prandaj u ngrit e iku bashkë me pak nga njerëzit e tij në Zeta, pranë bijvet të Balshës. Këta i pritën me dëshirën e tyre dhe u dhanë aqë vend, sa të mund të jetonin. Vëllai tjetër i tij Marko, i quajtur prej disave Kraljeviç , shkoi bashkë me Bajazitin , perandorin e parë turk me këtë emër, kundër princit të Vllahisë Mirçe [20]. Por kur u hodh në betejë pranë qytetit Kraljevo të Vllahisë, u thye dhe shkoi e u fut në një pyll; atje e goditi në grykë me shigjetë një Vllahjan, duke e pandehur për ndonjë egërsirë. Trupi i tij u varros në Manastirin e Vllashjanit, pranë Shkupit. Gjithashtu edhe Mitrasi ra në një ndeshje me Turqit dhe nuk la asnjë bir. Nga Andrea, vëllai i katërt i tyre, lindi Dominik Moncili, i cili u bë më vonë babai i princit të Muzakëvet Koja dhe i Helenës, gruas se Stefan Kosaçit, dukë i Sh. Savës. (?) Kështu nuk mbeti më dikush tjetër nga shtëpia e mbretit Vukashin, i cili pati një përfundim kaqë të mjerueshëm bashkë më të vëllezërit e tij, natyrisht, jo pa dëshirën e të madhit Zot, që nuk i la ta gëzojnë mbretërinë e rrëmbyer me aqë padrejtësi nga duart e një perandori, që i ngriti e i bëri bujarë të mbëdhenj nga njerëz aqë të ulët që ishin». —

Do t’i shtoj më së fundi gjenealogjinë e familjes së Margnaviçëvet, e cila ndodhet tek ky auktor pothuaj në këtë formë:

Margnava

Ugleshi, Goiko
Voisava Mila

Mbreti Vukashin

Marko Kraljeviç Ruzma, grua e Mattheo Kantakuzenit

Juanis
Milica, grua e Gjergj Balshës Mitrasi

Andrea
Domenik Moncili

Koja, princ i Muzakëvett. - Helena, grua e Stefan Kosaçit

Tani që i kemi hedhur shkurtimisht poshtë pohimet e Tomkut për Goikon, mendoj se nuk duhen lënë mënjanë edhe ato që ky shkruan për Ahmetin apo Gentikun . Së pari Ahmetin në fjalë, që thirret pushtues dhe sidomos i Shkodrës, të cilën Tomku e vendos keq në Dalmaci, na e bën djalë të Gjergj Margnaviçit. Pastaj thotë se zotëron dhe disa letra që Ahmeti ja paske dërguar një farë Tomku, i cili jetonte në Hungari. Por Ahmeti, i quajtur nga Turqit Gentik, ka qënë epirotas, d.m.th. Shqiptar. Këtë na e dëshmojnë qartë Analet e Sulltanëve dhe Jovio me këto fjalë: «Pastaj Bajaziti u kthye në Stamboll. Atje, jo shumë kohë pas kësaj, urdhëroi të vritet Ahmet Pasha [21] me qënë se shërbimet e panumurta të këtij nuk mund t’i shpërblente ndryshe. Kështu ai vërtetoi se lartësimi dhe trimëria tepër e madhe e robit [22] i kall frikën zotërisë. Ahmeti në fjalë ka qënë me origjinë shqiptare dhe barazohej për trimëri ushtarake me prijësit (komandantët) e vjetër aqë, sa vetëm emri i tij i këllte tmerin çdo krahine, që sulmonte në rast lufte. Ky është mbiquajtur Gentik, [23] nga që i mungonte një dhëmb, sepse fjala Gentik në gjuhën turke ka pikërisht këtë kuptim. — Kështu flet Jovio në: «Jetëshkrimet e burravet të çquar»; prandaj letrat e Tomkut s’kanë për mua vlerë më të madhe se sa trillimet përrallore të poetëvet. Nëse ai dëshiron që ta besojnë të tjerët, le të paraqisë historianë.

Pastaj që Shkodra sot nuk është në Dalmaci, por në Epir [24] (sidoqë mund të ketë qënë në kohët e vjetra), konstatohet qartë, që të lë mënjanë të tjerë, nga këta shkrimtarë: nga Barleti në librin e tij mbi pushtimin e qytetit të Shkodrës; nga Becihemi , Ptolemeu , Rozaçi , Volaterani , Sorani , Boteri , nga Analet e Venetisë, nga Loniceri dhe Jovio që përmëndëm më lart dhe i cili ja njeh Shkodrën Shqipërisë me këto fjalë: «Me të mbaruar këto, Turku (d.m.th. perandori Muhamet,) futi nën sundimin e vet, pas një rrethimi të gjatë luftërash të ndryshme, Krujën dhe Shkodrën , qytete në Shqipëri». — Këto thotë Jovio. Pastaj, në rast se kombet dallohen nga gjuha, siç e pretendon këtë edhe vetë Tomku në një letër që ja drejton lexonjësit në krye të një vepre të tij, atëhere unë, sigurisht, nuk e di se me ç’sy e faqe e çkëput ai Shkodrën nga Shqipëria. Sepse qytetarët e kësaj flasin vetëm gjuhën shqip dhe turke dhe nuk mund të gjesh në të, sidomos gra, që të flasin gjuhën sllave. Dhe dihet se gratë e ruajnë gjuhën amtare më me besnikëri se burrat, të cilët bredhin pa rreshtur nëpër gjithë rruzullin e dheut .

FOOTNOTES


  1. D.m.th. me 1633, kur Bardhi studjonte në kolegjin e Loretos. — Sh. p. ↩︎

  2. Shiko hyrjen. — Sh. p. ↩︎

  3. D.m.th. Nishit — shiko shën. 18. — Sh. p. ↩︎

  4. D.m.th. të pamvarur nga perandori bizantin, absolut. — Sh. p. ↩︎

  5. D.m.th. princi Gjergj Juanoviçi dhe Konti Tomko. (Shiko diplomën të plotë faqe 32-38) — Sh. p. ↩︎

  6. D.m.th. bir i Stanishës. — Sh. p. ↩︎

  7. D.m.th. si pushtues — Sh. p. ↩︎

  8. Shiko shënimin Nr. 57. ↩︎

  9. Shiko shënimin Nr. 33 dhe 71. ↩︎

  10. D.m.th. te Gregorajt. (Shënim 65). ↩︎

  11. D.m.th. te Gregorajt (shi shën. 56). Krajl = Rex = Bazileus. — Sh. p. ↩︎

  12. Marku mban, pra, emrin e gjyshit. — Sh. p. ↩︎

  13. «Male parta cito dilabuntur», është fjala e urtë latine, që ne e themi zakonisht. «Harrami hallall s’bëhet». — Sh. p. ↩︎

  14. Është një nga rastet e shumtë, ku duket në mënyrë të theksuar mungesa e konstruksionit të fjalëvet dhe e kuptimit të mendimevet, për të cilat flet Bardhi. Sh. p. ↩︎

  15. Barleti, Lib. II, faq. LXI, Botimi 1537. ↩︎

  16. Skënderbeu sa po e kishte formuar ushtrinë e tij, një vit pas kthimit të tij në Shqipëri (1443) — Sh. p. ↩︎

  17. Skënderbeu, siç dihet, ja premtoi ndihmën e kërkuar Vladislavit. — sh. p. ↩︎

  18. Nga një dukatë. — Sh. p. ↩︎

  19. Vërë re se më lart, sipas Tomkut, Huniadi u kap nga Gjergji në luftën e Kosovës. (Shiko shënimin nr. 100) — Sh. p. ↩︎

  20. Shiko shënimin nr. 86. ↩︎

  21. Në origjinal sillet: Acomathes Basa, që do të thotë Ahmet Pasha. ↩︎

  22. Me kuptimin e shërbëtorit, inferiorit (Lat. Servus). Sh. p. ↩︎

  23. Është fjala për Ahmet Pashë Gjedikun, që Bardhi e shënon Gentik — Sh. p. ↩︎

  24. D.m.th. Shqipëri. Sh. p. ↩︎

Pjesa e radhës
Pjesa 2 — Diploma për Skënderbenë