Maroi Malcija! Lekë mâ sod nuk ká:
Nuk ká mâ burra, qi, me drrasë t’krahnorit,
Murojë me i ndêjë Shqypnis, Anmiku shkjá
Mbas sodit s’ká pse dron mâ prej Malcorit:
Malcori â thye: e, i dbuem aj me trahtí,
Pá Atme sod ká mbetë, pá plang, pá shpi!
N’shpi t’tij, po, djepat âsht tuj lkundun shkina;
Aren e tij âsht shkjau tue e lavrue;
E ushtari i Malit t’Zi, 'dhè, kualt stervina
Per ata kryqa t’bekuem i ká pengue,
Nen t’cillët pushojn, heu! njata trima - rrfé
Qi binden shekllin tue luftue p’r Athé.
O natë e kobshme! Natë tri herë mizore.
Natë e mndershme, si nata e fundit t’ferrit,
Pse ti shtekun i a çile ushtris gjaksore,
Qi, strukë nen t’zezen mloje trathtare t’territ,
Burrat e dheut do tzête n’giumë pështetun,
Porsi n’strotull ulâni zêhet fjetun?!..
E ju, ‘dhè, hyi t’shkelzyeshem, qi pre’ Empirit
Permallshin tue ferillue me dritë t’kullueme.
Porsi sy Zotit, vreni m’sharte t’nirit,
Ju, eohè ket kob e ket dhûni t’shemtueme
E kini pá tu’ ndollë n’mjedis t’njerzimit,
E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit…
Po a kjo âsht e Drejta, qi n’ket shekull fiset
E popujt rregullon e i mban nder caqe?
Anmikut t’njimi vjetvet me i lshue viset
Sá herë t’perligjuna me luftë e gjaqe…
Mallkue kjoftë hera, n’ t’cillën shkjau pik s’parit
Vûni kämben dhunuese m’tokë t’Shqyptarit,
E mallkue kjoftë Europa! Até e vraftë Zoti,
E e shoftë me fise, popuj e gjytete;
Edhè premtoftë qi, dér sá t’êndet moti,
Kurr lufta mos i u daftë per tokë e dete;
Selít e saja grimë me grimë u theshin;
Me gjak t’ popujvet t’vet sunduest i u ushqeshin.
Pse krahët pá dhimbë Shqypnis kshtù me i a thye
E prej Lirijet me i a ndalun hovin?
Gopsija e kuel n’Malci ka mûjtë m’ u ushqye?
Po a Hoti e Gruda mund t’a mbajën Moskovin?
Nuk duhet, jo, qi t’mkambet Shqyptarija:
Qe, pse po i Ishohet Malit t’Zí Maicija.
O gjak i atyne burra fatosa,
Qi per Liri t’Malcis kullove rrkajë,
Vlo, vlo, ti sod qi malevet u erdh sosa,
E para fronit t’Perendís me vajë
Lyp gjýgj mbi do Kaina t’kunoruem,
T’cillët kombin tonë po duen me e pá t’sharruem.
Me parsme t’ona n’ata t’hershmet mota
Muroje i u bâm Europës, pá dijtë shk’âsht tuta,
Atbotë, kúr pallen Skanderbeg Kastriota
Siellte si rrfeja, e permbi shiroje t’buta
U driohte nji Sulltan, qi njaso heret
Bâte m’u dridhë boten mbare prej mneret.
Po, na tue dredhun si drangoj çelikun,
Shtekun me kurma Shqyptarësh i a zume
Tartarit, e pre’ Europet larg rrezikun
Per disá kohë e mbajtem: e poshtnume,
Por kurr Europa n’ndimë nji ushtár s’na nisi;
Kurr púnët mbas fjalve, qi na dha, s’ujdisi.
E kúr per pêsqind vjet na nder veriga
Ngelem t’robnis, nen thêmer thuei tue kjá,
E 'i mî dhûni mbi né e 'i mî punë t’liga
Na reshte anmika, tue na nzitë pa dá,
N’harresë Europa edhè m’at herë na qiti
E doren kurr ajo n’kob t’onë s’na njiti.
Por, ani; jeta pse sá u nis me u endun.
Ndera mbi shekull dhüne gjithmonë â kthye,
E t’miren nieri kurr s’t’a ká permendun,
Sá t’keqen púna, me t’cillën t’a keshë fye:
Si edhe mâ t’shumen, miq s’gjên nieri i shkretë,
Kúr skami e kobi t’a kete mlue n’ket jetë.
Veç sod pse Europa, sod qi âsht t’gjith uzdaja
Se Shqyptarija e lirë del zojë n’vetveti
Pse sod Europa, — do Mbretni te Mdhaja –
Duen me e ngushtue kah toka edhè kah deti,
E m’vende t’ona duen qi shkjau tē shklase
E fisi i Shqypëtarit n’dhé t’humbase?..
O Zot i lum, qi vetun n’dorë Ti i ké
Shartet e popujvet e mbretnivet t’tâna,
E gjâ pá hiri kurr Ty s’t’ndollë mbi dhé.
As nalt mbi qiellë, kû shndrisin dielli e hâna,
Deh! Ti, i Pushtetshem heret si ne e vona,
Shif e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.