I kuej do t’jeté njaj vorr, mí t’cillin mvaret
Kunorë lulesh e blertë e qi madhnueshim
Zotnon mí fâng t’mjeruem: porsi shatorrja
E njâj Tyrani zêmer-gúr, i cilli,
Mbí shegj Persijet pâ kujdes pështetun,
Nder kandje t’prûjtna të ksaj jete kndellet,
Mje sá besniku ushtari i tij nen t’randin
Hekur t’anmikut rrokullohet Jekun
E zhytet n’gjak? — Nji djale bujari
Mbrendë n’at vorr âsht konisë. Ky lé mí pupla
E rrite n’ár e n’mûndash, mbas epshit lodhun,
Qi fletët e jetës per nen krahnuer i a brejti
E kalbi gjalle, mbí pupla u shkim, si e tmershmja
Flakë e nji vorrit shkimet. Prej mermerit
T’dhênun mbí vorr njat pomendár t’madhnueshem
Prindja, shemtuemun deket t’tij, i a vûne
Pêng dashtnijet dér n’mâ të largtat mote;
T’hijshme kunoren, mbasandej blerimesh
Sod nji dorë alabastrit m’vorr i a prûne:
Nji dorë, e cilla, mje sá aj bâni hije
N’tokë e Prendvera çili per tê lule,
I a pat grabitun me perkjella t’prûjtuna
Gjân edhè nderen. Me at kunore lulzimesh
Mâllin dishmon, qi ajo per tê ká n’zêmer.
E po n’vorre t’fatosavet t’nderueshem,
Qi m’kto t’egera male e bjeshkë t’thepisne,
Si ulâj t’pergjakun me trimni spartane
Rrebtë tu’ luftue per Atme e per Lirí
Shqypnís i u bâne fli, a thue m’kto vorre
Sod ndo 'i kunore Atoheu ká per t’a u çuemun
Si pêng cmimit e bindjet e nderjet
Per shka ata psuene nper Liri t’bekueme?
Jo, jo! Per burra, qi me gjak praruene
Nâmin e kombit e Lirin i a suellen,
Atoheu kunora s’ká. Per ta nuk dhênet
Gúr, as nuk ndezet qiri. Mbí vorr t’tyne
Shperthen rrushklli e fermâna, strukë nder t’cillat
Pret dhelpna e shqarthi, dér qi rrezia e diellit
T’shkimet e hâna per mas malit t’ngrefet
E zbét me shndritun në hapesirë t’Qiellvet,
E kshtû, pá droje t’ndo 'i anmiku t’mshefun,
Me rmue nder ato vorre, e me shpulpue
Eshtnat e tyne per Athé shkatrruemun.
Heu po! burrat e dheut, qi m’arme mizore
Rrokullin dynden per Liri t’Shgyptarvet
E flake noezen Europen, e qi e shûma
As vorr nuk paten me u konisë per s’deknit,
Veç nper terrshmet humnere e neper prroska
Kurmat e tyne shkaperderdhë per dhé
Prej orlash edhè korbash t’zez kjenë shkyemun,
Shqyptarët, po, i kan harrue; e mje sá orvaten
Kta fjalët me i gietun l’ambela e t’kumueshme
Veshin e t’huejvet me lurtue me lavde,
E gjân n’ár e n’kremiz pá dhimbë e tresin,
Vashavet t’veta me u a shtuemun çmimin,
Kúr ktyne ndera neper t’huej t’u shitet,
Nder mend s’u bjen, jo, per fatosa t’vendit
M’ndo 'i rrasë t’latueme me i zgavrrue dý shkrola,
Abolla nipat, qi do t’vijn t’u rritun,
T’shofin e t’njofin si p’r Athé qindrohet
E diset kah Shqypnija. Ah! nderpermysësa
Si 'i here 'i here Shqyptarët! Per kta terthorja
E barkut âsht, po, zêmer, Atme e Fé,
E nderë, burrni e nâmi i parë n’ket jetë.
Por t’shuej, n’dashtë, per fatosa t’vet Shqyptari,
Perse 'dhè gjûha e tij, msue me tregtue
Mbí Atme të vet, porsi mbí krye t’nji berri,
Nuk âsht, jo, e dêjë per me nderue fatosat,
Qi per Liri t’Shqypnis u bâne flije:
Nâmin e tyne per m’e kndue si Juhet,
Omiri lypet, lypet Iliada.
Heu! ju burra të dheut, m’ t’dy gjûjt, po, un ulun
Perpara vorrit t’uej, po puthi bûcen
Endè me gjak t’uej t’rime e qi mbí krye
U pret furin e motit, urë - pervûjtun
Un ktû po u falem, edhè juve u bindem,
Porsi martyrvet t’atmes s’one t’derptueme,
S’cilles me gjak Lirin perligjë i a kini.
Oh po! mos t’vlote aj gjaku i juei p’r Atdhé
E gi’gi mos t’lypte aj para fronit t’qiellvet,
Po, se kto bjeshke e njikto male t’ona
Shqypni mâ s’ishin quejtë; as shqyp s’isht’ lutun
Mâ i Madhi i jetës, qi n’dorë ká fise e popuj:
N’ ndo 'i gjûhe barbare t’Tyrkestanit t’eger
Nâna shqyptare gûmin njellë u a kishte
Nipavet t’Skanderbeut: e Atmie, e doke,
E fis, e êmen t’tâna djerrë i kishin;
Pse bén anmiku n’Salonik pat rrahun
Me i qitun dheut Shqyptarët, e t’fortë, mizore
Fuqi aj dyndi, per me çue barbari
At bé barbare n’vend. Grykes s’Kaçanikut
U derdh, po, anmiku ânekand Shqypnis,
Si shé, qi nisun prej ndo 'i mâjes s’eper,
Mbas krismes s’nji thellimi t’perfrigueshem,
Dirgiet rmyeshim me shungllime t’trishtueshme
E shkaperderdhet neper rrash të blerue,
Shpnesat e bulkut tue perpi nder gjire.
Kurdi, Qerkezi me Felah manova,
Me shka ma t’mershem, t’eger e t’felgrueshem
Pat Anadolli, me furí mizore
I u rras mbrenda Shypnís. E at herë kah qiella
U çue, po, tym, e shkndi, e vigem nânash,
E váj foshnjesh t’flakrueme n’zjarm, e ankime
E gjâme t’varruemsh, e 'i zhurme, e 'i krisme rrotash,
E kualsh, e topash, e 'i bumbullimë e mnershme,
Thue po t’rroposet per nen kâmbë rruzllimi.
Trolli i Shqyptarit, Hyut e miqvet true,
Kulm e themel u shêm e rá per dhé;
E rrkajë vot gjaku i trimavet t’fuqishem,
Qi atje nder megje t’Cernagores kjene
Uzdaja e Atheut e e derës s’Alí Osmanit.
U hesht Shqypnija; skutavet Shqyptari
U struk, tue pritun me felgrim në zêmer
Ma t’mbramen, ofshe! dite t’Atheut t’mjeruemun.
Por ju, m’at herë, si ulâni, n’vend ngujue
E pret anmikun, qi t’i qaset hovit;
E kúr nen turr t’i vije, mbi tê lshohet
E m’dhâmbe e me çapoi pá dhimbe e shkyen
Kortarë - kortare: njashtû, me besë ju lidhun,
M’ato male t’grista e fusha t’gjâna
Pá u tutë e pritët anmikun, t’rrebtë, mizuer,
Qi bé kisht bâmun me ju shkmye kso jete.
E kúr aj msyni me u poshtnuemun vendin,
— Kush din sá herë, po, me gjak t’uej shperblye! –
Per báll ju i duelt, t’shternguemun m’arme mizore,
E, porsi t’u perpiqshin n’ndesh dý male,
A se kerthîza e heut n’moh t’u shperthete,
Mnershim toka gjimoi, shungulluen humneret,
U perzie deti me duhí t’frigueshme;
Shqypnija flake u ndez, e prej trishtimit
Kjau fmija n’zêmer t’nânës. Habitun sheklli
Del e u kundron, e trimnís s’uej i bindet.
E: a jânë Titant, aj pvetë, qi kundra Jovit
Luftojn n’Shqypni? ase Leonidha s’dekunit
Me ata treqind Spartanas t’vet u njallka
E Ksersin rishtas n’Termopil e pritka?
E kqyrë nder jue me dá me sy Leonidhen
A se Briarén, a Gigen. Por Leonidha
Nder jue nuk ká, as ká Briarea, as Giga:
Veç, po, ká Dedë Gjo Lula — burra tjalet :
Ká Cokaj n’za per pushkë e bujarí,
E ká Pjeter Sokola e Llesh Nikë Daka,
Edhè Gjeto Mark Ujka — t’idhtë si helmi;
E jânë Nikë Gjelosh Lula - rê me breshen
E Kolec Marka e Gjelosh Gjoka rrfeja:
Jâne Kole Marash Vata sŷ - kulshedra,
Vetun me i msy 'i qind vetë e armët m’u a mârrun.
E ká drangoj Tirane edhè Kosove,
E Ore prej Shale, e djelm, si Zâna Dibret:
Ká sokola prej Zhubet e Berishet,
E djelm e burra ká, e ká fatosa
Me brejtun hekur, t’thuesh, me shkulun lisat,
Malet me i dyndun per liri t’Shqypnis.
O nâmi e ndera e jonë, burra çelikut,
Njimend Shqyptarë e nipa t’Skanderbegut!
Oh po! se para zbardhet penda e korbit
E e bardha rreze dahet, po, prej diellit,
Se jue n’harrese u qet kjo Zâna e ême.
Per jue do t’kndohet, po, m’LAHUTE T’MALCIS
Se shka vepruet, se sá dikuet ju gjakun,
Per me ia vûmun nji Shqypnis themelin.
E kúr Shqyptari nder mâ t largtat mote
Neper t’cillat do t’endet jeta e nierit,
Kúr t’kndoje Shqyptari m’ato kange kreshnike
Sá gjaku e mundi kje prej jush dikue,
Per me u ndertue Atheu i tij — Shqypnija:
— O t’lumët ata, ká me brohritë me vedi,
Qi flija e Atdheut u ban, e, tue dhâne jeten,
Liri Atheut e t’âmbel jetë i suellen.
E aj rmajt t’ue, at herë, ká me kerkue,
E ká me i gjetë, e ká me i ruejtë, si ruhet
Elteri i Atheut; e me kunora t’blerta
Ká me i lulzue, e mbasandej jue besën
Ká per tu a dhâne mbí vorr, se kurr per s’gjalli
S’ká me e koritun nâmin t’uej e nderen:
Se ká me deke p’r Athé si desin burrat,
Si diqët, qe, ju per nji Shqypni t’lirueme.