Dies iræ, dies illa
sæclum solved in favilla,
teste David cum Sybilla. [1]— Ecclesia
At ditë disi tu’ u mâtë u çueka dielli;
E as dritë aj nuk po bâte. Njato rreze,
T’cillat motit t’shkelzyeshme e t’zeta ngrofshin
Gjit e plleshem t’natyrës, e gjallë mbi shekull
Mbajshin flaken e jetës, ato të zbeta
E t’marrta dheut po i bishin: thue se gurra
E dritës isht’ shterrë. Por pesha e rruzullimit
Ajo ‘dhè at ditë e ngathët e disì rryetas
Asaj ravës s’hershme, (neper eter t’cillen
Gishti i a çili i Perendís s’Amshuem),
Po i bite, e, shtekut, n’kavaljete t’shkueme
Rrahun me hap t’sugurtë, zatette prore:
Si ajo mokna, qi, veglash grisë prej kohe.
Ngurrueshem lshon e ngelë pá dá nder dhâmbza
E as n’pûnë ajo mâ s’hin. T’thjermët e Empirit
— Ata t’bredhun të dritës s’lumnís s’Parrizit –
Krejt isht’ irnue. N’mjedis t’terthores s’qiellit
Hana pergjakun ndryshe ajo nuk date,
Veç si varra n’krahnuer t’mji djali t’vetun,
Kmishen e dekës ka’ atij i a veshë e âma.
Hyjt ‘dhe ata, vjetrue e shterrun dritet,
M’ qiellë xhishllojshin si flaka e nji kandili,
Qi m’tryezë skamnore vjen t’u shue n’vedvedi,
Ke voj nuk ká m’u ushqye, e n’terr n’gjysë t’bukës,
T’vorfnin e ngratë e lên; aq sá njat lode,
Qi prej sysh i kjason mbi koje t’mykuna
Mã as «bulku» i voters s’mund t’i a shofe… Marës ajri
Me mïazma morijet, mbi gja t’gjalla
E m’njerz randote porsi plumb, e t’liga
T’prânshme e t’vshtira perftote; e u shuete nieri
E u shuete gjâja e gjallë, si shuhet bari
Per nen kosë t’bulkut. S’t’shifte sŷni tjeter,
Veç vorre e stervina. Pse as toka
Ushqim ajo mâ s’epte, e m’shekull ûja
Bâte kerdí. Jo n’popuj mâ, jo n’fise
Mbledhë gjindja u shifshin tok, por kokrra - kokrra:
Si njata shpendt shtektarë, qi atje kahë vjeshta
T’dám çetet t’shokvet, duken tue flutrue
Atỹ — ktû nper pullaze, mje sá dimni
Jeten mos t’u a shkurtojë. — Me gjith kta mnija
E zêmra e keqe prap sundote m’shekull;
E mberthye m’shoqishojën, prap njerzt u grijshin
E u coptojshin nder lufta e nder degame,
Si kjén coptue gjithmonë, q’ prej se pik s’parit
Zêmren e nierit kuprrecija e flligji.
Kúr qe, si at dite (sado qi zhargas) dielli
U kap mje m’cak, per gjysë kû dahet drita
E buka n’arë prej shpijet i shkon bulkut,
Ati i Pushtetshem nalt prej fronit t’qiellvet,
Neveritun mbi t’fyeme t’randa t’shekullit,
Porsi dý t’rrebta e t’zjarrta rrfé mizore
Ngerthen Aj vetllat m’rruzullim t’shemtuemun,
Edhe vrânët e kundron. Per nen shkreptima
T’asaj mëní t’hyjnueshme, qi prej sŷve
ldhtë i vetote, hâna, hyjt e dielli
E toka u pin, e ngelen n’vend pá luejtun,
Pezull fatin e mbramë tue pritun. Toka,
Pingul të cillen rrezja e syut t’hyjnueshem
Flakë e zhgjetote, u dridh e fill prej angrash
Mâ t’permendshme bulroi me ‘i gjâmë t’trishtueshme
E u trand shi mje m’themel. N’at gjâmë ushtuene
Gollet e rruzullimit; Himalaja,
Si gúr gelqerjet n’ujë, krejt u turshi;
E u shêm Italja, kthelltë e cilla n’gjire
I tallazevet t’perpishme t’detit hûmbi;
N’ dét edh’ Albjona u shue; e u derdh Stambolla
N’ Bosfor. Pellas mâ n’shekull s’mbet, flligshtija
Kû t’mûjte ajo me u picakue e pandershme
E shpirt e trup prap me i a kalbun nierit.
Veç po, syni i t’Amshuemit m’at gjâmë t’botes
Aj nuk vetoi, as nuk u zbut; por tjera
Sharte mà t’rânda m’rruzullimin skjyrtote,
Kahë, ndezun zhari prej zêmrimit t’mnershem,
I shkrepshin shkndijat si nper grykë t’Vulkanit:
Aq, sá friget u kput vallja e Parrizit,
E shuejten valle e shuejten lyra t’âmla,
E vetë banorët e qiellvet neper llugje
E nper lulishta gjith herë t’njoma u struken,
E qiella u hesht.
Po; m’krena t’Kerubijvet
Rregji i madhnis felgruese ndêjë pështetun
E ftyret vrâ, si nji thellim i kobshem:
Mbasi at cak sheklli kapercei me t’fyeme,
T’cillin Mishrira i a pat vû e pamatne
Kurr mos me e kcye, e n’Dije t’vet i Lumi
Dau me rroposë rruzullimin: Aj kahë dielli
U prír e n’rribë t’tufânit t’mnís s’hyjnueshme
Prej fronit t’vet i frŷni; flaka e diellit
U fik. E kobshme nji terrinë at — hera
Mbi rruzullim u shtri; e njerzt mbi shekull
Nper terr ravtojshin, porsi mijt nder vorre,
Kahë mnís shemtuese s’Perendís s’idhnuemun
Dojshim me i hikë. Por nuk i hiket Zotit!
Njat dorë t’pushtetshme mbasandej, me t’cillen
Per sá e sá qinda kavaljetesh mbajti
Peshen e rruzullit, Perendija e struku
E natyren e lshoi pá zot. Trishtueshim
Krisen thithat e shekullit; e rrmores
S’ humneres s’rrmyeshme t’t’ kthellët avisit
Kulihûm shtielli i rruzullimit brishti
E u shêm, termegshim tu’ rrapllue nper kaös.
Nji gjâmë, nji krisme, atbotë, e nji rropame
Elementash u ndie, kahë vlojshin, ziejshin,
E nder gomna shungluese t’njânitjetrit
U shkaperderohshin me duhi thellimit.
Tue bumbullue nper shekull. Hyjt e qiellit
Ata, edhe, dalun jashta rrethit t’hershem
Me zhumhúr t’tmershem n’pakthellim u rrposshin
Ka’ u ndeshshin, ka’ u perpiqshin, e u turrshijshin
E flauri kahë neper kaös u derdhshin.
Nper tŷm, mandej, nper pluhen e rê t’mûrrta,
Qi shekllin kand e kand kishin mberthye,
Shkrepte pá dá rrufeja, porsi shkrepin
Shkndijat nper tum t’dullijavet. Prej duhmet
E prej termetit, tue buluritë frigueshim,
Toka edhe trandej, e, si nji gogel dushkut
M’ujë, shkundullitej n’rrymë t’atij thellimi.
Kúr qe, ‘i kometë n’mes t’kataklizmit t’mnershem,
Shkepun prej s’eprit, kulihûm n’teposhte
Me zhaurrimë t’perfrigueshme goromiset
E m’Ocean Atlantik pingul plandoset.
Trandet toka m’at’ t’ndeshun; ujët e detit
Jashte lugut t’hershem del, e dynden sklafat
E kernalles n’perpjetë si bjeshkë, si male,
Të cillt mandejna, me furí perpise
Shkul kahë Europa e n’Amerikë dikohen
E shkaperderdhen permbi Afrikë t’zharritne:
Merr dhén boena. Felgrueshim tue gurgllue
Tallazi male kapercen e kodra,
E m’rrymë t’gjirevet t’veta rrmen gjytete,
Mbretní perpin, e shkimë gjâ t’gjallë e nieri,
E gjithshka dora kavatoi njerzore.
Por, po; t’gjith ujët e Oceanit s’mujt me i shlye
Njollet e gjakut t’nierit, t’cillat vrritshin
Enè kahë qiella e gjýgj prej s’Drejtës s’hyjnueshme
Lypshin me zâ t’mjeruem. Prandej i Amshuemi,
Syni i të cillit nuk mund t’shofë pegame
E gjâ s’i rrshet Atij per pá u ndeshkue,
Premtoi qi flakë m’at hýll nji zjarm t’u kallte
— M’ at hýll, qi token nen peshë t’vet e ndrydhte –
E mbarë dhén t’a perlate e t’a shkrumote.
E qe, zên hulli rrebtë m’u shkundullitun,
Zên rrebtë m’u trandë, e, tue shperthye me krismë
Nji dét zjarmit flakron mbi tokë t’shemtueme.
Por edhe zhari, n’gjí qi ngrofte bota,
Nen t’rrebten frŷmë t’s’hyjnueshmes mní s’t’Amshuemit
Ndezet aj flakë e me ‘i furí trishtuese
Shperthen nper zgorka t’dheut nen valë t’Oceanit.
Ujët e zjarmi m’atbotë u kaperthyene
E, anmiq tue kênun, me uturim u ndeshen
E u perlán. Ulurote deti e dyndte
Mje m’rê tallazet. Flaka tue krepatue
E tue fshkllue, mbi dét pá dá ngerthehej
E me vapa të veta e frushkullote.
N’ zhaurrimë t’mnertë t’asaj lufte titanike
Kobshim gjimojshin viset e rruzullimit
E shungullote kupa e naltë e Empirit.
N’ e mbramët m’u lodhe zû deti, e, para zjarmit
N’ avull t’u çue, krejt shterri. Zjarmi at - hera,
Lshue pá zangall, i u vesh terthores s’shekullit,
Edhe krejt e zharriti. Shkrini malet
E kodrat, e kunorat; e dogj fronet
Me shpata e me gjithshka, qi dikúr m’shekull
Krenín e mbajti m’kâmbë; e kúr s’pat tjeter
Shka me shkrumue, n’hî t’vet u shkim prej vedit,
E toka mbet veç hi e kthniell: si votra
N’ nji shpí të dalne faret, mbasi zjarmi
T’i shuhet e me ferrë dera t’i mbyllet.
E kshtû u rrpos sheklli e sosi pûna e nierit.
Dita e zemërimit, ajo ditë do ta shkrijë botën në hi, siç dëshmojnë Davidi dhe Sibila. ↩︎