Kangë e njizetekatert
Kshtû n’Nokshiq lufta po vlote,
Zana e Madhe e Vizitorit
Më kisht’ dalë ajo n’nji kep,
Prej ka’, e Mira, po kundrote
Si terthores së Nokshiqit
Rrihte «huta» edhè «novica»:
Si flakojshin n’diell taganat
E si grîheshin n’mjet vedi
T’idhtë Shqyptarët e Cerrnagorasit:
Nji grusht trima kta, qi Mbretit
Të Stambollës, manati i Zotit,
Pesqind vjet kokerr m’i ndêjen
E askurr pushken dá s’m’i a kan.
T’lirë nper krepa tue e shkue jeten,
Si ajo shqypja skepekrruta:
Ndersa Serbi ‘i belaçí,
Me Turk nisë kishte krushqí
E po rrite aj me dorë m’ballë
Tue i bâ Turkut «tungiatëtjeta»,
Turkut tue i lá pagë e t’dheta:
Pesqind vjet harap i shitun!
E ashtû ndêjë e Bukra e Dheut
M’at t’thepisnen maje kepi,
Rreth e rrotull rrokullote
Synin flakë, si flaka e diellit,
Tue kundruem e, shêj tue vûm
Se kujë pushka mâ hollë vritte,
Kujë mâ ters tagani ndritte :
Kush po hapej, kush po zmbrapej,
Kush po msŷte mâ furishem
Malazezt a po Shqyptarët :
T’ cillve n’ mní, kishe me thânë,
Se edhè fort vehtja u kisht’ ardhë,
Q’ se atŷ jeten, sado qi e ambel,
Kurrkush máll, besa, s’ po e bâte :
Rrezja e sŷnit, kur, qe, i priret
Ka’ ato tbanat e Curr Ulës,
Kû të mjeren Tringë per s’ dekuni
Ká pá shtrî terthuer oborrit,
N’ nji hurdhë gjaku kryet sharrue
Shî te praku i derës së vet.
Pse të mjeren morì Tringë
Edhè mirë, manà, ajo e Mira
Njoftë m’ a ki’te prej kahmotit:
Q’ se kjo, vajzë e enè fëmij,
Flokët rreth ballit rrumullue
E nder mrize t’ Vizitorit
Reshun rrunzat me mrizue,
Bâte kputa: a se me shoqe
Rrite hijes tue këcye,
Me u stervitë, po, jetshkurtuemja,
Si dikur kjo, vetë, bâ nuse,
Me këcye me nuse tjera
N’ ato okollet e Malcís;
Ase, ulë ruben nen vetlla
E tue bâ kinsè po kjate
Mbí ndo’i rrunzë a cungë shtrî para,
Njifte fjalë tue dnesë, tue fshâ,
Per me dijtë mandej, si grue,
Me vajtue burrat e dheut,
Ndér qi fisit t’i ki’n lanun
A per gjýgj e per pleqní,
A per bukë e bujarí,
A per besë e per burrní,
Per urtí, per trimëní,
Vrá me Turk kta, e vrá me Shkjá ;
Jo se kur, per brî ndo’i gurre
A ndo’i çutrri ujnash akull
Bashkue blegat me u freskue,
I a nisshin atŷ, çerdhûkullat,
Me u ngallitë njana me tjetren:
Tash dynd skllafat me shplakë t’dorës
E sterpik ftyren shoshoqes,
A se qite me kamë n’ujë:
Njana tjetres m’shpinë tash lshoju
Poshtë perpjetë stomeve t’blera:
Guga fmijsh, per t’kalue motin,
Verës mbas gjâjet m’bjeshkë kur dalin.
Zana e Madhe, strukë nder zgavrra
Gvêjsh jetikë, a nper gallushtra
Bigash s’mrazta, çilun m’karpa
Prej rrufejet bumbulluese,
Rrite e Mira e po i skjyrtote,
Krye per krye me Motra tjera,
Me ato t’bukrat Shtozovallet!
Orë e Zana t’Vizitorit:
Fol e qesh kto ndermjet vedit,
P’r ato argtime e lojë fminije,
Krejt pa t’keq e tanë fjeshtsí.
E kur ndollte se ndo’i shoqe
Ftyret Tringen n’moh po e lagte,
Pa rubë m’krye, llanash shpervjelë,
Amel n’gaz tue gargullue
Si t’këndojshin n’mal bylbylat,
Edhè ashtû ftyret priskue
N’ujna t’gurravet t’argjanta:
Si e kerthnesta drandofille
Rîhet n’voes n’at ag të Dritës:
E fulqîjsh n’ujë bushurdisun,
M’shpinë kjo shoqes vrap vervitej,
Tuj u ndjekë n’p’r ato blerime,
Si dŷ flutra t’bardha, t’bardha:
Zana e Madhe, kah po e shifte
Ashtû t’njethtë e të kerthnestë,
Bardh e njomë si ajo prendvera,
Edhè fort, po, e Bukra e Dheut,
Manà, knaqej vetë me vedi;
E tue folë me Shtozovallet
Bashkë tue folë, bashkë tue ligjrue,
Merrte, e Mira, edhè po u thote:
Pa ndigioni, moj sŷgrizha,
Moj pinjolla rritë nder molla:
Pásh at t’Lum, qi vrân e kthiell,
A u ká rá ndo’i herë me pá,
Nen ket hanë e nen ket diell,
Fmij me 'i hije mâ të kandshme
Se Tringë Ulja e Ulë Keqotës,
Burrë i dheut ky, e buka e botës,
N’nám e n’zâ nder Male t’Mdhá.
Kqyrnje ‘i herë, he i raftë e mira!
Si i ep shtatit, m’shpinë ka’ i lshohet
Bleges shoqe n’p’r at rudinë;
Si njaj hylli, qi n’natë vere,
Zhgjetë i bjen të mraztë Empirit,
Tue lânë mbrapa 'i hullí drite!
Jo, po prá, mirë jé ka thue,
Njana Orësh fjalen i a kthete:
Sŷni i keq veç mos e pát,
Se kjo mue, manati i Zotit,
Me njat shtat filiz çetine,
Me ato vetlla si fiskaja
Me atà sye kokrra qershije,
Me atà dhâmë si gurt e zallit,
Fill mbas shiut kur t’u bjerë dielli,
Dishka m’dán, po, si 'i cirkë voese
M’gjeth t’nji lili, kur mâ s’pari
T’shkrepë m’tê rrezja e nadjes s’ré.
Si veç, Zot, rueja nanës s’vet!
Se, manà, kur t’bâhet nuse,
Shoqja kund s’ká per t’i dalë
As n’Malcí, as n’Shllak, as n’Shalë.
Sa mirë s’Bukres s’Dheut m’i rá,
Per at fjalë qi i foli Ora,
Edhè, e Mira, buzen n’gaz,
Kshtû ká marrë e ligjiron:
Animâ, moj Orë e Zana,
Tringen ju fort me m’a dashtë,
Me m’a dashtë, n’kujdes m’e pasë:
Me m’a ruejt si sŷt e ballit,
Kurdoherë t’dalë me verue
Nder kto vise t’Vizitorit,
Qi ktê shtriga t’mos m’a ngase
Sŷni i keq t’mos m’a peçase,
N’moh m’mní kama t’mos m’i shklase:
Larg « gojlidhnin » me m’i a mbajtë
Zhegut t’ditës me m’i bâ hije,
Me m’i a bâ ju dimnin verë:
Me m’a ruejtë të njethtë perherë,
Si ato lulet në prendverë,
Mbasì lule e falka Zoti.
Se, q’m’ at ditë qi e pava s’pari
M’breg t’Gradinës tue u dhânë ujë rrunzave,
E vetë ftyret tue u flladitun,
Mue kjo krejt m’âsht njitë per zêmer,
Edhè e due, moj, pásha t’Lumin!
Si driten e sŷvet t’mí.
Se edhè vetë, po, Zana e Madhe,
Kur më dilte Tringa n’bjeshkë,
Ajo ksajë m’i bâhej hije
Kahdo shkote, kahdo vîte,
Tue m’i ndêja gjithkund pervane
Qi ndo’ e keqe t’mos t’i a gjîte:
Motra e madhe strehë si i bâhet
Njâj mâ s’vogle motre s’vet.
Shkrepte rêja nalt prej qiellet,
Edhè rrfeja me rropame
Blî’n shinote rrêmash s’hapun,
Per nen t’cillin, furís s’mndershme
Per m’i u shmangun t’rrebtë thellimit,
Strukë t’isht’ Tringa: sa shpejt gati
Atŷ i rrite e bardha Zanë,
Edhè, e Mira, me at t’fuqishmen
Dorë të vet rrfés, po, kokrren
Larg ajo kisht’ per t’i a bredhun,
Tuj u a lshuem karmave t’rryeshme.
Msŷte ujku m’rrunza t’Tringës,
Jo pse ky kishte qitë ceken
Kund tufë dhênsh me vû per vedi
E me u bgatë me to: si nieri,
Qi, mâ i fortë tue ndollë, mâ t’ligshtit
I mbetë m’qafë, e bishë mbí bisha,
I a xjerrë shpirtin per gazep
Jo per tjeter, veç per t’hîmë
N’okë e n’copë të tij, e barkun
Me e kertylë mâ teper n’vjam:
Por, pse zijet n’breshtë molisun,
E rreshkë ûjet, barku pefull
Per kurrìz i isht’ njitë qyqarit,
Tue mos pá kund maje vedit,
Lshote m’rrunza t’Tringës së ngratë,
Gjallë sa frŷmen aj per t’mbajtë:
N’ndesh t’tij Zana per t’dalë kishte,
E atŷ gojen me i a lidhun,
M’rrunza t’Tringës qi aj mos me prekë.
Edhè ujku, sado qi i unshem,
Kryet per dhé, bishtin nder kâmë
Per t’kaluem kisht’ ndermjet rrunzavet,
Per pa i prishë e dam pa i bâmë:
Si t’kish’ kênë qêni barí
Tue ruejtë rrunzat bashkë me Tringen!
Kaq fort Zana, Shtozovallet!
M’a kisht’ dashtë Tringen e mjerë:
Por qi sod i a bâni t’dekun
Vasil Ndreka sŷkerveshni!
Prandej, kur m’at maje kepi
Ndêjë, e Mira, tue soditun
Si n’Nokshiq po vlote lufta,
I shkojn sŷt n’oborr t’Curr Ulës,
Edhè shef: shka ajo me pá
S’do t’ kisht’ dashtë me sa vedvedin
Errë s’ dŷ sŷsh: shef Tringen dekun
Gjatë oborrit shtrî terthuer,
Kryet te praku i derës sharrue
N’ nji hurdhë gjaku. Mnderet shtati
I u perqeth atŷ nji herë;
Por, ka’ e Mira me mendue
Nuk po don, se ndonji e keqe
Ká mûjtë Tringen me i a gjetun,
Sŷve t’ vet besë s’ do me u zânun;
Edhè shplaken, bardh si drita,
Vendue strehë mbí vetlla t’ holla
E dhânë shtatit si n’ perpjete
M’ at shkam t’ gjallë, e ço e ul kryet,
Ngerthye m’ ballë vetllat si rrfeja,
Mâ pingul rrexet e sŷvet
Po i a lshote. Si ajo e mjera
Morì nanë, së cilles djalin
N’ mal a n’ fushë hasmi i a vrau,
Ndo’i rrezik a se i a gjetka:
E qi gjindja, shqymit zêmren
S’ mjerës me’i herë mos m’ i a rrenue,
Si me ndoshta t’ zí kumetin
I a apin s’ pari: flakron m’ kamë
N’ at lajm nana, e rrugës tue thekun
Moshet kamen nisë me i mbetun,
Shkon n’ mend vedin tue e mahitun,
Se s’ do t’ jét, jo, djali i vet
Qi ká mbetë, por ndokush tjeter
Me tê ‘i êmni ndollë si gand:
A mostjeter, se asa’ i biri
N’ rrezik jete nuk do t’ ishte:
Por, kur t’ mrrîmen n’ vend t’ shemtuem,
Shef se djalë mâ nuk po ká,
« Ahi! » gerthet t’ madhe me vedi,
Grushta krés tue i rá kercuna,
Dhîmet zêmra ka’ i pelset;
Kshtû gerthitë ká e bardha Zânë,
Kur ká pá se mbetë kisht’ Tringa.
Edhè e Mira, nalt prej kepit
Kû kisht’ zanë, e thik perpjetë
Ndê ajo flatrat e pralueme:
Si atà pllumat kur prej s’ epëri
Pingul lshohen m’ ndo’i lamë gruni:
Zhgjetë n’ teposhtë âsht lshue n’p’r ajrí
Drejt oborrit të Curr Ulës:
Curri dekun shtrî te votra,
Dekun shtrî n’ oborr e motra.
Si ajo nana fmín, qi gjumi
T’ i a ketë zanë prej mramjet n’ voter,
E merr pezull para duerve
Edhè e çon me fjetë ke shtroja:
Kështû Zâna pezull Tringen
Para duerve ajo e ká rrokun,
E ndê çark llanen si bora
Nen krye t’ sajë e njanit krah:
Si po t’ drote se i del gjûmi…
T’ amlen peshë edhè shterngue
Mirë per parsme, e Bukra Dheut
Nçohet ajrit tue flutrue
Neper plume e gjyle topash
Drejt kah kreshta e Vizitorit,
Kû me bigë kisht’ ngulë e Mira.
Nen at bigë e te nji breshtë
Po kisht’ pasun nji rudinë.
Isht’ rudina e gjanë e giatë,
Sa hjedhë nieri 'i peshë nen dorë,
Tanë blerim e lule t’njoma;
N’mes t’rudinës nji shkam i gjallë,
Nen at shkam nji gurrë prej akullit.
Gurra jishte, ujë po kishte,
Sa me blue nji gúr mullîni.
Atŷ dilshin Orë e Zâna,
Per me u lá, per me u flladitë,
E nper rreze qi lshon hana
Dorë per dorë valle me u njitë
Me u njitë valle e me lodrue,
Me lodrue, po, e me këndue,
Me këndue e me vallëzue
Me bylbyla t’verës-ó,
Dér nper ag të Dritës-ó:
Gjofti e mira s’kthielltit-ó!
Mbí at rudinë e te ajo gurrë,
Zana e Madhe, Shtojzovallet!
Ká ulë Tringen n’bár të njomë,
Edhè fshâ ká ajo të madhe.
Kur ká fshâ nji herë të madhe,
Ká piskatë fort mâ të madhe:
Ç’ká ushtue bjeshka e Vizitorit!
E kan ndie Motrat e veta,
Orë e Zâna t’Vizitorit:
E kan ndîe ato e gjithsa kjenë,
Gjithsa kjenë, po, te kû kjenë
Shkaperderdhë gjatë Vizitorit
Neper karma, curra e krepa,
Luften tue soditë të Lumet,
I a kan behë ato vetimë,
Disa vetmas, tjerat plimë,
Tue rrahë flatrat nper ajrí:
Si atà pllumat, qi prej mbramjet,
Enè dielli pa prendue,
Shkaperderdhë si t’jenë pullazesh,
Nper kopshtîje a skâj’t t’oborrit,
Kur t’ndiejn zânin e zojës s’shpís
Se i ndiell m’kokrra, flutrim ajrit
Per t’u lshue kan, tok a dámas,
Zâni i njoftun kah t’i grishe:
E si ato qi s’kan mot t’keq,
Fol e qesh t’Lumet n’mes t’vedit,
Ka’ i bijn ajrit tue flutrue.
Por kur mrrîjtë kan mbí at rudinë
E kan pá shtrî m’bár të njomë
Trupin dekun t’Tringes s’mjerë,
« Kuku! » t’madhe fort gerthiten,
Rrah shuplakë e lviru ftyret,
Lnuru flokësh fijesh s’mundashit,
Njana dnes e tjetra fshâj:
Fshâj e kjáj e shkrifu n’váj,
Rá permys rreth trupit t’sajë,
Dhîmet zêmra gjak tue u pikë.
Mjaft tash, Varza; mêni vajin!
Kem’ me pasë se kur me kjá,
Zana e Madhe merr e u thotë.
Se edhe n’vend qillue po kemi,
Kû rri bari rî në lot,
Kû rreth toka âsht mrû me gjak,
Me gjak nierit, e kû, besa,
Nji Shqyptár, n’dashtë burrë, n’dashtë grue,
Qi per zêmer Orë e Zana
T’a kenë pasë, aj, t’thuesh, gjithmonë
Ká hjekë zí, keq ká mbarue:
Q’se kjo e mjera moj Shqypní
Ká per brî, nji dreq t’zí,
E në gjí, nji dreq mâ t’zí,
Ká per brî kjo Karadakun,
E në gjí ká Turkoshakun,
Qi veç e me agor të vetin
Hije t’zezë me i lshue ky diellit,
E si vetë aj gjarpni «zilesh»
Veç me sŷ dhén e me e helmuem.
Por t’i lâjm kto fjalë. Tash Tringa
Do bâ gati me u rmue n’dhé.
Kjo do lá nji herë mâ para,
Masandej do veshë per dekë;
Do çilë vorri. Sa me e lá
Tash po e láj un vetë; por petka
Deke s’kem’ per tê. Ndigjoni,
Jere, Lere, Tere, Gere,
Ti Culinë e ti Dalinë,
Tile, Gile, Tale, Gale,
Bashkë me Donen e Berdonen,
Beken, Çeken e Cerrleken,
Shpejt me m’endë ju nji kmishë deke
T’bardhë si drita, edhè nji veshë
Si e bâjn varzat e Malcís.
E ju Care, Nare, Dare
Nji rizë t’gjanë, të bardhë e t’hollë,
Si ato rrezet, per t’m’endë kini
E mâ s’mirit me e qendisë,
Per m’i a vû së mjeres m’krye.
Ti Fatale, Naze, Raze,
Nji «ndjesë» arit shpejt m’i a shkrîni,
Krejt me lajlé, shkrola e ftyra
Si i ká kjo, qi bajtë ká n’fyt:
T’lumet shêje t’shpnesës s’njerzimit:
E ‘i parë vargj, prap, prej florinit,
«Ndjesen» m’qafë m’i a vjerrë së mjeres.
Zhdukë vetimë janë Shtozovallet,
Punës se e cilla tuj i a hî
Me kujdes e t’madhe cenë,
Zana e Madhe urdhnue si kishte.
Kur, qe, prap e Bukra Dheut
Po piskatë atŷ të madhe:
Larg ushtue ká Metohija:
Edhè kthelltë at herë prej breshtet
Nisen vrap dŷ ulkoja t’murrme,
N’at rudinë t’cillat si mrrîjten
E pá kan Zanen e Madhe,
Trok m’trok m’tt’katrat tue i rá podit
E andej-kndej bishtit tue i dhânun,
Fíll ka’ ajo kan marrë e shkue;
E si kênë t’i’n dŷ kalina
T’buta-t’buta, per rreth sajë
Nji herë hjedhë janë e perhjedhë,
Tanë gëzim e tanë endire:
Lpŷja doren, lpŷja kamen,
Çou m’kamë t’mbrame me i lpŷ ftyren;
Mbasandej perpara sajë
Janë ulë t’dŷja e ndêjë kacuk,
Giûhen jashtë e veshët currue,
Sŷ per sŷ m’tê tue soditun
Edhè t’dŷja atŷ tue pritun
Se ç’ punë dote ajo me u urdhnue,
Qi aq të madhe u bâni zâ.
Edhè e Mira, lott per faqe,
U ká prî e i ká çue te vendi,
Per krah shkamit n’anë prej diellit
Vorri Tringës kû do t’i u çilte:
E kû ato, me do çapokë
N’ thoj-çengela mirë t’forcuem,
Hînë me ‘i herë m’ tê me gropue,
Mje m’ brez kthelltë edhè e kan çue.
Nderkaq mrrîjtë kan Orë e Zana
Me pajë deke fringu t’ ré:
Endë e mlue, e at herë bâ vekë,
Pré e qepë, edhè qendisë,
Si veç Zanat mund t’ qendisin.
Nazja, Razja e ajo Fatalja
Prune «ndjesen» ár florí,
Me ‘i parë vargj per bukurí,
Arit t’ shkrîm e t’ trashë sa gishti:
M’ njanen faqe ‘i Zêmer Krishti,
M’ tjetren ànë nji Shëna Ndue,
Me nji lil në dorë shterngue:
Îmë punue, mirë sendergjue.
Zotnja Zanë si e kisht’ urdhnue.
Edhè, at herë, vetë Zana e Madhe
Shtozovallet n’ bjeshkë e n’ vrrî!
Âsht ulë Tringen per me e lá
Me bár «shkumëz» e ujë prej gurre,
Kû ajo vetë, e Mira, lahej
Neper rreze qi lshon hana;
Po i nihmojshin Orë e Zana.
Nder mâ t’ parat permbas soje.
Tjerat ndêjë ki’n rreth e rrotull,
Shkatrrue flokësh, mollzat n’lot rî;
Disa m’kamë, disa m’ledinë
Ulë nja’n giû, e m’tjetrin duert,
Merthye gishtash, pshtetë kaluer,
Tue dënesë, dhimshem tue kjá
M’t’ngraten Tringë. Nder to mâ e vogla,
Njajo Dardhamoskadele,
Qi m’kisht’ kênë shoqe me Tringen,
M’anesh dalë e nja’n sup t’krahit
Njeshë, e njomja, shkamit t’gjallë,
Kjate, dneste, shkrifej n’váj,
Dhimet zêmra dŷsh ka’ i dahej;
Ndersa nja dŷ Motra tjera,
Tue e dashtë mirë, flokët tue i a lmue,
Kryet nen sjetlla t’i a shterngue:
Terja lott me riza t’holla,
Lshoi në dorë urtyta e molla:
Bâjshin ç’mos per m’e pajtue
T’mjeren Dardhamoskadele!
Ballehana, e Shtatzarana,
Me at Shtrumoren, e Vathnoren,
Kishin dalë t’mirat per lule,
Me to vorrin per me shtrue,
Trupi i Tringës m’to me pushue.
Edhè Syne, Lore, Loshe,
Mine, Mile, Mele, Groshe,
Para duersh atŷ po bijshin
Mirë të lmueme ‘i rrasë mermerit.
Gjanë e giatë per masë të vorrit,
M’llastra gurit per me e pshtetun
Mbrenda vorrit: dheu qi ftyren
T’mos i a prishte Tringës së mjerë.
Prap mâ jashtë, disì m’nja’n anë,
Ofshe! ulkojat vend ki’n zanë,
Kacuk t’dyja, e per nen zâ
Tuj ungruem tash e mâ vonë.
Nji zog vere, m’rrêm t’nji lisi
Zanë nder thepa t’shkamit t’gjallë,
Dhimshim rrite tue gurgllue,
Kurr pa prâ, kurr pa pushue,
Ujë e shûjtë aj krejt harrue,
Kah po dote me i nihmue
Zanës së Madhe me vajtue
Hollë e giatë, Tringen e ngratë:
Vasil Ndreka, i patynzoni,
Qi i a vrau, i a thau të rijt,
I a verboi, oh! të dy sŷt.
Zana e Madhe, shpervjelë llanash
E dhanë rizës ajo mbas shpinet,
T’mjeren Tringë se mirë po e láte
Me ujë gurre e lot të sŷvet!
Mirë po e láte, hollë po e kjáte,
Me i u dhimët gurit e drunit:
Anì, Tringë fort m’kênke idhnue,
Qi me sŷ s’don me m’shikjue
E as nuk flet e as s’qeshë me mue?!..
Po pse kshtû, moj hajmalí,
Morì rrezja nper frangí,
Me m’a marrë gjith ket mëní?
Qi pa tý s’m’ká çilë prendvera,
Pa tý lules s’m’i erdh era:
S’m’kan argtue jo kangë e valle,
S’m’kan freskue gurrat prej akullit,
As bâ dritë s’m’ kan sŷt e ballit!
Çili sŷt, moj drita e sŷvet!..
Shka t’ká rá kjo hije e randë?!..
A s’po shef kush â tue t’lá?..
Âsht tue t’lá, moj, Zana e Madhe:
Ksajë m’i raftë-o 'i pikë e madhe!
Âsht tue t’lá, me ujë prej akulli!
E me lot të sŷvet t’ballit!
Se as, kur m’dilshe n’Bjeshkë të Mdhá,
Manà, tejet kurr s’jam dá:
T’kam ndêjë pranesh bjeshkës e vrrînit,
Si ajo hâna per nget hyllit,
Kur bân dielli me prendue.
A t’bjen n’mend, moj rrexigí,
Si, kur ishe ti enè fmí,
Flokët rreth ballit rrumullue,
Bâjshim zheg na t’dyja bashkë
N’p’r ato mrize t’Vizitorit?
Kû un, marrë hijen e ndo’i vashe
Me tý shoqe ase kushrinë,
T’msojshe kputat si me nisë,
Si me qepë, si me qendisë?
E si, kur nper hije t’breshtës
Niste kangen zogu i verës,
Âmel-amel tue këndue:
Si veç aj qi din me kndue:
Mue m’â dashtë, po, mâ se ‘i herë
Me t’a zânë zogun e verës;
Me t’a zânë t’mjerin e vocerr,
Edhè gjallë n’dorë me t’a prû:
Kah të kapej mendja tý
Se edhè n’dorë kndon zogu i verës,
E ti s’kishe enè dijní
Se s’del kanga në robní?..
Hajde, Tringë, tash me pajtue!
Ti me folë, me qeshë mue,
Folë e qeshë si kem’ perhera!
Se tash del, po, prap prendvera,
Prap tash njethen gjeth e lule,
E me u dê ká bora malit,
Me rrëmye kan prrojet zallit:
Prap tash kndon aj zogu i verës,
E tash dalin gjâja e bjeshkës,
E tash bijn fej e zamare,
Tash tingllojn linge e koçana,
Tash këndojn barí e blega:
Blegat mollzat kuq si shega:
E un e ti prap dora-dora,
Dora-dora bardh si bora
Mriz e m’mriz bashkë me mrizue,
Gurrë e m’gurrë bashkë me u freskue:
Hijes mlidh lule të njoma,
Mlidh urtyta, dardha e molla,
Lule, lila, karajfila,
Drandofille me zymyla:
Darkë e drekë tamel e borë,
Borë e tamel ciela e zamer:
N’shndet si bryma mbí rudina
Menden kthielltë e zemren dlirtë,
Mirë me Zotin, mirë me robin:
E n’at t’amlen giûhë shqyptare
Te nji lis a nen ndo’i dardhë
Un këndo, po, e ti këndo,
Si kndon zogu i veres-o,
Morì drandofillja e bardhë!..
Por, e mjera, ç’jam tue pá?!..
Eh me sŷ kurr un mos pasha!
Ç’âsht kjo njollë, thue, Tringë më ballë?
Qi ndryshe s’po m’dán nder sŷ,
Veç si njaj lugat i zí,
Qi hanen ndo 'i herë zên naten?..
Uh «kuku!» per mue kercunen!
Se kjo kênka ‘i varrë prej pushket
Varrë prej pushket mu në ballë
Mu në ballë shî m’lule t’ballit,
Kû mâ fort shpirti po dhimte!
Se Tringen m’a paskan vrá!
Vrá m’a paskan, he i vraftë Zoti!
Edhè thá m’i a paskan t’rijt
Thá të rijt, verbue t’dy sŷt,
Tue i pshtjellë n’zí gjak e gjiní,
Tue i mjeruem miq e kumarë:
E Orë e Zana e Shtozovalle
Tue i shkretnuem, tue i pezmatuem,
Sa kû janë e te kû janë
M’Qafë të Diellit e m’Bisht-Muzhel!
Jo, po, pra, besa, ju Motra,
Se per Tringen mâ mbas sodit
Udhë as shtek s’kem’ pse kundrojm,
As nper mrize pse e kerkojm,
Koder m’koder zâ pse i lshojm;
Pse kjo mâ morekujé!
S’ká me bâ hije mbí dhé!
Ká me u kalbë, qyqja, nen dhé!
Kur ndo’i hera n’atê dimen,
Rêsh së murrta qiella kthiellun,
E m’ranë t’hjedhme t’ndrise dielli,
Kan me dalë t’Bukrat e detit
E giatë bregut, Shtouzovallet!
Kah mue Tringa m’dimënote,
Tue flakue ato e tue lodrue,
Njitun valle tue këndue,
Kan me i lodhun sŷt, të Mirat,
Palè a Tringen kund po e shofin,
Kah reshë lukurt m’kullosë n’megje,
Qi aq per zemer pasë m’a kinin,
E per t’pvetë ká shoqja shoqen:
Vall, po Tringa si s’po shifet?
A mos rá, ndoshta kund njeti,
Gjân e gjallë me dimënue?
Ká me u thânë pulbardha e detit,
Manà, ju t’Bukrat e detit,
Sŷt per Tringen mos m’i lodhni;
Se ajo dalë ká me dimnue
Sivjet n’bjeshkë të Vizitorit,
Te nji gurrë e nen nji blî…
Mbrendë njij vorri, e mjera, shtrî,
Tue ngranë m’tê skraptha edhè bolla!..
Tash hecë moti, tash ndrron stina,
Tash kthen prap festa e Bajrakut,
E ke tbanat e Curr Ulës
Kan per t’rá miq e kumarë,
Kan per t’rá ndriklla e mikesha,
Vjetë per vjetë si atŷ kan rá:
E kur t’shofin zjarmin shkimë,
Deren mbyllë, ofshe! me ferrë,
Kan per t’pvetun shokët per brî:
Amanèt, njehshi t’mirë mot!
Po a Curr Ula shkulë â trollit?
A thue Tringa na âsht martue?
Faqebardhë, burra të dheut,
Faqebardha, oj bujaresha,
Miqt e babës qi s’i harruek’i,
Kan me u thânun shokët per brî;
Se, manà, Curri ká dekë,
Edhè Tringa na âsht martue:
Na âsht martue, po, me tokë t’zezë,
Ke qaj blini i Vizitorit…
E vrau Shkjau, he atê e vraftë Zoti!
Kur u bâ lùfta n’Nokshiq.
Mjera un, moj Tringë, per tý!
E ktû Imekë âsht Zana e madhe,
Ftyrë per ftyrë ká rá mbí Tringen.
Orë e Zana at herë nji zani
Se të madhe ç’kan piskatë!
Ká jehue bjeshka e Trojanit,
Maja e Hekrave e Vermoshi,
E ajo Mokra e Shekullarit.
Idhtë dý ulkojat zûn me ulrue,
Pika-pika lott tue i shkue.
Nalt prej shkamit zogu i verës
Cangull m’tokë i vocrri rá:
Dhimet zêmra dýsh i u dá:
E rrmej gjak gurra prej akullit.
Ora e bardhë e bjeshkës s’Trojanit:
Dalë, e Mira, me do Motra
T’veta mâje nji carani
T’rryeshem t’bjeshkës, per me soditun
Si n’Nokshiq lufta po vete:
Ká ndie vigmen e piskamen,
Trishtueshim kah Orë e Zana
Pingrue kan n’bjeshkë t’Vizitorit;
Edhè mirë atŷ âsht kujtue,
Se bel-holla, rritë nder molla,
Zana e Madhe e Vizitorit
Me ato tjerat flok-prarueme
Motra t’veta, Shtouzovallet!
M’shtek të vshtirë po ki’n takue.
Prande’ u thotë shoqeve t’veta:
Besa, pra, morì ju Motra,
Njajo vigem e piskame,
Qi pingroi kah Vizitori,
Kish’ me thânë, se shêj hareje,
Manà, s’âsht, por shêj nji kobi
Të trishtueshem edhè fort.
S’bâjm, tham, keq, kshtû tok si jemi,
Me kalue ‘i herë m’Vizitor,
Per me pá, palè, ç’ká ndollë
E a i kem’ shndosh Motrat e atjeshme.
Edhè t’mirat-raftu e mira!
Janë lshue ajrit plima-plima,
Tue rrahë flatrat e prarueme
Drejt prej bjeshket t’Vizitorit.
Si m’at bjeshkë vetimë janë kapun
Plantë ndê flatrat e prarueme:
Si ato shqypet ktheterkuksa,
Kur me sŷ pingul prej s’eperi
Shkojn tue lá çufra e zabele,
Per t’rám pré ndonjâj shkerbeje:
Pezull ajrit zûnë të Bukrat
Me i ardhë çark bjeshkës s’Vizitorit,
Pingul prirë rrezet e sŷve,
Palè a kund po mund dallisin
Orë a Zanë. Kur qe se Orës s’Madhe
Rrezja e sŷvet fíll po i shkueka
Mbí at rudinë, kû Shtozovallet
E bjeshkës s’madhe t’Vizitorit
Po ki’n ndêjun rreth e rrotull
Trupit t’Tringës, idhshim tue u lvyrë,
Tue u lnurë flokësh, e Zana e Madhe
Pakë e lmekë mbí ftyrë të sajë,
Dnes e fshâj e shkrifu n’váj;
Edhè zhgjetë t’Bukrat e dheut
Pingul lshue janë m’at rudinë:
Në fllad t’amel t’fletvet t’tyne,
Kah po dirgjeshin flaurí,
Ká ferfllue njaj gjethi i ahit.
E kur rá kan m’at rudinë,
E t’kan pá Zanat tue kjá,
Tue dënesë, ftyret tue u lvyrë,
E mbí Tringen ftyrë per ftyrë
Pakë e lmekë Zanen e Madhe:
Edhè fort, manà, të Mirat,
Janë mjerue janë pezmatue:
Rrkajë volísh lott u kan shkue.
Ora e Madhe e bjeshkës s’Trojanit,
Ardhë si rrezja e nadjes s’ré,
Me nji hýll t’shkelxyeshem m’ballë,
Shllungës së flokvet, fijes s’mndashit,
Per mbas shpinet dhânë suvalë:
Avra-avra edhè derdhë shtatit
Veshen bardh si bora shpatit,
Kur t’i bjerë dielli kundruell:
Njeshë nen parzme me ‘i trîzë arit,
Kamen mbathë n’ndalla t’prarueme:
E si hana katermdheçe,
Në ndo’i mbrame t’asajë vere
Qitun ballin, qêth argjani,
Permbí vetulla t’ndo’i mali,
Giatë s’të kthielltes ravë t’Empirit
Nper mes t’hyjvet bjen madhnueshim;
Rudinës s’blerë, në lule shtrue,
Kshtû madhnueshim bjen e Mira,
Aq kaleças, kamen matun
Per mbas gjethit të ndo ‘i lili,
Udhës tue ndrrue, porsá m’boçë lulet
Me i perkulë; edhè nji filli
Drejt ká shkue ke Zana e Madhe,
Kû, qitë duert asajë nen sjetulla,
Si perdhûni e çon më kamë:
E me t’shmajten llanë eburne
Çark tue u ardhë lilave t’njomë
T’ijes s’sajë, e me dashtní
Tue e shternguem amel per parzme:
Ndersa e Bukra me dorë tjeter,
Flokët, derdhë ballit edhè çenash,
Me shum máll po i a shestote
Per nen rizë, ká mârrë e i thotë,
Lott poshtë mollzash ka’ i rigojn :
Po ti, Moter… mos kështû!..
Qindro pak, he bujareshë!..
Se ti kshtû, manatì i Zotit,
Cok po e çueke vedin dam…
Mjaft tash mâ… të kjofsha true!
Lêne vaj’n nji herë, se plase!
Zana e Madhe, kryet pështetun
M’ borë të gjallë t’ Moters trojane,
E tue dnesë, dhimshim tue fshâ,
Merr e i thotë me fjalë t’ këputuna:
Qyqja, Moter, se ç’ m’ ká gjetë!
Se un mâ t’ gjalltë nuk kam shka e bâj!
Se mue Tringen m’ a kan vrá!
Se mue t’ rijt-o m’ a kan thá!
Të dy sŷt m’ i kan verbue!
Bjeshkë e vrrî m’ i kan shkrûmue!
Gurrë e prrue m’ i kan helmue!
As nuk kam pse t’ hî nder valle!..
As nuk kam pse t’ bij nder zalle!..
Pse t’ kerkoj hije edhè mriza…
Pse t’ kerkoj gurra e çurrila…
T’ kerkoj lila e drandofille,
T’ ndjeki flutra neper shtoja,
Mollakuqe e xhixhilloja:
Të prigjoj un zogjt bylbyla!
Kta per mue, Zot, u farojshin!
Kurr mos kndojshin! mos vallzojshin!
Kurr mos dalët per mue prendverë,
Tash qi m’ vrán Tringen e mjerë,
Qi e kam dashtë si sŷt e ballit:
He mue m’ gjoftë moti per s’kthiellti!
Orë e Zana prap piskaten;
Prap ulkojat uluruen:
Bjeshkë e male larg ushtuen.
Ora e bardhë herë tue i a lmue
Me dorë ftyren, herë me rizë
Lott prej sŷvet tue i a terun
Se sa amel po i a kthen:
Po ti jo, moj rrezja e bardhë,
Moj shtatrrituna në mjaltë!
Se tý Tringa nuk t’ká dekë:
Nuk t’ká dekë, moj, pasha veren!
Pasha voesen, qi rigë Drita,
Kur vegon m’at buzë të malit!
Nuk t’ká dekë, moj, por t’ká lé
Sod per s’dyti: se n’Nokshiq
Shqyptarís i a la ajo nám!
Se kur sod nper buzë t’agimit
Krisi pushka në Nokshiq
E zû shkjau me djegë, me pjekë,
Me vrá gjind, e me rá pré
M’dhên e dhí e m’lopë e qé:
Si atij p’rherë i a ká hjekë dera:
Cull e mullë, shka i kisht’ shpëtue,
U vû m’t’ hikun, e muer rreget
Rrezga-bjezga drejt Sutjesket,
E as rob nierit s’mbet n’Bajrak;
Veç se Tringa me t’vëllán,
Me at Curr Ulen shtrî per dekë:
Shtrî per dekë kah nisë me hjekë.
Anë e kand visesh s’Nokshiqit
Rrihte pushka kurr pa prâ:
Stane e tbana i’n flakadâ:
N’tym t’agushtë qiella merthye,
Mos me u pá shoqi per brî:
Tue lurue shkina edhè shkjé,
Si lavë uqsh zijet në Shndré,
Kah robitshin, kah plaçkitshin,
Pleq e cull e grá kah vritshin:
Me gjith kta kjo e bija e botës,
Tringe Ùlja e Ùlë Keqotës,
Vllaut, fisnikja, nuk u dá,
Dér qi sŷt ktij mbyllë s’i a ká.
E si vllaut sŷt mbyllë i a ká,
E ká ndie si Shkjau po rrâte
Drejt kah tbani i sajë, kqyr ç’bâni
Tringa at herë. Në kamë âsht çue,
Edhè atŷ, mbí vllá të dekun,
Ká zânë vasha ‘i bé të madhe:
Ká bâ Zotin—kjoftë levdue!—
Gjallë Shkjaut n’dorë se s’do t’i bijte,
Tatë e nanë se s’do t’koritte,
S’do t’koritte vllán per s’dekuni,
Fisit marre s’do t’i lîte:
Edhè, kapë « huten » e vllaut,
Fíll n’oborr vasha ká dalë.
E ká pá, nji Shkjá kryekcyem;
E ká pá, keq ká mendue,
Fort mâ keq desht me punue:
Me e çue rob per vedi n’shpí.
Por, kur, qêni i biri i qênit,
Ká marrë turrin me e robitë,
Sa shpejt Tringa atŷ i ndêj gati,
Edhè m’« hutë », po sokolesha
Mu në parzme shkjaut i a njiti,
M’rragam dekun edhe e qiti.
At herë shkjét Tringen kan vrá.
Nuk ké, Zânë, pra pse me kjá;
Se, manà, bija e malcores
Ká qindrue si t’gjith fisniket:
Per të gjallë nuk u dá vllaut,
Gjallë në dorë nuk i rá shkjaut;
Edhè vedin ká pague
Si mâ i miri burrë n’Malcí;
S’ ká korritë as t’ parë as t’ mbramë:
Shqyptarís i a la ajo nám!
Ká me dalë kanga dikúr,
E kahdo qi shqypja t’ flitet
—Kjo e mashkulla giûhë hyjnísh—
Ká me u kndue nder burra t’ dheut
Per shka bâni e bija e botës
Tringe Ùlja e Ùlë Keqotës,
Kur pat krisë lufta n’ Nokshiq;
E dér rrezja shekllit t’ endet,
Êmni i Tringës larg do t’ permendet!
Shka i ká thânë, vall, Zana e Madhe:
T’ paçim, Orë, sa gjith kto male!
Morì e mbrûmja me voesë qiellit,
Morì, e njeshmja me gjeth lilit,
Mirë shartue me rreze t’ diellit:
Qi m’ a ké sŷnin si hýll,
Qi m’ a çilë e qi m’ a mbyllë
Si ajo hâna neper pyllë:
Se mue shpirtin m’ a freskove,
Se mue zêmren m’ a balçmove
Me kto fjalë, moj, t’ u ngjatët jeta!
Moj pinjolla, vetull-holla.
Se, manà, tash kurrnji grimë
Un per Tringen s’ po kam dhimë;
Ke ajo, lule në ket jetë,
Lule paska shkue n’ at jetë,
Edhè faqe t’ bardhë Malcís
Lânë i paska, e ‘i nám Shqypnís.
Animâ, moj Bujareshë,
Tash ti Tringen me m’ a veshë,
Me m’a veshë e me m’a njeshë,
Me m’a bâ gati per dhé;
Se, manà, zêmra s’po m’bân.
M’i a veshë un pajen e dekës.
E kam dashtë, moj Ora e Madhe,
Si driten e sŷvet t’mí!
Sá mirë Ora veshë e ká!
Sa e mirë Tringa atŷ m’ká dá!
Zana e Madhe se ç’ká kjá!
Edhè ulkojat, manà t’Zotit,
Rrijn e e kqyrin si per máll.
Mbasì veshë e ká e stolisë,
Si ato virgjnat e Malcís,
« Ndjesen » arit m’varg florinit
M’fyt i a njet e Bukra e dheut.
T’dyja duert mandej mbí zêmer,
Njanen m’tjetren kryq, vendue
I a ká e Mira, e me i parë rruza,
Rreth per rreth tue u ardhë, i a lidhë:
Si Shqyptarve t’dŷ mij vjetvet
Doke lânë u a kan të Parët.
Nderkaq Zana Shtatzarana,
Me at Shtrumoren e Vathnoren,
Vorrin n’lila e drandofille
E kan shtrue. Si e bâne gati
Me e shtî n’dhé, kjo Zana e Madhe
Po i bjen sypri, e puth e kjáj,
Dnes e fshâj e shkrifu n’váj,
Fryma s’mjeres n’fyt ka’ i zêhet.
Por si Ora e bardhë trojane
Me shum múnd e ká shkepë soje
E per zêmer pshtetë po e mbate,
Orë e Zana Tringen pezull
Para duersh e çuen, kaleças
Edhè m’vorr e shtrîjn mbí lule
Drandofille. Zana e vogel,
Njajo Dardhamoskadele,
Tue dënesë, qyqja, e tue u lvyrë,
Shkon e merr zogun e veres
Dhimet dekë nen shkam rá i vocrri,
E e shtje n’vorr me Tringen bashkë:
Qi per s’gjalli aq fort, e mjera,
Dashtë m’i kishte zogjt e veres!
Atŷ, Syne, Lore, Loshe,
Mine, Mile, Mele, Groshe
Kapin rrasen prej mermerit
E e vendojn mbí llastra gurit
Mbrenda vorrit rreth per anë
Thikë ngujuemun. N’shêj t’Orës s’Madhe
Shpejt dŷ ulkojat i a kan hî
Mbí vorr dhén me shâmë m’capokë,
Qi edhè e bâne, rrash me tokë,
Ato vetë tue kjá, po, bishat.
Edhè qe se, sypri vorrit
At herë dheu pre’ ulkojash lshue,
Vjen e veshet vedit n’lule,
Lule t’bardha, t’bardha, t’bardha,
Mos me i prishë as zhegu as mardha.
Ora e Madhe e bjeshkës s’Trojanit
Kur qe urdhnon ato sŷgrizhat
Motra t’veta: Bjeshkë e Borë,
Thrake, Dake, Vace, Grace,
Lali, Lice, Like, Dike
E sa jeni Motra t’mija,
Shpejt n’Trojan ju tash me m’shkue
E me shkulë blinin e mrizit.
Kû mrizojn gjâja e Muç Hasit,
Edhè ktu ju me na prû
E t’a ngulni m’krye të vorrit
Le t’na i bâjë Tringës hije veres.
Sa shpejt Orët janë nisë e shkue,
Sa me t’shpejtë ato janë kthye:
Sa veton dý herë me sŷ!
Edhè e prûn blinin e mrizit;
E me ‘i t’mshâme Shtozovallet
E kan ngulë tre pash në dhé.
Se sa i madh-o blini ishte,
Sa të madhe hije kishte:
Me mrizue nja treqind dele!
Kthelltë prej breshtet nji zog vere
Vjen flutrim e zên mbí blî,
Kû, me ‘i zà, si tue vajtue,
I a ká hí me vallëzue
Dhimet n’zêmer me t’pikllue.
Zana e Madhe, lott per faqe,
Merr e i thotë ksajë Orës s’Trojanit:
Faqebardhë, Orë e Trojanit,
Faqebardha Motra t’saja,
Qi m’u gjetë n’ket ditë t’shemtueme;
Se, manà, kan kènë kah m’losin
Dhimet t’zemers mendt e krés!
Veç ndigjoni, oj Orë e Zana,
Se me zanë due bét e mdhana:
Pasha rrezet qi lshon hana!
Pasha voesen mbí ledina!
Pasha brej, aha e çetina!
E per mriza e qepariza!
E per gurra neper curra!
E per lila e per bylbyla!
Pasha t’rijt e pasha veren!
Mos e pritsha kurr prendveren!
E as mâ Zanë mos m’thaçin mue,
Se un dér neser, pa marrë dielli,
S’e là Tringen pa e pague!
Do t’i marr, po, treqind krena;
Treqind shkjé rob kam me i zanun:
Trí mij çika e nuse t’reja:
Po, trí mij, moj, pasha Zotin!
Trí mij çika e nuse t’reja
Para kohës kam me i lânë t’veja.
Me kjá ato, po, si gjith qyqet
Nper kasolla t’Karadakut,
Si ato bubat pshtjellë në zí.
Se as e mjera kjo Shqypní
Kurr tue pá s’âsht dritë me sŷ,
Ke ksajë Shkjau, ndêjë orrl mbí krye,
Kurr të keqen s’m’i a ká dá:
Vidh, robit, plaçkit, bje pré;
Këtu luej gúr e kufî,
Atje vrà bulq e barí,
Veç pse bâjn hije mbí dhé!
Sod mâ teper vraja çikat,
Nderës e jetës kah zot me i dalun
Duen fisniket! Mlidhu çetë,
Dyndu ushtrí, ngref pushkë e top,
Edhè dil e bje n’Shqypní,
Si me rá n’tokë t’Parvet t’vet:
Thue se i Lumi Perendí
Per Shqyptarë Shqypnín s’e fali,
Por per Shkjá. Medjè, mâ teper
Krajl e Mbret n’ kuvend bashkue
N’ at Berlin: jo per t’ drejtue
A per t’ sjellë ndo’i punë per s’mari,
Se kta t’ maren kû m’ a kan?!
Kta, qi, shpirtin jahudí,
Zêmren, pus, rrênen kanû,
Besë e fé qitun mbas shpinet,
S’ kqyrin erz, s’ kqyrin drejtsí:
E qi n’ luftë qesin me u grî,
Ndermjet vedi djelmt e rí
P’r ‘i top basme per dimí!
Por se i cilli me ngopë barkun
Sa mâ ding me gjâ t’ mâ t’ ligshtit:
Si atà derrat n’ kallamoq:
E rri e haju shoq me shoq,
Si ato kurvat n’ punë kopilash,
Veç per t’hypë sho’it kaliboç
Edhè shpirtin ktij m’ i a xjerrun
Per gazep, po: dorë i dhankan
—He atà Zoti m’ i marroftë!—
Knjaz Nikollës me hî n’ Shqypní,
Dér kû dán vendi me Drî:
Dér m’ kështjell të Rozafatit
N’ at mollë Shkodre, m’ krye t’ Shqypnís.
Por nuk hîn, moj êmni i Zotit!
Dér t’ jét gjallë nji nip Kastrjotit;
Pse Shqyptarët as sod as motit
Sa me dhûnë, s’ ká mûjtë me i shtrue
Kurr i huej. Po, Mali i Zí
Para hupë— e hupët!—se Knjazit
I bjen n’dorë Shkodra mizore.
Un, po, vetë, un do t’u a kalli
N’ zêmer burrave t’ Malcís
T’ hershmen flakë të trimënís
T’ besës shqyptare e të burrnís;
E s’lâ kurr e per ket jetë,
Pasha tokë e pasha dét!
Fjalen Krajlave pa u a thye:
Per pa e thye, per pa e poshtnue,
Edhè Tringen pa e pague!
Të lumët goja, eh sokoleshë,
Merr e i thotë Ora trojane;
Se edhè mue me vedi m’ké
Me sa Motra kam mbas vedi.
Edhè t’ Mirat çue flaurí,
Kan rrahë flatrat nper ajrí
E sa bredhë aj jehi i zanit,
I a kan behë mbí bjeshkë t’ Trojanit.
Zana e Madhe, at herë, rrfé
Âsht lshue ajrit tue flutrue,
Edhè behë ká m’ Kapë të Brojës.
Kur ká behë n’at Kapë të Brojës
Se ç’piskatë ká ajo të madhe!
Kan ushtue bjeshkë edhè male,
Kan shungllue fushë edhè zalle.
E kan ndie burrat e dheut:
Atà Lekët e Malcís s’ Madhe,
Qi aq zanát luften m’a kinin:
E kan ndie, mirë janë kujtue,
Se n’ Nokshiq ushtrija e jonë
Ajo ngusht po ká qillue;
Edhè trimat m’ kamë janë çue,
Kan njeshë armët, mirë janë shterngue,
E t’kan marrë malin perpjetë:
Po flutrojn, thue ti, me fletë!
Mandej dalë ká m’Bigë të Shalës.
Kur ká dalë m’at Bigë të Shalës,
Sa të madhe atŷ piskati!
Ká shungllue marë Dukagjini.
E kan ndie burrat e dheut,
Shalë e Shosh, Shllak e Temal,
Me Mertúr, Gjâj e Dushman,
Qi aq të fortë besen m’a kan:
E kan ndie, mirë janë kujtue,
Se n’Nokshiq ushtrija e jonë
Ajo ngusht po ká qillue,
Edhè trimat m’kamë janë çue,
Kan njeshë armët, mirë janë shterngue,
Malit thik na janë fillue,
Si lavë uqsh nper plajm e borë:
M’sŷ kapuçat, «hutat» n’dorë.
Edhè del m’at Qafë të Diellit.
Kur ká dalë m’at Qafë të Diellit,
Se të madhe atŷ ç’piskati!
Bjeshkë e vrrî se ç’kan ushtue,
Ç’kan ushtue ç’kan shungullue!
E kan ndie Pejë e Gjakovë,
E kan ndie Rekë e Rrogovë:
E kan ndie, mirë janë kujtue,
Se n’Nokshiq ushtrija e jonë
Ngusht ajo po ká qillue;
E t’kan msŷ Rekë e Rrogovë
E t’kan rrâ Pejë e Gjakovë
T’kan rrâ trimat m’armë shterngue,
Sŷnin gacë, zêmren agzot:
Lum per Tý, o i Lumi Zot!
Kund pa u ndalë, kund pa pushue:
Thue se krushq po janë tue shkue,
Per t’marrë nuse nen duvak,
Jo mâ krenash me u krekcue
Ballë per ballë me Karadak!
Kur, qe, nisë era me frŷ,
Zbardhë âsht deti prej tallazit,
Sa shpejt qiellin po e zîn rêja;
Prej Rumije zê e veton,
Kah Cetina po gjimon.
Shum do t’ zâjë shiu e shtergata
Shum do t’ lshojë, tham, sheu e brraka.
Si mjerë kush të jét ngushtue,
Neser kâmë ujë me kalue;
Se, manà, fort un po drue,
Se s’do t’mûjë aj me kalue!
Gjergj Fishta