Kangë e njizetepêstë
Fort gjimue kan bjeshkë e male,
Fort shungllue kan prroje e zalle,
Prroje e zalle edhè livadhe,
Kur piskatë ká Zana e Madhe,
Zana e Madhe e Vizitorit:
Ushtoi bjeshka e Durmitorit!
Larg piskamen paska ndie
Ora thepe e Malit t’ Zí,
N’ Durmitor qi m’ a ká, shkina,
Bigen nalt mbrendë nder do stiena,
Tanë lëmashk, tanë lerë e rrgallë:
Kû bîjtë hala m’ shkam të gjallë,
Hellë, ngallitë, thue po do qiellen
Me pershkuem, e mbí të cillen
Çilë sŷzhgjeta shqype zogat,
Ku edhè sutat kerkojn llogat,
E as Shnaprendjet s’ dêhet bora.
Piskamen ká ndie, po, Ora
N’ Durmitor, edhè sa ndora
N’ tingell zânin njoftë e ká:
Njoftë e ká, mirë m’ tê i ká rá,
Se Sŷgrizha e Vizitorit,
Si njaj plajmi n’ muej t’ Brymorit,
Po i bijte ajo rrfé Shqypnís,
Per t’ grishë burrat e Malcís,
Me i rrâ nihmë ushtrís shqyptarê
N’ at Nokshiq : ku tash batare
Pushkë e top po rri tue vlue,
Gjylja e plumja tue vringllue,
Porsì breshni me murrâ.
Edhè kqyr at herë ç’ká bâ
Njekjo Ora malazeze,
Vetullreptë e ftyrkermeze,
Njanit sŷ si e vangtë, po, shtriga;
Por e fortë e idhtë si shlliga,
E e pabesë, gjithmonë belá,
Kurrkund halli mos m’i u pá,
Kur po bâte mendsh ndojhera
Me u trenue: t’u hodh si fjera
Porsa atŷ vigmen ká ndie
E kallë zêmëret me mní,
T’âsht lshue fluturim n’p’r ajrí
Kah Nokshiqi, drejt njâj mâje,
Shpatit s’cilles, staje-staje
Derdhë nper çufra e ndêtë mbas lakut,
Forca e urdivet t’Karadakut
Urdhnin pritte t’Mark Milanit,
Me u flakruem trimat rrfé
M’llogje t’grisuna t’mejdanit
E me u vrá atà dhè me u pré
Me Shqyptarë, e n’gjak me u lá:
Si gjithmonë Shqyptár e Shkjá
Janë lá n’gjak, q’se fati i zí
Flakë e agzot vûni per brî:
Vû per brî Shqypní e Mal t’Zí!
Manà, pra edhè fort dinake
Njekjo Ora karadake
Qi: kah m’dron se nalt nen rê
Me pasë ajrit fletët me i ndê,
Do t’a shiftë vetullholla
Zana e Madhe, rritë nder molla:
E se m’shpinë kjo do t’i shtrîhej,
Edhè me tê rrebtë do t’ grîhej,
Kudo ajo flutrim t’a ndeshte:
Jo nalt ajrit sypri kreshte
Malesh flatrat valvitë, shkina;
Por nper gryka e nper lugina
T’ grisuna, tanë karma e sfina
T’ Malit t’ Zí, tue fluturue
Plantë mbí lerë, rrgallë e prrue,
Urë per tokë rrashit tue shkue:
Si ‘i çapthîme dalë me gjue
Peshk n’liqê, n’ndo ‘i glinë a hurdhë:
Tinzë kalon e disì shurdhë,
Dér qi kapë â ajo dikúr
Mbí Nokshiq, ku per terthuer
Shpatit tej, si rê zhgjetuese,
Isht’ perhapë ushtria sulmuese e
Malit t’ Zí; e Mark Milani
Ku, zatetë mâje ‘i carani:
Si nji shqype e murrtë: n’ turbí
Kqyrte, trimi, si i’n tue u grî
Poshtë n’ Nokshiq Shqyptarë e Shkjé,
Me shosho’in krenash t’ u pré,
Thue ti, po krasisin landë.
Ora, at herë, hijen e randë
Marrë të Petar Njegosh: motit
N’ at Cetinë, n’ at falme agzotit,
Kênë Vlladikë, mjekrren dŷ pllamë,
E qi larg edhè n’ditë t’sotit
Aj permendet rrokullís
Per njat « Rezen e Malcís »:
Kangë hynere, kangë me nám,
Shkrue me lot e thkndiell barotit :
Edhé avitë âsht Mark Milanit,
Kû po 'i flet me 'i fije zanit:
Ndigio, Mark! Porsì stuhija
T’a ká msŷ, manà, Malcija,
E fort drue, se tý Shqyptarët,
T’idhtë si helmi, kan me t’çartë
Sa, qi s’dij a pshton me krye;
Edhè ushtrín kan me t’a thye,
Po nuk luejte ti per s’gjalli.
Ushtue ká, po, bjeshka e zalli,
Kan shunglluem rrgallë e lerë
Në kushtrim, qi âsht lshue kaherë
Malcís s’Madhe e Dukagjinit,
M’Qafë të Diellit n’Breg të Drinit,
N’Pejë, n’Gjakovë, Rekë e Rogovë:
Gjithkû â lulja e trimënís:
Shka â m’shtatë vjet e m’shtatdhetë vjet,
N’nihmë n’Nokshiq me i vojtë ushtrís.
E t’kan rrâ Shqyptarët n’at zâ
Plak, i rí e kalamâ,
Kush n’xhurdî e kush në gunë,
Porsì miza nper kercunë;
E dér mbrama, pa marrë dielli,
Tham, ktû t’a kan befë nji filli.
Shka pret mâ prandej nuk ké,
M’Shqyptarë por sulmò ti rrfè,
Me sá ushtrí të keshë mbas veti,
Sa enè ktyne s’u prispjeti
Nihma e pritun. Kshtû tha Ora,
Edhè âsht zhdukë atŷ sa ndora.
«Braf» i a bâni Marku m’kamë:
Lesht e krés ngrefun nji pllamë,
Porsì kreshtë derrit bugár,
E vetllat ngerthye kulár:
M’kamë, sokola, t’Karadakut!
Ká bulrue me 'i zâ tarakut;
Perse ju: po n’patët qillue
P’r’imend bijt e t’Parvet t’ue,
Qi s’kan bartë kurr zgiedhë të huej,
Pagë e t’dhetta s’kan lá kujë;
Kurdoherë qi edhè n’fjalë t’Knjazit
Janë hjedhë n’zjarm e n’shkulm t’tallazit:
Ju, po, djelm tash fulikare
Me sulmue m’ushtrí shqyptare,
E dér mbrama pá marrë dilli,
Me m’a thye, e rob me zanë
Shka t’pshtojë gjallë: edhè nji filli
Ju mandej neser me ngranë,
N’saje t’t’Lumit Perendí,
Cilen n’Plavë, dreken n’Gusí:
Zamren n’Hot e darken n’Shkoder,
Mu n’Kalá të Rozafatit,
Perbindsh mndere ngrefë m’at koder;
Pse, shka merr Drinit per s’t’gjatit,
M’Shkam të Pejës e kû rreh deti,
Atà né, me gisht e leter,
Na e kan falë Krajlat e Mbreti.
Prandej sod nuk ká zot tjeter
Kjo Shqypní këtu e dér m’Drî,
Per posë Knjazit t’Malit t’Zí:
Knjaz Nikollës rriti, Zot, jeten!
Qi na e duen Krajla edhè Mbreten.
Per bukë të thatë jue cullt e grueja
Sod te shpija u rrín tue u ankue:
Qe Shqypnija; âsht tokë e jueja,
Mjaft qi t’doni me e pushtue.
M’têni, burra, e mos e lshoni!
Token t’uej sod t’a pushtoni!
Grát e fmijn zijet shpëtoni!
Kshtu tha Marku. Bjen bujrija,
Trokllon lodra e rreh trompeta;
Mirë shtergohet m’armë ushtrija,
Dá n’taborre e çeta-çeta.
Prîjn Vojvodë e Kerkserdarë,
Krah-e-qafë kta pallat qorde,
Qi, kercnueshim ardhë kulár,
Ís u vjeken si bollshorde.
Vendojn majesh Kapitanat
Ktej henikë, andej gopedra;
Ngrefin shpatit t’randë havanat
Perhapë grykash si kulshedra.
Mark Milani ká hypë atit:
Nji kál gjog sa voeja kryet,
Parzmen mal e qefull shtatit,
Vithet drejt, bishtin ngerthyet.
Edhè at herë: po, me at zhumhúr
Qi bâjn currat, shkepë s’perpjeti,
Rrgalles hov kah lshohen, kúr
Termegshim t’a trandë termeti
Token: turr urdija e Knjazit
Mbí Nokshiq ká msŷ s’termali.
E si skllafat e tallazit
Dyndë, kah s’epëri ‘i kep mali
Kulihum brishti m’ pellg t’ detit,
Shkumet bardh e lshue kurrnî,
Gallamarde kthelltë bunjetit
Bregut të njelmtë tue kaperdî,
Zhbîjn, rroposin shka t’ gjêjn para,
Tbana, gjind e gjâ të gjallë:
Njekshtû Shkjau—he atij i hupët fara!
U rras n’ luftë nper mal e záll.
Porsì zjarm kur t’ marre shpija,
Fjollë nper hatlla tymi s’ pari
Deperton: e nper frangija,
Nper balkoj, si giûhë ndezë zhari,
Ferfllon flaka: por kur t’ shâmet
Mbrendë pullazi, nalt n’p’r ajrí
Flaka rrmen, e si hjedhë lâmet
Shkrepin shkndijat: shkulm i zí
Dyndet tymi nalt si rêja,
Ndersa mbrendë n’ at furrë gelqeret
Gurt pelsasin porsî kshtêja,
Shamen ledhet, sa qi mnderet
Jeta krejt me t’ u trishtue:
Gjindja edhè kah thrrasin, vrrasin,
Vrap shko e eja, kush per t’ shue
Zjárr, tjerët çaklat mos t’ humasin:
Kshtû e pergjakshme lufta at hera
Erdh tue u ndezë, e t’ krisi brima,
T’ u dha vigma edhè potera,
Kah urdija e Mark Milanit
Sulmin lshoi m’ ushtrí shqyptare
N’ flakë të pushkës, n’ vetimë t’ taganit,
Topàt tue gjimue batare.
Amanèt, ti ‘or Llesh Nikë Daka:
Qi aq të madhe m’bâne ‘i bé
N’urë t’Sutjeskes mbí ato brraka,
Se nandë krena do t’m’kish’ pré,
Do t’m’kish marrë nandë krena m’Shkjá:
Q’se ké lé e dalë n’ket jetë,
Mâ ngusht vedin a e ké pá?
Alush Smajli po e pëvetë.
Hajt, Alush, Lleshi po i thotë;
Se ‘i Shqyptár, zêmer çeliku,
Aj veç ngusht bjen mbí ket botë,
Pa bukë n’shpí kur t’a gjêjë miku:
Kur t’a ketë, po gruen divane,
Shpín n’rrugë t’madhe, dre’in kojshí,
Oren fjetë, pushken jallane,
«Dorë të keqe» mbrendë në shpí;
Se, per n’luftë, manati i Zotit,
Porsì n’darsme e kujton vetin:
Mirë ushtue në flakë t’barotit
S’t’dron t’shtatë Krajlat, nuk t’dron Mbretin,
Jo mâ Knjazin. Na s’kem’ dalë
Ktû me vjedhë as me plaçkitun;
Shkjaut por hovin me i a ndalë,
Vendit t’onë larg tue e turitun.
Edhè grêthat n’at birucë
Ki’n me msŷ si ‘i kalamâ
Si nji qind, n’shkuen kta me i ngucë:
T’lshojë prá Shkjau kaq edhè mâ:
Sa gjithkû âsht aj burrë e grue:
Se Shqypnín na nuk i a lshojm.
Vetë Moskovi m’kamë me u çue,
«Kapicë» m’krye nuk petullojm!
Llesh Nikë Daka, pelivani,
Burrë i urtë e flet arsye;
Paj n’ sa lot vendit carani,
N’ pellg të detit div shperthye,
Kur, dyndë mal, vala shkumuese
M’ tê t’ plandoset fulikare,
Me fuqí të rrebtë, dermuese:
Aq t’ ká luejtë ushtrija shqyptare
M’ sulm t’ urdivet t’ Malit t’ Zí.
Veç t’ âsht ndezë, po, vendi flakë,
Veç t’ ká ndêjë pushka tue zí,
Gjaku i nierit rremej brrakë,
U dridh toka per nen kamë,
Kah janë ndeshë Shqyptarë e Shkjé:
Kryet e tyne thue po âsht shtamë,
Per gjith treg me dalë me u blé!
Ç’ t’ janë bâ lamsh, po, neper plan,
Tue i a dhânë m’ «hutë» e m’ «novicë»,
Tue i a dhânë mndershim m’ tagan
Kush në ksulë e kush n’ «kapicë:»
Njani rueju, tjetri mtrueju,
Kush lshou vrap, kush ndiq per hap,
Aj perpjetë e ky tatpjetë,
Atà shaju këta çaju,
Këtej vritu pertej pritu:
Pritu, vritu idhshim nzitu,
Brit, gerthit e mbush e qit,
Koder m’ koder shoqit thrrit:
Thrrit, vërrit «ah-ha-ha-há,»
Si atà mazat fushës tue ngá:
Dnes t’ varruemt, gjimo t’ gjymtuemt,
Turru, gurru, matu, shmatu,
Duku, thuku, struku, zhduku,
Aj pa vesh e ky pa fregull,
Neper karpa, cunga e bunga
N’ plûhen pshtjellë e n’ tym, qi njegull
Ndêhet ajrit shllunga-shllunga.
T’ dridhet kmisha m’ shtat, taganat,
Kah vezllojn ajrit per mndérë;
Idhtë kur vrrasin Kapitanat,
Thue lavë uqsh po ulron n’ Peshtér.
Fort perlyken si taroça,
Bajraktarët e Krenët shqyptarë!
Plasun gjylet plloça-plloça,
Lerës vringllon e nper laskár;
E kaq brima e bumbullima,
I âsht dhânë vendit per terthuer,
Kaq vërrima e shungullima,
E batarja me zhumhúr,
Sá qi topat n’ mes t’ poteres
Disì shurdhë e thatë gersasin:
Si atà gurt në furrë t’ gelqeres
Vapet t’ zjarmit kah pelsasin.
Proh ti o Zot, por ç’ t’ janë merthye
Dikû atje nalt mbi Nokshiq
Ç’ t’ janë merthye, ç’ t’ janë kaperthye
Hot e Grudë e Vasoviq!
Të dý palët, po, trima n’ zâ,
Ka trí zêmra atà nen parsem:
Mâ se ‘i nanë, tham, ká me fshâ,
Mâ se ‘i çikë me u plakë pa darsem,
Edhè nusja pshtjellë në zí;
Kaq âsht dhânë atŷ piskama,
Kaq shum nigu âsht nçue n’p’r ajrí,
E nper nig flaka e rropama!
Qaj Çun Mula vrret per çudë,
Shallin dredhë, taganin në dorë:
Bini, Hot! e bini, Grudë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Idhtë ç’t’ â lshue Hoti si fjera,
Ç’t’ âsht shpervjelë Gruda m’tagan!
Vasoviqt ç’i mloi potera,
Fort gjimuen top e havan!
Nziten, njiten, kacafiten,
Keq dermishen, idhtë shkelvishen,
Lshohen, vriten, dbohen, priten,
Desin, mesin, prishen, çprishen
Gjithkû ndollë ká pika e djalit
Nder Shqyptarë edhè nder Shkjé,
Me i u dhimët lisave t’malit,
Me i u dhimët gjarpnit nen dhé.
Lul Rapuka, ‘i arí shkorreti:
Nji kasap m’âsht bâ mbí Shkjá!
Kah po siell Baca Lucë Deti,
Ç’po bân shkinat n’mal me kjá!
Por kur lshon Nikë Gjelosh Luli,
Trim me bré hekur me dhâmë,
Qafen trup, llanen sa shuli,
Dridhet toka per nen kâmë.
Fort turfllon Gjeto Mark Ujka,
Kaq me idhnim qi trimi jep:
N’sulme t’Shkjaut vendit s’po luejka,
Me sa lot vendit nji krep!
Alush Smajli, i Hotit t’Kûjit,
Mbí Shkjá m’âsht çue sod lugat
Siell m’tagan sa kû âsht tue muejtë,
Si po t’xierte hûj nper shpat.
Lulash Nika, n’ krye t’ gajushit,
Gjithmonë Pashkë, gjithmonë Bajram,
Po i bân zâ Islam Makalushit:
Hajde, hajde, morè Islam.
Se so’ ‘i javë, po, n’ saje t’ Zotit
N’ at Cetinë kemi me hì,
Me qitë rrojme e, si n’ Tuz motit,
Prap me u toçë na me rakí:
Edhè Lùlashi si zhgjeta
Po merr turr e bjen mbí Shkjá:
Lshon Islami neper çeta,
N’ dorë tagani tue i shkelqá:
Maça Grishi, nji kulsheder,
Ç’ po m’ i lshohet m’ shpinë « Milloshit! »
Nuk ká top, nuk ká gopeder,
Q’ i a ndalë hovin Lucë Gjeloshit.
Burrë i fortë Osman Haxhija,
Vojevodë n’ Bajrak t’ Nokshiqit:
Me do sŷ porsì duhija,
Musteqet si shllungë ogiqit:
Fort po rri trimi tue u zdatë,
Me ata Cucajt t’ Karadakut,
Qi me pushkë, tagan e shpatë,
T’ madh zijan apin Bajrakut.
M’ i nihmon Sadri Mehmeti,
Bajraktari i fortë i Gashit,
Me Adem Çelen djalë mbas veti,
Qi m’ bjen m’ Shkjá si m’ inish të dashit.
Jakup Feri, ‘i zog skyferit,
Lshon me Plavë e me Gusí,
Shkulm si lshon çutrri Peshterit
Mbas nji shiu rá me stuhí.
Shkà ká thânë, vall Bec Patani,
Ardhun shtatit «xhevardare:»
Pa ndigjo, ‘or Rushman Hasani:
Se kta Zubcit — dalshin fare!
Per Tynzonë, po e çarsin Shkrelin,
Ke per plume dert s’ po kan
E askund kamen nuk po e ngelin:
A t’ i msŷjm, Rusho, m’ tagan?
M’ kamë Rushmani çohet filli,
Si lugat dalun prej vorrit,
Rrfé taganin xier prej milli
E nper reshpe të Çakorrit:
Si ajo rêja e nji thellimit,
Qi u bjen qiellve tue vetue:
M’ Shkjá turr lshohet trimi i trimit,
N’ dorë tagani tue vezllue
N’ p’r ato rreshpe e n’ p’r ato rrmore:
Shum qyqja do t’ kndojë n’ Mal t’ Zí!
Per mbas tij Shkrel e Zagore,
N’ zâ per pushkë e dejlekí
Me atà Ducajt, Xhâj e Bzhetë,
T’ kan msŷ Zubcit fyt-a-fyt.
Dy Patâjt, shqype me fletë,
Çuli e Beci, zhyt-e-mbyt,
Se ç’ po i furen Shkjaut n’ aradhe,
Idhtë m’ tagan kta tue i a dhânë.
Gjeto Staka, hidra e madhe,
Dhânun vezmeve m’ nja’n anë:
Sì turfllon rosa n’ shirok,
Tue rrahë flatrat neper Drî:
Po lshon trimi trok më trok,
Per me u pré me Mal të Zí.
Marash Vata, ‘i drang drangonit,
Shkon e vjen porsì duhija;
Nuk han bukë mâ as s’pin ujë kronit,
Kushdo bje nder kthetra t’tija.
Por Çakorri ndezë t’â zhari,
Mirë shpervjelë tash qi m’tagan
Msŷn Dodë Prêçi, Bajraktari,
Me Kastrat e Petrushan.
Kallzit grunit ktej e andej
Si lakohen, kur nper arë
Vrap t’hikë derri, qi pertej
T’a ketë gjuejtë nji pushkatár:
Frota e Shkjevet kshtû lakohet,
Kah Dodë Prêçi n’mes po u furet,
Gjeto Daka m’ta kah lshohet,
Kah m’tagan Voc Keqi puret:
E msŷjn, breshen me shtergata,
Vatë Ivani, derë bujare,
Mark Ujkë Vata e Prêlë Ujkë Vata,
Si dŷ plume n’ «xheverdare».
Veç kur rrân aj Marash Gjeka,
Me at Smajl Mal’n e Buzes s’Ujit,
Thue nper Shkjá po kalon Deka,
M’kosë t’i a dhânë sa â ajo tue mûjtë.
Vall, Kelmendi pse, thue, prâni
Pushken tash e mâ s’po qet:
Tash qi msŷ ká Mark Milani,
Me sá urdi ká n’súnd të vet?
A mos lshoi pritat e hiku
Shì tash, qi m’ushtrí shqyptare
Mâ kobshim randon rreziku,
Pushkë e top kah rreh batare?
S’âsht, jo, fis, qi hikë Kelmendi:
Se sa herë qi e qiti rendi,
Si ajo e lashta këndon shkrola,
Me luftue me Turk a Shkjá,
Nder t’shtatë Krajlat nám la vetit:
Bâni shkinat idhtë me kjá,
Trazim t’madh i qiti Mbretit;
Veç nji shkjá, Vuksa’ Lekë Drava:
Beter burrë, i madh sa ‘i trap,
Me do krye tanë rava rava
Varrësh s’tagani, edhè ‘i zdap
I gjatë, m’trá me i prekë, po, kryet,
Me ‘i mullâ, sa ‘i grusht, m’nja’n faqe,
Vetllat shllungë, me i zânë t’dy sŷt:
Pré n’terzí dollamë e gaqe,
Si mâ i miri n’Karadak:
Rubë të bardhë çue shêj per ndore;
N’grusht taganin lá me gjak,
M’krah «novicen» vjerrë mizore,
Del m’nji pod e u thotë Kelmendit:
Ju, Kelmend, me shka flet bota
Po ishì t’pushkës edhè t’kuvendit:
Plot kotecat, shekat t’plota:
A mos bâ ká nana ‘i djalë
N’Bajrak t’uej, djalë trim rrfé,
Qi mue ktu n’mejdan me m’dalë
E m’tagan burras me u pré?
Mê ká pushka. T’flakron m’kâmë
Qaj Prêlë Mema: sa per sŷ
Mos me pasë shka e thrret per n’lâmë,
As per krushk, as n’luftë me msŷ,
Aq i hajm e çufrrak shtatit
Ardhë, e i thát si cung në záll:
Thue ti, po, aj farë malukatit
Shkjaut po e han nja dŷ herë gjallë.
Por ndollë Prêla m’ká ‘i farë derrit,
Me trí zêmra e trim si Zana,
Mos me i hikë belás as sherrit,
Edhè i shkarthë porsì zarana:
Ky i del para shkjaut n’dervend.
Vuksa’ Leka fort ká qeshë:
Páshi Zotin, ‘or Kelmend,
Pse m’a qitët para ket teshë?
A mos doni m’e vendue
Me mue n’rrogë, per t’m’ruejtë do lopë
N’Palabardhaj?.. Mjaft po drue
Se m’i darë, orë-ligu, n’shkjopë…
Perrçik burrë ky permbí dhé,
Pásha Sh’Pjetrin e Cetinës,
S’âsht i zoti as me m’a bré,
N’gojë m’i a shtî gishtin e shllinës!
Shka ká thânë Prelë Mema i Vukel;
Ngul! Vuksan; pse ‘i tash si brâsh
T’a kam hjedhë tŷ kryet nper çukel.
Edhè Prêla, permledhë lâsh,
T’flakron m’Shkjá atŷ, e m’herë të parë
Kryet e tij sa nji «karricë»
Tue e kundrue rreth Shkjé e Shqyptarë
I a hjedhë m’tokë me gjith «kapicë».
Si nji rrap i haptë me gêma,
Shkjau plandoset sa gjanë gjatë,
Tue i shkue gjaku rrêma rrêma,
Shalë e krahë aj tue luhatë.
Zên Prêlë Mema n’shpotë me i thânë:
Po a m’thue Vuko, or samadak,
Sa rrogë n’vjetë ti don me m’dhânë,
Me t’ruejtë lopët un n’Karadak?..
Ah! kadalë, moj Cerrnagore:
Se s’ké pá Shqyptarë me sŷ!
Se ktû i thonë Shqypní mizore,
Fort me t’lânë, besa, pa krye.
Se per dukë s’peshohet burri,
Veç per zêmer e trimní:
Se mbas hapit matet turri:
Fjala e lashtë duhet perdî.
Mark Milani kur ká pá
Vuksa’ Leken shyt per tokë,
Fort â idhnue, veç se s’ká kjá,
E t’ká britë, disì tue krrokë:
Bini, qêna, bre!.. Kû jini!
He domuza t’kqí… he zgieba!
Shka harû tash ju po rrini?!
Mtani! Pas vam nanu greba!
Po t’ketë nisë n’voter me u shue
Zjarmi, e buzmi ndê terthuer
T’rrijë tue çîzë e tym tue çue:
Zotishpís, zanë vend per urë
Voters, m’mâshna a m’ndo’i ûnë t’zezë
Turrshim buzmin shkundullitë
N’anë prej kah ky zû me u ndezë,
Tjera drû nen tê tue avitë:
Shkrepin shkndijat n’ajr flaurí
E pse m’prush, aj frŷn pa prâ,
Ferfllon flaka e me shpejtí
Ndezet zjarmi flakadâ:
Kshtû në vrrimë të Mark Milanit
T’u kallë lufta flakë n’ dervend,
Kah lshojn turr si uq prej planit
Palabardhajt mbí Kelmend.
Lum per Tý, o Zot i Lum,
Fort-i trim Vllaho Serdari!
Se ç’ ká msŷ hallakatrum
N’ çetë të vet gjithmonë mâ i pari!
Shungllon Qafa lak e m’ lak,
Si bisha kah turret Vllahi:
N’ dorë taganin sŷnin gjak,
T’ trashë mustakun porsá krahi.
Si dŷ rrfé, qi shkrepë njâjë rêje,
Pllojcë zhigasin hausit t’ qiellit,
Kshtû sulmue t’ kan t’thuer njâjë dêje,
Gjoka i Vasës e Kiku i Mhillit.
Kiku i Mhillit, derë jetike,
Burrë i pushkës edhè i taganit,
M’ ki’ pa’ ndollë me at çetë fisnike,
Qi, mbas Mirko Kapitanit,
N’ at Stolac, n’ Hercegovinë,
Vrau Smajl Agen e Çengiqit:
Ndersa ky, frymen qelbsinë,
Shpirtin lesh, si lkurë iriqit,
Kishte dalë me mledhë haraçin
Neper «rajë», e njânin m’ shkop
Rrah e mbyt: tjetrit kerbaçin
Njeshja ftyrës e varë m’ konop:
Shnjerzo çika e turpno nana,
Si e kndon kanga gjatë e gjatë.
Shka ká thânë vall, Tverrdko Stana:
Hallallë, nanë, e hallallë, tatë!
Se, manà, me ç’ m’ duket mue,
Vshtirë se kthej un mâ n’at dhé:
N’shtek të vshtirë po kam qillue:
Me ksi trimash kurr s’jam pré!
Udri, Tvrdko, Bog te ubijo!
Me nji zâ saká n’gabzherr,
Mbrapa i vret Vukotiq Mijo,
Kah lshon turrin nper nji djerr.
Rakiq Pera, me trí zêmra,
Po bjen n’luftë si nji kulsheder:
Se atij mrapa si merr thêmra,
Me e gjuejtë m’top, me e gjuejtë m’gopeder.
Se edhè Pavlo Vuçeniqi
Manà, m’kenka ‘i shpatë e gjallë!
Shum do krena Turqsh shperthiqi,
Kur me Turk lufta kje kallë.
Lshon Gjur Draga hallagrep,
Me do krye tanë gunga gunga:
Se m’tagan trimi ç’pò i ep,
Thue kund rrahit po siell m’cunga!
Qaj Turk Shabi thotë nji fjalë:
Nihmo, Krisht, e nihmo, Zojë,
Ç’po msŷn Shkjau suvalë suvalë,
Pushken n’dorë, taganin n’gojë.
Shka po ulron krés s’nji cabokut,
Si harusha n’at bjeshkë t’Krrabit?
Trimi i trimit Mashi i Cokut
Po i lshon zâ njatij Turk Shabit:
M’kamë, Turk Shabi, derr i derrit!
Se nám t’zí Shkjau m’né po bân!
S’na bân kryet mâ as sa ‘i krye berrit,
Po s’i a thyem hovin m’tagan.
Lshon Turk Shabi porsì fjera;
Msŷn Muç Hasi si duhija;
Kaq t’ âsht dhânë zhurma e potera
Edhè ushtue t’ ká Metohija,
Kah lshon turrin Mêmi i Smalit
Me at Prêlë Mirin krah per krah:
Gurgllon gjaku rrkajë poshtë malit,
Shakull gjindja bijn per rrah!
Ujë kovaçi pse taganit
Të Prêlë Mirit dhânë m’ i ki’te
Me helm t’ shlligës e tamth t’ luanit
« Fjalët » tue i thanë qi aj veç por dijte.
Paj ky Prêla, manà t’ Zotit,
N’ at mollë Shkodre nder Parí
Javë per javë, ç’ do javë t’ motmotit,
Ká ‘i krye Shkjaut çote dhantí.
Dedë Ivani: Raznajsh s’vendit,
Qi, në zâ per « gojë » e « gisht »,
Shkapercete vrap nji rendit
Tre kual rresht, lidhë bisht në bisht:
Turr ka’ â lshue trimi mbí Shkjá,
Ora thepe e Karadakut
Prej gazepit nisë me kjá,
Rrkajë volísh tue i shkue lot gjakut;
Mirë ke e diejte, manà, shkina,
Se kû hovin shperthen Deda,
Atŷ krenat nper ledina
Rrokullisen reda reda,
Qaj Gjokë Marku e qaj Djalë Miri
Sa herë sjellin me tagana,
N’ Karadak fiket ka’ i qiri,
N’ zí pështiellen njaq do nana.
Mashi i Cokut, sŷn sa kau,
Kurr merr turrin per me lshue,
Se ç’perpushet atŷ Shkjau,
Si ajo shlliga n’zjarm vallue.
Vigmet, krismet e poteret
Shungullon Qafa e Çakorrit,
Tmershim po gjimojn humneret,
Ushton bjeshka e Pernjavorit.
Kur, qe, s’epëri po lshohet
Nji taborr Bijocash s’rí:
Si làpuret poshtë hudhrohet
Rreshmja boret në malsí.
Trima t’çartun, hajna, cuba,
T’idhtë si helmi ruejte n’gastare:
Si atà skrapthat nper kaçuba:
N’luftë t’janë hjedhun fulikare.
Porsì kur në flakadâ
T’hjedhë bariu ‘i vandak dullîja,
Krepaton flaka pa prâ,
Shkrepin shkndijat mija mija:
Kshtû t’u ndez lufta atŷ zhari,
Kur tue lvitë e tue uluruem
Turr Bijòcasit pik s’pari
Msŷn m’Shqyptarë porsi t’terbuem.
Jo, po, besa, more probe,
Veç n’ardhsh vetë ti e t’shifsh me sŷ
E të ndiejsh me veshë; se, tobe!
Ne din gjûha me shperblye,
Sa me t’madhe nji uturimë
Janë perlám Shqyptár e Shkjá,
Tash qi, breshen me vetimë,
Bijócasit n’luftë kan rá.
Vrrimet t’kobshme, m’nja perzí
S’ fshamesh s’ mbetunvet shitue,
Edhè hajke, n’ brohorí
Qi bâjn trimat m’ luftë tue lshue,
Kthelltë, mjerueshim t’ tingllon veshi,
Tmeret të perqethët t’ bjen shtatit;
Trandet rrahi edhe bushnjeshi,
Topat kah gjimojn nalt shpatit.
Se kahdo qi sŷni t’ priret,
M’ mal a m’ fushë, a m’ shpat a m’ lak,
Ké per t’ pám, ofshé! si pliret
Anë e kand vendi në gjak.
Atje lshue Shqyptarët rrféé,
Si zanát luften qi e kan,
Vû t’ kan para nji çetë Shkjé,
Lehtë tue i ndjekun neper plan.
Trima Shkjét e mâ se guri
T’ fortë, kan dyndë kah Kumurasha,
Shqyptarët pritet, e nper zhuri
M’ shpinë po u lshohen si harusha.
Atŷ-ktû por mâ perkrjeti
Njanes lagje ke s’ po i del
Me thye tjetren ndermjet veti
Mberthye gjindja kacagjel:
Mbrapa kama kah s’ i rrshet
Kujë, veç ndiqen rreth e okolla,
Çeta çetës rreth po i permveshet,
Si kulaç qi mlidhet bolla:
A si vala e Drinit, kúr
T’ dêhet bora, shkulm tue rrmye
E bardh shkumet, me zhumhúr
M’ kama t’ urës t’ vîjë shul me u thye:
Gallamarde qi tue vlue,
Per rreth vedit rrëmèn gjiri,
Rozafati kthelltë tue ushtue,
Friget m’ kamë me ngujue nieri
Edhè kshtu tue u kacafitun
Shoq me shoq, e me tagana
Krahësh e krenash tue u krasitun,
Idhshem tue u shemtuem m’ shejshana,
Atà ndêjen, dér qi dita
Shtekut t’ vet në t’ sosun mrrî ni,
Edhè muzgu, si u muer drita,
T’ zezë pelhuren dheut i a shtrîni.
Prani pushka e topi lakut,
Shukë âsht zani, e ‘i eshtim vorrit
Dhén perlau; nper hurdha gjakut
Veç t’ varruemt terthuer Çakorrit
Atŷ-ktû tue lvitë rrshanë:
Si ato rrajzat n’ pleh: trishtueshim
Fshâjn, gjimojn, kush shpírt tue dhânë,
Kush per nihmë tue thirrë mjerueshim.
Nderkaq era edhe ká mê,
Qi kisht’ frŷ diten pa dá,
E merthye si isht’ qiella n’ rê,
Shiu me rrshekë i a nisë me rá.
Kúr qe nisë muzgut nper shí
Ushtrís s’ onë nihma me i ardhë,
Çeta çeta e vija e ví,
Si ato ulkojat neper mardhë.
Me ushtrí t’ vet lshue vrap Prêlë Tuli,
Prej Sutjesket i a prispjeti,
Kulmit t’ kreshtës trimi edhè dueli,
Per nen t’ cillen ndermjet veti
I’n grî at ditë, si tue qitë adra,
Hot e Grudë e Vasoviq:
Preu m’ tagana, thue janë badra,
Gjueju m’ plumbe, si m’ guriq.
Si ‘i kulsheder, nder Elbnishta
I a ká befë Malsija e Madhe;
Âsht kapë Reka te Kuqishta
Kokrra kokrra e arradhe arradhe.
Dukagjini, porsi rrfeja,
Ká kalue Qafen e Diellit;
Has e Nikaj kah Meteja
Me Mertúr i a mrrîjn nji fillit.
Si bjen breshni hova hova
E thán djersët e katundarit,
Kshtû t’ kan rá Shtrelci e Rrugova
Ka’ ajo Mokra e Shekullarit.
Rrâ Postrripa kah Gradina,
Zûni pritat per urë bregut;
Nguli Shllaku kah Marina,
Mveshë janë Gjâjt Majes s’ Lejlekut:
Zana e Madhe gjithsì e Mira
U ká prî nper at terrinë,
Kê ngujo nder shtiqe t’ vshtira,
Njanin m’ shpat, tjetrin m’ ledinë.
Edhè Shkjaut rrethin i a qiten
Anekand, si mbrendë nder dana,
E me t’ zì tue pritë i’n driten,
Per t’ a msŷ m’ pushkë e m’ tagana.
Vojtun sogjet rend mbas rendi,
Mark Milanit kan diftue,
Si n’ Shqyptarë merthye isht’ krejt vendi,
Si edhè ushtrija isht’ mbetë rrethue.
Mark Milani dredhë mustakun:
Fort ká rá trimi n’ kujtim,
E as s’ i del me hjekë mendsh Plakun,
Qi e pat pá n’ nadje n’ vegim…
Si âsht mendue ashtû ‘i herë me veti,
Ç’ e ká hanger buzen m’ dhamë!
Se edhe ftyra fort i treti!
Ká marrë trimi e âsht çue në kamë;
E si shpatit nji barí:
Kúr ndoj gjedh a dhen a dhí,
Tufet dá e m’ kullosë hutue,
N’ mbramjet nuk i kthen n’ katue
Ase n’ vathë: poshtë e perpjeta
Nper zabele e nper shkorreta
Shkon e vjen, e nper ograja,
Kahdo qi t’a mbajë uzdaja,
Se do t’ hasë m’ bagtí të tretun:
Marku kshtû fillikat vetun,
Ngerthye vetllat shllungë n’ mes t’ ballit!
Thekatueshim po i bjen malit
Neper terr e shí me rrshekë
M’ nja tue rá, aj per me u pjekë
Me qat Mirkon Kapidanin,
T’ cillit ndî i a kishin zanin
Krali i Nemses edhè Mbreti;
E mbasì dikúr e gjeti,
Ká marrë trimi e kshtû po i thotë:
Se, per Zotin, Kapidan,
Q’ se kam lé e rá m’ ket botë,
S’ dij se ngelë kam mâ n’ zalldan
Se n’ ket natë. Neve Shqyptarët
Çark na bàkan. Fort kam frigë,
Se né ushtrín kan me na çartë;
Pse edhè ‘i natë kjo âsht fort e ligë:
Si thue hallin me i a bâ ?
Besa, pra, shka t’ tham s’ po dij,
I a kthen Mirkja si nen zâ;
Veç, q’se dalë kemi n’ ushtrí
Edhè n’ luftë kem’ rá n’ kto vende,
Jo n’ e Marte: si qi motit
Ká kênë doke: por n’ e Prende,
Zêmra keq, manati i Zotit,
Kaq m’ ká ndî, sa s’ thohet dot,
E as s’ dij se kû kem’ me dalë.
Por pse ngaeja s’ âsht ktu kot
Me ndêjë na tue tjerrun fjalë,
Kish’ me thânë, lum Komandari,
Si ashtû mendja mue m’ a pret,
Se t’ del puna mâ per s’ mari:
Shî njitash, nper shkurre e mret
E tue rrahë shiu e shtergata,
Ushtrín m’ e lshue bregut t’ Limit;
Qi nper terr e pa u sosë nata,
Me u rrqasë tinzi, e para agimit,
Urë pa urë e trap pa trap,
Fill me dalë n’ at Qafë Marinë;
E mandej, tue u lshue na vrap,
Me marrë rrugen per Cetinë.
Se per ndryshe, mana t’ Zotit,
Né tash po na hupë ushtrija.
M’ shpinë Shqyptarët e ket farë motit,
S’ dahna shndosh, tham, lum zotnija.
Marku at herë urdhen ká dhânë,
Marë ushtrija me u dyndë vendit,
E poshtë malit per m’ at anë
Me u ndê Limit rend mbas rendit.
Kthye nderkaq pergjymsë ká nata,
Edhè « Shêjzat » ki’n prendue;
Mê ká shiu edhè shtergata,
P’r ‘i herë gjama edhè âsht ndalue.
Kur, qe, ‘i rê, si pezhgvja zí,
Niset fíll prej Dormitorit,
Qi, tue i rá qillës me furí,
Vjen e ndêhet kreshtës s’ Çakorrit.
M’ Çakorr rêja si ká dalë,
Lum e lum per t’ Madhin Zot!
Qi s’ kem’ kênë e na ká falë!
Se ç’ ká shkrefë atŷ nji mot,
Se ç’ t’ i a dha flaka e vetima,
Se ç’ t’ i a dha krizma edhè gjama:
Ç’ t’ i a ushtima e bumbullima,
Shungullima edhè rropama!
Flakë per flakë, po, e kurr pa dá
Shkrepte rrfeja krŷq terthuer,
Aha e brej bjeshkve tue çá,
E harmote me zhumhúr
Kepash s’ eper t’ gristat karpa:
Pod e m’ pod qi, poshtë rrmorevet
Tue balcue e shpardha m’ shpardha,
Kulihum turr gorromiseshin
N’ gurrní t’ prrojevet shkumuese.
E t’ u shkref atŷ ‘i stuhí
Erësh s’ perzijta, shungulluese,
Rriba e s’ cilles, me furí
Kah pershkohej bjeshkës e vrrinit,
Shkulte bungat qindvjeçare,
Si me shkulë ndoj kallm purrinit;
E si kênë t’ishin bazhgare,
Duhmja i dyndte, e me uturimë
T’ perfrigueshme, i shakullote,
Nder humnere. Nji zhaurrimë
E pa preme bjeshkve ushtote;
Kthelltë, termegshim buluritte
Toka, e lkundej shrregull; kreshta
E Çakorrit flakë zharritte,
Edhè duhmet e rrfésh s’shpeshta,
Njizet pash, po, u sham, e ngeli
Shyt, porsì nji kyç Gojanit,
E u perzhit per rreth zabeli
N’ Koprivnik e m’bjeshkë t’Trojanit:
Gjithkû kjenë prozhme e dushknajë,
Hije, pyje e megje t’dáme.
E nji nig e nji tymtajë,
Era surfull, e ‘i zhigame,
Nji zhaurrinë, nji suzhë e ‘i vapë:
Sa qi shkulm ká nisë me vlue
Lqeni i Plavës, e nalt mbí kapë
T’ Zeletinit, tue vetue
E pa dá tue shkrepë rrfeja,
Merr zjarm ashta, e flakadâ
Ndezet pylla kah Meteja.
N’ at thellim, po, e n’at tufâ
Qiella e toka ashtû perzí,
Kishe thânë, se rruzullimi
N’ flaurí e n’leskra po shkatrrohet,
Edhè n’Kaos t’pa skáj shqimi
Po sodomet e dermohet.
Per mbas malit por në qiell
Hylli i Dritës si vezulloj,
U shuk plajmi e moti u kthiell,
Si cirkë voese n’perivoj.
Veç se bjeshkët, po, kthelltë ushtojshin,
Brraka, çutrra, prroje e shé
Gallamarde ka’ u dikojshin
Neper rrash, tanë shkumë e dhé.
Amet Limi kishte dalë
E askund lânë nuk kishte vá:
Si mjerë kush qi nper at valë
T’jetë ngushtue sod kamë me rá…
At herë Drita tuj ague,
Mark Milani, trimi i trimit,
Marë ushtrín në kamë ká çue,
Edhè prî i ká per urë të Limit:
Kû, ashtu shurdhë e kush pa e ndî,
Tue rrahë dromin me t’mdhej hapa,
Do m’e qitë shndosh në Mal t’Zí,
Topa e nozull lânë permbrapa.
Veç se uren mjeshtri motit
T’ngushtë e drunit lshue e kisht’ pasë:
Kshtu qi frigë kam, manà t’Zotit,
Mos t’a lshojë Markun ndoj drrasë…
Po isht’ Shqypnija ‘i vend belá,
Kû s’bân kryet mâ shtrêjt se ‘i shtamë:
Vshtirë se Marku ká me u dá,
Pa i u njitë ndoj ferrë m’dollamë.
Pse edhè, qe, tej n’at báll ure
Vend Rrogòvasit kan zanë,
Menden qi m’a ki’n kubure:
Zog mbí urë me flutrue s’lânë.
Prandej m’urë kúr mrrini ushtrija,
Ç’ushtoi Mokrra e Shekullarit,
Larg gjimue ç’ká Metohija,
Ç’t’âsht tremë kali i Komandarit,
Kaq zû pushka atŷ me zí,
Kaq zû plumja me fishkllue;
Si njaj breshni me duhí:
Malazezt per dhé tue i shtrue.
Flakë per flakë ushtria shqyptare,
Rreth e çark shtrî Markut m’shpinë
T’i a ká vû pushken batare
Shpat e m’shpat, luginë m’luginë.
Priten n’báll e Limin dét,
Prej Shqyptarësh futë mbrenda ‘i rreti,
Kah t’i a mbajë, tash, Marku i shkretë?
Ç’do t’mendojë, vall, vetmeveti?
Me qindrue, si e ká zanát,
Qe shka Marku ká nder mend.
N’Mal të Zí luftojn ‘dhè grát
Per lirí, per fé e per vend:
Jo s’qindron nji Mark Milani,
Derë bujare gjet me gjet,
Larg n’Europë qi i ká vojtë zani,
E i druen sherrin Krajl e Mbret.
Mark Milani, kúr ká pá,
Se isht’rrethue n’mjet uj’t e shpatit,
Ç’âsht berlykë atŷ si ká,
Tue britë t’madhe mâje atit:
M’kamë, sokola t’Malit t’Zí,
Me çilë shtek per Karadak!
M’tani, djelm, ju me furí,
T’rrjedhë sod Limi shkumë e gjak!
Edhè at herë, si ‘i gropë gelqere
Atŷ vendi t’u ndez zhari;
Vojti krisma dér m’ pelqere,
Ka’ u perlanë Shkjau e Shqyptari.
E papreme ‘i shungullimë
Ishte mali, ka’ ashtû zijte,
Vlote pushka, e me vërrimë
Të shituemve ajo u perzijte.
Edhè Shkjau, ashtû tue msŷ,
Pa kqyrë shtek pa kqyrë handek,
Bukur nalt aj erdh e u shtŷ:
Sa, medjè, shum herë u rrek,
Me shperthye neper ushtrí
E me u nisun kah Cetina.
Ora thepe e Malit t’ Zí
Shum gajret po u epte, shkina,
Malazezve e mirë po i msote.
Shtîju i rí, herë shtiju plak:
Gjithnji sulmin u a drejtote
Qandra e jonë kû bâte lak.
Zâna e Madhe atê e ká pá:
E ká pá, ‘dhè njoftë e ká:
Sŷnin kurr nuk i a ká dá,
Edhè e Mira, n’shllungë tue u strukun
Të nji rêje, âsht bâ e pa dukun;
Edhè pritte qi t’ i vîjte
Per nen hov e m’ shpinë t’ i bijte,
Me tê bashkë t’ u kacafitte,
Edhe shkinen mos t’ a lîjte:
Mirë nder kthetra atê shterngue:
Malazezve me u nihmue
N’ at shtek t’ vshtirë. Kúr, qe, flutrim,
Tue u ra qiellve nper agim
Ora shkinë vjen e pershkohet
Zhgjetë perpara Zanës. Ç’ t’ i lshohet
Fulikare Zana m’ shpinë:
Si njaj orli-gjeraçinë
Lshon m’ bollshorde, si t’ két pá,
Se don zogjt n’ çerdhe m’ i a ngá.
Kúr ká pá njajo sŷvrangta
Ora thepe e Dormitorit,
Si ashtû rrfé po i shtrîhej mbrapa
Zana e Madhe e Vizitorit,
Se ç’ ká nisë ajo me dredhë
Poshtë perpjetë, kryq e terthuer:
Herë n’ nji rê, herë n’ tjetren struku,
Tash mbas malit tash mbas suket:
Rrash per tokë herë rrahi flatrat,
Prap pingul flutro perpjeta,
Veç si t’ mûjë soje me pshtue.
Por, si pá ká ajo, se vrap
Zanes s’ Madhe s’ mund t’ i hike,
Âsht sjellë shtriga e fyt-a fyt
Me Zanen atŷ âsht perlá:
Sa per kshtû, isht’ kênë trimneshë,
Edhè, besa, fort belá,
E pa qander nuk po lidhej:
Me sa âsht lidhë ajo ndoj herë
Q’ se zanë vend ká n’ Karadak.
Grykë per grykë e flok per flok
Ora e Zana ashtû perlá,
Ç’ t’ janë dermishë shoqe me shoqe!
M’ dhâmë e m’ thoj se ç’ t’ janë lyyrë!
Ç’ po u shkon gjaku rrkajë nper ftyrë!
Ftuturim neper ajrí,
Idhtë n’ mjet vedit kaperthye,
Haju, shaju me mëní,
Vrrit, piskat sa kurr ki’n n’krye:
Fort po u ndiqshin e u perpiqshin
Po u shkelvitshin e u llomitshin,
Herë dér m’ rê tue zgjatun shtatin,
Herë tue hî si xhixhilloja;
Tash nper tokë, porsì dŷ bolla,
Shkarrafendu: mbandej shrregull
Prap nper ajr kacrrue n’mjet vedit,
Porsì verës dŷ pilivoesa,
Kúr shoqe me shoqe hahen:
Siell e bje ato njana tjetres,
Me nji pezm, me nji mëní,
Mendt e krés me t’pasë merzí;
Veç kurrnjanes nuk po i del
Me u ngrefë m’shoqe kacagjel.
Por se. qe, neper ajrí,
Dikû andej prej Fushës s’Iballes,
Vijn dŷ Shtriga, hypë m’dŷ breshka:
Njana Sutë, tjetra Pasutë.
Ishin breshkat, breshka detit,
Aq të mdhaja, sa ‘i samar;
Ishin Shtrigat si dŷ grreça
Kjumshtit hjedhë nen çarranik:
Koc e lkurë e t’kthyeme kuk,
Si dŷ drapna ngulë nder hatila;
Veç se t’idhta e gazepqare
Kurrkund halli mos m’i u pá:
Qi nder shtatë Bajrakët e Pukës
Lânë nuk ki’n me u shndoshë varrë pushke,
Me gjith hudra, pê e gershanë
Mbí t’varruemin pezull vjerrë;
Nuk lanë fmij me u rritë per s’mari;
Garravâxh bânë djelmt e rí,
Nuseve edhè lshoju «zvercen:»
Bâni, qyqet, si çapini!
Shtatë pash punët bâni mbí dhé,
E hupi shtatë pash nen dhé:
Si — Zo’, ruena! — puna e tyne.
Kto i’n kênë nisë per n’nji log Shtrigash
Dika’ andej n’Kotorre t’Reja,
E zanë Drita i paska shtekut,
Ke hutue ki’n kênë te shpija,
Tuj u lye, po, me do «gjellë»
Vetë e breshkat, qi të mûjshin
Pezull ajrit me u pershkue.
Ajrit Shtrigat tue kalue
Breshkave kaluer mbí shpinë,
Kúr kan rá drejt Metohís
E nper ag t’kuqlimtë të Dritës
Kan soditë, si Ora shkinë
Edhè Zana e Shqyptarís
Fyt-a fyt ishin perlá:
Ftyrës e parsmes krejt n’gjak lá,
Fort ka’ ipshin m’dhâmë e m’kthetra:
Kryet breshkave andej kan reshë,
Ato rrole Shtriga t’vjetra;
Edhè lshue t’janë m’Oren shkinë,
Porsì kênë t’ki’n dŷ kulshedra,
Njana, po, mâ e idhtë se tjetra.
T’i u hodh Suta per mbas shpinet
Edhè flokve ajo i a njiti:
Arrçit kryet gati i a qiti,
Kah i a ngrifte pa farë dhimet,
Si me shkulë kund lî Zadrimet.
Ftyrës Pasuta si kusija,
Me ‘i dhâm n’ gojë ngerthye si capë,
Ajrit flokët lshue leqe leqe
E ardhë shtatit si ‘i ngaskeqe,
N’ thoj i a njet me njanen dorë,
Mu m’ gerglâc, m’ nja tue u mundue
Me i a zanun frymen njak:
Nsa me tjetren, si m’ gerhanë,
Nisë ká trupin me i lnuer
Poshtë perpjetë, kryq e terthuer,
Me do thoj të mreftë si sorrë,
Per mâ t’ madhin, mor’, gazep.
Ora shkinë se fort po ep
Fort po ep, qyqja, e ç’ po vrret,
Se edhè shtjelmat shum po i qet!
Veç se kot; pse Zana e Madhe,
Me njat Suten e Pasuten,
Ashtû pezull nper ajrí,
T’ a kan çue dér m’ Vizitor,
Shî te vorri i s’ mjeres Tringë,
Edhè lidhë t’ a kan per blî:
Qi ato Orët e bjeshkës s’ Trojanit
Prej nji mrizit të Muç Hasit
Bartë e paten m’ Vizitor,
E qi, t’ Lumet, edhè e ngulen
Tre pash n’ dhé n’ krye t’ vorrrit t’ Tringës
Mbasì e lidhen per at blî,
Ká marrë Zana e kthen n’ Nokshiq,
Kû po grîheshin n’ mjet vedit
Malezez edhè Shqyptarë.
Atŷ, at herë, Suta e Pasuta
T’a kan kapë ka’ i gjarpen n’dorë:
Shlligë të gjallë, tanë helm e vnér:
E me ta t’kan hî me e rrafë
T’mjeren Orë të Karadakut,
Per pa kqyrë, mor’ probja i êm,
Se kû i djegë as se kû i dhêm.
Lshue m’tê breshkat si t’terbueme,
M’dhamë i a grizshin misht e shtatit
Per gazep. Gerthitte Ora
M’kupë të qiellës, sa gjithkû mûjte,
Tue i dhânë shtatit per me pshtue.
Ah! kadalë, eh pitigonë!
Zên Pasuta si tue e shá;
Se s’të lshoj, jo, per Tynzonë!
Shtatin n’gjak krejt pa t’a lá.
Hider, bre! Ti me i nihmue
Mark Milanit t’birit t’shkinës,
Qi Shqypnín aj rreth m’e shtrue
Per nen kamë t’Knjazit t’Cetinës . . .
Po a kujton, morì gabele,
Se Shqyptarët kan dalun fare,
Qi me ardhë Knjazi, me 'i kál zhele,
Per t’sunduem mbí tokë shqyptare ?
Edhè at herë, me at shlligë në dorë,
Siell e bjeri, tanë maraz ;
Brit, gerthit e ngrata Orë,
Si macë Frorit mbí pullaz.
Ora shkinë e Dormitorit
Mbasì lidhë kje ajo per blî,
Lidhë prej Zanet t’Vizitorit :
Njat ushtrín e Malit t’Zí
E lshoi zêmra gjithunjí,
E muer hiken. Fulikare
I u shtrî m’shpinë ushtria shqyptare,
Me nji brimë qi me t’shurdhue:
Kê tue vrá, kê tue shitue,
Dikê krejet tue shkurtue:
Tjerët në Lim vojtë e sharrue,
Trí taborre Mark Milanit
Hupë i kan n’at log mejdanit,
Treqind krena edhè i kjenë pré,
Rob janë zanun treqind Shkjé!
Zana e Madhe ç'po lumnon;
Kep më kep po fluturon;
Ká marrë kangen e po kndon;
Po këndon m’kep t’Vizitorit,
Larg me u ndî m’Boka t’Kotorrit:
A t’kam thânë, ‘or’ Knjaz Nikolla,
Se un, dér sande pa marrë dielli,
Tringen do t’a kish’ pague:
Treqind krena un tue t’i pré,
Treqind rob un tue t’i zanun,
Trí mij çika e nuse t’reja
Para kohës tue t’i lânë veja:
Me kjá ato, po, si gjith qyqet
Nper kasolla t’Karadakut,
Si ato bubat pshtjellë në zí?
Po m’a pvet njat Mark Milanin,
E aj, po, ty ká me t’kallxue,
Ká me t’dhânë t’zín zihariq,
Se sa ushtrija t’met n’Nokshiq:
Oren çuet se e ká Shqyptari,
Qi «Shqyptár» vedit i thotë:
Sê atje lufta ndezet zhari,
Breshen krenat bijn per tokë,
Kúr t’ i mbushet mendja e vet
Me qindrue p’r Atdhé e Mbret.
Gjergj Fishta