Kangë e njizetegjashtë
Hej, moj Zânë, tý t’kjosha true,
Si s’po t’bje nder mend per mue,
Punë të hershme me m’kumtue;
Kangë e valle me m’fillue;
Por më rrin tue fluturue
Mollë më mollë e ftue më ftue
Me ato shoqe tue këndue,
Me ato shoqe tue vallzue,
Tue vallzue, moj tue lodrue
Nper ledina e nper rudina,
Np’r ata brej, aha e çetina,
Kû bân çerdhen gjeraçina,
Bulon molla e lulzon thâna
E prîjn valle Orë e Zâna
Neper rreze qi lshon hana.
Ardhun shtatit si « breshana »
Rreze diellit dora e llana,
Ftyra shtrue n’fletë t’drandofillit,
Kama matë per gjeth të lilit,
Shartue zâni m’zâ t’bylbylit,
Dishka borë e dishka brymë
Si njaj hylli me ferfllimë:
Mori sumlla sumollore,
Mori dardha dimënore,
Si t’shkoi moti kangë e valle
Kangë e valle e zanamare:
Tash mbas flutrash neper zalle
Tash mas lulesh nper livadhe
Herë ndiq sutat neper curra,
Zhytu e mbytu neper gurra,
Ngallìt shoqet n’shtiqe t’vshtira:
Si, perzèt, ty t’raftë e mira!
T’raftë e mira si t’ká rá,
Bjeshkë e vrrî qi m’ké shkelqá!
A din shka moj gerxhelí,
Mori rrezja nper frangí:
Se mue kripit m’i rá bora,
Se kah m’lên âsht kama e dora,
Se edhè as vonë, tham, s’ká me shkue,
N’jetë pertej un pa u kalue,
Prej kah s’lânë kend me u kthye dalë…
Pra ndîgjoma ktû nji fjalë:
Lêni sod, moj Shtozovallet,
Lêni flutrat t’marrin zallet,
Lêni sutat t’marrin malet:
Shporru vjollcash edhe lilash,
Shporru gurrash e çurrilash:
Se, perzèt, kshtû, moj petritë,
Tuj m’u lá, tuj m’u flladitë,
Herë nper hanë e herë nper dritë,
Drue po m’ngrîhesh akull-ó
Drue po fikë mue e vedin-ó;
Edhe lshou prej Dukagjinit,
Kû m’a shkon të cemtët e dimnit
Neper biga e zgavrra blinit,
E flutrim neper ajrí,
Si njaj hylli qi shkëndi
Shkrepë prej mramjet neper eter,
Behma ktû n’ket Lissus t’vjeter,
Kû, larg zhurmet e poteret,
Dola edh’ un n’ket buzë Prendveret,
Per me kndue m’Lahutë t’Malcís,
Se si u end fati i Shqypnís,
Kúr pshtoi kthetrave t’Shkjenís
E duel zgjedhet të Turkís:
Perendija si e kisht’ shkrue:
E zojë m’vedi edhe u ndertue,
Mbas sa gjakut qi pat dkue.
Pse kaq njerzit po i’n të kqí,
Sa qi askund m’ket shekull t’zí
Pá shkue gjaku ví e ví,
Nuk po gzohej, jo, lirí.
Prandej sod tý t’kjosha falë!
Morì e Mira rritë në halë,
Dér në Lissus ti me m’dalë,
Per me m’vû kangen per fille,
E tue m’ndritë menden me kshille,
E tue m’majtë mbrenda hullís
Së burrnís e t’bujarís,
T’bâjsh qi fjala: e butë herherë
Si njaj flladi në Prendverë:
Tash e fortë, e rrebtë, dermuese,
Si duhija shungulluese:
T’m’rrjedhë e marë e kund pa neje,
Qi t’rysë mendet, zemrat t’theje,
T’i reshë gjinden kah e mara,
Fén e Atdhén t’i lvisë perpara.
Pse, po m’u end kanga per s’marit,
Vonë e vonë fisi i Shqyptarit,
Manà tý ká me t’urue,
Bjeshkë e vrri me t’u lulzue,
Si don vetë moti me t’shkue:
Kangë nper hanë e kangë nper dritë.
Se edhe as ktû s’ké me u merzitë:
Me u mérzitë jo cok nuk ké,
Ke në fllad t’ksajë stine s’ré,
N’jetë natyra tue shperthye,
Këtû gjên shka t’kande tý:
Vezullime e xhixhillime,
Gurgullime edhe blerime,
Me lugina e me kodrina,
Me ledina e me rudina,
Hije, kroje edhè çurrila,
Dejka, mjellme e n’shtek kojrila,
Vjollca lila e karajfila,
Drandofille në bubuqe,
Flutra t’larme e mollakuqe:
Kndo bylbylat nper filiza
Këcè dhijzit neper driza
Tue blegrue kingjat nper mriza:
Endë hardhija m’qeperiza,
Lulzon pjeshka e zerdelija,
Me u shêjë matet m’gem qershija;
Bleron bunga e bleron vidhi
Shatorr fiku kokrrat lidhi;
Njethet plepi bregut t’Drinit
Rahá t’mirë ep lulja e blinit,
Kerset fyell e zanamare,
Ushtojn hijes kangë shqyptare:
Qiella kalter, toka blerë
Njeti dimen, ktû Prendverë:
Njimend stinë per Orë e Zana,
Me prî vallet, tue ndritë hana,
Mal e m’mal, rudinë m’rudinë,
Jo qi ktû në ket krahinë,
Kû nper molla gêmeholla,
Kû nper male e mriza hale,
E nper zalle e nper hamalle
Shum po i kisht’ do Shtozovalle
Shoqe t’ua, qi po kndojshin:
Qi po kndojshin e lodrojshin,
Larg e larg m’i u ndî jehona,
Bâne bén, si kah Valbona;
Se kŷ vend, se mahet n’mend,
Po kisht’ kênun nji dervend:
Nji log zânash m’nám e n’zâ,
Kû vigâ e katallâ:
Edhè n’kohë para se Iliri
Vend ktû zû e Arbnori i biri:
Na i’n ndeshë, na i’n shkelveshë,
Dikúr heret m’dhâmë tu’ u shkye,
Mâ vonë s’largu tuj u msŷ
Kush me zhgjetë, kush me baètë,
Njani m’mzdrak, tjetri m’çomak,
E me lata, e me supata,
Me tagana e pushkë të gjata;
Edhè rán shakull per dhé,
Kush per Atme e kush per Fé,
Njani cub, tjetri dishmuer,
Kush gjaksuer, kush simahuer.
Jo, po, ktû edhè ké me pá,
Ké me pá, po, njat kalá,
Qi, m’nji koder titanike
Ngrefë mbi ledhe cyklopike,
Per trí mij e kusúr vjet
T’u kercnue ndêj, si shauret,
Mbí ç’do forca kundershtare,
Qi me mende grabitçare
Deshten ksajt me kalue ván.
Ké me ndî edhé si kján
Vala e Drinit prap n’ditë t’sotit
Per urë vorrit t’Gjergj Kastrjotit,
Shpata e t’cillit, dikúr motit,
Vezulloi m’hasem t’Shqypnís,
Si ajo rrfeja e Perendís.
Pse dikúr ktû edhè Berdyli
Me gjak hasemsh dhén kertyli;
E ajo Teuta mbretëneshë,
Vashë ilire sokoleshë,
Qi nuk dijte se shka â tuta:
Si ajo Shqypja skepekrruta,
Lshote hovin mbí Rromakë,
Pá dhimë Adrjen tue pergjakë;
Prap Kliniku ktû e Pleurati,
Hila, Agromi e Genci i ngrati
Kan jetue ktû e kan lulzue,
Mirë a keq atà tue psue;
Kush tue mbetë, kush tue fitue.
Se ktej Gali ka kalue,
Ktej Rromaku, po, âsht pershkue,
Slav e Turq ket trull t’bekue
Me agor t’vet e kan mnerue.
Prandej n’mbramje tue rá hana
Mlidhen tubë Orë edhè Zâna,
Edhè kapen dora dora:
Dora dora, bardhë si bora:
Ambel zânin tue dredhue,
Nisin vallen me këndue,
Tash si t’ Parët na pa’n luftue,
Atà Ilirt e kohës s’ kalue:
Tash idhtë fatin tue lotue
T’ ksajë s’ mjeres moj Shqypní:
Se si u pshtuell e mjera n’ zí,
Mbasi Turku mbrendë pat hî:
Turku, shplaka e randë e Zotit:
Per mbas deket t’ Gjergj Kastrjotit.
E jehojn male edhè zalle
N’ ato kangë e n’ ato valle.
Pra, po t’ kapi tŷ merzija,
A se t’ lodhen kangët mija:
Se pa tŷ, besa, moj Zanë,
Vshtirë se ‘i fjalë un mûj m’ e thanë:
Fjalë qi t’ jetë n’ gojë per t’ u zanë:
Ti po del naten nper hanë
A nper zheg si t’ kape zusha,
E n’ daç malit, n’ daç kah fusha
Bâhe bashkë me shoqe t’ ueja,
Edhè atŷ, at herë, ti thueja
Kangës e valles sa t’ keshë n’ krye,
Doradoras tue këcye,
Gjithsesì të kandet tŷ.
Por po deshte ti ndojhera
Me ndjekë suta, a gjaeje tjera,
Me ato shoqe ti, po, del
Nper Molung a se nper Vel;
Se atjè gjêni drêj e derra,
Molla, urtyta e mandaferra;
Mjaltë nder zgavrra, e gurra t’ ngrîjta;
Mrize t’ flladta e hije t’ rîjta,
Me blegrime e me çokana,
Qi tŷ aq fort po t’i kisht’ anda.
Veç se shka, moj qiftelí,
Me t’a vû due ‘i porosí,
Per kúr t’dilni ju në Vel.
Kúr të dilni ju në Vel,
Per t’a hasë kini nji shpellë,
N’anë prej Rrêje, t’errtë e t’kthellë,
Me nji grykë porsi nji furrë,
Prej së cilles rrjedhë nji gurrë,
Sa me blue, po nji mullî:
Atŷ mbrendë ti mos me hî!
Asì uj’, jo, atŷ me pí!
Pse n’at shpellë qaj Lleshi i Zí,
Nji i Gjomarkaj, Kefalí:
Vesh e m’vesh mustaku i tí:
Nji natë gjamet e vetimet:
Me u dridhë toka prej bumllimet:
T’rrebtë kulshedren paska msŷ,
Edhè m’qafë i a ká merthye
Nji parë dana e t’gjata e t’randa,
Mirë nen allkë aj tue i ngujue,
Qi per t’gjallë me u shkapullue
Mos të mûjtte, edhè e branisë
Poshtë nper shpellë n’do ujë të kthellë:
Edhè sod ndîhen tue krisë
Ato dana, sa herë t’luej
Shta’n kulshedra neper ujë;
Ke i kan mbetun ato dana
Vjerrë per qafë, porsi çokana
N’qafë t’nji skjapit brynatak.
Prandej shpesh rrjedhë gurra gjak:
Si shum kushi qi e ká pá:
Persè danat, m’qafë tu’ e vrá,
S’i a lân varren me u perthá,
Qi i a çeli Lleshi i Zí,
Kúr i u turr nper at duhí.
Asì uj’ ti, jo, me pí!
Por as n’shpellë, jo, mbrendë me hî;
Pse atŷ sod, permbrenda shpellës,
Dájn orok Shtrigat e Kthellës
Me ato Shtrigat e Mirditës,
E me atò t’Zhubës e t’Selitës,
Kurdoherë duen me u bashkue,
Ndoj déll ujkut per t’fergue,
Qi me bâ ndokand gjytrŷm;
A me zí ndoj gjellë nper tŷm,
Per të lye me tê ndoj shpí,
Qi me i lshue dam e morí
Si nder rob, si nder bagtí:
Mos me lânë me rritun fmí,
Tuj u ngranë zemrë e mushkní.
Kurrsesi ti mbrendë me hî;
Persè gjallë k’in me t’perpî.
E po bâni e t’kcej dalldí
Bregut detit me u baritë,
Per me u lá, per me u flladitë,
Per n’mos daç kaluer me shkue
M’bedeví, qi kem’ n’katue:
Bishtalec kripin trimnue:
Janë pulbardhat neper Drî,
Bardh si bora n’Haramí,
M’shpinë ndonjanes ke me i kcye…
Por, aman tŷ t’kjosha true,
Per qafë t’sajë mirë me u shterngue…
Se ti jé nji rreze drite,
S’të ká randë pulbardha tŷ;
E mbi tê mandej vozite
Rrjedhes s’Drinit dér në dét.
Kúr të dalish n’atê dét,
Atŷ bregut ké me pá
Floçka e Kshetza ndêjë n’shullâ,
Tuj u krefë, tuj u bubitë,
Shoqja shoqen tue ngallitë
Turr e vrap nper ranë të hjedhne:
Shkaterr flokësh, rizat e zhdredhne,
Kmishat kapë me trîza t’dredhne.
Se ato janë do grá të detit,
Qi, si ushujzat e breshkujzat,
Po jetojshin n’ujë e m’tokë,
E po flitshin si tue krrokë,
Si tue krrokë, si tue gervallë.
Por me pasë per t’i zânë gjallë
E me i mbajtë te shpija niri,
Me folë shqyp zêjsin mâ s’miri.
Se nji djalë, fisit t’Kelmendit,
Djalë i pushkës edhè i kuvendit,
Si dishmí bâjn gjindja e vendit
Nji kso Floçkash paska zânë,
Edhè n’shpí e paska çue:
Kû ‘i herë shqyp atê e ká msue,
Mandej marrë e ká per grue,
Me tê bashkë kunorë tue vû.
Edhè u bâka shpijanike,
Tue rritë fmí, tue u majtë fisnike.
Me xhubletë e me shtjellak,
Si t’ gjith shoqet n’ at bajrak.
Veç se shka binín e sajë
Létas nieri mund t’ a dajë:
Ke i kan sŷt si picigiatë
Edhè flasin per pá u matë;
Porsi me branisë zhamella
Ndokund malit neper shpella.
Veç se shka, moj ti belholla;
Ti belholla, rritë nder molla
Ktû edhè ‘i punë due me t’ kallzue,
Qi kthelltë n’ shpírt ká me t’ galdue.
Ká do kohë, qi t’ bardhat Zana:
Shtozovallet! qi nper thâna
T’ Elikonës prîjn kangë e valle
E pijn ujë n’ at Gurrë Kashtalle:
Kan lânë bjeshkë e vrrîje e zalle
Të Grekís e dalë n’ Shqypní,
Kû, n’ gjûhë shqype — bukurí!
Herë tue folë, herë tue këndue,
Kan rysë gjinden me feksue:
Se Shqyptari s’ âsht gabel,
S’ âsht shkerbé pjellun n’ zabel,
Mos me pasë aj fis e Atdhé,
Veç me shkelë m’ tê Turq e Shkjé:
Jashtë Shqypnijet se Osmanllija
Duhej dbue: se vetë Shqypnija
Duhej qitë ajo zojë m’ vedi:
M’ tê mos me sundue kurr Mbreti
I Stamollës e se të huejët
Do t’ shkojn gjûhen tuj e ruejtë
Pîjt nder dhâmë, per kto punët t’ ona.
Edhè kshtû, njitash n’ e vona,
Nisë Shqyptarët kan me mendue
Per punë t’veta, e shqyp me shkrue:
Shqyp me shkrue, po, e shqyp me msue
Neper shkolla; e pse të holla
Mendt po i ki’n, e kryet jo shtamë,
Kta per fije janë vû n’lamë
T’ditunís e t’gjytetnís:
E medjè, sod prej Turkís
Janë tue lypë autonomín;
Se per ndryshe, thonë, lirín
Me armë n’dorë do t’a fitojn:
Nen kamë t’huej gjallë mâ s’rrogojn.
Tashti, un, moj sŷ-qershí:
Besa, po: fort mirë e dij,
Se ty t’kandet me kerkue
Mriz e m’mriz, e krue më krue:
M’shoqe t’ua me u takue,
Bashkë me folë, bashkë me ligjrue,
Me u njitë valle e me këndue:
Me këndue, po, e me lodrue,
Si mot t’keq qi kurr nuk m’ké:
Prendverë m’Shnjergj e prendverë m’Shndré!
Ani pra, moj rrezigí,
Morì rrezja nper frangí,
Po të kapi tý dalldí
Per shoqní e leverdâ:
—Eh! po, i mjeri, shka me bâ ?
Kshtû po i kishe ti do mend:
Mos me t’zanë kurr vendi vend:
Sod nji send, neser nji send —
Del e merr ti fushë e shpat,
Vel, m’Kodhel, e m’Krye-Bushat:
M’ Krye-Bushat — pllamë e « dukat »,
Edhè kapu m’Rozafat,
M’ at kala t’ Shkoders mizore:
Ndera e nami i tokës arbnore’;
Persè atŷ Zanat i ké,
Pre’ Eñkonet bartë m’ ket dhé,
Si të bâjë hana me dalë,
Nisin vallet palë e palë
Me ato Motrat shqypëtare,
Tue rá fýll e zanamare.
Atŷ njitu edhe ti valle,
E pa derte kund e halle.
Tue lodrue ti, e tue këcye,
Thueja kangës gjith sa t’ keshë n’ krye.
Veç se prap ti ktu me kthye;
Perse kanga, endë pa tŷ,
Ajo âsht váj e tym nder sŷ.
Edhè kshtu, nper hanë nper dritë
Tuj u argtue, s’ ké me u merzitë;
E tŷ moti ká me t’ shkue
Si don vetë, e pa u kujtue.
Qe Lahuta, vjerrë n’ sergjí.
Eja pra, moj sŷ-qershí,
Moj bel-holla, rritë nder molla,
Edhè kangen m’ a fillo:
E un këndo, mbande’, e ti kndo,
Si kndon zogu i veres-o!
Gjergj Fishta