Kangë e njizeteshtatët
Erven Pasha, ‘i Xhemjetlí,
Mledhë mishlizin n’ Babi-Alí,
Edhè u thotë: Zotní të mí,
Mbasi duel êmri i Xhemjetit,
Qi shkaf âsht tebajë e Mbretit:
T’ jetë kush t’ jetë, mashkull a fêmen:
« Osmanlí » me u quejtë me êmen;
E se t’ gjith atà mbas sodit,
Mohit do t’ i bishin rodit,
Prej të cillit kishin dalë.
Vlqja e Mbretit marë n’ at fjalë
Uli kryet e pa u trazue,
Fis e giûhë zû me i harrue,
« Osmanlí » tue quejtun vehten.
Edhè kshtû, u ngjatët Zoti jeten!
U shkrînë m’ njâ Turk e Zejbek,
Lacë, Harapë, Armen e Grekë,
Beduìn e Jahudí,
E sá janë kome n’ Turkí,
Kush pa u ankue, kush pa bâ zâ,
Thue se ‘i nanë t’ gjith i kisht’ bâ.
Veç Shqyptarve s’ po u hî n’ kokë
Me u bâ vllazen me tjerë shokë
E « Osmanlí » me quejtun vedin.
Kta Turkín njofin e Mbretin:
Dér dikû edhe Xhemjetin;
Por komsín nuk duen me ndrrue,
Giûhë as doke me harrue;
E kristjan e muamedan,
Gegë e Toskë, Shqypnija marë
Prap se prap quhen « Shqyptarë ».
Medjè kta, zotní të mí,
Njitash s’voni i a kan hî
Me shkrue shqyp libra e fletore,
Me çilë shkolla n’giûhë arbnore:
E mâ teper, si nper dhamë,
Posë se s’duen me dhânë nizamë,
Janë tue lypë autonomín,
Per me qitë m’vedi Shqypnín,
Edhè Turkut mâ mbas sotit
Mos me i lá t’dheta si motit;
Veç me ngrefë ata ‘i farë Shtetit:
Po e jo nen hije t’Mbretit:
E m’vedvedi me u sundue,
Pashë as beg mos me ndigiue:
Si t’i a bajm hallit s’e dí …
Xhavid Pasha, ‘i Turk i Rí,
Kqyr ç’ká mârrë trimi e ç’ká thânë:
Nji, per bé, gjallë nuk do lânë!
Se Shqyptarët po ishin belá,
Hajrin kush kurr mos me u a pá,
Veç se sherrin. S’dí a e dini,
Se, q’se Turku s’pari hini
Në Shqypní e dér më sot,
Jo mâ pak: po e tham me lot!
Se pêsdhetekater herë
M’né Shqyptarët t’janë lshue poterë
Me armë n’dorë, e t’na kan rá,
Ballë per ballë me né t’u vrá,
Si t’isht’ kênë Turku me Shkjá.
Medjè ngusht shum herë na e prûne,
Pse zanát pushken po e kishin.
Prandej hundët m’grusht u duen shtypë,
Qi kurr n’mend mâ mos t’u bjere,
Pis Arnaut ata tue kênë,
Xhemjetit me i qitë telashe,
Sinan Pasha, ‘i plak me mjekerr:
Javash, burra, zên e u thotë:
Se Shqyptarét janë fis i vjeter:
S’merren grushta si «manovët».
Katerqind e disa vjet
Janë, qi hîmë na në Shqypní:
Kush ká bâ mâ shum gajret
Se Shqyptari per Turkí?
Në Jemen kan ardhë me né,
N’Sebastopull kan derdhë gjak;
Fyt-a-fyt janë pré me Shkjé:
Kan mârrë krena n’Karadak.
N’luftë uxhunin kta e kan bâ;
T’mbramët te hika e t’parët te meta
Janë pjekë n’diell janë ngrî n’murrâ:
Per Daulet s’u âsht dhimtun jeta.
E po ç’bâmë na per Shqyptarë?
Ç’t’mirë na atyne u kem’ pertrî?..
Cilla punë, thoni, u kthye marë
Se na gjindemi n’Shqypní?..
Na i kem’ djegë e i kemi pjekë,
I kem’ zjerrë shpijet e toket;
Vjerrë m’konop, i bâmë me dekë,
U kem’ prishë kanû’n e doket.
I kem’ rrahë nper milazima,
Shnjerzue i kem’ nper agallarë:
I kem’ fikë nper myltezima
Repë i kem’ nper tasildarë.
Kund ndo’i urë a u kemi lshue?
Sa janë rrugat qi u kem’ çilë?
Ndonji shkollë a u kem’ ndertue?
Shtek t’shperthyem a u kemi mshilë?..
Kuerdo t’jetë kysmet me i dalë
Turkut dore Shqyptarija,
Posë faltoresh, ku me u falë,
N’Shqypní ‘i shêj a e lên Turkija?..
Pse m’at herë duem qi Shqyptari
Gjithmonë rob të rrijë nen né,
T’harrojë gjûhen qi i la i Pari,
T’mohojë vendin ku ka lé?
Per me folë kah shpirti del,
Faj Shqyptarit nuk i vîhet,
Pse me Turk sod kapet tel,
Vendi vend pse nuk i zîhet.
Me topuz, mor faqja e bardhë,
Me Shqyptarë nuk ndreqet gjâ;
Veç me t’amel rreth tue i ardhë,
Per tý e shtŷn deken me bâ.
Prandej vetë kishe me thânë,
Se s’âsht mirë Shqyptarët me i ngá:
Le t’a lâjm ket punë m’nja’n ânë
E mos t’sjellim kot belá.
At herë çue âsht Turgut Pasha,
Strehë ngerthye do vetlla t’trasha,
E t’ká nisë me ligjirue,
Mirë tue u matë, fort tue u mendue:
I u ngjatët jeta zotnis s’uej!
Per mos daçim me mifë n’ujë
E Turkín m’e vû n’rrezik,
Qi m’u dá pllamë e perçik,
Kish’ me thânë, zotni të mí,
Se do shtrue ‘i herë kjo Shqypní:
Se Shqyptarve m’drû u do hypë
Mirë per veshësh, edhè, me i zdrypë:
Mirë me i zdrypë e mirë me i shtypë,
Qi m’u a zjerrë at zburth lirije
E at kllapí autonomije,
Qi pat nisë ka pak me i zânë,
Qýsh se dorë Mbreti u pat dhânë,
Tash do vjet, me u ba «milet»:
Kuer Kongresit të Berlinit,
Stamolla tue kênë rrethue,
Na bîn fjalë per punë t’kufinit
E gaperr Europa u çue,
Me i a lshue Malit të Zí
Hot e Grudë, Plavë e Gusí.
Jo, po, besa, zotëní,
Q’se «milet» u bâ Shqypnija
Edhè dorë dha ksajë Turkija:
Per nji idare masllahat:
Me rrokë armët me dalë në shpat
Bregut t’Cemit, e me u vrá
Ballë per ballë me hasmin Shkjá
Si t’kisht’ kênë Shteti me Shtet,
Kan marrë, po, Shqyptarët gajret
Me mendue, se edhè pa né
Mund të rrnohej gjall mbî dhé:
Se mos heret, sado vonë:
N’per miq t’vet e hasem t’onë:
Mund t’u shkepshin prej Sulltanit,
Si do tjerë Shtetan t’ Ballkanit,
Edhè m’ vedi me u sundue,
Pashë as beg per pa ndigjue.
E ké t’ vshtirë nji herë me reshtë
Harushen me krye n’ qyp t’ mjaltit;
Se mandej i a shkulë ti veshët,
Por qypit s’ e shkepë per s’ t’ gjallit.
Prandej vetë kishe me thânë,
Se kjo punë fjetë nuk do lânë.
Se t’ bjerë mini neper mjekerr
Anishkà, tha ‘i burrë i vjeter,
Po mos t’ çilte shtekun tjerve…
Posë Shqyptarësh: manje mirë n’ mend:
Kem’ Jemen e kem’ Armen,
Kemi Grekë e kem’ Zejbekë,
Me Qerkez me Lkurazez,
Me Bulgarë grêtha luftarë,
Qi po i lshuem na pê Shqypnís
N’ punë të gjuhës e të komsís
Veç me e dá Turkín e mjerë,
Se s’ jet tjeter tash nji herë.
Pse të gjitha këto kome
Ki’n me lypun Frone e Dhome,
« Koçobash » me metun Mreti …
Tash zotní, kjo punë nuk ban.
Pra çajre nuk ká as derman
Per pa i çue n’ Shqypní mizore,
Pak me thânë, njiqind taborre,
Qi nji herë e pikë mâ s’ parit:
Per me e nisë punen per s’ marit:
Sylahin m’ i a hjekë Shqyptarit;
Mandej m’tê me kapë nji drû
Edhè shpinen me i a zbrû,
Qi të bindet fíll prej vetit;
Persè aj cub tuj kênë shkorretit,
Guzon t’dalë karshì nji Mbretit :
Karshì Mbretit e Xhemjetit.
Mbretní, do me thânë fuqí.
Pa fuqí, nuk ka mbretní.
Me fuqí, u mkam Turkija;
Pa fuqí na hupë Shqypnija :
Hupë Shqypnija e Arabija,
Si na hupi, ofshe! Ballkani.
Turkut i hypë m’shpinë dushmani!
Kshtû ká folë qaj Turgut Pasha,
« Aferim »! i thotë Mishlizi,
Komandár edhè e ka vû
Mi njiqind taborre t’zgjedhuna,
Per Shqypní tue e nisun filli
Qi t’ngushtote shka âsht Shqyptár
Me quajtë vedin « Osmanlí »
Per mbas « qefit » t’Turqve-t’ Rí,
Kah merr dielli e hana lé,
Si Shqypnija ‘i vend s’e ké,
N’daç per male e per kodrina,
N’daç per fusha e per rudina,
Bjeshkë e vrrî edhè zallina,
Me kullosa e tokë t’punueme
Me liqêj, me prroje e lume :
Kroje fushës e gurra shpatit:
E puthë deti per s’të giatit:
Peshku plymë nder kalimere:
Gjâja e gjallë reshë shqere shqere:
Endë mëndashi e endë hardhija:
Ambel sŷnin t’mushë robnija:
N’shndet kerthneset marë natyra,
Qiella kthiellet si pasqyra:
Sh’ Ndré në bjeshkë e Sh’ Gjergj në vrrî:
S’ká mâ bukur n’rrokullí:
Me na pasë gjithkush lakmí.
Por ç’e bân? se sod, or probe,
Me t’a falë Shqypnin, kush, tobe,
N’e shikjon dŷ herë me sŷ,
Kaq per kob qi t’a ká msŷ,
Turgut Pasha, ‘i turçelí
Me njiqind taborre ushtrí,
Tanë Çerkez e Lkurazez
Turkoshakë e Anadollakë
Manovë, Jevk, Lacë e Zejbek
Kurd, Harapë edhè Felah
Me pushkë n’krah, me zjarm n’sylah
Njani n’ «fes» tjetri n’qylah»
Toka e zezë me ‘i pasë qirah;
Edhè m’shpinë aj i a ka lshue,
Me Moskov, thue, âsht tue luftue.
Kacaleci si lshon m’arë,
Fund e maje tue e mshî mbarë,
Kshtû Shqypnís i u rras asqeri
Ç’merr prej Jugut der ke Veri;
Edhè Pasha Turgut Pasha,
Idhtë ngerihye ato vetlla t’trasha
T’ká ngrefë top, t’ká ngrefë havan,
Edhè qitë ká nji «ferman»,
E pa i lânë kund kujë derman
Lypë nji herë e pikë mâ s’pari:
Sylahin me hjekë Shqyptari
Edhè armët aj me i dorzue:
Masandej mos me guzue
Kush «Shqyptár» vedit me i thânë,
As me majtë doke e kanue
As nder shkolla shqyp me zanë;
Shqypen shqyp jo mâ m’ e shkrue,
Por turqisht: ká lypë mâ teper
Qi Shqypnija e poshtme e eper
T’ epte asqer, edhè të late
Pagë e t’ dheta e begajate,
Gjithsi isht’ êmri i Turqve t’ Rí,
Ase e bân vendin faní.
Kúr ká ardhë rendi i Malcís
E t’ kan ndie ata krenët e Malevet,
Jânë bashkue, kuvend kan dalë:
Per jetë t’ ande, Pasha i Mbretit;
Fort n’ gazep mos me na mârrë,
Né ‘dhè me na lânë sylahin;
Se kem’ ndollë disì n’ kufî
E shpesh po na bje me u vrá
Kû me Urum e kû me Shkjá.
Masandej ti po na thue
«Shqyptár» mos me quejtë na vedin
Por m’ i a njitun « Osmanlí »,
Edhè shqypen me e harrue.
Vargjeç, Pashë t’ ngjatët Zoti jeten!
Se kto punë n’ perde nuk hînë.
Kúr na t’ mbajm ligjen e Mbretit:
Por të preme per mbas vendit:
E t’ lajm pagë edhè të dheta,
Mbas zanatit qi kem’ pasë
E si t’shifet se Dauleti
Vendin t’onë e bân mahmúr,
E jo kshtû me e lânë harabë,
At herë na, Shqyptarë me gjak,
« Osmanlí » bâhna me pûnë.
Kaq âsht mjaft, kishim me thânë;
E kurrkund nuk âsht nevoja
T’hîjm nder kso maklladesh t’kthella:
Jo « Osmanlí », jo « turçelí »
Ky « Çerkez », aj « Jahudí »…
Po, Shqyptarë jemi, zotní,
E Shqyptarë prap duem me mbetë:
Kështû, Pashë, na e kemi gjetë,
Perzèt kshtû edhè do t’a lâmë.
E per punë, qi lypë nizamë
Na s’kém djelm me çue n’Jemen…
A si u thonë ylqeve t’Mbretit.
Na ktu vetë vritu me Shkjá,
Djalin çoe me u vrá me Turk,
Pasha Zotin, more Pashë,
Kurrsesi kjo pûnë nuk bân.
Ti ké ngrefë top e havan:
Perzèt mshoj, t’lumshin t’dy krahët;
Se edhè kshtû s’u rrnueka gjallë.
Kështû krenët kan ligjirue.
Turgut Pasha fort â idhnue,
Fort â idhnue, t’madhe ká britë:
« Haps qafirat tash me i qitë »!
E t’a dijn, se në Turkí
S’ká Shqyptarë, as s’ká Shqypní,
Veç ká Mbret e ká Xhemjet!
Haps i bânë Krenët e Malcís
Qi per Mbret n’kufî t’ Shqypnís,
Ballë per ballë tue u vrá me Shkjá,
Vendin n’ gjak krejt e pa’n lá.
At herë Pasha vû leçi
Mos me çilë kurrkund n’ Shqypní
Shkolla shqype, edhè me shâmë
Njat të vetmen qi ishte n’ kâmë
N’ Elbasan, e m’ e bâ lâmë;
E po u gjet kush nder Shqyptarë,
Qi me u marrë me gazetarë,
A me qitë shqyp ndoj fletore,
Tha, pa e çue nder gjykatore,
Sa gjânë gjatë m’ e shtrî n’ sokak,
E me e rrahun me dajak,
Dér qi lkura t’ i plasë gjak,
Tue i rá fyellit e bylbylit.
Por pse atí i duhej me u ndollë
Sá mâ para në Stambollë,
Kshtû mbasi mendue kje hollë
Per t’ çue m’ vend « fermane « e « irade »
Hini e zgodh per veqilade,
Do shqyptarë: do kallavrade,
Hasem t’ lemë të gjytetnís,
T’ cillët as êmnin e Shqypnís
Kurr me ndie nuk kan pasë dashtë:
Pleh i ndŷt i mluem me kashtë.
Si, bje fjala, kur terthuer
Jashtë n’ sokak me ftyrë per gúr
Shtrînë t’ ngratin Hafiz Myslimin,
Edhè m’ drû e rrahen trimin,
Tue krisë lodra e tue ra fyelli,
Dér qi i kambës i u thye kercyelli,
E me gand gjith jeten mbet,
Jo per tjeter « xhinajet »;
Veç pse pvetë në hyqamet:
A isht’ « Shqyptár » a po « Osmanlí »,
I pergjegjë me trimëní:
Sado qi ishte nji «hafiz»:
Jam Shqyptár me gjûhë e fis.
Por edhè kúr shtrî m’sakak
E tue i rá ishin m’dajak,
Sa herë pvette kajmekami,
Thuej shka jé ? permbysë per dhé
Jâm shqyptár pergjegjte afizi,
Dér qi ashti i kambës s’i krisi.
At herë t’lirë e la me shkue :
Faqe t’ngrîtë vedit tue i shkrue.
Mbasi kshtû t’mjeren Shqypní
E poshtnoi e e pshtuell në zí,
Turgut Pasha, i gjatë e i hollë,
Mori rrugen per Stambollë,
Ngrefë mustakun, ksulen n’sŷ,
Të shtatë krajlat si t’kisht’ thye,
E jo mâ nji grusht Shqyptarë,
Ndollë t’pá fis e t’pá kumarë:
Thue, plasë toka i qiti jashtë.
Veç se shka, kishe me dashtë,
Turgut Pashës m’i a shtî në rrashtë,
Se Shqypnija â 'i kashë e lashë:
Me çue 'i kashtë e me t’dalë gjashtë…
Gjergj Fishta