Dedë Gjo' Luli

Kangë e njizetetetët

Të shtatë Krajlat çue janë m’kâmë:
Kah ká rá, medet! kjo gjâmë?
N’at Malcí, n’at Rapshë të Hotit
Dedë Gjo’ Luli, burrë si motit,
Me ‘i çetë Lekë, bisha shkorretit,
Ká nisë pushken m’askjer t’Mbretit!
Dedë Gjo’ Luli, ‘i shpatë e gjallë,
Shtremnon ksulen, del në shkallë,
Bedri Pashës po i çon aj fjalë:
Mirë nenshtrasha, or’ Bedri Pasha!
Amanet jam tue t’a lânë,
Ket fjalë Mbretit me m’i a thânë:
Se me sodjet, êmni i Zotit!
Shka jem’ nipash s’Gjergj Kastriotit
E «Shqyptarë» qi i thomë na vedit,
Mâ duvá nuk i bâjm Mbretit.
E as s’e njofim mâ per Mbret.
Rrash po mbushen pesqind vjet,
Qi na i bâjm atij hysmet
E per tê na thyem rradaket,
Si t’ki’n kênë kto poça Vraket,
Nji të mirë pá pasë prej tí.
Na shkoi moti si â mâ zí:
Ngranë pa ngranë, e kryet m’gershanë,
Bje prej sherrit m’taksirát.
Se aj s’po kisht’ tjeter zanát,
Veç pre e rip, e digj e piq:
Rrxo, rreno, e vendin flligj
Me mehmurë e me agallarë,
Qi ‘i punë kta kurr s’kan sjellë marë;
Veç rrah m’shkop, e vár m’konop:
Vidh, robit, e tokët plaçkit:
Si mo’ Zo’ mâ keq per né,
Qi a ndopak n’Shqypní kem’ lé.
Pasha Zotin: kjoftë levdue!
Edhè kshtu s’mûjm me durue.
Pushken sod un i a kam vû,
Mandej dalët si kjoftë gjikue.

Kshtû tha Deda, e si shterngue,

Veshë e mbathë kishte qillue,
Njet «alltín» në flet t’sylahit
Vên «mauzerren» mbi sup t’krahit,
E me 'i çetë djelmoça mbrapa
Ká marrë rrugen me t’mdhej hapa:
Si njaj plajmi me duhí;
Drejt kah Rapsha edhè u ká prì.
Drejt kah Rapsha, Rapsha e Hotit,
Qi, si heret si n’ditë t’sotit,
Kjo po m’ishte 'i falme agzotit:
Se atŷ vendi t’âsht ndezë zhari,
T’janë herrë krenat porsi bari,
Sa herë Lekët na janë perlá
Grykë per grykë me Turk e Shkjá,
Idhtë tue i bâ shkinat me kjá,
Idhtë tue i bâ me fshâ turkinat,
Kah n’dorë flakë u rrín «martinat».

Kúr janë kapë m'at Brigje t'Hotit:

At herë «Shêjzat» tue prendue:
Dedë Gjo’ Luli, flakë barotit,
Marash Ucit n’derë ká shkue,
Kû i trakllon edhe po i thotë:
Çou, bre Masho! Sod s’âsht ngaja
As me fjetë, besa, as me u kotë;
Pse me Turk kem’ do fjalë t’mdhaja.
Mashi, rát si kishte kanë
Mbí lkurë viçi, â çue mejhera,
E vû krahve ‘i gozhup t’randë,
Jashtë ká dalë trimi ke dera:
Po a me msŷ po do Stambollen
Me kta djelm, ‘or Dedë, mbas veti?
Se, kudo qi këta ndollen,
Atŷ gjâmë muer toka e deti.
Mos më nguc, Masho, me fjalë,
Se merzitshem kam qillue,
Po i a kthen Deda kadalë,
Mashit doren tue i shterngue.
Edhè m’anesh shmangë pak gjâ,
Ulun trimat kan zânë vend;
Bâjn duhan, e at herë nen zâ
Ká nisë Deda e çilë kuvend:
N’at Qafë-Kishë medhun Parija,
Kuvendisht atŷ e pa’n dá,
Burrë per shpí me dalë Malsija
E so’ ‘i javë Turkut me i rá.
Po; por fort mue âsht tue m’u ngjatë,
Edhè mendja m’kapet tel,
Me i rá Turkut shî n’ket natë:
Si, thue ti, puna na del?
Osmanlís me i rá s’asht heret
Kurr, tha Mashi me fjalë të mara,
Mos per deret, per penxheret
Do qitë jashtë aj sa mâ para;
Me t’a thânë pse due edhè ‘i fjalë:
Vetë na, po, e provojm mbi rrashtë,
Se aj n’Shqypní t’ká ngulë, si halë
Qi ngelë n’fyt, e s’zieret jashtë.
Don dajak!.. Mirë se po i bini
Sande askjerit; por nuk dí
Armë me vedi sa mund t’kini?
Shtatë «mauxerre» e kjo «alltí»
Qi kam n’brez, tha Dedë Gjo’ Luli.
Me aq pushkë, thom un, armët askjerit
T’Rapshës u mirren, Marash Uci
I a kthej Dedës. Kastrat, e ‘i herit
Po kumtoj Shkrel e Kelmend,
Gjâs e gjindes me i dhanë shpat,
N’qafa burrat me zanë vend.
M’tani, djelm! se, me nihmë t’Zotit,
Ksaj herë Turkun e kem’ thye.
Zbardhnja faqet gjithkund Hotit!
Briti Mashi, e n’shpí u kthye.
Ç’janë do pushkë n’at Rapshë të Hotit?
Dedë Gjo’ Luli, si i u lut Zotit,
Sod prej nadjet, pa zbardhë drita,
Me ‘izet djelm, po, ‘izet petrita:
Sŷnin gacë, zêmren duhí,
N’shtatë «mauxerre» e në nji «alltí»:
M’askjer t’Mbretit ká sulmue,
N’dŷ «kausha» kta ngujue:
T’njehun rrafsh gjatdhetë «nizamë».
Fusha e Rapshës se ç’ká marrë gjamë;
Veleçiku fort ká ushtue,
Shtatë «mauxerret» rrebtë tue vlue,
Kurr pa prâ, kurr pa pushue:
Thue ‘i taborr po ká qillue!
Se me djelm qi ká mbas veti
Dedë Gjo’ Luli, kaçabeti,
S’i ká Krajli, s’i ká Mbreti,
S’i ká toka, s’i ká deti:
Mjaft me thânë Kolë Marash Vata,
Qi, si plajmi me shtergata,
Me at Prêlë Kerin kaq t’kan msŷ
M’dŷ «kaushat» n’askjer ndrŷ,
Thue janë çerdhe cilikokesh:
Ke aspak gjygjin s’i a bâjn kokes.
Kaq kje vrrima, po, e uturima,
Kaq vikama edhè piskama,
Kúr t’janë lshue Lekët e Malcís
Mbí atà t’shkretët «nizamë» t’Turkís,
N’ato kulla kthelltë ngujue:
Dy tue vrá, dy tue shitue:
Sa qi t’mjerët zêmra i ká lshue
‘Dhe malcorve n’dorë u rane,
Me gjith armë e xhehehane.
Mbasì ‘i herë rane në dorë,
Atŷ prî u kan dy malcorë,
E shtek m’shtek e koder m’koder,
I percollen me kthye n’Shkoder.
Nji ç’do burrë, qi din shk’â ndera,
Hasmi armët mbasì t’i hjekë,
Faqe t’zezë aj çon te dera,
Po guzoi m’tê mâ me prekë,
Mbas kanûs s’Lekë Dukagjinit.
Porsì kúr naten e Sh’Gjinit
Flakadanet shkojn tue kallë
Jo p’r ‘iherë, por kû mâ rrallë,
Kû mâ shpesh e dorë mbas dore
Atŷ-ktû neper terthore :
Kshtu, si zhiri u bânë nji herë
Dŷ « kaushat » n’ Rapshë të blerë,
Shì n’ e nesre e pushkë pa shtî,
Gjith « kaushat » në Malcí,
Urë kufinit me Mal t’ Zí ;
Kû mâ t’ vogla e kû mâ t’ mdhá :
Nji mbas njij në dorë kan rá.
Mandej Grudës i a dhânka Zoti
Prej Deçiqit turqt me i dbue;
Krevenicen e muer Hoti;
Hyqameti n’ Tuz u rrxue.
Rrethue at herë t’ a kan « nizamin »,
N’ Shipshanik qi kisht’ ngujue,
Si edhè askjerin, qi «istiqamin»,
N’ Dushkakuq kisht’ pasë ndertue :
E s’ lanë zog ajrit me dalë,
Jo mâ turk me kalue gjallë.
Kshtu, p’r ‘i herë, u zhduk Turkija
Q’ merr prej Tuzit te Gusija :
Me pushkë n’ faqe e dboi Malcija.

Bedri Pasha, kúr ká ndî
Se ç’ po bâte ajo Malcí,
Per lirí e per Shqypní,
Fort â mbushë aj me mëní,
Grushta krés, besa tue i rá,
Askjer n’ Shkoder ke s’ po ká,
Fesatin n’ Malcí me dá.
Thrret mishlizin, bâjn shurá :
Si t’ i a bâjm e tek t’ i a bâjm ?
Kah të çajm e kah t’i a mbajm?
Se Malcija âsht çue lugat
Me dalë neser m’Rozafat:
Edhè ktu, po, n’kalá t’Shkoders,
Tue i rá surles edhè loders,
N’sŷ t’Europës e t’marë njerzís,
Me ngrefë flamrin e Shqypnís:
Shqypnín m’e qitë zojë m’veti,
Qi mâ kurr m’tê me urdhnue Mbreti:
Se lê Pashë e veqilade,
Lê mehmurë e kallavrade,
Qi m’konop tash po t’i vjerrin,
Njashtû si per kamet berrin!
Hollë e gjatë si janë mendue,
Si kan folë e bisedue,
Se si punës me i a bâ hallin,
S’mbrami t’gjith e kan pleqnue,
Me nji herë me qitë tellallin:
Qi, shk’â turk, me dalë n’Koplik,
Pse po isht’ nji i madh rrezik:
Shqypnijet me u dbue Turkija:
Shtet m’vedi me u ngrefë Shqypnija!
N’at mbasdite n’ « iqindí »
Thrret « tellalli » saká n’krye:
Kush âsht turk bashibuzuk,
Me njeshë armët e n’luftë me dalë,
Malcís hovin me i a ndalë;
Persè dini a në rrezik,
Ke s’po ká Shkodra « nizamë »
Kshtu tellalli. Trup në kamë
I a kan bâ nja dŷ mij vetë,
Muamedan, e pa marrë dielli,
Vrap: thue kamve u kan vû fletë:
Per báll t’luftës janë nisun filli.

Ç’po shkojn Turqit tue vikatë!
Tue vikatë, tue u hallakatë!
Kan dalë m’suka të Moksetit,
Kan pushtue Drume e Deçiq:
Mirë kan ngrefë topat e Mbretit:
Me hjedhë gjylet m’Bukoviq!
N’at Dinoshë na janë ngujue;
Kan ngrefë «tabe» edhè «istaqame»
«Maje krahit» tue këndue,
Tue prî vallet per gjith mbrame.

Shka ká thânë njaj Dedë Gjo’ Luli,
M’kep t’njij shkami dalë s’kundruelli:
Hajde, hajde, o morì Shkoder!
Se na njifna prej q’kah motit;
Se me surle edhè me loder,
S’shtron Malcî ti, manà t’Zotit.
Na â rreshkë shtati n’flakë t’barotit,
Tuj u grî na e tuj u vrá
Herë me Turk e herë me Shkjá.
Kqyr, t’mos bijsh nper né n’belá;
Se né hajrin s’na ká pá,
Veç kush n’shpí per mik na rá,
Kshtû tha Deda m’at rragam.
Edhè pushka bâni «bam».

Falë i kjofshin t’Madhit Zot!
Kúr janë lshue Grudë edhè Hot
N’at Dinoshë m’bashibuzukë,
Ç’ká ushtue mal e ç’â trandë sukë,
Edhè toka ç’t’ká bumllue:
Kaq permnershem t’janë perlá,
Si me u grî Turku me Shkjá:
Jo mâ t’ gjith Shqyptár—nji vllá!
Shoq me shoq miq e kumarë,
T’ gjith bujarë, t’ gjith pushkatarë,
Kundra Shkjaut qi sa e sa herë
Krah per krah kan rrâ n’ poterë,
E s’bashku kan derdhun gjak,
Tuj u grî me Karadak.
Perzet-a, t’ dy krahët na thashin
Né Shqyptarve: «turq» na thaçin,
«Ortodoks» ase të «kshtênë»:
Msue gjithmonë qi kemi kênë
A me thye per t’huej’n rradaket:
Edhè hor, pa farë nafaket:
Ase, neper sherr të tí,
Ndermjet vedit na me u grî!..
Sido kjoftë, por turqt shkodranë
At ditë thye kjenë në Dinoshë:
Disá u vrán, do rob kjenë zanë,
Hiken tjerët në gjak perloshë.
Veç nder suka të Moksetit
Fort mâ shum zianë âsht bâ
Kû mbí turq kû m’askjer t’ Mbretit,
Qi n’ Malcí jyrish kin rrâ;
Rreth e okolle pse atij shpati
Msŷ kan Hot, Shkrel e Kastrat,
Edhè lufta, manà, ngjati
Rrash tridhetë e gjashtë sahat.
S’ mbrami turqit kjene thye
E m’ Rrasë-Fik shkuen me zatetë,
Tue lânë dekun krye më krye
Kund njiqind e pêsdhetë vetë.
Si ‘i lavë ujqsh, qi mardha e ûja
T’a ketë lodhë atjè në Shndré,
Kndej lshon m’dhên, andej bjen m’ftuja,
Ktû tue shkye, atjè tue pré:
Kshtu, nji herë mbasì u a dha Zoti
Me u a shperthye turqve «istiqamin»
Gruda, shlligë, e gjarpen Hoti,
Mbí Deçiq t’kan msŷ nizamin.
U ká prî Nikë Gjelosh Luli:
Vesh e m’vesh mustaku i tí:
Qi veç pá t’a kish’ s’kundruelli,
Se edhè shum do tutë t’kisht’ shtî.
Njitë mbas tij vjen njaj Mark Gjeka,
Trimi n’zâ Pjeter Nikë Daku,
Maço Grizhi e Lulash Zeka,
Qi, kû ndodhne, atjè rrmej gjaku.
M’mitraljoz ç’t’i a dha atŷ askjeri,
Ç’t’i a dha m’pushkë bashibuzuku,
Rrfé kúr msŷ ká njaj Zef Peri,
Prelë Kolë Shyti e Mirot Çuku:
Burrë i fortë Pjeter Gjokë Toshi,
Lucë Prêlë Nishku e Gjelosh Gjoka,
Prelot Keqi e aj Ujkë Gjeloshi,
Dedë Gjon Ujka e Marash Doka:
Burra lé per çark t’«martinës»,
Fjalen fjalë, besen çelikut,
Ballë per ballë e jo mbas shpinës
Msue me i rá në luftë anmikut.
Nikë Gjeloshi m’nja tue msŷ,
N’nja tue u njitë malit perpjeta,
N’llogor t’turqvet mbrendë ká kcye,
Si kulshedra bjen nder kneta.
Lum per Tý, o i Lumi Zot,
Se ç’kà krisun m’at Deçiq,
Idhtë tue u grî turq, Grudë e Hot,
M’pushkë, m’singija edhè me klli ç!
Kamë per kamë por me malcorë,
M’ Deçiq rrâ ká ‘i djalë i rí:
Qaj Hilë Mosi, pushken n’dorë,
N’parsme flamrin « kuq e zí ».
Se ky Hila, djalë shkodranë,
Per lirí të ksajë Shqypnije:
Mbathë a dathë, ngranë e pa ngranë:
T’rít e jeten bâ kisht’ flije.
Gjindja ashtû sa i’n tue u coptue,
Tuj u bâ atà paçariz,
Âsht turrë djali e t’ká flakrue,
Porsì gjarpen, mu n’mjedis;
E tue i dhânë aj zjarm «alltís»
M’nji «manov» vjellun nga Azija,
Zhvillon flamrin e Shqypnís
E vrret t’madhe: Rrnoftë Shqypnija!
N’at zâ turqt u vûnë me hikë,
Pêsdhetë i’vramë tue lanë mbi dhé,
Djelm të zgiedhun pikë e pikë:
Per t’shituem pse pvetë nuk ké.
Ofshe i mjeri! por ká mbetë
Vetë i shtatti Nikë Gjelosh
Luli, trim si aj mos me u gjetë,
Marë Shqypnín ti n’e kerkosh.
At herë n’qiell prej Veleçikut
Tue lé dielli me madhní,
Dishka ushton drejt Shipshanikut:
Shka do t’jetë un kish’ t’a dij?
Tue vozitë naten pa hanë,
Diku atjè në Samoborr:
M’ breg t’liqênit per n’m’ at anë:
Paska zbritun nji taborr:
Rrash nji mij dyqind nizamë,
N’ «peksimet» e n’armë mberthye;
Djelm me bré hekur me dhâmë:
Edhè fíll na paskan msŷ:
Njani mbathë e tjetri dathë:
N’ Shipshanik atà me shkue
N’ nihmë do askjerit, qì si n’vathë
Berret, mbetë kishin rrethue.
Porsì lshojn orlat m’stervinë,
Hot e Grudë, lshue fulikare,
T’ i kan rá nizamit m’shpinë,
Tue i dhânë hiken n’p’r ato qare.
Bedri Pasha, vall, shka ká,
Qi rri e ndukë mjekrren pa dá?
Gjithky idhnim kah thue i ká rá?
Kajmekami i Lezhës âsht vrá!
Pushkë e top n’ Malcí tue vlue,
Kajmekami kênka çue,
Në Breg t’Matës aj per me shkue:
Me ‘i taborr nizamë rrethue,
Ngarkue mushkat n’ xhebehane,
N’ « peksimet » e n’ « karramane »;
Edhè dalka n’ p’r ato kneta,
Per me mledhë xhelep e t’dheta,
Bregut t’ Matës e dér m’ Patok,
Pa dhânë vade afat a orok.
Deda i Cokut, kúr ká ndîe
Se prej Lezhjet kaluer atit,
Kajmekami vjen me ushtrí,
Grue e fmij ká qitë aj shpatit,
E me shokë e me « komitë »:
Pika e djalit kû isht’ qillue:
Ka vojtë trimi e zanë në pritë;
Mirë kû n’armë atà shterngue,
Kan dhânë fjalen, janë betue,
Pushken Turkut me i a vû,
Prej Shqypnís Turkun me dbue.
Ç’po shkon ati tue hingllue,
Qafen kuk, bishtin ngerthye,
Shkumë e verdhë nper gojë tue i shkue,
« Shah » tue u hjedhë e tue këcye:
Bardh trí kamët, në ballë « nishan »;
Kajmekami pin duhan:
Sŷ’n murtat, menden hajvan:
Para e mrapa ushtrín karvan:
Ngarkuet mushkat varg permbrapa,
Vithet mal, shkojn hapa hapa.
Kúr janë kapun n’nji shêj vendit,
Dikû andej per ballë Zejmenit,
Bregut t’Matës teposhtë tue shkue,
Prej pusís, kû isht’ kênë ngujue,
T’madhe Deda i bzân askjerit:
Kushdo jush « Shqyptár » ká ndollë,
T’shmanget m’anesh me nji herit;
Pse luftë kem’ veç me Stambollë.
Edhè pushkët krisen batare.
Kajmekami u vrá pikë s’parit,
E rá dekun n’do zhavare:
Kurr mâ n’mend me i rá qyqarit,
Me lypë t’dheta neper Tale,
Se atà Lekët po i’n fort havale…
Fort u ndez lufta m’at hera,
Shum u dha zhurma e potera,
Shungullue ç’ká bregu i detit
Kúr malcorët msŷn m’askjer t’Mbretit,
Si ato bishat e shkorretit!
Mbe’n nizamët e ngratë gardhiqeve,
Mbe’n, po, knetave e hendiqeve,
Vrap kah prroskave edhè shtiqeve
I’n vû m’t’hikun poshtë perpjeta,
N’zí tue pshtjellë nanat e veta.
At herë mushkat plaçkë u bâne
Randë ngarkue me xhebehane,
N’peksimet e n’karramane.
Shum u bâ por m’turq zijani,
Llesh Nikë Daka, pehlivani,
Kúr, ngujue n’mjedis t’aljerit,
Nisi pushken kundra askjerit!
Jo, po: mirë m’i ká pague
Nji búlk t’ve’n, kunatë e bí,
Qi nizami a vrá a shitue
I a pat Lleshit mu në shpí.
N’at luftim rane dishmorë
Per Shqypní nandmdhetë malcorë;
Prej nizamësh m’aljer të thatë
Mbe’n njiqind tetdheteshtatë.
Por, medet e treqind halle!
Punë m’e kjá me lot Shqypnija!
Se nizamit, mbetë në Tale,
U a muer gjakun n’Durrës « jallija ».
Kta malcorët e Bregut t’Matës,
Per mbas Dedës e Llesh Nikë Dakës,
Kênkan nisë per muzgut t’natës,
Poshtë n’at Durrës atà me rá,
Per t’dbuem Turkun, e m’kalá:
Si lidhë besë ki’n me «jallí»:
Me ngrefë flamrin «kuq e zí».
Por n’at Rrushkull si kan mrrî,
Atŷ rá kan në pusí:
Isht’ kênë çue «jallija» m’kamë,
Me t’cillt besë ki’n lidhë e fé,
E bâ bashkë me turq nizamë,
Per mbas vedi atŷ i ká pré.
Po, «jallija», n’besë e n’fé,
Ofshe! at ditë preu malcorët udhës,
Per t’a lânë prap Turkun n’Durrës!
Per lirí të ksajë Shqypnije
At ditë vedin bâne flije:
Kolec Marku, shqype malit,
Njaj Gjokë Doda, pika e djalit:
Zef Harapi, bylbyl Shkodrë,
Mirë pa rritë qi shtatin n’votrë,
Rroki armët e per Atdhé
Mik mbas vedi rrugës u pré:
Prêlë Delija, trim rrfé:
Njaj Tomë Gjugji e Mark Prengë Dudi,
Preng Nkollë Gjeçi e Mark Per Zefi,
Me të cillt Gjekë Marash Haka,
Pehlivana t’fortë si Zana:
Trim mbí trima Llesh Nik Daka
Si kulshedra me shtatë krena,
Qi turfllon neper bodëna.

Ky Llesh Nika shitue randë
Me trí plume anë per anë,
Shokve t’ vet aj m’ u ká thânë,
Kryet m’ «mauzerre» e shta’n per tokë:
Amanet, o morè shokë!
Me m’ a xjerrë ju ktû nji vig,
E n’ kishë t’ Fretenvet në Rrbig
Ju me m’ bartë e afjè me m’ çue:
Due me u rrfye, due me u vojue:
N’ hije t’ kishës due me u vorrue.
E kan bartë e atje e kan çue.
Pater Pali ç’ âsht mjerue!
Me dorë ballit ç’ i ká rá:
E po thotë gati tue kjá:
Oj Shqypní, e mjera Shqypní,
Mjaft po drue, se me krye n’ hî
Per gjithmonë per t’ mbetun ké,
N’ prêhen t’ and q’ se mûjn me lé
Ksi gjarpîjsh, qi, besë e fé
Lânë mbas dore, me trathtí
Mund t’ bâjn m’ vllazen kshtu kerdí,
Veç per t’ lânë të huj’n n’ Shqypní:
Në Shqypní Turkun me lânë,
Qi, q’ se jeta e sheklli âsht zânë,
S’ ká bâ tjeter veç rrenue,
Prishë, e çartë e rrotullue
N’ ujë t’ pa fund, këtu e gjithkund.
At herë mjekun i a ká prû
Larg prej Dibret, me e sherue
Por jetë-shkurtë Lleshi isht’ qillue,
E si u rrfye edhè u ligjue,
Atŷ trimi ká marue.
Kúr ká dekë e ká marue,
I kshtênë, po, e nip Skanderbeut,
Dalë ká atŷ fisnikja e dheut:
Me dorë ballin ç’ po i a lmon,
Hollë e giatë se ç’ po e vajton:
T’ janë mledhë miqt prej s’ dij se khahit:
Pse m’ rri shtrî si drû prej ahit?
Çou nji herë, per me ligjrue;
Çou, djelmnín per m’ e trimnue!
Folja ‘i fjalë babës Nikë t’motnue.
Ty nuk t’ trêmi gjylja e topit,
Nuk t’ ligshtoi duhmja e barotit,
Kúr mbí turq msyne rrfé motit;
Por, kúr ndeshe në t’ue vllazen,
Shum bataren mbí tŷ shprazen:
Atà s’ t’ vrán, por zemren t’ plasen!
Dýsh tŷ zemren t’ a coptuen:
Vllá tue t’ pasun, të trathtuen!
At herë trimin e vorruene.
E vorruen m’ at maje krepit
Kû «komita», lodhë gazepit
T’ Shkjaut a t’ Turkut, gjêjshin mproje,
Strehë, pushim, e prap ndoj koje
Bukë e zemer; e kû Frati
Të varruemve u rrite gati,
Varrët tue u a lá edhè tue u a ndrrue:
Krént me kshille tue i drejtue.
Persè, ç’ merr prej Sallsatikut
E del m’ Sh’ Mark, n’ Kuvend të Rrbigut
E ki’n strofllin t’ gjith njatà,
Qi me puplë a me pushkë m’ krah,
T’ kshtênë a turq, ishin betue,
Jashtë Shqypnís Turkun m’ e dbue:
Kthellë, Mirditë, Kurbin e Krue,
Me Zhubë t’Lezhës e me Zadrimë:
Me Zadrimë, qi me marrë frymë
S’e la Turku; gjithmonë «rajë»,
Persè e kshtênë, e qi në váj
Moti i shkon; por qi n’ditë t’sotit,
Qi po lypet me ngrefë krye
Kundra Turkut, e me msye
Me armë n’dorë, Krén e të Parë
Të Zadrimës, sa kjenë gjith marë,
Kan lânë shpijat me hambarë:
Kan lânë kualt atà me shalë:
Shekat plot, kotecat plot:
Drithtë në arë të bâm me u pré:
Burgun ding me lopë e qé:
Dhên e dhí, e lesh e lî:
Qitu buken n’mal « komitës »
Struki n’shpija zhegut t’ditës,
Edhè n’mal « komitë » kan dalë:
Kush me djalë, kush me mahallë:
Ká rá n’mal, po, Mati Gjoka,
Prenkë Matija, i shpís s’Milotit,
Qaj Zef Prêçi e qaj Lekë Ndoka:
Gjo’ Ndue Vokrri, burrë si motit,
Marka Tuku, uk shkorretit:
Mark Pashuku e Shtjef’ Haberi
Qaj Kin Ndoci e Gjokë Dodë Goshi
Gjoka i Tukut e Ndrecë Leci,
Qi n’Hajmel, Rroboshtë, Kallmet
Shum m’askjer bân do adalet.
Nderkaq n’Shkoder i a ká befun
Turgut Pasha, ‘i xhemjetlí,
Me shtatdhetë taborre t’njefun;
E si mrrini nji herë n’ Shkoder,
Bujrí tue kersitë e loder,
Fjalë malcorve aj u ká çue:
Krye pêsë ditsh, si t’ shkojn pêsë dit,
Me rá n’ Shkoder, me u dorzue
Me gjith armë; ase « gjilit »
M’ shpinë me askjer do t’u kisht’ hypë,
Hundë e buzë m’ grushta me u shtypë,
Me u zhbî trollin me temel
M’ «carâ t’ voters» dér në stel,
Mos me u kndue mâ as pulë as gjel,
E atà vetë me i vjerrë m’ çengel.
Kúr kan ndie Krént e Malcís
Per lirí qi të Shqypnís
I a ki’n vû pushken Turkís:
Dedë Gjo’ Luli, kuvendtar,
Sokol Baci, mendeqar,
Mirash Luca pushkatar,
Mehmet Shpendi, bishë dervendi;
Frano Pali e Mirash Pali,
Si dŷ plume n’ « xheverdare »,
Me at Tomë Niken, harushë mali:
Qaj Lukë Marku, rrfé zhgjetare,
Me at Islamin Makalushi:
Prej Shkodranësh, Luigj Gurakuqi:
Edhè trimat janë bashkue,
E ashtû m’kamë e pa e ngjatë tortë,
Fjalë Turgutit kshtu i kan çue:
Perzè, Pashë, boll burrë i fortë
Mbahe e jé; veç shka se na
Kurrkund, besa, s’ e kem’ n’ mend
Me rá n’ godi me tŷ. Na
S’ thomë, si ‘i palë, prap në ket vend
Me ndêjë Turku; veç, si na
Qi t’kem’ qéf, me sundue aj.
Ajo fjalë s’ â gjâ, jo. Na
Duem qi Turku t’ hiqet kndej,
E n’Shqypní t’ jesim veç na
Per me mûjtë, kshtû, mbasandej,
Në Shqypní me sundue na,
Gjithsesì t’ kem’ qefin na.
Prandej, Pashë, der sa qi ti
Mos t’ thejsh zverkun prej ktij vend,
Godi s’ ká jo, ndermjet nesh,
Me shoshojn pa u bâ na pshesh;
Pse na t’ njofim kush jé ti.
Turgut Pasha fort â idhnue:
M’ kamë ushtrín aj e ká çue,
Malcís m’ shpinë ‘dhe i a ká lshue:
Njanin krah drejt Veleçikut,
Tjetrin nisë prej Shipshanikut.
Si tallazi, qi, tanë shkumë,
Vjen plandoset per ndoj gumë,
E me ushtimë e me furí
I dyndë skllafat per ajrí:
Njikshtu atbotë ushtria e Turkís
T’ i u rras mbrendë ajo Malcís,
Pushkë e top tue bumbullue,
Mendt e krés me t’ u trenue.
Ah! kadalë, bre Dedë Gjo’ Luli,
Se njikjo âsht duhmja e Dauletit,
E njikjo âsht dita e kjahmetit,
Mâje mos me i pá ti vedit.
Po a nuk ndien? a s’ shef me sŷ
Sa nizami, korb i zí,
Per gjith anësh tý të ka msŷ?
Se kjo s’âsht ushtrija e Shkjaut,
Por e Mbretit të Stambolles:
Qi veç n’hîsh ti n’bryne t’kaut,
Perse ndryshe hallin kokes,
Manà pra, si i a bân nuk ké.
Turgut Pasha ka bâ bé,
Me të djegë me gúr e dhé:
Fort ká vrâ ato vetlla t’trasha!
Hajde, hajde, ‘or’ Turgut Pasha!
Se me nihmë të Perendís,
Të kam xjerrë, bre, prej Malcís…
Prej Malcís edhè Shqypnís!
S’ká me thanë tash ktû fjalë boshe,
Per shka don me bâ adalet:
S’trêmet ujku, jo, prej, shoshe!
Mshoj, perzet, sa t’keshë kyvet;
Pse edh’ âsht kjo mâ e mbramja e herë,
Qi po t’bje me u pré e me u therë
Me Shqyptarë njimend Shqyptarë,
Qi mohue s’kan fis as t’Parë;
E qi m’tý, besa, lum Pasha,
Kan me xjerrë do dredha t’trasha:
Palè, at herë, ku t’qet neshtrasha.
Msŷni Turku me furí,
Lshoi Malcija me trimní,
E ka’ u ndeshen me mëní,
Veleçiku, thue, u turshî:
Kaq me t’madhe nji uturimë,
Kaq me rrpame e me zhaurrimë
Turr m’shoshojn qi kan sulmue,
Ushtimë pushka atŷ tue vlue,
Kobshim topi tue bumbllue,
Edhe gjindja tue sharrue:
Tue sharrue per t’madh gazep,
Kush mbí curr e kush nen krep:
Njani fushës e tjetri shpatit,
Rreshkë per shûjtë e rreshkë per ujë:
Çurril gjaku shkoju shtatit,
Kush fjalë t’ambel mos u thuej!
Aloberta flakë e zhig,
Tranden shtojet kah Vitoja;
Suka e Napllit të tanë nig,
Veleçiku ushton e Broja.
Ká marrë gjamë larg Bukoviqi,
Tym e njegull mâja e Qurkut,
Tue msŷ Turku kah Deçiqi,
Marrë aj turrin prej Kalturkut.
Prêlë Nikë Prêtashi prej Kushet
Fort po bân, trimi, gajret;
Qaj Zef Peri, ‘i drang harushet,
Se ç’po qet, sa mirë i a njet:
Sa mirë, trimi, krés i a njiti
Atí yzbashit Saladinit:
Tamth e m’tamth plumen i a qiti
E e la shakull prroskës s’njij vrrinit.
Shka ká thânë Pjeter Nikë Daku:
Mirë e pat qaj Sinan Aja:
Dy çurrilash po i shkon gjaku:
Se kthen n’shpí, s’e mban mâ uzdaja;
Qaj Prêlë Keri, me trí zêmra,
Shkon e vjen porsì duhija;
Se atij lak nuk i bân thêmra
As ndër plume as ndër «singija».
Si ‘i kulsheder dalë prej detit,
Maça Grizhi t’madhe bzâni:
Bini, djelm, m’askjer të Mbretit,
Se ká mbetë, ofshe! Dokë Lani.
Qaj Kolë Zefi, e forta skile:
Me sa gjarpnit s’i a dán gjurmen:
Me Kolë Kurtin zanë m’Bratile,
Ç’po e perzíjn n’askjer aj turmen;
Ke pa dhimë nizamët po i vret
E i lshon rreges dujë e dujë:
Me bâ turket shum medet,
Ke u mbe’n burrat n’dhé të huej.
Ç’ká qi rreh topi e gopedra
N’at Qafë-Ùngrej, zjarr’ pa e ndalë?
Gjet’ Mark Ujka, si kulshedra,
Thonë ká msŷ atŷ me gjith djalë.
Mbaja mirë, topçija i Mbretit!
Ké verbue? as s’shef me sŷ
Ç’po bâhet m’askjer t’Dauletit,
Tash qi Gjetja andej ká msŷ?
Si nji búlk, qi, gjetë n’hambar
Nji frotë mîjsh, kapë n’dorë nji shkop
E me të, ashtû pa kandar
Tue sjellë m’mîj, t’i bân aj skllop:
Gjeto Marku me të birin
Kshtû po i lshon «manovët» per dhé,
Pa i a kqyrë kurrnjanit hirin,
Veç qit m’ta porsì m’shkerbé.
Por, rrezik! se ‘i nishanxhí
Po kisht’ kênë, besa, topçiu;
Pse, vû topin m’terezí,
Me gjith t’bir’ dikúr e mshiu.
Ç’ t’ ká lshue at herë Gjon Ujk Miculi,
Lulash Zeka e qaj Stakë Breci,
Lik Mirashi e Gjokë Dedë Luli,
Gjon Ujk Çeku, e Kolë Gjo’ Leci;
Lucë Gjeloshi, ‘i bishë prej mali,
Dasha Nika e Pjeter Uci,
Smajl Mustafa e Sokol Mali,
Gjokë Dedë Luli, e Gjo’ Nik Plluci:
Edhè trimat, tue u berlykë,
Si atà dêmat neper djerre,
T’ flakruen m’ turq e grykë per grykë
I a kan dhânë atŷ m’ «mauzerre».
Ilerì! vrret komandari,
Edhè turqit fulikare
Msŷnë m’ shqyptarë, e aty at herë, zhari
Ndezë, «mauzerret» vlojn batare.
M’ Samoborr e në Zagore
Të tanë vendi â ‘i gropë gelqere;
Gjimon mal, ushton terthore,
Shungullojn gryka e humnere.
Fort po rreh topi e havani,
Edhè gjylja derdhun breshen
Dikû andejna kah Drogani,
Tash qi turqt m’ malsorë u ndeshen.
Et-hem Pasha prej Gusîjet
Merr e msŷn me askjer Kelmendin,
Nsa Turguti atje prej Spîjet
Flakadâ po e kallë t’tanë vendin.
Tymi dyndet rê n’ ajrí,
Shamen trojet me temel;
Kahdo bjen duhmani i tij,
Atŷ s’kndon mâ as pulë as gjel.
Shtŷhen para turqt kamë kamë,
Pushtojn vend ka pak ka pak:
Por tue e shtrue vendin n’nizamë,
Pllamë per pllamë por tue e lá n’gjak.
N’ mend habitun kqyrë Europa
Si njikjo Malcia mixorre
Veç me 'i pushkë, pa shûjtë pa topa,
Mazull mban shtatdhetë taborre?!

Pjesa e radhës
Lufta e Balkanit