Lufta e Balkanit

Kangë e njizetenandët

Franc Jozefi n’ divanhane:
Padishah, pásh jeten t’ ande,
Mos me t’ keq me i marrë Shqyptarët,
Mos me u lshue m’ qafë Pashallarët,
Qi me i prishë e kshtû me i çartë,
Si tash s’ voni i a ké hî
N’ at të mjeren moj Malcí:
Se, manà, kta po i’n do njerz,
Qi po i more teper terz:
Me shka m’ dán neshtrasha mue:
S’ kan me u pritë, jo, pa t’ trazue,
Pa t’ i qitë do t’ çame krejet.
Se ti kta dije prej mejet,
Fort per hajr, ndoshta, si ké,
E mâ lirë i shet se i blé:
Se as per hajr, drue, nuk kan lé;
Veç se, besa, sa per sherr
S’ ké per t’ gjetë kund fis mâ derr,
Mâ kryekcyem e mâ belá,
Qi, ‘i grusht gjind e fukará,
Fytafyt kta me u perlá
N’ daç me Krajl e n’ daç me Mbret,
Si t’ u kcejë aj zekthi i vet.
Këta sod lypin lirín,
Lypin t’ lirë me pasë Shqypnín,
E krejt m’ vedi me u sundue,
T’ huej’t mbas sodit jo m’ i u shtrue,
Pagë as t’dheta me i pague,
E s’kan faj; pse tash sa mot,
T’thuesh, Shqyptarët lshue i ké pa zot;
E lshue u ké ti m’qafë xhahilat,
N’krye t’vendit vû u ké katilat,
E as per t’mjeren moj Shqypní,
Qi nder lufta per tý asht shkrì,
Turk e i kshtênë, po, gjâ ndertue
S’ké dér m’sod; veç se rrenue,
Djegë e pjekë edhè shkretnue,
Me i u dhimtun minit n’múr
E atij gjarpnit per nen gúr.
Prandej vetë kishe me thânë,
Se s’bân keq lirín me u a dhânë:
Âsht mâ mirë me i pasun miq
E të lirë, se rob e anmiq;
Pse dishka edhè jam tue drashtë,
Se kta 'i ditë kan me t’u dashtë
Në mos sod sugure mot:
Dishka ndiej era barot…
Padishahi n’at harem:
T’u ngjatët jeta, 'or miku i êm,
Se, manà, mirë jé kah thue:
Ashtû m’dán puna edhe mue.
Veç â 'i hall, 'or t’u ngjatët jeta,
Se n’Shqypní, të thuejsh, dý t’treta,
Të hális janë muamedan;
E prandej kjo punë nuk bân.
Pse edhè as «dini» nuk e ep,
Per pa pasë nji t’madh gazep,
Nji zalldan, nji farë sikletit,
Me u shkepë turku ylqet t’Mretit
E me u ngrefë aj davlet m’vedi.
Me gjith kta vedimevedi,
Mirë t’u matë e per kadalë,
Do t’a bâj pleqní ket fjalë,
Palè 'i herë si mund t’na dalë;
Se me u ngutë s’e kam zanát.

Sa rrin Mbreti tuj u matë,

Tuj u matë e tuj u shmatë,
N’at harem aj tue gerhatë:
Si tash s’voni e ká zanát:
Fjala Carit ká shkue n’vesh;
Edhè besa, ky hundlesh
Nji as dý nuk i a ká bâ,
Por t’âsht ngrefë si katallâ,
E u ká bzâ shkjeve t’Balkanit:
Sod a kurr me i rá Sulltanit!
Sod a kurr turkut me i rá,
Turk e Shkjá sod me u perlá;
Se per ndryshe jue Shqypnija
E per rreth Maçedonija,
Me sa turku ká terthore
Ktû n’Europë, kan me u dalë dore.
Krajli i Nemces, nji kryetollë:
Nji kryetollë, por mendehollë
Ká çue fjalë Mbretit n’Stambollë,
Shqyptarve me u dhânë lirín,
Zojë m’veti me qitë Shqypnín.
E po duel Shqypnija m’veti
Atjè n’Beçë si po ishte njeti,
At herë ju, të gjith si jini
N’at Balkan, per t’ngelun kini
Me ka ‘i ngordhe n’dorë, e mue
Hije t’zezë kini me m’ lshue.
Me ndollë puna qi n’ndo’i fshat
Epet zâni, se nper shpat
A se n’fushë nper ndo’i gajush
Derr të eger ká pá kush,
Trup në kamë çohen fshatarët,
Rrokun armët, ndjellin zagarët,
E shoshojt tue lshue kta zâ,
Turr e vrap atjè per t’rrâ
Kan, me brimë e me haré,
Kah t’jét dukë ajo shkerbé:
Kshtû Balkanasit atbotë,
Ndermjet vedi lidhë kta frotë,
Rrezga-bjezga m’ kamë janë çue,
Kan njeshë armët e janë shterngue:
Kan ngrefë top e mitraljoz,
Kan hjekë korsull e bajloz,
Ndermjetsí as peng nuk priten,
Veç se luftë Turkut i qiten.
Por as Turku nuk ndêj fjetë,
Me duer m’í, me sŷ perpjetë,
Se aj per luftë po isht’ taravol;
Prandej erdh e t’u shpervol,
Mlodh nizamin n’Anadoll,
Bashkoi Llapë, bashkoi Harapë.
Toskë, Çerkez, e lkurazez:
Mrefi qordë, mrefi tagan,
E t’i qiti n’log t’mejdanit
Per ballë Mbretenve t’Balkanit.
Manà t’Zotit, morè vllá,
Po t’kisht’ qitë shteku me pá
Se si ndeshë janë Turk e Shkjá,
Turk e Shkjá, si janë perlá:
Katallâ e malukat
Idhtë m’shoshoqin çue lugat
T’ishte dridhë, po, kmisha m’shtat!
Kah rreh topi shpat e m’shpat,
Kah vlon pushkë e mitraljoz
Ashtû ushtimë e vijanos:
E kamsí, e kalorí
Turr kah lshohet me furí,
Kush me shpatë kush me singí,
Tue vikatë, tue hallakatë,
Turk e Shkjá si e kan zanát,
Marë Balkani ndezë â flakë,
Gjaku i nierit derdhet brrakë:
Tym e pluhen dynden njegull,
Nen kamë toka lkundet shrregull,
Thue po shamen qiell e dhé.
Me t’ardhë keq, po, se ké lé!
Njani hapu, tjetri zmbrapu,
Shkjavi msŷj, e Turku shtŷj:
Shtŷju, msŷju, nzitu, lvitu,
Nzitu e lvitu, e kacafitu,
Kacafitu Turk e Shkjá,
Fytafyt tuj u perlá,
Tuj u grî, m’dhamë tuj u shkye,
Shoq më shoq lamsh kaperthye,
Si ato bollat neper ferra:
A si atà derrat me derra,
Qi dermishen, e shkelvishen,
Tue i a dhânë m’turîj e m’dhâmë,
Kerleshë kreshten gjatë nji pllamë,
Mneret nieri me u ngrî m’kamë.
Ashtû lufta idhtë tue vlue,
Qaj Bulgari fort na u idhnue,
Dhamë e tmallë ç’i ká kercnue,
Se edhè t’madhe aj ç’ká ulrue:
Hâni! burra, per n’Stambollë!
Trima, mrendë! Me dorë! Me dorë!
E si ‘i shkam, qi shkrepë prej s’naltit
Të nji majes s’gristë s’ndo’i malit,
Me zhaurrimë, e shungullimë
Poshtë rrmores shamet turr,
E pod m’pod, e curr më curr,
Tue balcue, tue u rrokullue
Landë e gúr shkon tue dermue;
Tue turshî shkon ledhe e gjí,
Dér qi s’mrami me furí
Mos t’plandoset kulihum
Kund m’ndo’i prroskë a m’ndonji lum,
Tue dyndë skllafat n’ajr per mnerë;
Idhtë Bulgari kshtû m’at herë
Perzí gjak e perzí vnér,
Synin gacë, zêmren batare
M’Turk sulmue ká fulikare.
Lum per Tý, o Lumi Zot!
Kúr janë ndeshun flakë e agzot,
Kúr janë ndeshë Turku e Bulgari,
Se ç’âsht ndezë-o lufta zhari,
Se ç’ká vlue pushka m’at hera
Se ç’ká krisë zhurma e potera,
Vigma, brima, bumbullima,
Edhè plajmi me stuhí!
Rrebtë gjimue ká Deti i Zí,
Ká ushtue Beçë e Bukureshë,
N’ moh dŷ male si t’ i’n ndeshë.
Ngasin, vrrasin Kapitanat,
Hingllojn kualt, turfllojn katanat,
Gjimojn topat e havanat,
Shprazen gjylet breshen lshue,
Si ajo rrfeja tue bumbllue,
Mêt e krés me t’u dermue!
I u dha zjarmi Rumelís
‘Dhè prej flaket e stuhís
Ulurojn nierz e shkerbé,
Shamë rrposen rrash per dhé
Ledhe, pleme, fshate e tbâna,
Gjytetet janë bâ murana.
Me çilë bollat mrendë dikúr;
Edhe u dha atŷ nji zhumhúr,
Nji piskame, nji vikame,
E nji erë, e nji poterë,
Vrrimë, e krisme, edhè zhaurrí,
N’vend Balkani, thue, u turrshî.
Të varruemt, trinue per dhé,
Mbetë e lmekë, e ftyren zbé,
N’ hurdhë të gjakut t’ vet humue,
Pîjt me dorë rreth tue ravkue,
Tuj lvitë, randë tue livrue,
Si atà krymaleshat m’ drû,
Se ç’ gerthasin, se ç’ piskasin,
Kualt katana m’ ta kah shklasin,
Kah të mathtat rrota t’ topavet
Angrra e trû larg u a sterklasin,
Tuj i a njeshun landve e krepave,
Me i u dhîmtë gurit e drûnit!
Kuq « Marica » gjaku s’ nieri
Leqe-leqe rrmen kurrnê;
Po vlon « Tuna » gjiri m’ gjiri,
Dyndet tymi nalt mbi rê.
Muzë âsht qiella ; per nen kamë
Trandet toka e ushton nji gjamë,
Thue, termeti shungullues
Po shperthen angrrat e dheut.
Vapa e tymi terratues
Anë e kand kobshim mbertheu
Dy lutrâjt e rrebtë t’ Balkanit
Trim Bulgarin, Turkun t’eger :
T’ cillt pa rrâ m’ at log mejdanit,
Pa i a nisë me u bâ atà fleger,
Nji bé t’ madhe po e ki’n bâ :
M’ qitáp Turku, m’ Kryq Bulgari :
Se gjallë pushken s’ ki’n m’ e prâ,
Per pa e ndezë Balkanin zhari,
Furrë gelqerje rreth e çark
Njani shojn pa vû perfundi
Pa i a vûmun shtjelmat m’ bark,
Shpirtin pa i xjerrë perdhuni !
Si dŷ rê qi ‘i natë dimnore,
Njana shkputë prej jugut fíll,
Turr lshue tjetra rribës verjore,
Vìn e ndeshen per nen qiell :
E kû t’ ndeshen nper ajrí,
Per mbas rrymet qi i ngarmon,
Si kulshedrat me furí,
Njana m’tjetren rrebtë sulmon :
Edhè at herë, ashtû t’ u bue,
Flakë per flakë i a ep vetima,
Lvitë rrfeja tue vershllue,
Rreth permnershim bumbullima,
Ushton toka, gjimon deti,
Edhè brej, aha e çetina
Rriba e erës rrmen me veti
Si ato coklat nper zallina:
T’i a ep breshni edhè shtergata,
Shamen currat gjatë rrmoreve,
Prroje e shé nper gryka t’ thata
Gallamarde rrmejn fushoreve:
Kshtû Bulgar e Turk perlá,
Rrijn shoshojn tue e shtŷ pa dá,
Njani tjetrin n’ gjak tue e lá.
Plûhen, flakë e tym i zí
Rreth per çark i kà pershî;
E kah hapen me furí
M’ kamë shoshoqin per t’ perpî,
Pushka e topi edhè tue zí,
Kobshim qiella rrin tue ushtue,
Thue mí tokë po don me u lshue,
Avra-avra ajo shperthye.
Kúr qe Turku erdh e u thye,
E u terhoq e u vû me kthye
Krejt lá m’ gjak e keq shemtuem,
N’ at Stambollë per t’ u ngujuem.
M’ shpinë Bulgari atbotë i u shtrî;
M’ pushkë e m’ top m’ tê m’ nja tue shtî,
Dér n’ Çatallxhe qi ká mrrî,
Prej kah nieri per nen dorë
Lehtë hjedhë peshen mbrendë n’Stambollë.
Si nji lum qi, dalë prej amet,
Bjeshkve bora ortek kah shamet,
E lshojn prrojet e malcís,
Deperton gjithkah zallís:
Kshtû at herë Shkjau i u rras Shqypnís
M’ Kaçanik, e m’ Adrjatik,
Veleçik, e Salonik,
Tue ndrydhë vendin nder çapoj:
Vra, e pre, e lidh n’ vargoj,
M’ dajak gjinden per dhé shtroj,
Bâni plaçkë e trollit dboj:
Edhè lufta ashtû maroj.
Franc Jozefi kúrká ndie
Se u rras Shkjau mbrendë n’ at Shqypní,
Se ç’ âsht mbushë aj me mëní,
Se edhè fort ç’ erdh tuj u idhnue
E as s’ u mat mâ as s’ u hutue;
Por çoi m’ kamë tetqind taborre,
Mirë e mrefi at shpatë mizore,
Mrefi shpaten e mejdanit,
E u çon fjalë Shkjeve t’ Balkanit:
N’ krye t’ tetë ditvet, tue marrë dielli,
Prej Shqypnís me dalë ju filli:
A per ndryshe mirë t’ a dini
Se, per Zotin, m’ shpinë më kini,
E at herë s’ dij se ç’ bâj mbí jue.
Rregji i Itales fort âsht gzue.
Franc Jozefit fjalë ká çue:
Se edhè mue me vedi m’ ké,
Per t’ i rysun këtà Shkjé:
Këta slav, qi kan marrë krye,
Edhè m’ shpinë duen me na kcye,
Me na lânë t’ dyve pa sŷ.
Se as e mjera moj Shqypní
S’ ká kend mik as kumarí,
Qi me hî asaj zot me i dalë
Turrin Shkjaut per me i a ndalë
Qi, i terbuem gjithmonë e i eger,
Po don sod m’e bâ krejt fleger
Thue se aj zot âsht bâ m’Europë.
Krajli i Inglizit se ç’âsht vrâ ;
Zâ t’gjashtë Krajlave u ká bâ :
Amanet, mos me pritue
Në London na me u bashkue,
Per me folë, me kuvendue ;
Se Balkani âsht tym e njegull,
E po bân, prit, Zot ! ndoj tjegull
Me na rá krés edhè né . . .
Prej Balkanit hajr nuk ké !

Pjesa e radhës
Konferenca e Londonit