Konferenca e Londonit

Kangë e tridhetët

Hej, moj Zânë, ti kjosh e bardhë!
Tridhetë herë, mana, rreth diellit
Hausit t’qiellës toka ká ardhë,
E aq herë lulet njethë janë Prillit,
Se ti, purë m’«Lahutë t’Malcís»,
N’hullí menden mbajtë m’a ké,
Qi të mûjshe vetë nipnís
S’kohve t’vona enè per t’lé,
Me u kumtue me ‘i kangë kreshnike,
Si erdh t’u regjë mendja e Shqyptarit,
Prap per t’gzuem lirín jetike,
Trashgim lânë atij prej t’Parit:
E sa u bâ gjaku e medeti,
Sa u tuer rrêna edhè trathtija,
Dér qi duel Shqypnija m’veti,
Si premtue kisht’ Perendija.
Por, qe, tash na u kapem m’cak:
Gjatë Parnasit mjaft m’ké rrekun
Mriz e m’mriz, e lak më lak:
Kangës ktu spiku tash do hjekun.
Veç se po, moj bjeshkatare,
Krah m’krah bashkë na tue këndue.
Ndertue kemi ‘i pomendare,
Rrfé as mot mos m’e dermue.
N’at London, larg n’at dervend
Të shtatë Krajlat bâjn kuvend,
Bâjn kuvend me shoqishojn:
Per Shqypni po bisedojn:
Ashtû ndêjun rend mbas rendit
Me at Inglizin n’ krye të vendit.

Prá, per Zotin, moj Shqypní,
Oren çuet, tham, ti m’a ké!
Nji pllamë vend, nji grusht njerzí,
Vllá as fis kurrkand mbí dhé,
Bukë pa bukë, e qe se prap
Të shtatë Krajlat çue ké peshë;
T’ cillt po ngasin turr e vrap
N’ at London m’shoshojn me u ndeshë,
Per me folë, me bisedue,
Nji zojë m’ vedi tý me t’ qitë,
Shkjaut e Turkut me t’ lirue:
Prap Kunora m’báll me t’ ndritë,
Porsì t’ ndriti dikúr motit.
Me gjithkta, por larg nuk shkon
E me i vrá ká rrfeja e Zotit
T’ shtatëtit, mledhë si janë n’ London;
Persè rrumull pesqind vjet
Të randë Turkun lanë me t’ shtypë,
Me t’ thá n’shpírt, dér qi simjet
M’ shtjelma Shkjau atij s’ ká hypë.
Jo, po, gjaku i bijve t’ ue,
Moj lum nana, e njatà lot
Qi ti derdhe, janë tue vlue
E gjýgj lypin prej s’Tynzot.
Krajli i Inglizit, nji telbis:
Me çá qymen per mjedis:
Veç, me gjasë, pak si i pabesë
Ç’ i a ká vû aj gishtin krés
Se edhè fjalët fort po i peshon,
Kah ká mârrë e ligjiron:
Si t’i a bâjm e tek t’i a bâjm;
Se na pykë, trima, kem’ rá
Me Shqypní, sa mâ nuk ká!
Porsa krisi n’ at Balkan
Pushkë, e top, edhè havan,
E i a nisen me u shemtuem
Turk e Shkjá idhtë tue luftuem,
Tue pá Turkun se per ballë
T’ Shkjaut, qi luften kishte kallë,
Zot Shqypnis s’ po mund t’ i dalë,
E ká bâ pleqní n’ Stamollë
Né Shqypnín me na e lshue n’ dorë,
Qi, pa mbajtë na krah as pajë,
Ktû t’ a dájm fatin e sajë;
A tue njoftë si Shtet të lirë
E krejt m’ vedi: a se mâ mirë,
Ndoshta, Shkjaut na tue i a dá,
Si bashtinen—vllá per vllá,
Si me thânë, në kater pjesë,
Per mos t’ lânë mâ asnji ngatrresë.
Pse, medjè, edhè fort po drue,
Se, kokë-fortë Shkjau tue qillue,
S’ ká me u rysë pa pushkë m’ e lshue,
Mbasi aj mbrendë sod ká ngujue.
Prandej vetë u çova fjalë
Dér n’ London nji herë me dalë,
Na ktû s’ bashku me vendue,
Ket Shqypní si m’ e shestue,
Qi n’ dorë Turku na ká lshue,
Me e vû n’ sheste sido kjoftë.
He! atê Zoti m’ a marroftë,
Krajli i Itales zû t’u idhnue;
Se, per Zotin, kjoftë levdue!
Cok kjo punë kurrkund s’ka gjasë.
Jo mâ pak se pêsqind vjet
Rresht Shqyptarët e ngratë kan plasë
Sulltanit tue i bâm hysmet,
Kush tue i lá atij pagë e t’dheta,
Kush tue e vûmun kryet n’rrezik:
Jo, per tê nuk u âsht dhimët jeta,
E perrçik, po, per perrçik
Me gjak t’vet lá e kan Turkín:
E qe sod, qi s’po i del mâ
Nen zgiedhë t’vet me mbajtë Shqypnín
Ke aj nji hajr kurr s’e ká bâ
E as nuk mbahet n’mend se mkamë
Fis a popull t’ketë mbí dhé
Veç shka shkelë e ndrydhë nen kamë,
Veç shka djegë, e pjekë, e pré:
N’vend me i dhânë lirín Shqypnís,
Para se me u ndeshë me Shkjá,
I a lshon n’dorë diplomacís,
Veç të lirë per mos m’e pá!
Vall ç’ká thânë Krajli i Moskovit:
Jo, po pra, Turku i Stambollit
N’daç thuej motit, n’daç n’ditë t’sodit
P’rherë ká kênë rrezik i zí
Per lirí e gjytetní:
Sa qi thonë, se as bár s’ká bî
Kahdo shkelë ká kama e tij…
Por un deshta ktû me u thânë,
Se na s’kem’ kurrkund nevojë
Punë Shqypnijet n’gojë me zânë:
Ajo â e ndreqne e hî n’ tebojë:
T’a ká ndrequn Shkjau i Balkanit
Me grykë t’ pushkës, me tef t’ taganit,
Qi mâ mirë nuk ké shka i thue,
Q’ se, si burrat tue luftue,
Turkut shtjelmat m’ bark ká vû
Edhè e lshoi shakull per tokë;
Kû, zavalli, rrin tue krrokë,
Si njaj korbi nder sterqokë.
Prej gazepit qi e ká rrokë
E s’ po din mâ kû âsht me kokë.
Jo qi vetë, besa, ‘or ju shokë,
Jam tue bâ, po, shum çudí:
Kah na duel sod kjo Shqypní,
S’ cilles êmni nuk i âsht ndîe
Kurr n’ Europë? Prandej s’ e dij,
Kot pse t’ rrahim ujë n’ havan?..,
Pse t’ i a vêm gacen agzotit?..
Se ‘i Turkí ká pasë n’ Balkan,
Sod qi Shkjau, berqavers Zotit!
T’a shemtoj, n’ gjak t’ a ká lá,
Kta e kam dijtë, po; por se ká
Kund Shqypní n’ fushë a n’ rragam,
Kta, vallahi, dijtë s’ e kam.
Franz Jozefi ndêjë pështetë:
N’ mos e dijsh t’ a kallxoj vetë.
Turku motit njat krahinë
Ç’ merr prej Shkodret del n’ Janinë
Per urë detit ajo shtrî,
N’ dorë me pushkë nuk e pat shtî,
Si Greqín e njat Serbín
Cilla çue âsht lugat n’ ditë t’ sodit
M’ Europë marë; por mbas nji godit
Me Shqyptarë, e tue lidhë besë
Me i-njoftë t’lirë, e n’punë të Fés,
M’gjûhë, e m’doke edhè m’kanû
Mos me u prekë, veç me u sundue
Kta krejt m’vedi: si dishmue
Mâ se ‘i herë vetë Turku e ká:
E si puna flet n’ditë t’sotit
N’at Gegní nder Male t’Mdhá,
N’dorë sundimin kû, si motit
E ká vendi: edhè u vendue
Shqyptarët Turkut n’luftë me i shkue
E mâ teper vjetë per vjetë
Me i lá ktí ‘i porez të lehtë.
E pse Turku dalkadalë
Besen thej e s’u ndêj n’fjalë
Ashtû krejt sì isht’ bâ kuvendi,
S’don me thànë, or shoq, se vendi,
N’sŷ t’arsyes e të drejtsís
Ká djerrë tagrin e lirís,
Qi i kje njoftë prej vetë Turkís.
Ket krahinë, tash, t’u ngjatët jeta,
Quejtë Shqypní e ká rrotull jeta.
Pra, n’Balkan, posë se ‘i Turkí,
Po kisht’ pasë edhè ‘i Shqypní:
N’t’cillen Nemse e Italí,
Pasha t’Lumin Perendí,
S’kan per t’lânë kurr Shkján me hî,
M’i u bâ dhâmi ktij sa derrit.
Qaj Kreu i Frances, nji farë sherrit
Kênë gjithmonë, kshtû i a ká nisë,
Si nper hundë aj me angllatisë:
Jo, po, ashtû âsht kênë puna motit,
Si thue ti; veç se n’ditë t’sotit
Krejt ká ndrrue. At herë e kshtênë
Marë Shqypnija ká pasë kênë,
Qi, per shpírt, jo veç se vû
S’do t’kisht besë ajo me Turk;
Por kulsheder mbí tê lshue,
N’fyt do t’i a kisht’ njitë m’terfurk
E si ‘i gjarpen, si nji bollë,
Krah me i dhânë n’karadreqollë.
Po, por sod puna ká ndrrue,
Pse n’Shqypní t’kshtênët janë pakue…
Prandej pra; t’ngjatët Zoti jeten!
Per me dashtë me thânë t’verteten:
Sod me sod njajo krahinë,
Qi prej Shkodret del n’Janinë,
S’ká si quhet mâ Shqypní:
Si kje quejtun, ndoshta, motit
N’ato kohët e Gjergj Kastjotit…
Pse edhè sod t’thuesh, marë Shqypnija
Ká rrokë armët e n’luftë ká dalë,
E tue rrahë plajmi e duhija,
Shí e borë edhè tue rá,
S’keqje thá e bâ terfurk,
Rrin t’u grî enè me Shkjá,
Veç per t’lânë Shqypnín nen Turk.
Kta veç tash, qi Bulgarija
Duel n’Çatallxhe e u thye Turkija,
Varg e vister dalë kan në Vlonë:
Shtŷ prej tejet, si po thonë…
E ‘i paçaver kuq e zí
Vjerrë na e paskan per nji hû,
Edhè hunin ngulë m’ nji shpí
T’ madhe, niskan me këndue
Kin demèk po duem Shqypní,
Kinsè kshtû na jem’ Shqyptarë!
Eh Madhní, as na s’ hám bár;
Na edhè ‘i kem’, po, mêt n’ kandár,
E kem’ sŷ edhè me pá …
Rregji i Itales se ç’ i âsht furë:
Edhè ju Françezt dikúr
Jeni vrá, po, vllá me vllá;
Shoqishojn — ofshe edhè grá!
Ndezë i kini flakadâ,
Edhè jo per tjeter gjâ :
Per Fé t’ lume, a besë t’ harrueme,
A per erz t’ moters e t’ nanës:
Por per t’ lanë Inglizin n’ Francë!
Po a per kta tash na m’ i a hî,
Me dá Francen me kufî,
Per m’ u a lshue fqîjve per brî ?
Jo, Zotní; s’ âsht gjâ ajo fjalë.
Pse edhè â ‘i punë, mor t’ u ngjatët jeta:
Muamedant në luftë s’ kan dalë,
Veç per t’ shitun faculeta
Sa mâ shum … si na nji palë
Sod n’ Europë; por veç per fé.
Por nder lufta fjesht fetare,
Ti e din e vetë, se fis e Atdhé,
Gjûhë a doke s’ kqyren fare ;
Veç ngallnimi i njaj ideje,
Veç triumfi i njasaj feje,
N’ luftë per t’ cillen nieri del :
Pra nuk ké pse kapesh tel,
Mos me qitë m’vedi Shqypnín,
Mos m’ i a dhânë asajë lirín,
Pse muhamedant shqyptarë,
N’ daç nizamë, n’ daç vullndetarë,
S’ kan luftue atà per Shqypní;
Por per Mbret e per Turkí,
Atà me të cillin Shtet
Mvedvedsue ki’n fén e vet.
Jo qi pasë ka muamedan
P’rherë n’ Shqypní, qi shum zalldan,
Manà, hjekë kan prej Turkís
Per liri e nám t’ Shqypnís;
Dbue, plaçkitë e m’ dajak shtrue,
Kush me pushkë, kush me helm shue,
Por mohue Shqypnin s’ e kan:
Jetë e gjâ i a bânë kurban.
Franz Jozefit s’ i u durue;
Tryezës me grusht fort i ká mshue,
Se edhè t’ madhe ç’ ká ligjrue:
Nji qind fjalë, burra, p’r ‘i pare!
A me mkamë mbretnín shqyptare,
A se n’ Beçë tash ktheva filli,
E dér neser tue marrë dielli
Lshue i a kam ushtrín Balkanit:
E me maje t’ mreftë t’ taganit,
Me ndimë t’ Zotit e t’ Taljanit,
I a vê vetë kufijt Shqypnís,
E s’ ká burrë, jo, qi m’ i lot.
Se ato fjalë t’ Francës e t’ Rusís,
Qi na i qiten ktû per pod,
Ato janë, po, do fjalë t’ shkreta,
Thasha e thâna per gazeta,
E jo per kuvend të Mbretenvet
Kû do t’dahet fati i Shtetenvet:
Si njiky kuvendi i ynë,
M’t’ cillin bota ngulë ká sŷn,
Edhè pret qi na n’Balkan
T’shkrefim pushkë, top e havan,
E me urtí, e me drejtsí,
Tue shue resë, tue shkimë mëní,
T’sjellim paq edhè vllazní.
Edhè trimi at herë âsht çue,
Ká msŷ deren per me dalë.
M’kamë Wilhelmi ká flakrue,
Ka dalë para edhè e ka ndalë
E ka ndalë qaj miku i vet;
Mbreti i fortë i Germanís;
Cilli u hînë atŷ ndermjet,
Si me i ardhë qi din burrnís,
E krye m’krye me Krajl t’Inglizit,
Herë ulë Francë, herë ul Rusí,
Bjeru punve per midisit,
Pajto Nemse edhè Italí,
Ktij lshoj Zot, atij lshoj orë,
Dér qi s’mbrami i u gjet fija
Edhè t’shtatëtit vûne dorë,
Zojë m’vedi me dalë Shqypnija.
E, kokë-fortë, kúr Knjaz Nikolla:
Kû me pushkë e kû me t’holla
S’pò do Shkodren me lirue,
Të shtatë Krajlat ç’janë idhnue!
Donamet n’ Shqypni kan çue,
Kû Admiralat m’breg sa dolen,
Kap per veshit Knjaz Nikollen,
Fill prej Shkodret jashtë e zoren,
Edhè i dhanë m’ shtjelm Cernagoren.

N’ at Shqypni ká rá nji gjamë:
Padishahi âsht çue në kamë:
Vall a rrfeja âsht tue bumbllue,
A se lufta âsht kund tue vlue,
Qi po rrin kshtû tue gjimue
Thue po bâhet ndokah nami:
Shka ká thânë Shehyl Islami?
Per jetë t’ ande, as s’ ká rá rrfé,
As âsht ndezë kund luftë e ré,
Qi po ndîhet gjithkjo gjamë:
Janë Shqyptarët qi bâjn donám!
N’ at London, larg n’ at dervend,
Të shtatë Krajlat mledhë kuvend,
Me shoshojn tue bisedue,
S’ mbrami atà paskan vendue,
Shqyptarve me u dhânë lirín,
Zojë m’ vedi me qitë Shqypnín.
E prandej n’ Shqypni pa dá
Rrahin topat nder kalá;
Persè flamri kuq e zí,
Sod mâ s’ pari, bukurí
Porsì fleta e Engllit t’ Zotit,
Po valvitë mbi tokë t’ Kastrjotit,
Si valviti dikúr motit;
E dér m’ qiellë ushton brohrija,
Kah gerthet fusha e malcija:
Per jetë t’ jetës rrnoftë Shqypnija!
Edhè kshtû, mbas sa mjerimit
Mbas sa gjakut e shemtimit,
E p’r inát t’ Shkjevet t’ Balkanit
Per gazep t’ atij Sulltanit:
Si premtue kisht’ Perendija:
Prap zojë m’ vedi duel Shqypnija.