Vranina

Kangë e katert

Vojti fjala ke Cetina:
Vall ç’po bân mbi Shkjé, Vranina!
Vall ç’po bân Vranina m’Shkjé,
Rob tue zânë e gjind tue pré:
Tue pré gjind, tue zânë hajduka,
Qysh se duel njaj Oso Kuka!
Oso Kuka, ‘i burrë Shkodranë,
Shoq në Shkoder, thonë, s’ká lanë
Per kah besa e kah trimnija,
Qi zanát i ká Shqypnija.
Kaleshan e sŷ-pergjakun,
Mje m’sylah e ka mustakun;
Ushton mali, thonë, kur t’flase,
Dridhet fusha kah t’vikase;
E kah t’dredhë të rrebtë tagâ’n,
Thue se rrfeja shkrepë per ânë:
Kaq vringllim aj shkon tuë i dhânë!
Edhè e ká nji xheverdare,
Xheverdare pushkë vrastare,
Qi, ke t’laje sŷni i njerit,
Me tê sŷn i a zier skyferit.
Burrë kaprroç e trim si Zâna,
Thonë me kmishë e bâni nâna;
Edhè, thonë, ká lé drangue,
Pse trí zêmra i kan qillue,
E pse i ka trí pupla t’arta
Per nen krah të armve t’larta.
Prandej plumja m’tê nuk ngulet,
M’ tê tagâni edhè perkulet:
Top me i rá shpirti s’i shkulet.
Ky n’Vraninë edhè ká zânë
Me njiqind e nji breshânë
Kû nji fjalë e paska thânë:
Se per t’gjallë rodi i Shqyptarit
S’i bjen n’dorë kurr Gospodarit.
Fjala Knjazit n’vesh ká shkue:
Edhè Knjazi na âsht idhnue,
Na âsht idhnue kur e ká ndí.
Thirrka Krenët e Malit t’Zí:
Njani arí, tjetri duhí,
Të gjith lé sokola malit:
E m’ledinë n’kuvend rreshtue,
Ngerthye vetllat m’shtek të ballit,
Folë u paska si tue ulrue:
Ká dalë fjala nper Cetinë,
Se ‘i Shkodranë ká rá n’Vraninë,
N’at Vraninë, po n’at rranzë suket
Thonë ká rá ‘i farë Oso Kuket.
Kaleshan e kime-zí,
Gjak e zjarm â aj sŷni i tí;
Edhè i ká nji parë musteqe
Kaçarrel e leqe-leqe,
Qi me i mrrîjtë mje m’fletë t’sylahit,
T’zez e t’trashë sá llana e krahit.
Ky edhè, thonë, ká lé drangue,
Pushkë as top mos m’e shinue,
As tagân mos m’e varrue;
E po thonë se ká zatetë
N’at Vraninë me dyqind vetë,
Me dyqind fatosa t’rí
Djelm të zgjedhun n’mal e n’vrrî
Jo per dukë e hijeshí,
Por per zêmer e trimní,
Qi e kan pushken tatë e nânë.
Ky edhè ‘i fjalë e paska thânë:
Se per t’gjallë rodi i Shqyptarit
S’i bjen n’dorë kurr Gospodarit…
Prap po thonë se ky Oso Kuka
Paska zânun do hajduka:
Do i ká zânë e do i ká pré:
S’lên me rá mâ Shkjá n’at dhé.
Cubat vetë i paçë ndersŷ,
T’zezë Vraninen per mè msŷ,
Vrasë e pré mos me i a ndalë,
Veç me Turk si t’nisi fjalë;
Pse Moskovi e ká pleqnue
Shqyptarín né me na lshue
M’Rozafat e m’Kishë Deçane,
Kû do t’mrrîjë megja serbjane,
Per me u gjetun Cernagora
Me Serbí bashkë dora-dora.
Kujtoj keq s’na kishte rá.
Shqypnín tjeter kan me e dá
Bulgarija e ajo Greqija.
Pse, mbasi Shkjét e Balkanit
T’kenë pushtue tokët e Sulltanit,
E mârrë t’kenë do skele detit
Të kenë lidhë besë ndermjet vetit,
Ká m’i u dhânë Shkjenís e mbara,
Ká m’u shtrue ura perpara
Dét e m’dét m’u kapë Moskovi;
Ká m’i u thye Krajlnive hovi.
Por, qe tash, mbasi ká zânë
N’at Vraninë ky burrë Shkodranë,
Nuk po dij se kah t’i a majë:
Drue s’m’ ká metë per sod uzdajë
Se i pushtoj tokët e Shqyptarit,
Si e kam pasë fjalen e Carit!
Kshtû tha Knjazi i Malit t’ Zí.
Krenët po rrijshin tue e ndí,
Tue e ndie e tue mendue
Se shka Knjazi ish’ tue ligjrue
Per Shqypní e per Shqyptarë.
Kur qe Mirkja, Krenësh së parë,
Po i thotë Knjazit: Gospodár,
Fjala e Carit n’udhë s’do lânë,
Pse ka dalë nji burrë Shkodranë
N’at Vraninë, n’at t’zezë krahinë,
N’breg t’Liqênit n’at kodrinë.
Pse, po kje se ky Oso Kuka,
Po âsht nji nieri qi e man buka,
N’mos e mârrët pushka e kurrkuej,
(Mjaft qi, i mjeri, mund t’a gjuej!)
Ká m’e marrë nji pushkë vrastore:
Pushka e babës ltinë mizore,
Qi der m’sod mue s’m’ ká koritun,
Pse edhè m’turk ajo âsht vaditun…
Veç po e zâm se ket Shkodranë
Gjallë as dekë s’po mûjm m’e zânë,
Me gjithkta nuk do me thânë,
Se na s’e pushtojm Shqypnín.
Malazezt të gjith e dín
Se n’Shqypní ká djelm si Zâna,
Qi mâ t’fortë s’po t’i bân nâna.
Me armë n’dorë, si thomë na, lé,
Ânë e kand permendë mbí dhé
Per trimní, per besë e Fé:
E prandej p’r ‘i ditë Shqypnija
S’t’bjen n’dorë, besa, lum Zotnija.
Por me kohë e me dredhí,
Me u kapë mundet Mali i Zí
M’Teqe t’Krús e m’Kishë Deçane,
Kû do t’mrrîjë megja serbjane.
Pse tue kênë se kan fillue
N’Shqyptarí sod m’kâmbë me u vû
Muhaxhír e Anadollí,
Gjind t’pá plang edhè t’pá shpí,
Qi nuk dín se shka u kje i Pari,
Zot e Mbret per t’cillt âsht ari,
E u lanë m’anesh dyert bujare,
Dyert bujare t’tokës Shqyptare:
Njata krenë e kapitana,
Bajraktarë, trima si Zâna;
T’msuem per Mbret me dhânun jeten,
T’msuem per vend me shkrî atà veten,
Per ket besë, kallxou kuleten,
Se Shqypnín ké m’e pushtue
Para se t’a keshë mendue.
Prandej zên tash, Gospodár,
Me qitë fitme nder Shqyptarë;
Pse me kohë e dhelpëní
Ké m’u bâ Krajl mbi Shqypní.
Ndoshta ndoshta edhè mbi Serbí…
Por na as tash harû s’po t’rrim:
Sá mâ shpejt n’Vraninë po t’bím,
Me u perpjekë me at Turk Shkodranë.
Un po t’bie me Cetinjanë,
Cetinjanë nja shtatqind vetë,
Qi per gjâ s’e bâjn ket jetë:
Si me dekë ashtû me metë.
Mandej t’bjerë Gjukoviq Pera
Me nja katerqind pushkë tjera,
Katerqind Bijoca t’rí,
Qi janë Ora e Malit t’Zí.
Kam uzdajë se me kto çeta
N’sukë t’Vraninës un porsá t’veta,
Kam me ngulë m’tê Trobojnicen,
Kam m’i a vû Osos kapicen,
N’kjoftë se kryet s’i a pret tagâni,
Si n’Cetinë ka dalun zâni…
Pse perndryshej, kam m’i a prû
Kryet n’Cetinë, t’ngulun m’nji hû…
Kshtû tha Mirkja, Kapitani.
Ver me gojë kush mâ nuk bani.
Atëherë Knjazi i Malit t’Zí
Mêrr e u thotë: Sokola t’mí,
Bini, pra, n’Vraninë me ushtrí,
Me sa t’dueni ushtarë të rí;
Por Vraninen m’a pushtoni,
Osos kryet por m’i a shkurtoni.
Sá per fitme e per ngatrresa
M’lêni mue, perse, qe besa,
Me pak pare e tuj gergá,
Át e bír un kam me dá:
Jo se mâ bajraqe e fise,
Qi, q’se mora mend e shise,
Un t’bashkuem mend nuk i majë…
Oh! po tash mund t’kem’ uzdajë,
Se Serbija e Cernagora
Kan me u gjetun dora-dora
Me Greqí e me Bullgarí,
Si n’ Moskov â bâ pleqní.
Por Vraninen m’a pushtoni!
Osos kryet por m’i a shkurtoni!
Foli Knjazi, e Krenët u dane,
E n’Vraninë, mbi xhebehâne
Zû me krrokë nji sorrë kob-zâne.

Deh! moj Zânë, pásh njato kroje,

Pásh currilat neper prroje,
Pásh bylbylat e Prendverës
E pásh t’amlin fllad të erës
E p’r at voes, qi bje prej qielle
E pásh lulet drandofille,
Deh! m’kallxo a po t’vjen keq,
Se e dau Knjazi sod nder Pleq
Trup nji ushtrí n’Vraninë me çue,
Osos kryet per m’i a shkurtue?
Mue m’u kputshin fletët e krah’e
Mue m’u bâshin prozhmet rrahe,
Mue m’u shuejshin kângë e valle,
Kângë e valle edhè zavalle
Mbi njato rudina t’buta:
Per mjedis mue m’ plasët lahuta,
N’paça dhimë a kurrnji grimë,
Pse po i pritet Osos kryet,
Pse po i erren të dy sŷt:
Krye n’Shqypní mos metët pá u pré,
N’kjoftë se n’shekull aj ká lé,
Per me u vû mbí të kapica
Me njat shkrolë qi e shkroi Nikica!
Por m’lingon mue shpirti e zêmra,
Shtati m’dridhet mje ke thêmra,
Ke po ndiej un kob të rí:
Qi i ká metë sod Malit t’Zí,
Per me dá t’mjeren Shqypní,
Kû kan lé e kû jânë perkundun,
Prej kah shekullin e kan tundun
Burri, Leka e Kastrijota,
Para t’cillve shuete bota:
E Shqyptarët porsi t’hutue,
Me duer m’í rrín tue shikjue,
Thue se ‘i mend qiella e ká dá,
Rob me ndêjun kta nen Shkjá:
M’i u shtrue Knjazit dheu i Shqyptarve,
Shtrêjt fitue me gjak të t’Parve!..
Ehù! mallkue kjoftë njaj n’Shqypní,
Kjoftë mallkue, po, a plak a i rí,
Qi per Mbret e per lirí,
S’çohet sod me armë mizore,
S’lidhet sod me besë arbnore,
Per me dhânë mâ para jeten,
Per me shkrî mâ para veten,
Se me rá fisi i Shqyptarit
N’thoj t’pangîshem t’Gòspodarit.
Shka? a thue n’kângë se ká me u vû,
Se pá pushkë e ndêjë harû
I rá Knjazit n’dorë Shqypnija,
N’zâ kah besa e trimënija?
Jo, per Zotin! Para toka
E perpîftë me male e boka
E me lume e fusha t’gjâna:
Per tê dielli u errtë e hâna!..
O zotnít e Shqyptarís,
O ju krenët edhè t’Malcís,
Pashi at Zot e at êmnin t’uej,
Mos lakmoni pares s’huej:
Sado vonë me pasë per t’shkue
Mbi djelm t’uej ká me gjikue!
E ju, t’cillve i Bukri i qillve
U ká zgiedhun me i prî nirit
Ravës s’amshueme t’t’naltë Empirit,
Qi â e lirís e e s’Drejtës pasqyra,
Kinie n’mend: per jú detyra
S’âsht me mjelë veç delet t’ueja,
S’âsht me mkâmbë veç gjûhët e hueja,
Por me at Fé, qi kem’ prej qillit,
Por me t’bardhen dritë t’Unjillit,
Mrendë dashtnín m’u a ndezë Shqyptarve
Per kah giûha e vendi i t’Parve :
Qi Shqypnija t’jetë e vetit,
Qi Shqyptarët t’sherbejn nja’i Mbretit:
Qi per Mbret e troje t’veta
Mos t’u dhimbet gjâja as jeta,
Por të desin, si Oso Kuka
Qi âsht tue dekë, ehu! n’ato suka !

Pjesa e radhës
Deka