Kângë e pêstë
Kish t’a díej ç’ká aj Oso Kuka,
Qi tue i shkue s’âsht sande buka.
S’po i shkon buka as mishi i dashit:
Kot nget tryezës â ndêjë per rrashit,
Tue perdredhë njato musteqe!
Thonë, ká pá nji anderr t’keqe.
Anderr t’keqe, thonë, ká pá
Mbramë, qi shkoi, porsa ká rá.
Ká pá n’anderr se prej Rjeket
Kênka nisë nji hije deket
Ndezun flakë, si flakë lugatit,
Qi, tue hecun fushës e shpatit
E nper kneta e nper zallina,
Fill po vîte kah Vranina.
Kúr n’Vraninë ajo ká mrrî,
N’ Xhebehâne, paska hî,
Edhè i dhânka zjarrë barotit.
Kur ká dhânun zjarrë barotit,
Ká plasë kulla e ká marrë gjâmë,
Âsht dridhë toka per nen kâmë,
Ká ushtue Lqêni, mali e lumi,
Edhe Osos po i del gjumi.
Pá ket anderr Oso Kuka,
E prandej nuk po i shkon buka,
S’po i shkon buka as mishi i dashit,
Kot nget tryezës â ndêjë per rrashit.
Po, s’han bukë, veç sá me thânë;
I lán duert e del m’njânë ânë,
Per urë voters pshtetë m’njâ’n brî,
Tue mendue, duhan tue pí.
Sa rrin Osja tue mendue,
Bukë djelmnija kan marue;
Çuene tryezat e i pështeten,
Rrokull odës mandej zateten,
Kush tue dhênë, kush tue kuvendë,
Kush tue luejtë cic-mic e hâne,
Kush tue lye ndo’i çark breshâne:
Nji tagâ’n m’unuer e mrefë,
Fushekët tjetri m’vezme i njefë.
Kur zên Osja atje mâ vona:
Kqyre at shpatull, Soko Tona,
E na thuej a difton gjâ,
Pse dishka nakel m’âsht bâ…
Jo, po, shpatlla keq diftote:
Luftë kah maja ajo kallxote,
E ke penda disá vorre,
Tym e gjak neper oborre.
Prandej Soku erdh e u vrâ
Kah po e kqyrte m’dritë pá zâ.
Ndoshta shpatlla, tha, s’â gjâ
Pse per ndryshej fort ká giasë
Se na luftë kemi me pasë;
Se shum nieri ká me u vrá:
Shum do vorre jam tue i pá…
Por prej luftës Shqyptarët nuk tuten.
Merr, Kaçel, njiherë lahuten
E na thuej nji kângë shqyptare;
S’majm na zí pá na qitë fare!
Muer lahuten n’dorë Kaçeli,
M’tê magjarin n’vend e ngeli
E, mbasi per zâ atê ujdisi,
Kështû kângës atbotë i a nisi:
Kish’ dalë nji Harap prej detit,
Trim i zí e belagjí
Edhè qitka ‘i porez t’randë:
Ka trí bukë pagaçë per shpí,
Shtatë masë vênë per ditë me i pí,
Ka ‘i taroç per mish të zí,
Ka nji dash n’mjesditë m’i a pjekun,
Ka nji skjap per darkë m’i a repun.
Njiqind vetë n’mejdan ká pré,
Njiqind vithna qiti faret,
Njiqind shpija edhè ká djegun.
Kur vojt rendi n’Shqyptarí,
Njatij Gjergj Elez Alís,
Leter t’vrashtë i paska çue:
Ndiej, ti or Gjergj Elez Alí,
Mbas dŷ javësh si t’bjerë kjo leter,
Ti n’mejdan mue ké me m’dalun;
Pse tŷ kullat do t’i djegi,
Mal e vrrî pse do t’i shkeli,
Dhên e dhí pse do t’i mjeli,
Pse edhe gruen rob do t’a mârr!
Letra Gjergjit n’dorë ká rá:
Edhè Gjergji fort â vrâ,
Fort a vrâ kur e ká kndue.
Dŷ javë vehten e ká majtun,
Bukë prej djerrit aj tue hanger,
Mish taroçit aj tue ngrânun,
Vênë trí vjeçe edhè tue pí:
Edhè atin e ká majtun
Tagjí urizit n’strajcë tue i qitun,
Vênë me pí per ujë tue i dhânun.
Krye dý javësh, mushun dý javë,
Vehten Gjergji e ká provue:
Nji lis t’madh kish’ pasë n’oborr;
Me dý duert Gjergji e ká kapun,
Me gjith tokë edhè e ká shkulun,
Opèt n’vend edhe e ká ngulun.
Kênka mbathë e kênka veshun:
Paska veshun petkat arit,
Paska njeshë shpaten florinit;
Zgidhka gjokun pullalí,
I a vên frênin treqind pullash,
I a merthen me shtatë kollana,
Edhè nânës aj po i bân zâ:
Halláll, nânë, ti me m’a bâ
Mirë e keq, shka kemi folun!
E i ka puthun nânes doren.
Amanet, morì ti loke,
N’kjoftë gjikue me m’pré Harapi,
Lot per mue ti mos me derdhun!
—« Hajt, mor bir, Zoti të ruejtët,
Se s’t’kuritë, jo, lokja e jote.
E ká mârrë topuzin n’dorë,
E ká hypun mbi shpinë t’atit,
Edhè â nisun per t’giatë shpatit,
Tue zbardhë drita prej sabahit
I ká vojtun n’derë Harapit.
« Nadja e mirë, Harap i zí!
Nuk ké ngae me ndêjë sod n’hî,
Por çou e del n’at fushë t’mejdanit,
Sod dý javë si m’ké çue fjalen;
Sod tý kryet due me t’a pré!
Kur ká pá Harapi i detit
N’ derë njat Gjergj Elez Alín,
Shif shka bâni atëherë Harapi:
Lkura buejsh per at ká lidhun.
Âsht tutë ati i Gjergj Elezit,
E kah Gjergji paska shkue.
Mos u tut, bre zogu i atit:
Gjâja e coftë kurrgjâ s’mund t’bâjë.
I âsht turrë Harapi i zí
E m’topuz m’tâ edhè ká shtí.
Gjergji kryet por e ká ulun:
Permbí krye topuzi i rrshiti.
T’i u drodh Gjergj Elez Alija:
Dalë-kadalë, Harap i zí!
Se m’thonë Gjergj Elez Alí.
E m’topuz m’tâ edhè ká shtí.
M’lug t’dy krahve i a ká njitun,
Tre pash para m’dhé e ká ngulun.
Dekun m’tokë rá atbotë Harapi.
Kà marrë djali edhè ká zdrypun,
I a ka pré ata krye të zí.
Hukubet Zoti e kisht’ falun:
Trí pllâmë buzen kishte pasun;
Kisht’ pasë veshin sá ‘i zhgun burrit:
Sá dy vetë me tê me u mlue.
Kur ká ndie Mbret Sylejmani,
Paska shkrue m’at derë Stambolle:
Trima ká e trima s’ká,
Por si ká trima n’ Shqypní
S’i ká Krajli as s’i ká Mbreti,
S’i ká toka as s’i ká deti.
Kshtû Kaçeli po këndote;
Rrokull oda po e vezhgote,
Po e vezhgote tue këndue,
Veç se Osja, trim drangue,
Veshin kângës s’i a kishte vû:
Kânga at natë s’isht’ tue i pelqye;
Prandej kânga kur u krye,
Zêmra t’ kndoftë! s’i tha Kaçelit,
Veç se i thotë, po, Met Zenelit:
Mêrr Vuksanin e Sinanin,
Edhè mêrr Kerrn Zagorjanin
Edhè dilni sogje n’ vá;
Pse mjesnatë tash â tuj rá,
E thonë Shkjau se besë nuk ká…
Kshtû tha Osja, e sogjet duelen,
Osja e djelmt me fjetë u ulen.
Rá me fjetë, njaj Oso Kuka,
Por s’ po flên, jo, Zeliq Gjuka,
Nuk po flên as nuk po kotet:
Nja’i pûnës s’fortë, me giasë, po i zotet;
Pse ka herë dikah â nisë,
Me nji strugë per krye mertisë,
Vall, moj Zânë, a din me m’ thânë
Se kû Gjuka don me zânë,
Qi nper terr ká dalë në vá
Thekatueshim udhës tue i ra?—
Zeliq Gjuka, nji zog shkinet,
Nji zog shkinet prej Vraninet,
Kah Prevlaka kàmbët po i thekë,
Me qat Mirkon per m’ u pjekë;
Pse qaj Mirkja i Malit t’ Zí
Paska dyndë nji t’madhe ushtrí
Edhè dashtka, n’nâtë t’pá hânë,
Mrendë n’Vraninë sande me zânë:
Prandej Gjukos fjalë i çueka
Me i prî ushtrís nder ato suka.
Edhè fjalës i ndêjka Gjuka,
Pse, pá kndue gjelat e parë,
Aj na â pjekë m’Mirkon Serdár,
Na âsht pjekë, po, m’tê trathtari,
Shtrêjt pague pse e ká Serdari.
Por nuk dí a â mendue mirë,
Se n’ushtrí jânë krenat lirë…
Mbasi shêjzet pa’n prendue,
M’kâmbë ushtrija atbotë u çue,
Per me u nisun kah Vranina.
Shtatqind pushkë qi çoi Cetina
E qi Mirkja u kishte prî,
Tokës u nisen ví e ví
Bregut t’Rjekës s’Cernojeviqit,
Tuj shkue vister mbas Zeliqit;
E ato katerqind pushkët tjera,
Qi u kish’ prî Gjukoviq Pera
Rjekës u nisen mbi lundrica
Tuj vozitë kahë Çakavica,
Per m’e msŷ t’zezen Vraninë
N’báll t’Lesenders—n’at krahinë.
—Ehù! moj Zânë, pásh të dy sýt,
Shkomi Osos tash te krýt,
Edhè m’vesh atij m’i thuej,
Si nper tokë e si nper ujë
Ká çue Knjazi m’e rrethue,
Kryet atij per m’i a shkurtue!
Por, n’daç, ndal; pse Osja fjetë
Nuk â, jo, me kater vetë
Qi i ká qitë aj sogje n’ vá.
Vetë Moskovi atŷ me zânë,
Pá i a zjerrë gjumin s’ e lânë;
Pse kû ndolli Met Zeneli
Met Zeneli—e Vuksan Gjeli,
E aj Sinani—e aj Zagorjani,
Atŷ fusha ká marrë gjâmë
Atŷ toka â dridhë nên kâmë!—
Hylli i Dritës atbotë tue lé
Per me i prû dheut shpnesë të ré,
Per me i prû s’ mjeres Shqypní,
Ofshè, váj, nji kob të rí,
Kur qe Mirkja ndolli n’ vá,
Po, a thue, sogja s’ e ká pá?..
E ká pá, s’ ká ndêjë tue fjetun;
Por nder prita ká zatetun,
Pushken Shkjaut per m’ i a fillue,
Per shêj t’ pushkës si t’ jetë afrue.
N’ ujë t’ Moraçës tek behë ushtrija,
U zdath Gjuka,—atê e vraftë buka!
E vraftë buka si â tue e vrá!
Edhè vaut desht aj me i rá,
Kesh me u kapun m’ breg t’ Vraninës,
Me u çilë shtek djelmve t’ Cetinës.
Por kje rrêjtë i biri i shkinës!
Perse atŷ ‘i farë Kerrni Gile
I ndêj gati m’ karajfile,
Tue i a njitë shi m’ lule t’ ballit,
Tuj e ftofë shi m’ rânë të zallit.
Po, tek qiti i Zagorjani
Kuku, majko! Gjuka bâni
E rá dekun pik mâ i pari:
—Ashtû raftë gjithmonë trathtari!
Porsi kur nji burrë gjuetár
T’qese m’korba, grumllue n’arë,
E t’a vrasë ndoj korb të zí,
Çohen korbat per ajrí,
T’u pshtjellue e t’u perzí:
Njashtû ushtrija e Malit t’Zí
At herë xûni m’u pshtjellue,
Kur pau Gjuken dekun shtrue.
Por, qe, rán prap trí breshâna
Trí breshâna—si trí Zâna,
N’zí tue veshun prap trí nâna.
Kur nji burrë t’a zblojë anmikun,
E t’a ketë në dorë çelikun,
E çelik t’a kete zêmren,
Edhè plum t’a kete thêmren,
Qi të dese kû t’zatese;
Shum gerset atŷ potera,
Shum do nâna atŷ i thán vera!
Qe edhè Mirkja kur ká pá
Se per báll kisht’ priten n’vá,
«Bini djelm—ushtrís vikati,
Pse i ka ardhë Vraninës sahati,!»
Edhè ushtrija at herë ndêj gati:
Krisi pushka atŷ batare:
Krisi ltinë e xheverdare,
Krisi dilke edhe breshânë,
Ushtoi L’qêni ânë e m’ânë.
Ah! gajret, bre, Met Zeneli,
Ah! qindro, bre, Vuksan Gjeli,
Mos e lsho, mori Zagore!
Ngul, Sinan, bre, rê mizore!
Pse me gjasë, ke dridhet suka,
Âsht tuj ardhë tash Oso Kuka.
Aman, Zot! kur Osja mrrîni
Si rê breshni krés s’njaj vrrini,
Me tridhetë e disá burra,
E zateti neper curra,
Se ç’kje ndezun flakë Vranina!
Atŷ qiellë mâ nuk u pá,
Atŷ pushkë mâ nuk u dá;
Njekaq tymi erdh tue e mlue,
Njekaq gjâma erdh tue ushtue!
Rrihte Itina edhè dudumja;
Porsi breshni vîte plumja:
Jitshin gjindja neper kneta,
Neper kneta—e neper mreta
Tue rektue per nâna t’veta!
—Eni e shifni, oj nâna t’shkreta,
Eni e shifni ‘i herë n’at vá
Djelmt e rí, qi atŷ u kan rá!..
Po, a dro, ‘imend, mori ju shkina,
I rritët djelmt ju kah Cetina
Per me u mbetun ke Vranina?
Per me u mbetë nen armë t’Shqyptarit,
Veç prej llokmes s’Gospodarit?…
Kjani, at herë! s’kam dertin t’uej,
Por, ke ata kan n’mjet nji ujë,
E ke n’báll kan disá curra
E nper curra—disá burra,
Qi per Mbret e troje t’veta
Nuk u dhimbet gjâja as jeta,
Fort po drue se sod n’at vá
Shum mâ zí kini per t’ pá…
Tue krisë pushka pá i a dá,
Tue korrë deka krena m’ Shkjá,
Thue se shndritshin n’ qiellë dŷ diella
N’ ânë prej t’ Lemit u kuq qiella.
E kuqë ishte edhe Moraça!
E agoi drita. Neper kllaça
Kur pau Mirkja djelmt sharrue,
Me marrë frymë t’ cillt ki’n harrue,
Aman, Zot, se ç’ u terbue!
Oren xuer aj t’ Karadakut,
Xuer taga’n t’ dryshkun prej gjakut,
E tue britë porsi arí:
« Mrendë, sokola t’ Malit t’ Zí! »
I rá vaut porsi duhija
E mbas si të gjith ushtrija.
Ah! kadalë, bre, zogu i shkinës,
Krisi Osja n’ curr t’ Vraninës,
Se ké dalun n’ vá t’ pa vá,
Se n’ log Zânash jé tue rá!
Edhè m’ kambë atbotë u çue,
Me tagan në dorë shterngue,
Fíll e m’ ta urysh tue shkue:
Porsi ulâ, qi t’ shofë anmikun
Se kah stroffli i ndên kerçikun.
Ehù! moj Zânë, po t’ ishin ndeshun
Ata burra të kerleshun,
Qi mâ t’ fortë nuk i bân shkina,
Qi mâ t’ rrebtë s’ i bân turkina,
Ndoshta zot ndrrue s’ kish’ Vranina:
Por n’ qiellë ndryshej kndote shkrola!
Pse, pá u ndeshun kta sokola,
Briti t’madhe Prengë Mar’ Kola:
« Dredho, Oso, n’ Xhebehane,
Se na rá Shkjau pre’ asajë âne! »
Me i rá tinzi 'i uk nder berre,
Kah t’u prijë nper male e djerre,
S’dredhë mâ shpejt, jo, nji barí
Kah anmikun t’kete ndí,
Si m’atbotë drodh Oso Kuka,
Tuj u njitë perpjetë kah suka.
Kjani, kjani oj Zâna, kjani
N’ato maje, kû ju hani,
N’ato kroje, kû ju pini,
N’ato hije, kû ju rrini,
N’ato valle, kû vallzoni,
Kjani e lott mos i pushoni,
Perse tash, ehù! n’ata curra
Kan me mbetë, ehù! njata burra,
Me aq kujdes qi i kini rritun,
N’armë e n’luftë qi i patët vaditun:
Qi edhè vetë i kini msue
Me msŷ anmikun pá u frigue,
Pá u frigue, po, me msŷ anmikun,
Nja m’dhetë vetë me i bâ me hikun,
Mos me e luejtë p’r ‘izet kerçikun!
Por shka t’bâjn sod s’janë tuj pasun:
Per gjith ânësh Shkjau u â rrasun.
S’kan shka bâjn? Po, a thue, mund t’desin?
T’desin, prá, nuk kan shka presin;
T’desin, po, si u kan dekë t’Parët
E t’a marrin vesht Shqyptarët,
Se â mâ mirë nen dhé me u kjá,
Se per t’gjallë me ndêjë nen Shkjá . . .
Po, le desin—s’kan shka presin,
Pse, qe, Mirkja tash duel n’ vá,
Kah Lesendra edh’ â tuj rá
Tinzë, nper mal, Gjukoviq Pera
Me Bioca t’ letë si era;
E janë çue Shkjét e Vraninës
E janë bâ me ushtrí t’Cetinës,
Per me marrë sod Oso Kuken,
Qi me ta ka pasë dá buken,
Qi u ká ruejtun mal e vrrí
Qi u ká mpruejtun erz e shpí:
Por, s’ din Shkjau me mbajtë miqsí!
Aman, Zot, kur duel Serdari,
Se ç’ kje ndezë Vranina zhari!
Aman Zot, kur mrrîni Pera,
Se shum krisi atbotë potera!
Por kur rán Shkjét e Vraninës
Shum u krisi plumja shpinës!
Porsi shé, qi m’ nji natë cjâmet
Rritet turr e del prej âmet
Tuj ushtue—e tue shkumue,
Shkaperderdhet nper zallina,
Ashtû u derdh Shkjau te Vranina,
N’ valë Shqyptarët krejt tue i pershî.
S’ lufton ndryshe e rrebtë kulshetra
E me dhâmbë edhè me kthetra,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Kur drangojt t’ a kenë rrethue;
Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari
Per dhé t’ amel, qi i la i Pari:
Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá,
Tue korrë krena neper Shkjá.
U janë ndezun flakë breshânat,
U kullojn gjak n’dorë tagânat,
E u kullon gjak edhè zêmra,
Veç se vendit s’u lot thêmra.
Por ç’dobí: dielli tue lé
—Isht’ tue lé m’at ditë per Shkjé!—
I rán ndore Shkjaut t’terbuem
Tridhetë t’vrám e dhetë t’shituem!..
O ata t’lumt, qi dhane jeten,
O ata t’lumt, qi shkrîne veten,
Qi per Mbret e vend të t’Parve,
Qi per erz e nderë t’Shqyptarve
Derdhen gjakun tuj luftue,
Porsi t’Parët u pa’n punue!
Letë u kjoftë mbí vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Aklli, bora e serotina:
E dér t’kndoje n’mal ndo ‘i Zânë,
E dér t’ketë n’dét ujë e rânë,
Dér sá t’shndrisin diell e hânë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’kângë e n’valle por u kndojshin.
E njaj gjak, qi kan dikue,
Bân, o Zot, qi t’jesë tue vlue
Per m’i a xé zêmren Shqyptarit,
Per kah vendi e gjûha e t’Parit!
—Po váli! Osja kû do t’jetë?
Oso Kuka a mos ká mbetë?
N’Xhebehane ká zatetë!
Ká zatetë n’at kullë t’barotit,
Kû ká bâ êmnin e Zotit,
Se per t’gjallë nuk ká m’e lshue,
Shokët e vet per pá i pague
Tridhetë t’vrám e dhetë t’shitue.
Kur pau Shkjau se pushka mêni
Si kah vau, si kah Liqêni,
E se mbetë s’kisht’ Oso Kuka
Me tjerë t’vrám, perjashtë ke suka,
M’ Xhebehane u turr m’at hera,
Si, kur t’Ishoje kah Prendvera,
Vrullet bleta çark njaj zgjonit,
Tue zukatë si rryma e prronit.
N’brohorí tue i lutë jetë Knjazit
Njiqind vetë kcyen m’kulm t’pullazit,
Mâ t’permendunt kah trimnija,
Njaq u njiten mbi frangija,
Tue thye muret n’gjak t’perlyeme:
—Por ká gioben shpija e thyeme!—
Krisi Osja atbotë si ulâni,
Mje m’Cetinë i vojti zâni:
« Ah kadalë, Nikollë, t’vraftë Zoti!
Pse ktû i thonë Oso baroti:
Se s’ké pá Shqyptár me sŷ,
Se djegë vehten edhè tý! »
Edhè zjarrë i dha barotit.
Aman, falë i kjoshim Zotit,
Kur ká dhânun zjarrë barotit,
Se ç’â dridhë Vranina e shkretë!
Se ç’â hjedhë kulla perpjetë!
Se edhè L’qêni ç’ká gjimue
M’kalá t’Shkoders tuj ushtue!
Qepra, tjeglla, gur e trena:
Kambë e trupen, krahë e krena,
Hî e tym e flakë e shkndija,
Shi mje m’Viri i hodh duhija:
I hodh duhmja shi m’breg t’Virit
Qepra, gur e gjymtyrë nirit.
Eni, eni, mori Shkina,
Eni, eni te Vranina,
Mblidhni vetë nper shpat e prrue
Ehù! kortarët e djelmve t’ue;
Edhè msoni fmín mbas sotit
Mos t’lakmojn tokës s’Kastriotit,
Pse u bjen shtrêjt, qe besa e Zotit!
Njasi gjakut qi Oso Kuka
Sod ká derdhun ke ato suka,
Si per Mbret, si per dhé t’t’Parve
Vlon se vlon nder dej t’Shqyptarve.
Prá, pa u djegun n’flakë t’agzotit
Si Oso Kuka n’kullë t’barotit,
S’ká me rá fisi i Shqyptarit
N’thoj t’pangîshem t’Gospodarit!—
—Dielli n’cila kur u çue,
N’Vraninë s’parit u zhvillue
Trobojnica—kjoftë mallkue!
Gjergj Fishta