Dervish Pasha

Kangë e gjashtë

N’ at Yldiz tue thirrë Jacija,
Zbret te dera Kapixhija,
Kapixhija i Abdul Hamidit,
Per m’i a vû shulin derës s’zidit;
Pse, posë n’han, po isht’ punë e praptë,
Me ndêjë dera naten haptë.
Kur, pa pritë, qe, shi m’atëhera,
Nji shtektár ja behë te dera:
Nji shtektár me rryp shterngue,
Shpervjelë tirqit dér në giû,
Lagë e ndragë e djerzët tue i shkue:
Rrugë të jargtë kisht’ mârrë i shkreti!
Edhe lypë me hî te Mbreti.
Po kush jé, more ti djalë?
Kush jé ti? kahdo me dalë?
Kapixhija po i nep fjalë;
Se ktû po isht’ puna me derë…
E s’muej mrendë kêdo me shpjerë;
Jo qi mrendë edhe me t’shtî,
Se del prap, dorzanë s’mund t’hî.

Se kush jam, pse m’pvetë nuk ké;
Se un veç hije bâj mbí dhé,
Zên shtektari i ngratë tue fshâ:
Se un kam kênë e nuk jam mâ:
Kam kênë motit n’nám e n’zâ,
Kam pasë tokë e kam pasë gjí,
Kam pasë dhên e kam pasë dhí,
Kam pasë plemet me tagjí,
Si mâ i miri n’rrokullí.
Ofshe! sod, por, posë gjithkuej,
Un kam ngelë nên zgiedhë të huej
E mâ i keqi, ndêjë m’krye t’vendit,
M’a bân gjygjin jashtë kuvendit;
M’i mêrr tokët aj, qi m’la baba,
Edhe mue m’man mish per krraba,
N’daç per t’zí a n’daç per t’pjekë,
Gjithsi atij t’vîjë tue ju tekë…
Prandej ktû, pash t’madhin Zot!
Mos më rrek me fjalë ti kot;
Pse edhe ngae me u tallë nuk kam,
E pse e zeza e kuej nuk jam,
Veç se n’kjosha e zeza e vetit…
M’prîjë e m’qit, po, para Mbretit:
Se mue Shkodra më ká çue,
Per nji dert un m’i a dertue:
Per nji dert e ‘i kob të zí,
Qi i ká rá s’mjeres Shqypní,
Qýsh se i ká dreqent kojshí,
Edhè ngrofë gjarpnin në gjí…
Kapixhija edhè i ká prî,
Fill te Mbreti atê e ká shtî.
Kur ká dalë trimi te Mreti
Lagë e ndragë, si isht’ kênë i shkreti,
M’të dŷ giûjt atŷ aj ká rá
Edhè kshtû ká nisë tue kjá:
Per jetë t’ande, lala Mbret,
A ti mahe Mbret m’Shqypní,
A po Mbret âsht Knjaz Nikolla,
Qi i ká mbledhë cubat n’Cetinë
E u ká prî ktej kah Shqypnija,
Edhè mârrë e ká Vraninen;
Ká mârrë Zetë e Podgoricë;
Na ká thye atjè në Kernicë,
Kû, mos t’kenke ajo Mirdita,
Qi m’i a ndalun aty hovin:
Si zânát pushken qi e ká,
Edhè n’ Shkoder pat me t’hî,
Me u bâ krajl aj mbî Shqypní;
Perse Shkodra, t’u ngjatët jeta!
Po ishte kryet e Shqyptarís.
Per jetë t’ande, lala Mbret,
A hiq dorë ti prej Shqypnijet,
A se ndryshe çoe nji ushtrí,
Qi t’i bjerë Malit të Zí;
Pse kshtû gjallë mâ nuk u rrnueka!
Ka ndêjë Mreti edhè e ká ndie,
E ká ndie edhè âsht idhnue;
Çon e thrret qat Dervish Pashen:
Pa ndigjo, ti Dervish Pashë:
Ká ardhë puna tuj u trashë,
Tuj u trashë e t’u perzí;
Pse qaj Knjazi i Malit t’ Zí
Ka çue m’kâmë, po thonë, nji ushtrí,
Edhè dalë ká në Shqypní,
Ká mârrë Zetë e Podgoricë,
Me Vraninë e me Kernicë,
Edhè n’ Shkoder do me rá,
Per me e bâ t’tanë vendin Shkjá,
M’e bâ Shkjá Shkodren mizore!
Pshtielli bashkë pêsdhetë taborre,
Edhè del n’at Cernagore
E m’a bân Knjazin terbjet,
Qi Shqyptarët ká zânë e i nget,
E s’po i lên, jo, me gjelisun,
N’bjeshkë e n’vrrí aj tue u vardisun.
Mori e mjera Shqyptarí,
Si t’shkoi moti gjithmonë n’zí,
Si të shkoi moti tue kjá!
Vjetë per vjetë ti n’gjak tue u lá,
Vjetë per vjetë e muej per muej,
Herë n’gjak t’and, herë n’gjak të huej,
Pa t’u ndrrue kurrkund neshtrasha!
Qe, ky Pasha, Dervish Pasha,
T’rrebtë nji ushtrí në kamë ká çue
E n’per tý do me u pershkue,
Per me u ndeshë me Karadak…
Per me t’lá edhe ‘i herë me gjak.
Po a njimend thue, se Dervishi
Ket ushtrí nen armë e grishi
Per me ardhë me t’dalë zot tý,
Edhè hekrat me t’shperthye,
Qi dermishë t’kan kâmbë e duer,
E t’majn rob tash s’dí se kúr?
Jo, mo’ e shkretë! Dervishi s’lot
Per me ardhë me t’dalë tý zot
E per tý me Shkjá me u vrá:
Se aj zanát lirín s’e ká,
Se prej si, kahdo ká rá,
Kush s’ká kndue, veç se ká kjá.
Por aj vjen perse Stamolla
S’do qi t’hîjë n’Shkoder Nikolla,
Pse do vetë, po, edhè mbas sotit
Me t’majtë rob ajo si motit,
E, tue t’ndrydhun per nen thêmer,
Me t’ngulë shishin mâ kthellët n’zêmer,
Edhè gjakun me t’a pí,
Me t’a shkimë jeten unjí,
E me t’lânë m’u kalbë mbí dhé…
Po ti djelmt, Shqypní, kû i ké?
Kû i ké djelmt, qi sot per tý
M’armë me u çue edhe me msŷ,
Me msŷ m’armë, po, t’prûjtë anmikun
E, pa dhimë, m’parzme çelikun
Me ja rrasë, e Knjaz Nikollës
Me i diftue edhe Stamollës,
Se Shqyptari â i zoti i vetit,
Se s’i shtrohet Shkjaut as Mbretit?..
Ah, po! djelmt, qi ti ké rritun,
Ata mohit tý t’kan rá,
Edhè vedit i a kan njitun:
Njâni Turk e tjetri Shkjá;
Dikush Grek, dikush Zejbek;
E kurdo qi u ká qillue
Kta per tý, jo, s’kan qindrue,
Por per Mbret e per Turkí,
Por per Serb e per Greqí;
Aj, t’a máj Turkun n’Shqypní,
Ky, t’a bâj vendin Serbí,
Tjetri, Grekun t’a bí n’shpí;
Edhè shitë tý t’kan per pare,
T’kan rá mohit per timare,
Per qyflleqe e per beglleqe,
Si t’kish’ kênë ti nji grue hore
E jo nânë e zojë kunore,
Zoja e Gjergjit Kastriota,
Qi sá t’enden stinë e mota
Me e nderue ká rrokull bota.
E prandej tash giatë e okolla
T’ bijn Dervisha e t’bijn Nikolla,
E t’a lájn trupin në gjak,
E t’a zânë shpírtin tý njak,
Si mo’ Zot mâ keq per tý,
Se ç’ké pritë me pá me sŷ,
Se ç’ké pritë me sŷ me pá,
Me t’poshtnue tý Turk e Shkjá,
Porsi t’ish’ nânë e pa djalë!
Ktû, Shqyptarë ndigjonie ‘i fjalë:
A me hjekë sod mní e resë,
Zêmer t’keqe e ç’do ngatrresë,
Edhè t’fortë m’e lidhë nji besë,
T’ fortë m’ e lidhë nji besë të Zotit,
Si Shqyptarët qi e lidhshin motit
Se nuk shiteni nder t’huej,
Se qindroni p’r Atdhé t’uej:
A se, ndryshe Shqyptarija
Ká me hupë, e Perendija,
Po, t’a dini, ká me u vrá,
Tuj u lshue t’gjithve nên Shkjá:
Persè dita ká me ardhë
Dikû e zezë e dikû e bardhë
N’t’cillen Shkjau Turkut i bjen:
Edhè Shkjau Turkun e then
E e ngarmon aj jashta Europet,
Me gjak t’onë, qi rrin e ngopet,
Tash pêsqind e disa vjet:
Prá, at ditë Shkjau, po bâni e u gjet
T’ dám n’mjet vedit, jue Shqyptarve,
E pá zéll per giûhë të t’ Parvet,
Pá dashtní per Atdhé t’ uej,
Per ket besë, aj do t’ u shuej,
Porsi shuehet krypa n’ ujë;
Persè â trim e dhimë nuk ká,
Per kêdo qi nuk âsht Shkjá,
Jo qi i ká per t’ mârrë do uhá…
E mos pritni se vjen Mbreti,
Se vjen Krajli a vjen Dauleti,
Me ju pshtue prej thojve t’ tí;
Pse, si thomë na ktû n’ Shqypní:
Shka t’ a hajë ujku nji herë,
S’ e zên gjarpni kurrnjiherë…
S’ jânë, jo, t’ huejt qi e pshtojn Shqypnín,
Qi ja bijn vendit lirín:
Jânë Shqyptarët, e kurrkush tjeter;
Manie n’ mend, pse âsht fjalë e vjeter;
E un prandej po e vê ktû m’ leter,
Qi, po kje se hupë Shqypnija
Per faj t’ uej, kur t’ rriten fmija
E t’ uejt nipa: n’ kje se gjallë
U a lên Shkjau ndonjâ per máll:
E ket fjalë m’ „Lahutë t’ Malcís“
T’ a këndojn, në frymë t’ idhnís
T’ u a mallkojn shpirtin per s’ dekuni
E t’ u namin rroc e koc;
Persè âsht dam, po, pasha Zotin!
N’ zí Shqypnija m’ e shkue motin
E me fshâ ajo n’ robní,
Tue pasë djelmt, qi per trimní
I permenden n’ fiset t’ tâna,
Ke bje dielli e ke merr hâna.
Hej, moj Zânë! si t’duket tý?
A thue shof un kurr me sŷ;
Se Shqyptarët do t’bijn m’nji fjalë,
Zot Atdheut kta per t’i dalë?
Se mas flamrit kuq e zí,
Gegë e Toskë, fushë e Malcí,
Kan me dalë ndo’i herë n’ushtrí,
Me derdhë gjakun per Shqypní?
Po, pse jo? Me kohë e pûnë,
Kû me endire e kû me dhûnë,
Gjâ pa u bâ nuk jet n’ket shekull:
Kshtû qi 'i herë çka dukej mrekull,
Dán mandej si t’ishte lojë.
Jo, po; dita do t’agojë,
N’t’cillen tok fisi i Shqyptarit
Ká me u mledhë, edhe barbarit,
Qi dér m’shpírt e ka poshtnue,
Me armë n’dorë ká me i dishmue,
Se aj per t’gjallë s’i shtrohet kuej,
Se rob s’rri nên thêmer t’huej.
Por don kohë, moj zêmer valë,
Qi Shqypnija m’vedi t’dalë;
Pse vjen moti per kadalë.
Per nji ditë bîjn kpurdhat n’shí;
Por nuk mkâmet, jo, 'i Shqypní…
Pra, kto fjalë, tash, ktû t’i lâjm,
E prap kângës fillen t’i a zâjm;
Pse po ndiej ke atje kah Shkodra
Fort po rreh trompeta e lodra,
Fort po ushton qaj Rozafati,
Dervish Pasha ke s’i a ngjati,
Edhè n’Shkoder i a ka befun
Me pêsdhetë taborre t’njefun:
T’tanë Harapë e Anadollakë:
Per me e ndezë Cetinen flakë:
M’e ndezë flakë, edhè m’e kallë,
Knjaz Nikollen me e zânë gjallë;
Edhe lidhë n’Stamollë m’e çue,
M’e lânë mshilun në katue,
Kû rriñ kali tue hingllue.

Heshtu, Zânë, mos qesh me mue;
Se merzitshim kam qillue!
Paj per t’gjallë s’lidhet Nikolla ;
Se aj po i kisht’ do djelm sokola,
Qi per Fé e lirí t’t’Parit,
Qi per nderë të Gospodarit,
Ndryshe s’bín, jo, n’fushë t’mejdanit,
Ndryshe s’rrâjn m’askjer t’Sulltanit,
Veç si krushku, qi shkon n’darsem :
T’tâna plumet presin m’parsem.
Pse edhe atà e kan kanû,
Besë me Turk kurr mos me vû,
Mos me vû kurr besë as fé:
Me tê por me u vrá, me u pré,
Po duel aj ndo ‘i herë m’at dhé.
Jo qi vetë Knjazi i Cetinës
Po ishte trim, po, zogu i Shkinës,
E nuk lidhet per s’të gjallit,
Per me u mshilë te grazhdi i kalit.
Shka t’i bâjm: anmik na e kemi;
Por të drejten do t’ja themi…
Prandej vetë kishe me thânë,
Se edhè teper ka per t’kânë,
Per Dervishin, n’mujtët me dalë
Dér n’ Cetinë, aj rrugës pa u ndalë;
Perse âsht mal Cetina e shkretë:
Duhet pûnë me u njitë perpjetë…
Jo, po; duhet, besa, púnë,
Per me i hî Cetinës perdhûnë,
Pse, qe, Knjazi sa ká ndie,
Se Dervishi erdh n’ Shqypní,
Fjalë ka çue Malit të Zí,
N’ luftë me dalun plak e i rí,
N’ luftë me dalun burrë e grue:
Burrat mirë nên armë shterngue,
Grát me kmesa e me supata,
Me kosh m’ shpînë çikat e ngrata,
Per me i bartun bukë ushtrís,
Per me i dalun zot lirís
Kundra anmikut të lirís.
E pse rreth t’ tânë Karadaku
Âsht nji giûhe, ‘i feje e ‘i gjaku,
E nuk do veç Qeverín
Sa per t’ ngopë me ár Parín;
Por do Atdhén e do lirín,
Do me shkue per ditë mâ para,
Per kah dieja e pûnët e mara,
Burrë e grue në kâmë jânë çue,
Edhe pritat i kan zânë,
Ashtû Knjazi si u ka thânë:
Kan zânë pritat ânë e m’ ânë
Burra, djelm, e grá, e vasha.
Qe, edhe dyndë âsht Dervish Pasha
Me pêsdhetë taborre t’ veta
Edhè mêrr rrugen perpjeta,
Tue rrahë lodra edhe trompeta.
Dá ushtrín e ká n’trí çeta:
Njânen lshon kah Podgorica,
Tjetren derdhë aj kah Kernica,
Mêrr të treten per mas vetit
Giatë liqênit m’lundra t’Mretit:
E si atà shkulmat e detit,
Qi, tue vlue e tue shkumue,
Tue gjimue e tue ushtue,
Vîn, plandosen per aní,
Herë per báll e herë per brî,
Tash tue e hjedhun, thue, nder rê,
Tash pingul neper kurrnê
Shul n’teposhtë tue e karraní,
Thue n’avis duen m’e perpî:
Shkrefë aj turrin per Mal t’Zí,
M’Veleçik e del m’Rumí.
Âsht ndezë zhari mal e vrrî.
Kerset topi, rreh havani:
Ká mârrë gjâmë të tânë Balkani.
Ah! kadalë, bre Knjaz Nikolla:
Se ky â Mbreti e kjo â Stamolla,
Se me top e me nizâmë
T’djegin dhén, po, per nên kâmë.
A me Turk deshte me u pré?
Qe, tash Turkun tek e ké:
Del, deh! rrugen me ja pré…
Por nuk die si ké m’u dá,
N’paç vû sŷ me tê me u vrá;
Perse âsht trim, po, askjeri i tí,
Si mâ i miri nder Krajlní,
Kur t’ketë krena qi me prî,
Të ketë bukë, barot të zí.
A nuk shef ? a ké verbue ?
Dervish Pasha ç’t’ká rrethue ?
Si n’menjêne t’ká shterngue :
Gjallë prej dore s’ké me i pshtue,
Pse edhe m’tý fort âsht idhnue.
Se âsht idhnue Pasha i Stamollës,
Kish’ me thânë se Knjaz Nikollës
S’po ja haka kurrkund palla ;
Pse, qe, atje, n’do karpa t’gjalla,
Rreth e çark aj permbí Rjekë,
T’tânë ushtrín e ká perpjekë,
Kû dhanë besen per me dekë,
Per me dekë e per me u shue
E Cetinen mos me e lshue,
Per pá u bâ gjaku dér n’gjûe.
Kan lidhë besen, po, n’mjet vetit,
Me bâ pushkë me askjer të Mretit,
Edhe t’Parët mos me i koritun,
Qi, pa u lodhë e pa u topitun,
Kurdoherë me Turk jânë pré,
Per lirí, po, edhe per fé.
Mandej dá i ká çeta-çeta,
Rjekës tue i lshue malit perpjeta,
Kû s’ké veç curra e kaçuba :
Per kaçuba ka dy cuba,
Per gjith curra ka dy burra,
Ka dy burra malazez,
Njeshun vezmet mirë per brez,
Njitë taganat në sylah,
Idhtë novicat pshtetë per krah,
Sŷnin xhixhë e vetllat shllûngë,
Neje-neje kryet si bûngë,
Qi, ‘iqind herë me i rá supatë,
Nuk i a hjekë, jo, ‘i ashkel t’ thatë:
Por t’ tânë mend e të tânë dije,
Per me u pré me Turk Azije…
Dervish Pashës, mandej, çon fjalë:
Byrm! kuer t’ duejsh, mundesh me dalë,
N’ daç per mik, n’ daç per anmik,
Se mâ gati, se kam lé,
S’ e njof vedin në ket dhé:
Bukë e mish, barot të zí,
Si zanát qi âsht n’ Mal të Zí.
Shkon Dervishi tuj u shtŷ
Tuj u shtŷ e tue rremye.
Ka mârrë Zetë e Podgoricë,
Ka mârrë Viri edhe Kernicë,
Edhe mârrë e ka Vraninen,
Oso Kuka kû ka metë:
Mandej kâmen aj ka thekë,
Per me dalun neper Rjekë
E me e kapun te Cetina,
Kû kisht’ çerdhen gjeraçina:
Kû kisht’ trollin Knjaz Nikolla:
Edhe trollin rreth e okolla
Me ja shêmë, me ja dermue:
Ndandë pash n’ dhé me ja gropue.
Por se shka kúr erdh me dalë
Neper Rjekë me kapun mal’,
Madhi Zot, tŷ t’ kjoshim falë!
Se ç’ ká shkrefë atŷ potera,
Se ç’ âsht ndezun lufta at hera,
Se shum gjaku edhe ká shkue,
Shum nizami ká sharrue!
Kan metë gjindja pa u rmue,
Me i ngrânë shpêzt e Karadakut,
Qi edhe lshojshin fort m’erë t’gjakut…
Msŷni Turku me fuqí;
Priti Shkjau me trimëní,
E ka’ u ndeshen me furí:
Si t’u ndeshshin flakë e agzot:
Lum e lum per t’Madhin Zot!
T’i a dha vigma e t’i a dha ushtima,
T’i a dha krizma e bumullima;
T’nisi topi me gjimue,
T’filloi pushka atŷ me vlue,
T’u perlá Turku me Shkjá
Njâni m’tjetrin t’u ndersŷ,
Shoq me shoq t’u kaperthye,
Njâni msŷj e tjetri shtŷj:
Si dŷ dema báll per báll
Qi atje n’djerr a n’ndonji záll,
Kúr bâjn gjedhet mriz prej s’t’zetit,
Kaperthye brynash n’mjet vetit,
Kukzue shpînet, bâ kulár,
Shtangue bishtin strumullár,
Dyndun pluhni rê n’ajrí,
Rrín t’u vrá me t’madhe mní,
Dér t’i dajë ndonji barí.
Dŷ herë Turku u kap në maje,
Dŷ herë Shkjau e lshoi nder zaje,
Tue shtrue shpatin me Harapë.
Por, kúr s’tretit muer me u kapë
E me dalë prap m’maje t’malit,
Kû n’Mal t’Zí kje pika e djalit,
I lshoi m’tokë at herë shejshânat,
Edhe u çue e zuer tagânat,
E si bisha tue lurue,
Fulikare m’Turk u lshue.
E t’i a nisen me i krekcue
Kê me krye, po, e kê me kokë,
Tue i lshue shyt dekun per tokë.
Atŷ Turkun e lshoi zêmra,
Edhe vend s’i zû mâ thêmra;
Por u drodh e solli shpinen,
E n’teposhte e muer rrpinen.
T’i u lshue Shkjau mrapa per gjurmë,
E me vigme e t’madhe zhurmë,
Vrap per vrap e turr tue e ndjekë,
Kê tue therë, kê tue lânë dekë,
E dermoi dér poshtë në Rjekë,
Kû prap zhgjetë i vêhet m’shpinë,
Edhe e dbon e e qet n’ Vraninë.
Kur me sŷ ká pá Dervishi,
Se Nikolla ushtrín i a prishi,
Fort nji herë aj na âsht idhnue,
Ka shkrepë kâmët porsi i terbue;
Idhtë javerin ká qortue;
Por, mandej, zgiedh nji allaj t’rí,
Nder mâ t’mirët qi i kisht’ n’ushtrí,
E ja qet Shkjaut mrapa shpinës,
M’i a pré rrugen e Cetinës.
Veç Nikolla, i biri i Shkinës,
Po kisht’ kênë nji biramel,
Qi mâ n’Shkjá shoqi s’i del:
Prande’ e pá me kohë rrezikun,
Edhe u drodh e u vû në t’hikun;
Mori malin thik perpjeta,
Tuj u zhdukë me çeta t’veta.
U zhduk Knjazi, e Dervish Pasha,
Idhtë ngerthye ato vetlla t’trasha,
Mori rrugen per Cetinë.
Vall, a hîn Pasha n’Cetinë?..
Nuk e diej a hîn n’Cetinë;
Por n’Cetinë e diej se s’rrin:
Diç po vlon atje n’Berlin . . .

Pjesa e radhës
Kuvendi i Berlinit