Kuvendi i Berlinit

Kangë e shtatë

Deh! oj Zânë, tý t’kjosha true!
A thue din ti me m’kallxue,
Se ç’ká ndêjë tue bumbullue
Andej larg kah Rumelija,
Ka’ ajo Plevna e Bulgarija?
A kjenë topa a veç kjenë gjâmë,
Qi u dridh toka ashtû nên kâmë?

Besa, jo, pra nuk kjenë gjâmë
Qi u dridh toka ashtu nên kâmë;
Por kjenë topat e Rusís,
Kjenë havanat e Turkís
Qi bumbllluen fushës s’Rumelís,
Nâtë e ditë tue rrahë pá dá,
Rumelín t’tânë n’gjak tue e lá
Kah na u pré Turku me Shkjá,
Me Miskov Turku ka’ u pré.
Rrëmej gjaku shkulm mbí dhé:
Si mjerë zêmra e atyne nânave,
Qi i pa’n djelmt atyne ânave,
Perse kryet nên grykë t’havanave,
Kur të rrahin kta batare,
S’i bân nierit, jo nji pare.
Bre mâ zí ‘dhe pat per t’ndollë,
Pse tue u rrasë kje Shkjau n’Stamollë,
Me zhbî Mbretin m’post të vet;
Veç se u rán Krajlat ndermjet,
Edhe pushka tashti prâni.
Sod t’ shtatët Krajlat e Sulltani
N’ at Berlin na jânë bashkue,
Na kan nisë me e bisedue
Se si pûnen me e vendue,
Per me vû paq edhe besë,
Per me shue luftë e ngatrresë,
Zêmer t’ keqe, mní e resë,
Tue ngulë gúr, tue ngulë kufî,
Per gjith vend, per gjith mbretní,
Giatë Balkanit m’ Dét të Zí.

Por tue kênë se besë e fé

Nuk po kisht’, jo, sod mbi dhé,
E se i forti, n’ armë merthye,
Aj po kisht’ gjithmonë arsye,
Un tue e pasë jam ktû do frigë
Se na bîn ndo’i pûnë e ligë
Per Shqypní e per Shqyptarë:
Ke kta s’ kan miq as kumarë,
Qi me e folë per ta nji fjalë,
Qi me hî atŷ zot me u dalë.
Pse, edhe qe, qaj Knjaz Nikolla,
Lshue dollamen pola-pola,
E me ‘i strugë të gjânë dŷ pllâmë,
Me ‘i kosh rrethe neper kâmë,
Shkye shallvarësh mbî kupë të giûnit
Me ju dhimët gurit e drunit:
Aj po u del Krajlave para,
E me fjalë e dokrra t’ mara
Po ja nisë atŷ me kjá,
Se aj tokë buke nuk po ká,
Bjeshkë e vrrî se atí i jânë thá:
I jânë thá e i jânë shkrumue,
Të tânë shkam e rrasë e lmue,
Pa nji kallzë, pa nji shkop drûje,
Sa qi poplli, rreshkun ûje,
Âsht ka’ i del prej Cernagore,
Po s’i u lshue nji tokë gratçore,
Si, bjen fjala, toka arbnore.
Toka arbnore, tokë me nâm
(Blé me pash e shitë me pllâmë,
Pashi argjand, pllâma florî,)
N’daç per bjeshkë e n’daç per vrrî,
N’daç per dhên e n’daç per dhí,
Si per bukë, si per tagjí
Si per pûnë, si per tregtí.
Edhe Krajlat po e ndigiojn,
Po e ndigiojn—as s’ po e qortojn;
Veç se bashkë me Mbret t’Stambollës,
Po na i napin dorë Nikollës,
Me mârrë Plavë, me mârrë Gucí,
Me mârrë Shkodren me Malcí,
Dér kû dán vendi me Drî :
Si atê Zoti m’a marroftë,
Mbret, a Krajĺ, a kushdo kjoftë,
Qi vû dorë m’leter mâ i pari
Vendit t’vet me dalë Shqyptari,
Ase rob me ndêjë nen Shkjá,
Pagë e t’dheta atij tue i lá!
Se, per Zotin—kjoftë levdue!—
Per pa u bâ gjaku der m’giû,
Kurr Shqypnín s’kem’ per t’a lshue.
Se kur t’mêrret, vall, Shqypnija,
Flakë do t’ndezet rrokullija,
E do t’binden fiset t’tâna
Kah bjen dielli e kah mêrr hâna.
Gjaku i jonë, po, ká me vlue,
Nama e jonë, po, ká me ushtue,
Ka me i shkue m’vesh Perendís,
Edhe i Lumi, n’frymë t’idhnís,
M’vend Europen ká me e vrá:
Të tânë n’gjak ká per t’a lá.
Kúr ka ndîe qaj Knjaz Nikolla,
Se atí Europa edhe Stambolla
Dorë i dhânkan mbî Shqypní,
Me dalë cubi nji zotní:
Vû kapicen m’njanin sŷ,
Se ç’â hjedhë e ç’ká lodrue,
Se ‘dhe kangës ç’i a ká fillue,
Porsi krushku tue vallzue!
Lum e lum, po, i biri i Shkinës,
Se nder ksolla të Cetinës,
N’ato kohë qi kan me ardhë,
Ká me ngrânë aj bukë të bardhë,
Ká me zí aj mish taroçit,
Ká me pí, po vênë prej poçit,
N’të dŷ faqet me i plasë gjaku,
Kacadrê me i ndêjë mustaku.
Në Cetinë mandej ká dalë,
Pál Milanit ká çue fjalë:
More Pál, more ti djalë,
Nji sahat mos t’bâjsh me u ndalë,
Por flutro si gjeraçina,
Edhe peja ke Cetina;
Pse due t’ap un tý nji ushtrí:
Pêsë taborre djelm të rí,
T’tânë Sokola lé n’Mal t’Zí,
Per, me i qitë un n’at Shqypní:
N’ Hot e n’ Grudë, n’ Plavë e n’ Gusí
E ato vende me m’i shtrue,
Se ato Krajlat m’i dhanë mue,
Me shkelë m’to gjith si të due.
E mandej, si per nji javë
T’ m’i keshë shtrue Gucí e Plavë,
M’ beh t’ m’i bijsh Lekve t’ Malcís,
Si njaj ujku prej pusís,
E me shpatë e me konop
Të m’i bâjsh mue Lekët per shkop,
Edhè vendin, gjânë e giatë,
T’ m’a pushtojsh dér m’ Prrue të Thát.
Pse, si shtrue t’a kem’ Malcín,
T’ kem’ mârrë Plaven e Gucín,
At herë na po t’ rrasna n’ Shkoder,
Tue luejtë valle e tue kcye loder,
Si ata mâzat neper lâmë,
Pa na hî kund ferrë në kâmë.
Pál Milani thotë nji fjalë:
Njeksaj pûnë â vshtirë me i dalë;
Se p’r ‘i javë s’ shtrohet Malcija,
Se as me pushkë s’ mêrret Shqypnija.
Vênu shêj, po, fjalve t’ mija,
E mos nguc grênzat me krande,
Perse ngucë të zezen t’ ande,
Pse edhe jashtë n’ ket pûnë ké marrë:
Per pá t’ pasë kush gjak as varrë,
Nuk thotë Zoti, as s’e ep kanûni
Në vend t’ huej me hî perdhûni.
Jo, po, m’ thuej në zjarm me rrânë,
Me i rá detit ânë e m’ ânë,
Se n’ fjalë t’ ande atje do t’ veta;
Por n’ Shqypní, besa, s’ mund t’ veta.
Qeshi Knjazi vesh e m’ vesh,
Se ti s’ kênke-o burrë prej nesh:
Kênke burrë veç me ngrânë pshesh,
Q’ se i a nisë me m’ predikue,
Thue se ‘i grue vetë kam qillue
Qi me u trêmë prej fjalve t’ ueja,
Per çka m’ flet, per vende t’ hueja.
Jo, po, mirë do t’ isht’ per tý
Kamelaf me vû ti n’ krye,
Me lshue mjekren dér nen gjí,
E me dalë Pop ti n’ Malcí:
Per n’ mos daç ti n’ shpí me shkue
Me njitë furken porsi grue,
E aty n’ derë, ndêjë mbî ndo’i krroqe,
Me tjerrë m’ bosht me t’ ande shoqe,
Tuj u zé me tê n’ shullâ:
Se per luftë s’ u dashtke gjâ.
Sa per luftë âsht Mark Milani
Burrë si motit, trim si luani,
Qi edhè ushtrís ka per t’ m’ i prî,
Per me shtrue Plavë e Gucí,
Per me shkelë Lekë e Malcí.
Edhe Shkoders mrendë me i hî;
Me i hî mrenda me bajrak:
Me bâ Shkodren Karadak.
Kshtû tha Knjazi e lshoi kushtrimin,
Per me mledhë n’ ushtrí burrnimin.
Pingroi Zâna neper molla:
Hajde! hajde! or, Knjaz Nikolla,
Se pak gjatë jé shtŷ me fjalë:
Se pak giatë jé shtŷ me fjalë:
Se vjen moti per kadalë:
Se s’din nieri kû mund t’dalë,
Po kje ‘imend se lshon aj vrapin
Mâ të madh se t’a két hapin:
Si, me giasë, ti don m’e lshue,
Q’se nder mend tý t’âsht ngujue
Në Gucí nji ushtrí me e çue,
Shqyptarín nji herë pa e pvetë:
A thue e lshon Gucín e shkretë,
A thue e lshon Malcín e ngratë,
Per pa i shprazë dý pushkë m’të thatë.
Me Shqyptarë, more Nikollë,
Mundet nieri ngusht me ndollë,
Po s’u shkoi aj mrendë per mik;
Se ata lé kishin çelik,
E vû sŷ kishin me dekë,
M’erz a m’tokë me pasë me i prekë,
S’ka shka bân nder ta i huej’!
Se ata gjallë s’i shtrohen kuej,
N’dashtë t’jét Knjaz, a n’dashtë t’jét Mbret;
Se atà Mbret po ishin n’dhé t’vet:
Fort gabon kush i gerget!

Pjesa e radhës
Ali Pasha i Gucís