Kangë e tetët
Drita duel, dielli s’ká lé,
Alì Pasha, ‘i trim rrfé,
Heret sod na kênka çue,
Kênka veshë, kênka shterngue,
Paska mathë çizmet dér m’giû,
Edhè u ulka në katue,
Kû nisë gjokun me shilue,
I vên frênin prej florinit,
I vên shalen telatinit,
I a shterngon me tre kollana:
Hidhet gjoku porsi Zâna,
Porsi Zâna n’mal t’Tomorrit:
Edh’ e zier te dera e oborrit,
Nânes s’vet aj kû po i thrret,
Kû po i thrret e kshtû po i flet:
«Po ndigio, morì ti loke,
Bânmu nderë miqve edhè shok’e,
Bânmu nderë, kush të jetë per nderë,
Mos lên t’vobeg me t’kjá n’derë,
Mos lên t’vobeg n’derë me t’kjá,
Por t’m’i dalsh moter e vllá,
Por t’m’i dalsh ti nânë e tatë,
Si të Parët na lanë zanát;
Se kan bîjtë do pûnë të reja
E do t’dal un dér kah Peja,
Dér kah Peja, dér kah Reka,
Per me u pjekë te Haxhi Zeka;
E nuk diej kur ká me m’rá,
Me u kthye dalë, me tý me u pá,
Persè shtegu orok nuk ká».
Nuses s’vet, mandè’ i ká thânë:
«Nji amanet jam tue t’a lânë:
Rritma djalin djalë bujár.
T’ më dalë burrë e burrë shqyptár,
T’ m’ bâhet trim e kuvendtár,
Me qindrue per kanû t’ vet,
Me luftue per Atme e Mbret:
T’ diej me prî e me ndigiue,
Armët e besen mos me i lshue,
Kûdo pûna me i qillue.
Por në kje se Mali i Zí
Erdh e rá kurr në Gucí,
Dér sá t’ jét djali kerthî,
Pásh njat Zot, qi të ká falë,
M’a ndigio ti, grue, nji fjalë:
Bâne zêmren gúr e krep,
Premia djalit kryet në djep:
Mos m’i a lsho Knjazit n’ dorë gjallë:
S’ due t’a lâ n’ Shqypní un prrallë,
Se nji i biri i Alì Begut,
E nji i nipi i Skanderbegut
Knjaz Nikollës i ká sherbye
Se ká vû kapicë mbí krye,
Se ká ndêjë per t’ gjallë nen Shkjá,
Pagë e t’ dheta atij tue i lá.
Mâ mirë n’ vorr m’u kjá per mâll,
Se nên Shkjá me ndêjë per t’ gjallë!»
Kshtû tha Alija e i hypi kalit,
Edhè u nis terthores s’ malit,
Porsì breshni me duhí,
Tue mendue, duhan tue pí.
Ç’ do t’mendojë, vall, Alì Pasha,
Qi i ká vrâ ato vetlla t’trasha,
Qi i ká vrâ ata sŷ si zhgjeta,
Thue se n’mní i ká ardhun jeta ?
Se shka endë kjo mendja e nirit,
S’din kush gjâ, posë njatij t’Mirit
Qi nuk flên as kurr nuk kotet,
Qi ká n’dorë stinët edhè motet,
E qi rrezja e sŷut ka’ i priret
T’zêmers s’nierit kthellon gjiret,
E i a shef të tâna endiret,
I a skjyrton t’gjitha dishiret,
Qi atŷ mrendë rrín t’u perzí
Dikû bardh e dikû zí:
Aj, po, din shk’âsht tue mendue
Alì Pasha rrugës tue shkue.
Un veç diej t’u tham nji fjalë,
Se, tue shkue ashtû m’kál e m’shalë,
Tue rá dromit me t’mdhej hapa,
Shum do rrugë ká lânë permbrapa:
Shkote gjoku porsi rê:
Edh’ âsht kapun te nji rrê,
Kû nji lis i bukur ishte,
Lisi ishte e hije kishte,
Edhè kishte 'i gurrë per brî,
Gurrë të gjallë, të kjarët florí,
Kû edhe gjokun ka ndalue
E i ká zbritë per me pushue
Nen at hije e te njaj krue.
Tue pushue per nen at hije,
Si luâ, qi prej shkretije
Zên m’ ndo’ i moje, kputë e lmekun,
Pá dobí mbasi t’ ketë ndjekun
T’ letë anmikun, qi i grabiti
Klysht e njomë e mnís i rrshiti,
Me sŷ t’ vrântë kundron Alija
Se sá bukur Shqyptarija
Rreth e çark i shtrohet para
Me liqêj, me lume e ara,
E me male të madhnueshme,
E me pyje të bleruesbme;
Edhè sŷt i mushen n’ váj,
Kah mendon se fati i sajë
Nder duer t’ hueja gjithmonë ngeli,
Se mâ i keqi p’rherë e shkeli
E s’ e la me çue kurr krye,
S’ e la dritë me pá me sŷ.
E ashtû ndêjë trimi nen hije,
N’ mend tuj endun pûnë Shqypnije,
Kur qe shef logut tue ardhë
Nji si Hije veshë në t’ bardhë,
Si nji vashë qi fat vè s’parit,
Shterngue ijet me ‘i shogë arit,
Edhè zhdredhun flokët giatë shtatit
Si ato rrezet krés s’ njaj shpatit
Kur bân dielli per me lé
Neper brymë të nadjes s’ ré.
Ardhun shtatit si breshâna,
Si ajo vera e si ajo Zâna,
Bite shpatit tue flakue,
Dér qi vjen e zên mbî krue,
Vjen e zên fíll nder ylbera
Qi ndermjet t’ stomeve t’ blera
E per rreth t’ argjantë t’currilit
I trajtote rrezja e diellit.
U trand gjoku kur e pá,
(Thonë se kali praskë[1] nuk ká.)
Curroi veshët e ngrefi kryet
E harû, pá i a dá sŷt:
Turfulloi nja dŷ a trí herë,
Tuj u zmbrapë rudines s’ blerë,
Kah kisht’ ndêjë Alija pshtetë.
Ali Pasha e pá edhè vetë,
E m’ njâ’n krah si kisht’ zatetë,
I dha shtatit e u drejtue
Edhè ndêj aj tue kundrue
Palè a isht’ nieri asè hyjní.
E tue kqyrë ashtû n’ habí,
Qatje vonë po nisë me i thânë:
« Pásh Njatê qi të ká dhânë,
A jé nieri a se jé Zânë?
A lutë Pashkë a lutë Bajram? »
« Se shka jam e shka nuk jam,
Se a lus Pashkë a lus Bajram,
Se a bâj hije a jo n’ ket jetë,
Ktû s’ âsht ngaeja me pëvetë:»
Po i thotë Hija atëherë Alís.
« Se ngusht janë pûnët e Shqypnís,
Se mrendë besa âsht krejt harrue,
Se lugat m’ tê Knjazi âsht çue,
Âsht çue Knjazi m’ tê lugat:
Ká qitë sogjet shpat e m’ shpat:
Don me dalë dér n’ Rozafat.
N’ at Berlin u dá pleqnija,
Në dorë t’ Shkjaut me rá Shqypnija. »
« Mo, pásh Zotin! Shka po flet?
Zên Alija e po gerthet.
Po a s’ ká Zot a s’ ká kund Mbret,
Qi nji Knjaz i Malit t’ Zí
Mund po e bâka aj sod pleqní
Me i pushtue kto Malet t’ ona,
Kû, se rrmen Drini e Valbona,
S’ ká rá mrendë parmendë e huej,
Pagë e t’ dheta s’ jânë lá kuej? »
« Jo, po, prá, i pergjegji Hija;
Nên kâmë t’ Shkjaut do t’ vuej Shqypnija,
Edhè Knjazit pagë e t’ dheta
Do t’ i lajë per sá t’ rrjedhë jeta;
Persè sod gjindja shqyptare,
Rrêjtë me pare e me timare,
Besë e fis kta kan mohuemun,
Krejt Atdhén kta e kan harruemun,
Edhè armët i perdorojn:
Kur mos t’ vrasin shoqisho’in:
Jo per t’ sjellë lirín Shqypnís,
Jo per t’ marë e t’ mirë t’ njerzís,
Por per t’ zgiedhë se kê nder t’ huej
Zot Shqypnija do t’ a quej.
Marre e turp per fis t’ Shqyptarve
Me shnderuem namin e t’ Parve
Edhè rob deshtas me ngelun
Nên kâmë t’ hueja ndrydhë e shkelun,
Si moskush m’ ftyrë t’ rrokullís!
Se un jam Ora e Shqyptarís,
Se un Shqyptarët-o do t’i nâmi,
T’mos u zhbîhet arve grâmi,
T’mos u dahet dhênve dâmi,
T’mos u lindet djalë në voter,
T’mos u rritet vllá as moter,
Por le t’shuehen nên zgiedhë t’huej,
Porsi shuehet krypa n’ujë.»
« T’lshosha bjeshkët, o morì Zânë,
Merr Alija, atëherë, me i thânë,
T’lshosha bjeshkët e t’lshosha malet,
Mos na nâm, he shto’ Zo’ vallet!
Se né nâma na ká rá,
Se né besa na ká vrá,
Q’se ká mrrîjtë fisi i Shqyptarit
Me u dridhë para Gospodarit,
Shqyptari me u dridhë n’sŷ t’Knjazit,
Qi as sá luga m’fyt t’nji mazit
S’çon kandár aj nder mbretní…
Jo, por, n’kje se n’Shqyptarí
Ké gjetë hije me pushue,
Ké gjetë gurra me u freskue,
E rudina me lodrue,
Me lodrue e me vallzue
Krah e m’krah me t’Bukrat tjera
Kur lulzon e butë Prendvera,
Pásh njat sŷ, qi e paske hýll,
Qi m’a çilë e qi m’a myllë
Si ajo hâna neper pyllë,
Deh! m’kallxo n’ket hije shpati
Si t’a pshtoj Shqypnín, i ngrati;
Se t’bâj bén mbî gúr të vorrit,
M’Bigë të Shalës e m’shkam t’Tomorrit,
Qi per tê nuk m’dhimet djali,
Qi per tê jeten e fali. »
Kur ká ndie Ora e Shqypnís
Se shka i tha Pasha i Gucís,
Fort me vedi ajo â gëzue,
Edhè Pashës kshtû i ká ligjrue:
«M’ kâmë, prá, Alì per n’kjosh kund gjallë,
Nuk âsht ngaeja sod me u tallë:
Knjazi topin âsht ka’ e kallë.
Dil e piqu m’ Haxhi Zeken;
Grish Kosoven, bashkò Reken:
Lsho kushtrimin n’ Toskë e n’ Gegë;
Mblidhniu tok si kokrrat n’ shegë:
Forca tok—s’ bâhet rrcok
Edhè, lidhë me besë shqyptare,
Bini Shkjaut ju fulikare:
Un me jue kam me qillue:
Shkján nên kâmë kam me u a shtrue.
Por, pse ti m’ a bâne at bé,
Se nep jeten per Atdhé,
Qe un po t’ ap nji forcë të ré
Vendit lisat ti me i shkulun,
M’ tý tagani mos me u ngulun,
Plumja e pushkës tý mos me t’ vrá,
Gjylja e topit mos me t’ rá. »
Edhe kshtû tue ligjirue,
Alì Pashës ajo âsht afrue:
Ká qitë doren mrendë në gjí,
Ká xjerrë jashtë do rozmarí:
I a ká dhânë t’ i mârre erë;
Mandej thânë i ká Alís;
« Hajt, Ali, ti me u sprovue
Palè a e shkulë lisin me rrêma,
Palè a e shkulë e prap e ngulë. »
Edhè trimi i âsht shterngue,
Me dý duert lisin ká kapë,
Dý-trí herë aj e ká trandun,
Me gjith rrâjë edh’ e ká shkulun;
Por, kur prap ká bâ m’ e ngulun,
As nji giû n’ dhé s’ mund e shtini.
Fort ká qeshë e Bukra e dheut,
Kur ká pá se aj Ali Pasha,
S’ muejtka n’ vend lisin m’ e ngulun,
Edhè s’ dytit rozmarín
I a ká dhânë t’ i marre erë.
Kur âsht çue s’ dytit Alija,
Me dý duert lisin ká kapë,
E si t’ ishte ‘i hû prej gardhit,
Shul perpjetë aj e ká ngrîjtun
E dèr m’ degë në dhé e ká ngulun.
Mandej sjellë âsht me soditun,
Se ç’ po i thotë Ora e Shqypnís;
Por me sŷ t’ Miren s’ e pá:
Isht’ bâ voes e rá nder lule.
M’ kâmë Alija habitë ngeli,
Tue kundrue rreth kah zabeli,
Deri nalt kû niste bora,
Per me pá se ç’ u bâ Ora,
Kur nisë gjoku me hingllue,
Nisë me thunder me trokllue,
Thue se n’ mend po do m’ i a qitun,
Se s’ isht’ ngaeja atŷ me pritun.
Âsht kujtue, medjè, Alija,
Per shka thânë i kishte Hija,
Se n’rrezik gjindej Shqypnija,
Edhé gjokut m’shpinë ká kcye.
Gjoku turrin ká shperthye :
Kush dŷ herë s’i pá me sŷ.
perde. ↩︎
Gjergj Fishta