Kangë e ndandët
Shkrepi dielli buzës s’ Cukalit,
Eja e t’ kndojm, oj Zâna e malit,
Eja e t’ kndojm më Lahutë t’ Malcís,
Si atà Krenët e Shqyptarís
Në Prizrend na janë bashkue
Per me folë, me bisedue,
Shqyptarín se si m’ e pshtue
Prej çapojve t’ Malit t’ Zí,
Qi ká dyndun top e ushtrí,
Me hî n’ Plavë, me hî n’ Gucí,
Me marrë Shkodren me Malcí,
Dér kû dán vendi me Drî;
Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës
Dorë i dhânka Knjaz Nikollës
Me ndezë zjarm aj m’ votra t’ ona,
Me ngá qét aj n’ ara t’ ona,
Me bâ drû n’ zabele t’ ona,
E me grá e me vasha t’ ona
Me luejtë Shkjau harushë nder né,
Thue se s’ ká Shqyptarë mbi dhé.
Por po kisht’, besa, Shqyptarë,
Kisht’ Shqyptarë zêmer bujarë…
Burra t’ urtë, trima luftarë,
Qi s’ po u tutshin kta me dekë
M’ erz a m’ tokë me pasë me i prekë.
Persè, qe, qaj Ali Pasha
Fort ká vrâ ato vetlla t’ trasha,
Ká vrâ vetllat edh’ â idhnue,
Burri i botës kur ká ndigiue,
Se n’ Berlin âsht bâ pleqnija
Nen kâmë t’ Shkjaut me vue Shqypnija:
Edhè n’ Pejë trimi ká dalë,
T’ tanë Shqypnís ká çue nji fjalë,
Qi shk’ â Krye, shk’ â Bajraktár,
Shk’ â Vojvodë e shpí e parë
Fíll me dalun në Prizrend,
Per me ngrefë atŷ kuvend,
E, si motit, per Atdhé
Me lidhë besë, me lidhun fé:
Besë e fé me lidhë shqyptare,
Se pá dalë Shqypnija fare,
Sa qi n’ fushë as në zabel
Mos të lehë mâ qên në stel,
Mos t’ këndojë as pulë as gjel,
Vendin t’ huejve mos m’ u a lshue,
Shkjaut per t’ gjallë mos me ju shtrue,
Mos me vû kapicë mbí krye:
Mbretit fjalen me ja thye.
Edhè n’ lajm qi çpon Alija,
Trup në kamë çohet Shqypnija,
Shk’ â Gegní e shk’ â Toskní:
Çohen Krenë e Bajraktarë,
Agallarë e Pashallarë,
Me Vojvodë e me Begllerë,
Trima n’ zâ, burra me nderë,
Larg t’ permendun per urtí,
Larg të lypun per pleqní:
E kush tok e kush pá shok:
Si atà hyjt qi shkrepin n’ qiell:
Në Prizrend na shkuekan fill,
Prizrenjanët kû mirë po i presin,
Bukë e zêmer kû po u qesin,
Si zanát qi e ká Shqypnija,
Kur t’u shkojë miku te shpija.
E si tok na janë bashkue,
Trimat m’kamë atëherë janë çue
E kan dalë në log t’kuvendit,
M’ato mojet e Prizrendit,
Kû kan ndêjun rend mbas rendit,
Me Ali Pashen n’krye të vendit.
Vall, ç’piskati n’hije t’blinit,
N’ato mrize t’Ljubotinit,
Qi ushtoi vigma ashtû zallís?
Ora e bardhë e Shqyptarís
Paska kênë n’nji gurrë t’u lá,
Edhè e Mira paska pá,
Se atjè poshtë-o në Prizrend
Kenkan mbledhë Shqyptarët në kuvend;
Paska pá ajo e kênka gzue,
M’mâje t’bjeshkës paska flutrue,
Edhè n’giûhë t’âmbel t’Shqyptarit
Thirrë i paska Zânes s’Sharit,
Sa qi ushtue ká hapesira:
A po ndien, moj t’raftë e mira!
Moj shtat-rrituna në mjaltë?
Peja ‘i herë m’ket bjeshkë të naltë,
Peja ‘i herë, per n’daç me pá,
Shka s’ké pá as n’Turk as n’Shkjá.
Zâna mirë atë e ká ndie;
Fluturim âsht lshue n’ajrí,
I a ká behë m’bjeshkë t’Ljubotinit,
Sa rre’ ‘i herë qepalli i synit,
Kû atŷ para i ka dalë Ora,
Edhè kapun dora-dora,
Tue kuvendë motra me moter,
Na kan zânun vend m’nji koder.
Vend m’at koder, si kan zânë,
Ká qitë Ora edhè i ká thânë:
Se un, qi dijtë e kam mâ s’miri,
Se tŷ p’rherë t’a ka dashtë hiri
Me t’kuvendun fjalë burrnije,
Me t’permendun punë trimnije
E me njoftë burrat e dheut,
Qi per Fé e lirí t’Atdheut,
Vringllojn shpatat si vetima,
Trandin boten si bumllima,
Bâjn anmikun copa e grima:
Deshta t’thrras, moj vetull-njalë,
Mbí ket bjeshkë nji herë me m’dalë,
Per me t’thânë se edhè n’ditë t’sotit
Po kisht’ burra porsi motit,
Mos me u trêmë në flakë t’barotit,
Mos me u tutë n’vringllim t’çelikut,
Ballë per ballë m’i u turrë anmikut.
A i shef, poshtë, atje n’Prizrend,
Njatà burra mbledhë n’kuvend?
A thue i shef e a thue po i njef?»
Un po i shof por nuk po i njof
Nuk po i njof, jo, se kush janë,
Po i pergjegjë e bardha Zânë,
Veç, mbas giaset, kish’ me thânë,
Se ata Akejt na kênkan njallun
Qi t’largtë Trojen paten kallun:
Pse edh’ aj trimi n’krye të vendit,
Qi po dán në log t’kuvendit
Porsi t’isht’ nji rod drangonit,
Fort m’i giaka Agamemnonit;
Si p’r at tjetrin, pak pertej,
Me atà dy mustakë të mdhej,
Krah e m’krah qi i paska lshue,
E qi folka si tu ulrue,
Kish’ me thânë se âsht Diomedi.
Fort ká qeshë Ora me vedi,
Fort ká qeshë e kshtû i ká thânë:
Se atà Akej, besa, nuk janë,
S’janë Akej as s’janë Dardâj,
As vigaj, as katallâj;
Por jânë Krenët e Shqyptarís,
Krenët e Gegvet e t’Tosknís,
Qi kan dalun në ket dhé
Me lidhë besë, me lidhun fé,
Edhé m’armë kta me u shterngue,
Europës fjalen m’i a poshtue,
Qi me Mbret paska pleqnue
Me i dhânë dorë Malit të Zí
T’a coptojë t’mjeren Shqypní.
Sá p’r at trimin n’krye të vendit,
Qi po t’dán në log t’kuvendit
Porsi t’isht’ nji rod drangonit
E qi i giaka Agamemnonit,
Aj nuk âsht, mori lum Vasha,
Tjeterkush veç se Alì Pasha,
Qi per t’drejta t’Shqyptarís
Vetë i a nep zjarmin shtëpís,
E s’i dhimen nanë as djalë:
Per to jeten vetë e falë.
E njaj tjetri, mâ pertej,
Me ato dy mustakë të mdhej
Me i prekë m’shoq qi ka brî vedi,
Aj nuk âsht, jo, Dijomedi,
Por âsht Bajraktari i Shkrelit:
Si njaj pyrgu m’ballë t’kështjelit,
Qi s’e trandë as topi as shpata,
E i thonë êmnit Marash Vata.
Jo qi ká atŷ burra tjerë,
Bajraktarë, Krenë e Beglerë,
Qi per fjalë e per urtí,
Per trimní, per bujarí
Nuk i a lshojn vendin kurrkuej
As n’Shqypní, as nder të huej.
A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Qi m’a ka sŷnin si zgjeta,
Qi m’i bâjn t’gjith t’u ngjatjeta,
E qi folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Qi prandej njat fjalë qi e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè dera e tij bujare
Larg permendë âsht n’tokë shqyptare
Per kah pupla e per kah dija,
Pá të cillat s’rron Shqypnija?
Aj âsht trimi Frasher Begu,
Qi gjithkund, kû e qiti shtegu,
I la nâm aj Toskënís
Faqe t’bardhë i la Shqypnís.
Mandej vjen nji Qefalí,
Prenk Bibë Doda, djalë zotní:
Per kah mosha, mjaft i rí,
Por i vjeter per pleqní,
Kur të dojë me folë urtí:
Aj âsht, Zânë, njaj Kapitani,
Kapitani prej Mirditet,
Per të cillin larg perflitet,
Larg perflitet, larg kallzohet,
Zí edhè bardh per tê shartohet.
Atëherë vjen në rend Toptani,
Qi edhe ktij larg i vojt zâni,
Per shka mirë e zí qi bâni:
Persè i forti, si e din vetë,
Mirë e zí punon n’ ket jetë,
Kur t’ i marrë mendja perpjetë.
Per bri tij vjen prap Zogolli,
Gjetë Gegë Shllaku edhe Begolli;
Vjen Çun Mula e vjen Mar Lula,
Njani Hot e tjetri Shalë,
T’ fortë per pushkë e t’ urtë per fjalë;
Si aj Dodë Preçi prej Kastratit,
Me at Vrijonin e Beratit,
Edhè trimi n’ zâ Deralla,
Qi po i kishin fjalët e rralla,
Por s’ po çajshin shum kopalla
Kû, po, isht puna me qindrue,
Me qindrue pr’ Atdhé t’ bekue.
Por pertej, m’ at tjetrën ânë,
Aj âsht, Zânë, nji burrë shkodrânë:
Âsht Shan Deda i Dedë Jakupit,
Qi, si Ltinit, si Halldupit
Rrumullak fjalen u a flet;
Pse âsht derë pushke gjet me gjet
E s’merr vesht per Krajl as Mbret.
Se ti, besa, mirë po thue,
Mori Zâna me ligjrue,
Se edhè n’sŷ jam tue e dallitun,
Qi kûdo pûna me e qitun,
Per pá e shkrepë ky s’kisht’ me u pritun.
Veç un deshta ktû t’a die,
Se kush âsht njaj kime-zí,
N’dŷ kubure e n’nji harbí,
Qi e ká vû ksulen m’njâ’n sŷ
E i ká lshue tirqit nên í.
Sikur lshue s’i ká kurrnjêni?
Aj âsht, Zânë, Abdullah Drêni:
Njaj, pa t’cillin s’hecë kuvendi
E i a dro t’keqen Prizrendi.
Dro Prizrendi e dro Gjakova
Rreth e çark i a dro Kosova;
Pse fjalë peng aj kurr s’ká lânun;
Pse per mik e besë të dhânun
Vetë i a nep zjarmin shtëpís:
Shì me Mbret pushken e nisë,
E as s’i lên marre Shqypnís.
Dersá m’bjeshkë të Ljubotinit
Per nen hije t’mraztë të blinit
Po ligjrojshin Zâna e Ora,
Krye më krye e dora-dora,
Atje poshtë në Prizërend
Abdull Frasheri, ‘i Toskë me mend,
Kshtu ká nisë të çilë kuvend:
Enè breshtet t’Kapitolit
Dalë nuk kisht’ e murrtë ulkoja,
Per me i dhanun sisë Romólit,
Mbasi shâmë kje per dhé Troja:
E atjè larg, po, kah Urali,
Nper atò breshta të larta,
Siellej Shkjau, si shkerbé mali,
Tue kerkue per molla t’tharta,
Kur m’kto vise të Balkanit
Të Parët t’onë, Pelazgt e motit
Gjân e gjallë kullotshin planit,
Qét i ngitshin m’fushë të Zotit.
Kishin frone e ligjë të mara,
E giatë shtegut t’gjytetnimit
Ishin shtŷ atà larg perpara
Q’me prendverë të rruzullimit.
Prej kah fíll zèn rriba e Verit
E m’Vezuv t’veshun n’gjineshtra:
Prej Kaukazit m’Shkam t’Doverit,
Kû rri Albjona e pjekë gjenjeshtra,.
Fis mâ t’vjeter kund nuk ká
Se âsht ky fisi n’zâ i Shqyptarit,
Në mes t’t’cillit punët e mdhá
Per Europë zûnë t’enden s’parit.
Po, m’kto male e karpa t’ona
S’parit Zeusi njerzt i rysi,
E me augure te Dodona
Egersín aj u a permysi;
Ktû edhè s’parit Orë e Zâna
Nisen valle me vallzue,
E nper vrrîje e fusha t’gjâna
Zû Pegazi me lodrue.
Këtu, Leka mati hapin
Me i dalë botes n’fund e n’krye,.
Edhe n’ Hind e çpori vrapin
Rrufén n’ dorë, vetimen n’sŷ:
Si edhè Pirri, qi, mbrefë pallen
E dalë detin si duhí,
Shî nen Rromë e shtroi hamballen
Të tanë n’ krena Rromakësh t’ rí.
Kûdo rrâni turr Shqyptari,
Mirë aj lidhë me besë e fé,
Atje lufta mori zhari,
Atje gjaku rrmej nper dhé;
E as s’ u gjet kund mal a rrmore
Qi atij hovin me i a ndalun;
I rá zhyt aj valës mizore,
Me armë n’ dorë nper flakë ká dalun.
Gal, Rromakë, po, dikur motit
Kjenë pershkue nper tokë shqyptare,
Si edhè fiset e Ostrogotit
Me ata Slavt, kta dalshin fare!
Por Shqyptari s’ e perkuli
I gjallë qafen nen zgiedhë t’ huej:
E lshoi token, në mal dueli,
Por të dheta s’ i lau kuej.
Porsi njaj tallazi i detit,
Qi dyndë mal e bardh prej shkûme,
Dekë e mnderë tue lânë mbas vetit,
Vjen e thehet m’ kep t’ ndo ‘i gûme:
Njekshtû forca e cilldo anmiku,
Qi desht dam t’ na i sjellë lirís,
Erdh e u thye m’ parsme çeliku
T’ bijve t’ maleve t’ Shqypnís.
Pat kujtue Sulltan Murati
Se Shqyptarët i ká lshue zêmra,
Se prandej po u rrin aj gati
E rob t’zânë po i shtron nên thêmra;
Edhè dyndë nji ushtrí kreshnike,
Të tanë djelm t’regjun nder gjaqe:
Bota marë eshtet prej frike;
Kján Europa, lott per faqe.
Por n’ket punë u gjet gabue;
Skanderbegu ‘i rrfé prej qiellit
Pallen zier atjè në Krue:
Se ç’vetue ká n’rreze t’diellit!
E si ulâ tue buluritun,
Shqyptarís i a lshon kushtrimin,
Qi, shk’â burrë, në luftë me zbritun,
Turkut m’armë m’i a shtypë guzimin.
Trup në kamë i a bân Shqypnija,
Mirë nder armë edhe shterngohet,
E si breshni e si duhija
Fulikare mbi Turk lshohet.
N’at turr t’tyne trandet toka,
Tymi çohet dér mbí rê,
Bumbullojn male edhè boka,
Rrëmen gjaku shtojt kurrnê.
Shtrî m’fushë t’Dibers Jeniçeri
E, si kau nen thikë të kandarit,
T’u perpjekë per tokë i mjeri,
Kah e ndrydhë m’fyt kâma e Shqyptarit,
Aj e shef, sado qi vonë,
Se me dhûnë Shqypnija s’shklitet,
E se rrêjn atà qi thonë,
Se p’r Atdhé Shqyptari s’vritet.—
Jo, prá, vritet, pasha Zotin!
Nisë Shan Deda, n’fjalë t’u zé,
Porsi vrám âsht aj gjithmotin,
Kur kje puna per Atdhé.
Edhè Mbretit të Stambollit
Shqyptarët pushken i a kan vû,
Sa herë Turqit e Anadollit
Paten dashtë me u shkelë m’ kanû.
Kû t’a lypë e mira e Atdheut
E t’a hjekë lirija e vendit,
Kush â nipash t’ Skanderbeut,
I ç’do fés e i ç’do kuvendit,
Per t’a msŷ aj ká anmikun,
Si petriti zogjt trumcakë,
E kûdo t’ vringllojn çelikun
Nuk lên token pa e pergjakë.
Mocë Shqyptarët me stalagtita,
Lirë gjithmonë kta e kan shkue jeten;
E se enden nata e dita,
Se zên vjeta në rend vjeten,
Kta, posë Zotit t’ naltë t’ Empirit,
Qi ushqen krijen e veshë lulen,
Kryet dér sod perpara nirit
Enè kurr nuk e perkulen.
M’ kamë, atëherë, burra të dheut,
Mbasi t’ zott jemi me dekë
Per lirí e nderë t’ Atdheut,
Prap zên Duli fjalët me i thekë:
Perse sod a kurr Shqyptari
Gjân e vehten do t’ bâjë flî
Per Atdhé, qi atí i la i Pari,
E per nderë e per lirí.
Sod t’shtatët Krajlat edhè Mbreti,
N’ at Berlin n’ kuvend bashkue,
E kan bâ pleqnín n’mjet veti
Malcín Knjâzit me i a lshue;
Me i a lshue Knjazit Malcín,
Me na dá né vllá me vllá,
Me na hupun Shqyptarín,
Me na lânun rob nên Shkjá.
Kush â nipash t’Kastrijotit,
Qi ká nderë e nuk bán kore:
Burrë, si burrat qi kjenë motit:
Aj sod armët të rrokë mizore
E të dalë në breg të Cemit,
Prej kah Shkjau rri e na kercnohet,
M’i a diftue botës e polemit,
Se pá gjak Shqypnija s’shtrohet.
Ktû s’do t’shklasë, jo, kâma e huej;
Kush, posë nesh, s’zên qé m’ket tokë;
Se na rob s’i shtrohna kuej,
Dér sa t’jemi gjallë me kokë,
Me eshtna t’onë, po, na Shqypnís
Nji murojë kem’ per t’i a vû,
Qi edhe topat e Rusís
S’kan per t’mujtë, jo, m’e dermue.
Abdul Frasheri kshtû foli;
Kur Mar Lula, i pari i Shalës:
Nji sŷ zjarm, nji zog sokoli,
Burrë i zoti i pushkës e i fjalës:
I a pret fjalen n’log t’kuvendit:
Se ti, pasha at Sh’Marrabé!
Sá per t’dalun zot un vendit,
Me m’qortue nevojë nuk ké.
Pse, se â zânun kjo Shqypní,
Un kam ndêjë me pushkë per faqe,
E per vend e per lirí
Kam rá pré, kam bâmun gjaqe.
Kam shkue jeten si bishë malit,
Zdathë e zdeshë edhè pá ngrânë;
Por as Mbretit, por as Krajlit
Tungjatjeta s’i kam thânë.
Un kam ruejtë giûhen shqyptare;
Un kam mbajtë doke e kanû,
E as per pare e as per timare,
Gjak e t’ Parë s’i kam mohue.
Prandej, Shkjau me pasë per t’msŷ
E me dalë kndej kah Shqypnija,
(Si po thonë se ká vû sŷ)
Ká me u ndeshë, po, m’armë të mija,
M’armë të Lekve e t’Dukagjinit,
Qi, me nihmë të Perendís,
Kan m’i a thye pleqnín Berlinit,
Kan m’i a pshtue lirín Shqypnís.
Por pse m’thue me u vrá me Shkjá;
Tue pasë mrendë na Anadollakun,
Qi kurr t’keqen s’m’a ká dá,
Qi kurr qafet s’m’a hoq lakun:
Qi edhè zêmren m’a ká thá
E m’ká mytë aj tatë e nânë,
E shnjerzue m’ká grue e moter,
E s’m’ká lânë me u rritë djalë n’voter?
M’ká korrë aren e punueme
M’ká mârrë token e trashgueme,
E tue m’bâ kanûn paçaver,
M’ká mârrë qét, po, per nên laver,
M’ka mârrë lopet me gjith viça,
M’ká mârrë delet me gji’ ogiça,
M’ká mârrë dhên e m’ká mârrë dhiz,
M’ká thá vathë e m’ká thá mriz:
Edhè sod m’ká vû leçí,
Mos me folë n’giûhë t’t’ Parve t’mí;
E m’a man giûnin mbí bark,
E m’a repë shpirtin me çark,
Si mo’ Zot, mâ keq per mue,
Nder thoj t’tij qi kam qillue?..
Po a pse Turqit e Anadollit
Duen të tallen këtij trollit,
Na m’i a vû pushken Nikollit?
Jo, per Zotin!—kjoftë levdue!
Se un Manov nuk kam qillue,
Qi me dalë e me luftue,
Perse Krajli a perse Mbreti
Duen të m’majn mue rob nên veti;
Un luftoi veç per lirí,
Per erz t’êm e per Shqypní:
Se un t’huej’n zot s’e due në shpí,
S’due të njof as Krajl as Mbret:
Mbret Shqyptari âsht n’vend të vet.—
Të lumtë goja, bajraktár,
Ali Pasha, ‘i trim bujár,
Mêrr e i thotë t’parit të Shalës,
Se ti lak s’i bâke fjalës.
Se ti folke n’log t’kuvendit,
Si po e lypte e mira e vendit.
Per Shqyptarë, si jemi na,
Turk a Shkjá të dy janë nja;
Pse të dy, si Turk si Shkjá,
Né me sŷ s’duen me na pá,
Edhè jânë, per né të huejë:
Gjind, qi as vedit as tjerkujë
Nuk jânë të zott nji t’ mirë m’ u a sjellë,
As per dije e mende të kthellë,
As per punë, as per tregtí,
As per t’ marë në gjytetní.
Por, pse na të vogjel jemi,
Pse kend fis as vllá nuk kemi,
Na sod Shkjaut s’ mund t’ i bâjm ballë,
Qi po do t’ na perpîjë gjallë;
Prandej, thom, se e lypë e mara,
Qi edhè sod na, si perpara,
Të rrijm njitë me Mbret t’ Stambollit,
Per me i bâmun bailë Nikollit.
Dikur dita ká me ague,
Qi edhè Turku do t’ mârrë m’ thue:
E m’ atëherë, shka â Toskë e Gegë,
T’ mlidhen tok, si kokrrat n’ shegë,
E t’ i a napin Turkut t’ shtŷmen:
Qi s’ ndrron vesin, veç se qŷmen:
E t’ a lshojn krye-picingul,
T’ i a thejn zverkun në Mosul.
Prá, ju burra, un kish’ me thânë;
Ktû fjalë tjeter mos me zânë;
Veç me hî me shkrue nji leter,
Me shkrue ‘i leter m’ kanû t’ vjeter
Per t’ shtatët Krajlat mledhë n’Berlin:
Qi, pa u shterrun Drî e Shkumin,
Edhè Buena per pa u thá,
Na per t’ gjallë nuk rrím nên Shkjá.—
Kshtû ká folë Pasha i Gucís.
Edhè Krenët e Shqyptarís
Kan mârrë letren per m’ e shkrue,
Fjalë per fjalë kshtû tue e peshue:
Ju qi jeni të shtatët Krajlat,
Edhè ti Mbreti i Stambollës,
Falmeshndet Krenët e Shqypnís.
Per njat gjýgj, qi e keni bâmun,
Qi nen Shkjá me vue Shqypnija,
Pa shikjoni, se, per Zotin,
Mund t’na bîjë ndo’i pûnë e keqe;
Pse na rob s’i bâhna kuej,
Pagë e t’dheta s’i lájm kuej.
Njiket tokë të Shqyptarís
Zoti vetë Aj na e ká falun
E as Taljanit mârrë s’i a kemi,
As rrëmye s’i a kem’ Francezit.
As Inglizit, as Teutonit,
Se mâ Slavit jo se jo,
Qi veç dje ká rá n’ Balkan
E kush di se kû e kputë zverkun:
Si ajo vrula e kacalecit:
Sod këtû, neser s’diej kû.
Sá per Mbretin e Stambollit,
Qi po thotë, se Knjaz Nikollit
Do t’i falë Shkodrë e Malcí,
Mund t’i thoni, se Shqypnija
Nji shportë fiqsh nuk ká qillue,
Per m’u a dá miqve peshqesh;
Por âsht toka e t’Parvet t’onë,
Âsht Atdheu, po, i Skanderbegut,
Âsht Atdheu, po, i Mojs Golemit
E i atij Lekë Dukagjinit,
Edhè i Kukës edhè i Muzakut
Edhè i Strezës e i Aranitit
Qi e kan lá t’ tanë me gjak t’ Turkut.
Prandej s’ ká as Krajl as Mbret,
Qi ket tokë e falë a e shet,
Dér sá t’ két nji zog Shqyptari,
Qi t’ bâjë hije permbi dhé.
Kështû letren e kan shkrue,
Edhe mirë e kan palue,
Mandej shtek ata i kan dhânë
Per Berlin, kû kishin zânë
Mbreti e Krajlat, gjŷgj me i dá
Shekllit t’ ngratë, në gjak krejt lá.
Gjergj Fishta