Mehmet Ali Pasha

Kangë e dhetët

Po rreh teli i vilajetit:
Kush â Krye e Bajraktár,
Kush â beg e shpí e parë,
M’ Kaçanik e del m’ Qafë t’ Diellit,
Hiq e eja në Gjakovë;
Pse ká ardhë nji Pashë i rí
E ká ‘i fjalë të madhe fort
Me u a thânë Krenve t’ Shqypnís
Te konaku i Abdullah Drênit.
Shkuen trí dit e shkuen trí net
Edhè Krenët behen n’ Gjakovë,
Njani beg e tjetri agë,
Kush Vojvodë, kush Bajraktár.
U kan prî nja dy zotní:
Ali Pasha e Haxhi Zeka,
Burra lidhë me besë shqyptare,
Si dŷ plume n’ «xheverdare»,
Fíll te Pasha edhè kan hî.
Atà mirë i ká pritë Pasha,
Pasha Mehmet Alì Pasha.
U ká qitë duhan e kafe,
I ká pvetë per rob e shpí,
E per treg e per bulqí,
Per mehmurë e veqilade:
Se si shkohej n’ ket dhé jeta,
Se a po kisht’ me se m’ u rrnue.
Qatje vonë po zên e u thotë:
Baba Mbret u bân «selám»
Se aj jue u ká lule m’ saksí,
Se aj jue u ká, po, hajmalí,
Hajmalí bajtun nen sjetull:
U ruen porsi sŷ’n nên vetull.
Veç se erdhen mote t’ vshtira
Si per Mbret ashtû per Krajla…
Elè mâ qaj Knjaz Nikolla
Nuk po i shef kund mâje vedit,
Ke ká ngelë m’ krepa t’ Cetinës
Pip i lmuet, pa gjâ mbas shpirtit,
Me i u dhimtë gurit e drunit.
Prandej Krajlat jânë mendue,
Jânë mendue e e kan pleqnue,
Me i u lutë Mbretit t’ Stambollës,
Qi t’ i a lshojë kund kah Shqypnija
Ndo’i grimë djerr, ndo’i pllamë tokë buke,
Sá me pasë kû me gjellisun;
Pse, vallahi! ngusht ká rá.
Edhè Mbreti, i u rritët jeta!
E ká bâ me mend pleqní,
Me i a lshue Malit të Zi
Hot e Grudë, Plavë e Gusí…
Pasha Zotin! ká gabue,
Zû Alì Pasha tue u idhnue,
Se kjo pûnë qi s’ bâhet kurr:
Se gjâ e shkretë s’ ká metë Shqypnija,
Qi me u dhânë bakshish nder Krajla.
Shqypnín Mbreti s’ e ká shtrue
Me armë n’ dorë, si viset tjera,
Tjerat vise të Balkanit:
Por ortak u bâ aj me né,
Tuj u lidhë me besë e fé,
Se aj Shqypnín e njef Shqypní;
Se s’na lot kanû’n e t’ Parve:
Se s’na prekë nder doke t’ ona,
E se na atí i shkojm n’ ushtrí,
Kurdo luftë t’ i qesë anmiku.
Na edhè besen i a kem’ majtun,
Kû ká thânë, na i kemi shkue:
Se n’ Jemen na kem’ luftue:
Me Junan na jemi pré;
Jemi grî me Armen e Shkjé,
Pa nji t’ mirë, o Zot! per vedi;
Se ktû s’ ké kurrgjâ per s’ mari:
Vendi e gjindja lshue pa zot:
Hajni e cubi ndêjë mbí post:
I pafaji vjerrë m’ konop:
Gjâja hupë nder thoj t’ murtatit:
Erzi e burri per dŷ pare:
Kryet e burrit p’r’i cingare.
E sot dashtka baba Mbret
Me Shqypní me bâm aj nderë,
Thue ‘i shportë fiqsh kjo ká qillue,
Anì kujë? Malit të Zí!..
A din shka, ti Pasha i Mbretit?
Ngarko rraqet per Stambollë
Se ky, po, âsht nji vend i eger
E po t’ njitet kund ndo ‘i ferrë…
Sa per caqe të Shqypnís,
Kto kaherë kan kênë vendue:
I ká ngulë shpata e Shqyptarit,
E njaj Knjazi i Malit t’ Zi
S’ ká me i shkulë, mor’ pasha Zotin!
Me i u bâ dhami sa derrit.

Ç’ká qitë Pasha edhè i ká thânë:
Se ti kênke ‘i Arnaut i çmendun,
Dalun Dinit edhè Imanit:
Pse kshtû Turku, bre! nuk flet.
Anì kush « ortak » me Mbretin…
Do koçakë, do cuba malit,
Per t’u vjerrë të gjith m’konop.
Haps, bre! derrat ktû me i bâ;
Pse, mos t’isht’ Mbreti i Stambollës,
Dielli dritë s’kishte me lshue,
E as s’mêrr frŷmë krajl permbí dhé:
Jo mâ « ortak » Mbreti me u bâ
Me malokë cuba shqyptarë…
S’ká Shqyptarë as s’ká Shqypní:
Veç ká Allah, Mbret e Turkí!
Vrik ká hî çaushi i zaptive,
E i ká reshë burrat perpara,
Si bariu qi reshë bagtín,
Kur prej mbramjet dredhë kah shpija,
Edhè n’burg, kû lidhet kali,
I ká ndrŷ Krenët e Shqypnís.

Pûnë e keqe, pasha buken:
S’âsht per burra hapsi as shkopi:
Per ta â shpata ase konopi.
Por se shka, se puna e keqe
Ajo vjen, po, tuj u shtue:
Nisë çurrel e bâhet prrue.
Prandej Pasha ká gabue
Haps me i bâ Krenët e Shqypnís;
Persè toka nuk pat plasun
Qi me i qitë vedit mbí dhé
E kurrkush mos me u rá mbrapa,
Por kan gjind e kan robní,
Por kan fis e kan vllazní,
E atà gjindt e aj fisi i tyne,
Thonë, s’i a barin t’keqen kuej.
Kshtû qi Mehmet Alì Pasha
Ká me rá, thom, nji ditë ngusht,
Ká me kapë aj kryet në grusht,
Per shka bâni m’Krenë t’Shqypnís.
Pse t’bjerë ngusht nji Pashë i Mbretit,
Ká ndo ‘i send e s’ká ndo ‘i send;
Veç un drue p’r Abdullah Drênin,
Qi tue mbajtë âsht gjarpnin n’gjí,
Q’se i ká vojtë Pasha per mik,
Mbrendë t’u errë e mbrendë tue zbardhë,
Tuj u kndellë në bukë të tij,
Drekë e darkë ka nji ferlik,
Cile e zamer ka ‘i «misnìk»,
« Gjak e vjamë » dér m’kupë të giûnit
Bukë Shqyptarit mbas kanûnit:
Un po drue, se Abdullah Drênit,
Nper at mik qi man te shpija,
Mund t’na i bîjë ndo’i punë e keqe;
Persè besë un s’mund t’a zâ,
Se nuk lot Shqypnija e Eper,
Se s’po lot Shqypnija e Eper,
Per me i pshtue atà Krenët e vet;
Per me bâ qi aj Pasha i Mbretit
Fort të bindet prej vedvetit
Per shka bâni m’Krenë t’Shqypnís.
Po, por shka, se Abdullah Drêni
Vshtirë se lên m’i a shkrrye kush mikun:
 i Gjakovas, nuk bán marre,
Pse edhè e ká pushken zanát.
Prandej, thom, se nuk do t’ngiasë
E n’ Gjakovë rrebtë do t’ kersasë,
Pse halís i u dha kushtrimi
M’ Kaçanik e del m’ Qafë t’ Diellit,
Ç’ merr prej Sharit m’ Buletin,
Me rrâ turr m’ pazár t’ Gjakovës
Tym per shpí ka ‘i burrë me armë.
E t’ ká rrâ Pêjë e Kosovë,
E t’ ká lshue Rekë e Rogovë,
Ká lshue Gásh, ká lshue Krasniqe,
Âsht dyndë Plava me Gusí
E t’ kan dalë m’ at fushë t’ Gjakovës
Porsi miza per kercunë.
Anì shán s’ largut anmiku,
Se kurr bashkë s’ bâhen Shqyptarët!
Preki ‘i herë ti m’ doke t’ t’ Parve,
Preki ‘i herë ti m’ erz të fisit,
Edhè tý kan me t’ diftue,
Se si dijn kta me u bashkue,
Se si bijn kta m’ shpinë t’ anmikut,
Thue â ajo lava e Kaçanikut,
Kur në Shndré t’ a forojë zija.
Qe, edhè Pasha, Mehmet Pasha,
Pat mendue n’ Stambollë me vedi,
Se Shqyptarët m’ godi s’ mund t’ bijn:
Por se tash, qi â aj vetë tue pá,
Se sa behi pika e djalit
M’ ato rranxat e Gjakovës,
I a ká vû, po, gishtin krés,
E ká nisë aj me u pendue
Per shka bâni m’ Krenë t’ Shqypnís.
Vall, po i thotë Abdullah Drênit,
Shka ká rrâ sod gjithky nieri?
A jânë krushq ardhun per nuse?
A jânë axhamít e Mbretit,
Qi po shkojn me u veshë nizamë?
T’u ngjatët jeta, po i thotë Duli,
As s’jânë krushq ardhun per nuse,
As s’jânë axhamít e Mbretit
Qi po shkojn me u veshë nizamë;
Por jânë djelmt e Shqypnís s’ Eper,
Qi kan ardhë me folë me tý,
Per do Krenë qi t’ kan pasë nisun
E qi kthye s’u kan te shpija.
Âsht vrâ Pasha kur ká ndie,
Se atij mendja s’i a pat pré
Qi n’ Shqypní aq nieri pshtiellet,
Per t’ rám mbrapa pûnve t’ veta.
Shka i tha, at herë, çaushit t’ zaptive?
Shpejt me i lshue Krenët e Shqypnís,
Persè… falë i paska Mbreti
Edhè Krenët kan dalë prej burgut
E pa lypë m’ Pashen me u pjekë,
Fíll kan vojtë m’at fushë t’ Gjakovës,
Kû kan mledhë halín n’ kuvend
E kan nisë të bisedojn:
Si t’i a bâjm e tek t’i a bâjm,
Se né Mbreti na ká shitun
Na ká shitun Malit t’ Zí
Per nji rrotull gurabí.
E ky Pasha, Mehmet Pasha,
Ky edhè ardhka prej Stambollet,
Per me i dhânun Knjazit dorë
M’ Hot e m’ Grudë, m’ Plavë e m’ Gusí.
T’ tânë halija thotë nji fjalë:
Se Shqypnín s’e lshojm per t’ gjallë:
Se na desim t’ gjith si jemi,
E n’ dorë Knjazit nuk i vemi:
Se edhè Pashen e Stambollës
Këtû e duem, m’i a bâ na gjygjin:
T’a mârrë vesht Krajl edhè Mbret,
Se Shqypnín kush s’na e perket!
Haxhì Zeka at herë âsht çue,
Ká marrë fjalen t’ kuvendojë:
Derë në zâ âsht shpija e Drênit,
Kû han bukë i verbtë e i shkeptë,
Edhè trim âsht Abdullah begu:
Mirë âsht lajmin, thom, m’i a çue,
A na lshon Pashen n’ dorë gjallë,
A i a lypë Shqypnís per mik
Burrë i urtë ky Haxhì Zeka,
Burrë i urtë e flet arsye,
Pse miku s’i pritet kuej,
N’dashtë Shqyptár, n’ dashtë nieri i huej,
Pa e bâ dert ke i zoti i shpís.
Ká shkue lajmi m’ derë të begut
E i ká thânë Abdullah begut:
Ti qi jé Abdullah begu,
Falmeshndet po t’ çon halija:
Njat murtat, qi ké te shpija,
A thue bân n’ dorë me na lshue,
Persè e kem’ nji gjŷgj me tê.
Ká qitë begu edhè i ká thânë:
Se âsht murtat, se s’âsht murtat
Kû t’a diej ket pûnë i mjeri,
Pse, vallahi! pvetë s’e kam.
Ket zânát s’m’a ká lânë baba,
Me i pvetë miqt un se shka janë,
Se shka janë e shka nuk janë:
Se kah vîn e se kah shkojn:
Shka punojn e sa rrogojn.
Veç, po, ‘i punë baba m’ká msue;
Miqt per t’gjallë un mos me i lshue.
Po t’më lypë halija mue
Gjithkû e kam un gjân e babës,
Po i a lshoj me mal e vrrí,
Po i a lshoj t’eger e t’butë:
Po i lshoj token me gjith shpí,
Po i lshoj plemet me tagjí,
Po i lshoj vathen me bagti,
Dhên e dhí un po i a fali:
Erz e shpírt e mik s’i fali!
Âsht çue lajmi edhe ká shkue.
Begu n’kullë mirë âsht ngujue,
Me miq t’vet e pêsdhetë Fandë,
T’zott me brejtë hekur me dhâmë:
Mjaft me thânë qaj Oshi i Nuros,
Qi po i kisht’, po, nja trí zêmra,
E po e kisht’ sŷnin rrfé:
Qi s’la Pashë me thye kanunin,
Qi s’la beg me fikë katundin,
Nuk la agë me bâ plaçkë grunin.
Vall, ç’ká thânë hoxhë Korenica:
Pa ndigiò, ti Oshi i Nuros,
Qi jé Fandë e ha kuvend,
Edhe din si hecë kanuni:
A m’i thue ati’ Abdullah Drênit,
Le t’na lshojë Pashen e Mbretit,
Le t’na lshojë Mehmet murtatin;
Pse per mik hasmin e vendit
Nuk e zên kanuja e Maleve!
Oshi i Nuros m’at frangí:
Se, manàt, hoxhë efendí,
Mue ktû begu s’më ká prû,
Me pritë peng, me dá kanû,
Mbasi as doke s’po isht’ n’Shqypní,
Me lypë mikun me pleqní,
Por me pushkë, barot të zí.
Veç se shka, si m’duket mue,
Per Shqyptarë kund giasë nuk ká,
Mikun shoqit me i a ngá;
Pse falë nieri tatë e vllá,
Falë të sháme e falë të ráme,
Por jo mikun n’bukë e n’krypë:
S’e bân mikun mish per krraba,
Si s’e bân as Dulo Drêni,
Qi bjen n’zjarm e qi bjen n’ujë,
Edhè mikun s’i a falë kuej,
Si tash «huta» të difton.
Edhè «huta» bâni «bam».
Lum e lum per t’madhin Zot!
Kur ká krisë kjo «huta» e Oshit,
Se ç’ká ushtue Suka e Çabratit,
Se ç’âsht dridhë qaj Gramoleci,
Se edhè lufta ç’âsht ndezë zhari,
Me Shqyptár t’u vrá Shqyptari:
Shqyptarët, po, t’u vrá n’mjet veti,
Per nji Pashë qi çueka Mbreti.
Eh atê Zoti m’a marroftë!
Persè i huej, kushdo qi kjoftë.
Aj gjithmonë â augur i zí
Per të mjeren moj Shqypní,
Si njaj korbi qi ndiell zí.
A she’ ‘i herë, sa e zezë nji provë
Âsht t’u reshë sod mbi Gjakovë
Neper shkak t’nji nierit t’huej,
Qi veç dam se ‘i t’mirë s’suell kuej?
Keq nper tê Shqyptarët ngatrrue,
M’shoqishojn kta m’armë kan lshue:
Aj, t’a vras Pashen e Mbretit;
Ky, t’a pshtoj Pashen e Mbretit.
Njani thotë: më ká rá mik;
Tjetri thotë: e kam anmik,
Edhè thejn nper tê rradaket,
Si t’i’n poça a kunguj Vraket:
Si mo’ Zot mâ keq per né,
Qi n’vend t’lidhim besë e fé,
Me u vrá na me Turk e Shkjá,
Jetë e Atdhé qi na kan thá,
Çohna e vritna vllá me vllá!
Keq âsht mikun m’i a pré kuej,
Keq âsht lajmin m’i a ngá kuej:
S’bje n’faj lajmi, as gjobë nuk lán;
Por mâ keq âsht me vrá vllán.
Prandej keq â e si â mâ zí,
Kshtû Shqyptarët sod me u perzí
E me u grî kta ndermjet veti,
Per nji Pashë qi çueka Mbreti:
Per nji Pashë, p’r ‘i nieri t’Kuej,
Qi veç dam se ‘i t’mirë s’suell kuej.
Pse edhè, besa! âsht bâ shum gjak:
Kan metë gjindja nper sokak,
Nper sokak e mbí çardak,
Mjaft me thânë, se aj Oshi i Nuros
Nper ato frangija t’ kullës
Njiqind vetë, po, me të njehun,
Me dorë t’ vet i bani t’ dekun,
Per t’ pshtuem jeten nji «halldupit»
Ndoshta ndoshta, rod magjupit!..
Plot trí dit e rrafsh trí net
Krisi pushka nper gjytet,
Dér qi s’ mbramit kulla u muer,
E u vrá Pasha, mshilë në kjuer.
Sá per Pashen, drejt po u tham,
Kurrnji grimë un dert s’ po kam;
S’ po kam dert, as s’ m’ vjen e vshtirë:
T’ i’n kênë dy, edhè fort mâ mirë;
Veç un kjáj Abdullah Drênin,
Shaqir Currin, Ram Rrustemin,
Edhè kjáj Oshin e Nuros,
Qi per mik e shkrîne vedin
Si zanát qi eká Shqypnija.
At herë tok âsht mledhë halija,
Edhè fjalë Mbretit ká çue:
Pa ndigiò, ti lala Mbret,
Shka po t’ thotë halija e Kosovës:
Se t’ a çojsh ndo’i Pashë n’ Shqypní,
Per t’ i a dredhë lakun bâkeqit,
Per t’ i a shtruem udhen shtektarit,
E per t’ çilë kishë e xhamí
Per «dintár» e «kryqelí»,
Anì shka, mundesh m’ e çue;
Pse enè doret s’ t’ kemi dalun.
Por, sa per me dá Shqypnín
E Nikollës m’ i a çue « peshqesh »,
Pasha Zotin! lala Mbret,
Nuk ké pse çon Pashë n’ ket dhé,
Pse t’ a vrasim, pa dŷ fjalë,
Si t’ kem’ vrá Mehmet Alín.
Lajmi s’ vritet, thotë kanuja;
Por na tý nuk kem’ kû t’ mârrim:
Do t’ vrasim veqilat t’ ue,
Po vûn dorë kta me na shitë,
A « bakshish » me na dhânë t’ huejve.
Kúr ká vojtë fjala nder Krajla,
Se shka bânë Shqyptarët n’ Gjakovë,
Po ky kóm, kan thânë, vall ç’ kênka?
Ç’ kênka, vall, ky kóm Shqyptár,
Qi ‘i grusht njerz, t’ vobegë tue kênë,
(Farë as fis t’ cillve s’ u dihet
E as êmnin na ndie s’ u a kemi,)
Guzojn t’ thejn fjalen e Krajlave
Edhè atê t’ Mbretit t’ Stambollës?

Pjesa e radhës
Lugati