Kangë e njimdhetët
Knjaz Nikolla, 'i burrë me kokë,
Ká ndollë sande disì n’qokë
E po i kandet me ligjrue,
Ndêjë te votra bashkë me grue,
Mbasi darka ká marue
E shkuen fmija n’shtrat me rá,
Kush tue cîjzë e kush tue kjá.
Si, pra, bukë nji herë ká ngrânë,
Per urë voters pshtetë m’njâ’n ânë,
Zhgjeshun brez’ e ashtû në t’holla,
Kallë kamishin Knjaz Nikolla,
Edhè rrin aj m’njânen brî,
Tash duhan, tash vênë tue pí:
Poçin nget e ká n’frangí;
Tash tue ngrânë do kshtêja t’zeta
Qi Milena me duer t’veta
I a qiron e i a vên para,
Si per grue qi e lypë e mara.
Atŷ, at herë, tue bisedue,
Po zên grues aj m’i u levdue:
Se kshtû Turkun un e theva:
Ktû i a bâna, atjè i a ktheva:
Se edhè Krajlat mue më duen:
Serbi e Greku mue më druen;
S’e mârr n’dorë un per Bullgarin:
Do t’a mârr edhè Mostarin:
Do t’mârr Shkoder e Prizrend
Krajl do t’ bâhem pernjimend,
Edhè n’ Shkoder do t’ zâ vend.
Tý do t’ bâj un nji Mbretneshë:
Mâ dollamë nuk ké me veshë,
As s’ do t’ vêjsh mâ kacilitë,
Por krejt n’ ari ké me shndritë,
E do t’vêjsh kunorë mbí krye,
Nji ditë udhë larg me t’ shkelzye;
Pse mâ trim se mue nuk ké,
Kahdo shkrepë dielli mbí dhé.
Qeshë Milena me ‘i gjysë gazit
Per këto makllada t’ Knjazit,
E as s’ i bâhet, jo, me i ndie,
Persè i dájn t’ tâna kllapí,
Qi i flet Knjazi, vênë tue pí;
Prandej rrin ajo pa zâ,
Me gjylpyer çarap tue bâ.
Veç mâ vonë nisë me kuvendë:
Qyqja nieri, shka me kênë!
Me tzi fmín kam vû me rá,
Pse, me giasë dishka kan pá
E kaq fort t’ mjerët janë trishtue,
Sá s’ndigiojn me fjetë pa mue.
Shka kan pá, Knjazi po e pvetë,
Qi s’ ndigiojn vetun me fjetë,
Mbasì na, edhè, ktû po jena?
Nuk e diej, pergjegjë Milena;
Veç, si fmija duen me thânë,
Sa kem’ kênë na bukë tue ngrânë
E nper kthina atà tue luejtë
Paskan pá nder shtâma t’ uj’t,
Strukë te stjolli, ndêjë kacuk,
Nji me çallmë, si me kênë turk,
Me tesbih e me çibuk,
Edhè krahve lshue nji qurk,
Qi, zbé n’ftyrë e buzkerveshë,
Tue qitë flakë nper sŷ e veshë,
Rrite fmijve t’u ngerdheshë.
A mos t’jetë, qyqja! lugat?
Pse po flitet neper fshat,
Se nji turk kamataxhi,
I pabesë e faqezí,
Dikû atjè prej Samoborrit,
Kênka çue lugat prej vorrit,
Hokubèt me u pá me sŷ.
Hik! mo’, i thotë: a i ké mendt n’krye?..
Se lugat n’shekull nuk ká.
Kush e di se shka kan pá,
E u âsht bâ ferra «Brahim»:
A se, ndoshta, ndo’ i kulim
Do t’jetë bâ nder ta surrat
E u âsht shtî tjerve lugat.
Kush ká dekë e hî në dhé,
Aj nuk kthen, jo, mâ nder né.
Veç se jeni, po, ju grát,
Qi kto dokrra i qitni m’t’thát,
Kur te mlidhni ju te hîni,
Edhè fjalë e halë mos t’gjîni,
Per me folë per shoqe t’ueja.
S’ká lugat as shtrigë, lum grueja,
E un jam n’hall, po, me të gjallë,
Se per t’dekun po t’bâj pallë.
Si?.. s’ká shtriga e s’ká lugeten?..
I a nisë grueja prap ne e veten.
Per lugeten nuk e dij,
Pse gjâ kurr s’kam pá me sŷ,
Veç nper gjind un shka kam ndie:
Por per shtriga s’ké shka m’thue,
Pse un t’a njof mâ se nji grue,
Qi ktû mbrendë, po, në Cetinë,
(Ndoshta, ndoshta ndo ‘i kushrinë…)
Dalin naten porsi shkndija,
Edhè futen mbrendë nder shpija,
Prej pullazit nper oxhak,
E u a zânë gjindës frymen njak;
Qi, mandej, kta duen me thânë,
Se n’gjumë «ankthi» atà i ká zânë,
E s’âsht tjeter veç se shtrigat,
Qi u a lshojn të mjerve t’ligat,
Ke shkojn naten rreth e okolla.
Prralla! prralla! thotë Nikolla,
T’tana prralla-edhe kopalla;
Persè shtriga s’ká kurrkund,
As n’gjytet as në katund…
A din shka, ti moj burrneshë?
Zên mâ vonë Knjazi tue qeshë:
Mbasi shtriga ká, po thue,
A m’i lshon kto shtriga mue
E, perzèt! le t’m’perpîjn gjallë…
Por m’i zgidh me dhâmë e tmallë,
E jo rrole per brî hînit,
Qi s’mund t’bréjn as gjeth purrînit…
Hajt, he i ngratë! Si të shkoi jeta
Me pallavra e fjalë të shkreta,
I pergjegjë Milena at herë.
Un jam n’hall per fmîj të mjerë,
Qi i ká kapun sande friga,
E ti m’ qet dokrra per shtriga;
Jo kshtû i drue, jo kshtû s’i drue …
Çou me rá, pse vonë ká shkue;
Se edhè fmija janë tue m’ pritë,
E un do t’ gdhîj neser me dritë,
Per me i bâmun rangët e shpís:
Pse, po kje qi e zoja e shpís
Vetë s’u del punve perpara,
Atŷ s’reshet kurr e mara.
Kshtû i thotë grueja si n’ merzí,
Mandej zjar’ e mlon me hî;
Shputë e lamsh i qet në shportë,
E pa tjerrë fjalë tjera tortë,
Me nji zâ si n’ gjysë t’ marazit,
« Të mirë natë » ajo i thotë Knjazit
(Do giuhë t’ cillit zjerrë kisht’ pija,)
Edhè shkon me rá te fmija:
Me 'i tubë djelm e me 'i varg vasha,
Shtrî nen petka rresht si brâsha.
Qeshë Nikolla nên mustak;
E per t’ vûm punve kapak,
Mêrr e mûshë edhè nji gotë,
Edh’ e shpikë e e bân zollotë.
Mandej poçin ndrŷn n’ frangí;
Ndên kəmishin nen sergjí,
Mbasi llullen shkundë i a ká,
Edhè shkon n’ odë t’ vet me rá.
E, si lodhë qi kishte kênë,
Kû me punë, kû me at pikë vênë,
Qi pat pí sande mâ teper,
Me ‘i herë mendt ju bâne leper
Edhè fjet, e pa i a ngiatë,
Nisi t’ madhe me gerhatë.
Kur, qe, atŷ t’ u bâ mjesnatë,
Po i del gjumi Knjaz Nikollës,
Edhè shef aj n’ mjedis t’ odës
Nji si nieri ndêjë në kamë,
Me nji mjekerr giatë nji pllamë,
Edhè barkun sa ‘i fund sheke,
Pshtjellun shtatit n’ pelhurë deke:
Qi, si surflli ftyret zbé
E tue i ardhun era dhé,
Rrite Knjazin tue e shikjue,
Me do sŷ qi me t’ trishtue,
Si gastarja cangullue.
Neper ftyrë, mande’, e mbí duer,
Atŷ ktû edhè mbí pelhurë
Kisht’ do njolle gjaku t’ zí,
Qi per mnerë m’ tê kishte ngrî
E me qelb bashkë ishte thá.
U trêm Knjazi kur e pá
E t’ perqethtë shtatit i rá.
Flokët i u çuene shllungë perpjetë;
Nisi frŷma m’ i u zatetë
E e mloi djerza. Kishte metë
Tue kqyrë m’ tê, e as nuk isht’ tue mujtë
Prej trishtimit m’ vend me lujtë,
Pse edhè m’ «kryq» disi ishte kputë
Kaq per mnderë qi ‘i herë kje tutë.
Por kamë-kamë, qe, nisë lugati
Me i u avitë Nikollës kah shtrati.
Knjaz Nikolla atŷ i rrin gati
E fill doren çon m’ kubure,
Qi e kisht’ vjerrë nen nji figure,
Edhè don aj zjarm me i dhânë.
Kur lugati nisë me i thânë:
Mos e vên doren m’ngaskeqe!
Nuk t’kam ardhë me mende t’keqe
As me t’çartë as me t’trazue:
Un kam ardhë ktû me t’kallxue
Disá punë, qi tash kan bîjtë
E qi mirë per tý âsht me i diejtë,
Ashtû mue si m’dán nenshtrasha.
Un jam Mèhmet Alì Pasha,
Qi m’pat nisë Mbreti n’Shqypní,
Per me i lshue Malit të Zí
Hot e Grudë, Plavë e Gusí
Si n’Berlin kje bâ pleqní.
Por, kur mrrîna në Gjakovë,
Atŷ e zezë mue m’gjet nji provë;
Persè Krenët e Shqyptarís,
Me Alì Pashen e Gusís
Nji bé t’madhe po e ki’n bâ
Plak e i rí në luftë me rrâ;
Burrë e grue, po, n’luftë me u shue
E ato Male mos me i lshue.
Prandej vetë atŷ kur shkova,
T’u çue m’kâmë të tanë Kosova,
Peja e vogel ‘dhe Rrogova,
Edhè mue m’rrethuen nji rendit
Shi në shpí t’Abdullah Drenit:
Kû mue t’mjerin më kan vrá,
Të tanë n’gjak mue më kan lá,
Si me sŷ qi jé tue e pá.
Prá, tash tjeter tý s’t’ká metë,
Veç kto Male me i mârrë vetë,
E me i mârrë me pushkë per faqe;
Pse, pa i bâ nja disá gjaqe,
Per pa i djegë disá bajraqe,
Tokë Shqypnijet n’ dorë nuk qet:
Sod Shqypnija âsht bâ «Milet».
Besa, at herë, po i thotë Nikolla,
Mbasi vetë s’ mujtka Stambolla
Këto Male me m’ i lshue,
Puna giatë, thom, ká me shkue:
Pse, si vetë ké mûjtë me pá,
Qysh se n’ gjak krejt kênke lá,
Me pushkë n’ dorë s’ mêrret Shqypnija.
Vrâ në ftyrë Mehmet Alija
E prej pezmit tue qitë shkndija,
Tue kercnue dhâmët prej marazit,
E vertetë, po i thotë aj Knjazit,
Se, medjè ká me t’ u dashtë
N’ luftë me thye mâ se nji rrashtë
E me hjekë shum e shum zí,
Para se të hîjsh n’ Shqypní:
Pse, Shqyptarët, e diej edhè vetë,
Se janë trima e per ket jetë
Atà rob s’ i shtrohen kuej;
Por me pasë me i msŷ pa bujë
Edhè n’ moh naten me u rá,
Tash qi atà 'i herë janë shperdá,
Un kujtoj se me pak gjaqe
Puna tý të del per faqe,
Edhè hîn ngadhnyes n’Shqypní.
Prandej mlidhe shpejt nji ushtrí,
Edhè lshoe n’ Plavë e n’ Gusí,
Naten n’terr befas t’u rá,
E si n’gjak Plaven t’keshë lá
Edhè zhbî t’a keshë Gusín,
At herë mêrr e msŷj Malcín,
Me tagan, me ûnë në dorë,
Edhè shkîmi atà Malcorë;
Pse, pa i shkîmë atà Malcorë,
Shkodra tý s’të bje në dorë.
E as s’ké ngae, jo, me u hutue,
Pse Shqyptarët kan nisë me u zgjue,
Kan nisë shqyp këtà me shkrue:
Kan nisë t’flasin per komsí,
Per kombsí e per lirí,
Per lirí e autonomí;
Edhè giatë, thom, nuk do t’shkojë,
E Shqypnija do t’kerkojë
Me dalë m’vedi, si Serbija,
Si Greqija e Bulgarija:
Mbasi ká edhè ndonji Mbret
Qi Shqyptarët aj po i gerget,
Kû me pare e kû me fjalë
Turkut dore atà me i dalë.
Prande’ at herë ti s’ké me mujtë
Gurt mbas d’shirit t’and me i luejtë;
Pse do t’dalë kushdì se kush,
Qi e ká vû ka dit m’rabush
Shqyptarís me i dalun zot,
Edhè gurt aj tý t’i lot.
Por, po mujte nji herë sot
Këto Male me i pushtue,
(Qi tý dheskë të janë perore,)
Jo veç kto mâ s’t’dalin dore,
Por, me kohë e me dredhí,
Edhè n’ Shkoder ké me hî.
Pse do t’ diejsh ti, lum Nikolla,
Se e ká bâ pleqní Stambolla,
Tý mâ para, edhè Serbís,
Si edhè Krajlit të Greqís:
Grekut, Shkjaut, po, edhè Bullgarve,
Me u a lshue n’ dorë tokët e Shqypnís,
Se me u dhânë lirín Shqyptarve.
Kshtû Nikollës i tha lugati!
Edhè tjeter nuk i a ngiati;
Por u zhduk aj neper kthinë,
Tue lânë mbrapa nji qelbsinë,
Qi dér vonë u ndie n’ Cetinë.
Knjaz Nikolla at herë u çue,
Shpejt u vesh edhè u shterngue,
Edhè duel naten per hânë,
Por me u pjekë m’ at Mark Mila’n:
M’ Mark Mila’n aj per me u pjekë,
Me tê fjalët per me i perpjekë,
Se kur n’ Plavë me qitë ushtrín,
Se kur n’ gjak me lá Gusín,
Se kur flakë me ndezë Malcín,
E se si m’ e hupë Shqypnín:
I huptë Zoti pernjimend
Knjaz Nikollë edhè gjithkend
Qi mendon e sharton zí
Per të bukren ket Shqypní.
Gjergj Fishta