Kangë e dymdhetët
Te nji mriz, te nji lejthí
Kishin ndollun tre barí,
Dy me dhên e nji me dhí,
Njâni plak e dy të rí:
Marash Uci e t’bijt e Calit:
Dy djelm t’letë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
Ânë e m’ânë i kisht’ rá detit
Kishte pá pronet e Mbretit
Çak prej Hotit tue zânë filli
Dér kû piqet buka m’dielli;
Pse, sa kje Marashi i rí,
I pat dalë Mbretit n’ushtrí
Me armë n’dorë, me zjarm në gjí,
Si qi doke âsht në Shqypní.
Burrë i fortë e trim si Zâna,
Armët i kjenë ktij baba e nâna:
Babë tagani e nânë breshâna,
Vllá e moter dý pistolet
Dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
Pat kênë thirrun edhè pvetun
E n’kushtrim e n’gjýgj t’bajrakut,
E nder pré mârrë Karadakut;
E kûdo qi i doli prîja
Atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
E la kama e e la atê dora,
Edhè i shkrefi armët besnike:
Njato armë qi n’kohë jetike
Pa’n kênë ndera e Arbnís kreshnike:
E na doli barí malit,
I shmrijak me t’bijt e Calit.
Prore Mashi djelmve t’Hotit
U kallzote punët e motit,
Punët e motit, punë trimnije:
Si Shqyptari mbas lirije
E mbas besës e s’bardhes Fé
Bâte deken si me lé;
E u permendte Orë e Zâna,
Edhe u thote shum punë t’mohana,
Per lugat kur zêhet hâna,
E per luftë, qi me drangona,
Bân kulshedra n’vise t’ona;
Edhe i njifte aj mâ s’mirit
Sa drangoj jânë rodit t’nierit
Mbi Rânë t’hjedhne e m’Urë t’Vezirit.
Prande’ e dojshin gjith barija
E ndigjojshin fjalët e tija
Si kah pushka ashtu ka’ urtija.
Por shka, Zot, ka Mashi sot
Qi na â vrâ e nuk bân zâ?
A thue i rá bisha nder berre,
Ja se tokët i mbeten djerre,
Ja i punoi t’ngratit rreziku
Pa bukë n’shpí m’e gjetun miku?
Uku n’berre s’i ka rá,
Pse kurr Marashi s’u â dá:
Nuk kisht’ mbetun ky pa e pá:
M’e pasë pá edhè e kisht’ vrá.
As s’i mbet ktij n’derë borxhlija:
Me ‘iqind dhên qi ka te shpija
S’lên borxhlí me i vojtun t’birit,
Edhe miqt i a pret mâ s’mirit;
Si edhe qét qì i ká si bujë
S’i a lânë djerr token kurrkuej.
Por as vetë shka ká s’e dí,
Veç se u thotë shmrijakve t’rí:
« Pa ndigjoni, o djelmt e mí:
Dikû ‘i punë sod m’ka qillue,
As nuk kam si rrí pa shkue;
Nji herë pse me pasë per t’pshtue
Zogu dore, pasha mue!
Vonë e vonë ké per t’a zânë,
Fjalë i moçmi si e ká lânë.
Se sa rríj as vetë s’e díj
Se nji javë ase nji muej,
Zoti e di, nuk mund t’a quej.
Por n’kje thânë prej Perendije,
Mos me shkelë un mâ m’kto hije,
Mos me u zânë mâ punë trimnije
S’bardhes kohë qi ka prendue,
Ah ju, djelm, u kjosha true
Per Njatê qi vrân e kthíll
Me m’a mbajtë ju sod nji kshíll,
Amanet un jam t’u lânë
Me ruejtë gjân me kqyrun stâ’n,
Armët e mbushne mos me i dhânë,
Me shokë t’uej kurr mos m’u zânë,
Mos m’u zânë as mos m’u ngá,
Pse n’ditë t’ngushtë kta u gjinden vllá
Si me pushkë, ashtu me uhá.
T’huj’n me fjalë mos t’a poshtnoni;
Buken para, por t’i a shtroni
N’Shqyptarí si â kênë zakoni:
Me i besue mos i besoni!
Edhè n’mend kinje nji fjalë:
Zêmers s’frŷt me i lânun dalë;
Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
Ujit turbull mos me i rá,
Mos me dalun n’vá t’pa vá;
Me i u ruejtun rrasës së lmueme,
Me i u rujtun shakës s’terbueme,
Me i u ruejtë, po, grues së lshueme;
Vendin t’uej m’e dashtë perore,
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore. »
Kshtu tha Mashi, e n’kamë u çue,
Vû xhurdín edhe u shterngue,
Edhè i njiti armët mizore
Njato armë qi s’dijshin ndore,
Pse n’dorë t’Mashit guri Vlore
Ndezte flakë, po, flakë vetime,
Epte gjâmë, nji gjâmë bumbllime,
Porsi rrfeja kur shkrepë malit.
Lamtumirë! thotë djelmve t’Calit
Vên breshânen mbi cep t’krahit,
E t’u djergun hijes s’ahit,
Hijes s’ahit, brî njaj shpatit,
I a behë n’Stare n’krye t’sahatit.
Po, Zot, Mashi ka’ â tue shkue,
Qi nper shpat e neper prrue
Po vjen hapin tue shpejtue
Thue ‘izet vjet s’i ka kalue?
N’ Gjenoviq Marashi â nisë
Ke Çun Mula me konisë,
Ke Çun Mula shpí e rreptë
Kû han bukë i verbët e i shkeptë;
N’ at fis t’ Hotit, shpí e parë,
Djalë mbas djalit bajraktár.
Prej mjesditet tue rá dielli,
N’ Gjenoviq kapet aj filli,
N’ Gjenoviq te kulla Çunit,
N’ at kullë t’ bardhë mbi krye t’ katundit.
« Mirë se t’ gjâjë, or Çuni i Mulës! »
Po i thotë Mashi n’ derë të kullës;
« Mirë se vjen, ti Marash Uci! »
I a kthen Çuni: « Po tý ç’ t’ nguci
Me lshue gjân, me lânun stâ’n
Kshtû m’ u djergë zhegut n’ ket ânë?
A âsht gjâ t’ keq? a veç po drue,
Pse n’ armë sod po t’ shof shterngue?
S’ a gjâ t’keq, jo, ndër barí;
Por nuk dij si â per Malcí…
Zoti mirë ka m’ e punue,
N’ kjoftë se besen s’ kemi lshue.
Kam kênë n’Shkoder mbramë kam ardhë,
Ke qaj miku faqebardhë,
T’ cill’n e njef ti prej q’ kah motit,
E m’ ká mârrë besen e Zotit,
Me kuvendë me Krenë të Hotit,
Per nji fjalë, e jo mâ vonë
Se n’ ket natë, te Kisha e jonë.
Çoju fjalë, pra, Krenve t’ vendit
T’ dalin n’ Brigje n’ log t’ kuvendit,
Se do t’ dal nji herë te shpija
Me i shestue do pûnë të mija.
Neser n’Shkoder prap do t’veta
Ke qaj miku, i u ngjatët jeta!
T’a ketë ndimë Malcija e shkreta.»
Kshtû tha Mashi, e duel me shkue:
Nper pishë t’zhegut pa pushue:
S’ishte ngaeja me u hutue.
Njaj Çun Mula thotë nji fjalë.
Madhi Zot, tý t’kjoshna falë!
Nder dý pûnë njâna do t’dalë:
A se i shkojm Mbretit n’ushtrí,
A se luftë kem’ me Mal t’Zí:
Si kjoftë marë ashtû e bâftë Zoti:
Oren çuet por e ká Hoti.
Po u çoj fjalë tash krenve t’vendit,
T’dalin sande n’log t’kuvendit.
Atŷ pûnët kem’ me i peshue,
Mandej dalët si kjoftë gjikue.
Gjergj Fishta