Kangë e njizetedytë
Tŷ, o Zot, të kjoshim falë!
Tash, qi zû drita me dalë,
Prej Nokshiqit ç’po veton,
Peja e vogel fort gjimon:
Mark Milani po lufton
Po rreh «huta» edhè «novica»
Prej Nokshiqit lak e m’lak,
Kah Shqypní e Karadak
Prap kan nisë me u lá sod n’gjak!
Se ky Marku, ‘i trim i çartun,
Naten ushtrín paska bartun
E na e qitka kah Nokshiqi,
Shkurres tue u pershkue si iriqi,
Mbasì besa ‘i herë kje vû,
Dŷ ushtrít mos me u trazue,
Hylli i dritës per pa vezllue;
Edhè e derdhka staje-staje
Neper gryka e neper maje,
Prej kah masandej mendote,
Mbasì afati i besës t’marote,
M’shpinë m’i a lshuemun fulikare
N’at Sutjeskë ushtrís shqyptare,
Ashtû befas: si prej s’epërit
Ndo’i herë orrli i lshohet lepurit,
Kur n’ndo’i driz t’a ketë soditë
Ndêjë harû; edhè me i qitë
Shqyptarët n’rreth, e si n’kariq
Bercakë edhè krapuliq,
Gjallë me dorë Marku me i zânë:
Nji me kthye n’shpí mos me lânë,
Qi me u thânë gjindes n’Shqypní,
Se ç’kob bâni Mali i Zí
Mbí Shqyptarë, kur me furí
Aj pat msŷ Plavë e Gucí,
Mbasì dorë Krajlat e Mbreti
I ki’n dhânë me i shtrue nen veti;
Me u a vû « kapicen » m’krye,
Gjân e mallin me u a rrmye.
Se Shqyptarët po i qet n’dorë gjallë
Mark Milani, kurrkund máll
Nuk e bâj, besa, ket fjalë:
Se me i qitë n’dorë s’i ká dalë
As vetë Mbretit të Stambollës,
Jo po i del sod Knjaz Nikollës,
Rreshkë per bukë e bâ sylah,
Priçet n’kamë e strugen m’krah.
Veç ‘i frigë, po i mjeri e kam,
Se ky Marku n’at rragam
Tash po e bân Nokshiqin dam,
Kû mbetë tjeterkush nuk ká,
Posë ndo’i cull, do pleq e grá
Sa per t’ruejtë shpín e bagtin;
Tym per shpí pse marë burrnimi,
Mbasì u dha n’Nokshiq kushtrimi,
Se n’Sutjeskë Shkjau kishte dalë,
Se Shkjaut vendin i a ki’n falë
N’at Berlin Krajl edhè Mbret:
Shka â m’shtatë vjet e m’shtatdhetë vjet,
Pushken n’dorë e zjarmin n’gjí
Në Sutjeskë rrâ kan’unjí,
Zot per t’dalun ksajë Shqypní,
Qi gjithmonë hoq keq e zí,
Kah po e kisht’ bota lakmí.
Se as ajo ushtrija e jonë,
Prej Sutjesket nisë mâ vonë,
Se u nis Marku e muer perpjetë,
N’at Nokshiq s’ká enè prispjetë
Qi atŷ vendit zot me i dalë,
Edhè hovin me u a ndalë
Çetavet të Mark Milanit,
Kur të bâjë me u djergë prej planit
Si lavë ujqsh nper rribë t’murranit.
Jo qi tham un me mend t’mija,
Se edhè atŷ po t’ndollte ushtrija
E Shqypnís, fort punë e vshtirë
Se Nokshiqi pshton pa u plirë,
Shpijat djegë e gjâja rrmye,
Me nji Mark shqype mbí krye,
Qi m’i ká nja tetë taborre
Tetë taborre, rrfé mizorre,
Derdhë nper mâje e strukë nder shkorre:
Njerz të lém, po, me armë në dorë,
Regjë në diell, cangllue në borë,
Të cillt per nen drrasë t’krahnorit
Kan per zêmer ka ‘i gúr vorrit!
Atà veç me vrá, me pré,
Me rá plaçkë si ujku n’Shndré:
Me t’a rrmye, po, dhén nen kâmë:
Me t’lânë hû si hûnin n’lâmë;
Pse edhè i moçmi ‘i fjalë kuvendi:
Lufton vendi e jo Kelmendi.
Jo, po pra: paska kênë shkrue,
Zí Nokshiqi sod me psue:
Zí me psue, keq me u shkretnue;
Pse sa nisi n’qiellë me ague
Drita e bardhë e besës afati
I maroi, se ç’t’i ndêj gati
Mark Milani, mustakgiati,
Edhè ushtrín me ‘i zâ lugati
N’at Nokshiq ç’t’a ká ndersye,
Hovin aj ç’t’i a ká shperthye,
Per me vrá, po e per me pré,
Per me djegun gúr e dhé:
Fíll n’Sutjeskë ata me dalë,
Shqyptarët per me i zânun gjallë,
Me u hjekë armët, keq me i shnderue,
Knjaz Nikollës rob me ja çue:
Knjaz Nikollës, po, ke Cetina;
E mandej aj vetë nder shkina,
M’sŷ «kapicen» petull ndê,
Dredhë mustakun kacadrê,
Me u levdue, fort me u krenue,
Me zânë qiellë e me zânë dhé:
Se mâ trim se mue nuk ké,
Kah bjen dielli e hâna lé.
Si me krisme e me zhaurrimë,
Me rropame e bumbullimë
Shkputë nji rreshpe vetlle s’malit
Poshtë rrmores shamet zallit:
Kshtû ushton gjama dês e planit,
Kah ushtrija e Mark Milanit
Mbí Nokshiq lshon me furí,
Vendit shkaperderdhë flaurí:
Si atà korbat nper ajrí,
Kur, tue i pá n’ kullosë nper arë,
T’ ketë qitë m’ ta ndo ‘i pushkatár.
E sikur njatà gjuetarë,
Me shumicë qi dalë per gjaje
Krés njaj pylle a njaj ograje,
Larg shoshoqit hallakatë
E tue krisë e tue hukatë,
Zagarët tue ndersye pá dá,
Per rreth vendin shkojn tue e lá,
Per me trêmë bishat nper pisha,
Per me trêmë derrat nper ferra
Edhè shokvet, ngujue n’ pritë,
Per shêj pushke m’ shtek me u a qitë:
Malazezt kshtu krés s’ Nokshiqit,
Shpirtin ferrë si lkurë iriqit,
Tue vikatë, tue hallakatë,
Hînë me djegun tbana e stana,
Me djegë shpí e me djegun gjí,
Me thá vithnat me baktí,
Çaklat me plaçkitë nper shpí:
Ktû nji tî, atjè ‘i kusî,
Kndej nji zhangë, andej nji opangë,
Tlyen e djathë, sheka t’ pa rrathë,
Kallamoq, grunë e tagjí:
Atŷ-ktû tue vrá ndo ‘i fmí
Rát në shtrojë, a ndonji plak,
Qi s’ don gjân me lshue pa gjak:
Me u vrá don me Karadak,
Me ‘i kubure t’ pa kandak,
Njanit sŷ verbue, krejt mbetë!
Dyndet tymi rê perpjetë,
N’ flakë e n’ shkndija lkuqë rri shpati,
Mndëret m’ kamë me t’u ngrî shtati!
Trêmë baktija mârrin malin,
Hikin gjindja mârrin zallin,
Ngasin grát neper rrmore,
Djepat m’ shpînë e fmîn per dore:
T’ mjerët e vocerr tue lotue,
Neper terr tue zânun m’ thue,
Ço e rrxo, po, si njato rikat,
Kur bâjn hapin me shpejtue!
Randë me çakla ngarkue çikat,
T’ giatë çomagen n’ dorë shterngue,
Shkojn tue u grahë, qyqet, bagtivet,
Qi kan mujtë me u pshtuem urdivet
T’ Mark Milanit. Qêjt e stanit
Para e mrapa me t’ mdhej hapa
Shko e eja e gjân avit:
Njâ’n avit, tjetren turit,
Reshi tufë, e mandej nzit
Me u grahë kamve, me hitatë,
Qêjt barí si e kan zanát:
Thue se ‘imend edhè atà vetë
I’n tue e diejt, po, qêjt e shkretë,
Se po mûjt tŷ Shkjau perdhuni
Ndonji herë me t’ zânë perfundi,
Aj t’ vên m’ zêmer gúr e krep,
Me gúr t’ pushkës lkuren t’ a rep,
T’ a xjerrë shpirtin per gazep!
Atŷ-ktû ndo ‘i plak i mbetun,
Bâ dyfish e m’ shkop pështetun,
Kaliboç ndo’i kalamâ,
Shifet rrugës kah hecë tue fshâ,
Me nji dêm a kál per lakut,
Brishtun kthetrash s’ Karadakut.
Edhè tash e mbasandej
Prej nji fshati n’ fshat pertej
Vrrasin grát, sa kurr kan n’ krye:
Ah hik, dhé, se Shkjau ká msye!
E sikur, ndo’i kalamâ
Tue kthye n’ mbramjet n’ shpí me gjâ,
Rrugës shkon lisat m’ gur tue gjuejtë
Mbrendë kû strukë t’ jenë zogjt me bujtë,
Trêmshim zogjt prej lisash dalin,
E nji fushen, nji merr malin,
Neper muzg fershllojn me fletë:
Kshtû Nokshiqasit e shkretë,
Mbrendë nder shpija qillue fjetë,
Kur nper mal zû Shkjau me djegë
Ka’ ashtû gjinden ndiejn tue britë,
Koder m’ koder tue gerthitë,
Rrezga-bjezga m’ kamë janë çue,
Mbathë a zbathë si kan qillue,
Gjân e gjallë edhè vû para
Vrap nper prroska edhè nper ara
Marrë kan hiken drejt Sutjeskës,
Kah mendojn se terthuer bjeshkës
Kan me ndeshë m’ ushtrí shqyptare,
Qi me i mprojtë prejt frotës barbare
T’ Mark Milanit, zogut t’ shkinës,
Qi u rá befas per mbas shpinës.
Ngasin, vrrasin e dihasin,
Njâni tjetrin m’ êmen thrrasin,
Gjindes s’ vet mos me u largue:
Me u grahë kamve, me shpejtue,
Hasmit Shkjá per t’mûjtë me i pshtue.
Kur, qe, Shkjau, si drita duel,
Bân e shef aj per kundruell,
Se si gjindja vû jânë n’t’hikun,
Baktísh vithnat si i ki’n shpikun,
Se ç’t’kan nisë at herë me shtî
M’gjinde t’ngratë edhè m’bagtí,
Si me gjuejtë shkerbé n’lisní!
Ktû vra ‘i plak, atjè nji fmí,
Ktej nji grue, pertej nji dhí:
Dikê dekë, dikê varrue:
Njâ’n lsho m’prroskë e tjetrin m’prrue:
Mendt e krés me t’u dermue!
Lshojn Shqyptarët bagtín at hera,
Hjedhin plaçkat neper ferra,
Edhè vrap hikin si era:
Njani shkorres, tjetri rrmores,
Kush i urë e kush terthuer,
Pa kqyrë driz, pa kqyrun gúr,
Veç si t’pshtojn prej Shkjaut mizuer.
Se ç’t’u dha brima e ulurima!
Se ç’t’u dha gjâma e piskama!
Fmija vrrit, nanat gerthit;
Çikat kjáj e nuset fshâj,
Fshâj e kjáj pre’atij gazepit!
Herë rri e struku mbas ndo ‘i shkrepit,
Mbas ndo ‘i stomit, mbas ndo ‘i rrapit;
E prap lshou mandej n’pikë t’vrapit,
Shkapercè ledhe e gardhiqe,
Edhè zhduku nper rrmiqe,
Nper rreshpoja, kodra e brigje,
Pushkvet t’Shkjaut veç si me u pshtue.
Turitë gjedhet e terbue,
Bishtin héll mbí shpinë shtangue,
Hidhen, ngasin, mârrin shpatin,
Hingllojn mazat, shkrefin vrapin,
Marrin malin dhên e dhí:
E nji plûhen nper ajri
Çohet njegull, qi, perzí
Me njat tym t’agushtë, të zí
Tbanash s’djeguna e mbí krye
Ndê, s’të lên me pá me sŷ;
Si na kurr me sŷ mos pashim,
Kahdo ardhshim, kahdo rashim!
Ke, qe, sod ofshe! me pá
Po na duhet, si nji Shkjá
Aj po mujtka me na vrá
Per shêj pushke, e flakadâ
Me na djegun trollin t’onë,
Me na i rrmye dhênt me kumonë;
Edhe shkinat e Cetinës
Plaçkat t’ona m’i a vû shpinës,
Porsi mushka, e lak më lak,
Me i qitë tej në Karadak:
E t’u tallë shoqe me shoqe,
Ato mrûme kollomoqe,
Me na shá, n’shpotë me na vû,
Njana tjeters t’i u levdue:
Se kaq shpija burri m’dogj:
Kaq Shqyptarë kso jete m’hoq:
S’ká mâ trim se njiky êm-shoq!
Por nji çudë un jam tue bâ,
Per njat shpí tej n’at shullâ,
Mshilë dritsoret, dyert avitë,
Qi si rishtas dán goditë
E po ndêjka tym tue qitë:
Edhè m’ paska ‘i vathë per brî
Plot me dhên e plot me dhí,
Me ‘i qên n’ stel, uk i terbue,
Kál e gjedhe në katue:
Nji pendë qé lidhë krye per krye,
Bukurí me u pá me sŷ:
Nji pash brynat hânë ngerthye:
Nuk ká djerr, jo, as nuk ká qerr,
S’ ká tevig qi mund t’ i thejë:
Pesmdhetë qese blé në Pejë!
Prap, si ‘i mot ç’ do tjeter mot,
Grunë n’ hambár, kotecat plot,
Si mâ i miri n’ Plavë e n’ Hot.
Me gjithkta kush s’ âsht t’ u pá,
Poshtë perpjetë atŷ tue ngá,
As me çakla m’ shpinë ngarkue,
Per me hikë e per me pshtue
Dhên e dhí, lopë edhè qé:
Sado qi tash shkina e shkjé
Asajë shpi fort na i janë qasë:
Shkjét me armë, shkinat me thasë,
E me strajca, kosha e zhaba:
Si zanát qi u ká lânë baba,
Me mbajtë cullt me gjâ të huej,
Dér t’ u hecë kunglli mbí ujë.
Porse kunglli, si po thonë,
Aj s’ po hecte mbi ujë gjithmonë…
Veç, po, ‘i vashë un jam tue pá
Vashë të ré n’ xhubletë të bardhë,
Me nji rubë rreth ballit ardhë
Qi mje m’vetlla m’i ká rá;
E derdhë flokët jashta shamís,
Dalë më paska m’dér të shpís,
Njanin brryl m’ballnik ngujue,
Ndêjka e kqyrka m’kâmë harû,
Si Nokshiqi rrin t’u kallë,
Plaçkë si bâhet gjâja e gjallë:
Si nper prroska, rrgallë e záll
Jesin dekun grá e fëmij
Per nen plume t’Malit t’Zí.
Por se prap kurrkund neshtrasha
Mue s’m’i dán, ka’ e shof m’at derë,
Se ká menden me hikë vasha
E me u bâ ajo me shokë tjerë,
Per t’pshtuem vetë edhè bagtija,
Pa t’cillat s’ká t’gjallë Malcija.
A thue, Zânë, mos kjoftë premtue!
E ré vasha tue qillue,
Mos të ket ajo gabue
Me ndo’i Shkjá me u miqasue;
E prandej, n’uzdajë të mikut,
S’dahet shpís as çarranikut
E harû m’rri pshtetë ke tbana?
Pse edhè t’mirë po e kisht’ bâ nana:
Ardhun shtatit si « breshana »,
Sŷnin hýll, ballin si hana,
Dishka njethë si molla m’rrêm,
Si ajo lulja shperthye m’gêm:
Qi ke dalë m’ká ashtû te dera,
Sikur bân me çilë prendvera;
Sikur bân dielli me dalë
Neper aha, brej e halë:
Kaq gjâ t’mirë Zoti e ká falë!
Mos e thuej, bre burrë, at fjalë!
Se per lila e karajfila,
Per zymyla e per bylbyla,
E per gurra neper curra:
P’r ato hije neper vrrije,
P’r ato flutra neper zalle:
Pasha Orë e Shtozovalle,
Pasha t’rijt e pasha veren,
Per sa bjeshkë e lule bleren,
Mâ fisnike ‘i vashë s’e ké,
Kah ndritë hâna e dielli zé!
Se edhè ndollë, bre, ká shqyptare.
Fisit t’mirë, deret bujare:
Vetë e bija e Ulë Keqotës,
Kênë gjithmonë ky buka e botës:
N’zâ per pushkë, urtí e fjalë,
Lypë n’kuvend e pvetë n’Xhibál:
Koritë s’ká, jo, tatë e nanë
Sa kjenë gjallë e shpírt pa dhânë,
Jo koritë kjo sod per s’dekuni
Tatë e nanë tue u kalbë në vorr!
Qi i kan lanun plang e shpí,
Tokë në mal e tokë në vrrî,
Vathin tok me dhên e dhí,
Si mâ i miri në Malcí.
Se as kend t’vetin Tringa s’m’ká:
Tringë m’i thonë, po, asaj bí malit:
Veç Tynzonë edhè nji vllá,
Njat Curr Ulen, pika e djalit,
Po, me i prekun kryet më trá,
Qi ajo e don si sŷt e ballit:
E qi as fat me i qitë s’desht vedit,
Virgjineshë por ndêjë ká n’voter
T’t’et, per t’pasun vllán per s’ngiatit,
Qi m’i u bâ kjo nanë e moter.
Veç orzezë Tringa m’kisht’ lé,
Me i u dhimtë gurit e drunit;
Pse i vllaj vjet, tue u gjuejtë me Shkjé
Atjè n’bjeshkë per punë t’hoqunit
Me dý plume kje varrue:
Edhè tash, qe, mbushet vjeta,
Se rri n’shtroje tue lingue,
Pa mujtë kurr me u çue m’kamë t’veta.
Natë e ditë motra tue fshâ,
S’kursen shtek as s’kursen pare:
I suell mjekët kû i’n kênë mâ n’zâ,
Blé melhême i ká edhè bare.
Por i vllaj mâ mirë nuk bâni,
Fíll, i mjeri, âsht shtrî per dekë.
Edhè jerm flet me ‘i gjymsë zâni:
Veç qi nisë s’ká enè me hjekë.
Marrë mendsh Tringa asì gazepi,
Natë e ditë i rri te kryet:
Si ajo nana fmís ke djepi:
E as kurr, s’mjerës, s’i teren sŷt.
S’han, as s’pin, as fjalë nuk flet;
Sa per t’pritë miq e kumarë,
Ndonji shoqe çon e thrret;
Gjânë raditë neper rrogtarë.
Por, kur drita at herë tue gdhî
Nisë ká Shkjau vendin me çartë,
Stane e tbana me i bâ hî,
Hikë kan shoqet e rrogtarët,
Vrap tue shkue nder shpija t’ veta,
Gjindes s’vet per ngiat m’i u gjetë:
Edhè kshtû tash Tringa e shkreta
Qyqe n’shpí me t’vllán ká mbetë.
Mendsh si mârrë ishte per vllá,
M’ kâmë dikúr çohet e mjera,
Edhè del në derë me pá,
Palè ‘i herë se ç’isht’ potera.
E kah qiellen shef n’tym mlue,
Kah shef zjarmin poshtë tue zbritë,
Edhè pushken ndien tue vlue,
Shkjé edhè shkina shef tue u avitë:
Shef Nokshiqasit ke ngasin,
Rrege e prroska n’gjak t’u plirë:
Ndien si cullt e grát gerthasin,
S’ epri Shkjau ka ‘i gjuen pa mshrirë,
Edhè atŷ me hikë i epet,
Kamen zbathë e sido veshë,
Rrugë pa rrugë me kalue repet,
Me shokë t’vet ajo me u ndeshë.
Por nder mend qe po i bjen vllau:
Si un tash vllán vetun m’e lânë?!..
M’shtroje rát me m’ a pré Shkjau,
Pa mûjtë kush nji nihmë m’ i a dhânë?!
Edhè hovin ndalë e ká.
Por, kah zhduken fushës e shpatit
Vrap Nokshiqasit tue ngá,
Të perqethtë atŷ i bje shtatit;
Pse trûç para mendes s’sajë
Shtrohet kobi qi isht’ tue e gjetun,
Edhè shef, po, se mâ uzdajë
Në ket jetë per tê s’kisht’ mbetun.
Shokët e vet kush hikë, kush dekë;
Zbritu s’epri Shkjau mizuer:
Vllau i vetun n’shtrojë tue hjekë;
Qiella e naltë e toka gúr,
Kuej m’i u pshtetë?.. kah me shpëtue?..
N’djersë të ftoftë i rîhet balli;
Per urë derës njâ’n brryll ngujue,
N’gjak lá i duken mali e zalli.
Don me kjá; me kjá nuk mundet:
Dishka fytin i a zû njak.
Per nen parsme zêmra i lkundet,
Prej trishtimit i pikë gjak.
Kah t’i a majë?.. shka të bâj e mjera.
Kshtû lshue dore prej gjithkuej?
Zên e thotë me vedi at hera.
Un veç n’shkosha me u mbytë n’ujë!
Se Shkjau vllán tash po m’a mbytë:
Drita e sŷt per dekë aj shtrî!
Mue tash po m’verbon t’dy sŷt,
Rob tue m’mârrun n’Mal të Zí:
Me turpnue, po, un nanë e tatë,
Nanë e tatë n’vorr me i koritë,
Me zî ftyren vllaut të ngratë,
Marre fisit un me i qitë!..
Po si mordja me m’harrue?!
Nanë e tatë tue u kalbë nen dhé!
Vllau, qe ‘i vjetë, në shpí vorrue!
Qyqja moter rob nder shkjé,
Me bâ kryq kjo në tre vend,
Vedit me i a njitun shkinë,
N’giûhë të huej me zânë kuvend,
Me sherbye n’Shkjá si robinë!
Si s’u shkputka ‘i buzë prej malit,
Per nen vedi mue me m’zânë;
Si s’m’gjoi moti bjeshkës a zallit,
Me t’pshtue erzi, o e zeza nânë!
E qe tash andej pertej
Nper do aha e lisa t’mdhej
Zí nji tym nisë rê me u çue,
Po nisë flaka me vezllue,
Ndîhen shkjét si ujq tue ulrue,
Tue vikatë, tue u hallakatë,
Fort tue u dhânë, fort tue u perpjekë,
Kah i a hînë shpijat me djegë:
Edhe shkinat poshtë-perpjetë
Nga nper zalle e nper rrgalle,
Thirr shoshoqes lerë e m’lerë,
Tue u zgerdhî, tue bâ poterë:
Herë tue u shá e herë tue u tallë,
Kah po ndjekin gjân e gjallë:
Qi terbue hikin lak m’lak,
Per me i zânë e me i qitë n’lak
E me i nisë per Karadak,
Kû po hahej bukë e gjak.
Si ajo suta shoqesh dá
E n’blerim t’njethtë ajo rá,
Lshohet zhgjetë e turrshim futet
Mbrendë në breshtë, tue u dridhë prej tutet,
Kur gjuetari m’tê t’ketë shtî,
Per pa mûjtë por m’tokë m’e shtrî:
Njekshtû bredhë ká Tringa n’shpi
Zbé si qiri, buzet xî,
Kur ká pá zjarmin kundruell
E ká pá se Shkjau ish’ hullë.
Hîn me turr, e pa diejt gjâ
N’at trishtim se ç’isht’ tue bâ
Me shul deren ká merthye:
Thue s’din Shkjau si m’e shperthye…
Qi kurrgjâ atij mâ per dore
Nuk i vjen, se dyer me thye,
Shpija e tbana me bâ rrmore:
E mrrudhë krahët e m’kamë shtangue,
Djerrun sŷt, t’perqethtë tue i shkue
Neper shtat e tue merdhitë,
Si t’isht’ plajmi borë tue qitë,
Rrin harû mbrenda shpís s’vet,
Porsì t’ishte nji shauret.
Veç, tue krisë zhurma e potera,
N’lak pertej, sŷt hera-hera
Si hajnisht i dredhë kah dera:
Sŷt i dredhë e prap i bredhë
Para vedit me shpejtí,
Trêmshim tue i rrotullue np’r ajrí,
Ka’ ajo shef se e vetmja uzdajë
Me i pshtuem vllau e erzi i sajë,
Po ishin veç njato pak drrasa
T’breme krîjet e t’tanë plasa:
E qi as giatë puna s’do t’vete,
E ato Shkjau do t’i shperthete!
Prej t’kobshmit trishtim qi ká,
N’shpí gjithshkafja i duket Shkjá;
Shkjá vargoni, e Shkjá «carani»,
Koshi Shkjá, e Shkjá kazani,
Mark Milan çarku i duhanit:
Magja shkinë, e shekat shkina,
Shkina rraqet vjerrë nper kthina.
E si ngusht kúr gjindet nieri,
Atí i epet si pa hiri
Me thirrë: Nanë! kshtû Tringes s’shkretë,
Pa kend nihmë, o Zot! n’ ket jetë,
Mnderet goja rreshkë e idhnue,
Qyqe vetun n’ shpí ngujue,
Me nji vllá fill tue marue
Kaherë ftofë të mjerit kama!
Atŷ n’ mend po i bjen e ama;
Edhè i bâhet se po e shef,
Per urë voters zanë m’ njâ’n tef
Shí kû ajo zakon dikúr
E kisht’ pasë me ndêjun, kúr
Mazen m’ zjarm me lugë perzite,
E qi Tringës, kur fmí enè i’te,
Aq fort anda pasë i a ki’te.
Edhè nisë disi m’ i u njallë
N’ shpírt uzdaja, e me i u kallë
Rrezja n’ sŷ e mollza m’ ftyrë,
E at urë votre m’ nja tue kqyrë
Ah, moj nanë! po i thotë: kû jé?!..
As s’ po shef se shkina e Shkjé
Po duen Currin me na pré?!
Por nana isht’ t’ u kalbë nen dhé!
Kush s’ i gjegjë, jo, Tringes s’ shkretë,
Veç se i vllaj… me ‘i gjamë të letë!
N’ at gjamë zêmra i shkrifet n’ váj!
E tue dnesë, lott tue i shkue rrkajë,
Harrue vedin edhè Shkján,
S’ mendon tjeter veç se vllán:
Edhe shkon e i rri te kryet.
Puthi ballin, puthi sŷt:
Ftyren laja n’lot si rrkaja
Laja n’lot të sŷvet t’ballit!
Aty jermi po i del djalit,
E ka’ ashtû ndîen tue i pikue
Dishka ftyrës, rrin tue mendue,
Se po âsht cirka tue cirkue
E se jashtë isht’ tue rá shí,
Me ‘i zâ t’mârrët e si n’merzí
Vedmevedi thotë: Perzèt!
Mori shpija metshi shkret!
Urth e lmashk per rreth u mlojshin!
Brevë e gjarpen n’jue u perftojshin!
Si kaq shpejt ju me pikue?!..
M’voter cirken me m’a lshue?!
Jo, mor vllá, motra i ká thânë,
Se ato cirka shiut nuk janë
Qi nper hatlla pikojn m’voter:
Por janë lott e s’ate moter!
At herë vllau, bâ dhé në ftyrë,
Sŷ per sŷ motren po e kqyrë,
Me do sŷ krejt cangullue!
E letë doren tue i a lmue,
Si n’kllapí i ká ligjirue:
Po ti, moter, pse me kjá?!
Zêmren dýsh pse me m’a dá,
Tash qi m’erdh shpirti me dalë,
Frŷma n’zêmer tue m’u ndalë?!
Po a lânë t’paskam me hjekë zí?
T’paskam lânë pa ngrânë, pa pí,
Veshë e mbathë edhè stolí
Jo si shoqet në Malcí?!
A se folë t’paskam un randë:
Persè ti ‘i çikë e pa nanë,
Sa velë t’kênka i vetmi vllá,
Huj’ per burrë, ndoshta, me t’rá?!
Motra doren m’ballë i a vên,
Amel fjalen ç’po i a kthen,
Pastên vllaut t’i a strukun krahit:
Amanèt, moj njomza e ahit,
Po kû jé?.. shka jé kah thue?..
Po a kaq jermi t’ká ngushtue?..
Se tý motra s’t’u martue,
Per pa u kalbë ajo nen dhé!
Kurr mâ randë se sod folë s’m’ké!..
Tjeter tatë nuk kam as nanë:
Amanèt, mos me m’pasë randë,
Per nji fjalë qi due me t’thânë!
Qýsh, mor vllá, qe, tash nji vjetë
Nuk t’u njom ky shtat i shkretë?!
Qýsh s’t’u mkam ky trup nji hera,
Sa me u çue me dalë ke dera?!
Si s’t’u thá motra, e thaftë vera!
E thaftë vera, si e ká thá!
Po un qýsh shkoj me ndêjë rob n’Shkjá!
Vetllat Curri atý ká vrâ,
E si ‘i herë mârrtas ká fshâ,
Po i thotë moters per nen zâ:
Po ti, Tringë, shka jé kah flet?
Rob në Shkjá tý shka po t’qet.
Na n’Nokshiq, Shkjau n’Karadak?..
S’të lshon fisi, jo, pa gjak,
Me t’robitë, me t’çue nder shkjé,
Edhè pse un t’kalbem nen dhé.
Motra, lott me rubë tue i fshî
Ah, mor vllá! po i thotë n’ dashtní,
Ndoshta jermi s’ t’ lên me ndî
Si vlon pushka n’ mal e n’ vrrî:
Se sod Shkjau n’ Nokshiq ka hî.
Ku po bân t’ madhe kerdí,
Shpija e stane tue i bâ hî,
Tue plaçkitun dhên e dhí,
Tue vrá pleq, e grá, e fmí!
N’ at fjalë Curri se ç’ âsht xî,
E me ‘i zâ me t’ zi me u ndî,
Po i thotë moters si n’ kllapí:
Paska hî, thue, Shkjau n’ Malcí?
Po n’ Nokshiq, po i thotë e motra
E shî tash zbriti nder kodra,
Kû po djegë aj gúr e dhé!
Atŷ Curri se ç’ âsht zbé!
Kthelltë nji herë se ç’ ká gjimue!
Per rrshit «hutës» sŷt i a ká lshue,
Tash nji vjetë n’ kûj ajo vjerrë!
Edhè sŷt nisin m’ i u errë,
Fija e mendes nisë m’ i u djerrë:
Po zên fryma me ju ndalë,
Sa me t’ zi m’ i u ndîe kto fjalë:
Zot, mâ zí se njekshtû a ká?..
Ndore t’ ande paça rá!
E sjellë marë, shtrîhet per dekë,
Edhè nisë ká atŷ me hjekë.
Tringa qirin shpejt e kallë,
E xî n’ ftyrë, bâ karabojë,
Mêrr e i bân me tê kryq m’ ballë.
Tue thirrë Krisht e tue thirrë Zojë,
Dér qi i vllaj per t’ mbramen herë
Hoq e u dá kso jete s’mjerë.
Ç’po bân Tringa e mjerë t’u lyyrë
Rrokë ká vllán e ftyrë per ftyrë
Puth e kjáj e me lot láj;
Dnes e fshâj e shkrifu n’váj:
Dhimët zêmra ka’ i pelset,
Per at kob të zí qi e gjet!
Por, tue kjá, tue dnesë mbí vllá,
Nisë me vedi me mendue,
Se vllau petkash duhej ndrrue,
Se në vorr aj duhej çue,
Nanë e tatë kû i’n kênë vorrue.
Veç se prap ajo u mendueka:
Mirë se vllau petkash u ndrrueka,
Por si i bàhej me e shtî n’dhé,
Jashta Shkjau tue djegë, tue pré,
Shokët kush mbetë, kush hikë e tretë,
Vetun qyqe un në ket jetë?..
E lên vaj’n e mâ nuk kján:
Veç harû tash kqyrë të vllán,
Tash kqyrë hatllat, tash kqyrë çaklat
Para e mbrapa, e tej n’odë tjeter
Ndo’i figure a ‘i plis të vjeter,
Kurrkund sŷ’n ajo pa e ndalë:
Herë, harû e ashtû pa fjalë,
Soditë oden fund e maje,
Thue po ká kund farë uzdaje,
Se po âsht kush qi me i nihmue.
Por gjithshkafja n’odë rri shue:
Hije deket e ká mlue,
Si nji vorr të kisht’ qillue.
Nisë atŷ ajo me u frigue
N’at vetmí, e me mendue
Shka per t’dekun kish’ pasë ndie
Tue kuvendë, sa kisht’ kênë fmí,
Edhè ‘i djersë e ftoftë e mlon.
M’voter flaka kah fershllon,
Kah ndien ûnen m’zjarm tue çîjzë,
Neper hatlla mîjt tue lvizë,
Të perqethtë asa’ i shkon shtatit,
Edhè shpinen mâ per s’ngiatit
Murit t’vrashtë i a njeshë. Kahera
Âsht tue u matë me u çue, e mjera,
Me dalë n’âne, kû zanát
Âsht n’Malcí me ndêjun grát,
Per me zjerrë petkat e t’vllát
Por me u çue nuk âsht tue mûjtë:
Dishka dron vendit me luejtë.
Shkrumue buzësh, irnue në ftyrë,
Dér t’vllán âsht tue drashtë m’e kqyrë.
Harrue ká Nokshiq e Shkjá,
Shpijat djegë, vendin n’gjak lá:
Kaq rrethuem e ká mjerimi,
Kaq hypë tmera e hypë trishtimi!
Kúr, qe, ‘i vigem ndien perjashta
Nji çetë shkjé po mlidhshin kashta,
Per me i dhânun zjarm njaj shpije
Pak pertej, nalt te nji hije.
Ndien at vigme e flakron m’kâmë,
Friget tue rrapllue me dhâmë,
Edhè futet n’ane tjeter,
Kû po kishte ‘i kashû t’vjeter,
E mbí trén nalt n’hatlla t’epra
Nji gallushter, çilë nper qepra,
Aq të vogel, n’ cilla t’ mdhá
Me t’ zì nieri mbrendë me u pá:
E flutrim ajo tue ngá,
Mbas kashûnit shkon me hî,
Kin’ me u strukun per rranzë tí,
Kin’ po pshton prej Malit t’ Zí:
Qi nper flakë e tym të zí
Mî as bunger pa gjetë s’ lite,
Jo se mâ njerzit s’ po i gjîte,
Qi nper shpí mund t’ strukte ezgjeti…
Por, enè pa u ulë, me veti
Zên e thotë: Pásh t’ Lumin Zot,
Persè t’ mshifem këtû kot?!
Ç’ m’ duhet jeta sod me sod?!
Nanë e tatë tue u kalbë nen dhé
Vllau i vetem dekë mbí dhé:
Ç’ m’ duhet jeta kish t’ a dí?!..
A veç sa per t’ shkuem n’ Mal t’ Zí,
Faqe t’ zezë vedit me i shkrue,
Fis e giûhë e Fé me ndrrue,
Nanë e tatë un me marrue:
Me i xî ftyren vllaut të dekun
Me njiherë porsa ká hjekun?!
Jo, per Zotin! lavdi Zotit!
Se mâ Tringa per mbas sotit
Gjallë ‘i ças s’ do ajo me kênë.
Por, persè p’r ‘i nieri t’ kshtênë
Me mbytë vedin s’ e ep Feja,
Vetë do t’ dal, po, gjofti rrfeja!
Ballë per ballë me u gjuejtë me Shkjá,
Perdhûni m’ e bâ me m’ vrá:
Mue me m’ vrá, po, n’ gjak me m’ lá:
Por jo kurr në Karadak,
Veç këtu, shì per nen prak
Të derës s’eme. Jam bí malit:
S’báj un marre per s’të gjallit!
Zot, mishrirë të keshë per mue,
Per shka vetë mund t’kém gabue
Në ket jetë, hiri a pa hiri
Shtatë herë n’ditë kû fye edhè i miri!
Ti edhè m’ep forcë e fuqí,
T’mos t’i lâ vedit korí.
Se un t’rijt t’êm nuk po e bâj flí,
Per t’m’dalë kanga n’Male t’Mdhá;
Por per erz, per Fé, per vllá,
Dekë mbí dhé qi mbetun m’ká,
Me m’i a pré kryet Shkjau per s’dekuni,
Mal e fis me na i koritë!
Deh! Ti doren me m’a njitë
Në ket t’mbramen per mue ditë:
E mos lên, jo, gjallë me m’qitë
Shkjau në dorë! E fill n’odë t’burravet
Flakron Tringa, i vllaj per s’dekuni
Kû ishte shtrì, e «huten» s’eperi
Hjekë prej kûj’t per nen sergjí:
Mbrendë fyshekun i a ká shtì:
Kater tjerë i qet m’nja’n brî;
Per nen rryp njeshun per í:
U ep flokve nen shamí:
Edhè para se me dalë,
« Huten » n’dorë, bâ giûnin palë,
Âsht ulë, vllán ká puthë në ballë,
Kû po merr e i thotë me mâll:
Fort mos m’u merzit, mor’ vllá!
Pse, kur t’nisë dielli me rá,
Tash po vjen Tringa me t’pá:
Me ndêjë bashkë moter e vllá:
Prej shosho’it mà kurr me u dá!
Edhè vasha m’kâmë âsht çue,
Nihmo, Zot! Shêjti Shna Ndue!
Vetë me vedi thotë nji hera,
E msŷn turr drejt e kah dera.
Sa me huj deren ká hapë!
Se aspak vasha nuk m’â zmbrapë!
Por sŷn zjarm, vetllat ngerthye,
Dredhun ruben urë me sŷ:
Si selvija shtatit ngrefë,
N’mes t’oborrit i a ká befë,
Per mbas íjet « huten » mshefë.
Kur qe, se njaj Gjur Kokoti,
Si me e hûmë qi kisht’ nisë Zoti
Ûnen n’dorë tanë tym e shkndija,
Dirgjet shpatit si duhija,
Tue marrë shtekun me t’mdhej hapa,
Me dy t’Vasoviqas mbrapa,
E mâ larg prap me ndo’i shkinë,
Per t’ngarkue ato plaçkat m’shpinë,
Ká msŷ shpín m’i a djegë Curr Ulës.
Gjuri, menden maje ksulës,
Para shokësh pak ká shtekue,
M’sŷ, « kapicen » petullue,
Dollamës polin m’brêz ngujue,
Vjerrë « novicen » per nen krah,
Kthelltë taganin rrasë n’sylah:
E si 'i bishë dalun prej gurit,
Kur t’a lodhë plajmi me borë,
I âsht avitun shpís së Currit,
Sa hjedhë nieri 'i peshë mbi dorë,
Prej kah Tringen aj ká pá
M’kamë n’oborr ndêjë para shpís:
Si ajo Zana e bjeshkve t’mdhá,
Si aj flamuri n’ballë t’ushtrís:
Edhè hapin e ká ndalë,
Kû, habitë, po thotë kadalë:
Vall, a âsht Ora e Dormitorit?
A por Zana e Vizitorit,
Ulë e Mira m’kto zabele,
Per me gjetë ndo’i ród sherbele
A ndo’i shpendme giatë luginës:
Se nji vashë mâ t’mirë s’e shef,
Pasha Sh’Pjetrin e Cetinës!
Me i rá botës ti tef e m’tef.
Tash po e marr e e çoj n’Mal t’Zí,
Si ré nanës t’m’i nihmojë n’shpí,
Edhè qêni, i biri i qênit,
Thekë ká hapin atij vendit,
Drejt kah Tringa tue sulmue.
Por, kur bâ ká me i u afrue,
Sa shpejt Tringa 'i hap po kthen!
Sa shpejt « huten » po e merthen!
M’parzme Shkjaut se ç’po i a vên!
Hiqi gisht, he bujareshë!
Se 'imend kênke 'i bí prej fisit!
Bjeri shkjaut, bre sokoleshë!
Mu në parzme per mjedisit!
E t’a diej Knjazi n’Cetinë,
Se edhè n’qitët Shqyptarët aj fare,
Pasha Zotin, n’Shqypní s’hînë,
Dér t’jetë gjallë ndo’i bí shqyptare,
Qi per erz, e Besë, e Atdhé
Kto edhè desin si me lé.
Edhè « huta » bani « bam »!
N’kokerr t’shpinës bjen Gjuri m’shkam:
I âsht derdhë mulla nper rragam,
Pshesha n’ujë, 'dhe atà haram,
Çika vendit por s’po lot.
Sŷnin kokerr, flakë e agzot,
N’krisme t’pushkës kah shokët e Gjurit
Shef se vrap i’n vû atij gurit,
Sa me turr qi i a ká hjekë
« Hutës » fyshekun; veç tue u rrekë
T’dŷtin mbrendë ajo m’i a qitë,
Vasil Ndreka, nji uk malit,
M’tê « novicen » terezitë,
E i a njet shì n’lule t’ballit.
Dekun m’tokë bjen Tringa e mjera
Shta’n n’oborr e kryet te dera,
Mollza e faqes krejt n’gjak lá!
Edhè dielli dheut i rá.
Gjallë por Tringa Shkjaut n’dorë s’rá!
Gjergj Fishta