Ketbanat e Currulës

Kangë e njizetetretë

Porsa u shkim Tringa n’oborr,
Si ajo lulja, qi, shatorr
Çilë, prej gêmit t’a shkpusë breshni,
Vasil Ndreka sŷkerveshni:
Nji hundlesh me thîja n’krye,
Qi per tjeter vû s’kisht’ sŷ
Veç me vrá, me pré, me grrye:
Fíll prej vathit turr ká msŷ,
Si ajo rêja nper murrâ,
Dhend e dhí aj per me i rrmye,
Dhend e dhí kertyllë në vjamë.

Ah! kû ve’, bre t’kjasha t’amë!
Ká vikatë si katallâ,
Shllungë mustakun derdhë nji pllamë
Qaj Gjetë Gega m’kep pertej:
Befas trimi kû shperthej
Prej njaj breshte vrap tue ngá,
Tue dihatë e krejt n’djersë lá,
Shi at herë kur Vasili, n’gaqe,
Vû «novicen» per njâ’n faqe
Gisht po i hiqte, e Tringa u rrxue,
Gjaku rrkajë ballit tue i shkue.

Se Shqyptarët: kah per rranxë bjeshke
Ushtrí vîjshin prej Sutjeske,
Çeta-çeta e rreshta-rreshta,
Tue u pershkue nper ashta e breshta,
E nper suka, rmiqe e kreshta:
Si kan ndeshun cull e grá,
Pleq e çika vrap tue ngá:
E kan ndie si hasmi Shkjá
N’ moh Nokshiqit i kisht’ rá,
Kû po bâte aj nam të zí,
Se ç’janë mbushun me mëní!
Gjak e vnér se ç’u âsht perzí!
Atŷ urdhen mâ kush s’priti,
T’ parë as t’mbramë mâ kush s’soditi,
Veç se u lshuen si bisha malit
Do thik shpatit, do poshtë zallit:
Kush n’ e rrmakët e kush n’ e djathtë,
Disa t’ ngathtë, disa mâ t’ shkathtë:
Por gjith sŷnin flakë e agzot,
Llagam zêmren, mbushë n’ barot.
E kah ngasin, kah dihasin,
Njani tjetrit larg ç’po i thrrasin,
Si me u zdatë, si me u tuhatë,
Se ç’bajrak me zânun majet,
Cilli grykat edhè zajet:
Kush me u shtŷ e kush me msŷ;
Kush nder logje me ndêjë sogje,
Kâmët por shtekut t’ gjith me i thekë
Me pshtue askush: të gjith me dekë,
E Nokshiqin mos m’ e lshue,
Dŷ per nja per pa e pague.
Edhè trimat, zêmrat peshë,
Po shkojn malit tue i u njeshë,
Porsi njeshen Koprivnikut
Ato berret e Nikë Sykut,
Kur prej veret n’ kullosë t’ dalin,
Ashtû plym tue marrun malin.
Qaj Gjetë Gega, kuq si shega
Bajraktari n’ zâ prej Shllakut,
Orë e çuet e gjith bajrakut,
Drang drangoni tue qillue,
Para shokësh larg ká shtekue;
Edhè, vrap lshue thep më thep,
Drejt shpís s’ Currit del m’ nji kep
Shì m’ at herë, kur Tringen vrau
Vasil Ndreka, e u turrka shkjau
Fill prej vathit. Porsa e pau,
Keq me nanë Gjetja atê e shau,
M’ tê edhe « huten » tereziti:
Mu m’ grrêç t’ krés atij i a njiti:
Tamth e m’ tamth plumen i a qiti!
Ngordhi sŷt Vasili e u purë
M’ njãnen anë e rá terthuer
Dekun m’ shkam. At herë prej millit
Xier tagâ’n, edhè nji fillit
Msŷn me pré atà krye t’ Vasilit.
Por t’ kisht’ pasë Vasili ‘i shoq
Per mbas vedi, burrë kaprroç,
Harushan: po, kaliboç,
Besa, ‘or probe, me t’ bartë m’ shpinë
Prej Nokshiqit dér n’ Cetinë,
Per pa u lodhë aj kurrnji grimë!
Kryet e tij si nji rrâjë bunge,
Të tanë neje e të tanë gunga
Sŷnin vrangtë e hunden cunge;
Derdhë musteqet si dý shllunga;
Me do gaqe, pak me thânë,
Pêsë koshiq miser me i zânë:
Edhè m’ kâmë aj mbathë do opanga
Lkure s’dhije, të tanë zhanga,
Lesh e rrypa, gjalma e vanga,
E qi at ditë, kur duel n’ushtrí,
Me armë n’dorë, me zjarm në gjí,
Bâ i a pat e shoqja shkinë.
Betêrr burrë e hardallinë,
Trim, po, shkjau, por ne calinë,
Ne tagan aj në sylah;
Veç « novicen » vû mbí krah,
Edhè sŷnin gacë prej farket,
Me do duer, çengela barket:
Millosh Pera aj êmni i tij:
N’Vasoviq me plang e shpí.
Ky, kur pá Vasilin vrá,
Edhè pá si curr më curr
Kishte marrë Gjetë Gega turr,
N’dorë taganin idhtë shterngue,
M’arrç Vasilit per t’shkurtue
Kryet per s’dekuni, « novicen »
Vên per faqe e, m’sŷ kapicen,
I hjekë gisht; por nuk e muer:
I vrau pushka si n’terthuer,
Shtatit kah Gjetë Gega u purë.
Bân me i shtî fyshekun tjeter;
Por namlija s’po i a ha’.
I mbet mbrendë gazhota e vjeter,
Turr karkllukut ka’ ashtû i dha.
Dhâmë e tmallë sa fort i shkrepi,
Lshon « novicen » rranxë nji shkrepi!
E vetimë sypri Vasilit
Flakron trimi, edhè prej millit
Tagâ’n i a ká xjerrë, e ‘i fillit
Ballë per ballë Gjetë Gegës ká dalë,
N’tagan hovin per m’i a ndalë.
Me ndollë pûna se n’lisní
Turr prej shkujkut me furí
Lshohet luani m’nji kapruell
Qi n’kullosë t’i dalë kundruell;
E se, para se m’i u hullë,
Fulikare per poshtë trollit
Po i bje tigra atij kaprollit:
Harrue luâni atŷ at shkerbé,
Tigers m’shpinë lshohet rrfé,
Edhè atherë bishat perlahen,
Idhtë shoqe me shoqe hahen:
E dermishen e shkelvishen
Me do dhâmë porsì kortela,
Do çapoj thue janë çengela;
E ka’ ungrojn, kah ulurojn,
Lvisin bollat zhgjetë nper fusha,
Kapë perpjetë malin harusha,
Hikin derrat, marrin ferrat:
Kshtû Gjetë Gega u lshue mbí shkjá,
Kû edhè trimat t’janë perlá
Ndermjet vedi, e t’kan fillue
Idhtë taganat me i vezllue,
Njani sho’in m’e lânë pa kokë,
Qi me ngrânë m’tê zogjt sterqokë.
Kúr kan pá shkinat me sŷ,
Si Gjetë Gega e aj Millosh Pera
Njani tjetrin rrebtë kan msŷ,
Se ç’piskatë kan ato athera,
Malazezve tue u bâ zâ,
Per mas plaçket hutue malit
N’ nihmë Milloshit per me rrâ:
Qi me e pshtuem prej njatij hallit,
N’ t’ cill’n e qitte atŷ neshtrasha.
Millosh Pera, me do llana
Si nji «mashkull» qerri t’ trasha,
Kishte kênë, po, trim si Zana,
Me i rá zjarmit, me i rá detit.
Kund pa u trêmë aj sŷni i tí;
Qi edhè n’ lufta me askjer t’ mbretit
Shum do bulla pshtjellë kisht’ n’ t’ zí,
Ke aj n’ «novicë» gjuete fort hollë:
Me tê voen me kputë m’ krye t’ njerit,
Me kputë pipin njitë me mollë,
Flutrim sŷ’n m’ i a xjerrë skylferit:
Por, me u pré burras n’ mejdan,
S’ po e kisht’ pasë aj fort zanát;
Pse as me sè me blé tagan
Dalë s’ i kisht’ Milloshit t’ ngratë.
Krejt bashtina e tí ‘i pendë dhé,
S’ dí a po a jo e ndo’i cung hardhije,
Se ne lopë kisht’ pasë ne qé,
Posë ndo’i lukre a ndo’i kâmë dhije.
Shpija e tij ngrefun kaçorr,
Thatë permbrenda si ‘i shpellë uku,
Me ‘i kotec, sa ‘i kpurdhë, n’ oborr;
Nji gomár e ndo’i brengë çuku.
Cullt e grueja në gazep:
Dikû ngranë, dikû pa ngranë;
Jeta e tij si e bishës në shkrep,
Qi prej zije luron m’ hanë,
Me gjithkta por zogu i shkinës
M’ kisht’ pasë kênë zêmerfisnik:
N’ bukë e n’ krypë e n’ kupë të shllinës,
Lête nderë aj me ç’do mik:
Si gjithmonë, manà, n’ket jetë
N’ shpí të trimit, per trim njefë,
N’ dashtë n’kondosh n’dashtë n’xhokë, ké
Sofren shtruet e pushken ngrefë. [gjetë
Se kû gjên trimi bujár…
Se kû gjên skylferi mish…
I a nisë mbrapshtë, puna i del marë;
Sjellë m’të thatë, e korrë dy fish!
Edhè kshtû ky Millosh Pera
Fort zanát s’kisht’ pasë taganin;
Sado trim e idhtë si fjera
Ngurrtas dredhte n’ajr taganin.
E prandej, sa duel me u pré
Me at Gjetë Gegen ballë per ballë,
Shef, pak vonë por, se mbí dhé
S’kishte rá mâ ngusht per t’gjallë.
Per ket pûnë me msŷ nuk hapej,
Veç se vedin m’tagan mprote:
Vithambrapas edhè zmbrapej,
Sa herë turrin Gjetja lshote.

Kshtû dy trimat, t’idhtë si Zana,
Kaperthye atà shoq me shoq,
Tue sjellë rrijshin me tagana,
Thue po korrin kallamoq:
Jo se mâ se n’at mejdan
Kryet shosho’t po duen m’i a pré:
Porsì t’ishte kryet bastan,
Per gjith treg aj qi me u blé!
E kah rrijn ashtû t’u ndjekë:
Gjetja shtŷj, Milloshi prit;
Hapu Gjetja m’ e bâ dekë,
Ngurr Milloshi e njalë lvit:
Kah Milloshi hapa-hapa,
Sŷnin m’ Gjeton gozhdë ngujue,
Rrqaset leres vithambrapa,
Sjellmesh s’ Gjetos si me u pshtue,
Don rreziku e thêmra i hasë
M’ trup t’ Vasilit, zogut t’ shkinës,
Terthuer shkamit dekë perplasë,
Edhè praptë bjen m’ kokerr t’ shpinës,
Kryet n’ teposhte e pa «kapicë»:
Se «kapica» nper rragam
Rrotullue i ká n’ nji plakrricë,
Me gjith shkrola hupë në zdram.
M’ tê Gjetë Gega t’ â lshue rrfé,
Me tagan në dorë shterngue;
Veç persè me hî m’ i a pré
Kryet poshtë shkamit vjerrët shtangue,
Puna do t’ a kisht’ qitë larg,
E me ngiatë s’ isht’ tue pasë ngae…
I a ká rrasë taganin n’ bark,
Kund nji pllamë perpjetë t’ i a çá.
Masandej per kaçirubet
Kryet Vasilit, dekun shtrî
Permbí shkam brî njaj kaçubet,
I a ká kapë, e me mëní,
Si kasapi e ká zanát
Kúr pret mish, aj me tagan
Ká nisë m’ arrç me i a cecatë,
Dér qi i jet n’ dorë si bastan:
Edhè atherë atŷ at rradake,
Arrçit t’ shkputne, krah nji fillit
E flakron si kungull Vrake,
N’ mes t’ oborrit, terthuer cillit
Mbetë kisht’ dekun Tringa e mjerë.
Shkon rradakja rrok më rrok,
Tamth e m’ tamth shporue per mndere
Tue e plirë n’ gjak at patalok;
Dér qi vjen edhè zatetë
Shì te kamët e Tringës. Athera
Nisë me marrë Gjetja perpjetë.
Veç, kqyr, ç’ bâni Millosh Pera,
Shpirti mirë pa i dalë të ngratit:
Porsa Gjetja shpinen suell,
Millosh Pera i ká dhânë shtatit
E permysë aj si nji buell,
Neper lerë rrshqanas tue u shtrî,
N’ moh njanës kamë Gjeton ká kapë,
Mys per tokë tue e karraní;
M’ tê m’ tagan atŷ edh’ âsht hapë,
Per m’ e lânë trimin pa krye.
Por me sjellë nuk mujt qyqani;
Pse shì at herë i u err nder sŷ
E i del shpirti, edhè tagani
I pshton dore e i bjen nen shkam;
E permys aj, sa gjânë-giatë,
Trûç bje dekun mbí rragam,
Tue e lânë vejë t’ shoqen e ngratë
Me tre djelm e kater çika.

Se ç’ janë lshue shkinat m’ at hera
Mbí Gjetë Gegen, raftu-o pika!
Jânë lshue shkinat si dŷ fjera:
Njana Stane, tjetra Jane:
Dŷ Kulshedra, njana e tjetra!
Sypri tij purë skrraja Stane
T’ shmâjten dorë i a kapë me kthetra.
Ndersa Janja, e fortë si mushkë:
Nji korume e zezë, shakshine,
Msue me tjerrë e me qitë pushkë,
Ardhë dika’ andej prej Cetine:
Dishkà grue kjo mashkullore:
Âsht turrë shtriga si shkerbé,
Per m’i a xjerrë taganin dore,
E me tê, po, me i a pré
Gjetos kryet, ajo korume,
Nám të zí Shqypnís me i lânë!
Edhè, besa, more kume:
Disì marre m’ vjen me t’ thânë;
Por at ditë e bija e shkinës
E pat pré Gjeton e shkue,
Edhè kryet Knjazit t’ Cetinës
Dhantí ajo pat per t’ m’i a çue;
E m’ «bisht t’ pelës», manati i Zotit,
Me na vû, kuku! Shkjau né:
Me kndue shkinat per t’ giatë t’motit,
Jana Gjeton si e pat pré:
Si gjak hupcë s’ shkoi Gjur Kokoti:
Si Milloshi s’ mbet gjak falë!
Veç se Gjetos i a dha Zoti:
Masì vedit zot me i dalë
Ndryshe s’ kisht’: edhè me krye
Sa kurr mûjt Janes i mbet
Mu m’ tureçka, tue i a thye
Hunden cunge. N’ at siklet
Jana mendsh, kercuna, u muer;
E mloj gjaku e mâ as me pá
S’mujt me sŷ. Dy fish u purë
Mbí Gjetë Gegen: veç me kjá
Shtriga s’kjau. Jo, po, kisht’ kênë,
Besa, or kume, nji trimneshë,
Me t’ardhë keq: e kam pa rrênë:
Se at ditë Ora e çoi me u ndeshë
M’atà krye, nji mâj qillue.
Ndersa dhimet shkina kmye
Zêmers s’frŷt rrin t’i u pendue,
Doren m’hundë e kuk ngerthye,
T’ká flakrue Gjetë Gega m’kamë.
E gjak sŷnin prej mënije,
Tue kercnue idhshem me dhâmë,
T’a ká shkulë nji hû dullîje
E t’ká nisë m’tê me sjellë m’shkina:
Bjeri Stanes, bjeri Janes:
Gjithsa ‘u hate, perzet, shpina,
Per pa i mbajtun pajë kurrnjanes.
Nisin shkinat me piskatë:
Gjetja m’hû se ç’po u rri gati!
Shaju nanë e shaju tatë,
Dér sa u zhduken brîjs s’njaj shpati.
Gjak tagani tue i kullue,
Dý kuburet rrasë n’sylah,
Turr Gjetë Gega at herë â lshue
Me marrë «huten» mbetë mbí rrah,
Ndersa ndêj tue u kacafitë
Me dý shkinat. Kur m’«novicë»,
Qe, atŷ ‘i shkjá e ká terezitë,
Tue e marrë ís pak mbí kerthicë.
E shitoi qaj Kërrstiq Vuku:
Djalë me brè hekur me dhâmë,
Lesht e hundës si qyme uku,
Dredhë mustakun giatë nji pllâmë:
N’daç per pushkë, në daç per krushk
Djalë mâ t’mirë s’ké pasë pse lypë:
Lidhë në tjegull, rritë në dushk,
P’r ‘i parë armë, per bukë e krypë
Lête kryet per Knjaz të vet;
E as Fé e Atdhé s’do t’kisht’ mohue,
Me e pasë bâ jo beg, por mbret,
N’dorë Misirin m’i a pasë lshue.
Ky, tue u djergë me ‘i ká per dore
E me ‘i kál ngarkuet perpara,
Kur ká dalë m’nji sumullore
Mbí do megje e mbí do ara,
E pre’ andej trimi ká pá
Vasil Ndreken mbetë pa krye,
Millosh Peren permys vrá:
E ká pá si atŷ, ngerthye
Shtatit, Gjetja ishte tue shtrî
Doren m’ « hutë » plandosë per lerë,
Se ç’âsht mbushë aj me mëní!
Ç’t’i janë perzí atij gjak e vnerë!
Ç’t’i kan marrun flokët perpjetë!
Edhè kán lidhë per nji shkorre,
Mbas nji curri vetë zatetë,
T’i mbet Gjetës m’ «novicë» mizorre.
U rrxue Gjetja m’shkam të gjallë.
Lshon Kërrstiqi kryet m’i a pré:
Si lshon uku nper rrgallë
M’ndonji skjap a m’ndo’i shkerbé.
Shpejt po e xjerrë Gjetja kuburen!
Sa me shpejt zjarm qi po i ep!
Mirë m’i a thau, po, shkjaut lkuren !
Ç’m’i a muer shpirtin per gazep,
Tue i a rrasun shì në parsem,
Latrâc m’ lerë tue e hjedhë terthuer,
M’ tê çakajt qi me bâ darsem :
Aj, qi aq trim m’mbahej dikúr !
N’atè Vuku qi nper dhé
Po plandosej si lug trapi,
Mendsh harlisun nji çetë shkjé
Palabardhas hap mbas hapi
Thekte kamen nper laskár,
Pushken n’dorë, në brez taganat,
T’idhtë si helmi ruejtë n’filtár :
Hajrin kurr mos m’u a pá nanat :
Kush sŷzí, po, e faqezí,
Kush kryet « gjog », e menden « zog »,
Njani brac, tjetri kuprrac,
Dikush rob, dikush per kob.
Veç se trima sa t’u thuesh :
Si njaj Jozja i Vukadinit,
Matiq Jure në « zdragushë » :
Kerkserdari i Kulashinit,
Mihajl Bozho i Bozho Ikiqit :
Spiro Neshi gerxhelí,
Buka e botës e kuvendtár :
Ják Taraba kime-zí,
Derë e parë, e trim bujár :
Vuksan Leka, mejdanxhija :
Dy djelmoça prej Nikshiqit,
Spiro Zeka e aj Gjoko Ilija.
Njiky Gjokja ‘i camerdhok,
As dér m’ giû mos me i rá deti,
Ka’ ashtû rrgalles lshue m’âsht trok,
Larg m’i lânka shokët mbas veti:
Edhè, menden mâje ksulës,
At herë, djali, fíll tue u kapë
Ke ato tbanat e Curr Ulës,
Ká pá ‘m’ lerë si bijte prapë
Vuk Kërrstiqi, e shokët pa pritë,
« Veshk » prej millit xier taganin
E lshon ngutshem m’i a krasitë
Gjetos kryet, edhè mejdanin
M’i a lânë vedit: qi nder shkjé
Vonë e vonë kanga m’i u kndue.
Por jetshkurtë djali m’kisht’ lé:
Nuk i duel si e pat mendue!
Pse, sa muer m’tagan me msye;
N’stom pertej, qe, ká shperthye
Nper çetina, si uk malit,
Nji farë Luc Gjeloshi, i Grudë;
Shpí e parë e pika e djalit,
Kaleshan, musteqe rudë,
T’cillit sod e m’gjet të parë,
Si n’Malcí, si n’Mal të Zí,
Pushka e fjala i pat hecë, marë,
S’i u pré mik, s’i u la korí.
Ky kur páka shkjét tue zbritë
Edhe Gjokon lshue m’pikë t’vrapit,
Mirë ká zânë trimi n’nji pritë
Mbas nji curri e brî nji rrapit:
E kúr Gjokja, hapë n’tagan,
Ká marrë Gjetos me i u turrë,
Per m’i a kputë kryet si bastan,
Ç’ t’i ká mbetë aj n’kacaturrë!
Per nen sjetull mirë i a njiti!
I duel plumja rranzë me vetull.
T’ madhe Gjokja atŷ ç’ bertiti,
Edhè lmuç per tokë bjen petull
Shì te kryet e atij Kërrstiqit,
Me ngranë m’tê, mo’, Zo’, mâ keq!
Qêjt e bollat e Nokshiqit:
Kryet, ofshe m’ i a lânun grreç!
M’ i a lânë grrêç, po, njatà krye,
M’ t’ cillt dikur « kapica » plite:
Anì kur m’ a dridhte m’ sŷ:
Aq fort hije pasë m’ i ki’te.
Pra edhè at ditë qi duel n’ ushtrí,
Veshë e mbathë e m’ armë shterngue:
Pushken n’ dorë, zjarmin në gjí,
N’ sŷ « kapicen » petullue:
Bír, m’ i thânka nana e shkretë,
Mos bân kryet poç a matare;
Pse me pasë pa tê per t’ mbetë,
S’ gjên, jo, treg m’ e blé me pare!
Edhè i thânka prap kercuna:
Mos me u shtŷ teper, t’ pasët nana!
Pse Shqyptarët po ishin, Zo’, ruena!
T’ idhtë si gjarpni e t’ rrebtë si zâna.
Por, pse i rí djali tue ndollë,
Knjazi mendt i a bâka kubel,
Kin Shqyptarët se s’ gjuejn fort hollë,
Se aj Shqyptarët do t’ i bâjë zhubel;
E prandej, qyqari, muer
Gjith at hov, e as s’ i rá shpatit.
Si me thânë, kryqeterthuer,
Por u lshueka zhgjetë per s’ t’ giatit.
Po, por Luci hollë kisht’ gjuejt,
Edhè kryet, manati i Zotit,
Aj t’ i a bâni kungull ujët,
Me e kjá e ama per t’ giatë t’ motit.
Kur ká mbetun Gjoko Ilija,
Frota e shkjevet ç’ t’ â lshue turr
Perposhtë shpatit, si duhija,
Kep më kep e curr më curr!
Pushken n’ dorë, nder dhâmë taganat,
Neper driz e neper mret
Ki’n marrë hovin ka’ ato tbanat
E Curr Ulës, të mbetne shkret.
Lucë Gjeloshi, pika e djalit,
Fort po qet m’ at «kacaturrë»:
Fort po i gjuen shkjét atij malit,
Atŷ hovin per m’ u a ngurrë;
Veç se plumet e «martinës»,
Qi u fishkllojn per brî rradakesh,
Máll s’ m’ i bâjn, jo, zogjt e shkinës,
Porsì t’ ishin shtupa takesh,
E as m’ e ndalë hovin s’ e ndalin:
Veç, lshue turr e krejt terbue,
Me t’ mdhej hapa perpîjn malin,
T’ vramët e t’ premët per me i pague.
Kur, qe, dalin do malcorë
Prej njaj breshte, si lugeten,
Sikur t’ rrahë plajmi me borë:
Lul Rapuka e Pllum Gjeloshi,
Sŷnin gacë; Baca Luc Dedi,
Burrë i urtë Pjeter Gjokë Toshi,
E aj Muç Hasi e Prêlë Mehmeti:
Maça Grizhi, Shyta Pêma,
Ndoc Gjo’ Goci e qaj Prêlë Keri:
Do djelmoça si do dêma,
Hijen veç me i u a drashtun njeri!
Si aj Turk Shabi me trí zêmra,
Gjeto Marku flakë e agzot,
Me at Tomë Dacin, t’cillit thêmra
N’ sŷ t’ shkjaut mbrapa s’i merr dot:
Vjen Jus Muça e Márash Vata,
Shpend Delija me gjith djalë,
Si ajo nata, me shtergata,
Hovin topi mos me u a ndalë:
E t’ shperthyen si uq zabeli
Cac Kaçeli, e Voc Cungeli,
Lul Pál Kiri, e Nishk Djalë Miri,
Dum Buzuku, e Col Çamuku:
Mbandej Brahokol Demushi
Edh’ aj Islam Makalushi:
Maça Keqi, ‘i varraslí,
Në sahat e në takí,
Veshë e mbathë, e burrë zotní:
Qi atjè n’ Lezhe te çinari
Kû tregtari, edhè shtegtari
Vuejn per ujë dimen e verë,
Me gjâ t’ vet, fitue me nderë,
Ndreqi kronin me ujë të gjallë,
Sjellë nper lerë e nper rrgallë,
Prej njaj kodre nen Kalá:
Qi prandej shpirtin per s’dèkuni
I a bekojn gjindja me máll.
Kta si pá kan gjinden vrá,
E t’kan pá si shkjét ki’n msye,
Per t’a lânë Gjeton pa krye,
T’ janë lshue trimat turr p’r’iheri
Si lavë ujqsh perposhtë Peshteri:
E t’u hjedhun p’r atà curra,
T’ na janë ndeshë burrat me burra
Shì kû Gjetja, purë m’ nja’n anë,
N’ dorë kuburen ngrefë si Zanë,
Gadi rrite zjarm me i dhanë
Zjarm me i dhanë, m’ parsme m’i a rrasë
T’ parit shkjá qi atij t’ isht’ qasë.
E si ‘i herë atŷ u perpojn,
Se ç’ t’ kan lshue trimat m’ shoshojn!
Se ç’ kan nisë trimat me u pré
Ballë per ballë Shqyptarë e Shkjé!
T’ janë mberthye, t’ janë kaperthye
Njani m’ tjetrin terbue shqimit,
Si atà derrat n’ muej t’ hakrrimit;
E kah sjellin me tagana:
Thue per s’ tepri bâ i ká nana:
Kah orvaten e rropaten,
Shoq e m’ shoq kah idhtë pêzaten,
Tue u turitë, tue u drobollitë,
Fytafyt tue u kacafitë:
Dikush rrokë, dikush per tokë
Rri e plandosu kryqterthuer:
Tjetri m’ shpinë t’ shoqit kaluer,
Zênja frymen njak me duer,
Trandja kryet per lerë e krep,
Xirja shpirtin per gazep,
Me do kthetra si kulshedra:
T’ janë bâ lamsh, po, n’ at log Zanash
Si gjarpîj n’ zgavrra muranash:
A, si thonë, njalat n’ liqê,
Qi, kah shkrepë moti nper rê,
Kah i a ep naten vetima,
Ja ep gjama e bumbullima,
Ndermjet vedi ato kacrrue
Ashtû lamsh me mija e mija,
Shkojn n’fund t’uj’t t’u rrokullue,
Der sa qiellës t’ushtojë duhija.
E si s’epri m’arë nper bûca
Kputun rrêmash bijn fiqt pûca,
Mâ se ‘i kokë, besa, mor’ shokë,
Shkepun arrçit rá per tokë,
M’to me ngranë e m’to me krrokë
Sorra, e korba e cilikokë,
Sŷt me u a shperthiqë me skep.
Edhè i mjeri, ofshe gazep!
Kryet qi m’tokë atŷ rá s’parit
Kje shî kryet e nji Shqyptarit:
Kryet e Brahokol Demushit,
Qi, zanë vend n’Mal t’Barbullushit,
Ora e qitte at ditë n’Nokshiq
N’luftë me u pré me ‘i t’Vasoviq:
Me at Brankun e Tomo Milit,
Kryet i cilli, besa ‘i fillit
I a rrumlloi trimi m’tagan,
Si t’kisht’ kênë poç a bastan.
Trupit shyt e n’gjak krejt lá
Brahokoli dekun rá
E u plandos per tokë sa ‘i trá,
Zanun parsmen m’lerë perfundi:
Sa qi token, thue, se lkundi
Ka’ ashtû trup u shâm per dhé.
Me pasë kush ndo’i gjedh per t’pré
Lopë, a dêm, a ká kulari
N’ndonji moje, edhè atypari,
Mbasì repë t’jét gjedhi e dá
Misht n’kortarë, me pasë per t’rá
Gjedhe tjera prej pastrakut
N’shpí tue u dredhë, a se kah dalin
N’kullosë n’nadjet, m’at erë t’gjakut
Tranden t’gjitha: hapin ndalin
E harû rrijn e njuhasin
Kah vjen era: mandej ngasin
Trok ke vendi, kû kje therë
Lopa a kau, e atŷ m’at herë
Kryet per tokë e çark rreshtue,
Dhén me kamë tue çukurmue
E me bryna tue e dermue,
Kan per t’nisë t’gjitha njiherit
Trishtueshim me bâ nji gjamë
Permbí at gjak derdhun aljerit,
Mnderet nieri me u ngrîjtë m’kamë:
Kshtû shqyptarve, kur okolin
Pán n’gjak plirë, e Brahokolin
Shul per tokë mbetun pá krye,
U ká hypë vneri nder sye,
Sa me idhnim edhè merthye
Janë me shkjé! Mâ atŷ kush jeten
Máll s’po e bân; si maluketen
Por t’kan msŷ atà njani m’tjetrin:
Plaku m’ttrín, i riu m’të vjetrin,
Si m’kê t’ndeshte kush mâ s’pari.
Mnijet sŷt u janë ndezë zhari,
Kallë llagam frŷ ding u âsht zêmra:
N’lerë nji pllamë u ngulet thêmra,
Hidhen gurt nji ditë arë larg,
U shkon buza të tanë jarg,
Kah po msŷjn e kah po shtŷjn,
Shoqisho’in kah po e ndersŷjn:
Rrin nen kamë toka t’u dridhun!
Maça Grishi, ‘i burrë i lidhun,
Fort po e dredhë trimi taganin
M’at serdarin Llazo Stanin:
Idhtë shosho’it t’cillt kah po i mveshen,
Thue dy curra n’moh po ndeshen!
Matiq Jure, ‘i taravol,
N’sŷ « kapicen » e nja’n pol
Të dollamës nen brez aj zânun,
Fort po rrin trimi tue dhanun,
Shum po ká trimi zalldan,
Maça Keqi kah m’tagan
T’a vên para e askund aman
S’po i lên, besa, as me marrë frŷmë!
Djerset balli u rri tanë brymë.
Se ç’po hapet Ndoc Gjo’ Goci
Mbí nji shkjá prej Gjurakoci
Lé n’ Kosovë! por qi enè fmí
Paska dalë ky e ngulë n’ Mal t’ Zí:
Miter Spasi aj êmni i tí:
Trim si Zâna e belaçí:
M’ trá me mrrîjtë, po kryet e tí.
Ky Ndoc Gjoni me trí zêmra,
Burrë çufrrok: shkjaut mos me i rá
As dér m’ sjetull, por qi thêmra
Mbrapa n’luftë kurr marrë s’i ká:
Sŷnin gacë, zêmren barot,
Lum per tŷ, o i Lumi Zot!
Se ç’i âsht furë n’frymë shkjaut mizuer:
Se ç’ po e rrekë kryqeterthuer!
Fort po i hapet m’tagan Ndoci!
Ah! kadalë, bre Ndoc Gjo’ Goci,
Se s’ké pá ti Shkjá me sŷ!
Se s’po i’n krep me u zânë dejlanash
Neper kneta t’ Kakarriqit:
Por po jishin do djelm nanash,
Fort me t’ lânë, besa, pa krye,
Po t’ zate’n kund n’ndo’i log Zânash,
Si zatefë t’ paskan, qe, tý
Nder kto rrgalle të Nokshiqit!
Ka vikatë, disì tue u tallë,
Gjeto Staka, ‘i trim budallë,
Kah shperthen vetulls s’nji ahit:
« Kacaturren » m’ sup të krahit,
Rrasë taganin n’fletë t’ sylahit
Me do veshë si veshë harushet,
Permndershim kercnue belaja
Ndermjet dý kuburesh s’ « Tushet »,
T’ cillat, kryet qitë si dý rrshaja,
Larg m’i vritshin koder m’koder:
Dymdhetë qese blé në Shkoder:
Njeshun vezmet njanes í,
Me atà « kunguj » sermit shkrî,
Me ato tufa tjerrë tehrí:
Qi edhè n’ Lesh dikúr pat pré
Sufarín, pse do dit para
Doganisë ky i paska n’ Fé
Me do fjalë per burrë t’ pamara,
Ndersá aj n’ Shkoder, pa armë në brez,
Per treg endej giatë pazarit
Edhe trimi m’ Malazez,
Porsi njaj ariu prej Sharit,
Ka lshue turrin fulikare
N’p’r ato rrahe e ato laskare
Idhtë taganin zjerrë prej millit:
Porsì lvitë rrfeja kupës s’ qiellit.
E si meçka kur t’i hullet
Shpellës me mjaltë, nisë bleta e vrullet
Per rreth bishës e me mëní
M’ nja i bje m’ thimth, por pa dobí ;
Pse, turîjt zhytë nder fashoje,
Meçka nuk po trêmej soje:
Kshtû kan nisë me u krepatue
Ndermjet vedi e me u ngashtrrue
Cerrnagorasit, kur s’èperi
T’ atij rrahi nper t’thepisunat
Brîje t’ rèpuna, si pùlave
Qi u bje shqypja, ngerthye kthetërat:
I trènuni Gjeto Staka
N’ at log Zanash neper çufëra
U dorgj turr. Trum trokollisin
Troç m’ troç, mtruhen, tranden trimat,
Mendsh trullue. Lamsh hamullohen
Njani m’ tjetrin; matarohen,
Ngiten, nziten me dorë njiten,
Hârakuqen nper rrgallë:
Kush terthoras, kush perballë,
Çeku qenash, quku krenash,
Llanash laskarou m’ tagana:
Pergjak xhoka e xhamadana,
Gozhupë, struga e koporana.
Hapen shkjét m’at Gjeto Staken,
Hapen, zdaten me sjellë maten,
Vithambrapas trup por zmbrapen
E as me msŷ zêmra s’po u bân,
Kah po shofin si m’tagan
Âsht turrë Gjetja, trimi i trimit,
Si ajo rrfeja n’natë thellimit.

Mihajl Draga, ‘i burrë si motit,
Shkelveshë sŷnin, falme agzotit,
Kaprroç burrë e i fort gazep,
Zânë dollamen njanit skep
Ká bâ zêmren gúr e krep
Edhè m’Gjeton t’ká marrë hov,
Si njaj Turku me Moskov.
Gjeto Staka, sŷ bollshordja,
Se ç’t’i u hap m’tagan: si Mordja
Hapet m’kosë. Qindro, bre Mije e
Mos e lsho! pak mâ pertej
Po i vikatë Vuko serdari.
Por pak vonë; persè qyqari
Fjalët s’i ndieu! Shi at herë per tokë
M’tagan kryet Gjetja i a hodh
E e la shŷt: mâ kurr me i rá
N’mend, me kthye te cullt e grueja,
Qi n’Njegùsh po i lodhte ûja!
At herë Gjetja, tue vikatë
Tue vikatë, tue u hallakatë:
Thue po shkon me u njitë aj valle!
T’i â lshue m’shpinë Vuko serdarit,
Dorë e djathtë e Gospodarit.
Trim pra Vuku e ‘i zog petriti,
Por m’e pritë Gjeton s’e priti;
Veç se u shmang, e neper shokë,
Si njala tue derpertue,
Ká marrë shpatin thik perpjetë,
Kin ushtrís aj me i bâ zâ
Shokve n’nihmë atŷ me u rrâ,
Msŷ qi ‘i kisht’ nji katallâ,
Mos m’i u pá, besa, kund halli.
Veç fort nalt s’u njit, zavalli,
Lucë Gjeloshi, pse, zânë n’pritë,
M’ «kacaturë» m’tê hollë ká shtî,
Per rranxë vithes tue i a njitë,
Dekun m’tokë tue e karranì,
Me e kjá e shoqja hollë e giatë,
Si ajo qyqja m’rrêm të thatë.
Porsa dekë u plandos Vuku,
T’ká lshue turr njaj Lul Çamuku:
Lutrâ burrë ky prej Merturit:
Si harushë dalun prej gurit:
E tue ngá ashtû troç më troç,
Merr Gjetë Gegen kaliboç,
E me tê ngarkuet lshon vrap,
Si vên ujku ‘i ftujë mbí shpinë,
Dér qi dalë ká te ‘i luginë,
Te nji gurrë e nen nji rrap,
Kah shqyptarët vîjshin tue rrâ
Porsi breshni me murrâ.
Atŷ m’tokë trimi e ká ulë;
I ka dhânun ujë me ksulë;
Brezin shtatit i a ká zgidhë;
U ká vû varrve duhan,
Me i zanë gjakun, e i a lidhë
Prap me brez; edhè i a bân
Nji cingare. Gúr e unuer
At herë xier, e si n’ t’ terthuer
Nisë me shkrepë; e mbasì muer
Kafi zjarm, me tê cingaren
I a ká ndezë. Mandej mataren
Aj ká xjerrë plot me rakí
E i a ep atŷ me pí:
Pse rakija, thonë, bàn mirë
Per varrë t’ pushkës. Aj prap por xier
Prej terçukut nji kaptînë
Hudre s’ thatë, e per nen krye
I a qet Gjetos. Hudra vín
Me pritë shtrigat e per sŷ
T’ keq, si fjalë e lanë të Parët.
Ndersa Luli m’ shpinë ká bartë
Njat Gjetë Gegen e ktij varrët
Po i a lidhte, mâ se ‘i kokë
Rrotullue ká, ofshe! per tokë,
Idhtë ka’ ashtû rrijshin tue u pé
Shoq me shoq shqyptarë e shkjé.
Atŷ, ‘i herë, mbet Arif Bishi,
Shyta Pema e Lano Grishi,
Edhè a’ i biri i Let Putanit,
M’ arrç qi kryet më tef t’ taganit
I a preu Ristja i Savo Sulës
Mu ke tbanat e Curr Ulës.
Gjeto Staka pret Mhíll Dragen
Burrë i fortë ky e belaçí
Shokve t’ vet qi u a luete shtagen,
Sa herë mbushej mendja atij;
Mandej preu Petko Babiqin,
Tverdko Illín, Trifon Mandiqin,
Edhè Jovo Nevjestiqin:
Anì Jovo, qi djalë tjeter
Pasë s’m’i kisht’ kercuna loke!
Po, por Gjetja, bishë e vjeter,
Aq giatë pûnen s’po e mendoke
Giatë s’po e tierte, jo, gajtan,
Edhè i mbetka atŷ m’tagan
Mu n’butë t’krés e m’vesh të shmangët,
Njanit sŷ tue e lanë të mangët,
T’i a lânë rrashten haptë si boskë,
Larg kapola e krés hjedhë n’prroskë,
M’tê me lpye qêjt e Nokshiqit.
Por, manà, ‘i farë Vuçeniqit.
Atŷ gjakun mirë i a muer
Njat Cac Deden, belaçuer,
Shyt per tokë tue e lshue terthuer,
M’tê me ngrânë orrla e sokola,
Me i ardhë shqarthat rreth e okolla
Neper rreze qi lshon hâna.
Kadiq Pera, ‘i uk zabelit,
Burrë i lidhtë e trim si Zâna,
Se ç’t’i â lshue m’shpinë Voc Cungelit!
Se ç’t’i a preu aj t’mjerit kryet!
S’t’shoqes ç’i a verboi t’dy syet.
Tue e lânë vejë me kater fmî,
Ne stan n’bjeshkë, ne tokë në vrrî:
Me i ankue gjarpen e mî!
Njaj Muçë Hasi, ‘i derë bujare,
Ç’t’a ká bâ aty aj kryet matare,
Edhè lshue ç’t’âsht fulikare
M’shpinë t’atij Jovo Sokolit:
Besa, ky ‘i farë taravolit
Me bré, po, hekur me dhâmë
Lutrâ burrë e kryet sa ‘i shtâmë:
E m’tagan kryet m’arrç qyqarit
Dýsh i a dau si shegë Tivarit.
Atŷ at herë Pipo Gërrzhiqi,
Mustak shtupa, flok-iriqi,
Qi at Tungj Pepen la pa krye
Kúr ká pá trimi me sye
Kryet dŷ felesh Jovos thye,
Delli i ballit ç’i ká kcye!
Se edhè m’Muçon idhtë ç’t’ká msye,
Mos me e lanë Jovon gjakhupsë;
Shtrî më rrgallë trimi pikë gjallë,
Mbí tê sorrat me kcye pupsë!
Gjygjin kokës por kopilani
Mirë, sa duhej, nuk m’i a bâni,
Besa, atŷ; pse Lul Kapuka,
Trim mbí trima, m’shpinë i u lshueka
Turr e vrap n’per at mejdan,
Porsì deti çue tallaz,
Edhè i mbetka, ofshe! m’tagan
M’arrç të qafës e dér m’germaz,
Por pa mujtë krejt m’i a rrumllue,
Njitun kryet p’r at fije lkurë,
Permbí parsme erdh e i u vuer,
Porsì t’ishte strajcë tagjije:
Nper gerglâc tue i gurgullue
Gjaku t’mjerit gulfa-gulfa,
Si atà ujët nper lug t’mullinit.
Ashtû trimat idhtë mberthye
Shoq me shoq e kaperthye,
Kah n’mjet vedit rrín tue msye
Si lutrâj si katallâj,
N’ bokë pertej nji çetë shqyptare
Ç’e ka nisë pushken batare
M’nji lavë shkjé, qi kep më kep,
Marrun hovin hallagrep:
Do djelm t’rí mendt maje ksulës:
Rrâjshin n’nihmë shokve me u shkue
Ke ato tbanat e Curr Ulës,
Me Shqyptarë kû kta takue,
Rrijshin krenash tue u krekcue:
Thue se lé kishin per s’tepërmi,
E se ‘imend rreth asajë tbane
Po ishte çilë ndo’i kasaphane
Per mish t’nierit, e prandej
Rrín tue sjellë m’shosho’in pa dá!
Kur Shqyptarët m’at bokë pertej
Kan dalë trimat e t’kan pá
Per kundruell, si rrash per tokë
I’n shtrî gjindja: kush pa kokë,
Kush varrue, kush keq cungue,
Njani vrá, tjetri prap çá;
E t’kan pá si Cërrnagorasit
Qi aq zanát e kan mejdanin!
Rê me breshen shpatit dìrgjeshin,
Pushken n’dorë, nder dhâmë taganin:
Zdap, lutrâ edhe katallâ:
Lshue per vrap gjithsa i’n tue mûjtë,
Shokve n’nihmë atà me u rrâ,
T’i a kan nisë atŷ me gjuejt
M’ «huta» shkjét, per me ja u pré
Rrugen para. Mys per dhé
Shtrî janë shkjét n’flakë t’«kacaturravet»,
Edhè kryet strukun mbas curravet,
Larg shosho’it derdhë atij shpati
T’u kan ndêjë m’«novica» gati,
E t’ká nisë pushka me krisë
N’p’r ato repe e n’p’r ato brîja,
Si në zjarm kerset dullîja.
Atà qit’, e këta qit;
Kta levdoju, e atà levdoju;
Haju, shaju koder m’koder
Thue po duen me bâ ndo’i loder:
Jo se mâ krenash me u herrë,
Shoqishojt shpirtin m’i a zjerrë,
M’i a zjerrë shpirtin per gazep.
Maça Grizhi, ‘i shqype m’krep:
Ah! kadalë, moj Cërrnagore!
Se ktû i thonë Shqypní mizore!
Se s’ké besë as nuk ké ndore,
Per pa t’hjedhë un te Cetina,
Pa t’i herrë treqind kaptina,
N’zí pa t’pshtjellë nja trí mij shkina,
Per njat vashë qi më ké vrá,
T’rijt e veren m’i a ké thá,
Si punue s’ká Turk as Shkjá:
Trimi pushken me sjellë m’grá!
Gjokë serdari, ‘i sŷ-harushë:
Byrm, Shqypní, gjithkúr të duesh
N’plum të randë n’barot të zí!
Se mâ gadi kurr s’e dí,
Manà, vedin se jam gjallë.
Se edhè un ktej, besa, s’kam dalë
As per krushk as per kumarë,
As per t’sjellë un ndo’i punë marë;
Por me vrá, po, e por me pré,
Por me djegun gur e dhé
N’ mal e m’ mal e koder m’ koder,
Dér qi t’ bij nji ditë në Shkoder:
Edhè atŷ, po, «trobojnicen»
T’ a zhvilloj m’ Kalá, e «kapicen»
Tŷ, Shqypní, t’ a vê un m’krye,
Tue t’ a dredhë disì m’ nja’n sye,
Bota marë me qeshë me tye!
Edhè kshtû, herë lavd tue qitë
Shoqisho’it, herë tue u shpotitë,
Tuj u shá, me fjalë t’ u nzitë,
Ç’ janë terbue trimat m’ at hera!
Se ç’ t’ âsht dhânë vigma e potera!
Fort po ushtojn «huta» e «novica»:
Ká marrë gjâmë larg Drezovica,
Kumarusha e Treskavica!
Mark Milani, trimi i trimit,
Kur ká pá si rêja timit
Mbí Nokshiq qiellen kisht’ mlue,
Si isht’ kênë trimi tue pushue,
Mirë m’ â njeshë, mirë m’ â shterngue:
Ká mbathë çizmet dér mbi giû,
M’ kamë ushtrín edhè e ká çue,
Per rreth vedi n’ bjeshkë ndalue:
Gjashtë taborre malazez,
Njani i rêmtë, tjetri kermez,
Kush musteqet lshue dér m’ brez,
Disa pleq, shumica t’ rí,
Të gjith gati n’ luftë me u shkrí
Per Knjaz t’ vet e Mal të Zí:
Ká zjerrë gjogun pullalí,
I a njet frê’n dore s’ Ltinit,
I a shkundë shalen telatinit,
I a shterngon me tre kollana:
Hidhet gjogu porsì Zana;
Fort hingllon i biri i atkinës,
Si t’gjith faj’n qi e ká tagjija!
I a ká falë Knjazi i Cetinës,
Kur po e niste kah Shqypnija.
Edhè Marku, sŷ-duhija,
M’zenji kamen, bân me i hypë,
Nper Nokshiq m’shpinë t’tij me zdrypë
E udhë mbi udhë e per nen bjeshkë
Fíll m’e qitë ushtrín n’Sutjeskë:
Kû mendon se ká per t’gjetë
Ndêjë shqyptarët as çuet as fjetë,
Harû kta tue bâ çudí
P’r at ushtrín e Malit t’Zí:
Kah ká mbajtë, se kah ká rá,
Qi me sŷ mâ s’i’n tue e pá.
E atŷ atbotë aj fulikare
N’shpinë me i ramë ushtrís shqyptare,
Ashtû befas: si prej s’epërit
Ndo’iherë orrli i lshohet lèpurit,
Kur n’ndo’i driz t’a ketë soditë
Ndêjë harû: edhè me i qitë
Shqyptarët n’rreth, e si n’kariq
Mlysha, njila e krapuliq,
Gjallë me dorë trimi me i zânë:
Nji me kthye n’shpí mos me lânë,
Qi me u thânë gjindes n’Shqypní,
Se ç’kob bâni Mali i Zí
Mbí shqyptarë, kur me furí
Ky pat msŷ Plavë e Gusí;
Edhè para rresht me i vû,
Si bagtín, e fíll m’i a çue
Per mâ t’madhin morè kob
Knjaz Nikollës t’gjith lidhun rob.
Kur, shî at herë tue i dhânun shtatit,
Per me u hjedhë trimi m’shpinë t’atit,
Po ndien malet tue gjimue
Po ndien pushken flakë tue vlue
Poshtë n’Nokshiq, e prej zenjijet
Kamen hjekë. Krejt prej habijet
Trullue n’mend, âsht lshue atŷ turr,
Edhè dalë ká tej m’nji curr,
Kû po rrin e kqyrë n’turbí
Rreth e rrotull mal e vrrî;
E kur pá trimi tuj ardhë
Prej Sutjeske ushtrín shqyptare:
Pá Nokshiqin si ishte lbardhë
Me Shqyptarë, e se batare
Atŷ luften kta ki’n nisë:
Pá si n’diell ndritshin taganat.
E sa nieri ishte permysë
Shyt per tokë atje ke tbanat
E Curr Ulës, se ç’i ká rá
Koshës me dorë! E porsì mzati
Qi perlyket fushës t’u ngá,
Sa të madhe atŷ aj vikati
Atij Mirkos gerxhelí,
Kapitanit me kondosh,
N’zâ per pushkë ky e bujarí:
Kû jé, Mirko, eh ti mos kjosh!
Se čikush paska trathtue!
Shkimja, Zot, hisen e diellit!
Se, pa pritë e pa kujtue
Prej Sutjesket ardhë nji fillit,
Plym Shqyptarët paskan prispjetë
N’ Nokshiq t’ gjith n’ xhurdî a n’ gunë
Tuhatë m’ záll e ç’ merr perpjetë,
Si ajo miza per kercunë!
Zgidh, bre Mirko, do taborre:
Gjithkû t’ jét, po, pika e djalit
E t’ mos dijn shka âsht besë as ndore:
E me to dirgju poshtë malit,
Ushtrís s’ onë me i vojtë ti n’ nihmë,
Per mbas plaçket kjo hutue;
Se, per Zotin, ngusht do t’ bijmë,
Me shka m’ dán neshtrasha mue!
Se ç’ t’ ká krisë at herë bujrija!
Se ç’ t’ ká rrahë lodra e trompeta!
Mirë shterngue t’ âsht m’ armë ushtrija
Me bukë n’ strajcë e peksimeta!
E t’ u ngref top e havan
Vetulls s’ malit mbí Nokshiq!
Kerkserdár e kapitan
Ç’ t’ kan njeshë shpatë e ç’ t’ kan njeshë klliç!
E sikur, mbasì prej vjeshtet
Zbrû t’ jét toka shínash s’ randë,
Shkputë ndo’i rreshpe buzë njaj kreshte,
Termegshim bân dhén me u trandë,
Kah, tue brishtë me t’ rrebtë zhumhúr
Poshtë rrmores, shamet n’ fund:
Kshtû ushtoi breshtë e terratuer,
Vetë po, mali thue se u lkund,
Kur ushtrija e Mark Milanit,
Lshue prej s’ epri fulikare,
Per mbas Mirko Kapitanit
Turr sulmoi m’ushtrí shqyptare.
Lum e lum per t’Madhin Zot!
Kur janë ndeshë shqyptarë e shkjé
Kur janë ndeshun flakë e agzot:
N’mní t’shoshoqit atà lé:
Se ç’âsht ndezë lufta m’at hera!
Fort t’ká vlue «huta» e «novica!»
Ç’t’ká plasë vigma edhè potera!
Ç’t’janë perzí «ksula» e «kapica!»
Edhè topat tue bumllue!
Shprazu gjylet flakë e shkndija!
Larg Trojani ç’t’ká gjimue!
Ç’ká shungllue kjo Metohija!
Nen kamë toka tue lkundë shrregull,
Âsht dyndë pluhni rê mbí krye,
Muzë âsht qiella n’tym e njegull:
Mâ Nokshiq s’pá kush me sye!

Pjesa e radhës
Zana e Vizitorit