Kangë e tetmdhetët
Mark Milani kur ká pá
M’ Qafë-Hardhí se aj shtek s’ po ká,
Per me dalë me rá n’ Gusí
Me ato tetë taborre ushtrí,
Naten n’ terr kurrkush pá e ndie,
Si vû i kisht’ Knjazi leçí,
Kah Sutjeska fill ká msŷ,
Kin’ po e gjên shtekun shperthye
E n’ Gusí po mund i a behë,
Qên as klysh m’ të per pá lehë.
Por gabue âsht kopilâni,
Pse Ali Pasha atŷ i a rrâni
Me dŷ mî ushtarë të vet:
Orrl, sokol e kaçabèt!
Kû edhè mirë na jânë ngujue
Pushken Markut m’ i a fillue:
Pá gjak vendin mos m’ e lshue.
Edhè pushka ká fillue,
Dielli m’ cila at herë tue u çue.
Lum per Tŷ, o i lumi Zot!
Se gazep do t’ shofim sot,
Ke n’ Sutjeskë, nder ata curra,
Na jânë ndeshë burrat me burra:
Na jânë ndeshë Shqyptarë e Shkjé:
N’ mní t’ shoshoqit të cillt lé,
Kan me u grî, besa, e me u pré,
Si njatà derrat me derra:
Kan me metë trimat nper ferra,
Kush pá i kjá, kush pá i vajtue,
Pá pasë nget moter as grue,
E as të mjeren mori nânë,
Nji fjalë t’amel per m’u a thânë!
Kaq, po, atŷ potera âsht nisë,
Kaq, po, atŷ pushka âsht tue krisë,
Edhe topi tue gjimue,
Gjylja e plumja breshen lshue,
Krisma veshët me t’i shurdhue,
Tŷmi sŷt me t’i verbue:
Qi, po t’keshë ti nja ‘i qind krena,
E per krye ka dŷ parë brena
Me t’vojtë mendja, lum daija,
Se asnji shndosh s’e çon te shpija.
Porsi n’flakë kerset duhija,
Njashtû rreh « huta » e « novica »
Nper shkamîj, aha e plakrica;
Edhe ushton vigma e piskama:
Si ata mazat neper lama,
Si ata ujqt, lodhun prej zije,
Kur mêrr plajmi bjeshkë e vrrije:
Por, si rán cilat e mdhá,
Krisma e pushkës mâ atŷ s’u dá,
Veç se ndêj ushtimë tue vlue,
Kurr pá prâ, kurr pá pushue:
Porsi ushton breshni tuj ardhë
Bulkut t’ngratë zêmren t’i a mardhë.
Ashtû pushka tue kersitë,
Mndershem topi tue bulritë
Vigma e brima tue gerthitë
Po vjen gjaku edhè t’u zé
E atŷ-ktû Shqyptarë e Shkjé
Nisin pritat e po i lshojn,
Jetë as dekë mâ s’po shikjojn,
Veç po msŷjn trimat shoshojn,
Hap mas hapit t’u hjedhë para,
Si kaçikrrat neper ara.
Se ç’u ndez lufta m’at hera,
Se ç’shunglloi zhurma e potera,
Se edhe pushka ç’ndêi tue zí:
Mendt e krés me t’u perzí!
Me shoshojn idhtë kaperthye
Grykë per grykë me armë t’u msŷ,
Tuj u msŷ, e tuj u shtŷ,
I a kan nisë trimat me metë,
Ofshe! nper at rrah të shkretë:
Si, mo’, Zot, mâ keq per né,
Qi kem’ ndollë n’kufî me Shkjé,
T’cillt, t’pabesë e t’dobë tue kânë,
Trima po i’n sá t’duesh me thânë!
Met mâ i pari aj zog skyferit
Selimi i Selman Ymerit,
Derë e vjeter n’at Pleví,
Kû kisht’ pasë pleme edhe gjí,
Kisht’ pasë dhên e kisht’ pasë dhí,
Tokë në mal e tokë në vrrî
Si mâ i miri në Malcí,
E qi fjalë pêng kurr s’pat lânë,
Ashtû bâ pat si e pat thânë:
Gjak as varrë s’la kund pa mârrë.
Ktê të mjerin pushka e muer,
Kah, tue msŷ aj si n’terthuer
Rrâjës s’njâj bunge desht m’i u fuer.
Mandej met Beqir Haxhija
Larg permendë per kah trimnija,
Larg kerkue per kah urtija:
Bé m’krye t’tij bâte Gusija;
Pse as n’Shqypní, jo, as n’Cernagore
S’pat pré mik, s’pat çartun ndore:
Me gjith mend aj t’u mundue
Hakun m’hak gjithkund m’e çue:
Veç jetë-shkurtë kisht’ pasë qillue!
At herë vrá âsht nji i Plevnjânë,
Nji i pá tatë edhe i pá nânë:
Kurt Zeneli i ki’n pasë thânë:
I rá pushka rranzë gabzherrit
E e lshoi dekun terthuer djerrit,
Vendin n’gjak të tanë tue e lá,
Si t’kisht’ kênë tarok a ká:
E vrau Steva i Plevanacit,
Nji haram, ky, nji farë bracit,
M’e pasë randë toka me e bartun,
Veç se Kishë qi s’kishte çartun,
Se per tjeter mí ket tokë
Gjâ pá bâ s’la m’t’huejë as m’shokë:
Naten vidh, diten plaçkit,
Dikê pre, dikê kurit,
Tokët e hueja del e shit.
Ky pá e paska Kurt Zenel’
Kah, mí cup krahcat shpervjelë,
T’u matë ishte aj pushkë me shtî
M’nji t’Nikshiqas, djalë të rí,
Edhe i metka Shkjau m’«novicë»
Tuj i a njitë pak mí kerthicë,
Tue e hjedhë dekun m’kokerr t’shpinës,
Por âsht ngutë i biri i shkinës
Me qitë pushkë, pse Adush Haliti
Me nji plume krés i a njiti,
E t’i a derdhi trût per tokë
Me «kapicë», kapole e flokë:
I met rrashta shyt si boskë,
Edhè dekun rá n’ nji prroskë.
Por medet bân landë e gúr
Ke ká metë nji Dardhaçuer:
Trim si kjenë trimat dikúr:
Mos m’ i a trêmë sŷnin as deka:
Ke ka metë qaj Mican Leka!
Burrë çufrrok, por burrë çengèl,
Me do flokë ngrehë kaçarrel,
Porsi kreshtë derrit bugár,
Sŷnin gjarpen, mledhë kulár,
Kurdoherë m’poterë qi rrâni
Belì vedin, besa, e bâni,
Kah m’i lshohej hasmit m’shpinë
Si skyfér, si gjeraçinë:
Thue per s’gjalli po e perpîn.
Ky pá e paska at Nikë Mihajlin
Ke m’a gjuejtka Zyber Smajlin:
Nji të Reças, djalë të rí
Dekun m’ tokë tue e karraní;
Edhe m’ «hutë» i u dredhka Nikës
Fill i a njitka m’ zhabë t’ bytykës:
Derdhë i a ká pësheshët m’ livadh.
Bertet Shkjau sá ká n’ germaz,
E, tue shkue çapraz m’ çapraz,
Ngerthye kuk, dŷ duert mí varrë:
Kah qyqari mêç isht’ mârrë:
Ashtû ‘i copet, porsi shul,
Vjen e bjen m’nji hurdhë pingul,
Kamët perpjetë e kryet në baltë:
Dý-trí herë trandë i ká shalët,
Edhè kshtû, kâmët laradash,
Dha atŷ shpírt, e kthelltë nji pash
Rá, rreziku, n’ujë palmuq:
Krejt prej gjakut hurdha u kuq!
Kur ká pá njaj Juriq Mata,
Nji zgobell me gaqe t’gjata
Se ç’gazep bâni Micani
M’t’ngratin Nikë, njâ as dý s’i a bâni,
Edhè trimi âsht çue në kâmë,
Me tagan shterngue ndër dhâmë,
E m’ «novicë» tue qitë pá dá,
Fíll m’Micanin turr ká ngá
Kin’ po e vret Micanin n’pritë,
Kin’ atŷ aj po i a merr kryet.
Si aj ariu, qi ká soditë
Se shpellës s’tij âsht tuj i u avitë
Derr’ i eger, me t’shkye m’dhâmë
Kerleshë kreshten gjatë nji pllamë
Me nji hov jashta flakrohet,
Edhe m’shpinë derrit i lshohet,
Idhtë me tê tuj u perlá
T’u dermishë, krejt m’gjak t’u lá:
Kshtû Micani, kúr ká pá
Se Juriqi m’tê ká msŷ,
Merthye «huten», vû per sŷ,
Âsht çue m’kâmë e n’shesh ká dalë,
Edhe t’dy ashtû ballë per ballë,
Flakë per flakë armët i kan kallë.
Rá Juriqi m’tokë pikë gjallë.
Met Micani porsá gjallë.
I rá pushka mù m’krahnuer
Tue e lshue djerrit per terthuer,
Në gjak t’vet t’mjerin tu’ e lá
Zêmren s’âmës dýsh tuj i a dá!
Edhè i ngrati Mican Lekë,
Vû duert n’zêmer, shtrî me dekë,
Kryet mí stom e kâmët në ví,
Zânë «martinen» per nen í,
Tue i shkue gjaku ví e ví,
Zên e u thotë shokve per brî:
«Amanet, o shokë të mí,
Neper Dardhë kur të kaloni,
Armët e mija barrë t’i çoni,
N’oborr t’kullës edhe t’m’i lshoni,
Nânës as tatës mos m’u kallxoni
Pse janë t’vjeter e i verboni.
Ne pëvetët nana per mue,
Thoni: djali t’âsht martue!
Ne pëvetët se ç’nuse muer:
Muer nji plume në krahnuer!
Ne u pëvetët se ç’darsmorë pat:
Pat tre korba ndêjë per ngiat!
Ne u pëvetët se ç’zoja kndojshin!..
Orrla e sorra m’tê po rmojshin!..
Qindro, thoni, oj nanë e shkretë,
Se Micani të ká metë,
Tue luftue me Mal të Zí,
Qi të mjeren moj Shqypní
Po e vorfnon me djelm të rí,
Ke po i vret hiri e pá hiri,
Gjithkû t’jetë djali mâ i miri!»
Edhè â shkimë si shkimet qiri.
Ah! Mican, bre, Mican Leka,
Se tý mirë, manà, nânë-shkreta
Të pat msue, të pat qortue,
Kur u nise n’luftë me shkue
N’at Sutjeskë, kû rreh shejshana:
« Pa ndigjo, t’tha, të pastë nana:
Kur të bâjsh me u gjuejtë me Shkjá,
Amanet, nder mend me t’rá
Se si ‘i plakë dikur pat kjá,
Luftë as darsem pá mish s’ká:
Se prandej ky nieri i shkretë
Mundet n’luftë, besa, me metë;
Pse edhe krenat, morè bír,
N’fushë t’mejdanit po ishin lirë.
Por ti lokes s’m’i ndigjove,
Veç jurish mbí Shkjá m’u lshove,
Si ajo bisha në Kallnduer,
E, tue qitë kryq e terthuer,
Vrave ‘i herë Pavlo Serdarin,
Krejt në gjak tue e zhytë qyqarin;
Mandej Stankun, mandej Jankun,
Mandej prap Veshoviq Brankun:
Veshoviqin, gerxhelí,
Qi Nel Gilen t’vrau perbrî:
Njat t’Vûthnjanin djalë barí,
Qi kisht’ lânun dhên e dhí
Edhe dalë kishte n’ushtrí
Per me u vrá me Mal të Zí,
Prandej tý, mor’ Mican Leka,
S’ká pse t’dhimet t’rít as jeta;
Se, manà, mirë ké qindrue
Vedin mirë e ké pague,
Marre vendit s’i ké lshue,
Êmni i yt ká per t’u kndue
Vonë e vonë m’lahutë t’Malcís,
Si t’i vîjë dita Shqypnís.
Masi 'i herë Mata e Micani
U bân flî m’at fushë mejdani,
Prap gjimoi topi e havani,
Prap shunglloi «huta» e «novica»,
Prap ushtue ká Brezovica;
Edhe rán shakull per dhé
Shum do tjerë Shqyptarë e Shkjé,
Kû dy-tre, kû pêsë, kû gjashtë,
Kush në pod e kush mrendë n’ashtë,
Njâni i rí e tjetri i lashtë,
Të gjith burra e pika e djalit
Kû ki’n kênë sokola malit:
Me i u dhimët gurit e drunit:
Si njaj Osja i Shas Alltunit,
Zeqir Meta i Metë Xhelilit,
Dy të bijt e Man Halilit,
Osman Sela ‘i zog bylbylit,
Janjiq Mirko e Tomiq Pera,
Rrahman Duli, porsi fjera,
Krye per krye me at Jeliq Gjuren;
Qi n’Kotorr pat shitë fuguren
Edhè blé pat aj kuburen,
Me të cillen mandej, Shkjau,
Me dorë m’tê Rrahmanin vrau:
Rrahman Dulin, qi pá dekë
Mirë ky Shkjaut kryet i a ká çekë,
Tuj i a dá dýsh me tagan,
Si t’kisht’ kênë poç a bastan,
Të dy trima, s’ké shka u thue:
Njâni bishë, tjetri drangue.
Por shka kndon njaj zog i zí
N’ato llugje mí Gusí,
Kah flutron selví m’selví?
« Amanet, o fushë e male,
Shueni kangë e shueni valle
Shueni vallet per me kjá,
Se n’Krasniqe 'i kob ká rá:
Smajl Arifi, thonë, âsht vrá
N’at Sutjeskë t’u gjuejtë me Shkjá!
Shum do t’bâjë e âma medèt,
Kur të ndiej se Smajli met,
Se met Smajli, aj farë viganit;
Balli i tij nji fushë mejdanit,
Sŷni i tij agzot havanit,
Shtati ardhë si shtî bajrakut,
Vesh e m’vesh dega e mustakut,
S’bâjn mâ nanat nji asi djalit!»
Shuke zâ’n, bre zogu i malit,
Se ti s’din shka jé kah thue!
Ti veç din me çurlikue,
Gêm më gêm tue fluturue.
Pse t’a kjajë Smajlin e ama,
Kur, qe, aj trimi Sadik Rama
Smajlin mirë e ká pague:
Dy të vram e tre t’shitue?
Por t’kjajë nana Cen Brahimin,
Qi, kur pá ká probatinin:
Njat Sadrín e Çun Selimit:
Se mu m’parzme e mori pushka,
Atŷ çue âsht, po, kaptinë-mushka
Edhè vrap âsht vû me hikun,
Dekun m’tokë tue e lânun mikun
E ‘i korí tue i lshue Shqypnís;
Kryet pse Shkjét i a prén Sadrís
E i a ngulne, ofshé m’nji hû,
Me ngranë m’tê sorrë e falkue,
Edhe nisë kan me u levdue:
Mirë nenshtrasha, or ti Ali Pasha
Pa vre ‘i herë m’ket mâje huni
Pse, me giasë, njaj Sadri Çuni
Dishka ‘i fjalë do me t’a thashë:
Do me t’thashë, me giasë, or Pashë,
Se t’bân êmer Mark Milani,
Mark Milani Kapidani,
Me i a ndreqë cilen n’Xhamí,
Dreken n’Plavë, darken n’Gusí,
Kû do ‘i herë aj me pushue;
E mandej, per n’kjoftë gjikue,
Dér në Shkoder me kalue,
Per me i vû Shkoders «kapicen»
Per me ngulun «trobojnicen»
Mu m’kalá të «Rozafatit.»
Kur ká pá Pasha i Gusís
Ngulun m’hû kryet e Sadrís,
E ndie ká si prrallej Shkjau,
Ç’âsht perlykë atŷ si kau,
Me u ndî vigma shkam e m’shkam:
Bini, burra, bre! kû u kam?
Se né Shkjau na ká marrue,
Armë e ftyrë na i ká zezue,
Sadri Çu’n per pá e pague
Dy per njâ, si e kem’ kanue. »
Porsi kur atje prej veret
M’ujë a m’mriz bariu ndiell shqeret,
Edhe lshohen dhên e dhí
Turr e vrap mas zânit t’tí;
Njashtû burrat e Malcís,
Gjithkû kje lulja e djelmnís,
N’bulurimë të Pashës s’Gusís
Ata hovin mârrë e kan,
E tue krisë top e havan,
Tue zí pushka pá i a dá,
N’dorë taganat tu’ u shkelqá,
Me nji brimë, qi kryet me t’çá,
Fulikare turrë janë m’Shkjá,
Atje, kû m’nji mâje hûnit
Ngulë isht’ kryet e Sadri Çunit.
A din ti si bleta idhnohet,
Si pështiellet, si egercohet
E rreth zgavrrit n’shkam si vrullet,
Kur të shofë se meçka i hullet
E se do turî’n e ndŷtë
Nder fashoj mrenda me zhytë?
Malazezt njashtû egercue
Janë atbotë e krejt terbue,
Kur kan pá Shqyptarët tue rrâ:
Kê drangue, kê katallâ,
Nja’n arí, tjetrin luâ,
Të gjith trima m’nâm e m’zâ:
Edhè lshue pritat me ‘i herë
N’dorë taganat zjerrë per mnderë,
Sŷnin gjak e ftyren vnér,
Dredhë « kapicat » m’njanin sŷ,
Ata vetë kan mârrë e msŷ,
Me vikame e me piskame,
E t’janë lshue burrat e dheut
Si ajo lava n’muej të Shndreut.
Tý, o Zot, të kjoshim falë!
N’at fushë t’lame kur kan dalë,
Kur kan dalë Shqyptarë e Shkjé,
Se ç’kan nisë-o me u shemtue
Krahësh e krenash tu’ u krekcue,
Hundësh e buzësh t’u rrumullue,
Fyt-a fyt m’dhâmë t’u kafshue,
Si ata derrat me harusha!
Rî në gjak âsht të tanë fusha.
Mbí trim trimi hapet, turret,
Lshohet, struket, hidhet, ngurret,
Tash ha shtatin me dredhí,
Tash m’tagan sjellë me furí,
Herë t’u mprojtë, herë vetë tue msye
Jo per t’pshtuem vetë gjallë me krye,
Por per t’lânë hasmin pá krye:
Se mâll jeten kush s’po e bân,
Veç seicilli ndjekë m’tagan
Kryet e shoqit: thue, âsht bastan
Per t’u kputë me u shitë në treg,
Ase mollë per t’qitë bejleg.
Ka mê topi edhe havani
Ká prâ pushka, âsht shukun zani,
E veç ndiehen ke rrapllojn
Idhtë taganat ndeshë m’shoshojn,
Ndeshë per krena e ndeshë per llana,
Ndeshë per togza e koparana:
Shkrabiq Pera ‘i trim budallë
T’ fortë jurish aj kisht’ pa’ marrë
Edhe lshue ç’ isht’ kênë m’ Shqyptarë,
Me i perpî, thue, po do gjallë.
Pret Sulë Memen m’ hov të parë;
Nji djalosh prej Lumit t’ Bardhë,
Si ajo « Itina » e shtatit ardhë,
Sá nisë djali me u burrnue:
Edh’ âsht turrë kryet m’ i a shkurtue,
Dhantí Knjazit me ja çue;
Por n’ ket pûnë u gjet gabue!
Qerim Çela, ‘i zog petriti,
Me tagan mù krés i a njiti,
Tuj i a çá dér m’ shtek të ballit.
I u hap kryet si shegë Tivarit,
Shperthiqë trût i janë livadhit.
Msŷn Bozhiqi mizë me mizë,
Do me e pré Qerimin n’ kizë,
Si t’ kisht’ kênë gjarpen a bollë:
Tagan Shkjaut s’ i kisht’ pasë ndollë.
Edhe, besa, trimi i trimit,
Ngusht me at kizë i a prû Qerimit,
Ke ktij n’ luftë me kizë me u pré
S’ i kisht’ rá kurr, q’ se kisht’ lé.
Shka ka thânë qaj Llazo Bjela:
Ah, kadalë, bre Qerim Qela!
Se ktû hasë ké m’ bubazhela,
Qi t’ bâjn luften me kortela:
Me kortela, kiza e kmesa:
Gjáll nuk t’ lânë me pshtue, qe besa!
Edhe m’ kmesë i âsht hapun Shkjau,
Njânin vesh me tê i perlau,
E t’i a ngûli ‘i pllamë m’cup t’krahit,
Tue plandosë permys giatë rrahit.
Lshue m’tê, at herë, Bozhiqi rrfé,
Ká nisë kryet aj m’kizë m’i a pré;
Por s’i doli m’i a rrumllue:
Orrl mí tê ka’ tue fluturue;
Tue i qitë sŷni zjarm e shkndija;
Burri i dheut Omer Haxhija,
Vojëvoda prej Nokshiqit,
Qi me ‘i t’sjellme kryet Bozhiqit
I a ká pré e hjedhë per tokë.
Ká hikë Llazja e â mshefë nder shokë;
Perse pá qi n’luftë s’kisht’ giasë,
Me mârrë burri teper llasë.
Veç Bozhiqi po kisht’ pasë
Nji të nipin me trí zêmra,
T’cillit mrapa s’i muer thêmra,
As nen gjyle të havanit,
As nen tef të prehtë t’taganit,
Kurdoherë duel n’fushë t’mejdanit:
Štojan Rade i ki’n pa’ thânë.
Kaprroç burrë e i shkathtë zarânë,
Me do sŷ t’tanë gjak e vnerë;
Ky, kur pá ungjin e mjerë
Shyt per tokë e zhytë në gjak,
Grizë ká buzen nen mustak
E t’â lshue m’Omer Haxhín,
Thue ‘imend m’kâmë aj po e perpîn.
Por s’perpîhej, besa, Omeri,
Qi po isht’ kênë nji arí Peshteri
Hijen por m’i a drashtun njeri.
Kryet e tij t’tanë gunga-gunga,
Vetllat strehë porsi dŷ shllunga,
Me nji parë mustakë të zez,
Qi me i mrrîjtë, po dér më brez:
Edhè shtatit ardhë vigâ
Pergjakë sŷsh si katallâ,
Kishte pasë llanen e krahit,
Thue, po isht’ kênë nji degë prej ahit,
Të tanë lesh e toje-toje:
Vetë kulshedra me u trêmë soje,
Se ky, besa, kur ka pá,
Se po e msŷte i mnîjti Shkjá,
Vrik prej si atŷ trimi âsht dredhë,
Vrik n’ndesh t’tí atŷ trimi âsht hjedhë,
Si me dashtë me i hî n’gojë gjallë,
E dhâmë tue kercnue e tmallë,
Kaq taganin ká vringllue
Sá qi Shkjau zên me u pendue,
Pse aq pá beh turrin kisht’ lshue;
Edhè nisë turrin me e ndalë
Nisë me dredhë shtatin si njalë:
Si po t’dote i biri i Shkjaut
Me u futë kund n’ndo ‘i bryne kaut:
Kaq, qi mrrudhej lâmsh i mjeri
Kur m’tagan hapej Omeri.
E as nuk diej sá kje t’u shtŷ
Per pá hupë atŷ me krye;
Veç se e pán dy Malazez:
Njâni i rêmtë, tjetri kermez:
Nehmanj Savo, e Zvekan Pavo:
Se aj n’log Zânash po kisht’ rá,
Se me krye shndosh s’isht’ t’u dá,
Edhe lshue kan t’dy vetimë
Atŷ shoqit me i vojtë nihmë.
Ah, kadalë! piskati at hera
Jakup Feri, porsi fjera;
«Se kshtû trimat nuk e kan:
Tre me nji me u pré n’mejdan!
E t’âsht lshue burri m’tagan,
Copë e grimë, thue, tash po i ban,
Tash po i ban, thue, copë e grimë.
Vjen Todori sá ‘i perbimë,
Me nja dŷ t’Njegushas t’rí:
Njâni Musë, tjetri Milí.
Msŷn Jakupi porsi rrfé:
Nji me tre po do me u pré,
Si t’u rrahë t’ishin me shtaga…
«Mos e lsho, bre Jakup aga!
Perlykë âsht sá kurr ká mujtë
Alush Smajli i Hotit t’Kuj’t,
E me ‘i djalë prej Buzes s’Ujit,
Qi per mik dalun n’Gusí,
Kishte rrâ n’kushtrim me ushtrí:
Gjeto Preka êmni i tí:
Djalë me bré hekur me dhâmë:
Sŷnin gacë, qafen dŷ pllamë:
N’nihmë Jakupit vrap kan rrâ,
Porsi breshni me murrâ
E t’kan nisë burrat me u pré
Fyt-a fyt perlá me shkjé:
Si zanát, besa, gjithmonë
Qi e ka pasë Malcija e jonë
Ballë per ballë me u pré me Shkjá.
Idhtë me i bá Shkinat me kjá.
Ata siell e këta siell,
Njâni turru, tjetri ngurru,
Hapu, zmbrapu, msŷju, shtŷju;
Me gjak lá krejt u janë krejt llanat,
U kullojn gjak n’dorë taganat
Rrebtë kah trimat i vringllojn
Idhtë me mârrë kah duen shoshojën.
E kaq nisë â atŷ potera,
Kaq âsht dhânë vigma m’at hera,
Besa, or probe, me t’hî mnera.
Pse edhè tjerë Shqyptarë e Shkjé
Atŷ msŷ kan si shkerbé,
E po rrín ata t’u pré
Si per s’tepermi t’ki’n lé.
Lamsh bâ gjindja n’at log Zânash,
Si gjarpîjn zgavrra murânash,
E thue lé s’kishin prej nânash,
Veç se toket t’zezë shperthye,
Dekë as jetë pa kqyrë me sŷ
Atŷ trimat t’janë merthye,
T’janë merthye, t’janë kaperthye,
Njâni m’tjetrin rrebtë kan msŷ:
Shkjau m’Shqyptár, Shqyptari m’Shkjá:
Kush tue sjellë m’tagan pa dá,
Kush t’u rrokë, kush t’u perlá,
Me t’u trandë toka nen kâmë!
Fŷt-a fŷt janë njitë me dhâmë,
Ndryshe jo, besa, lum djali,
Veç si qêjt me bisha mali:
Edhe s’ngjati e mâ se ‘i kokë
Rrotullue ka, ofshe! per tokë,
M’to me ngranë e m’to me krrokë
Korba, sorra e cilikokë.
Met i nipi i atij Bozhiqit
Edhe ‘i farë Savo Jukiqit,
Me at serdarin e Nikshiqit:
Të tre i preu Omer Haxhija.
Mandej met Llano Kadrija,
Nji prej krenësh së Dragovís,
Edhe aj Myrtja i Can Faslís,
Qi ‘i herë vetë nji Shkjá pat pré;
Por kur m’t’ dytin lshue ka rrfé,
Nji farë Lluko prej Cetinet
M’ tagan gati i rri mas shpinet,
Edhe e lên t’ ngratin pa krye:
Ktê pa krye, t’ âmen pa sŷ,
Tjeter djalë pse ajo s’ kisht’ pasë.
Krenue Llukja edhe trumhasë
Masi preu Myrton e ngratë,
Ç’ âsht zhgjanue, ç’ âsht hallakatë,
Se edhe hovin ç’ e ka lshue
M’ Jakup Ferin trim drangue,
Kinse kryet ktij m’ i a shkurtue,
Por me t’ vetin ka sharrue;
Pse m’ tagan kur m’ tê ka lshue,
Shpejt Jakupi ‘i herë âsht zmbrapë,
Por mâ shpejt mandej âsht hapë,
Edhe Shkjaut doren ka kapë
I a ka kapë, po, me do kthetra
Qi i kisht’ pasë si ajo kulshedra,
Edhe, rrasë taganin n’ planc,
I a ka shkye porsi latrâc
M’ rreth t’ shallvarve e dér n’ gerglâc.
Por ka metë, heu! Basho Jana,
Nji i Merturas, trim si Zana
Vetë, po, nipi i atij Prêlë Tulit,
Cilli at vjetë kthye prej Mosulit,
Kû ‘i herë Mreti atê e pat tretë
Per nji gjak, qi ktí i kish’ metë,
Bashkë me Prêlen rá në Gusí,
Per me u vrá me Mal të Zí,
Per me dekun per Shqypní.
Kaperthye ky me nji Shkjá,
T’ dy varrue edhe krejt n’ gjak lá,
Kah âsht hapë m’ tagan me i rá,
Kryet dŷ felesh me ja dá,
Shkjau mâ i shpejtë po kisht’ qillue,
M’ tagan parsmen i a ka shpue.
Dekun m’ tokë edhe e ka lshue.
Kur ka pá kumara i tí
Njaj Balë Gjoni kime-zí,
Se met Basha zhytë në gjak,
Kurrkund kâmës s’ t’ i bâni lak
Por vetimë si kokrra e rrfés,
M’ kandak t’ pushkës i met Shkjaut krés
E t’ i a bâni pshesh me pshesh,
Kalamùq e lshoi mí shesh;
Edhe at herë si katallâ,
Zâ Prêlë Tulit aj ka bâ;
Kû jé, Prêlë, eh, ti mos kjosh!
Se ti nipin s’ e ké shndosh:
Se tŷ nipin t’a kan pré!
Mo’ le, bre, kûdo qi jé!
Njat herë Prêla shtrî per dhé
Kishte pasë nji farë Nikicet,
Kaprreç burrë pre’ Andrijevicet;
E t’ u mâtë isht’ shi m’ at herë
Orrl me u lshue mí dy Shkjé tjerë,
Kur, qe, ndîen Balen tue ulrue,
Aty trimi s’âsht hutue,
Kah Bal Gjoni por ká msŷ,
Ftyren vrântë, vetimen n’sŷ;
Si taroç, qi të ketë ndie
Tue u perlykë kund mzat a ká,
Lshohet djerreve tue ngá,
Ka’ atij zêmra i hjekë me u vrá.
Veç, nji rrahit t’reptë tue rá,
Qe po i del para nji Shkjá,
Hokubèt me sŷ me u pá,
Kryet e tij, po, me mrrîjtë m’trá,
Të tanë kodra e të tanë neje:
Derdhë musteqet teje-teje,
Si dy bishta deshsh galana:
Cupi i krahit sa murana:
Mashkull qerrit ishte llana:
Çelik ndoset giûni e kama,
Me t’thânë mendja se ‘i pendë buej
Atê vendit s’mund t’a luej.
Betér shtatit sa ‘i mullár,
Kerleshë ftyrës, ngerthye kulár;
Thue, per t’gjallë do me t’bâ gjâmen:
Per rrâzë vithes pré dollâmen,
Zên e i thotë Prêlës matrahuli:
Po a ti jé, mor’, njaj Prêlë Tuli,
Qi kasap jé bâ mbi né,
Edhe gjinden po na i pret
Si me pré krena baktísh?
Se un, manà, t’kam lypë nper qiellë
Jo mâ tash qi t’hasa m’tokë
Po t’ lâ gjallë me shkue me kokë?..
Edhè âsht lshue m’ tê si kulshedra,
…hue, po e shtje ndandë pashë nen dhé.
… shpejt Prêla i ka ndêjë gati,
… mirë pritë e ka m’ tagan.
… ç’ kan shkrepë shkndija taganat,
… ç’ janë kputë, shitofti Zâna!
… t’ ki’n kênë dý cokla Drini:
…ollzat veç u kan metë n’ dorë.
… herë msŷ t’ a kan shoshojën,
… t’ janë hjedhë edhe perdredhë;
Shoqishojën s’ po mûjn me e rrzue.
Lavd shoshoqit qi po i qesin,
Kah po lidhen kah po hidhen,
Atij rrahi kah po i siellen:
Bumllon toka rreth per rreth,
Thue po bín topa per s’ largu.
Qet Vasili edhe po i thotë:
Se «Vasil» Shkjaut i ki’n thanë:
Se un, manà, qi atje n’ Beranë
Fyt-a fyt me Turk jam pré:
Qi kam mârrë krena n’ Babune
Në Babune edhe në Shpûzë,
Në Kernicë e n’ Podgoricë,
Kah kujton, or ti Prêlë-shkreta,
Se tý kryet s’ po t’ a há sod?
Vall, ç’ ka mârrë Prêla e i ka thânë:
Se ti, beli, or Vasil-zeza,
Dér më sod me Turk m’ jé pré;
Por m’ ké mârrë krena Harapësh,
Por m’ ké mârrë krena Zejbekësh;
Veç se sod m’ ké hasë m’ Shqyptár,
Qi po e kisht’ luften zanát,
Qi po kisht’ erz e burrní,
Besen besë, fjalen «senèt»,
E qi kryet ka me t’a pré
Si me pré manà, ‘i krye berri;
Edhe at t’mjeren grue te shpija:
Njat kercunen mori shkinë,
Do t’a pshtjellë, besa, në zí.
E ka lodhë kjo fjala e Prêlës;
Sa me idhnim qi po i a kthen:
Qi un Shqyptarin, morè Prêlë,
Pasha at Sh’Pjetrin e Cetinës,
S’t’a bâj as p’r ‘i hundë burrnot,
Edhè e há, po, dŷ herë gjallë.
Se na, shndosh kjoftë Gospodari!
Kem’ me hî besa, n’Shqypní,
Edhe n’Shkoder kem’ me shkue,
E Shqyptarit, qi po m’thue
Se po isht’ trim e s’diej shka tjeter,
Do t’i vêjm «kapicë» mí krye.
Por jo tŷ, Prêlà, mos druej;
Perse kryet tŷ, manà t’Zotit,
M’arrç tash po t’a pret Vasili,
E t’a ngûlë baca m’nji hû
Me ngranë m’tê sorrë e falkue:
S’ké me pasë, tham, mâ nevojë
As per ksulë as per «kapicë».
Ç’ka qeshë t’madhe Prêla at herë:
Se me giasë, or ti Vasil,
Mordja mendt t’i ka trullue
Edhè ktû jé kah flet jerm.
Se un njetash t’kam lshue per dhé
Se un njetash kryet t’a kam pré:
Mau, Vasil, se ngusht e ké!
Mirë janë lidhë me llana t’krahve
Ç’po plandosen trimat krepave,
Ç’po dermishen burrat cungjeve,
Janë trêmë bollat e strukë gropave,
Fort bumllue ka aj rrahi i reptë,
Edhe dushku ç’fershllon malit.
Shkumë e verdhë u shkon prej goje,
U shkon djersa rrkajë e rrkajë,
Kah orvaten, kah rropaten,
Kah per mnderë trimat dihasin
Shoqishojën veç si m’e mârrë.
Por m’e mârrë shoshojën s’po munden:
Kishte hasë, po, sharra n’gozhdë.
Nji telbiz Prêla qi isht’ kânë
Ka mârrë Shkjaut edhe i ka thânë:
Manà t’Zotit, mor Vasil,
Mas do shêjesh qi po shoh,
Drue fort mirë pûnen s’m’a ké:
Se jem’ kapë edhe perlá,
Tue na u sjellë â ‘i korb i zí
Edhe krrokë ajrit pa dá:
Me tý e ka, thom, shpendi i keq.
I âsht dhânë Shkjaut qiellës me shikjue.
Shpejt i rrin qaj Prêla gati,
Shpejt nderkâmcen i a ka qitë.
Âsht purë Shkjau sa i mullár dushku,
Âsht plandosë rrahit terthuer.
Fort âsht trandë rrahi nen kâmë.
Ç’ka kercnue Prêla me dhâmë.
Sa shpejt zjerrë e ka kortelen.
Se mirë Shkjaut i a ka rrasë n’ brî:
Gurgllon gjaku ví e ví.
Ç’ âsht perpjekë at hera Shkjau,
Fort perplasë ka kâmë e duer,
Tuj u shkarrafendë per tokë:
Si njaj buelli, kur kanari
T’ i a ketë çue thiken der m’ asht:
Me i u dhimtë, besa, mor’ burra,
Minit n’ múr, e gjarpnit n’ gúr.
Por dhimë Prêla s’ po kisht’ pasë
P’r atà anmiqt e Shqyptarís;
Prandej kryet i a pret m’ kortelë,
Si me pré, po nji krye berrit,
E e lên shyt Shkján terthuer djerrit
At herë kapë ka aj ata krye
Per njat kaçirubë të flokvet,
Edhè krah atŷ i ka dhânë
Tuj u a hjedhë Shkjevet m’ llogor:
Si njaj bulku kujdestár,
Qi bastan tue ngarkue n’ arë
Po i erdh n’ dorë lladik i kalbun,
U a flakron dirqve edhè derrave,
Qi tue rmue t’ jenë n’ djerr per brî;
Edhe nisë ka t’ u levdohet:
A po ndien, or Mark Milani?
Falmeshndet Pasha i Gusís,
Edhe thotë: «byrmë» gjithkur t’ duesh,
N’ daç per cila, n’ daç per drekë,
Si në Plavë, si në Gusí;
Pse e gjên tryezen gjithmonë shtrue:
Plum të randë, barot të zí.
Sa per tash, qe ket sherqî…
Po i a çoj Knjazit dhantí,
Pêmë e mirë bî në Mal t’ Zí,
Por këputë ktû në Shqypní,
Le t’ a dajë me miqasí…
Porsi kur rrugës nji shtektár,
Qi t’ a msŷjn qêj a zagarë,
M’ gur a m’ bûcë qêjt t’ i ketë gjue,
Kta nji herë porsi t’ terbue,
Turr mas peshet kan per t’ lshue,
E mandej mâ me furí
M’ shpînë shtektarit me i u shtrî:
Malazezt kshtû rrân nji fillit
Per mas krés s’ atij Vasilit
Kur flakrue Prêla u a ká;
E, si ‘i herë ata kan pá
Se Vasil mâ nuk po ká,
Lum per tŷ, o Zot i lum!
Ç’ u ka vû atŷ buza shkrum,
Se ç’ janë hjedhë, se ç’ janë perhjedhë,
Ç’ janë terbue, ç’ janë krepatue,
Idhtë m’ Shqyptarë edhe ç’ kan lshue,
Shtek as shkrep per pa shikjue:
Kush pa opangë, kush pa «kapicë»,
T’ gjith m’ tagan por e m’ «novicë»,
T’ gjith prej sŷsh shkndîja tue qitë,
Tue gerthitë, tue bulluritë,
Tuj u derdhë podit e shpatit,
Si atà ujqt e bjeshkës s’ Sopatit,
Kur t’ i lodhë ûja e zalldani.
T’ i a dha topi edhe havani,
T’ krisi gjylja edhe potera,
T’ hypi tŷmi e t’ hypi mndera,
U shuen gjindja neper prroska,
U thyen krenat si t’i’n boska:
Si t’i’n kênë kakruq a goska.
Lshuen Shqyptarët at herë llogoret
Majten rreget edhe rmoret,
Edhe zûn n’at rrânzë të bjeshkës,
Ndersa Shkjau i u rras Sutjeskës,
E t’i a futi zjarmin vendit
Ç’merr prej Uret m’rrugë t’Kelmendit.
Gjergj Fishta