Pater Gjoni

Kangë e nandmdhetët

Kangë e ndandmdhetët

Ç’po vrret Zâna e Miliskaut:
Ah! shue kjoftë kjo fara e Shkjaut,
Qi, qse ra m’Balkan mâ s’parit,
Vardisë âsht fisit t’Shqyptarit,
E pa gjýgj, pa ndo ‘i arrsye
M’tokë e m’gjâ per ditë me i grrye,
M’pushkë e m’top edhè tue e msŷ,
Nuk e la me çue kurr krye,
S’e la dritë me pa me sŷ,
E as të keqen s’i a ká dá:
Marë Shqypnín në gjak ká lá!
Jo, po, Shkjau âsht njaj lugat,
Qi herë s’largut, herë per ngiat;
Rrin e gjuen pesha m’Shqyptarë,
Mos me i lânë me u sjellë kurr marë:
Gjallë me i bâ me hî nen dhé,
Me pêng shtruet me dorë më bé,
Vên Shqyptarët gúr e kufî
Per me dijtë se kû âsht Shqypní;
Kû Serbí, kû Mal i Zí:
Çohet Shkjau e gurt u a lot,
Thue ‘imend aj m’Shqypní âsht zot.
Duen Shqyptarët pûnen me kapë?
Ngrifet Shkjau pûnen u a prapë,
E u a zjerrë tregun prej dore,
E u a mêrr gjaksit me ndore;
E i pabesë edhè mizuer,
Ftyren zymtë, sŷnin terthuer,
Tjeter n’mend s’shkon tue perblue,
Veç Shqyptarët aj si me i shue:
Si atê Zoti e pasët marrue.
N’tokë, e n’gjâ, e n’djalë, e n’grue:
Hângert vedin, Zot, me dhamë!
Hik, moj Zânë, mos t’rrijm tue namë,
Pse kjo nama isht’ arma e t’ligut,
E s’i a trêmte sŷn anmikut,
Veç se e bâte ajo me qeshë
N’mos me qeshë, po, me u ngerdheshë.
S’e mûn luften, besa, nama,
As s’e mûn, jo, vaji e gjama,
Dokrrat thá tue perpushë n’hî;
Por nji zêmer plot trimní,
Por nji pushkë me barot t’zí,
Por dishiri per lirí,
E nji besë e fortë çelikut,
Mos me u thye kjo m’ballë t’rrezikut,
Mos me u ligë n’sŷ t’metelikut:
Si e kan pasë besen Shqyptarët;
Qi s’lanë hasem per pa çartë,
Kur kta, lidhë me besë të Zotit,
N’ato kohët e Gjergj Kastriotit
Bijshin n’luftë per Atme e Fé,
Kû me Turk e kû me Shkjé.
Pêsqind vjet, po, kan kalue,
Se pa zot na kem’ kênë lshue
E qi ndimë pa pasë prej kuej
Gjithmonë grî jem’ me gjind t’huej.
Me gjith kta, prap gjallë, se gjallë:
Zhyt e myt e del në záll;
Shumkush gojen, po, e pat hapë
Kin’ Shqyptarët aj me i perçapë
Me i perçapë e me i perpî,
Krejt me i hupë me gjith Shqypní;
Por kurrkush s’mujt me i perdî.
Nuk perdîhet, jo, Shqyptari,
Me sa gaca ndezun zhari!
S’do t’mujë me i perdî pra, as Shkjau,
T’ketë ky bryna, si ká kau.
Po ti as ndîen moj Shto-Zot-Vallet!
Si gjimojn prrojet e zaillet,
Kah Shqyptarët jânë t’u perlá
Fyt-a fyt n’Sutjeskë me Shkjá?
Flutro 'i herë, moj sŷ-qershí,
Edhe del m’at Haramí,
Per me pá ti e per me ndí
Si luftohet në Shqypní
Per Atdhé, po, e per lirí.

Jo, po sod, besa, moj Zanë,
N’at Sutjeskë kishe me thânë,
Se shum gjak prap ká me u bâ:
Pushka e topi enè s’ká prâ.
Shmangë jânë, po, Shqyptarët rrâzë bje-
Malazezt janë rrasë Sutjeskës, [shkës
Kû po djegin stane e shpija:
Por, me kaq s’merret Shqypnija.
S’merr Shqypnín kush cak më cak,
Pllamë per pllamë per pá e lá n’gjak!
Ke ç’do mal atŷ â ‘i kalá,
Ke ç’do burrë atŷ â ‘i luâ,
Qi msŷn vetun njiqind vetë,
N’mos me i mârrë, po, per me metë;
Persè jeta pá lirí
Per Shqyptarë po isht’ mort i zí:
Mâ mirë dekë se në robní
Edhe kqyr, moj hajmali
Moj bel-holla rritë nder gurra,
Kqyr nji herë ti njata burra,
Qi Vermoshit tue kalue
Ashtû hapin kan shpejtúe,
A dro jânë krushq e darsmorë,
Nisë per nuse me kunorë?
Jo, prá, s’jânë krushq as darsmorë,
Nisë per nuse me kunorë:
Ata janë do Lekë t’Malcís,
Qi n’kushtrim të Pashës s’Gusís
Prej Vishnjevet na janë çue
N’at Sutjeskë n’luftë me u flakrue,
Per me dekë, a per me pshtue,
Si prej Zotit t’jetë gjikue,
Gjallë Shqypnín por mos m’e lshue.
Veç ti a e njef njat guna-zí,
Qi me at çetë burrash perzí,
Pllojcë litarin lidhë per í,
Kamben zdathë, kryqen në gjí,
E herë mbrapa me vogjlí,
Herë perpara me Krén t’vendit,
Hapin thekë ká atij dervendit?
Aj âsht, Zânë, Frati i Kelmendit,
«Pater Gjoni» quejtun êmnit
Qi, per krah me famullí,
Âsht tue dalë aj vetë n’ushtrí;
Si detyrë qi e ka ‘i barí,
Grigjes s’vet kurr mos m’i u dá
N’ asnji shtek e n’ asnji vá,
Neper t’ cill’n Ora t’ a qesë:
Bashkë me tê me kndue e me dnesë!
Ky, po, kur kushtrimi u lshue,
N’ kishë t’ Vishnjevës kisht’ pasë qillue,
Tue thânë Meshë, tue predikue,
Tue rrfye gjinden, tue kungue;
Se Vishnjevë e Gjenoviq
At ditë festë lutshin me miq;
Edhè n’ kohë t’ cilave t’ mdhá
Shkue në kishë ki’n burra e grá:
Famullí e miqasí:
Lá e ndrrue e mirë kandritë,
Tue këndue e pushkë tue qitë,
Si âsht zanati i njasajë ditë.
Kur, qe Mesha at herë tue krye,
Dikush vrret sa ku ká n’ krye,
Mbî Vishnjevë, m’ nji curr të zí:
Kushtrim, djalë, ka nji per shpí
N’ at Sutjeskë me dalë n’ ushtrí,
Se âsht kah rraset Shkjau n’ Gusí!
Edhè shprazë nji pushkë p’r ajrí.
Atŷ trimat m’ kamë janë çue,
Kan rrokë armët e janë bashkue,
Shoq me shoq kan kuvendue:
Si t’ i a bâjm e tek t’ i a bâjm?
A të shkojm a mos të shkojm ?
Se, per Zotin, lavdi i Zotit!
Zên e thotë Uc Gjoka i Hotit,
Me nji zâ porsi tue pallë,
Edhe kshtû s’ po jet kush gjallë
Në ket t’ mjeren moj Malcí,
Tuj u vrá me Mal të Zí,
Herë per dam, herë per hajní,
Kû per shtek, kû per kufî:
Me tê vritu në Kerrnicë,
Me tê grîju n’ Podgoricë,
Preju n’ Shpûzë, preju n’ Pllanicë,
Sod n’ Gusí neser n’ Perví:
Na shkoi moti si a mâ zí.
Fyt-a fyt me Shkjá t’ u pré,
Si per s’ tepermi t’ ki’m lé.
Prandej, burra, un kish’ me thânë,
Se kjo pûnë per sod do lânë.
Sod po e ká Turku me Shkjá:
Lpijshin kryet e xjerrshin sŷt!
A dro shtrêjt i kemi blé?..
T’ i hajë dreqi Turq e Shkjé!
Jo, po, ti Uco, mirë po flet,
Vocerr Prêçi po i a pret.
Se t’ vritna na me Shkjá,
A dro hajr kemi per t’ pá?
Na n’ robní se në robní,
N’ robní t’ Turkut s’ ká mâ zí,
Qi né giûnin na ma m’ bark,
E na repë lkuren pa çark:
T’ repë e t’ zdeshë e s’ t’ lên me kjá:
Gjithmonë sherr, gjithmonë belá.
Mirë, mor burra thotë Curr Ula,
Por, si m’ dán neshtrasha mue,
Thom se Turku ká marue,
Edhè giatë, thom, s’ ká me shkue
E tash del kund ndo ‘i sŷ çark
Qi atij shtjelmat i a vên m’ bark.
E t’a hjedhë kryepicingul
Jo mà kndej se në Mosul.
Mjesa Shkjau, po bâni e hîni
Në Shqypní, burra, t’a dini,
Se aj ktij vendi mâ nuk del:
Se né ‘i herë na vên m’ çengel:
Se kush pshtue t’i ketë çengelit,
Po t’a çon mù m’ shkallë t’ gabelit
Ke s’do t’ ketë fis as Atdhé
E as s’ do t’ ketë aj nji pllamë dhé,
Per me pasë kû me u vorrue,
Eshtnat s’ dekni me i pushue…
Vocerr Deda si t’u tallë:
Prit, gomár, sa t’ dale bár…
Pêsqind vjet kan shkue me rend
Se na t’ kshtênë bâjm pallë me mend:
Sod shkon Turku, mot shkon Turku:
I âsht grisë xhoka, i âsht shtjerrë qurku.
Po, por Turku, Turk se Turk,
E me xhokë, besa, e me qurk,
Aj po t’ rri ktû mrendë terfurk:
Bár e ço me kosha e trina,
Bjeri t’ kshtênit sa i ha shpina.
Prandej mirë, thom un, na del
Në ket punë mos me u kapë tel;
Por miqsí edhè famullí
Tash nji herë me shkue në shpí
E me shtrue petlla e rakí
Ndo ‘i ferlik prap me shkatrrue,
Mbasi festë po ká qillue:
E mandej tash bisedojm
Se a të shkojm a mos të shkojm,
M’e lânë kryet per Turk a Shkjá:
Kohë per t’dekë, gjithmonë, tham, ká.
Pater Gjoni, at herë, t’këcej,
Dejt e ballit ngrefë si hej:
Po a ‘i mend burrat e Malcís;
Nami e ndera e t’gjith Shqypnís,
Qi, kur rá u ká me qindrue,
Boten marë kan mrekullue,
Si ata luâjt, bre! tue luftue:
Vendin Shkjaut kan per t’i a lshue,
Pa pushkë t’shtîme e ndêjë harû?..
Babat t’uej po, m’at kufî,
Kû sod Knjazi i Malit t’Zí
Shperthye paska, thonë, me ushtrí,
Babat t’uej, burra të dheut,
Njimend nipa t’Skanderbeut,
Atŷ vendin n’gjak kan lá,
Bâ atŷ i kan shkinat me kjá;
Edhè vetë trimat kanë metë:
Kan metë trimat rrahit t’shkretë,
Pa kênë kjá pa kênë vajtue,
Me ngranë m’ta sorrë e falkue,
Gjallë por vendin s’e kan lshue;
Ndersa sod, oh vajmedèt!
M’eshtna t’tyne Shkjau po shklet,
E t’u hjedhë e t’u perhjedhë
Porsi atà mazat nper lamë,
Per pa u hî kund ferrë në kâmë,
Kush pa i ndjekë, kurrkush pa i namë,
Po t’i rrasen mrendë Gusís,
Po t’i furen mrendë Malcís
E askund hovin per pa e ndalë,
M’ kalá t’ Shkoders kan me t’ dalë,
Shqypnís êmnin me ja shue,
Shkjá Shqyptarin m’ e shartue,
Kanû e besë këtij me i ndrrue,
M’ krye «kapicen» me i a vû.
Ke sod Lekët na kan ngurrue;
Edhè n’ vend qi n’ luftë me rrâ
Plak, i rí e kalamâ,
Hovin Knjazit per m’ i a ndalë
Vendit t’ vet kta zot me i dalë,
Neper shpija duen me u tallë,
Shtrî m’njân bri, duhan tue pí
Mendt te miku e te ferliku,
Mendt te lodra e m’ shêj nder kodra,
Si me u tallë, si me u gervallë,
Si me i prî vallet te logu,
Si me dajtë mâ n’ shêj se shoku:
Thue gjâ e tyne s’ âsht Malcija,
Vend i huej, thue, âsht Shqyptarija,
E se vllá s’ janë turku e i kshtêni
Kahdo shqyp flitet ktij vendi!
Ah! mos t’ kish’ kryq e konop
Por të kish’ pushkë edhè top
Se un, po, vetë, po ‘i Frat, pá fjalë,
Sod n’ ushtri do t’ kishe dalë,
E të mjeren moj Shqypní,
E kercunen moj Malcí
Lshue nuk do t’ i kish’ pa qander.
E pra krushk nuk jam as dhander,
S’ kam per t’ majtë as bír as bí,
Menden t’ kthielltë, fjalen duhí,
Kahdo t’ shkoj e bâj Shqypní;
Por pse s’due qi Shkjau mizuer
T’na vêjë shpoten aj dikúr
E të thotë kryq e terthuer,
Se kur rob u bâ Malcija,
Se kur shtrue kje, ofshè! Shqypnija,
Me thânë shum, nji Lekë s’kje gjetë,
Per ta 'i pushkë me shprazë perpjetë,
Por shka t’bâj? pse as Frati s’vret;
Veç me i nâmë a ká kush m’pret?..
Kam me i nâmë, pra, nemos tjeter;
Me i mallkue pa qiri e leter,
Veç me lot të sŷve t’mí:
Lot me gjak e vnér perzí.
Fíll po dal, po, m’at kep bjeshke
Edhè sjellun prej Sutjeske
Po t’i shuej me arë, me farë,
Po t’i shuej me bjeshkë, me vrrî,
Po t’i shuej me dhên, me dhí,
E me rob e me robí,
Plak e t’rij, e grue e fmí,
Tatë e bir e vllá edhè moter:
S’po t’i u lâ, jo, carâ m’voter.
Kshtû tha Frati, e m’kâmë u çue,
Shpervjelë zhgunin e u shterngue,
E me ‘i djalë, qi aj vetë kish’ msue
N’Meshë te Kisha me i ndimue,
Me kndue leter e me shkrue,
Fíll po mêrr shpatin perpjetë,
Thue se kâmve u ka vû fletë.

Kur kan pá Lekët e Malcís,
Se Sherbtori i Perendis
Fíll ká mârrë rrugen kah bjeshka,
Per me dalun ke Sutjeska
E m’i a lshue aj Shkjaut at nâmë,
Se ç’janë dyndë trimat në kâmë
Se edhè toka ç’ká mârrë gjâmë,
Kah janë lshue mas gjurmve t’Fratit,
Si atà luajt-o t’u njitë shpatit.
Kû vè, Patr-o! thotë Turk Shabi;
Se pá né s’t’punon tý hapi:
Tý pa né, po, e né pá tý;
Na jem’ krye, e ti jé sŷ:
Kah t’na thuejsh, na kem’ me msŷ:
Kah t’na prîjsh na ké mas vetit,
N’flakë të zjarmit, n’ujë të detit,
M’askjer t’Knjazit, m’askjer t’Mretit;
Mjaft qi e lirë t’na jesë Malcija
Mjaft qi n’dritë t’na dalë Shqypnija,
Edhè feja të forcohet,
Besa doret mos të lshohet.
Fabebardhë, morì Malcí,
I a dredhë Frati me njerzí,
Se manà, në ket Shqypní
S’t’a del kush, jo me trimní,
Me trimní edhe bujarí.
Veç shka, burra, vetë e dini:
Pse zanát luften e kini:
Se, madjè, ky nieri i shkretë
Mundet n’luftë edhè me metë;
Luftë as darsem pa mish s’ká:
Elè mâ lufta me Shkjá,
Ke per sherr trim ka qillue
E rrâjn n’luftë, po, burrë e grue:
Prandej para se t’fillohi,
Bini m’giûj tash e pendohi
Per shka Zotit keni fye,
Q’se mârrë kini mend e arrsye,
Edhè un mkatet kam m’u a shlye,
Per pa pasë nevojë me i rrfye
Sod per sod; pse lufta s’pret:
M’armë kushtrimi po na thrret:
Vllazent t’onë i kem’ n’siklet!

Atŷ trimat m'giûj janë ulë,

Kan zhdredhë shall, kan hjekun ksulë
Edhè rá Zotit n’pendim,
Pre’ atij t’Lumit n’at blerim
Urë-pervûjtë kan lypë perdlim.
Frati, at herë, çue sŷt prej qiellet,
Shpnesa nierit prej ka’ i kthiellet,
Nisë uraten me prunjí:
O ti i Lumi Perendí,
Kí mishrir, deh! per kta t’mjerë,
Qi tý fye t’kam mâ se 'i herë:
Pse n’ket ietë, hiri e pa hiri,
Shtatë herë n’ditë fyen edhè i miri;
Por qi kurr shpinen s’t’a suellen,
As jashtë vathit t’and nuk duelen.
Kan dalë vendit e kuvendit
Kan dalë gjâjet e sermâjet,
Jânë da gjindet e bashtinet,
Edhè mârrë kan mal e krep,
Kan shkue motin per gazep,
Dikû ngrànë, dikû pa ngrânë:
Mbretin m’shpinë e Knjazin m’shpinë,
Rrêjtë prej Krajlash ‘dhè trathtue:
He, atà e zeza m’i pastë mlue!
Pa i diejtë jetës as shtek as vá,
Gjithkuej sherrin tuj i a pá:
Me gjithkta mohit s’t’kan rá
E as kurr lavdin s’t’a kan dá.
Kí mishrirë per ta, pra, o Zot!
E mos lên qi hasmi sot
T’i bâjë dâm; por pshtoi rrezikut
E forcë epu kundra anmikut,
Qi po u rrin shqype mí krye
E m’çapoj, gjithmonë n’gjak zhye,
S’po i lên dritë me pa me sŷ.
Edhè atŷ, mas ksajë urate,
U a ká zgidhun faje e mkate.
Thânë, mande’u ka nieri i Zotit:
M’kâmë tash, nipa të Kastrjotit,
Edhe bini n’flakë t’barotit,
Si Shqyptarët qi bijshin motit;
Pse e kem’ thye Shkján me ndimë t’Zotit!
Edhè trimat m’kamë jânë çue,
Prej Sutjesket jânë fillue,
Jo tue hecë, por tue flutrue:
Pater Gjoni tue i trimnue,
Kâmë per kâmë me ta tue shkue.

Se ç’po u shndrisin m’krah «martinat»,
Ç’po u flakojn në brez «calinat»,
Xhixhë taganat ç’po u xhixhllojn,
Udhës kah hapin po e shpejtojn,
Mos m’e zânë trimat shosho’jn:
Kaq qi atyne mrendë nen gjí
Gjak e vnér bashkë u âsht perzí,
Kah dihasin me mëní,
Per me u ndeshë me Mal të Zí.
E kur rá kan terthuer shpatit,
Lulash Ndreu, xhakoni i Fratit
Se edhè kangës aj ç’i a ka thânë,
Tue këndue malit si Zânë:
Po na thonë se Malit t’Zí
Petrogradi ja dha fjalen
Me hî mrendë në Shqyptarí
Turbull Drîni kû rrmen valen;
Edhè m’kâmë ushtrín ka çue
Ke Cetina Knjaz Nikolla
Malet t’ona me i pushtue,
Kû i bân nâna djelmt sokola.
Por kush tha Harushes s’Verit:
Në dorë t’ande â marë Europa;
Dert mos kí per t’drejta t’njerit:
Si t’duejsh daje copa-copa?
Cilli Zot tha Shkjaut: mêrr drap’in;
Korr kû s’molle, e miell n’arë t’hueja?
Dér kû t’duejsh ti mate hapin;
Shqyptarija â ndër duer t’ueja?
Ah! kadalë, cubi i Cetinës!
Pse ti tash ke hasë me burra,
Burra lé per çark t’martinës:
Do t’rrjedhë gjaku sod si gurra;
Pse Shqyptarët jânë bâ me ‘i zêmer:
A me derdhun t’tânë n’luftë gjakun,
A m’e qitë të shkyem nen thêmer
Sod trí bojnash n’llom bajrakun.
A kujton se per dhé t’t’Parit
S’diejn me dekë t’bijt e Kastriotit?
A kujton se n’dej t’Shqyptarit
S’vlon njaj gjak qi pat vlue motit?
A’ i falisun! sod tagâni
Me gjak t’and ká per t’a shkrue,
Sod n’Europë ka m’u ndie zâni
Se i kuej gjak na â n’dej tue u vlue.
Çohi, o bij të Skanderbegut
Turq e t’Kshtênë, mos t’u dajë feja!
Çohi e bini n’fushë t’bejlegut,
Tue gjimue ju porsi rrfeja.
T’i a diftojm, po, Gospodarit,
Qi e lodhë ûja ke Cetina,
Se Shqypnija âsht e Shqyptarit
Se m’i a prekë nuk lên martina.
M’kâmë! Mirditë, ti ndera Arbnore,
Per Shqypní sod me luftue!
Tý Bibë Doda shpatë mizore
Sod prej vorrit t’âsht betue:
Me armë n’dorë, me zjarm në gjí,
Si e ké pasë gjithmonë zanât,
Báll per báll me Mal të Zí
Porsi burrat n’luftë m’u mâtë,
Lshou, Mishkoder! Djelmt t’ue ziri
Me luftue sod me Nikollen:
Mí breg t’Cemit t’pret Viziri,
Qi pat dyndë dikur Stamollen.
Bini! Toskë, ju n’pikë të vrapit,
Mos t’u nalin mal as záll:
Naim Frashri i rá Qitapit
Mos m’e lshue Shqypnín per t’gjáll.
Ju prej Dibret, prej Bishkazit,
Çohi djelm si shqype t’leta!
Kah gjimon âsht topi i Knjazit:
Per Shqypní t’mos t’dhimet jeta.
Mâ mirë dekë nen dhé m’u kjá,
Se me marre gjáll mbí dhé;
Per dhé t’vet kush dekë ka rá,
Aj s’ká dekun, por ká lé.
Burri, Leka e Kastriota
Amanet Shqypnín na e lane,
Amanetin e mban bota:
Shqyptari edhè do t’a mane.
Prá vetë ferri m’kâmë m’u çue
Me sa çeta ká n’at jetë,
Shqyptarín na s’kem’ m’e lshue,
M’e diejt t’gjith se kem’ me metë.
Para, po, se vendit shkulet
Mali i Shêjtit e Rumija,
Se njâj Shkjaut sod t’i perkulet
Rob i shitun Shqyptarija.
Kû jânë t’bijt e Skanderbegut,
Kû jânë t’bijt e Dukagjinit
Shkjau s’do t’shklasë, jo, njatij bregut
Dér sa t’rrjedhe vala e Drinit.

Pjesa e radhës
Lekët