Kangë e njizetët
Kështû Lulashi tue kndue
Shpat më shpat e prrue më prrue
Shkapercye kan kodra e male,
Kan lânë mbrapa prroje e zalle
Edhè dalë kan m’krye t’Sutjeskës.
Kur kan dalë m’at krye t’Sutjeskës
E t’kan ndie si n’at rrânzë t’bjeshkës
Pushka e tópi ishte tue vlue,
E kan pá atà edhè kundrue,
Njegull tymin ajrit çue
Mbí të mjeren moj Sutjeskë,
Stane e shpija bamun eshkë:
Edhè ndeshë kan cull e grá,
Kah tue hikë ishin me gjâ,
T’a kan bâ nji vrrîmë të madhe,
Si lavë ujqsh terbue prej mardhe.
Atŷ shprazë «hutat» batare,
T’jânë lshue trimat fulikare
Poshtë rrmores: thue, 'i buzë malit,
Kputë ndokah, po shâmej zallit:
Kaq kje krisma e bulurima,
Kah, lshue vrap porsi vetima,
Flakruen n’luftë Lekët e Malcís.
Âsht trandë Zâna e Haramís,
Si nper t’kthiellt t’shkrepte duhija.
Jo, po: a n’luftë rrâni Malcija,
A po moti ndokah shkrepi,
A se trandë token termeti?
Pvetë e mira vetë me veti:
Kah prej krismet e poteret
Gjimuen lugjet e humneret
Edhè ushtue ká Vizitori
Zeletini gjâmë kah mori.
Ah! kadalë, cubi i Cetinës,
Se, me giasë, gjygjin kaptinës
Mirë sa duhej bâ s’m’i a ké,
Kur jé nisë e dalë m’ket dhé…
Paj ktû po isht’ nji vend i eger
E po t’bâshin gjindja fleger,
T’a kesh dhamin ti ‘i perçik
Po nuk shkove mbrendë per mik.
Po a s’po shef, mor’ kopilane,
Se ç’po bâhet m’ushtrí t’ande,
Tash qi msŷn Lekët e Malcís:
Si njaj plajmi i njij stuhís,
Qi kah dirgjet Haramís,
Shkon tue shkulë brej e çetina,
Dermon tbana, shuen bashtina,
Currat rrokullon m’rudina?
Falë i kjoshim t’Madhit Zot,
Ç’ká mârrë vendi era barot,
Kah, perlá janë Lekë e Shkjá!
Mush e qit ata pá dá,
Mush e qit e plumja njit:
Derdhu rrês, e derdhu shpatit,
Struku podit e livadhit,
Rreku, theku, lshou m’pikë t’vrapit,
Tue rrahë top, tue rrahë havan,
Tue vezllue shkallmë e tagan,
Edhè gjindja tue sharrue
Kush nper prroskë e kush nper prrue,
Mendt e krés me t’u dermue!
Mal Kaculi, ‘i djalë prej fisit,
Mirë ngujue per mbas njij lisit
Fort po i vret Shkjét m’«hutë» t’Inglizit :
Fíll po i kputka per mjedisit.
Lul Rrapuka, qafa-trupi,
Vasil Markun m’vend e hupi,
Tue e mârrë ís e del te cupi ;
I u ndez flakë t’mjerit gozhupi.
Bân Gjokë Sava kin’ jam trim :
Po i bje rrahit fluturim,
N’dorë «novica» tue i qitë tym :
M’at Car Xhaxhen fíll ká lshue,
Per m’e pré, per m’e shkurtue,
Si prej Zotit s’kisht’ kênë shkrue ;
Pse t’a priti Caruk Curi,
Mirë zatetë aj mbas njij guri,
E t’i a njitka mù n’gerglâc,
Tue e hjedhë podit si latrâc :
I âsht mushë goja të tânë gjak :
Erri sŷt e m’vend u pak.
Por gjak-hupës nuk ka shkue Shkjau!
Toma i Ristos, sŷ’n sa kau,
Mirë Gjo’ Mirashit i a njiti
Mu m’shtek t’ballit, edhè e qiti
Palmuq m’tokë mbí kokerr t’shpinës.
Hollë kisht’ gjuejt i biri i Shkinës!
U kuell Gjoni dŷ trí-herë,
E tue hjekun brîjsh per mnderë,
Zbardhi sŷt e dekun rá,
Terthuer djerrit shtrî sa ‘i trá.
Trim por kênë kisht’ Lez Sotiri,
Idhtë si gjarpni neper firi:
Nji hundë-lesh, musteqe-rudë,
Kryet babune, sŷt per çudë,
Qi veç n’anderr me e pasë pá,
Drue se t’ pakët të kishte rá.
Ky zânë priten nalt n’ nji ograjë,
Strukë mbas currit mbrendë n’ dushknajë,
Bâ dam ka mâ se ‘i Malcuer.
E tue qitë kryq e terthuer
Vret njiherë pre’ atij zabelit
Nisho Loshin e Losh Gjelit
Edhè at mjerin Murro Patin,
Kah me mârrë po dojshin shpatin,
S’ dí a me hikë a me qindrue:
Fort të besës s’ki’n pasë qillue…
Mandej cubi i Cernagores
Gorromisë ká n’ fund t’ rrmores
Keqo Mashin e Zagores,
Qi tue hecun kambandores,
N’ moh po dote aj pushkë me shtí
M’ nji shoq t’ vetin djalë të rí
Per nji gjak pajtue kahmot.
Por se e vraka i Madhi Zot:
I bje plumja mu m’ korriqe
E e lên shakull m’ do kalbsiqe.
Cuba Deli, Zot, ç’ ka thânë:
Se un qi tatë nuk kam as nânë,
Kam nji nuse, e atê por zânë,
Pse s’ i a lâ Malcís nji nâm?
Edhè âsht çue trimi në kâmë
M’Lez Sotirin fíll ká rrâ,
Tue vikatë si katallâ;
Ngurru e turru edhè atij vendit,
Si atá zhytrrat n’ujë t’Liqênit,
I ka vojtë Lezos në pritë,
M’«hutë» n’lug t’krahve i a ká njitë,
Dekun m’tokë edhè e ká qitë,
Atŷ kryet aj i a ká pré,
I a ká hjedhë rrokull nper dhé.
Edhè âsht lshue porsi shkerbé
M’at Ilín e Boshkoviqit,
Qi isht’ kênë mbajtë nji farë ogiçit
M’nji çetë cubash t’Karadakut:
I bjen plumja rrânxë mustakut
Edhè i del mbî but të krés
Tue e sodomë si kokrra e rrfés.
Mandej Mhillit i â shtrî m’shpinë
Mhíll Rodiqit, gjeraçinë,
Qi at Ujk Gjerin mbasi vrau,
Vrap me hikë u vête Shkjau;
Mirë por m’«hutë» Cubi e perlau.
I rá pushka mu nên sjetull,
Edhè i duel terthuer mbí vetull
Per t’giatë t’djerrit tue e lshue petull
Me ngrânë m’tê shqarth edhè vjetull,
Nâna e shkretë per t’gjallë m’e kjá,
Tjeter djalë ke ajo s’po ká.
Bogiq Steva nji farë djalit,
Ulë «kapicen» m’shtek të ballit
E tue ngâ aj terthuer malit,
Cuba Delit m’shpinë i âsht vû,
Me tagan në dorë shterngue:
Kinsè kryet aj m’i a shkurtue,
Ndersa Cubi me nji Shkjá
Fyt-a fyt ishte perlá:
Me ‘i t’Ostrogas trim-belá
Quejtë Miloshi i Radovanit,
Idhtë si tef i preftë taganit.
Por e pá njaj Mashi i Cokut
Ke lshon vrap Shkjau patalokut,
Edhè m’ «hutë» e tereziti,
Mù rrânxë veshit krés i a njiti,
Tej-pertej plumen i a qiti.
Mashi i Cokut fort po vrret:
Se un qi qitë e kam me Mbret
E m’a dron sherrin Stambolla,
Kah kujton, ‘or Knjaz Nikolla,
Se po shtron Plavë e Gusí
Me Bogiqa e rropullí
Dèr sá m’ kamë t’jetë kjo Malcí?
Kqyr Bogiqin se kû e ké:
Ngerdhûcë sŷt, si qiri zbé,
Ç’ po i plandosë aj kâmbët per dhé…
Se per Zotin kjoftë levdue!
Kur t’më mushet mendja mue,
Per vend t’ t’ Parve me qindrue,
Knjazë as Mbret un nuk t’i drue.
Edhè trimi m’ kambë âsht çue,
Si aj bajraku m’ báll t’ ushtrís
Vikatë t’ madhe ká Malcís:
Lamtumirë, Malcí, se shkova,
Se nuk jemi Lacë Manova,
M’ e bâ luften nder llogore;
Por jem’ nji Malcí mizore,
Msue me u pré me Cernagore
Fyt-afyt e báll per báll:
Ndanë me mbetë, nji me pshtue gjáll;
Por jo 'i Shkjá me e lânun gjáll
Mbrenda megjeve shqyptare.
E t’âsht lshue m’Shkjá fulikare:
Porsi ujk qi bje nder dele,
Njânen shkyje, bâne fele,
Tjetren preje, gjakun pija:
Bân veç dam lukur e kija.
T'u çue m'kâmbë at herë Malcija,
T’u shpervol m’tagan djelmnija
E t’u qitë sŷt zjarm e shkndija,
T’jânë flakrue perposhtë cabokut,
Turr e vrap mbas t’birit t’Cokut,
Si ajo lava n’Vizitor,
Edhè kcye i kan Shkjaut m’llogor.
Kur këcye i kan Shkjaut m’llogor:
Ç’ka ardhë Shkjau e t’âsht pshtjellue,
Ç’t’âsht perpushë, ç’t’âsht krepatue,
Si njaj gjarpni n’zjarm vallue:
E t’âsht ndezë zhari Sutjeska,
E t’ká mârrë gjâmë vrrini e bjeshka,
M’kupë të qiellës ushtue ká vrrima,
Kah janë ndeshë trimat me trima,
Kah kan nisë ata me u pré,
E t’flakruen krenat nper dhé,
E t’rrodh gjaku porsi shé.
Namin shkinat gúr me gúr,
Shkaf âsht Lekë, shkaf âsht malcuer,
Tue kundrue, qyqet, n’terthuer,
Ngarkue buken per ushtrí,
Se sá djali i Malit t’ Zí
Shŷt po bite atŷ per tokë,
Ka’ i ká msŷ Mashi me shokë.
Mashi i Cokut, trim mbî trima,
Sŷni i tij porsi vetima,
Zâni i tij porsi bumllima,
Kah po lshon e kah po ep
Curr më curr e kep më kep,
T’ madh po bân aj m’ Shkjá gazep:
Po i pret gjinden si t’ i’n skjep.
Llesh Nikë Daka, pelivani,
Bé më Zotin trimi bâni,
Se pa i marrë ndandë krena n’ Shkjá,
« Huten » hjedhë do t’ a kisht’ m’ trá
E taga’n n’ farkë do t’ kisht’ çue,
Thikë parmende m’ e punue:
Kurr m’ log burrash s’ do t’ kisht’ shkue.
E pse Lleshi âsht nji farë burri,
Mos me i luejtë fjalës me sá curri,
Jŷrish djalë mbî Shkjá t’ â lshue,
Malazezt aj tue shkallmue:
Si njaj bulku qi m’ supatë
Shkallmon rrahit cûjt e thatë,
Beja e bâme duhet mbajtë!
Burrë i mirë Nikë Gjelosh Luli;
Sŷnin gacë, krahin sá shuli
Kah po siellte m’ at tagan,
Herë m’ serdár, herë m’ kapitan,
Fort po i pritte ato rradake,
Si t’ ki’n kênë do poça Vrake.
Vjen Dodë Prêçi si stuhija,
Ç’ â ata krye, Zot, ndër duer t’ tija?
Kryet e t’mjerit mor’ serdár,
Serdár Gavros gazepqár,
Qi, sa falli i pat hecë marë,
Pat vjerrë hoxhë, pat vjerrë haxhí,
Pat djegë teqe edhè xhamí,
Bullat shitë i pat n’kaurrí:
Larg permendë, po zâni i tij;
Por qi, i mjeri, zâ mbas sodit,
Shtangue shyt aj terthuer podit,
S’mund do t’bâjë, besa, mor’ shokë,
As me trêmë do cirikokë,
Kur m’skep zêmren t’hîjn m’i a çokë…
Qaj Dodë Prêçi bajraktari:
Po i pret Shkjét si pritet bari:
Burrë mâ i fortë s’bâhet Shqyptari!
Nana e Llazos n’at sŷ malit:
Qyqja, bír, si i bâhet hallit
Qi ti mue m’ké ndollë n’ushtrí
E tash fíll, qe, dy djelm t’rí,
Në çakçirë e në xhurdí
Kan msŷ m’çeta t’Malit t’Zí.
Se kush janë, tobe, n’e die;
Veç ka’ i shof si kan marrë turr,
Si po hidhen curr më curr,
Kish me thânë se jânë kulshedra,
Mos me i rrxue pushka as gopedra…
Prite Zot! me u dalë per ballë,
Pse, kercuna t’perpîjn gjallë!
Jo qi mâ m’pushkë e m’tagan
Nuk të lânë me lypë aman:
Ki’n me m’prû mue ditt e kobit.
Ah! mallkue, po, njaj bír robit
Qi mâ i pari mbí ket dhé
Qiti gjinden n’luftë me u pré:
Shka nuk bâjn ujq as shkerbé.
Atê, po, at zêmer-carâ
Vetë kulshedrat e kan llâ,
Q’se, prej epshit me shkelë m’tjerë,
Me rrmye gjân e huej pa nderë,
Nuk pat dert per nana t’mjera,
Qi nper luftë t’i thate vera,
Dhîma e fmîs zêmrat t’u a kpuse.
Mirë po thue, besa, moj nuse,
Por shka t’bâjsh nuk ké n’ket pûnë:
Me qindrue t’duhet perdhûnë:
Me bâ zêmren mije lisit;
Pse edhè jé ti ‘i grue prej fisit:
Malazeze sokoleshë:
Vashë, si motit, trimëneshë:
Qi per Fé ti e per lirí
Msue ké kênë me dalë n’ushtrí,
Me lidhë varrët e djelmve t’ue,
Me u dhânë zêmer, me i trimrue
Krena Turqish per t’shkurtue.
Mos t’lshojë zêmra, pra, as n’ditë t’sotit
Ke thânë paska kênë prej Zotit,
Me mbetë ti nanë e pa djalë,
Zêmra me t’u thá per t’gjallë.
Se mana, moj nanë e mjerë,
Keq po m’vjen zêmren me t’therë,
Por tý djali tëká mbetë,
E faj’n, thom, se e ké ti vetë:
Ke sokol djalin kish’ rritë,
Mos me zânë trimi kund n’pritë,
Mos m’i u shmàngë trimi rrezikut,
Por per ballë me i dalë anmikut
E me tê në log me u pré,
Si me kênë s’dŷti tue lé;
Thue se trimit shkallma rrfé
Kryet s’i a rrokullon nper dhé.
Prandej, kur m’tagan Malcija
Ajo rràni, si duhija,
Njaj yt-bír, Llazo Gavrani,
Njà as dŷ djali s’i a bâni,
Veç, si gjarpni nalt prej bunget,
T’flakuroi jashta nji cunget,
Per mbas s’cilles vend kisht’ zânë,
Pa i a dá m’ « zdragushë » tue dhânë
E t’u duel Lekve në ndesh,
Hapu, zmbrapu nper bushnjesh,
Kê pa krye, kê lê pa vesh,
Me at tagan, me at armë besnike,
Qi me gjak kurr nuk po u ngike!
Me pasë pá, veç, moj fisnike,
Se s’di kush, jo me t’kallxue,
Se me ç’turr djali t’kje lshue:
Pelivan e trim drangue!
Preu nder tjerë, po, i biri i botës
Dedel Bubin t’Bub Keçotës,
N’atà Pelajt nji mâ të mirin,
Mandej prete njat Ujk Mirin:
Nji të Vukel, burrë belá,
Qi t’kisht’ shitë moter e vllá,
Kund n’ndo’i pare po ‘i kisht’ rá:
M’but e m’vesh kryet i a ká çá,
Derdhë i a ká krejt trût perjashta:
Si grreç kjumshtit i mbet rrashta!
E, si aj ujku, qi msŷn ftujen
T’âsht lshue djali prap m’Kolë Cujen
M’njat Kolë Cujen n’« kacaturrë »:
Sá per sŷ, pêsë pare burrë,
Por, per zêmer e gajret,
Mos me e trêmë as Knjazë as Mbret
Kin’aj kryet ktij m’i a shkurtue,
Dhantí Knjazit me ja çue.
Kur, pa pritë e pa kujtue,
Qe po msŷjn dy djelm të rí:
Në çakçirë e në xhurdî:
Njatà vetë qi, m’at sŷ malit,
Tuj ankue hallin e djalit,
Tŷ t’u bânë se jânë kulshedra
Mos me i mârrë pushka as gopedra;
Por qi s’janë, jo, dŷ kulshedra,
Veç se po, besa, moj Jane,
Dy drangoj të lemë njaj nane,
Mos me i pré shkallma as tagani:
Bec Patani e Çul Patani,
Qi kah rrânë atij mejdani,
Kah lshuen turrin m’çeta t’Knjazit,
Thue, dyndë deti prej tallazit,
Po plandosej kund ndo’i shkrepit:
Kaq pre’atij të madh gazepit
Atŷ u dha krisma e rropama,
Atŷ u ndez lufta e degama,
E t’ushtoi zhurma e potera,
T’u çue plûhni e t’u çue era:
E t’u thyen krenat si poça,
E t’me’n shyt burrat kaprroça,
T’u dermuen, heu! do djelmoça
Do djelmoça si taroça,
Me i u dhîmët gurit e drunit,
Jo se mâ nanavet t’veta,
Qi i ki’n rritë me gjak të zemers.
Ah medet per Nesh Jovanin!
Ah kukù per Nikë Stjepanin!
Mjera nânë per Gjokë Serdarin!
Qyqja moter per Llazarin!
Nuse zeza per Todorin,
T’cillit hapë, besa, krahnorin
Me tagan Beci i a ká:
Si edhe kryet ky i a ká çá
Njatij Gjuros, qi per Shkjá
Sho’in mâ trîm kund s’i a kam pá.
Atŷ, po, n’at paçariz,
Mbet yt-bír, ofshe! m’nji driz:
E preu Çuli per mjedis!
Eh! mo’, Zot, mâ keq per né,
Qi na rá kjo namë-rrfé:
Mos me mûjtë Shqyptarë e Shkjé
Me bâ hije bashkë mbí dhé;
Por me u vrá e por me u pré,
Kudo atà me i qitë neshtrasha.
Por ç’kan malet qi po ushtojn?
Por ç’kan prrojet qi gjimojn?
Shka vrân vetllat Mark Milani?
Thonë ká msŷ Rrushman Hasani!
Njeky Rrushi, ‘i shpatë e gjallë,
Dredhun shallin rreth per ballë
Vjerrë « martinen » per nen krah,
Kthelltë kuburet rrasë n’sylah,
Edhe priçet mbathë per kâmë
Per mnderë tue kercnue me dhâmë,
Tue lurue, tue turfullue
Si kulshedra neper kneta,
Ká lshue turrin mbí do çeta
Mbí do çeta t’ Malit t’ Zí,
Thue se gjallë do me i perpî.
Lum per tý, o ti Zot i lum!
Ç’i ka vû ktij buza shkrum,
Ç’i ka hypë vneri nder sŷ
Kur mí Shkjé trimi ka msŷ.
S’po e ndalë gúr, nuk po e ndalë shkrep,
Po i kcen prroskat kep më kep,
Po i pret gjinden per gazep;
Edhe trimi n’ gjak âsht lá,
Idhtë me Shkjé tuj u perlá,
Kê tue pré, kê krés tue çá:
Qi me sŷ ti t’a kish’ pá,
Besa, ‘or probe, t’ kisht’ hî mndera.
Ç’t’u perpushen Shkjét m’ at hera,
Edhe m’ shpinë atij ç’ jânë lshue,
Me tagana n’ dorë shterngue;
Por jo kush atij m’i u afrue
E m’ tagan me sjellë per s’ ngiatit;
Pse, ka’ i epte Krushi shtatit,
Me nji hije malukatit,
Friget Shkjét u derdhshin shpatit:
Si ato dejkat, qi lshue m’ shpinë
Ndonjâj orrli-gjeraçinë,
Para e mrapa n’ ajr tue lvitë,
Plym shkojn shpendin tuj e nzitë,
Por kurr teper, jo, m’i u avitë;
E kur ky t’a msŷj ndonjânen,
Ato t’ gjitha mârrin ânen
Edhe derdhen nper ajrí,
Si ajo hjedha lshue flaurí.
Proh, ti o Zot! Rrushi ç’ po hidhet,
Se ç’ po hidhet, ç’ po permlidhet,
Se edhe toka fort po dridhet,
Kah po lshon turrin mbí Shkjé,
Kah po i hjedhë krenat nper dhé,
Si t’ ki’n kênë kokrra bastanit,
Tue i plasë zêmren Mark Milanit.
Mark Milani, pika e djalit,
Ndêjë kundruell m’ at vetull malit,
Kur ká pá aj sa djelm nanash
Shyt po i jitshin m’ at log Zanash
Ká qitë t’ madhe e ká bertitë:
A thue nana ‘i djalë ka rritë
Ká rritë nana ‘i djalë si motit,
Xheverxhil e flakë agzotit,
Qi me u lshue nji herë m’ tagan
M’ at kulsheder, qi aq zalldan
Po m’ u nep ushtarve t’ mjerë,
Kê tue pré, kê prap tue therë:
Tue m’ i bâ kortarë per krraba!
Pasha armët, qi m’ i la baba,
Paçë me i vû nishan në ballë
Paçë me e bâ krushk e kumarë
Dý kubure paçë me i falë:
Dý kubure shkrî në Shkoder,
Larg me i vrá ato koder m’ koder
Mos m’ i a pasë kurrkund « zdragushës »
Armë të ngrîta dore s’ « Tushës »,
Dymdhetë qese me u bâ pari:
Krejt kandakut t’lame n’ari.
Mark Milani kshtû ka thânë.
E ka ndie nji Rahovnjânë:
Qaj Mil Spasi, trim si Zânë,
E ká ndie, edhè fulikare
N’p’r ato rrege e n’p’r ato qare
T’ka marrë hov, si aj derri i eger,
Qi m’kê t’hasë veç t’a bân fleger
E t’a shkyen, po, me do dhâmë,
Kuk turînit ngerthye ‘i pllâmë.
Fort âsht dridhë toka nen kâmë,
Fort flakue i ká n’dorë tagani
Kah ka msŷ drejt kah Rrushmani.
Se ç’âsht gzue qaj Mark Milani,
Se ç’âsht hjedhë qaj Dash Galani:
Dash Galani se ç’âsht hjedhë
Se edhe shkallmen ç’e ka dredhë,
Fíll tue msŷ kah Mili i Spasit
Si ajo ulkoja krés s’Bishkasit;
Si kurr turrin t’mos kisht’ lshue!
Shkjau pse atê t’a ká shkurtue,
Kryet per tokë t’i a ká rrokllue,
Edhe nusen t’i a la shkret,
Me bâ vaj, me bâ medet,
Si ato qyqet në shkorret:
Kisht’ kênë Shkjau ‘i drangue i rí,
M’sisë t’kulsheders llâ kerthî!
Jo, po, Shkjau drangue kisht’ kânë
Ke gjinden pa krye âsht tue i lânë
E tue i lshue dekun m’bushnjesh
Sa kush para po i del n’ndesh.
Edhe trimi dert s’po ká
Pse n’gjak gjinden âsht tue i lá,
Zêmra nanash pse âsht tue thá:
Atij giatë veç se âsht tue i shkue
M’at Rrushmanin pa tokue:
Pa tokue m’Rrushman Hasanin
Per t’a dá me tê mejdanin,
Per t’a vû më ballë nishanin,
Per t’i njitë kuburet n’brez,
Qi atij Marku burrë kermez
Folë i a ká me besë e fé,
Po mujt kryet Rrushit m’i a pré.
Kur, qe, dyndet qaj Kolë Cuja
Lshue musteqet si dŷ duja
Edhe vrap, porsi langoni,
Neper záll e gur t’nji prroni
M’shpinë Míl Spasit zhgjetë ká lshue,
Per t’a pré, per t’a shkurtue,
Shokët e vet aj per t’pague,
Si prej Zotit s’kisht’ kênë shkrue;
Persè Shkjau tek e ká pá,
Ashtû vrap prronit tue ngá,
Nji carâ n’dorë ká perlá,
E tue ulrue si bishë Parûnit,
Me tê i metka shî kupës s’giûnit:
Pak gjâ ashtin pá i a thye.
Briti Kola sa pat n’krye,
Edhe âsht purë e rá per tokë,
Me t’dŷ duert giûnin ká rrokë,
Tue gjimue, tue kqyrë per shokë;
Pse mâ ngusht vedin mbí dhé
S’e kisht njoftë se kishte lé:
Kurr s’kisht’ rá n’nji asì zalldani.
E ka ndie Rrushman Hasani,
E ká ndie edhè njoftë në zâ.
Atŷ n’nihmë trimi i ká rrâ,
Vrap e vrap si katallâ:
Hidhen gurt, po, tue vringllue,
Mbí Shkjá turrin kah ká lshue.
Si ‘i larosh, qi, hekrash pshtue,
Kerleshë qymen shpinës per mnderë,
Zhgjetë t’u lshohet qêjve tjerë,
Me ta haju edhe perlaju,
Dboju shtekut e hendekut,
Tuj ungruem e tue cingruem,
Hikin qêjt nper prroska e lamë,
Shtangue bishtin héll nder kamë:
Njekshtû Shkjét n’p’r at log mejdanit
Hikin podit, derdhen planit
Para ushtimës s’Rrushman Hasanit,
Qi po lshote m’Mil’n e Spasit,
Si kulshedra Lqênit t’Shasit,
Si ajo rrfeja e krés s’Bishkasit.
Fort âsht trandë qaj Mili i Spasit,
Kah Rrushmanin shef tuj ardhë,
Se edhe buza atij ç’i â zbardhë:
Por se shmangë nuk e ká kamen.
M’njanen í shpervjelë dollamen,
Atŷ trimi ká ngujue,
Me tagan në dorë shterngue:
Si njaj derr, qi poshtë-perpjetë
T’a kenë ndjekë langojt e letë
Shpat më shpat, zabel m’zabel,
Edhe t’shofë se shtek s’i del,
Me pshtue sish, me u strukë në breshtë,
Kund m’ndo’i lak, kund m’ndonji kreshtë
Sŷnin gjak, turî’n n’ajrí,
Tue turfllue me shum mëní,
Zên aj vend e rrin e pret,
Qi t’i hudhen hasemt nget,
Per me ta, mandej me u rrue
Fyt-a-fyt, me u laskarue,
E me mbetë a se me pshtue,
Kur ja behë, qe, Bec Patani,
Ballin gjanë si fushë mejdani,
Vetllat zí si penda e korbit,
Sŷnin zjarm si flakë agzotit,
Si ajo rrfeja neper rê:
Dredhë mustakun kacadrê,
Shtatit ardhë porsi harbija,
Gishtat drejt porsi namlija,
Veshë e mathë, edhe shterngue,
Trim i çartun lé drangue,
Me kulshedra aj me luftue:
Mik me t’huej e vllá me shokë,
Nuk i bite, fjalë më tokë
Si hynér qi e kisht’ falë Zoti:
Burrë si burrat qi ishin motit:
Njimend nip i Gjergj Kastriotit.
Ky pá paska Mil’n e Spasit,
Ke flakue ka njatij rrashit
Edhe rrâ ká nder malcorë,
Me tagan shterngue në dorë,
Sikur merr pjalmi me borë;
E ká pá por njoftë s’e ká,
Veç se Shkjá si ç’do nji Shkjá,
M’ tê, edhe trimi ká marrë turr
Shtek më shtek e curr më curr,
Dér qi ardhë ká e dalë n’ at záll,
Kû njaj Mili shpatë e gjallë,
Idhtë në dorë shterngue taganin,
Per me u ndeshë m’ Rrushman Hasanin:
Por si pîtas, ftyret zbé . . .
Ballë per ballë me tê me u pré.
Tek e shef Beci atê e njef,
Edhe turrin vjen tue e ndalë.
Ki’n pasë kênë miq e kumarë,
Gjakun bashkë edhe ki’n pí
Do vjet para në Mal t’ Zí,
Kur njaj Beci n’ shpí i pat shkue
Bashkë me Çulin, per me i pshtue
Duhís s’ Mbretit, qi u kisht’ lshue
Pare t’ madhe m’ shpinë, me i zânë
Gjallë a dekë, laik me u dhânë,
Per njat t’ ngratin mor’ Bymbash,
Qi kta e lshuekan laradash
Atjè n’ Lesh, e e bâkan dekun.
Çuli e Beci, shkrel prej Bzhetet,
Ki’n pasë kênë dy hasem t’ Mbretit,
Qi kurr dá s’ i a ki’n gazepin:
Herë the xháden, herë pre telin,
Gjuej zaptít, nizamin vraja,
Nis degame kot se i’n gjallë
Me spahí e me myltazima:
Hasharí, djelm kapisuza,
Kahdo shkojshin, kahdo vîjshin
Dy gur njitë kund nuk i lîjshin.
Prandej Mbreti dhânë kisht’ êmer,
Gjallë a dekë, të dŷ me i zânun.
Edhe n’ Shkoder Vali Pasha
Çon e thrret njat Ali Qorrin,
Njat Bymbashin e Dauletit;
E ngerthye vetllat m’ shtek t’ ballit,
Kshtû nisë idhtë aj me i ligjrue:
Pa ndigjo, Bymbash i Mbretit:
Nji turk dini ti mos kjosh,
Ramazanin e njinosh,
Kurr bajramin mos e gzosh
E haram t’ kjoftë buka e Mbretit,
N’ kje se ti dér neser mbrama,
Si t’ fillojë dielli me marrë,
Gjallë a dekë ktû n’ hyqamet
Nuk m’ i bjen t’ bijt e Patanit,
Qi aq zalldan halís po i apin
M’ « tyrbe » t’ Lezhës e m’ Kalá t’Shkoders.
Ali Qorri m’ kamë âsht çue,
Mirë âsht veshë, mirë âsht shterngue,
Mirë dorín e ká shilue,
Edhe m’ shpinë a’ i ká këcye:
Fíll per Lesh rrugen ká msŷ:
Ká msŷ rrugen me t’ mdhej hapa,
Me treqind sejmen permbrapa.
Kur kan rá atjè kah xhamija
T’ fortë idhnim ká kapë Alija,
Se fort hjedhë âsht « shah » dorija:
Shkrepë kalldrami zjarm e shkndija:
Çudë po bân qaj Kajmekami.
Para e mbrapa i shkon nizami:
Çudë po bân, me pvetë ká çue:
Ti, Bymbash, kah don me shkue?
M’ at ânë t’ Drinit, n’ kjoftë gjikue
M’ at ânë t’ Drinit m’ trap të Lezhes.
Fort po i bín ushtarët trompetës:
Ká mârrë gjamë Kodra e Marlekës:
Se ç’ ká ushtue ajo rrânxë e malit,
Thue, âsht dyndë deti prej tallazit.
Nisë janë topat prej Tivarit,
Per me u rá bijve t’ Patanit.
Nana e Becit del në derë,
T’ dyja shplakët tue rrahë p’r ‘i herë,
Ká lutë Zot e Shêjt Shna Ndue:
Dilni, bre, se jem, t’ rrethue?
Kur kan dalë t’ bijt e Patanit,
Si dy arí prej bigës s’ njaj planit,
Se ç’ i a njiten Ali Qorrit
Me dŷ plume m’ drrasë t’ krahnorit,
Tue e hjedhë shakull n’ mes t’ oborrit;
E nper flakë t’ pushkve t’ taborrit:
Kan marrë shpatin tue flutrue,
Dér n’ vá Bèlaj qi kan shkue,
Kû atà Buenen kan kalue,
Edhe dalë kan n’ Mal të Zí.
Fíll Mil Spasit vojtë kan n’ shpí.
Edhè Mili pritë iká,
Bukë e krypë me ta tue dá,
Porsi pasë t’ i kishte vllá.
Burrit t’ mirë kurr nuk i âsht ndalë
Pushka, sofra, e fjala fjalë.
A m’ rrêjn sŷt a jé ti, probe,
Milo Spasi?.. se un qi, tobe,
Nuk kam mûjtë kurr m’ e mendue
Se ktû m’ tŷ kam me u tokue:
Nsa po grîhemi n’mjet vetit,
Si ato bishat e shkorretit:
Bec Patani po pëvetë.
Jo, po, Milo Spasi vetë
Jam, lum Beci, probatimi
Po ja kthen; n’míll edhè trimi
Qet taganin m’gjak perlye.
I â avitë Beci e t’dŷ krye m’krye
Janë falë trimat. Po si jé?
Si t’ká shkue moti n’at dhé?
Si i ké robt e gjân e gjallë?
Po e pëvetë Beci me mâll.
Gjallë me frŷmë e sa me thânë,
Fjalen Mili at herë ká zânë,
Ngerthye shllungë do vetlla t’trasha.
Veç sa mirë m’qiti neshtrasha
Me t’hasë sot, qi tash kamot
Kam dishrue, manà, me t’pá,
Si me t’pasë treqind herë vllá!
Thue, me pá tŷ a t’ka tokue
Si ‘i balosh, hekrash shlirue,
M’nieri t’huej lshon si i terbue,
Thue po e bân kortarë-kortarë,
Kur t’a shofë vetun tue ardhë:
Ndersa, kur ktij t’i dalë para
Zoti i shpís—miku a kumara—
Per me i prî m’e çue te shpija,
Baloshit i shuehet mnija:
Edhe turrin aj tue ndalë,
Lehtas bishtin tue e luhatë
T’huej’t i avitet dalkadalë,
E, si ‘i herë t’a ketë njuhatë,
Trok m’trok para vetë i prîn,
Si t’isht’ klysh ase kalinë;
Njekshtû, po, Rrushman Hasani
Kur ká pá se Bec Patani
Me at Mil Spasin faqe m’faqe
N’mndyrë t’Kanûs s’Maleve âsht falë,
Turrin trimi atŷ e ká ndalë:
E lavjerrë ato musteqe
Toje toje dér m’sylah,
«Huten» vjerrun per nen krah,
Llanës per s’t’gjatit tue i shkue gjaku
Sŷnin zjarm, po, sa taraku,
Taganin ká qitë në míll,
Edhe trimi ká shkue fíll
Mah Mil Spasi e doren shtrî,
A jé burrë? si në habí
I thotë Milit—T’paçim, burrë!
A po mahe? si t’u ngurrë
I a pret shkjau e pîjtas ngeci
Se ti, Rrusho, po zên Beci,
Njeky â ‘i probatim i êmi,
Milo Spasi, qi n’Rahovë
Marë i hecë pushka e kuvendi,
Edhe vrá ká turq manova,
Si me gjuejtë poça a katrova:
Jo qi atje në Mal të Zí,
Shka â Shqyptar e kryqalí,
T’a ká nihmë e krah të djathtë,
N’bukë e n’krypë, e n’besë të burravet.
Se un e Çuli, kur në Lesh
Patem vrá njat Ali Qorrin
E i pá’m rá Mbretit hasí,
Fíll kem’ dalë e vojtë n’Mal t’Zí,
E per mik ktí i kemi shkue
Trí vjet rresht n’shpí i kemi ndêjë:
Bukë e mish, rakij e vênë.
Shka ká thanë Rrushman Hasani?
Manà, prá, ti, ‘or Bec Patani,
Mik të mirë na paske zânë:
Se edhè ashtû âsht si jé tue thânë,
Q’se trimi aq kthelltë kênka shtŷ
Idhtë taganat tue shkelzye:
Gjylja e plumja rrih pa prâ.
Sa per kaq s’do me thânë gjâ,
Milo Spasi po ja kthen
Per t’giatë t’lumit poshtë rrmen
Edhe kunglli: pse kurrneni
I a nep t’shtŷmen: veç se rendi
Atí i vjen, besa, dikúr,
Per ndo ‘i rrâjçë me u thye, a m’ndo ‘i gúr.
Atŷ at herë shqekut t’xhurdinit
Merr e zier Rrushi kutín,
Ka ‘i duhan edhe e kan pshtjellë;
E, ndersa Beci po shkrepte,
M’gúr m’unuer, Rrushi po i thotë
Mil Spasit: Ka Zoti ‘i djalë
Nja trí vjetsh, qi atje te shpija
Âsht kah m’rritet. N’kje se i Lumi
Ká premtue, qi shndosh me krye
T’skapullohna kso potere,
M’a don hatri, qi ti m’Shkrel
T’vîjsh e djalit t’m’i a mârrsh flokët:
Po kam qéf me t’bâ kumarë.
Per ket besë edh’ un t’kam ardhë,
Po i pergjegjë i rahovnjani;
Edhe zier revolen brezit:
Nji revole Karadakut,
Me « pêsë numra », qi mâ e fortë
S’ bâhet pushka: e falë Rrushmanit
I a ep, me namlí prej vedit,
Rrushi at herë nji pip argjanit
Atí i fali: pip telishit,
Me ‘i çilibar m’ tê sa i voe,
Hollë punue në trajtë t’ nji gjarpni
Leqe-leqe, prej t’ permendunit
Kujunxhí, Tuke Jakova:
Pêsqind grosh tanë pare n’ dorë.
Mandej Becit merr e i thotë:
Ndigjò, Beco: prîj tash mikut
Edhe tej llogoresh s’ ona
Qite shndosh. Hajdni: udha e marë!
Edhe u dán prej shoqisho’it:
Beci e Mili drejt Sutjeskës
Merr Rrushmani lakut t’ bjeshkës
Sŷnin zjarm si zharri i eshkës.
Zot, ç’ piskati njatij malit?
Rrustem Uka, djalë i djalit.
Rrustem Uka n’ Qafë-Hardhí,
Me nja treqind djelm barí,
Ká zânë pritat Malit t’ Zí,
Mos m’ e lânë me dalë n’ Gucí.
Kur, qe, atŷ po i shkueka zâni
Se n’ Sutjeskë po bâhej nâmi,
Tue rrahë topi edhe havani,
Ka’ e rrethueka Mark Milani,
Me taborre t’ Karadakut:
Rrjedhë der m’giû aj shkulmi i gjakut!
Rrustem Uka m’kâmë âsht çue,
Der m’Sutjeskë ká fluturue,
Me treqind sokola malit,
Pak gjâ dielli pa prendue.
Kur ka dalë m’at vetull malit,
Ká britë t’madhe Rrustem Uka,
Sa qi ushtuen male edhe suka:
Ngul, Malcí, bre, se t’a rrina,
Me treqind e sa « martina »!
Edhe trimat n’luftë janë hjedhë,
Porsi breshni mbi vêshtnajë,
N’dorë taganat idhtë tue dredhë
« Hutat » n’dorë t’u ndêjë tymtajë.
Se fort lamsh trimat janë pshtjellë!
Se shum krenat dheut janë mjellë!
Shum perplasë janë gjindja rrahit,
Kush cur veshit, kush cung krahit!
Rrkajë gjaku ç’po rrmen giatë podit!
Ç’t’i zên sŷt tymi i barotit,
Si veç falë i kjoshna Zotit!
E t’u dha gjâma e ulurima,
Vrrima, brima e bulurima,
Kah janë ndeshë trimat me trima;
T’bumbulluen top e havana,
T’shungulluen « huta » e shejshana:
Thue po shâmej Haramija,
Vizitori a Metohija.
Veç desht Zoti e prendoi dielli,
E u shkref lufta atŷ nji filli,
U dán çetat palë e palë,
Edhe hâna nisë me dalë.
Gjergj Fishta