Kangë e njizeteparë
Amanet, o mori hânë,
Ti qi e vjeter ké qillue
E m’i vjen tokës rreth e okolle,
Kah t’u endë shkon rrés s’hyjzueme:
T’cillen gishti i Perendís
T’a ravisi kupës s’Empirit,
Kur me rreze ballin t’ndriti:
Amanet, a din me m’thânë,
Se a t’ká rá ndo’i herë me pá
Kund mbí shekull njeksi kobi
Qi po t’bjen me pá tý sande
M’at të mjeren moj Sutjeskë?
Shpat, rudinë në gjak blirue
Rrah per tokë gjindja trinue
Njâni mbétë, tjetri varrue,
Dikush shyt, dikush cungue,
Ky tue hjekë, aj tue rektue,
Mbí tokë t’zezë shtatin pushue
E asnji gúr, jo, per nen krye:
Garravâxh, mrrudhë kamë e krye:
Kush currue, kush mbetë pá krye:
Kush permys, a praptë mbí shpinë,
Rri e perplasu nper ledinë:
Perplas kamë e perplas duer
Kukzò shtatin per terthuer:
Si njaj kau i mbajtun n’grazhd,
Kur t’i mrrîje thika n’asht,
Qi terhiqet e perpiqet
Edhè ep per t’madh gazep
Kah vjen shpirti per me dalë!
Tý, o Zot, të kjoshim falë:
Hokubèt me sŷ me u pá!
Ktû nji i Vûthaj në gjak lá,
Dekun purë, palmuç m’nji shkjá
Me nji vesh t’curruem nder dhâmë:
Mâ pertej nji shkjá m’dollâmë,
Nji i Njegushas, djalë i rí,
Me ‘i t’Plavnjanë, musteqezí,
Randë shosho’in varrue per dekë
Tue dhânë shpírt e ashtû tue hjekë
Shkelveshë ftyre, hundësh cungue
Çurril gjaku rrkajë tue u shkue
M’dhâmë dermishen si dŷ derra,
Si dŷ shlliga neper ferra,
Tuj u shkarrafendë mbi dhé:
N’mní t’shoshoqit ke atà lé,
Po, edhe at herë, kúr Deka e tmershme
Ka’ i dermon âsht n’jetë t’perhershme,
Nuk u bâhet shpírt me dhânë
Njâni tjetrit pa i a zânë
Frŷmen njak, e dekë m’e lânë.
Shum e nana, ah! ká me kjá,
Shum e motra ká me u thá
Me u thá motra per vëllá,
Edhe nusja veshë në zí
Si n’Shqypní si n’Mal të Zí;
Pse s’e ké n’at fushë mejdani
Nji kaçubë, nji kep carani,
Permas t’cillit mos t’gjimojë
Ndo’i i varruem, a mos t’eshtojë,
Shtangue cangull, trup i dekun:
Se edhe as kamen ti me thekun
S’mundesh shpatit prej morije
T’gjindes s’mbetne, e qi mâ hije
Nuk do t’bâjn, jo permbi dhé.
Lmuç per tokë Shqyptarë e Shkjé,
Shtrêmtë shosho’in per t’gjallë shikjue
N’at log Deka ká vllaznue:
Ke, herrë krenash, keq shemtue,
Trupent shyt rán krah per krah
Si atà cûjt e zez në rrah
Ndersa krenat, nper lugina
Rrokullisun nder rudina,
Po u rrín grumull mbi ledina,
Si ato rosat neper glina:
Se edhe podit, nder plakrrica,
T’janë perzí «ksula» e «kapica»,
T’janë kryqzue «huta» e «novica»
Mjellë âsht qarrja me tagana,
Me calina e me shejshana:
Ktû ‘i «sylah», atje ‘i «harbí»
Kndej nji strugë, ande’ i xhurdí:
Gjalma, opanga, edhè caruqe,
Strajca buke, zhaba, duqe:
E me poça, e me matare,
E me feje e zanamare,
T’mbetne shkret neper bunjet:
Me bujrija e lodertija,
E me topa hûmë nder gropa;
Dyndu tymi rê e njegull:
Shêmu trá, cungàl e tjegull:
Edhè muret t’u rrenue,
Edhè ulkoja tuj ulrue
Tuj ulrue e tuj ungrue
Mbi të mjeren moj Sutjeskë,
Qi t’âsht bâ sod zhiri e eshkë:
Me i u dhimtë minit në múr,
Me i u dhimtë gjarpnit nen gúr!
Pater Gjoni, Zot! ç’u bâ?
Fíll te Pasha po kisht’ rrâ,
Edhè i thânka marë e marë,
Tue e ndie Krén e Bajraktarë:
Si, mo’ Zot! mâ keq per né,
Qi na me’n t’dekunt mbi dhé
Krye per krye Shqyptarë e Shkjé
Me ngrânë m’ta shqarth e shkerbé,
Me ngrânë m’ta sorrë e falkue;
Qi edhè ndiehen tue gjimue
Të varruemët per tokë dermue
Kush shitue, kush keq cungue,
Zêmra gjak, po, me t’pikue
Pa mûjtë kush nji nihmë me u a çue:
Ke perbáll sogjet vendue
Nuk lânë vizen me kalue.
Se ata, burra, nuk janë cuba,
Qi kan mbetun nper kaçuba,
Krye per krye me skraptha e shlliga
Tue kerkue per punë të liga
Per hajní e per dhuní;
Por janë trimat,qi burrnisht,
Kamë per kamë e gisht per gisht
Me shokë t’vet në luftë kan rrâ,
Kush si bishë, kush si luâ.
E m’kto rrege e ndër kto hije,
Pa u friguem, jeten bânë flije,
Per mbas urdhnit, qi kan pasë.
Prá kurrkund, besa, s’ká giasë,
Edhe âsht faj, po, para Zotit
E korí perpara robit,
Me i lânë t’dekunt permbí dhé
N’dashtë Shqyptarë, n’dashtë të jenë Shkjé;
Si edhè n’hall t’varruemët me i lânë,
Pa u lidhë varrët e nihmë pa u dhânë.
Prandej vetë kam bâ pleqní
Po u duk juve se âsht urtí
E Shqyptarve u a bán shani
Fill me shkue un te Mark Milani
E nji besë me tê me vû:
Qi dér neser, me ferfllue,
Hylli i Dritës mos t’ketë fillue,
Shka â Shqyptár e shkaf â Shkjá.
Mos me u ngucë, as mos me u ngá;
Por me rmue t’dekunt ndër vorre,
Por me bartë t’shituemët n’llogore
Në llogore t’vet se i cilli.
At herë Pasha kuvend çili:
Besa, Uratë, fort mirë po thue;
Pse per t’dekun e t’varrue,
Gjindja motit besë kan vû
Kurdoherë, si ktu, si njeti.
Prandej merr kê t’duesh me veti:
Krye, Vojvodë a Bajraktár,
Gjithsi t’vîjë puna mâ marë:
Edhè shko te Mark Milani
E t’na i thuejsh, se, n’kje qi e bâni
Vetë kabúll, qi t’ mêjë zijani
E t’ shuej pushka dér n’ sabah,
Me dalë gjindja neper rrah
Pa pushkë n’ dorë, pa thikë n’ sylah,
Si kanû në luftë ká mbetun,
Per me bartë t’ dekun e t’ mbetun,
Na jem’ gati me vû besë
Dér me dritë, pa asnji ngatrresë.
Pater Gjoni, njeshë m’ litár:
S’ marr Vojvodë, as Bajraktár;
Por shkoj vetun me rrogtár
E me t’ Lumin, kjoftë levdue!
Qi kurr doret nuk m’ ká lshue.
Pse edhe hije per mue ká,
Nder dy hasem n’ mjet me rá,
Pushkë e fjalë un per me dá:
Prandej s’ mundet kush me shá
Se po lypi ndermjetsí
Prej Shqypnis e Malit t’ Zí,
Dér qi drita t’ nisë me gdhî.
Edhè Frati m’ kamë âsht çue,
Mbathat kamve ká shterngue:
Ká shterngue ijen m’ konop
E ‘i rubë t’ bardh lidhun mbí shkop
Me rrogtár të rí mbas vetit,
Ká mârrë rrugen poshtë shkorretit,
Per me u pjekun m’ Mark Milanin.
Kur ká mrrîjtë n’ log t’ Malazezvet,
Ká bâ zâ sogjes per s’ largu:
Pa ndigiò, moj Cernagore,
Qi per trim e deilekí
Larg t’ ká vojtë tý nami e zâni,
A thue bân ti mue me m’prî
Edhe shndosh me m’çue ktij logu
Dér te posti i Mark Milanit:
Se mue ktû më kan dergue
Komandarët e ushtrís shqyptare,
Per nji fjalë të madhe fort
Me i a thânë un Mark Milanit.
Hiqi armët, per n’kjoftë se i ké,
Edhè fill mbas mejet eja.
Se ktû lajmin kush s’e vret
Kush s’e vret, as kush s’e nget:
S’jemi turq, por Cernagore!
Se kem’ besë e kemi ndore:
I a kthei sogja malazeze
Disi vrashtë, e i prìni logut.
Kur kan mrrîjtë te Mark Milani,
Marku mirë Fratin e priti;
I dha doren, mrendë e qiti
Në shatorre, e i prûni kafe,
Edhè çili me tê llafe,
Tue e pëvetë me shum njerzí:
Se a isht’ shqyptár a Frat ltî,
Se kah vîte, se kah shkote,
Ç’zihariq te aj e çote.
I u gjegj Frati marë e marë:
S’jam ltî, por jam Shqyptár.
Edhè jam nji rregulltár
«Kallugjer», si ju na thoni
Êmnit m’quejn mue: Pater Gjoni,
Mârrë gjithmonë veç me pûnë feje;
E ktû dalë kam para teje,
Per me t’lypë n’êmen t’njerzís
Edhè n’ êmen t’ Perendís
Nji të madhe nderë bujare.
Rrege, stome, brîja e çajre
Plym me t’ dekun janë e t’ mbetun,
E as s’ po mundet kush me u gjetun,
Qi me rmue t’ dekunt nder vorre,
Qi me bartë t’ shituemët n’ llogore,
Ke perbáll sogjet vendue
S’ po lân vizen me kalue:
Edhè kshtû Shqyptarë e Shkjé
Kan mbetë, ofshe! permbí dhé,
Me ngranë m’ ta shqarth e shkerbé,
Orrla, shqype e kaçubeta.
A thue bân, pra, t’ u ngiatët jeta,
Me Shqyptarë me vû nji besë,
Besë si motit: pa ngatrresë,
Qi dér neser, pa fillue
Hylli i Dritës me vezullue,
Shka â Shqyptár e shkaf â Shkjá
Mos me u ngucë, as mos me u ngá:
Por me dalë gjindja nper rrah,
Pa pushkë n’ dorë, pa thikë n’ sylah,
Si kanû gjithkund ka mbetun,
Per me bartë t’ dekun e t’ mbetun:
N’ vorr të dekunt tue konisë,
Të varruemët prap tue mengjisë,
Tue i forcue me shûjtë e bare.
Kjo Parija e ushtrís shqyptare,
M’ a ká dhânun fjalen mue,
Se ket besë gadi âsht m’ e vû,
Dér me nesre tuj ague.
Pade ti, tash, shka po m’ thue.
T’ nihmoftë Zoti, ‘or i bekue
Qi ksajë punë i a paske hî,
I a kthen Marku me njerzí.
Edhè mue më ké n’ ket besë,
Pa ndo ‘i zhibel, pa ngatrresë.
Veç se ‘i gjâ deshta me t’ pvetë,
N’ kjoftë se hatri s’ ka me t’mbetë:
Si kjo punë mundet me kênë,
Qi, ti i kshtênë e na t’ krishtênë,
Me kryq n’ dorë e me kryq n’ ballë,
Turkut n’ nihmë ti me na i dalë?
A mâ mirë ju rob nen turk,
Me u rá shpinës e me u llomitë.
Mandej gjân jue me u grabitë:
A po ortakë me u bâ me né,
Tue ruejtë doke, giûhë e Fé,
E tue njoftë per Gospodár
Knjaz Nikollen, trim bujár,
Dér dikû edhè ky Shqyptár?
I a kthen Frati marë e marë
Si ká hije p’r ‘i Meshtár
T’ u ngiatët jeta, Komandár?
Se kurrkund, besa, s’ âsht ngaja,
Me hî tash nder kso fjalësh t’ mdhaja:
Pse ka shkue bukur do natë,
E nper shpat t’ varruemët e ngratë
Janë tue u thá, ndoshta, per ujë;
Por at fjalë mue mos m’ a thuej,
Mos m’ a thuej as mue as kurrkuej,
Se un me turk kam dalë n’ ushtrí,
Per t’ luftuem me Mal të Zí;
Se s’ âsht gjâ, besa, ajo fjalë.
Un, zotní, n’ushtrí kam dalë,
Jo me turq, por me Shqyptarë,
Turq a t’kshtenë, si janë gjith marë.
Pse, si t’kshtênë, si muhamedan,
Shqypnín s’bashkut t’gjith e kan;
E prandej t’gjith do t’qindrojm,
Do t’qindrojm e do t’luftojm,
Do t’bâhna kortarë-kortarë
Priften, Freten, Hoxhallarë
Per Shqypní. Jo, po; as ti vetë
S’ké dyndë top e bajonetë,
Per të zjerrun turqit «dinit»;
Por per t’shtruem Shqypnín e shkretë
Pak me thânë dér m’valë të Drinit.
Sa per kshtû t’ngiatët Zoti jeten!
Edhè un Frati, tham t’verteten,
Bashkë me turq bâj flije vehten:
Varem n’krrabë, lidhem n’vargoj,
E Shqypnín un nuk e lshoj:
Nuk e lshoj, as shum, as pak,
Per pa t’bâ tý, Karadak,
Pllamë per pllamë me e lá me gjak
Pale ti: kû thotë Unjilli
Qi nji Frat shqyptár, i cilli
Të ketë pá, se nji ç’do Mark
Don Shqypnís m’i a vû giû’n m’bark,
Aj me ngelë si pushkë pa çark:
Dordolec n’mjedis t’bostanit:
Si me thânë, as i taganit,
As i zoti i fushës s’mejdanit;
Por dishka si huti m’shpardh,
Si njaj poçi vjerrë mbí gardh,
Veç mos t’thohet se nji Frat
Paska ndêjë turkut per ngiat
Edhè at herë kur ky me tjerë
Pushken n’dorë, zjarmin në gjí
Po luftote per Shqypní.
Jo, zotní; pak mâ kadalë:
Se s’âsht gjâ, besa, ajo fjalë.
Sa per punë qi ti po m’thue,
Knjaz Nikollës na me i u shtrue,
Burrë i mirë pse ka qillue,
Un nji fjalë diej me t’kallzue:
Me shka m’dán neshtrasha mue,
N’mos i paça mendt mbí hatull,
Mali i Zí nuk ka vorr m’shpatull.
Vênu shêj ti fjalve t’mija:
Se do t’vîjë, po, lum zotnija,
Koha n’t’cillen Shqyptarija
Zojë m’vedvedi ká me dalë;
Por, m’fal faj’n ti per ket fjalë,
Mal të Zí mâ s’ká me pasë:
Serbi vllá do t’a humbasë,
Pa kqyrë t’drejtë, pa kqyrë arsye.
Serbin shqype ké mbí krye:
Ká per t’lânë ky 'i ditë pa sŷ,
Kthelltë në rrashtë, po, tue t’i grrye.
Se kshtû hecte n’shekull lodra:
Ulu male e çoju kodra.
Me gjithkta, tha ‘i plak n’Balkan;
Fjala mort, as darsem s’ban.
Kshtû tha Frati, e u nis me shkue,
Mark Milani, ‘i trim drangue,
Atij doren ká shterngue,
Me fjalë t’ mira tue e pershndetë,
Si zotní qi isht’ kênë aj vetë.
U dha urdhni nji herë sogjevet,
U lshue zâni mandej logjevet,
Duelen gjindja at hera podevet,
Vorruen t’ dekunt, mbetun stomevet,
M’ vigj t’ varruemit barten rrègevet,
Shqyptarët t’ vett e Shkjét të vett,
Gjith se i cilli n’ llogor t’ vet.
Pater Gjoni po i vjen shpatit,
Me at Nikë Gjonin e Kastratit,
N’ nám e n’ zà ky per mjeki:
Lypë e thirrë gjithkund n’ Malcí,
Frati rrfé e Nika pré:
Vojò gjinden Pater Gjoni,
Të varruemt sherò Nikë Gjoni,
Si të kshtênë, si muhamedan:
Dlirju varrë, vênju mehlêm,
Pa kqyrë fort se kû po i dhêm:
Per ngut pûna ndryshe s’ bân.
Kështû Frati tue bekue,
T’ gjallë e t’ dekun tue ligjue,
T’ shituemt Nika tue sherue,
Forcë me fjalë gjithkuej tue i dhânë,
Ulë â ushtrija bukë me ngrânë
Staje-staje e çeta-çeta,
T’ gjith rreshtue mbas fisesh t’ veta:
N’ krye të vendit Bajraktarët,
Mandej Krént, mandej Gjobarët,
Me djelmní e me Vogjlí,
Mbas kanunit në Malcí
Xueren plloskat me rakí.
Tue i kaluemun dorë më dorë:
Xueren bukë, xueren laknorë,
Shpatlla mishi, kurmagjakë,
T’ kshtênët mish derri, trashë nji shplakë
Hudra, djathë e harmagjikë,
Qi ndër shtrajca e ndër calikë
T’ shpís me vedi u ki’n pasë dhânë,
Edhè zûnë atŷ me ngrânë,
Shoq me shoq tue biseduem
Per të vrám e per t’ shituem
E per shka n’ at ditë ki’n pá
Kah dermishë ishin me Shkjá,
Si atà derrat me harusha,
Sa qi dridhë i’n mali e fusha.
Si kan ngranë e si kan pí,
Janë çue trimat e kan hî
Me ndreqë « tabe » edhè llogore
Atŷ-ktû neper terthore:
Me çilë gropa edhè hendiqe,
Me rrxue landë e me zânë shtiqe:
Trimat mirë tuj u shterngue
Prap n’ e nesret me luftue,
Hylli i dritës tue vezullue.
Bec Patani, ‘i zog petriti,
Njizet shokë, m’ anesh i qiti
Njizet shokë, hekur me bré,
Zânin pushkë, synin rrfé:
Mos me u a dalë per vrap shkerbé
Edhè u thotë: Na, se kem’ lé
Terrnakop s’ kem’ ngulë kurr m’ dhé,
As zânë shtiqe, as çilë hendiqe,
Ne vû pêmë, ne kí hardhija:
Hajrin s’na ká pá kurr shpija:
Veç se vrá me Turk e Shkjá,
Edhè ndeshë gjithmonë m’belá,
Kahdo shteku na ká rá;
Jo po hîm me çilë llogore
Neper kto t’gristat rrmore
Per me u strukë prej Cernagore:
Thue se vojtë Malcís ká halli
Me hî Lekët në dhé per s’gjalli.
Se un nji punë e kam pleqnue:
Na ‘izèt vetët, këtu bashkue,
Fill me dalë tash në Mal t’Zí,
Me rá plaçkë kund m’ndo’ i bagtí,
Lopë a qé, a dhên a dhí,
Shkado kjoftë, edhè ndo ‘i shtrrí:
Gjithsì t’vìj në terezí,
Se s’rrnohet me bukë thatë!
Pse edhe n’pasët lufta per t’ngiatë
Jo mâ shum se ‘i ditë a dý,
Se né ktû mâ kush me sŷ
S’po na shef, jo! Pa na msŷ
Malazezt «tabe» e llogore,
Qi po ngrefim nper kto rmore,
Me gjith shtiqe edhè hendiqe
Po t’i lshojm me male e suka:
Ke né mbrapa s’na vjen buka,
S’na vjen nozull as tagjí,
Porsi ushtrís së Malit t’Zí.
Malazezt edhè n’ushtrí,
Tham, kan dalë të gjith unjí,
Kshtû qi mbetë veç u kan n’shpí
Pleq e plaka e rropullí.
Une vendet edhè i dí,
Ke do mot, kam ndêjë n’ Mal t’ Zí
Kur paçë rá Mbretit hasí:
Ktû edhè ká kush me punue.
Per Tynzo’n, mirë jé kah thue.
Prîjna, Bec-o, pá u vonue:
S’ kem’ pse t’ rrijm mâ ktû harû,
Zhukë Isufi at hera zû,
Sŷnin gacë, mustakun hû.
Edhè trimat p’r udhë janë vû,
Si lavë ujqsh neper Parû.
Lane suka, e lanë kodrina,
Ranë nper rrege e nper lugina,
Duelen ashten, gjeraçina
Kû bân çerdhen neper stiena,
Njethet breu, ahi e çetina:
Kalojn mrizet e Sutjeskës,
Shkapercejn majen e bjeshkës
E teposhtë nep’r ato rrmore
Shkojn e bín n’ at Cernagore,
Kû kisht’ pasun nji terthore,
Nji terthore me ‘i fushore.
N’ at fushore nji katund,
Isht’ katundi si gjithkund,
Shpí e gjí e stana, tbana,
Pleme, streme, vithna, drithna:
E kah fundi do livadhe:
Mbí livadhe ‘i shpí e madhe,
Kullë dy ketensh guri s’ dhenun
Dymdhetë pash giatë ballit endun,
Me katue e me hajat:
Nen hajat ndertue nji shtrat;
Atŷ flête i zoti i shpís,
Rojë e gjindës edhè e bagtís,
Para shpís, n’ kallamoqishte,
Vathi n’ llajka rrethuem ishte,
Treqind berre mbrenda kishte:
Treqind gala peshtarake
Me njiqind dhí guracake:
Tridhetë okësh me ardhë hanori,
Qind okë tamel në ditë kjori,
Qind barrë drithë në vjetë koteci.
Fíll ket shpí mësye ká Beci
Me shokë t’ vet, kur na kan rá
Në Mal t’ Zí, edhè kan pá
Per kundruell katundin shkjá,
Njaj fushorje njeshë per ânë,
Hija e malit qi e kisht’ zânë.
Atŷ trimat kan zânë vend
E t’ kan nisë me bâ kuvend,
Shoq me shoq tue bisedduem,
Si me i rá, si m’ e rrethuem:
Kush m’ i u avitë, kush me ndêjë m’ pritë:
Cillit shtek me rá me gjâ :
Kah me hikë e kah me rrâ,
Po u bâ pûna per me hikë.
Cingaret, at herë, kan fikë,
E germuq e kamandorës,
Kush zabelit, kush rrmorës,
« Kacaturrat » n’ dorë shterngue,
Kan nisë vathit me i u afrue,
Dalkadalë e me shum droe,
Si t’ ki’n kênë tue shkelë mbí voe,
Thue po shkojn hapat tue njehë.
Kur, qe, nisin qêjt me lehë,
Nji herë t’ vogel, mandej t’ madhe
Posht-perpjetë np’r ato livadhe.
Sidomos nji qên « larosh »
N’ derë të vathit lidhë per hû,
Kah ndien gjinden tuj u afrue
T’ â kerleshë, t’ â krepatue,
T’ ká nisë idhshem aj me ungrue,
Turr tue marrë e hov tue lshue,
Si lshon qêni naten m’ nieri:
Herë m’ kamë t’ mbrame ngrifu qiri,
Hûnin n’ pezm grise me dhâmë
Grisi hekurat nper kâmë:
Tash rri e hidhu edhè perhidhu
Lsho perpara e bje permbrapa,
Ke lidhë qafet fortë me kllapa,
Kllapa hekrit n’ farkë punue
Nuk ká sosh si me shpëtue,
Hasmit m’ shpinë aj per m’ i u lshue.
Kqyr shka bâni aj Bec Patani!
Kur avitë âsht vathit t’ berr’e,
Ulë kacuk permbas nji ferre,
Me dhâmë ksulen aj ká kapë
E tue e mbajtë nalt me grykë hapë,
Ndo ‘i vizhvizhe edhè tue ndezë,
Nisë «laroshit» m’ i u ngerdheshë.
Tue e pá qêni, zên e tutet,
E si kîj mbrendë stelit futet,
Kû, strukë m’ ânesh, ndêj kacuk,
Mâ as nuk lehi, as jashtë s’ u duk.
At herë Beci e qaj Stak Breci
Hînë kaleças nen hajat,
Kû kan ndie se permbí shtrat,
Shtrue ‘i lkurë viçi e mlue me plaf,
Fjetë dikush rrin e gerhat:
Nji Shkjá plak, i madh sa ‘i trap
Shllungë lshue vetllat permbí sŷ,
Me nji hundë si shpuer ngerthye,
Qitë «zdragushë» e «alltí» nen krye
Vjerrë fyshekët m’kaptyell t’katheders,
Si atà dhâmët e lmashktë t’kulsheders.
Dy drangoj si lshojn m’kapruell,
Kur t’a marrë pushka kundruell,
Dy currilash tue i shkue gjaku:
Kshtû janë lshue Beci edhè Staku
M’at të mjerin morè Shkjá,
Qi gerhitte pa i a dá
E qi as anderr s’isht’ tue pá,
Se shka at herë ishte tue e gjetë.
Nji herë Beci, ndersá fjetë
Ishte Shkjau, armët i a ká tretë
Edhè hjedhë larg n’nji kaçubë.
Zgjohet plaku, don me britë;
Por Stak Breci me nji rubë
Gati i rrin, n’gojë tue i a qitë,
E s’e lên, jo, me piskatë.
At herë lidhë plakut të ngratë
I a kan duert me brez mbas shpinës
E tue i grahun m’tundë t’«martinës»
E vênë para me u çilë vathin:
N’fishkullim atŷ edhè thrrasin
Shokët e vet, e mbasi dashit
Hojn kumonen edhè skjapit,
Dhên e dhí kan lshue prej rrashit,
Dá dŷ tufësh e drejt Sutjeskës
I kan nisun hijes s’ bjeshkës
Neper halë e neper ah;
Njâni prîj e tjetri grah,
Rrugë mbí rrugë, e shtek pa shtek:
Si ato bishat nper shkorret,
Kur t’i mârrë i ziu ezgjet.
Mbas sish shkjau shkote tue u dridhë,
Me shtupë n’gojë e me duer lidhë,
Dér qi kapë ata janë n’cak
Të Shqypnís me Karadak.
Kur kan ardhë e dalë n’Shqypní
Edhè berret paten hî
Bukur kthelltë permbrenda n’breshtë
Prej kah Shkjau s’kisht’ pse me u dreshtë,
Bec Patani, nji sŷ-xhixhë,
Ká thânë plakut: Halláll, mixhë!
Pse pak sande t’kem’ tundue,
Vathin gjâjet tue t’shkretnue,
Pa na pasë ti gjak as varrë,
Ne pré mik, ne erzin marrë,
As thye ví, as luejtë kufî,
Veç e pse ti Shkjá ké lé,
Edhè bân hije mbí dhé,
Per shka faj kurrkund nuk ké.
Por mos kap mëní me né
Pse kjo nderë mund të gjêjë gjithkend:
Lpŷhen lopët, po thonë, me rend…
Veç nji punë, po, mbaje n’mend:
Se mund t’rrím na me duer m’í,
Sa herë Knjazi i Malit t’Zí,
Toçë me vênë e me rakí
E ashtû jerm edhè kllapí
Po ngrehë top, po dyndë ushtrí
Edhè del e bjen n’Shqypní,
Jo per t’mârrun dhên e dhí,
Si na mârrë t’i kemi tý;
Por pér t’shtruemun nji Shqypní,
Por per t’qitë Shqyptarët n’robní:
Jo, per Zotin, lavdi Zotit!
Se s’mund t’ketë n’mjet nesh farë godit
Dér qi m’çika na mos t’jesim,
E shosho’it carâ’n e voters
Vendit mos t’i a kem’ na shkulun,
Edhè mbyllë deren me ferrë!
Kshtû i ká thânë, e e ká shliruɛ,
Edhè lânë e ká me shkue.
N’ato fjalë qe se ‘i djalosh
Del prej shkurrjet me nji kosh
Ngarkue m’shpinë e ‘i spatë vjerrë m’krah,
Pa pushkë n’dorë pa thikë n’sylah,
E pa ksulë, qyqari, m’krye:
Koparanin brrylash shkye,
Dy kapakësh n’parzem shperthye:
Plasë shallvarët e mârrë m’njâ’n í
T’pa ilik e t’pa tehrí:
Puplat njeshë tanë gjalma e zhanga,
Shtjerrë këputa e shtjerrë opanga:
Ujë djersitë e krejt llomitë,
Gervishtë duer e gervishtë ftyrë:
Mos me mujtë të mjerin m’e kqyrë
Zemra n’bark per pa t’u lmekë
Per shka date se kisht’ hjekë.
« More »! i briten Lekët p’r’iheri.
Ndore t’uej! pergjegji i mjeri
Brimet t’ Lekvet ka’ u trishtue,
« Hutat » m’ parzme q’i a ki’n vû.
Se ‘i i Mirditas kam qillue,
Lé në Mnelë, n’ Bajrak të Spaçit,
Ndêjë me shpí n’ anë t’ Kalivaçit,
Mark Nkollë Gera êmnit m’ quejn,
Zeza e vedit, jo e tje’rkuej,
Kumarí me at Bec Patanin,
N’ kje se ndie i a keni zânin:
Qi Ali Qorrin aj pat vrá,
Kur pat dalë ky n’ vá t’ pa vá
Me çue Becin lidhë nder pranga,
Por qi sod i kndohet kanga
Ke at ditë m’ hutë i punoi çarku.
Po a thue ti jé, kumarë Marku?
Po i thotë Beci, tue i u afrue:
Kumarës doren ká shterngue,
E ç’janë falë faqe per faqe,
Si âsht zanati nder bajraqe
Të Shqypnís. Mande’ e pëveti:
Po ç’ t’ ká sjellë këtij shkorreti?
Shka t’ ká hjedhë e prû n’ ket dhé,
Me sharrue nder ujq e Shkjé?
Veç rreziku, lum kumara!
Persè sod, me kênë e mara,
Un me u gjetun në Shqypní
M’ tokë e m’ copë, e m’ plang e shpí,
Kû m’ la Zoti e t’ Parët e mí.
Por shka se rreziku i zí
M’ çoi me u vrá me do shokë t’ mí,
Edhè dola e rásh n’ Mal t’ Zí,
Kû vendue kjeçë me ‘i zotní
E kû shkue e paçë do mot…
Shkue do mot, eh! nihmo, Zot!
Por as teper keq, me thânë…
Veç sa mos me mbetë pa ngrânë.
Kur, qe, tash, qi lufta u ndezka,
Vîn e m’ kapin rrezga-bjezga,
Edhè m’ vênë per mbas urdis,
Per me çue zahire ushtrís:
Nata e dita mue me m’ shkue,
Si po m’ shef, me kosh ngarkue.
Mirë, po, sande un hikë u kam,
Jo pse lodhë e merzitë jam;
Edhè mârrë kam gúr e shkam
E pershkue jam nper kto rrmore
Porsi iriqi neper shkorre,
Veç per t’ ardhë e me u diftue,
Si Shqyptarë qi kem’ qillue:
Se jue Shkjau âsht tue u rrethue:
Per mbas beset qi kje vû,
Per të dekun e t’ varrue.
Mark Milani urdhen ká dhânë
Qi me ‘i herë ushtrija e tânë
Me u dyndë sande prej Sutjesket;
E tue u shtrîmun per rrânzë bjeshket,
Para dritës me ndjehë n’ Nokshiq,
Per me u shtî mandej n’ kariq.
Prande’, ashtû si m’ duket mue,
Duen thekë kamët edhè shpejtue,
Punen Krenve m’ u a diftue;
Perse ndryshe, vetë po drue,
Se me shkue puna fort vonë
Mund t’sharrojë kjo ushtrija e jonë.
Kshtû tha Marku. Me shosho’in
At herë trimat bisedojn,
Edhe dájn qi Marku e Beci,
Zhukë Isufi e njaj Stakë Breci,
T’lêjshin shokët me plaçkë permbrapa,
E t’u nisshin me t’mdhej hapa
Per Sutjeskë, e ket dredhí
T’Komandarit t’Malit t’Zí
T’i a diftojshin me nji herë
Ali Pashës e Krenve tjerë.
E pse Marku s’kishte pushkë:
E pa pushkë, si n’mal, si n’fushë,
Sidomos në kohë të luftës,
Punë e vshtirë âsht me shkue rrugës,
Kshtû i ep Staku njat «zdragushë»
Me fyshekë e njat «patllake»,
Qi 'i herë Shkjaut per nen rradake
I a muer Beci edhe u dha krah
Por qi Staku n’ferrë s’i la:
Pse, tue u nisun shokët me berre,
Pushkë e alltí aj zier prej ferre,
Kû ato Beci 'i herë i treti,
Edhe i mêrr t’dyja me veti:
Pushken n’krah, alltín n’sylah.
Marku at herë hjedhë koshin n’tokë,
Edhe niset me tjerë shokë,
Neper bjeshkë, me dalë n’Sutjeskë.
Kur n’Sutjeskë trimat kan mrrî
Te Ali Pasha fíll kan hî
E i diftojn si Mark Milani
Ushtrís s’vet êmer aj bâni,
Me u nisë naten per Nokshiq,
Per me i shtî Shqyptarët n’kariq,
Rruga e shtiqe tuj u zânë,
Tue u a shtî rrethin ânë m’ânë.
Ali Pasha m’kamë âsht çue
Krén e t’Parë aj ká bashkue
E t’kan nisë me kuvendue:
Si m’i a bâ e tek m’i a bâ,
E ne e mbramt edhe kan dá,
Per Nokshiq ata me çá;
Por tue e lânun nji forcade
Treqind vetësh n’Sutjeskë dér n’nade,
Me Prêlë Tulin, Komandár:
Terri i natës, thonë, âsht trathtár!
Kështû punen dau Parija,
Edhe naten vija-vija
Per Nokshiq u nis ushtrija.
Gjergj Fishta