Kangë e katermdhetët
Rizá Pasha del n’kalá:
«‘Madhi Zot, se shka me pá!
‘Forta ndjegull paska rá
N’at Rrzhanicë, nen Podgoricë.
S’ká me ngiatë e do t’bjerë shí:
Hazne e madhe per bulqí!»
T’u ngjatët jeta! i thotë Myftija
S’ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrxhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit.
Kah luftojn me Mal të Zí,
Qi ká dyndun top e ushtrí,
Me hî mbrenda në Malcí:
Mark Milani na u ká prî.
Po; sod n’nadje kur ká ague
Mark Milani, ‘i trim drangue,
Tue i hypë gjogut n’pulla shkrue,
Burizânen aj ká urdhnue:
Bje bujrís e t’dalë ushtrija
Edhè t’niset kah Malcija.
Krisi lodra edhè bujrija,
Edhè m’kamë i a bâni ushtrija,
E u rreshtue per fushë t’mejdanit
Para kalit t’Mark Milanit.
At herë Marku zû mbi kál:
«Pa ndigionie, o djelm, nji fjalë:
Sod n’ Malcí na kem’ me dalë;
Pse e dau Rusja n’ pleq t’ Berlinës
Me ju lshue Knjazit t’ Cetinës
Hot e Grudë Plavë Gusí,
E na sod, qe, jem’ shterngue
Këto male me i pushtue.
Por se shka? nji pûnë po e drue,
Se pa gjak nuk kan me u lshue.
Pra, t’ gatohi me qindrue,
Pse kem’ luftë me trima rrfé,
T’ cillt per Atme edhè per Fé
E bâjn deken si me lé.
Por, ne kjoshi, o djelmt e mí,
T’ bijt e atyne qi n’ Mal t’ Zí
Kan ruejtë Fé, kan ruejtë lirí,
Tue luftue si shqype t’ leta
M’ krepa t’ onë per sa qindvjeta;
A ju mbrama n’ Hot do t’ mrrîni,
Malcís mbrenda do t’ i hîni.
Do t’ a ngulni n’ Hot bajrakun,
Do t’ a zbardhni Karadakun.
Urra djelm, eh, u dhashtë e mara!
Perse fati na hecë para!
Kshtû tha Marku e rá bujrija
Edhè u nis per Hot ushtrija.
Ehi, moj Zânë, tý t’ kjosha true!
A thue din ti me m’ kallzue,
Se sa ushtarë ká Mark Milani,
Se si i a quen Vojvodat zâni?
Pse s’ t’ a njof asnji per bé:
Un Shqyptár, ata janë Shkjé:
Né na dán nji gjak e ‘i fé:
N’ mní t’ shoqishoqit kemi lé:
Kem’ ndermjet nji qiell e ‘i dhé!..
Njajo çeta, qi ka prî,
Tetqind pushkë, t’ gjith djelm të rí,
Ata jânë Ljubotinjânë,
T’ dobë per t’ pám sa t’ duesh me thânë,
Porse trima t’ fortë si Zâna,
Qi kan lânë pa djelm sa nâna,
Qi kan bâ me kjá sa bulla,
Qi kan djegë saraje e kulla,
Qi e kan zbardhun Karadakun:
(Kiju inád, por foljau hakun):
U ka prî ‘i farë Ceroviqit
Derës bujare prej Nikshiqit,
Kaleshan, musteqe-zí,
Thonë âsht Ora e Malit t’ Zí.
Njimí pushkë i çoi Cetina
Me Njegush e me krahina,
Djelm të lehtë, si gjeraçina:
Vukotiqin kta kan t’ parë,
Burrë i fórt e kuvendtár,
T’ cillin thonë, se Knjazi i Malit
T’ Zí s’e ndrron per sŷ të ballit.
Ndandqind pushkë ka qitë Nikshiqi;
Njaq sa thonë qi Matiniqi,
Vojevoda qi u ka prî,
I pat lypë me rá n’ Malcí.
Matiniq, bre, djalë i djalit,
Tuj kênë vetë ti sokol malit,
Po a njimend paske kujtue
Se Malcín ké per t’ a shtrue
Me ndandqind e jo mâ vetë?
Po a kujtove, more i shkretë,
Se Malcija ká dalë faret,
Se nuk bâjn mâ djelm shqyptaret,
Veç se bâjn do cuca t’kqija,
Sa per furka e enemija?
Ah, kadalë! sod ká me u pá
N’urë t’ Rrzhanicës kur ké per t’ rá,
Se n’ Malcí nuk léjn veç grá;
Kur t’i ndiejsh shkinat tue kjá:
N’kjoftë, madje, per tý gjikue,
Veshë e krye prap n’shpí me i çue:
Kur t’i ndiejsh tue kjá ti shkinat,
Kur t’i ndiejsh tue nâmë martinat
Qi u a lanë sa nuse t’ veja,
Qi u lanë pa mârrë sa reja,
Kah gjimojshin porsi rrfeja!
Vjen ushtrija e Malit t’ Zí
Porsi rêja e zezë me shí
Per me shkrepun n’ at Malcí.
Kah Rrzhanica na i ká prî
Mark Milani Kapidani,
T’ cillit n’ krajla i vojti zâni,
Si kah pupla e kah tagâni.
Por nuk dij, se ç’ ká me bâ
N’ Urë t’ Rrzhanicës kur ká me rá?
Ura ngusht e Marku m’ kál,
Fort po drue se s’ mund do t’ dalë.
Deh, o Zot, qi nalt prej qiellit
Punët e njerzve i njef mirfillit;
Qi e ndertove, kur krijove,
Qiellen t’ naltë e token t’ gjânë
T’ bijt e robit sa me i zânë,
Pa nevojë me ndeshë m’shoshojn,
Kur per s’teprit t’mos lakmojn:
S’dij Shqypnija se shka bâni,
Qi e ka msŷ sod Mark Milani,
E me topa e me novica
Po rreh dromin kah Rrzhanica?..
Ti, qi t’ligshtit i a njet doren,
Per mjedis qi kputë mizoren
Shpatë ngadhnyese n’grusht t’trathtarit,
Njitja doren sod Shqyptarit;
Edhè anmikun shtroja para,
Qi perbluen kshtû punë t’pamara.
Kur n’Rrzhanicë na vojt ushtrija,
Atŷ krisi prap burija,
Edhè u ndalen me pushue.
Mark Milani, trim drangue,
Merr turbín, del me shikjue:
'Madhi Zot! se shka do t’jetë,
N’at báll ure, n’at perpjetë?
A jânë orrla, ja sokola?..
Nuk jânë orrla, as s’jânë sokola,
Shka n’per sŷ po shef t’turbís;
Porse jânë Lekët e Malcís:
Halil Haka e Palokë Gjoka
Me 'izet djelm qi s’t’i ká toka;
Ktû Çun Mula edhè 'i ká çue
Pushken sod me t’a fillue.
Palokë Gjoka, i forti djalë,
Po çon doren, bân kryq n’ballë:
‘Madhi Zot! tŷ t’kjofsha falë,
Se shum shkjau na paska dalë:
Krushqt e Knjazit t’Malit t’Zí
Per me mârrë «vashen» Malcí.
Por s’dij shêj’n kuej i a ká çue…
Pasha armët, s’-kem’ me ja lshue!
S’mund e vêm na sod kanú
Me i dhânë vashat pa i fejue…
Pra, t’shterngoh’i n’armë, o burra!
T’a bâjm vorrin nder kta curra,
E t’i a nisim Knjazit pushken…
T’i a kthejm krushqit me gjith krushken.
P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin!
Mos t’korisim Gjergj Kastrjotin,
Mos t’ korisim na sod Hotin,
Marre vedit mos t’ i lâm.
Marë Europa âsht çue në kâmë,
Krajl e Mbret kan dalë me pá,
Si luftojn Shqyptár e Shkjá.
Mâ mirë dekë nên dhé m’u kjá
Se per t’ligshtë né me na shá!
Se per t’gjallë me ndêjë nên Shkjá!
Nenè fjalë s’pat krye Paloka,
Krisi pushka gjimoi toka.
Aferim! tha Palokë Gjoka!
Po kush qiti n’trí taborre?
Marka Kola rrfé mizore.
Marka Kola i pari qiti,
E kû qiti atŷ i a njiti:
Vrau n’martine të Sulltanit
Burizânen Mark Milanit!
M’Markun fíll aj kje shterngue,
Por me e marrë s’isht’ kênë gjikue.
Dekun n’tokë rá burizâna,
Kur qe krisne ‘izet shejshâna,
Njizet huta rán batare:
Njaq rrëfeja n’ dorë shqyptare.
«M’kamni djelm!» sa i punoi zâni,
Atbotë krisi Mark Milani,
Pse na rá per Zo’n Malcija!»
Trup në kamë i a bâni ushtrija;
Krisi topi edhè novica,
Gjimoi Cemi, u dridh Rrzhanica.
Kuku! bâni Zâna e Malit,
Ke do t’m’jesë mue pika e djalit,
Pika e djalit, djelmt e Hotit:
Njata nipat e Kastrjotit…
Ah! Çun Mula, kjosh i zí,
Ke na i bore djelmt e rí,
Tuj zânë pritat Malit t’Zí.
Heshtu, Zânë, m’at vetull malit!
Nuk po t’jet, jo, pika e djalit,
Pika e djalit, Lekët e Hotit;
Perse nipave t’Kastrjotit,
Kur t’jén lidhë me besë të Zotit,
S’ka shka u bân flaka e barotit.
Por t’gajresin me qindrue,
Pse, edhè n’kjoftë per ta gjikue
Me dhânë jeten tue luftue,
Ká me dalë kush me i pague:
Çuni ngiat u ka qillue.
Po, sa krisi te Rrzhanica
Kndej martina, andej novica,
N’Hot e n’Grudë u dha kushtrimi.
E, si dirgjet bjeshkës thellimi,
Tue vetue e tue gjimue,
Shí e breshen tue dikue:
Njashtu rá n’ Rrzhanicë Malcija
N’ at log Zânash, kû trathtija
Do t’ poshtnohej Malit t’ Zí.
E si prrue, kur t’ bjere shí,
Turbull bjeshkve tue shungllue
Landë e gur tue rrokullue,
Urat mêrr qi t’ gjêjë perpara
E then ledhet per nên ara
Bulkut t’ ngratë zêmren tue i thá;
Njashtu n’ luftë Malcija rá.
Aman, Zot, se shka me pá!
Kerset topi pa i a dá;
Rreh martina si bumbllima,
Rreh novica, ushton Rrzhanica;
Çohet tymi, gjâ nuk shifet,
Per brî shoqi nuk mund t’ njifet.
Ah! ju orla e korba t’ zí,
Se shum puna ká m’u bî:
Qýsh se trimi m’ trim ká rá,
Pa pasterm nuk kan m’u dá …
Mâ se ‘i nânë, po, ká me kjá,
Mâ se ‘i nuse e vejë do t’ mbese,
Mâ se ‘i çikë pa dhânë do t’ jese:
Mâ se ‘i çikë do t’ jesë pa dhânë;
Perse djelmt, qi i paten zânë,
N’ at Rrzhanicë se i cilli muer
Ka nji vashë e u bâ dhanuer …
Muer ka ‘i plume në krahnuer!
Por lum kush des per dhé t’ t’ parve,
Si âsht tue dekë rodi i Shqyptarve.
Pra mos kjáj, moj nâna e Colit,
Pse t’ mbet djali, aj farë sokolit,
Pse t’mbet djali tue luftue!
Aj n’pûnë t’ligë nuk t’pat qillue,
Por qilloi me trima rrfé
Tue luftue per Atme e Fé:
Nuk ká dekun por ká lé!
Jo se, pak pa dhânun jeten,
Coli mirë na pagoi veten:
Vrau dŷ shkjé, dŷ djelm si Zâna,
T’veshë e t’mbathë si kapidâna:
Njâni Krista e tjetri Rista.
Por t’kjajë shkina ke Cetina
Matiniqin t’cill’n e kputi
Gjeto Marku, zêmer-nguti.
Veç se shka, mà fort se Gjetja,
Ket qyqár, thom, e vrau vehtja;
Pse, ç’e prûni ke Rrzhanica
E me topa e me novica?
A dro token pat per t’dá,
Qi ja la ktij baba Shkjá?
Ç’po bân Zâna n’mal tue kjá!
Mjera Tringa per njaq vllá,
Mjera Tringa per vllá t’vet,
Qi n’Rrzhanicë aj sod i mbet,
Pa pasë moter me i ndêjë ngjet,
Pa pasë moter, qi m’e ankue,
Varrët e shtatit m’i a pajtue!
Po, Nikë Daka i Vat Cubakut,
Lule djalit prej zamakut,
Dŷ-trí herë i rá mustakut;
E si arí, qi vathës tue rá,
Kje varrue, por jo krejt vrá,
Vjen mâ fort aj t’u terbue
E mbrendë vathit s’jet pa u lshue;
Njashtû Nika, jurra djalë!
Msŷni uren per me dalë,
Per me dalë, me rá n’ushtrí,
Thue se gjallë don me i perpî.
Por e pri’n me dŷ novica,
Me dŷ plume per nen cica
E e bânë dekun ke Rrzhanica.
Shka ká thânë njaj Halil Haka:
« Bini, djelm, se mbet Nikë Daka!..
Bini Lekë, bini Malcorë!
Trima mbrendë! Me dorë! Me dorë!»
Edhè âsht çue në kamë Halili,
Zier tagâ’n, rrfé prej qielli,
E jurish ká mârrë i urë
Porsi bisha në Kallnduer.
U dynd Gruda, s’cilles zâni
Larg i vojt per kah tagâni;
U dynd Hoti t’cillit Zoti
I nihmon per kah agzoti;
E, si rreshmja s’naltit lshue
Bjen teposhtë tue shungullue,
Krepa e gur tue rrokullue,
Tue rrxue landë e tue rrxue shpija
Kahdo t’i kalojë duhija:
Njashtû n’Cem djelmnija rá,
Rá djelmnija n’luftë tuj ngá.
Djelmt e Grudës, ahi porsi Zâna!
Djelmt e Hotit, si lum nâna,
Si lum nâna, qi po i ká!
Kush i urë e kush nper vá,
Njani zhyt e tjetri m’not,
T’gjith m’at ânë, o i Madhi Zot!
Po, dŷ prroje prej dŷ kulmesh
Ndryshej nuk perpiqen shkulmesh,
Kúr t’kén hasun n’grykë t’ndo’i malit,
Per me u lshue mandej giatë zallit,
Neper ara e fusha t’gjâna,
Turr dŷ ushtrít, ahi! me tagâna
Si u perpoqen kah Rrzhanica.
Heshti huta edhè novica,
U perzien ksula e kapica,
Flakuruen kaptina e koka,
Shkumoi gjaku, bumblloi toka.
Ah! moj Stoke, e zeza loke!
Del nji herë n’at vetull malit,
Per ne paç n’ushtrí farë djalit:
Del, o e shkretë, nji herë me pá,
Pse po drue qi ngusht t’ka rá,
Ke, trullue prej Gospodarit,
U ndesh sod me ród t’Shqyptarit.
Kqyri Shkjét qi kan mbetë shyt:
A mos t’jét njaj djali i yt?
Njaj Jovani? ja Stojani?
Njaj Nikiqi? ja Radiqi?..
Njehi vetë, mori kercunë.
Veç se e ké, besa, do punë,
Pse pesdhetë kan mbetë pa hundë,
Njaq kan mbetun pa rradake…
Mjera nana karadake!
Por, ç’âsht Cemi tue gjimue?
Por, ç’âsht mali tuj ushtue?
Por, ç’â fusha tue këcye?
Mark Milani thonë u thye!
Mark Milan, bre djali i djalit,
S’i ké njoftë ti Lekët e malit,
Pse kur rubla n’fushë t’mejdanit
S’u a topitë tefin taganit,
Atje kurr nji aster s’bâni
As Nikolla, as Mark Milani…
Por, n’daç gjallë n’Cetinë me shkue,
Duen prehë kamët e me shpejtue,
Pse pat thanë nji mjekerr-bardhë:
« Kamët e leta e faqja e bardhë. »
Hiku, Marku, hiku ushtrija;
Urra! m’shpinë i u lshue Malcija,
Mjerë i mbrami, lum i pari,
Pse kê zû per vrap Shqyptari,
Kurr n’Mal t’Zí mâ s’kthei qyqari.
Bre, nuk dij se ç’kje tu’ u bâ,
T’kênke ditë, ofshe! edhè mâ;
Por rá nata e lufta u dá.
Hiku Shkjau sa mujt me ngá
E n’Rrzhanicë Malcija rá
Zûni pritat per gjith vá;
Pse thonë Shkjau se besë nuk ká.
Ehi! moj Zânë, ty t’kjosha true,
A thue â 'imend, a m’duket mue,
Se ata ushtarët e Gjergj Kastrjotit
Ndryshej n’luftë nuk bijshin motit,
Veç si bien Shqyptarët e sotit,
Kur t’jén lidhë me besë të Zotit?
Gjergj Fishta