Kangë e pêsëmdhetët
N’at Cetinë, mbí ‘i kulm pullazit,
M’kulm t’pullazit t’saraj’t t’Knjazit
Po bân sorra „kâ“ e „kâ“.
Veç kto sorrat, more vllá,
Thonë po njellshin ogur t’zí:
Kshtu, nemose, thonë n’Shqypní,
Veç me giasë se edhè n’Mal t’Zí;
Pse, sa nisi me vikatë
Po del Knjazi me hukatë,
Me hukatë neper balkue,
Tue britë t’madhe „hue“ „hue“ „hue“.
Kur, qe, i epet me shikjue
Kah Dobërsku, mal i bardhë,
Edhe shef nji djalë tuj ardhë
Kah Cetina vrap si era,
Thue po e ndjekë mbrapa potera.
A thue âsht hajn, a por ushtuer,
Qi i bjen rrugës kryq e terthuer,
Po bân Knjazi at herë me veti,
Por me pvetë kurrkend nuk pveti…
At zâ sorre e drote i shkreti.
Nuk i a ngiati por sa grima
E aj kamsori, si vetima,
Fillikat n’Cetinë i a mrrîni,
N’saraj t’Knjazit edhè hîni;
E la sogja me kalue:
Mark Milani e kishte çue.
«Mirë se vjen, or gerxhelí»,
I thotë Knjazi i Malit t’ Zí
«A kem’ fjalë prej Mark Milanit?
Si i kem’ pûnët n’at fushë mejdanit?»
Tuj ofshâ i a kthen lajmtari:
Njashtû punët, lum Gospodari,
Njashtû punët t’i pastë anmiku
Perse ushtrija njiherë t’hiku;
T’hiku ushtrija, e Mark Milani:
Shqyptarve u ká mbetë mejdani.
Disa krena na i kan pré,
Disa t’vrám na i bânë per dhé,
Per t’shituem pse pvetë nuk ké;
Fushës s’Qemoskut na vûnë para
Tue na ndjekë nper djerre e ara,
Gjurmë per gjurmë per vrap tue ngá,
Dér sa u err e mâ s’u pá:
At herë lufta por u dá.
Por per kaq na s’kjém tue e lshue,
Pse jem’ t’armve e n’lufta msue:
Veç â ‘i kob edhè mâ i zí:
Duel kushtrimi n’Shqyptarí
Me rá n’luftë ka nji per shpí;
Shka âsht i malit me armë mizore,
Shka âsht i fushës me kál per dore,
Të gjith lidhë me besë arbnore.
Edhè dyndë jânë malet t’tâna,
Kan rrokë huta e prehë tagâna,
E u ká prî, si ká dalë zâni,
Hodo Begu e Kapidani,
Qi per mbret e vende t’veta
Nuk u dhimbet gjâja as jeta.
T’dy bujarë e të dy trima:
Kapidani, si vetima,
Hodo Begu, si bumbllima:
Nder shtatë krajla u vojt ushtima.
Kan rá n’Tuz, si shqype t’leta,
Veç me pá, mor’ t’u ngjatët jeta,
Se nuk din kush me kallxue,
Kaq ushtari âsht grumullue!
Dý mí djelm çoi Dukagjini,
N’luftë të rrmyeshem, porsi Drini,
Kah dikohet turbull zallit,
Kur tu’ u dê t’jét bora malit:
Mjaft me thânë Shala mizore,
N’zâ per pushkë, kjo, e bukë e ndore:
Qaj Mar Lula na u ka prî,
Kaleshan musteqe-zí,
Larg permendë aj per urtí,
Per urtí, per trimëni
N’ «kacaturrë» edhè n’alltí.
Pêsë bajrakët, qi ká Mirdita,
M’krep t’Rragamit neper prita
Kan zânë vend, nja trimí rrfeja:
N’zâ n’Shqypní kta per kah feja:
T’lét kah kama e t’shpejtë kah dora,
Thonë, se kurr s’u âsht ligun Ora.
N’at log Zânash u ka prî
Nji i Gjo’ Markajsh, djalë zotní,
Kaluer atit pullalí,
Si hýll drite n’at Shqypní:
Prenk Bibë Doda aj êmni i tí.
Por, zotní, se shka me kênë!
Ka rrâ Shkodra turk e i kshtênë:
Turq beglerë e t’ kshtênë reshperë,
Veshë e mbathë si Kapitana
Me çakçirë e me fistâna:
Me tagâna e me shejshâna,
Me martina, me calina,
Me dumbare e alltipatllare,
E me pare e besë shqyptare.
Un këta, drejt me t’ kallxue,
Gospodare, un këta i drue…,
Perse, kur nji djalë zotní
T’ lâje tokë e grue e fmí,
Aj dikû veç ka qitë ceken
Mos me kthye, por me bâ deken.
Jo se edhè me dashtë me kthye,
Nji luâ kta kan per krye,
Qi u bje pushkë, po, n’ lule t’ ballit:
Hodo Begu, sokol malit,
Oxhakzade djalë mbas djalit.
Porse prap ká edhè mâ teper:
Ka rá n’ Tuz Malcija e Eper;
Ka rá n’ Tuz ka nji per shpí,
Shkreli n’ zâ per bujarí,
Vukli e Nikçi per urtí,
N’ zâ Kelmendt per begatí:
U ká prî, krejt n’ ari ngrî,
Vetë Çun Mula, bajraktari,
Qi mâ i mirë s’ bâhet Shqyptari.
Ktyne fjalë edhè u ká çue
Qaj Toptani, trim drangue,
Se do t’ vîjë me Mat e Krú
Per Shqypní ktû me luftue.
E t’jânë çue Toskë e Dribrânë
E jânë ngrehë Lumë e Pejânë,
Gásh, Krasniqe e Gucinjânë,
Me Gjakovë e me Tetovë,
Me rá n’ Tuz, me rá n’ ushtrí,
Me dhânë jeten per Shqypní,
Per Shqypní edhè per Mbret.
Kan rrahë bén t’ gjith n’ fé të vet:
T’ Kshtênët Unjillin, Turqt Qitapin
Se per t’ gjallë Malcín s’ t’ a apin.
Mark Milani prandej tutet
Me rá n’ luftë, edhè po t’ lutet,
Per ne daç me u dá me nderë,
Me shkrefë luften tash nji herë:
Per Malcí nuk âsht mâ shpnesa.
Do t’ pertrîjm tjera ngatrresa
Per me rá n’ ndo’ i tjeter ânë:
Pa e shkye ‘i send na s’ kem’ me e lânë,
Perse e kem’ Moskovin nânë…
Kshtû kasneci tha tue fshâ.
Knjaz Nikolla erdh e u vrâ.
Kishte mbetun m’ kamë pa zâ:
Me e pasë pré, gjak s’ do t’ kisht’ bâ:
Kaq u pî, kur ndjeu se marë
Punët s’ i kishte me Shqyptarë.
Nji copë herë ndêi tue mendue,
Qatje vonë ūlet me shkrue,
Me shkrue leter Mark Milanit,
Me u largue prej fushës s’ mejdanit:
Mark Milan, bre faqja e bardhë,
Teper keq tash â tue m’ ardhë
Ke thânë s’ paska kênë prej Zotit
Me shtrue tokët e Gjergj Kastriotit
Cernagora, e Grudës e Hotit
Me ju vû «kapicen» m’ krye.
Shum uzdajë kam pasë un m’ tý…
Por, qe, tash… ngusht paske rá…
Ç’ t’ i bajsh punës… Gjithmonë belá
Kta Shqyptarë, besa, kan kênë,
E n’dashtë turq, n’dashtë t’jenë të kshtênë,
Hajrin s’u a ká pá kurrkush!
Veç se fjalë e la dikush,
Qi me ‘i t’ sjellme s’ pritet lisi
E se lopët lpîhen me rend…
Prandej çetat fíll tash nisi
N’ shpija t’ veta: me sa mend
Na po i bijm murit me krye…
Me shka vetë po shof me sŷ,
Vonë Shqypnín kem’ per t’ a shtrue,
Pse po e ká ajo Oren çue.
Edhè e mshili me dýll t’ zí
E ja dha kasnecit t’ rí,
Qi edhè e puthi e e vûni m’ ballë;
E t’ u çue si shpatë e gjallë.
Bâni Knjazit t’ u ngjatët jeta,
Edhè u nis aj kah perpjeta,
Tue i rá rrugës kryq e terthuer,
Thêmra e gishta tuj i lnuer,
Neper landë e neper gúr:
Tue hecë ditë e tue hecë natë.
Por, shka t’ bâjë? â rruga e giatë,
E m’u ndalë s’ po dote as vetë:
Âsht dishka qi e shtŷn perpjetë…
Kur kan kndue gjelat e parë
Fushës s’ Qemoskut bjen per arë;
Kur kan kndue gjelat e dytë,
Mark Milánit i a shef sŷt,
Edhè letren ká dorzue.
Marku letren ká redue,
E at herë drita tuj ague,
Ulun krye, lavjerrë mustak,
Kthei me ushtrí në Karadak.
Gjergj Fishta