Kulshedra

Kangë e gjashtmdhetët

Lum e lum per t’Madhin Zot!
Ç’ká shkrefë sande gjith ky mot,
Gjith ky mot e kjo vetimë,
Gjith kjo gjâmë e bumbullimë,
Thue po shâmen qiell e dhé.
Ká lshue prrue, po, e ká lshue shé;
Rreh shtergata, shungllon era;
Ushtojn malet, me t’hî mndera;
Kaq nji mot ká shkrefë n’malcí:
Shka do t’jét, vall, nuk e dí.
M’at Bigë t’Shalës ká dalë Kulshedra,
Me shtatë krena e gjashtë parë kthetra,
E per krye ká ‘i sŷ në ballë,
Bishtin giatë, me i mrrîjtë në záll:
Qi, t’u hjedhë e t’u perdredhë,
Tue hingllue e tue turfllue,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Krepa e gur tue rrokullue,
Dukagjinin don me shue,
Per nji dhûnë qi i bâka Shala:
Kur Drangoni Vocerr Bala,
Fmí tue kênë, n’nji shpellë të malit
N’gjumë e ndeshka, e ‘i sŷ prej ballit
Zjerrë i a paska me nji hû,
Kah i a ngulka dér në trû.
Âsht ndezë flakë t’tanë Biga e Shalës
M’zhuri t’Lumit m’maje t’halës.
Mnderue gjindja prej ksi nâmi,
Kah si kshtêja pelset shkâmi,
Jânë ngujue nder shpija e stane;
Hikë shkerbét kan neper plane,
E nper pisha luron bisha
M’ at Gúr t’ Lekës e m’ kep t’ Parûnit,
Me ju dhimtë gurit e drûnit.
Kur Drangojt e Shqyptarís,
Si të fushës si të malcís,
Atà pám e kan vetimen,
Edhè ndie kan bumbullimen,
Qi po ushtote Dukagjinit
Mbí Qafë t’ Diellit m’ valë të Drinit,
Mirë me vedi jânë kujtue,
Se Kulshedra atjè asht diktue,
Ndonji mal per me rrenue;
Edh’ at herë, kûdo kan kênë,
N’ mal a n’ fushë, a turk a i kshtênë,
Atà çue jânë per ajrí,
Me flamure kuq e zí,
E me lata e me supata
E me fuzhnje e dána t’ giata:
Me veriga e rrfanë çelikut,
Hekra barkësh të Venedikut:
E nper rê e nper thellim
Mbí Bigë t’ Shalës kan rrâ flutrim,
Kû Kulshedra kishte dalë,
Nâm të zí tue bâ mbí Shalë,
Me u bindë dheu m’ tê dér mâ s’ voni.
Prej Mirdite shkrefë Llesh Gjoni, i
Derës s’ Gjomarkaj, trim si Zâna,
Nji hýll n’ shêj nder Kapitana,
Qi as per pushkë as per pashí
Mâ nuk lén, jo, shoqi i tí,
Kah shkrepë dielli m’ Shqyptarí.
Shoq me tê âsht Bibë Llesh Markola
Orrl i zí ky nder sokola:
Qi edhè kryet, po, me i a hjekë,
Drue p’r ‘i javë s’ kishte me dekë.
Shkon prej Shkodret Ndrekë Heqimi,
Qi mâ i fortë nuk bâhet trimi:
Then «mixhidin» per mjedis;
Edhè urtija i shkon per fis:
Qi prandej e zgiedhka Mbreti
Sylahçí m’ e pasë mbas veti.
Me tê shkojn do koleshâj,
Trima t’ çartun, katallâj:
Qaj Gjokë Kukli e Çapaliku,
Beqo Qoshja e Hamz Sadiku:
Burra t’ fortë porsi çeliku,
Mos me i trêmë shpata as rreziku.
Mandej shkrefin nalt kah Peja,
Dy djelmoça, si dý rrfeja:
Rrustem Uka, pika djalit:
Xhem Sadrija, harushë malit,
Lé e rritun n’ at Rrogovë,
Djelm mâ t’ fortë s’ i ké n’ Kosovë,
As n’ Kosovë, as në Gjakovë:
Veç n’ Gjakovë n’ kjoftë Ton Golija,
Qi mârrë turrin si duhija,
Kaluer atit pullalí,
Fíll m’ Kulsheder aj ká msŷ,
Thue me dhâmë po do m’ e shkye.
Prap prej Shllakut lshon Gjetë Gega:
Faqja e tij kuq porsi shega:
Shllungë mustakun derdhë n’dŷ dega:
Kur nji fjalë po e folka burri,
Mâ s’i luejtka me sa curri.
At herë n’Palç del qaj Prêl Tuli:
Msŷn prej Kthellet Marka Kuli;
N’Traboinë rrân Llesh Nkollë Luli;
Rrân Dodë Prêçi prej Kastratit:
Gjeto Marku flakon shpatit,
Porsi ajò flaka e barotit,
Kur t’i nepet zjarm agzotit:
Zbardhë ká faqet gjithkund Hotit.
Del prej Shkrelit Marash Vata,
E si rêja me shtergata,
Msŷn perpjetë drejt Dukagjinit,
Me at Gjin Pjetrin e Kurbinit,
Qi per pushkë e per urtí
E lânë nâm të dŷ n’Shqypní.
Kta edhè u ndeshkan m’Qafë të Boshit
Me Drangoj të Shalës e t’Shoshit:
M’at Mar Lulen, trim bujár:
M’Gjelosh Kolen, kuvendtár,
M’Mehmet Shpendin, pushkatár:
M’Let Putanin e m’Tol Canin,
Qi kaherë ja ki’n fillue
Me Kulsheder me luftue:
Por per s’largët veç tue e shinue,
Pse fort pak kishin qillue.

Si jânë mledhë Drangojt m’at qafë,
Kuvend bashkë nji herë kan rrafë,
Si me msŷ e tek me msŷ
Mandej çue jânë per ajrí,
E ashtû çetë edhè flaurí,
Tue shkrepë moti edhè vetima,
Tue krisë gjâma e bumbullima,
Tue vikatë, tue hallakatë,
Mbí Kulsheder turr jânë lshue,
Kush me fuzhnje tue e shinue,
Kush me lata tue e shkallmue,
Kush me dána tue e dermue;
Njani, rrah me hekra shpinës,
Tjetri, m’spatë bjeri kaptinës,
Tash mbí tê lshou turra-turra;
Tash me shkrepa gjueje e curra:
I shkrefë gjaku porsì gurra.
Trandet Biga m’at poterë:
Bân medet t’tanë Shala e mjerë.
Fort âsht hjedhë Kulshedra at herë,
Fort âsht hjedhë, edhè perhjedhë;
Tash kuk trupin ká perdredhë,
Tash â lshue 'iqind pash n’ajrí,
Herë, msŷj vetë ajo n’furí,
Herë, rri strukun neper shpella,
Edhè gjuej Drangojt m’zhavella:
Lshoju flakë e zjarm prej goje,
Hidhu jargun hoje-hoje,
Nji ditë udhë me hikë larg soje,
Prej qelbsinet qi i del goje.
Kah me kthetra nep per ânë,
Hidhen krepat porsì rânë,
Flakrojn currat m’Qafë t’Bishkazit;
E kah idhtë, në frymë t’marazit,
T’u perpushë, t’u karraní,
Lshon e ngurrë bishtin n’ajrí,
Fishkllon ajri rreth mbí Bigë,
Vetë Drangojt me pasun frigë,
Po kje frigë se ká Drangoni.

Kuer, qe, turret qaj Llesh Gioni,
Me ‘i parë dána ‘izet pash t’ giata,
E tue rrahë era e shtergata,
Tue krisë gjâma e bumbullima,
Neper dritë qi lshon vetima,
Msŷn Kulsheders aj m’i a kapë
Nja’n fulqí, qi ‘i pash ká hapë,
Mehmet Shpendin per t’ perpî,
Qi, m’ tê ‘i shkrep tue karranî,
Thye i a paska njânen brî.
Kah e shef tue msŷ Kulshedra,
Ajo âsht tutë, e rrshânë mbí kthetra
Tuj u rrqasë, futet në shpellë,
Kû mrendë shtatin strukë ká kthellë,
Veç se krenat lânë ká jashtë,
Si ajo breshka per nên rrashtë,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Ke bân Lleshi me ju afrue.
Por nja as dŷ Lleshi s’ i a bâni,
Fulikare fíll m’ tê rrâni:
Me t’ dŷ duert dánat ká hapë
E me to fulqî’n i a kapë,
Sa kû mundet i a shterngon,
Si n’ menjêne i a ngurron:
Edhè e trandë aj turra-turra,
Tash tue i dhânë t’ shtŷmen nên curra
Tash prej vedit tue e terhjekë,
Herë n’ terthuer rrebtë tue perpjekë,
Veç si t’ mujë aj m’ e mahitun,
Jashta shpellet per m’e qitun.
Se ç’âsht hjedhë atŷ Kulshedra,
Se ç’perpushë ká ajo me kthetra,
Ç’ká hingllue me shtatë germaza,
M’i u nòî vigma te Shperdhaza.
Ngurrue shtatit, bâ germuq,
Randë per tokë tue rá palmuq,
T’u perplasë, t’u kalamênë,
T’u plandosë per gur e stênë,
Bân me i hapë dánat me kâmë,
Bân me bré dánat me dhâmë:
Por nuk brehen as s’shperthehen,
Pse mirë mjeshtri i ká punue,
Pse mirë Lleshi i ká shterngue:
Mjerë kush mrendë u ká qillue!
Ngerthye Lleshi, bâ si grep,
Njânen kâmë zatetë p’r ‘i shkrep,
Djersa rrkajë tue i shkue per ballë,
Tue kercnue me dhâmë e tmallë,
Rrin e t’hjekë aj m’nja prej vedit,
T’hjekë Kulshedra edhè prej vedit.
Njani t’hiq—tjetri terhiq:
Lleshi ngrif—Kulshedra ngrif.
Aj: t’a zjerri jashta shkrepit;
Kjo: të strukem mrenda shkrepit,
Të pështoj prej ktij gazepit.
Kur, qe, Lleshi po permlidhet,
Po permlidhet, po perdridhet,
Po perdridhet tue ngrefë m’dana,
Me ato duer e me ato llana,
Si të shkrîme prej çelikut,
Kû per t’giatë të trashë kerrçikut
I jânë ngrefë dejt toje-toje,
Edhè shkûmë tue qitë per goje:
Shkûmë e gjak, ofshe! perzí,
I nep shtatit me furî,
Edhè ngrefë kaq me fuqí,
Qi i âsht shkulë shkrepi per nen kâmë
E i jânë thye në gojë dy dhâmë,
Edhè ‘i pash, rrshânë tuj e ngrefun,
Zier Kulshedren nên gúr mshefun.
At herë mbrapa kthen nji hap,
Edhè shtatit i nep prap,
E dy pash, po, dy pash t’ mirë
Prap mâ jashtë Kulshedren zier.
Kshtû tue i dhânë pêsë herë a gjashtë,
Zier per gjŷmsë Kulshedren jashtë.
At herë t’ madhe, sa i mûjt zâni,
Briti shokve Kapitani:
Ushtoi ashta lak e m’ lak,
Trêmë Kulshedra, pshurri gjak,
Me blue ‘i ditë nji gúr mullini:
Bini, mêca, bre! Ku jini?
Se Kulshedren jashtë e kini.
Ah! kû jé, bre Rrustem Uka?
Të vraftë Zoti e të vraftë buka,
Ke s’ po ndîhe gjallë kund sande…
Dili, para, eh kopilane!
Edhè shtypja, n’ mujsh, ndo ‘i krye;
Se, per Zotin! âsht tue m’ shkye,
Bâni ajo dánash me m’ pshtue.
Shpejt Drangojt per ajr janë çue,
Zhgjetë m’ Kulsheder, ‘dhe, jânë lshue:
Njani para rri e ndersŷj,
Tjetri sypri mêrr e msŷj:
Para e sypri, e ânë m’ânë,
Gjithsi kuej âsht tuj i u dhânë.
Rrustem Uka, trimi i trimit,
Neper krisme e flakë t’ thellimit
Shî nên frymë asa’ i âsht fuer,
E rrokë shpaten me dŷ duer,
Njanit krye me tê i ká rá.
Shperthiqë sŷnin ‘dhe i a ká,
Rrashten krejt por s’mujt m’i a çá.
Vjen m’shpinë t’ atit Ton Golija,
E tue krisun si duhija,
Trandë topuzin, njiqind okë,
I a flakron po shî m’ at kokë,
Edhè pshesh i a derdhë per tokë.
Po i shterngohet Let Putani,
Edhè dyndë nji bet carani,
Njizet vetë, po, mos m’e luejtun,
E me tê, sa kû ká mujtun,
Siell m’ Kulsheder me furí
Shî m’ kurrîz m’i a karraní.
Ungron shtâsa me mëní,
Edhè krejt atŷ terbohet;
Hidhet, trandet, lamsh kukzohet,
Qafen krrabë e ká ngerthye,
Kah bân Lleshin per me msŷ,
E s’ká para si me u shtŷ,
Pse mirë Lleshi e ká merthye.
Xhem Sadrija, ‘i trim rrfé,
Ktij Gjet Geges po i lshon bé:
Pásh njat Zot, qi të ká dhânë,
Deli, Gjeto, n’mûjsh, m’ at ânë,
Edhè nzite m’ patershânë,
Tuj i a ngulë m’ ndonjâ’n germaz;
Pse un ktej gati m’ shaterkaz
Po t’i rrí ktej mbrapa shpinës,
N’ mûjsha 'i herë me i rá kaptinës,
Edhè trût m’i a derdhë per tokë.

Gjeto Gega shpejt ká rrokë
Heshten, trashë sa ‘i « mashkull » qerrit,
Edhè shi rrânzë njâj kapzherrit
I a ká ngulë, po, nja trí pllamë.
Bân Kulshedra me u çue m’ kâmë,
Bân me u rrqasun vithambrapa,
Per me u strukë mâ kthelltë ndër karpa;
Por, pse Lleshi e ká shterngue
Me ato dána, si i terbue,
Palmuç m’ parsme ajo âsht rrxue,
Edhé qafa i âsht ngerthye,
(Kah fulqîjsh ishte merthye,)
Arrçi i qafës, edhè, i âsht thye,
Krejt fulqini asa’i âsht shkye
E i âsht shkepë deri m’ gerglâc.
Vjerrë ndër dána, si latrâc.
Veç shka? çena ka’ i ká plasë,
Hov si Lleshi qi kisht’ pasë
Vithambrapa aj âsht rrqasë
Nja ‘iqind pash, po, mos mâ teper,
Dér qi ndeshë ká m’ nji stom t’ eper.
Shkapullue dánash Kulshedra,
Tue perpushë nper gur me kthetra,
Ká nisë t’ hajë shtatin në shpellë,
T’ u perdî gryket mâ kthellë.

Bini, burra! mos e lshoni!
Po piskatë prap qaj Llesh Gjoni,
Edhè turr e lshon m’ tê vrapin,
Ka dy pash tue mârrun hapin,
E si t’ kisht’ dánat ndër duer,
Me to siell aj si n’ t’ terthuer,
Edhè i mêrr njânen kaptinë,
Tue i a kputë rrumull me shpinë.
Se ç’ jânë lshue Drangojt at hera,
Se ç’ ká krisë zhurma e potera,
Fort njerzís i ká hypë mndera,
Kah me lata e me supata,
Kah me shkrepa edhè me grepa,
E me dána e patershâna,
E me fuzhnje e me terfurq
Rrâjn n’ Kulsheder t’ kshtênë e turq:
Tuj e msŷ e tue ndersŷ,
Tue shinue e tue e shkallmue,
Njâni sypri tue i flutrue,
Tjetri m’ ânesh tue e pershkue,
T’ gjith njiheri tue e dermue
Me ata lata e fuzhnje t’ gjata.
T’ i a dha era edhè shtergata;
Flakë per flakë t’ i a dha vetima,
Krisi gjâma e bumbullima,
Shungulloi malit ushtima:
Hypi tym e hypi njegull,
Biga e Shalës likundet shrregull.
Trêmë Kulshedra, âsht futë në shpellë
Kû lá n’ gjak e randë t’ u sjellë,
Tuj u zmbrapë barkas mâ kthellë,
Herë t’ u rrqasun kamandoras,
Lshohet shul teposhtë rrmores:
E si rreshmja me zhumhúr,
Tue rrmye gúr e tue rrmye zhúr,
Kulihum shêmet n’ liqê,
Mbrenda Bigës dyndun kurrnê,
Kthelltë kah zhytet trupi i sajë:
Trandë âsht toka dér në Rajë.
Xhem Sadrija, mushë n’ maraz,
Ke me i rá s’ mûjt m’ shaterkaz,
Kah i u shkye m’ dána fulqîni,
Fíll mbas sajë në shpellë aj hîni
Edhè u shtŷ mbrendë bukur kthellë,
Por me sjellë m’ tê, s’ mûjt me sjellë;
Pse kisht’ kênë vendi humnere,
E kulshedra u zhduk me ‘i here.
Shpejt Drangojt atŷ janë çue,
Edhè çetë atà kan shkue,
Si ki’n kênë t’ gjith pika e djalit:
E kan çkputë nji buzë prej malit,
Edhè shpellës i a kan vû n’ grykë,
Tuj i a rrasë mbrendë porsi pykë,
Qi per jetë mos t’ mûjë Kulshedra
M’ e dermue me kâmë e kthetra,
Dukagjinin per t’ damtue;
Mandej ulë janë me pushue.
E at herë rêt janë davaritë,
Ká nisë hâna n’ qiell me shndritë.
Ora e Shalës, eh shtoi, Zo’, vallet!
Dalë e ndêjë m’ nji vetull mali,
Atjè nalt dikû mbi Nicaj,
Ajo luften pá e paska,
Qi Drangojt bânë me Kulshedren,
M’ at kapë t’ Bigës mbi atà thepa:
Edh’ e mira fort âsht gzue,
Kur ká pá e ká kundrue,
Se Drangojt e Shqyptarís
Keq shemtuem e kan Kulshedren:
Se trí krena i kan gjymtue :
Se ‘i germaz i a kan shporue ;
Shtatit krejt se e kan shkallmue
E se n’shpellë e kan ngujue,
Tue i zânë gryken me ‘i buzë malit,
Mos me mûjtë mâ per s’t’ gjallit
Me damtuemun Dukagjinin.
E kur pá ká ajo me sŷ,
Se jânë ulë burrat e dheut,
Per t’pushuem e biseduem,
Tuj u prrallë njani me tjetrin,
Per shka psue kishin m’at natë,
Trí herë rresht zên e piskatë:
Ndîhet vigma m’ Qafë t’ Morinës :
Kan ndie Orët e Dukagjinit,
Neper shpella, kû ishin strukun
Prej gazepi t’asajë natë;
Edhè çohen per ajrí,
Xhixha-xhixha tue xhixhllue
E i a befin te Ora e Shalës,
Motra e madhe e Dukagjinit.
Ká marrë Ora edhè u ká thânë:
A thue e dini a por s’e dini,
Se Drangojt e Shqyptarís:
Atà i paçim, Zot! me jetë:
E kan thye sande Kulshedren
Tue luftue m’at Bigë të Gimaj,
Edhè n’shpellë e kan mutue
Me nji shpat shkepun prej malit,
Mos me mûjtë me pshtue per s’gjallit.
Veç se shka? ofshe un e mjera!
Atà darkë sande s’kan ngrânë;
Para darkësh pse atŷ kan rrânë,
E as s’i kan nuset e veta,
Qi atŷ buken m’u a gatue,
Edhè tryezen me u a shtrue,
M’kâmë me u ndêjë gati me ujë.
Anì prá, morì ju motra,
Shpejt m’u a ndreqë darken Drangojve:
Shpejt me korrë grunin nder ara,
Mirë m’e shî e mirë m’e blue,
Mirë m’e njeshë, mirë m’e gatue:
Me dalë n’bjeshkë me mjelun sutat,
Me gjetë mjalten neper zgavrra,
E me zânë dy drêj të mâjmë,
Me a u pjekë ferlikë në héll.
Kshtû ká folë kjo Ora e Shalës;
Edhè Orët e Dukagjinit
Jânë bâ Xhixha e zhdukë n’vetimë.
Veç, sa ‘i herë vjen vallja rrotull,
Atŷ prap ato kan kthye:
Njana, buken permbí krye;
Tjetra, mjelcen per nên dorë,
Mjelca bâ me lvore blinit;
Dikush bjen fashoje mjaltet;
Tjerat, m’hej vendue terthuer,
Bájn mbí krah dy drêj të mâjm,
Ora e Shalës si u kishte thânun,
Qi me pjekë ferlikë në héll.
E si t’tana janë bashkue,
Fluturim ato jânë çue,
Veshun bardh e flokët zhvillue,
Edhè befë kan m’mâje t’Bigës,
Kû Drangojt po kuvendojshin.
Ora e Shalës, at herë, u â avitun,
Qi edhè u thotë me t’amel zâ:
Mirë se u gjêjë, burra të dheut!
Mirë se vjen e bukra e dheut!
Mirë se vjen, e kah të kemi?
Ka’ u ké prî ktyne fisnikeve?
Po i pergjegjë Kapitan Lleshi.
Se, mana’, tý t’u ngjatët jeta!
Un jam vetë ajo Ora e Shalës:
Moter un me at Orë t’Merditës,
Qi veron mbí bjeshkë t’Mundelles,
Si ajo drita tuj ague:
Kto janë Orët e Dukagjinit,
E kem’ dalë m’ket maje bjeshke,
Per me u pá, me u njoftë me jue;
Se zâ t’madh per jue kem’ ndie,
Se edhè e lát sande ju nám,
Tuj e thye në luftë Kulshedren,
Qi me shue desht Dukagjinin.
Jo qi lodhë, un thom, do t’jini,
Se edhè darkë ju ngrânë s’do t’kini:
E ktû, po, âsht nji bjeshkë e naltë,
Të tanë gúr e shkam i gjallë,
Kû s’gjên nieri shka me ngrânë:
Pse as s’i kini nuset t’ueja,
Qi jue darken me u a ndrequn.
E prandej na Orët e Maleve
Darken jue u a kem’ gatue:
Kû me vedi u a kem’ prû:
Kur t’urdhnoni me u rreshtue.
Edhè trimat rreth janë vû.
Nja mbas njâ’i e rend mbas rendit,
Me Llesh Gjonin m’krye të vendit:
Âsht Gjomarkajsh e i bje prîja
Derë mâ t’vjeter s’ká Shqypnija.
At herë Orët u kan sjellë buken;
U kan vû ferlikët perpara,
E u kan prû mjelcat me kjumshtë:
Kjumshtë me borë, dhâmin me t’pî:
Edhè mjaltë, sá kush ká dashtë:
Mâ e mirë darka s’ndreqet n’ashtë.
Gurren nget kishin per brî,
Gurrë si aklli e e kjartë florî,
Sa kush dote atŷ me pí.
Mbasi bukë trimat kan ngrânë,
Jânë çue prap e dalë m’njâ’n ânë
E po rrín tue bisedue
Me njat t’bukren Orë të Shalës,
Per kanû e pûnë urtije,
E per besë e per pûnë t’mikut,
E per lufta qi u bânë motit:
Per trimní të Gjergj Kastriotit:
Per Drangoj e per Kulshedra:
Per «breshana» e per gopedra
Edhè folen mbí lirí,
Mbí lirí e mbí Shqypní:
Si Shqypnija do t’dalë m’vedi,
Mos m’e urdhnue mâ as Krajli as Mbreti,
Me kênë zojë ajo m’vedvedi,
Âshtû Zoti si e ká shkrue,
Qatjè vonë zên Ora e Shalës
E po u thotë shoqeve t’veta:
Hajdni, varza, me u njitë valle,
Edhè 'i kangë ju me e këndue,
Sa po âsht Drita ende pá dalë:
Pse Drangojve u pelqen kanga.
Jânë çue Orët e Dukagjinit,
Me ato petka bardh si bora,
E jânë kapun dora-dora,
Shpervjelë mangët mbi cep të krahit,
Flokët dér m’kâmë zhvillue giatë shtratit,
Me kunora lulesh m’krye
Me ato kâmë kaleçë tue kcye,
Dá dý lagjesh ballë per ballë,
E tue kndue ato palë e palë,
Kan prî vallen kshtû per mallë:
Varza ká e varza s’ká;
Por, si ká nji vajzë n’Janinë,
Kurkund shoqen s’i a ké pá,
Kah bje diell e serotinë:
Sŷnin diell, ballin si hâna,
Ardhun shtatit si silvija,
Eufrozinë e quejti nâna,
Augur t’mirë m’e pasë Shqypnija.
Atê e páka aj Alì Pasha,
Dalë si vida në balkue,
Edhè fort pelqye i âsht vasha:
Çon Harapin m’e kerkue.
Vjen Harapi e i thotë te dera:
Shpejt tash, vashë, ti ktû me zdrypun
E me mue me ardhë nji hera;
Persè Pasha të ká lypun.
T’u thafët goja! shka po thue?
I a kthen vasha fjalen marë;
Se un nji vajz-o kam qillue:
S’diej me folë me Pashallarë,
Jo, po, Ali Pashë Tepelena
Mundet kryet aj me m’a pré,
Si iká pré kushdi sá krena;
Gjallë por s’lshoj un erz as fé.
Âsht mushë Pasha me mëní,
Prap harapin çon e e thrret:
Pa ndigjo harap i zí,
Se dŷ herë Pasha nuk flet:
A se vjen ktû sande goca,
A se ndryshe n’fund t’liqênit
T’a bâj gjumin me bretkoca.
More vesht, bre qên i qênit?
I shkon naten vashës harapi,
Edhè e mêrr e e çon m’liqê,
Kû tue pritun ishte trapi,
Per me i bartë neper kurrnê.
N’mes të liqênit si kan dalë,
Atŷ trapi vend ká zânun,
Edhè nisë harapi fjalë,
Nisë aj vashës kështû me i thânun:
Nuk ká tjeter, tash, lum vasha:
E s’jam nieri fjalës qi i luej:
A me shkue sande te Pasha:
A shî ktû me t’mytë tŷ n’ujë.
Jo, po, i thotë vasha tue qeshë,
Se un te Pasha due me shkue;
Por due t’shkoj nji herë me u veshë,
Pse sido ktû kam qillue.
E kështû tue i thânë harapit,
Atij qênit, t’birit t’qênit,
Mêrr e hidhet n’ujë prej trapit,
Edhè zhduket n’fund t’liqênit.
Doli fjala neper dhé:
Njekso varzash ká n’Shqypní,
Qi per erz edhè per fé
T’rijt e jeten i bâjn flí.
Kshtû këndojn Orët palë e palë
Por, tue mârrë të mbramen fjalë,
Hylli i dritës nisi me dalë
E buzës s’malit drita agoi,
At herë Orë edhè Drangoj
U çuen m’ajr t’gjith plima-plima,
Edhè u zhduken si vetima,
Tuj u gjetë atŷ nji filli.
Kû me u gjetë deshti se i cilli.

Pjesa e radhës
Në Qafë-Hardhí