Në Qafë-Hardhí

Kangë e shtatmdhetët

Buloi molla, lulzoi thâna:
Rrustem Uken kû e ká nâna?
N’Qafë-Hardhí kû pringron Zâna:
Pingron Zâna e rreh shejshâna
Neper rreze qi lshon hâna.
Se atŷ, drita mirë pa ague,
Luftë e rrebtë po kish’fillue:
Kish’nisë pushka ushtimë me vlue,
Kish’nisë topi me gjimue,
Sa qi trandë jânë vrrî e knetë,
Ká marrë gjâmë ashta perpjetë,
Fort ushtue ká Haramija:
Rrustem Uka e Xhem Sadrija,
Dy t’rrogovas djelm të rí
Ke janë ngutë kta pushkë me shtí
M’njado çeta t’Malit t’Zí,
Qi me rá i’n nisë n’Gusí.
Naten n’terr kurrkush pa i ndie,
Si vû u kisht’ Knjazi leçí.
Knjaz Nikolla, ‘i trim belá,
Mos m’i u gjetë kund shoqi n’Shkjá,
T’fortë nji ushtrí aj n’kâmë ká çue
Tetë taborre rrafsh numrue:
Të tanë burra Malazez:
Njani i rêmtë, tjetri kermez,
Kush mustakun lshue dér m’brez,
Dér më brez e vesh më vesh,
‘Dhe se i cilli nji hundë-lesh,
Qi kur n’luftë bje, kopilani,
Nuk t’a trêmë pushka as tagani,
As t’a trêmë topi a havani,
E as kurrnêni e as flakadani:
Komandár âsht Mark Milani;
Markut Knjazi edhè iká thânë,
Me i prî ushtrís naten t’pa hânë
E m’e qitë n’Plavë e n’Gusí
Kush pa pá, kurrkush pa e ndie.
E pse Marku isht’ nji telbiz,
Me çá qymen per mjedis,
Ká marrë trimi e para ushtrís
Ká lshue ‘i çetë giatë rrugës s’Gusís,
Nji çetë djelm, kund treqind vetë,
Qi bâ mâll s’e ki’n ket jetë:
Si me lé njashtû me dekë.
Per me pám a kisht’ anmik,
A kisht’ pritë e a kisht’ rrezik
Per ushtrí, qi shurdhë p’r at ravë
Me e qitë dote n’Gusí e n’Plavë.
Por, kû ndollë ká Xhem Sadrija,
Xhem Sadrija, sŷduhija,
Edhè aj trimi Rrustem Uka,
Burrë kah fjala edhe kah duka
Njani e tjetri lé drangue:
Atŷ shurdhë kush s’ká kalue:
Mbreti vetë po t’kisht tokue,
M’shpinë poteren i a ki’n vû:
Zêmra n’fyt u kisht’ qillue.
Veç rrogovast, kesh t’a dí!
Shka i ká qitë m’at Qafë-Hardhí·
Me bâ pushkë me Mal të Zí
Mu ndër vise të Gusís ?
Ora e bardhë e Shqyptarís!
Ajo vetë, po, premtue ki’te,
M’ Qafë-Hardhí qi m’at ag drite
T’ndollte Xhemi edhè Rrustemi
Me «martina» n’dorë merthye,
Qarqet Knjazit m’i a shperthye,
Qi ka dit po kisht’ vû sŷ
Ndo’ i skundill Shqypnís m’i a shkye.
Jo, po; drita masi agoi,
M’ Bigë të Shalës Orë e Drangoj
Ata çue na janë p’r ajrí,
Janë shperdá edhè derdhë flaurí,
Kush si xhixha tue xhixhllue,
Kush si shkndija tue vezllue,
E atŷ behë i a kan nji filli,
Kû me ndjehë dote seicilli:
Orët ndër hije e ndër vërrîje,
E ndër gurra e neper curra,
E Drangojt ndër shpija t’veta,
Kush n’teposhtë, kush kah perpjeta.
Veç Rrustemi e Xhem Sadrija
Atà ndjehë nuk kan ke shpija:
I a kan behë ke Qafë-Hardhija.
Rrustem Uka i Ukë Kabashit,
Dikû atje m’at ânë t’Budashit
Per të vllán aj kisht’ pasë zânë
Nji bí mali, ardhë si Zânë:
Si ajo Zâna e Haramís,
Qi ndjellë mirë mí fat t’Shqypnís:
E me Xhemin bâ kisht’ fjalë
Shi m’at ditë n’Budash me dalë,
T’a’n e çikës aj per me e pá,
Ditë e orok me tê me dá,
Se kúr çika me u martue,
Sa copë petka çikës me i çue,
Krushq e darsem me ç’kanue,
Prandej, kur Orët e Drangojt
Atà dá jânë prej shoshojt,
Rrustja e Xhemi, si dŷ shkndí,
Fíll kan sosun m’Qafë Hardhí,
Kah bje rruga e Malit t’Zí,
Per me dalë n’Plavë e n’Gusí,
Qi po kisht’ Knjazi lakmí…
Atŷ trimat vend kan zânë
Sypri rrugës n’nji breshtë të gjânë,
Nder do curra, si petrita,
Per me pritë qi t’zbardhte drita;
Persè as mikut jashta kohet
Nuk âsht mirë qi n’shpí t’i shkohet
Po s’t’ngushtoi prita a se moti,
A se thânë mos t’a ketë Zoti,
N’shpí pa bukë miku me t’gjetë,
Qi mâ hall s’kisht’ gjâ n’ket jetë.
E si atŷ ‘i herë kan zatetë,
Kan pështjellë ka nji duhan:
Gúr e unuer me vedi kan:
E t’kan nisë të bisedojn,
Se si mikut n’shpí t’i shkojn
Se si mikun t’a ngushtojn,
Per me dhânë çiken n’at vjeshtë,
Si t’jenë mâjë skjept edhè deshtë,
E t’jetë pjekë rrushi në vneshtë.
Ashtû ndêjë tue bisedue,
Xhemi «huten» pshtetë mbí giû,
Me «karklluk» nen «çark» shperthye
E me ‘i pecë aj n’voj tue e lye,
Ká marrë Rrustos e i ka thânë:
Perzèt, Rrusto, shka me kânë,
Se nji pushkë, si «huta» e Mbretit,
Thom, s’del mâ kndej ujt e detit
E as s’i del shoqja mí dhé:
Pushkë e shpejtë e e rrebtë rrfé,
Nji ditë udhë me vrá per s’largut…
Kur t’ketë zêmer mbas «kandakut»…
I a pret Rrustja si në shpotë;
Se manà, permí ket botë
Si «martina» ‘i pushkë nuk ká.
E mandej, si tue e gergá,
Prap po i thotë: Po a thue me t’rá
Ndo ‘i herë pûna, qi me u vrá
Me askjer t’Knjazit a se t’Mbretit,
Ti ja ké besen vetvetit,
Se s’bje ndore per pa e kallë?
Se nuk lidhe per s’të gjallë?
Manà t’Zotit, nuk e dí,
Po i a kthen djaloshi i rí:
Persè pushka e ka si t’epet,
E madjè, ka ‘i herë s’mund t’shkrepet
As mí korba grumllue m’lâmë,
Jo mâ m’nji taborr nizâmë…
Veç se, t’mjerit, zêmra m’hjekë,
Njiqind herë para me dekë,
Se ‘i kurí m’i a lshue Shqypnís.
Nder kto fjalë t’birit t’Sadrís,
Qe se poshtë dromit t’ Gusís
Dishka ndîhet tue rrapllue:
Si nji çetë, qi âsht tue kalue,
Kush pa u kuell, kush pa ligjrue,
Thue, se hajna kan qillue,
N’ ndo ‘i pûnë t’ ligë atà tue shkue,
A me vjedhë a se me vrá,
Naten n’ terr kurrkush pa i pá,
Si zanát qi e ka cubnija.
Morè! bâni Xhem Sadrija;
E, si n’ dorë «huten» kisht’ pasë,
Pa mendue se a do t’ kisht’ giasë,
E merthen e zjarm i nep.
Ushtoi bjeshka kep më kep,
Si t’ kisht’ krisë topi a havani.
„Kuku meni!“ dikush bâni
Atjè poshtë kah bite rruga.
Shkjau, per Zotin! Rrustem Uka
Tha nper dhâmë e m’ vend aj ngurrë
I rri gati m’ «kacaturrë,»
Dŷ herë rresht tue qitë vetimë
Neper brej, aha e çetinë.
Edhe trimat t’ jânë flakrue
Per mas krepash, kû shterngue
Jânë me dekë a se me pshtue;
Por pa qanderr mos m’ e lshue.
A t’ ká rá, probe, me pá
N’ ato gomna e n’ ato glina
Si shperdahet nji tubë njila,
Tuj u strukë nper rrasë e zhúr,
Me pasë kush per t’ hjedhë nji gúr
Mrendë n’ at pellg? Njashtu jânë dá
Malazezt edhè shperdá,
Kur nper ah e neper bré
Rrebtë ushtue kan si dŷ rrfé
Njato «hutat» shqypëtare:
Jânë shperdá, po, fulikare,
E kush lshue âsht perposhtë dromit,
Kush âsht strukë e futë mas stomit,
Kush mas landësh shtatin ká zânë:
Strukun kryet e kan të tânë.
Per «kapica» per gjith treg
Veç se krés s’i gjindet shteg
Bâni kush e met pá te.
Shkjeve mendja atŷ po u ve,
Se aty m’pritë po kan tokue;
Prande’ aty të jânë shterngue
E t’kan nisë luftë e poterë
Me treqind «novicë» p’r ‘i herë:
Me t’perzí, po, gjak e vnér.
Mirë, po, Xhemi edhe Rrustemi
Mirë poteren po u a presin
Ke vetimë atà po qesin,
E kah qesin ke po njesin.
«Huta» e Rrustos n’terr po vritte,
«Huta» e Xhemit n’mish po njitte,
Sa herë djali qi po qitte;
Pse drangoj t’dy tue qillue,
Me Kulshedra i’n msue me u gjue.
Atà qit e këta qit,
Atà brit e këta brit,
Brit e lavd shoshoqit qit,
Tue vikatë, tue u hallakatë,
Tue shá nanë e tue shá tatë;
Lufta ashtû si e ká zanát.
Ka ndêjë flakë Qafa e Hardhís,
Lkuqë jânë kullat e Gusís,
Hikin derrat, mârrin gurrat;
Hikin sutat, mârrin currat;
Çohen orrlat permí ré;
Lshohen korbat per nen dê;
Po bâjn nanat shum medèt,
Ka’ atŷ lufta po kersèt,
Ka’ atŷ «hutat» po shungllojn,
Rrebët «novicat» kah po ushtojn,
Idhshem t’vrámt kah po gjimojn.
Tue rrahë plumet pa i a dá,
Gjeth e gêma tokës kan rá,
Ka nisë bari per me u thá:
Kaq shum vapë qi atŷ po ká
Flaket t’verdhë t’barotit t’zí.
Kû do të dalë pûna s’e dí!
Dy s’e qesin me nji ushtrí,
Sado qi drangoj të rí.
Se kû puna mund të dalë
Me giasë Rrustja s’po e bân mâll;
Persè, qe, atjè burri i burrit,
Ngrehun kryet aj per mas currit,
E tue u ulrue si nji luâ,
Malazezve po u bân zâ:
Ah! kadalë, moj Cernagore!
Se ktû i thonë Shqypní mizore!
Se mue Zoti m’ká nihmue,
Masi ktû s’jam tue luftue
As pse m’qafë due me i metë kuej,
As me grrye pse due m’gjâ t’huej;
Por per erz e per lirí,
Por per t’ bukren ket Shqypní,
Qi me u bâ ká, po, faní
Edhè Knjazit n’ dorë s’ i bje.
Kerkserdari i Cernagores
Kur ka ndie perposhtë rmores,
Se t’ fortë lavd po i qet Shqyptari,
Mnijet ftyra ç’ i âsht ndezë zhari:
Ç’ ká kercnue aj dhâmë e tmallë,
E me ‘i zâ porsi t’ u pallë,
Me dorë, djelm, bre! ka vikatë.
Se e kem’ pasë gjithmonë zanát,
Báll per báll me anmik m’u pré,
E jo strukë si uri nper dhé.
Edhè âsht çue trimi në kâmë:
Pushken n’ dorë tagâ’n nder dhâmë:
E t’ ka mârrë breshten perpjetë,
Me nja ‘iqind djelmosha t’ letë,
Me nja ‘iqind djelm Cernagoras ;
E kû vrap, kû kamandoras,
Tash mas breut, tash mas çetinës,
Bukur nget i biri i shkinës:
Atŷ-ktû ka ‘i pushkë tue shtî:
Bukur nget aj n’ at furí,
U âsht avitë Rrogovs’e t’ rí,
Kinsè gjallë aj n’ dorë me i shtî.
Pse si drita pat ague,
Ka nisë cubi edhè âsht kujtue,
Se atŷ ushtrí s’ po kishte as çetë,
Veç se dalë nja disa vetë,
Qi n’ krye t’ vet e kand pa pvetë,
Ki’n nisë pushken si t’ u tallë,
Thue po gjuejn kund ndo ‘i cung n’záll.
Por Drangojt po ishin me Orë
E s’po u zêjshin gjallë me dorë.
Gjallë me dorë ata s’po u zêjshin
As m’u a qitë rrethin s’po lêjshin;
Persè, qe, qaj Rrustem Uka
Çeta e Shkjeve kur i u hulltka,
« Braf » në kamë trimi ká bâ,
E si kênë të kisht’ ulâ,
Mas nji shkami turr ka rrâ
Terthuer pritet pêsqind hapa,
Kû ngujue nder ato karpa,
Ka nisë pushken m’e shpejtue:
Thue, ‘izet vetë po kan qillue:
Pa dhimë Shkjét perbrî tue i gjue.
Turrin Shkjét e kan ndalue,
E t’zû pushka prap me vlue,
T’nisen plumet me fishkllue
Neper breshtë kryq e terthuer,
Si qi thonë n’Shumle dikúr.
Ashtû pushka flakë tue zí,
Vigma e krisma t’u perzí,
Dalë barít kan staje-staje
E po vrrasin m’ato maje:
M’ato maje mbí pyllë t’ahit:
A shk’ âsht pushka njatij rrahit?
T’hiq kushtrim, se na rá Shkjau!
Âsht perlykë Rrustja si kau,
Qi perlyket, vrap tue ngá,
Me tarok kur t’hjekë me u vrá.
Mos e lsho, djalë, se t’a rrina!
Pingroi vigma neper çetina.
E sikur atjè prej vjeshtet,
Mas njaj shiut të randë, prej kreshtet
T’ thatë e t’ gristë t’ndo ‘i majes s’thyeshme
Shkepen gurt, e rmores s’ rryeshme
Bín n’ teposhtë t’u rrokullue,
T’ u plandosë, dhén tue e dermue,
Dér qi t’ hasin m’ pod a m’ prrue:
Njashtu rrâjn barít at-hera
M’ Qafë-Hardhí, kû isht’ nisë potera,
E kû shum do nâna t’ mjera
Tue i thá at ditë, besa, ishte vera.
Pushken n’ dorë, kësulen n’ gjí
Shterngue rrypat mirë per í,
Sa kush vîte priten xîte:
« Huta » flakë në dorë i rrite:
Mush e qit atŷ pa dá.
Ç’ t’ jânë merthye Shqyptár e Shkjá!
Ç’ t’ jânë merthye, ç’ t’ jânë kaperthye,
Shoqishojn se si m’ e thye!
Njegull tymi u rri mbí krye,
Mos me u pá dielli me sŷ.
Tash Shqyptari Shkján po e shtŷn,
Tash mêrr Shkjau edhè po msŷn.
Atà shtŷj e këta msŷj:
Msŷju e shtŷju ndermjet vedit
Si ajo vala m’ buzë të detit.
Edhè kshtû, m’ shoshojn terbue,
T’ kan nisë trimat me sharrue,
Njâni vrá, tjetri shitue,
Kush tue hjekë, kush tue rektue,
Dhimet zêmra me t’u shue,
Ke të rí ki’n pasë qillue.
Por kur pushka po kersitte,
Dhimë Shqyptari nuk po ki’te,
Elè mâ njaj sokol malit
Zhukë Isufi, pika e djalit,
Qi kah mirrte m’ Shkjá jyrish;
Si aj taroçi neper plish,
Kur t’a ngasë zekthi nper kneta:
Mêrrte gjâmë ashta perpjeta:
Kaq me krisme e me poterë
Qi po i msŷte atà Shkjé t’mjerë.
Veç, po, kur lshohet Man Sela:
N’ dy kubure e n’ dŷ kortela,
Shkrue «martinen» të tanë n’ «gjela»
«Gjela» sermit tela-tela:
Struken Shkjét, besà, nper shpella,
Si njaj lepri neper shkorre,
Kur t’ lshojë m’ tê shqypja mizore,
Kuk ngerthye kthetrat gjaksore.
E s’ bâjn keq trimat ke struken,
Persè Mani, pasha buken!
Mjaft qi sŷn aj mund t’u a shofë,
Se n’ «martinë» n’ vend po t’i ftofë:
Si ká ftofë Risto Stojanin,
Nesho Ilín e Gjokë Stjepanin,
Edhè at t’mjerin Savo Stanin.

Jo qi po ishte ‘i farë Nel Bishe,
Idhtë si helmi ruejtë në shishe,
Ngujue i cilli m’ «hutë dervishe»,
Fort po i kputte njatà Shkjé,
Tue t’i lshue shakull per dhé,
Mish per shpend e per shkerbé.

Ju të zezat morì shkina
Sa terthuer po u njethet stina!
Se ç’ po t’ pshtiell’i edhè në zí,
Qýsh se dalë ká n’Qafë-Hardhí
Rrahman Duli, ‘i kime zí,
Lé, si i thonë, nper çark t’ «martinës»,
Qi ká e lot at «gisht të shllinës»,
Juve jeten po u a shkurton.
Zêmren dýsh jue po u copton,
Tuj u lânë si cungat m’ záll,
Kê pa burrë e kê pa djalë:
Si mo’, Zot, mâ keq per jue,
Qi a pak gjallë kini qillue,
Gjith ket kob me pá m’ gjind t’ ue!
Por, të drejten me u kallxue:
Shkinat m’ dhimen e nuk m’ dhimen,
Kah po shof si gjindja u shkimen,
Kush n’ nji shpat e kush n’ nji lak;
Veç, po, zêmra m’ pikon gjak,
Ke un i mjeri jam tue pá,
Se né Shkjau na paska vrá:
Na ká vrá njat Tahir Gjelin,
Isuf Pulen, Kot Kaçelin,
Qi mâ t’ mirë djelmt s’ ké pse i lypë
Qi m’ Qafë të Diellit del n’ Postripë:
Me rá pré e gjân me rrmye,
Turr me u lshue, kalát me i thye,
Hasmit n’ luftë me i lânë pa krye;
Edhè metë paska Is Abazi,
Lik Sokoli e Rem Kazazi,
Me dy djelm prej Gegëhysenit
E me at t’ bir’n e Ragip Cenit,
Nji t’ Isniqas djalë të rí,
Ardhë si «ltina» vjerrë m’sergjí:
Veç sa lshue ‘i fije mustak:
Me t’u dhimët m’e vrá per gjak!
Veç si ndollë do t’ketë, vall, puna,
Qi ka metë qaj Isuf Pula?..
Se ky Isufi, manà t’Zotit,
M’ka pasë kênë nji falme agzotit
Mos me e trêmë flaka e barotit:
Edhè i shkathët e djalë telbiz,
Kam pasë thânë se per midis
T’ndo ‘i taborrit me u pershkue,
S’do t’kisht’ metë trimi pa pshtue:
Kaq qi pushkës i âsht kênë kujtue!
Por kur do me t’gjetë rrcziku,
Aj po t’gjetka, mor lum miku,
A prej hasmit a prej vllaut,
T’jésh ti strukë mu n’bryne t’kaut.
Turr lshue Isufi m’Malazez
Nper do shpartha e curra t’zez,
Nâm po bâte aj permbí Shkjá,
Kê tue vrá, kê n’gjak tue lá;
Thue, kulshedra m’ta ká rá.
Kur, qe, ‘i farë Drekalov Mije
Po i del n’ndesh nper ato hije,
Qi, m’shtek t’ballit ulë «kapicen»
Edhè vû per sŷ «novicen»,
Po shterngohet m’tê me shtî
T’i u drodh Cufi si arí,
Edhè m’«hutë» i met vetimë.
Ushton «huta» bumbullimë!
Por, medet! se copë e grimë
I u bâ «huta» t’mjerit në dorë:
Kisht’ pasë kênë, po, Shkjau me Orë.
Shkjau kisht’ kênë nji bír lugatit,
Gjyle as top mos m’i u ngulë shtatit,
Veç tagani atê m’e pré,
Stramastik tue kênë se isht’ lé.
T’i a dha Shkjau at herë m’«novicë»,
E t’a muer mu nên gerthicë:
Shì njatŷ, kû pshtim nuk ká
Nieri i shkretë, me pasë me i rá
Plumja e pushkës. Porsi nji búll
Rá per dhé i ngrati Isuf Pulë,
Purun brìs së njaj carani,
E «oh» e as «ah»! trimi nuk bâni;
Veç, kur shpirti i erdh me dalë,
Tha n’per dhâmë mâ t’mramen fjalë:
«Shndosh vatani!» e m’vend u pak
Tue e bâ djerrin hurdhë me gjak.
Ah! mo’ lê, brè, Rrustem Uka,
Per n’kjosh trim si t’a thotë duka,
Mo’ lê shokët, brè, pa i pague;
Se manà, mirë kan qindrue,
Marre fisit s’i kan lshue,
Per Shqypní trimat jânë shue!
Edhè m’kamë t’flakroi Rrustemi.
Kur flakrue ká m’kamë Rrustemi,
E t’ká ulrue si bishë nper borë:
M’tani, djelm! Me dorë! Me dorë!
Atŷ Shkjét pritat po i lshojn,
Edhe nisen të dredhojn
Kâmë mas kâmet, hap mas hapit,
Dér qi vû jânë m’pikë të vrapit,
E t’kan mârrë shpatin terthuer;
Pa kqyrë driz, pa kqyrun gúr,
Tue hikë vrap para Shqyptarve,
Si atà drêjt para zagarve.
M’shpînë Shqyptarët u u shtrîn m’at herë
Me shum vigme e me poterë,
E t’i ndoqen rrugës per s’giatit,
Dér qi u zhduken per mas shpatit
E me sŷ mâ kush s’u pá,
Posë asish qi meten vrá.
Ká pá Zâna e Haramís
Ke u thye Shkjau m’at Qafë t’Hardhís,
Edhè e Mira po lumnon,
Shkam më shkam po fluturon,
Ká mârrë kângen e po kndon:
Ty t’a lumsha, moj Shqypní,
Qi per besë e per trimní,
Manà shoqe kund s’po ké,
Kahdo bje dielli mbí dhé.
Zdathë e zdeshë Shqyptari i ngratë,
Brîn per tokë e buken thatë,
Nuk m’ká zêje as s’m’ka zanát:
M’a shkon jeten në siklet,
Si ajo bisha në shkorret;
Po, por preke m’erz të shpís,
Po, por preke m’tokë t’Shqypnís,
Preke n’Fé, qi atí i la i Pari,
E per t’pá ké se si zhari
N’zêmer mnija ká m’i u kallë,
E si hasmit, shpatë e gjallë,
Per t’i u lshue ka « jurra » m’shpînë,
Si m’zogj t’pulës nji gjeraçinë.
Burrë i fortë, po, Knjaz Nikolla,
Burrë i fortë e me mend t’holla:
Por me armë e me furí,
Si n’Cetinë bâ e ká pleqní,
Per ket besë, nuk hîn n’Shqypní
Me i u bâ dhâmi sa derrit.
Mos u ngut, moj Shto-Zo’-Vallet
Me mârrë kângët e me prî vallet,
Se n’Shqypní s’marojn kurr hallet!
Se edhè lufta s’ká marue:
Me tzi ajò tash ká fillue,
Sa qi i mjeri fort po drue,
Se shum gjak sod ká me u bâ:
S’thehet Shkjau me kaq e gjâ:
Duhet punë, po, Shkjau me u thye!
Po a tue pá, moj s’jé me sŷ,
Vizitori si t’âsht xî
Prej ushtarësh të Malit t’Zí
Ke po ngasin me furí,
Çetë mas çete e ví e ví
M’urë t’Stutjekës, m’at log mejdani,
Kû dha urdhen Mark Milani
Tok me u mledhë të tanë ushtrija,
Masi 'i herë ke Qafë-Hardhija,
Hovi i parë i mori m’thue:
Njizet vrá, tridhetë shitue.
Jo, po, tash lufta ka nisë,
I a dha flaka m’at buzë mali!
Si thue, Zânë, t’i bâhet halli?
Me qindrue tjeter nuk ká.
Pse edhè, e lumja, jam tue pá,
Ke jânë dyndë Plavë e Gusí,
Ke kan rrâ Strelc e Pleví,
Me Sutjeskë e me Nokshiq,
Vûthaj e Martìnoviq,
Hoti i Kûj’t, Morinë, Isniq:
Gásh, Krasniqe, Keç e Dardhë,
Qafë e Diellit, Lum i Bardhë,
Nikaj, Palç edhè Mertúr,
Qi kund pushkës s’i lânë kusúr;
Edhè ktyne u paska prî
Ali Pasha, ‘i kime-zí,
Kaluer atit pullalí,
Si ajo rêja me duhí,
Kur të zbresë mbí Haramí.
Me tê vìn tjerë gerzhelí,
Disa Krén e Bajraktarë,
Do begllerë e do agallarë,
Si me thânë Çerim Binaku,
Qi kû ndolli atŷ rrodh gjaku,
E si njaj Sadri Mehmeti,
Zâ’n e t’cillit ndie ká Mbreti:
Njani Gásh, tjetri Krasniqe:
Bâjn «novicat» pushkaliqe…
Vjen mandej, qaj Jakup Feri
Nji i Plavnjanë nji zog skyferi,
Mirë ushtrue n’at log mejdanit;
Si njaj Hot, njaj drang luânit,
Alush Smajli i Smajl Hasanit,
Qi kur sjellka m’tef taganit
S’t’bâhet kryet se n’trup po e ké:
Kaq vezllon aj porsì rrfé!
Por kam pá trima e s’kam pá,
Si at Prêlë Tulin, por, s’kam pá,
Qi Merturit paska prî
N’ dŷ calina e n’nji harbí,
« Huten » m’krah, zjarmin në gjí.
Gjurmë per gjurmë e njitë mas tí,
Vjen nji Omer e 'i Hasan Haxhí:
Njani Isniq, tjetri Nokshiq:
Zot, n’dorë t’tyne kend mos piq,
Pse t’a bâjn, besà per vigj.
Mas ksish rrâ ka pika e djalit,
Kû kjenë gjetë sokola malit,
Kah Sutjeska edhè t’kan msŷ:
Nuk jet hasem per pa u thye,
S’jet ushtrí, jo, pa u shperthye,
Mjaft qi t’duen me bâ gajrèt.

Zâna e Madhe kshtû po flet
Edhè e Mira kep më kep,
Po flutron e fort po ep,
Dér qi zên mí krye t’Sutjeskës,
Mbí nji curr ke aj shkami i bjeshkës,
Kû ká ndêjë e âsht ulë me pá
Se si puna ka me u dá,
Tash qi atŷ na jânë perlá,
Fyt-a-fyt Shqyptár e Shkjá.

Pjesa e radhës
Te ura e Sutjeskës