Kângë e tretë
Vall, kush din mue m’ kallzue,
Pse kjo qyqja, zog i true,
Si mos kurr âsht tue vajtue
N’ at Vraninë, n’ at t’ zezë krahinë,
M’ breg t’ Liqênit n’ at kodrinë?
A mos kján hallet e veta,
Persè zí i shkon moti e jeta,
Bír as bí pá rritë e shkreta?
Qyqja vehten s’ âsht tue kjá,
Bír as bí pse e mjera s’ ká;
Por po kján ajo nji moter,
Qi ka mbetë sod qyqe n’ voter,
Sod qi kputë i âsht kulmi i shpís:
Kján qat motren e atí Avdís!
Jo, po, âsht vrá, thonë, Avdì Hisa,
Mriz kah bâte nên dy lisa,
Nên dy lisa n’ mal t’ Vraninës:
E vrau Vulja, i biri i shkinës!
Njiky Vulja, ‘i trim drangue,
N’ at Vraninë fort âsht randue:
Nuk lên kál, jo, me shtektue,
Nuk lên çikë, jo, me u fejue,
Ke po i vret aj djelmt e rí,
Ke po i kthen nuset n’ gjiní,
Ke po i veshë nanat në zí.
Edhè u çueka, zogu i shkinës,
Me trembdhetë cuba t’ Cetinës,
Me msŷ mrizet e Vraninës:
Po i isht’ kênë kandun mishi i dhís:
Edhè u ndeshka m’mriz t’Avdís.
Qaj Avdija vrik piskati:
Ndalo, Vulo, mustak-giati!
Ndalo, Vulo, me caruqe,
Pse s’t’i lshoj, jo, dhít e kuqe,
Per pá e lá mrizin me gjak:
S’ruej un dhí per Karadak!
Edh’ e drodh t’zezen „breshânë“,
Qi e kisht’ pasë moter e nânë,
Kinsè, i mjeri, zjarm me i dhânë;
Por prej Zotit s’kisht’ kênë thânë;
Persè i shkrepi n’dorë „breshâna“,
Shì kur dashtë s’do t’i a kisht’ nâna.
Po, por Vùloja i terbue,
Qi per pushkë ishte i gatue,
M’ „karajfile“ i u shterngue:
Dekun m’tokë e la pushue.
Edhè u turr m’tê i patenzoni,
(Shka as atij s’i a epte zakoni),
E i a zdeshi xhamada’n
E i a xuer edhè taga’n,
E i a muer pushken e giatë,
Si ndër burra s’âsht zanát;
Mbandej dhít i vên perpara,
Edhè u grafë nper rrege e ara.
Fort po nget capi i Vraninës,
Fort po e ndjekë cubi i Cetinës,
Fort po kján nji e bija e Turkinës:
Fort po kján e fort po fshán,
Dekun m’vig kah shef të vllán:
—Kur ká dalë qaj hylli i dritës,
O vllau i êm, o vllá!
Mbí ato suka t’ Podgoricës,
O vllau i êm, o vllá!
Ti m’ i a vûne pushken krahit,
O vllau i êm, o vllá!
Edhè m’ dole m’ derë të vathit,
O vllau i êm, o vllá!
E m’ i a lshove zânin skjapit,
O vllau i êm, o vllá!
Me i lshue podit e livadhit,
O vllau i êm, o vllá!
Me i lshue m’ ujë—m’ at ujë t’ Moraçës
O vllau i êm, o vllá!
Me i mrizue ke aj lisi i rrashit.
O vllau i êm, o vllá!
Qyqja motra tue t’ kundrue,
O vllau i êm, o vllá!
Porsì lis me degë prarue,
O vllau i êm, o vllá!
Lis me mâje të lulzue,
O vllau i êm, o vllá!
Rrite e mjera tue u mendue,
O vllau i êm, o vllá!
Se me ç’ vashë tý me t’ fejue;
O vllau i êm, o vllá!
Por qe Vùloja, ‘i drangue,
O vllau i êm, o vllá!
Me tokë t’ zezë tý t’ ká martue,
O vllau i êm, o vllá!
Armë e petka tue t’ shkretnue,
O vllau i êm, o vlla!
Nanë e moter tue t’zezue,
O vllau i êm, o vllá!
T’ zezat qyqe tash këndojn,
O vllau i êm, o vllá!
Nanë e moter t’u nihmojn,
O vllau i êm, o vllá!
Pse mâ udhë per tý s’kundrojn.
O vllau i êm, o vllá!
Tash këndon nji zog i zí,
O vllau i êm, o vllá!
Kah t’flutrojë neper Shqypní:
O vllau i êm, o vllá!
Kurr ket pûnë un s’e kam ndî,
O vllau i êm, o vllá!
Se ká mbetë kund gjak pá u kthye,
O vllau i êm, o vllá!
A me pare a se me krye,
O vllau i êm, o vllá!
Veç ká mbetë njaj gjaku i Avdís,
Q vllau i êm, o vllá!
Qyqja motra, vaj, e Avdís! —
Kshtû vajton të vllán Turkina:
E ndien Lqêni edhè Vranina,
Edhè e ndieka aj Oso Kuka;
Vaj’n e ndieka e m’kambë u çueka:
—Hani djelm! e ju vraftë buka!
Eh ju vraftë buka e Dauletit;
Eh ju dhaça ujët e detit,
Po s’u muer sod gjaku i Avdís,
Po s’i u kthye ndera Shqypnís.
Çou bre, Soko, e mund t’i xâmë!
T’ mos t’i májm cubat me vjâmë,
T’ mos t’i lâmë çikat me nâmë.
Proh! ti o Zot, kur na janë çue,
Mbathë e zbathë—si kan qillue
E i kan rrokun armët shqyptare,
Njato „Itina" e „xheverdare",
Njato t’ bardhat n’ zâ „breshâna"
E i kan njitë njatà tagâna,
E i kan vû njato calina,
Se ç’ ushtimë ká marrë Vranina!
Porsì, kur ndokush t’i nguce,
Dalin grêthat jashtë biruce,
Njashtû turr per derë t’ kaushës
Djelmt e Osos rrâjn drejt fushës
Kû kisht’ krisë e zezë potera,
Motra e Avdís kû kjate e mjera.
Shoqi shoqin nuk po e pritka,
Por seicilli vrap po ngitka,
Thue se t’ parit qi do t’ veka,
Petku cohet do t’i u préka,
E jo mâ se po i pret deka!
S’ âsht tue e drashtë, jo, kush rrezikun,
Kah per gjurmë po ndjekë anmikun;
Veç se i lngon setcillit zêmra,
Ke mâ e letë s’ i ndolli thêmra.
Sŷt u qesin flakë e shkndija
Kah t’ frigueshem, si duhija,
Qi kalon me t’ rrebtë zhumhuer,
Fushës i bjen kryq e terhuer,
N’ dorë tuj mbajtun pushkët arbnore,
Qi u flakojn neper terthore
Porsì rrfeja n’ natë mizore.
Si ‘i langue, qi, dalë me gjue,
Endet malit pá pushúe,
Dér sa t’jetë « per erë » pá u vû:
Djelmt e Osos njashtû ngasin,
Veç me cuba si mund t’hasin.
S’kerset, jo, nji pyllë mâ teper,
Kur mêrr zjarrë ndoj majes s’eper,
Si kerset Vranina e shkretë,
Sod qi i bien Shqyptarët e letë,
Vrap tuj ngá poshtë e perpjetë:
Thue se kambve u kan vû fletë.
Kur, qe, krisi ‘i „xheverdare“
M’breg të Moraçës nder do zhavare:
M’breg t’Moraçës drejt Bjelopoles,
Krisi pushka e Preng Markoles.
Preng Markola prej Mirditet,
Nder shokë t’vet porsì hýll dritet,
I pau cubat aj mâ i pari,
Ke po majshin kah Ponari.
Ah! kadalë, bre zogu i shkinës,
Se s’i a mêrr ti gjân Vraninës,
Me kênë vetë Knjazi i Cetinës!
Prenga Mirkos i vikati,
M’„xheverdare“, edhè i ndêi gati.
Krisi pushka, atëherë, batare.
Krisi „ltinë e xheverdare“,
Edhè ushtoi duhma e breshânës
Me u dridhë fmija n’zêmer t’nânës.
E pse trimi m’trim si t’hase,
E n’log Zânash si t’kersase,
Si t’kersase pushka, or vllá,
Rrallë pá gjak se mujn me u dá,
Pavloviqi ktû edhè u vrá:
Pavloviqi u vrá n’ pushkë t’ para,
Ka’ u grahë dhive neper ara.
Kúr pau Vùloja se shoku
I kje vrá, e se pataloku
Per tê s’isht’ nji vend bejlegut,
I lshoi dhít edhè u nis bregut.
Me dorë, burra!—sa i mujt zâni,
Briti Osja atbotë si ulâni,
Edhè m’ shpinë aj zhgjetë i u lshue
Me djelm t’ vet, porsi 'i terbue.
A ké pá ndo’ i herë per seri
Se si, kur t’u bjerë skyferi,
Hikin pulat nper kaçuba?
Njashtû atbotë, hikne ata cuba.
Hikne cubat porsi zhgjeta,
Kush n’ teposhtë, kush kah perpjeta,
Veç se Vulja, çue dollâmen,
Aj aq shpejt s’ e ndrrote kâmben:
Kisht’ kênë trim, eh i bâsha gjàmen!
Por shka? sod s’i heci e mara,
Pse edhè ‘i shoq i a fiku Tara.
Tara Pllumi i Jegumirit
I rá krés shi njâjë mâ t’ mirit,
Njajë djaloçit prej Zaçirit,
Tue e lshue dekun m’ do gjeth firit.
Deh! moj Zânë, m’ a thuej nji fjalë:
Kû e ka Osja edhè nji djalë?
Kû e ka Osja at Kerrni Gilen,
Qi s’i a dáj kund „karajfilen“?
A thue ti, pse ndolli i rí,
E pse e dí qi per tê n’ shpí
Rreh nji zêmer plot dashtní,
Ndoshta sod po i dhimbet jeta
E rrin mshefët nder shkorre e mbreta ?
Nuk asht mshefë, jo, Kerrn Zagorja,
Kerrn Zagorja—rê mizorja ;
Por asht ndeshë aj me Jovanin,
M’ breg t’ Moraçës tue da mejdanin.
Desht ky Jovja ‘i herë me hikun,
Por per vrap s’ kisht’ pasë kerrçikun ;
Prandej shokët e lane mbrapa,
T’ cillt po hikshin me t’ mdhaj hapa.
„Urra!" m’ shpinë, atbotë, si bisha
I u lshue Kerrni neper plisha,
Neper plisha e bregut t’ uj’t,
M’ „karajfile" m’ nja tue e gjujtë,
M’ nja tue e gjuejtë, por veç per ânë :
Gjallë me dorë dote m’ e xânë.
Por me dorë nuk xêhej djali,
Pse kisht’ kênë nji sokol mali :
Kisht’ kênë Shkjau, po, me trí zêmra !
Tek e ndieu Kerrnin te thêmra,
E hodh pushken m’ nji ferrmanë,
Edhè xuer aj t’ idhtë tagâ’n,
Qi kisht’ fikë mâ se nji nânë ;
E t’u dredhë ka’ i zagorjani,
Kshtû po mêrr e i thotë Jovani :
Mos t’ rrêjë mendja, or trim i rí,
Se e koris Malin e Zí,
Tuj t’ rá n’ dorë si nji baxhí ;
Por, n’ jé i armve e n’ jé Shqyptár,
E per n’ jé ndopak bujár,
Xír tagâ’n, e n’ kjoftë gjykue,
N’ bejleg kryet shkurtoma mue.
Vrik qaj Kerrni na i ndêi gati,
Na i ndêi gati edhè i piskati:
Si tagan, si pushkë të giatë,
Jam Shqyptár, e i kam zanát;
Edhè cubi i Malit t’Zí
S’ká per t’m’msue besë e burrní…
Por, merzitë mbasi t’âsht jeta
Me cubní e me pûnë të shkreta,
A ti ktû ké m’e marue;
Kerrni Gila pse m’thonë mue,
Edhè xuer tagâ’n prej millit:
Ç’ka flakrue m’at rreze dillit!
E si pushken m’tokë e uli,
Báll per báll Jovos i duli.
—Or Shqyptár, qi tash n’e vona,
Tuj perbuzun Fé e zakona,
Veç mbas shpinet msŷn anmikun,
Hec e shif si dredhë çelikun
Kerrni Gila e njaj Jovani:
Shif si dahet, bre, mejdani!
N’báll t’shoshojt ata si u gjeten,
Kryq taganat i zateten:
E si t’ishin flakë e agzot,
Lum e lum per t’Madhin Zot!
Se ç’filluene me vringllue,
Si dŷ rrfé, ehu! tue flakrue.
Shkrepshin shkndija ndaj perpjetë
Porsi m’kullmë prej hekrit t’xetë,
N’ajr tagânat ka’ u perpiqshin,
Kryet shoshojt atà ka’ i ndiqshin.
Djersë e gjak xû me u kullue;
Por s’xû asnjâni me u ligshtue,
Mu mâ fort erdh t’u terbue.
Kur varrohet n’mal nji arí
A me pushkë a m’hekur t’zí,
Jo veç se prej dhimës s’topitet,
Por mâ teper vjen e nzitet,
Edhè msŷn, n’furí t’terbueme,
Me gjak t’vet armen t’ritueme:
Njashtu atbotë atà dy trima
T’shpejtë kah dora si vetima,
T’rrebtë ka’ e sjellmja porsì rrfeja,
Mêrrshin turr me fuqí t’reja,
Tue terflluem e tue kercnuem,
Shkumë e gjak prej gojës tu’ u shkuem.
Kur i a behë, qe, n’at fushore
Oso Kuka, rrfé mizore,
Kah po kthete asajta n’shpí
Me dy rob edhè me dhí,
Qi kisht’ marrë prej Malit t’Zí.
Oson Kerrni tuj e pá
Disi marre atbotë i rá
Ke nene s’kisht’ pré anmikun;
Prandej çon të prehtë çelikun
Edhè e siell me kaq furí,
Qi t’kisht’ ndeshë n’cub t’Malit t’Zí
Fíll per gjŷsë, tham, kje tu’e pré.
Por jetë-giatë cubi kisht’ lé;
Pse ndermjet tagâ’n i a qiti
Me tê deken edhè e priti.
Kur tagânat janë zatetë,
Fort shunglloi Vranina e shkretë.
Edhè u kpu’n t’dy per mjedisit,
Si t’ki’n kênë dŷ krande lisit.
« Jam ndermjet!» atbotë vikati
Oso Kuka edhè u ndêi gati.
U ndêi gati me i shkatrrue,
Pse me dorë kjenë t’u pushtue.
« Trima, mjaft pask’ni luftue:
Dikû veç nuk kà kênë shkrue. »
Zûni Osja atëherë me u thânë,
« Dikû shkrue veç nuk ká kânë
Njâni tjetrin dekë me e lânë …
Prá, ti cubi i Malit t’ Zí,
Prehi kâmbët e dredhò n’ shpí,
E thuej nânës e nuses s’ ré
(Per n’ i paç ti kund n’ at dhé),
Se per s’ dytit sod ké lé.
Jem’ tue t’falë, po, n’ ket ditë t’ sodit
Pse, me giasë, qi kênke rodit.
Por ket fjalë shokve m’ u a thuej:
T’ mos u rrêjë njaj Cari i juej
Se sundon mbi né kurr Nika,
Per pá mbetë Shqypnija m’ çika.
Ndoshta t’ dám na jem’ ndër veti;
Por kû né t’ na lype Mbreti,
Por kû Shkjau t’ na ngasë n’ vend t’ t’ Parve,
Per ket besë, fara e Shqyptarve
Turk e i kshtênë—mêrr vesht, or djalë—
Kan me u gjetun krejt me ‘i fjalë…
Kshtû tha Osja. Atbotë Jovani
Njâ as dŷ mâ nuk i a bani,
Por, si i a lidhen varrët e shtatit,
Rroku pushken e u nis shpatit:
Lum! e lum! po, kopilani
Pse i u kput n’ at ditë tagani…
U nis shpatit per Cetinë
E Oso Kuka per Vraninë,
Per Vraninë, kû kndote Zâna:
Ke bje dielli e ke mêrr hâna
Oso Kukë nuk bân mâ nâna
As n’ Begllerë as n’ Kapidana!
Gjergj Fishta