Kangë e dytë
Zot, ç’ká thânë njaj Avdi Pasha:
Paska mbetë Shqypnija m’vasha,
Qysh se s’léka mbrendë nji djalë,
N’at Vraninë mue sod me m’dalë,
N’at Vraninë, m’at t’zezë terthore,
Kû mbe’n shkret sá armë mizore,
Kû mbe’n djerr sá tokë gratçore,
Kû mbe’n vithnat pa bagtí,
Veç prej cubash t’Malit t’Zí,
Qi po vrasin djelmt e rí,
Qi po mârrin lopët me viça,
Qi po presin dhênt me ogiça,
E po djegin kulla e stane,
E po thájn kaq zêmra nane!
Eh! po, Knjazi ke Cetina
Ka lshue cubat kah Vranina,
Per me vrá atà e per me pré,
Per me djegun gur e dhé,
Veç si t’nisë degamë me né;
Pse dushmani âsht tue ndersŷ,
Tokët e Mbretit per me i msŷ,
Per me i msŷ e me i rrembye.
Nji djalë m’voter t’m’ishte llâ,
Paçë m’i a lânë t’âmen me fshâ,
Paçë m’i a lânë motren me kjá:
T’mjeren moter, ehu! pá vllá,
E n’Vraninë un kjeçë tue e qitun,
Cubat Knjazit per m’i a pritun.
Por mue djalë nuk m’ká qillue;
E n’Shqypní nji djalë drangue,
T’ cillit mos t’i dhimbet jeta
Per Daulet e troje t’ veta,
Fort kerkova e s’mund e gjeta.—
Kshtû ankoi Pasha turçelí.
Oso Kuka paska ndí:
Paska ndí, po, e kênka idhnue:
M’sylah doren paska çue:
Me qitë m’Pashen ká mendue.
Por i urti kurr nuk ngutet,
Prej burrnís e jo prej tutet;
Prandej Osja ndali doren,
E as m’e xjerrë s’e xuer mizoren,
N’ fletë t’sylahit çatallue;
Veç pá i folë s’mujt me u durue:
Avdì Pashë, tha, mâ kadalë!
Mos e thuej dý herë at fjalë,
Se, per Dî’n e per Imâ’n,
T’ bâj qi t’ kjajë e zeza nânë!
T’ bâj qi t’kjajë pa «exhel» tý nâna;
Pse n’Shqypní ká djelm si Zâna,
Qi per Mbret e troje t’veta
Nuk u dhimbet gjâja as jeta:
E kû i lypë besa e burrnija,
Kû i lypë Mbreti e i lypë Shqypnija,
Kta mâ t’parët jânë n’fushë t’mejdanit,
Kta mâ të rrebët janë n’ballë t’dushmanit:
Janë çelik per tef t’taganit.
Marre vedit kurr s’i lâmë!
Pá ksulë m’krye pa opangë në kâmbë,
Na per Mbret e per Atdhé
Per kanû, per besë e Fé,
S’druem me rá nder pré të thyeshme,
S’druem me msŷ kalát e rrmyeshme;
E kahdo qi t’bjerë Shqyptari,
Shkon rrufeja tue e ndezë zhari,
Pushkë e besë psè na la i Pari.
E ti tash vjen ktû e na thue:
Se n’Shqypni nji djalë drangue,
Qi per Mbret e troje t’veta
Nuk i dhimbet gjâja as jeta,
Fort kerkova e s’mund e gjeta…
Por s’ké faj ; pse zâni i zí
Aj ká dalë, po, per Shqypní,
Qysh se erdh Pasha turçelí,
Qse edhè t’huejve sod Shqyptari
Qiri m’kambë do t’rrijë qyqari,
Si punue né s’na ká i Pari…
Por po i lâm tash na kto fjalë.
Në Vraninë, qe, un jam tue t’dalë,
Cubat Knjazit me t’i a ndalë.
Veç t’i lypi un dyzet vetë,
Dyzet vetë, po, djelm të letë,
Qi të desin kû t’ zatesin:
Si mund t’léjn veç e n’Shqypní;
E po t’ap besen e Zotit,
Se, pa u djegë un n’flakë t’barotit,
S’ká me u lshue per t’gjallë Vranina.
Avdì Pasha kênka çue,
Osos doren ká shterngue:
Aferim, bre, ti Oso Kuka!
Se tý t’thotë fjala edhè duka
Qi ké lé nji sokol malit.
Zgidh kû t’jetë, po, pika e djalit,
Edhè del ti n’at rranxë boke:
N’at Vraninë, kû t’zezat loke,
Qi kan mlue, ehu! djelmt e rí,
Qi kan kthye rejat n’gjiní,
Janë tuj t’pritë si drita diellin.
Foli Pasha. Buzës s’Cukalit,
N’krye t’javës, dielli kur u çue,
Per me shndritë mbí kobe të shekullit,
Kû e perbuzne shuen e drejta,
Qafës s’Kalás, qe, çeta e Osos
Po mêrr rrugen kah Vranina.
Çetë e vogel, por kreshnike:
Dyzet vetë mâ s’janë me t’njehun:
Djelm të zgiedhun n’mal e n’vrrî,
Jo per dukë e per pashí,
Por per zêmer e trimní:
Oso Kuka na u ká prî.
Oso Kuka, ‘i rrfé prej qiellet,
Shoq nuk ká kah vrân e kthiellet.
A she’ ‘i herë, ka’ i bje sokakut,
Se ç’m’i bâjn t’gjith tungiatjeta!
Se ç’permnershem xheverdarja
M’i flakon mbí sup të krahit,
Si ajo rrfeja n’natë t’thellimit!
N’fletë t’sylahit—folé bollash
Çatallue i ká dŷ kuburet:
T’mnershmet motra t’t’idhtë taganit,
Qi ndermjet u rri kercnue.
Veshë e mbathë e n’armë shterngue,
Shtatin div, e sŷn si zhgjeta,
Oso Kuka n’jelek arit,
Pash e m’pash po i bjen pazarit.
Njitë mbas tij vjen shpata e dekës,
Soko Tona i Gurit t’Lekës:
Soko Tona, si Valbona,
Larg permendë m’kto male t’ona,
Si per bukë n’shpí t’tij të ngranme,
Si per pushkë e besë të dhanme.
Thonë se i ká nja trí nishane,
Trí nishane, me fermane
Per sherbim qi i bâka Mbretit
Ktej e andej valen e detit.
Mbrapa i shkon qa’ i biri i t’mirit,
Taro Pllumi i Jegumirit.
Mbandej vînë dŷ rê mizore,
Dy djelmoça prej Zagore:
Kaçel Doda e Kerrni Gila,
Rritun mocë si karajfila.
Ehu! bre Oso, Oso-rrfeja,
Ç’kan me t’namë dŷ vasha t’reja:
Ç’kan me t’namë dŷ bija nane
N’ato mrize e n’ato stane,
Kúr, kercunat, kan me ndí,
Se ké zgiedhë dy dhandrra t’rí,
Me i perpjekë me Mal të Zí.
Po a thue e njef njat kime-zí,
Qi e ká ballin si siní,
Qi e ká sŷnin si duhí,
Qi i ká shpatllat si nji arí?
Aj âsht Çoku i Mar Kolë Dinit
Prej Kabashit t’Dukagjinit:
Trim i çartun, trim si Zânë,
I pá tatë edhè i pá nânë,
Dy gur njitë, thonë s’iká lânë.
Per mbas ktij vjen çeta tjeter,
Do mâ t’rí, do prap mâ t’vjeter,
Por t’gjith mocë me trimëní,
Me trimní e me bujarí:
Veç, per dukë e per pashí
Dán mâ n’shêj njaj Jup Qehaja,
Galo Keqi e Sinanaja,
Vuksan Gjeli e Met Zeneli;
E nder t’gjith—porsì hýll drite,
Preng Markola prej Mirdite:
Lypë per pushkë ky e per pleqní
Q’mêrr prej Shkodre e n’Peshkopí.
Veshë e mbathë e m’armë shterngue:
Thue se krushq po duen me shkue:
Nja mbas nja’i po i bien Pazarit,
Si ajo rê qi prej Tivarit
Njitet zí terthorve t’ona,
Per me shkrepë ndokahë t’e vona:
Edhè kapen m’at breg Buene,
Kû n’nji lunder u rreshtuene.
Vend n’at lunder t’gjith kur zune,
Rrqasë âsht lundra e veli u ndê,
Edhè nisë âsht porsi si rê,
Tuj çá valen nper Liqê:
Tuj çá valen kah Vranina,
Kû po bâte nâm Cetina.
Gjergj Fishta