Akt' i dytë — Gomari

(Rruga e Kavajës. Ditë pazarit. Babatasi e Drejtori B tue shetitë.)

BABATASI
Besà, pra, Arkeologu i shkretë
Fort asht lodhë e krejt ka mbetë
Kah do t’endet poshtë — përpjetë,
Për me gjetë jevkë e ustallarë,
Për me blé drrasa e binarë,
Qepra, trena e pullazina,
Me gërshanza, hûj e trîna,
— Ku për dyer e ku për kthîna —
Edhe tjegulla për me pré,
Qi do t’duhen për Muzé;
Pse nuk asht, jo, besà, urti,
Njaj ndërtese me ja hî
Për pa afrue landen përpara.

DREJTORI B
T’a zâ besë, po, lum kumbara,
Se jé lodhë; por mue m’kanë thânë,
Se nji shoq, me gjasë, t’kanë dhânë,
Për m’e pasë ti si ndihmtar
Në ndertesë t’Muzeut kombtar.

BABATASI
Jo, po, dhanë m’a kanë nji shoq —
“Dordolec” për kollomoq;
E qi un s’due m’e pasë për brî,
Jo për résë e pèr zili,
Por pse gjâ s’asht hajri i tij.
Për me dijtë si asht puna e ktij,
Mjaft 'asht ktu ty me t’kallxue
Se ç’rrezik i pat tokue
Nëpër tè Financës s’Atdhéut.

— Vjet qi shkoi në muej të Shndréut
— Rexhep beu, Ministri i Arsimit,
Shty prej zêllit t’përparimit
E mbas planit t’ktij mendizit,
(Qi aj e mban p’r ‘i farë telbizit,
Si t’isht’shkputë prej dhéut t’Inglizit…)
Qiti argàt, llaca e ustallárë,
Për me mkâmbë Muzeun kombtár.
Bèsa, i thojshe, shporru s’i
Pse me ç’m’duket, gjâ nuk di.
Por Ministri vesht nuk muer,
Edhe kshtu (me gjásë n’kallnduer
A pak para, nuk e di),
Si ajo kpurdha kur bjen shi,
A si m’pleh nji madërgonë,
Befi m’kambë Muzeu i jonë;
Ashtu, hàn, pa kurrnji kthînë,
Tanë qerpiq njeshë me deltinë,
Mbrendë e jashta me baltë lye,
Hukubet me u pa me sy:
Thue se isht’ furrë me pjekun tulla,
A kaçorr ngrefun për pula.
Kur, qé, ‘i nade, tue rá dielli,
Brî Muzeut po kalon filli
Nji grue plakë, pështjellë n’“binish”,
Garravaxh e bâ dyfish
— Ashtu lamsh, si shtupë buliret-
Me ‘ì shkop n’dorë e shmërtisë ftyret,
Jo pse ndie kisht’ gja njimênt
Se isht çilë fjala n’Parlament
Qi, për t’dajtë na liberala,
Njerz taman “oksidentala”,
Do t’a bâjshim sod zanat
Me na u siellë pa perde grat’;
Por pse isht’ plakë e bâ gjytrym,
Si dêll ujkut thá mbi tym,
Nieri i shkretë e lé në skam
E qi n’gojë s’kish’ veç se ‘i dhamb,
Edhe até, po, me ixhiram.
Mbasi prá na mbrrini plaka
Brî Muzeut — i u preftë nafaka!
Hè! Até Zana m’a shitoftë! —
Kè isht’ tue fry nji erë e ftoftë
E, ajo lehtë fort ishte veshë.
Po ja nisë nji herë me u teshë,
“Tshjef” e"tshjef" tuj u ngërdheshë,
Mandej kolli i çohet peshë,
"Rruf"e “gjuf” njâ disa hera,
Sa as me hecë mâ s’mujt e mjera.
Ashtu, n’kambë, tu’ u teshë, tu’ u kuell,
Bâ prej lotësh… e, nejse, quell,
Edhe krejt irnue ajo bojet,
Kur, qé… dhambi i shkulet gojet,
Edhe shkon — morè ku jé! —
Shkon e ndêshèt për Muzé,
Qi, si rá t’i kisht’ nji rrfé,
Vjen e shâmbet krejt për dhé
Edhe kshtu djalli i rrumbullon
Rràsh pesqind e 'i napoljon.

DREJTORI B
Shka po flet, brè burrë?
Kam ndie Si ndër dhámë punën e tij,
Por, kush asht, endè s’e dij.

BABATASI
Kush asht ky?
Ky asht nji mendiz,
Qi xânë ka, po thonë, n’Paris…
N’Paris jo, por në Stambollë,
Ku, po thonë edhe, se n’shkollë
Xânë nuk paska tepër hollë,
Pse, si thânë m’kanë do puntorë,
Me mbajtë s’din as shesten n’dorë.
Veç, tue kenë se ky asht sebet
Me dikè ndër deputet,
Fjala e t’cillit aso hére,
Mbrrijté nalt ndër Ministére:
Mbasi ky “gishtin e shllinës”,
— Me nji thue si ‘i gjeraçinës —
Qeverisë ja kishte dhânë,
Për m’e njitë ajo m’gerhânë,
N’rend me “gishta” tjerë t’“Partisë”,
E me té mandej Shqipnisë
Pa dhimbë shpinën me ja lnuer
E, m’ja xjerrë ndo’i dredhë m’likurë:
Për ketë punë, mbas fjalve t’tija,
Ketë mendiz thrret Qeverija,
Edhe e qét në “Punë Botore”,
Tue i caktue për rrogë muejore
Gjashtqind Frank të njehun n’ar.
Por pse ky s’ishte shqiptar,
Veç, me gjasë, nji anadollak,
E pse shqip nuk dijte aspak.
Për me i vû ksaj punë kapak:
Mbasi ktu, si kurrkund njeti,
Nuk mund t’bâhej zyrtar shteti:
Qeverija e quen “ekspert”,
— Njatë qi i dêjë s’isht për shegert —
Edhe kshtu, po, me këte rrênë,
Ky mendiz, halldup tue kenë,
E, qi s’dijte inzhenjerí,
Me sa di un arkeologji,
Në Tiranë na u bâ zotni;
Edhe, ngrefë porsi kokot,
Me kaloshë e redingot,
Lavjerrë hundën si gjel deti;
“Teodolitten” për mbas veti:
Qitë “sarvietën” për nën sjetull
E vrâ ballë e ngërthye vetull,
Për mendiz edhe arkitekt,
Kalangerrçet npër qytet
Si t’isht’ Gjoti — a Bonarroti.

DREJTORI B
Çudë, njimend, me bâ! Shqiptari
Për nji krrabë, p’r’i rreth kulari,
P’r’i’ krye lakne a 'i bisht purrîni
Pushkë shi m’t’vllan ndo’iherë aj shtîni,
Edhe bartë nuk ka qi nieri
T’a damtojë hiri e pa hiri
N’tokë a n’gjâ sado qi vetë,
Q’se n’mênd mbahet në ketë jetë,
Kjé gjithmonë zemërbujar,
Si për shokë si për shtegtarë,
Si për miq, për nevojtarë,
Edhe dalë u ka aj vllá
N’daç me bukë, në daçme uhá
Por, qé sod, qi disa piça,
— Qi po mbahen për ogiça:
Kush mehmur e kush Ministër —
Si ata orlat, varg e vistër
Na i kanë rá Financës kombtare
E me kthetra guximtare
Tue përpushë npër gjak t’Shqiptarit.
Po ndajnë zyre e rroga arit
Nëpër krushq e kushrini,
Nëpër miq e kumbari,
Për me ngrefë me tá parti —
Parti barkut e karrigash,

— Klika t’mshefta, çerdhe intrigash.-
Jo, veç gjyq Shqiptari s’lypë,
Pse aj do t’hajë veç bukë e krypë,
Ndërsa ata npunsat e shtetit
Rrijnë t’u mâjë si gjela detit
Me gjak t’tij, por ndêjë harrû
Si gur vorri e mênden hû.
Piqet n’diell e kalbet n’shí,
Për me mbushë me ar florí
Kanavetat e Financës…

BABATASI
Ah Shqiptarët… këta i ndjeftë Zoti!
Se s’i regjë as halli as moti,
Edhe vetë, po, me sy m’ballë,
N’vorr me hî duen për të gjallë.
Për pa mbâjtë kush për tá zi,
E po ku, posë se n’Shqipni.
Njikjo punë mundet me u ndi
Se, pa u mbushun gjymsa e vjetit
Firo shkon gjith parja e shtetit
Nëpër xhepa t’ “atdhetarve”.
Qi p’r Atdhé e nderë të t’Parve
Der mësod nji marimângë
Prej birucet s’e kanë shmângë;
E as ndër mênd kurr s’u pat rá
Se Shqipni kund m’shekull ká,
Veç dishmue janë për Shqiptarë,
Q’se Financat n’dorë kanë marrë?
Jo! Shqipninë na s’e kem’ bâ
Veç për t’ngopë edhe për t’fâ
Me bukë t’bardhë e rroga arit
Ndonji kalangerrç zyrtarit,
T’cillit barku i pat ndejë fyell,
Edhe shtatit ardhë kercyell
Kjè si hûni n’kapërcyell,
E as pse dhet’ a pesmbdhetë vetë,
— Pa gjâ n’bark, pa gjâ n’kuletë —
Me u njitë t’mujshin thìk përpjetë
E me xânë “kulltukët” e parë,
Edhe ngrefë për sundimtarë,
Me mehmur e me zyrtarë,
Me inzhenjera — e me shofera,
Me nëpunsa e sherbtorë
Me përla Financën n’dorë:
E grìsh miq e semahorë,
Ngref Kongrese e Parlamente,
Kshille t’Nalta e Konstituente,
Herë tue qeshë, herë tu’u gërmushë,
Tash tu’u tállë, tash tu’u përpushë,
M’shpinë t’Shqipnisë me lujtë harushë,
Mirë me ngrânë e mirë me pi,
Me mbushë xhepat me ar flori,
Me ja u pasë nji Mbret lakmi:
Por Shqipninë na bâ e kína.
Qi t’gjith na, po, t’gjith si jína,
Gegë e Toskë, fushë e malcina,
Qytetarë — edhe fshatarë,
Nëpër rreze të lirisë
T’vêhna m’rrugë të qytetnisë,
E t’kem bukë edhe qetsi,
Përparim n’Shtet edhe n’shpi,
E mos t’vuejm gjith’ atë siklet,
Qi vuejtë kem’ për pesqind vjet,
Sa pa’m ndêjë nën thembêr t’huej,
T’shámë e t’shtypun prej gjithkujë.

DREJTORI B
Me gjith kta populli i ngrâtë
Prap ka ngelun me bukë thatë.
E me crule e zhele m’shtat,
E me krye aj për nën bàt,
Tuj u vrá gjindja n’ditë t’sotit
Si kjenë vrá kta dikur motit:
Pse ata dhet’ a pesmbdhetë vetë,
Qi “kulltukun” e atdheut t’shkretë
E kanë bâ sod monopol
Edhe dajnë rrogat me spol,
Ata 'i t’mirë vendit s’i a réshën,
Veç shka kombin t’ngrâtë e zhveshën,
Me “tarifa”, “taksa” e “oktrova”,
Me “xhelepa” e tjera prova,
Si me thânë, me “t’dheta” specash,
Kungujsh, poçash, kastravecash:
Me “vergî” mbi stane e ksolla,
Edhe vendin rreth e okolla,
Kshtu tue repë si njeti askund,
E kanë lshue sod n’ujë t’pa fund.

BABATASI
Jo, po, mirë, besà, po thue,
Pse kurrkush s’din me kallxue,
Kta zotni shka kanë veprue,
Q’se kanë nisë ktu me sundue:
Ku janë rrugat qi kanë shtrue?
Ku janë urat qi kanë lshue?..
Sa janë knetat qi kanë thá?
Kund ndo ‘i prrue a lùm a ká,
Qi kta prû t’a kenë n’âmë t’vet?..
Qé, tash mbush’ janë plot dhetë vjet
Q’se Shqipnija ka dalë m’veti
E, q’se kombi nisë ka i shkreti
Me lá taksa, pagë e t’dheta,
E q’sè prè si kacabeta
Kta kanë rá m’Financa t’ona
Dhe me lira e napoljona
Lajnë nëpunsat — akraba
E atdhetarët e “fjalve t’mdha”,
N’kto dhetë vjetë, po pyes un, prá,
A thue u vû ndo 'i punë për fije?
A u çil kund ndo 'i shteg tregtije,
A 'i burim ekonomije,
Për me t’mbajt sado pak shpresa,
Se për né dikur rrnésa
Ka me u sjellë ajo për s’mârit,
Mbasi shtetit grumbuj arit
Asht tue i lá rodi i shqiptarit?

DREJTORI B
Jo, qé bésà, kurrnji sênd
Der sod bâ s’asht për ketë vênd —
Per ketë t’mjerën moj Shqipni,
Edhe tham se kta zotni
Kot thajnë dokrra e thajnë kopalla,
Çajnë makllada e qesin prralla,
Kur na thonë, me ‘i qind inshalla!
Se me u orvatë kanë për Atdhé,
E, se s’shpejti ‘i kohë e ré
Do t’zânë fill n’Shqipni për né:
Se, manà, me ç’m’duket mue,
Fort ma zí punët kanë me shkue,
Po kjé imênd se na harrû
Kem’ me ndejë, e porsi viça
Syt me i ngulun kem’ m’kta piça,
Kinse kta t’na çilin shteg
Edhe Atdhénë t’na qesin m’breg
Nulla, po, cupido ignoti,
Ka pasë thanun Aristoti,
Për me u orvatë, pra, për Atdhé,
Duhet pasë ma para i’idé,
E me dijtë se shka asht Atdhéu,
Shka asht Shqipnija e Skanderbeu.
Po, por kta, kishe me thanë,
Se endè mirë nuk e kanë xanë
Se shk’à Atdheu e shk’asht Shqipnija.
Venju shêj, po, fjalve t’mija:
Kta Shqipnin’ me gjásë, s’e duen
Për gjâ tjetër, veç pse druen
Se i mbytë Slavi a se i shtypë Greku,
E, se u hupë rroga a qiflleku:
E jo, pse kta kanë dashtni
Për Atdhé e për lirí,
A pse duen me pasë vllazní
Shoq me shoq, e parasí
Ndër detyrë e në drejtsí.
Prandej fjalët “demokraci”,
“Shqypni e lirë” e “qytetní”
“msim”, “Arsim” — e “përparim”,
“Orjental” — “Oksidental”,
“Parlament” e “Punë Botore”,
E, sa tjera fjalë kso dore
Nuk janë tjetër veç se dokrra,
“Thasha” e “thana” të pakokrra
E krejt fjalë à la zhon — tùrka,
Qi më sa shpata ndër furka,
Aq n’gojë t’tyne kto kanë hije:
Fjeshtë makllada komedije.
Edhe kshtu né asht tue na rá
Me pa sod shka jem’ tue pá:
Me pa popullin t’ngrâtë tue kjá,
Me pa popullin t’mjerë pa bukë
E, me pa pështetë m’kulltukë
Muhaxhirë edhe spathokë,
Matrahula e njerz t’pa kokë:
T’cillt, kërtylë, si t’mbajtun n’thark
E me 'i zemër leprit n’bark,
Na janë ngrefun për “dëshmorë”,
Edhe marrë Financën n’dorë
E marrë n’dorë edhe fuqinë,
Qifllek t’vetin bâ Shqipninë,
Po rruejn petlla e makerona,
Po dajnë lira e napoljona:
E si orrla e si kojrrila,
Tuj u endë m’automobila.
Poshtë-përpjetë nëpër Shqipni,
Si 'i herë Mbretënt koçi:
Kta qi — 'i palë — s’kanë pasë me u ngî
As bukë thatë t’pjekun në hî
E, der djé, mos tjetër gjâ,
Pásë i kanë vithet n’shullâ
Edhe, bésa, n’nâde e n’mbrâme
Kanë njye n’shllînë e kanë zie bâme
E t’kanë repë morrin për kâme,
Si çdo tjetër matrapaz.

BABATASI
E prandej un do t’pëlsas
Poshtë — përpjetë nëpër Tiranë
Se për shoq mue më kanë dhanë:
Nji mendiz qi s’asht mendiz,
As me çilë kund ndo’i gjeriz,
Jo mâ m’kamë me ngrefë Muzej
N’dashtë të vogjël, n’dashtë të mdhej,
Ky asht mendiz veç syretá!
Pse, tue kenë se asht akrabá
Me ata t’Ndershëmit zotëni,
Qi luejn shtregull me Shqipni,
edhe kshtu “tagër” tue pásë
N’budget t’onë mbrenda me u rrásë
E me hangër — sado i huej —
Gjashtqind frangat muej për muej,
Duhej t’kishte ‘i titull m’vedi:
Qeverija edhe ia gjeti
Titllin ktij, tue quejt ekspert;
Si nuk pat as turp as dert
Me quejt’ n’rrênë “bibliotekar”,
(me nji rrogë treqind frangsh ar)
Dike tjetër m’Kshill Kombtar,
Ku, jo veç s’ka bibliotekë,
Por, me pasë ti për t’u rrékë
Nji javë ditë n’atë Kshill, nuk ké,
Për t’hasëm’libër kûnd për bé;
Pse, mjerisht, doke asht ndër né,
— Si ndër pupuj gjymsë — barbarë —
Me u çilë zyret për zyrtarë,
Jo zyrtarët me u zgjedhë për zyre
E prandej sod ketë linjyre —
Ketë mendiz — ekspert e kam
Nepër kamë sabah e aksham,
Der sa vetë — nga poshtë — përpjetë,
Kaq jam lodhë e kputë e lmekë,
Sa qi n’mênd e kam me hjekë
Dorë prej punet t’ktij Muzéut,
Dalë ku t’ dalë “lulzimi i Atdhéut”;
Pse edhe kshtu s’po mújë m’e qitë.

DREJTORI B
Jo, zotni, asht mirë me pritë Kush e di si puna sillet:
Sod asht vrântë e neser kthíellet.

BABATASI
S’ka shka kthíellet:
Pse edhe vetë Arkeolog s’jam.

DREJTORI B
E vërtetë;
Me gjith kta kishe me thanë,
Se s’ban mirë punën m’e lânë:
Mbasi zjarmi shpisë 'i asht dhânë,
Pse mos t’ndezësh m’té cingaren?..
A din shka? Ndigjo kumbaren,
Se márë puna ka me t’dalë.
Del n’pazar e blejë nji kalë,
Tuj e qitë n’kredit t’Muzéut,
“Për lulzim e nderë t’Atdhéut”.

BABATASI
Po, ketë punë e kam mendue
Edhe un vetë. Veç se nuk due
Me blé kalë: Tham, ma për s’marit
M’del me blé nji zog gomarit;
Pse gomari bjen mâ lirë.
E din vetë, se n’ketë kohë t’vshtirë
Nuk asht, besà, kurrkund ngâja
Me bâ kot shpenzime t’mdhaja.
Por gomarin, lum zotnija,
Due m’e blé me pare t’mija,
E jo me kredit t’Muzeut:
Me u përzie s’due n’gjak t’Atdhéut;
Pse edhe mjaft rodi i Shqiptarit
Sod me sod aj pare arit
Asht tue lá për shpirt t’gomarit.

(Kalon aty pari nji katundar me gomar për dore, tue çue me e shitë.)

DREJTORI B
Qè, zotni, 'i gomar për ty…
Bukuri me u pá me sy,
Kurrkund sho’jn un s’ia kam pá.
Kqyrja veshët nji herë sa i ká:
Me të dy, po, (tham), del s’pakut
Për Ministër nji bisht “frakut”,
Ndoshta, ndoshta, edhe 'i “kravatë”.
Syni i keq oh! Mos e pát’të.
Parsmja gjanë e bishti gjatë;
Sho’jn kurrkund ti pá s’ia ké
N’Barbullush as n’Myzeqé.
Nji gomar — tamand gomár,
N’daç për shálë, n’daç për samár;
Marshallah edhe kenka i ri,
Turru e bleje, brè fatzi;
Pse nuk hasë má m’sho’jn e tij.

BABATASI
(katundarit)
Héj, ti burrë! Sa po m’a shet
Njat gomar?

KATUNDARI
Asht alamet
Gomarit, t’ngjatët Zoti jetën!
E, me dashtë me thanë t’vërtetën,
Shoqin pá s’i a ké kujë n’derë:
Thue âsht mushk ndër gomarë tjerë.

BABATASI
Nejse mâ: Sa napoljona
M’lypë për té?

KATUNDARI
Pesqind korona
Pak kishin me kênë,vallahi;
Veç tash s’voni u ka hupë pahi
— S’dij se pse — kualve e gomarve,
E s’po shiten n’dorë t’tregtarve
M’ep m’té katërqind korona.

BABATASI
Jo; janë shumë. Gjashtë napoljona
Mjaft ké.

KATUNDARI
Jo, janë pak, zotni.

BABATASI
Nuk janë pak, besà, or dai:
Gjashtë napoljona a e din ku vrasin?

KATUNDARI
Po, po, e dij; veç nuk ia gjasin
Kurrkund, besa, t’u ngjatët jeta!
Me gjith kta, mbasi kuleta
Thatë m’ka ngelë mue t’mjerit n’gji
E, me lá kam do “vergî”,
S’kam shka bâj: M’ep shka t’duesh vetë:
Drue bles tjerë se s’mujë me gjetë.
Pse, t’mos isht’se tregu asht ndalë,
Me Itali, e as mushk as kalë
E as gomar ma atje s’mund t’dalë,
Tetë napolona un t’kish kputë
M’kambë e m’dorë e pa t’u lutë.
Veç, mbasi un nuk kam, i shkreti,
Si me pritë der t’çilet deti,
Për me i nisë gomarët përjashta,
E, tuj m’lanë asht edhe kashta,
I pash’ hajrin! Tùk e ké,
Se gjâ t’mirë, manà, ké blé:
M’ksi gomarit nuk hasë mâ.

BABATASI
Ç’rodit asht? A thue din gjâ?

KATUNDARI
Nuk e dij — besa, zotni;
Se ky n’vâthë mue nuk m’ka lé.
Un për qár këte e kam blé
M’rrugë të Prezës, s’ka nji muej,
E kam blé prej s’dij se kuj.
Veç aj burri m’tha se n’arë
Gjetë e paska ketë gomar,
Lshue pa zot, tue kullotë bár,
Edhe e marrka e e çueka n’shpi,
Ku e leçitka nëpër fqi.
Por i zoti kund s’i duel
Me té, atëherë, aj kênka ulë
Për me dalë me rá n’Tiranë
Pse dikush i paska thanë
Se Tirana lypë gomarë
Sa ma t’mdhej: Si për samar,
Si për shalë: E, se me ár
I pagueka mirë gomarët —
Me njátë ar qi lajn’ shqiptarët…

BABATASI
(mbasi i ka pague 6 napoljonat)
N’qoftë se punë tepër nuk ké,
A po vjen ti bashkë me né
Për m’e çue der té hanxhija Ketë gomar?

KATUNDARI
Po, lum zotnija;
Der ku t’m’thuesh po vi me jue,
Pse për ngut nuk kam qillue.

(Nisen me shkue. Babatasi e Drejtori B para, katundari mbrapa, me gomar për dore.)

DREJTORI B
(Babatasit)
Váll, traktatit të tregtisë
N’mjes Shqipnisë e Italisë,
Qi tash mâ se nji motmot
Kjé bâ gati, pse der m’sot
Qeverija s’i vû dorë,
Por là fushë edhe malcorë
Me u thá ûjet t’ngratët té shpija,
Kè s’u ban pare bagtija?

BABATASI
Dorë traktatit nuk i vue,
— Ashtu mêndja si m’thotë mue —
Pse Italija e Shqipnija
Me “hânë pisk” po thonë, janë pá
— S’dij p’r 'imend a syretá —
Edhe kshtu Qevrija e jonë
Shtyn traktatin sa mâ vonë,
Për me u dukë Qevri kombtare:
Sado qi Qevri pa paré,
Si me thanë: Tamand shqiptare.
Veç, si ‘i ditë un kam ndigjue,
Qeverija ka vendue
Njat Kolë Thaçin n’Romë me e çue,
Kola, po, nieri me kokë,
Kokë tamand — peshue me okë
Oka katërqind derhem:
Krejt njashtu si ban lazem
Qi t’jét koka e Delegatit,
Për me i vumun dorë traktatit.
Pra, kur dita e bardhë t’agojë,
Qi Kolë Thaçi n’Romë të shkojë,
Kanë me u sjellun punët për s’marit,
Pse nji herë — e pikë ma s’parit,
Ka me i hecë ktij djeta arit.
Me “shpërblime” e “përfaqsime”
“Të pandehne” e “t’papandehne”,
“Simbas ligjit”, s’dij me ç’datë,
Sado qi arka ka mbetë m’t’thatë,
Masandej kah pak kah pak
Ka me u vû punve kapak,
Edhe Itale e Shqiptarí
Kanë me u ndezun flakë n’dashni
— Merret vesht, njana edhe tjetra —
E, tu’ u dashtun mirë me kthetra,
Kryet shò — shoqes kanë m’i a lmue,
Krah e m’krah, edhe tuj kndue
Márë e márë si’i parë zamáre,
Kanë me marrë njat kangë shqyptare:
“Hajde hajde, Ali Dervêlla:
Po kush t’qiti n’kto punë t’ kthêlla!”

Edhe atëherë Ministri i jonë
Ka me u çue ‘i sahat mâ vonë —
Kah mjesdita a njatypari:
Kur m’e çue t’shkojë Sekretari,
Për me i thânë se i zoti i shpisë
S’Legacjonit t’Shqiptarisë
Nëpër mjet të Policisë,
I kërnohet për qirá
Qi shtatë muej ka mbetë pa lá;
Pse as n’Evropë, besà, qiraja
Nuk po u laté me mushkaja
Qi Kolë Thaçi suell n’Tiranë,
Kur prej Belgjit kthej n’ketë anë…
Prá, si thashë, kur n’Kvirinal[1]
T’shkojë Ministri “okcidental” —
Ky Ministri i Shqiptarisë,
T’shkojë me “çantë” t’diplomacisë,
Gjatë dy pllambë “cilindrin” m’ krye,
Ngrî manshetat n’dorë mbërthye,
Si aj Bismarku[2] hapa — hapa,
Un shpresoj se atë — herë e mbrapa
Do t’na siellen punët për s’marit
E, n’Shqipni nji zog gomarit
S’ka me u gjetë as n’Barbullush
Persè i lirë do t’jetë gjithkush
— Si traktati t’jetë nënshkrue —
Në dhé t’huej gomarët me i çue…

DREJTORI B
(tue qeshë nën mustak, katundarit)

Si po e çoni n’atë katund?

KATUNDARI
Besà, keq, si n’ujë t’pafund,
tu’u përpjekë si peshku n’záll;
Me t’u bâ mos me kenë gjáll.
Eja rreth e gjithmonë zhárg,
Zdathë e zdeshë e pa bukë n’bark,
Mbytun n’borxh e me ‘i tubë fmí,
Na shkon jeta si â mâ zí:
Gjymsa n’burg, gjymsa angârí;
Bájë zyrtarë, e bájë shkatrrina,
Bájë dajakun sá t’hà shpina:
Si "mo’, Zot! Ma keq për né",
Qi bâjm hije për mbi dhé!

BABATASI
Shka? Shka?.. Nierzt e Qeverisë
Rrahin burrat e Shqipnisë?

KATUNDARI
Besà, po, zotni: M’dajak!
Edhe ktu, mor samadak,
Shkon dajaku për mustàk;
Sa mâ i madh qi t’jet mustaku,
Aq ma i tráshë gërset dajaku,
Aq ma tepër gurgllon gjaku.
Na nën Turk, zotni kem’ kênë,
E un po t’tham po, un qi ‘am i kshtênë
— Lé n’Dervênd, mbi Urë të Gjolës —
Se, t’thuesh, kurr Turku i Stambollës
S’i a ka bâ Shqipnisë ketë dhunë;
Me rrahë njerzit punë e pa punë,
Si po i rreh sot Qeverija.
Sod po e dijm, po, shka asht robnija,
Q’se spathokët e Qeverisë,
— Faqja e ngrijtë e gjith Shqipnisë —
Qi der djé as arrën n’dorë
Ngranë s’ua kishe, drun’ m’malcorë
E, m’fshatarë tue sjellun janë,
“Simbas urdhnash marrë n’Tiranë”.
E, prá ná me gjak e pare
M’kamë e mbajmë Qeverinë shqiptare!

BABATASI
(Drejtorit B)
S’ka ku shkon puna ma zi.
Se, për Zotin, Qeveri
Kjo nuk asht: Asht kjo nji çetë
Njerzsh t’pa njoftun, t’cillt as vetë
S’din shka duen; e, t’mos isht’ fllanxa —
Të mos isht’, due t’tham, Financa
Qi me i mbajtun lidhë n’mjes vedit,
Kta Shqipninë shi atij t’shkorretit,
Do t’ia falshin. I njof mirë
Gjinden un. Prandej asht vshtirë
Me i luejt vêndit.

(mbrrijn té hani; katundarit)

Tash, lum djali
T’falem nderës; se mâ s’po t’ndali.
Udha e mbarë!

KATUNDARI
T’mbarë paç! Zotni,
N’kjé se t’vjen ty n’terezi,
Thueje 'i fjalë n’atë Qeveri:
Se, për Zotin, kjoftë lëvdue! —
Po shkoi puna si ka shkue,
Márë Shqipnija ka mbarue.



  1. Kvirinal - histori: Një nga shtatë kodrat mbi të cilat asht ndertue Roma. Sot aty asht Selia e Presidentit të Republikës Italiane. ↩︎

  2. Bismark - histori: Burrë i shtetit gjerman (1815-1898), asht futë në histori me nofkën e njohtun “Kancelari i hekurt”. Asht farkëtuesi i madh i unitetit gjermanik; ishte ndër autorët e “Aleancës Tripalëshe” (Gjermani-Austri-Itali), e cila ka luejt rol të rendësishem në daljen e Ballkanit nga Perandoria Turke. ↩︎

Pjesa e radhës
Akt' i tretë — Metamorfoza