Akt' i tretë — Metamorfoza

(Drejtorija e Muzeut)

BABATASI
(vetëm)

Ju rrugaça e sallahâna,
Vagabonda shakllabâna,
Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,
Qi të mjerës moj Shqipni
Kthelltë hî i keni në mushkni,
Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
Po der kur, brè batakçi!
Brè coftina, kalbë mbi dhé! —
Der kur ju, tu’ u tallë npër né,
Do t’na qelbni fis e Atdhé?
Ah! Brè ju… nuk dij shka u kjoftë,
Se tash mâ jemi tue u njoftë,
Se kush jini e se shka jîni,
Se kah shkoni e se kah vîni,
Plang e shpi se kah i kîni
E sa pare u ban ju gjaku:
Se për ju, po, duhet laku,
Për me u vjêrrë — o kund m’do 'i shpàt!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
Me 'i gjysmë setre t’pa astar,
Lshuemun krahve kalavar
E me ‘i komçë t’njitne nën grykë:
Pantallonat me “gjyslykë”
Kto edhe lidhun me nji spagë:
Shtatit rreshkë e bâ saragë,
T’tanë gordec — e berdalec,
Pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
Me ‘i “fillore” a nji iptadije,
Erz e shpirt qitun nën themër:
Turq a Slavë a Grek me zemër,
Falun barkun veç Shqipnisë,
Si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
Tuj u shitë ju për gjithë treg,
Sod na mbahi “Skanderbeg”,
E ngërdhucë, goditë, lëmue,
Rrue e qethë, pipirique,
Tash n’ “smoking” tash në “bon-jour”
Ju, qi djé s’kishi as ushkuer
Me lidhë brekët — me nderë me thânë —
M’sahan t’huej gjithmonë tue ngrânë,
Rrugën krejt na e keni xânë,
Kè na shkoni pash — e m’pash,
Edhe, besà, me “gulash”,
Me “afishe” e me “sultjash”,
Me “kjumshtuer” e me “ashure”,
“Kosha gjelash” si kubure,
“Tarator”, “pilaf me kos”,
“Mish me qepë” e “majdanos”,
“Shish qebab”, “brizholla viçi”,
“Kunguj t’mbushun”, “kuzuiçi”,
“Kabuni” — e “mualebi”,
Barku sod u rri’ ju kodër,
Kargatisë e bamun lodër:
Der sa ata burrat e dhéut,
Qi për jetë e nderë t’Atdhéut
Kanë rá n’luftë si shqipe t’leta,
Kanë shkrî gjâ e shpija t’veta,
Janë tue dekë rrugave ûnit,
Me iu dhimbtë gurit e drûnit:
Përse, po, kta matrahula,
Kta shqiptarë — shqiptarë kah ksula,
N’vend qi jú me u vû m’konop,
A se brinjt m’jau zbrû me shkop,
A, mos tjetër, me u ngushtue
Me xjerrë zhuri kund m’ndo’ i prrue,
Për me shtrue ndo 'i rrugë të shtetit
A me dlirë ndo 'i skele detit,
Lavjerrë buzësh, harrû si viça,
Kqyrin m’ju, si t’ishi ogiça,
Për me u prî udhës s’qytetnisë
E me i sjellë t’mârën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i prî kombit:
Ju, do pyka bîjtë prej llomit
Qi “shqiptarë” vedit i thoni,
Jo pse ju Shqipninë e doni,
Jo pse ju ndo 'i sênd kuptoni
Shka asht Atdheu e shka asht Lirija,
Shka asht Vllaznija e Parasija,
Përparimi e Qytetnija,
Por veç pse endè der më sot
Nji tyran s’po e gjêni dot,
Nën kambët’cillit ju me u shtrue,
Se un mâ tash jam regjë me jue,
E jau njof shpirtin der m’palc:
Pleh i ndytë, me u bartun m’shkalc
E, me u qitë jashta Shqipnije.

(HinëDrejtori A)

DREJTORI A
T’u ngjatët jeta!

BABATASI
T’u ngjatët jeta!

DREJTORI A
Zotëni, ktu m’ka dërgue
Vetë Ministri, me t’diftue
Se, për t’ndreqë Muzén kombtár
Ka me ardhë nji dijetár,
Doktor universitetit,
Sjellë n’Shqipni me pare t’shtetit,
Arkeolog ky n’nám e n’zâ:
Si rrfen puna qi ka bâ,
Edhe veprat qi ka qitë.
Na për sânde jem tue pritë;
Edhe, t’ardhmen në Tiranë,
Në dorë t’tij na kem’ m’e lânë
Të gjith punën e Muzéut,
Si e lypë puna e e mâra e Atdhéut.
Prandaj, tash, ti, lum zotnija
Ké për t’lshuemun ndër duer t’tija
T’tana punët e Arkeologjisë
Me gjith zyre t’drejtorisë.

BABATASI
Po, zotni; me gjith gëzim.
Ky për mue, po, asht nji vendim
Pjekë me krye, jo njéshë me kambë,
Njéshë me kambë — e pré me dhâmbë
Si zanat qi e ká pasë bâmë,
(sidomos njitash t’é vona)
Qeverija e naltë e jona
Qi me urdhna e me dekreta,
E me ato programa t’veta,
Ka bâ zyret lâmë besimit
Edhe bâ i ka mjet ushqimit
Për do npunsa — farke s’vjetër,
T’cillt mund t’jenë, po, gjithshka tjetër,
Veç se npunsa jo. Prandej,
(T’thonë shka t’thonë do njerz të mdhej)
Për me i sjellë punët t’ona mbârë
Ktu duen sjellë njerëz dijetarë
Prej Evropet: Profesorë
Edhe eksperta: E ktyne n’dorë
Me ja u lshue administratën,
Me do sharte: Ashtu si patën
Bâ n’Japan, kur kjo mbretni
Nisi s’parit me u përtrî;
Pse na, besa, sot me sot
S’kemi njerz njimend të zott
Qi m’ia sjellë të mbârën vendit
Kot me i bâ na làk kuvendit;
Se manà, mirë fort e dijm,
Se sa duhna e se shka vijm.
Se na krûnde jem’ n’ketë dhé:
S’njeshet bukë, besà, me né,
S’mkambet shtet, s’mbahet Atdhé.
E po 'imend — t’drejtën m’a thuej —
P’r Arkeolog shka i viej un kuj?..
Si edhe ti — m’ndiej se po t’tham —
Rrogën t’ânde e han haram
Pse, me e ndjekë punën hollë — hollë,
Ti s’mund t’jesh bedel n’nji shkollë,
— Sè për shkollë nuk ké kuptim —
Jo me t’vû Drejtuer n’Arsim,
Anì ku? Në Ministri!
E, po ‘i palë ndër do zotni,
Quejt … … … …
Për sa i blén, m’kallxo t’vërtetën?..
Un për vedi t’thom nji fjalë
Nuk i marr as me mi falë,
Pse nuk dij se shka me i bâ.
Kta me mîfë, nuk duhen gjâ;
Me bajtë dênga, edhe ma pak;
Treg me kapë t’qesin n’sakak,
N’mal a n’fushë me i çue me lopë,
Jé i sugurt se i djerrin n’shkjopë,
Me msue n’shkollë, nuk janë të zott;
Për auktorë i lypë ti kot;
Me i vû n’zyre, jé n’gazep
Se t’zhyejn kartat n’mereqep;
As i ké ti për kulturë,
P’r industri, agrikulturë,
Se kta ‘i hajr kurr s’e kanë bâ
As s’janë dashtë për tjetër gjâ
Posë me ngrânë e posë me pi
Posë me u tallë npër dugajxhi,
Npër mejhane e nëpër kafe,
Me thá dokrra e me qitë llafe,
Herë mbi stol, herë mbi “sofá”
Tash n’“kapelë”, tash në “qylah”,
Kryet n’ajrí e menden trângull,
Prej “mastiket” syt mbajtë gângull:
Veç, po, dijn, po, me êndë intriga,
Me pshtjellë lamsha për karriga
E, me u bâ n’Shqipni…ministra,
Kur t’kenë pshtue pa u vjerrë m’kapistra.
Prandej tham, lùm ti Drejtori,
Se — ashtu mu m’difton shpóri —
Po s’u vûnë n’administratë
Njerz qi dijn me pré e me mâtë,
Shqiptarija s’e ka t’gjâtë.
Nji kjo faqe qi asht sod gjâllë
— Posë ndonjâj ndonjâj fort rrâllë,
T’cillt prandej kanë mbetë në záll —
Nuk ka sý me ngrefë Shqipni.
Na kem’ prishun nji Turki:
T’cilen, ndoshta, edhe e kem’dashtë,
Por sugure se e kem 'drashtë:
Jo po t’ngrefim Shqipni t’ré,
Për të cillën po bâj bé,
Se as s’e duem — as nuk e druem.

DREJTORI A
Mirë, zotni, por tham nuk bân
N’nji shtet t’lirë e superan
Me sjellë t’huej me na sundûe.
Kurr ketë punë s’kem m’e durue.

BABATASI
Un s’po thom me i prû për Mbretën,
Për Ministra e Deputetën:
Thom me i prû për “eksperta”
— Shka nuk do’ me thânë “shegerta” —
Qi ata 'i herë ktu tash ma s’parit
Lè t’na sjellin punët për s’mbârit;
Perse né, si thashë ma para;
— Mbasi ndodhë kém lara-lara —
Nuk na hecë aq fort e mâra:
Kè edhe dija na mungon,
E vullneti na shkjepon,
Ndër kto punët e qytetnisë…
— Me t’u smue ty kush i shpisë,
Për me e kthye prap n’jet’e n’shndet,
Me 'i herë mjekun çon e thrret;
E, sado qi nieri i huej,
E sjellë mbrêndë me javë e muej,
Edhe ti e gjith shtëpija,
Der ku t’mundni, fjalët e tija
M’vend i çoni, për shka shndetes
I përket. Po a 'imênd ti vetes
Rob i thue, pse aj nieri i huej
Të vjen mbrendë me javë e muej
E, t’ep urdhna e t’ep reçeta
Për m’iu ruejtun t’smundit jeta,
Npër do mjete e npër do bâre,
Qi ti vetë s’i di kurrfare?
Jo, prá, jo; pse ti me pare
E ké marrë, e n’atë shërbim,
Me gjithse aj ka dijé e msim,
Nuk asht tjetër veç rrogtar.
Kshtu, pra, shteti ynë shqiptar
Mundet sod me sjellë doktora,
Zejetarë e profesora,
Për m’e vû n’rregull Shqipninë,
Pa cenue kurrkund lirinë,
As lirinë — as sypraninë,
Për të cillën ti po m’thue
Se nuk mundesh me durue
T’huejt në zyre me t’sundue.
Prandej vetë, të pamen ftyrën
E Arkeologut, ia lshoj zyrën,
Me gëzim, si t’thashë përpara:
Kshtu pse e dij se e lypë e mbara
E Muzéut — e e mbara e Atdhéut.
E ma tepër due me shitë
Njat gomar, qi tash nji ditë
N’rrugë t’Kavajës e pata blé.
Mbasi tash un në Muzé
Dorë as gisht s’kam me pasë mâ,
Mue gomari s’m’duhet gjâ.

Hinë nji postjer me nji tubë letra e fletore në dorë: I ep Babatasit fletoren e Shkodrës “Vllaznija” edhe del. Babatasi, tue zhvillue fletoren këndon nën zâ:

“Mori Shkoder, moj mizore,
Pak na u duke e shum’ na dole”.

(Drejtorit A:)

Me shka m’duket lum zotnija,
Po na merr t’keqen “Vllaznija”.
Ndiej ktu 'i herë se shka ka shkrue:

Z.Z. Pajtimtarve t’onë — I vlerti e i palodhshmi bashpuntori ynë, zotni S.S. pa pritë pa kujtue asht zhdukë prej këtij qyteti. Ia kemi lëshue sogjet për gjith anë por der sod s’kemi mujtë me e hetue kurrkund. Prandej, tue na mungue, si me thanë: krahi djathtë i yni, kemi me kenë të ngushtuem me ndalue për do kohë botimin e fletores.

Drejtimi

DREJTORI A
Anì shka se nuk del mâ
Kjo fletore. S’duhet gjâ
Me sa tjerat, qi n’Shqipni
Janë tue bîjtë si kpurdhat n’shi.
Besà ‘imênd — si thue, zotni? —
As se tepër garramét
Janë fletoret për nji shtet,
Kè s’e lânë me përparue,
Qeverinë tue kritikue
Mârë e mbrapshtë? Me m’ndigjue mue
Njajo “Kshilla Ministrore”.
Besà, t’tana kto fletore,
— Qi s’e viejn, me thanë, nji astër —
Kisht’ me i mbyllë, e n’Gjinokatër
Kisht’ me nisë, me hekra n’dorë,
Redaktorë e bashkpuntorë;
Pse kta janë qi na ngatrrojnë
Shoq me shoq, e na pshtjellojnë
T’tana punët e Qeverisë
E, ato planet e “Partisë”.
T’gjith rreziku i Shqiptarisë,
Tham un, janë këto fletore,
Kto t’përkohshme përmujore,
Edhe ajo lirija e shtypit —
Njajo shpata “n’dorë t’magjypit”,
Qi pret t’a’ n mshirë aspak.

BABATASI
(tue lëshue n’tryezë fletoren)
Drejtimi
Ah, jo, jo, mor’samadák:
Nuk asht gja, besà, ajo fjalë.
Se un po dij ku don me dalë:
Don me ruejtë “kulltuk” e “gisht”!
Por e ké ti krejt angllisht;
Pse fletoret për nji shtet
Jo veç s’janë nji garramet,
Si ti mue po do’ me m’thanë,
Por ma tepër atojanë
Për té 'i armë e fortë. Zotni,
Shtypi asht sot nji artiljeri,
Qi, si puna e ban dishmi,
Rreh ma larg e ushton ma thekshëm,
Edhe rrposë fort ma termegshëm
Se çdo top e çdo gopedër.
Po, po, shtypi asht nji kulshedër
Vetëm për Qevri autokrate
Për do “klika” e “komitate”
T’mshefta e t’ndyta, qi me lák,
Qi tuj lá Kombin në gjak,
E me rrêna e kaçarrêna
Tuj punue pa besë e fé,
Gjithmonë tinzi e për nën dhé,
Nierz të poshtër e tradhtorë,
Duen me mbajtë fuqinë në dorë,
Për me shtypë me té lirinë.
Për me ndrydhun qytetninë
Edhe m’shpinë të popullit t’ngrâtë
Me mbajt vedin e akrobatë.
Për kta, po, shtypi asht rrezik,
Si thue ti e ndo 'i tjetër mik;
Se për tjerët shtypi asht nji mjet,
Për të cillin sod çdo shtet
Ka nevojë. Nëpër gazeta
Kombi njef t’drejtat e veta,
Njef detyrët, e ato janë sod
Qi këtij i dalin zot
Kundra dhunës e padrejtsisë,
Qi edhe n’mênd ia shtijn Qevrisë
Kur do punë janë për t’u bamë
E, kur jo. Kështu po e zamë,
Se n’nji cillëndo Qevri,
-S’jam tue folë për ktu n’Shqipni —
Ka ministra batakçi,
Njerz kopukë t’pa farë kulture,
Zemrën lepër, mendët kobure;
Thonin krrabë e kryet matare,
Të cillt mbetë si t’kên pa pare
Edhe “kashën” t’a kenë thá,
Dërgojnë vllazën e akrabá
Me leçitun npër Evropë
Ktu nji breshtë, atje nji shkjopë,
Kndej qymyr, andej vojguri
A se edhe ndo 'i rrënojë muri
T’kohve t’vjetra, e bajnë kontratë,
Dykuptimçe e me kamatë,
Edhe kta po, lùm kumbara,
Për xhep t’vet nji herë ma para,
Masandej, n’teproftë ndo 'i sênd,
Për Atdhé: Thue se njimênd
Trashigim shtetin kanë pasë
Me gjith tokë, e landë e rrasë.
Ndiejn fletorsit për ketë dhunë,
Edhe atbotë, besà, me 'iherë
T’çohen peshë e bajn poterë
E diftojn me shum urti
Se Ministrat batakçi
S’do t’kenë tagër m’iu përzie
Kombit t’mjerë në pasuni
E, as s’do t’apin konçesjone
Përmbi xehe a përmbi pronë,
Edhe kshtu me pêndë thumáte
Shkyejn projekte e shkyejn kontráte,
Qi kto pyka, mbîjtë prej llomit,
T’i kênë bâ për dám të kombit.
E, kur n’kohë elektorale
Ndonji Qeveri batalle
Shpërdoron auktoritetin
E me forcë ngushton të shkretin
Morè popull, qi s’di gjâ,
Me përdhuni me dhanë zâ
Qi ndo i cull a kalama,
Ndo’i bastardh a ndo’i kopuk,
Krye-babune e mullë-terrçuk
T’kalangerrçet mbi “kulltuk”,
Kush ma fort se’i “Orë ndër vallé”-
Se 'i gazetë Qevris batalle
Ia shtypë hundët e e bjen n’hullí,
Si ajo Shkodra e ban dishmí?..
Po e shef vetë, pra, tash, zotni,
Se fletoret për nji shtet
S’janë rrezik as garramet,
E se ajo lirija e shtypit
S’asht nji shpatë në dorë t’magjypit,
Por â mjet, pa t’cillin shteti
S’përparon as ktu as n’jeti.

DREJTORI A
E, prá s’dij shka do me thânë
Qi mue kurr s’asht tue m’u dhânë
Me lexue fletoret t’ona —
Elè do, qi tash n’e vona
Na kanë nisë me u shkarravitë…
Deshta t’tham, me dalë në dritë.

BABATASI
A din pse, mor’t’u ngjatët jeta,
S’t’bâhet me lexue gazeta?
Pse m’gazeta, njitash vonë,
— Sidomos n’ketë vendin t’onë —
Asht tue shkrue çdo matrahúl,
Çdo surrat-qerep krye-túl:
Njerz rrugaça e krejt batâlla,
Me dy faqe porsi msâlla,
Qi, dbue jashtë prej shkollës fillore,
Bánë kinse me kapë punë dore,
Tash tue qepun n’ndo ‘i prestore,
Tash tue fshi kafe e hotela,
Tash n’kujxhi tue ngrefun m’tela,
E, tue fry me rrshiq n’do farkë,
A se muça kund n’ndo’i barkë,
Hamaj dengash n’ndo’i fabrikë,
Prej ka’ata mandej kanë hikë,
A se ndoshta janë përzânë,
Pse me u rritë thonin ki’n lânë…
Edhe zhèl e kundrash shkye,
Si ato mizat të pa krye,
“Kanë marrë detin-o me sye”
E kanë dalë në dhé të huej:
Ktu nji javë, atje nji muej:
Ha e pi e mos paguej:
Shitu princa e profesora,
Shitu béj, shitu doktora:
Shkoje ditën ndër sokaqe
Kalo natën ndër handraqe:
Gënje shok e trdhto mik
Për nji llastër “metelik”,
E kur, mbetë me miza n’grusht,
Me gjallnim kta kanë rá ngusht,
Vú qeleshen m’njanin sye,
Kanë marrë rrugën e kanë kthye,
E kùk vetllat m’ball ngërthye,
Ngrefë tureçkat për “dëshmorë”
Përly kanë pêndën në dorë
E t’kanë nisë kinsè me shkrue:
Jo kshtu shteti dò sundue,
Jo na jémi demokrat:
Nuk duem Prift as nuk duem Frat:
Jezuitt duen ndrydhë nën bàt;
Se kta janë “obskurantista”
“Kantonista” e “monarkista”,
Qi veç barkun duen me fâ.
Jo, po, kleri s’duhet gjâ;
Edhe shkolla fillestare
Ktu do t’jét fjesht afetare.
“Sepse” jemi “oksidentala”;
S’rrêhna mâ, jo, me kopalla.
N’Parlament kleri s’do t’shkojë,
Se ata janë si qymja n’gojë
Qi s’del jashtë as nuk përdîhet:
“Sepse” klerit bésë s’i zíhet!
Kshtu Voltaire e kshtu Mazzini,
Kështu Bûena e kështu Drini,
Jo po knetat, jo po plisat:
Jo çarçafat, jo binishat…
Na Shqipninë e kemi bâmë:
Për té desim e s’e lâmë
Me ná e prishun “tradhëtorët”.
Se un për vedi kam Malcorët:
Jo, un Toskninë e kam në xhep:
Me mue Dibra merr e ep. —
Edhe kshtu, po, qèp e shkèp,
Me nji shqipe për gazep
E, si t’ishin në kllápi,
Pa kqyrë càk, pa mbajtë hulli,
Pa pasë shkrimi as kâmë as krye,
N’mereqep kartat kanë zhye,
E t’kanë pjêllë — me nderë me thanë —
Njata artikuj, qi ty dhânë
S’t’asht der sod me u vû me i kndue.
Se ata, besà — m’ndigjo mue —
Nuk i kanë shkrimet zanát:
S’janë për pêndë, por janë për shát.
Jo po, kshtu asht, mor’t’u ngjatët jeta!
Për me shkrue, zotni, m’gazeta
Duhet shkruesi t’jet mâ párë
Nieri i ndershëm e atdhetár.
T’jetë fisnik, zemër-bujár,
Jo intrigant e ngatrrestár,
Edhe kênë mos t’két afije.
Mandej duhet qi t’ket dijé —
Dijé t’hapët n’ekonomi,
N’histori e në tregti,
N’politikë e në drejtsi;
Edhe t’dijë shk’asht shkolla e msimi,
Shka asht lirija e qytetnimi,
T’jetë Shqiptar në shkrim e n’gojë
Fjala n’pêndë mos t’i ngûrrojë:
Mârë e mârë punët t’i kallxojë,
Me t’ngushtue me kndue përdhûni
Shka ndër shtylla rresht aj vûni,
Tashti, pra, nji sallahàn,
Vagabond e shakllabàn,
Nieri idjótë e laramàn,
Qi mendon se për tamàn
Të tanë bota rrì n’ “sahàn”,
Shka mund t’shkruej, po t’pves un ty,
Ky qi as byk nuk ka në krye, Jo mâ trû?

DREJTORI A
Si urdhnon e thue — M’a nep lejen, zot, me shkue,
Pse pak tepër jam vonue.
Mirë u pashim! — T’u ngjatët jeta!

(del).

BABATASI
Udha e mbarë, e t’u ngjatët jeta! —
Mbasi sod asht ditë pazarit,
Po e qes n’treg atë zog gomarit
Qi paçë blé për punë t’Muzeut,
“Për Lulzim e nderë t’Atdheut”
Pàle i’herë a e blén ndokush.
Mana, drue se s’do t’dalë kush
Myshteri; pse Barbullush
Asht bâ sod edhe Tirana.


Oborri i Muzeut. — Dita e të çilunit t’Asamblesë Kushtetuese.
(Gomari lidhë m’kûj. Babatasi e zgjidhë e niset me dalë me gomar për dore. Porsa kanë mbrrijtë té portarja, gomari
ndrron formë e prej hijes s’tij del S. S., korrispondenti i fletores “Vllaznija”. Frêni i lavjerrët m’qafë e shala i bjen té kambët.)

S.S.
Zotëni!

BABATASI
(Sjellë kryet, e, tue mos pa gomarin, thotë në habí:)

Palè!.. Ç’ m’u bâ,
Tash gomari?

S.S.
Mos bân zâ,
Zotëni, se un jam…

BABATASI
Gomari Ti?..

S.S.
Si urdhnon, po; vetë. Veç s’pari,
T’lutem, fol kadalë.

BABATASI
Çudi! Si tash, ti gomar?

S.S.
Zotni, Po vetë jam gomari i yt:
A s’m’â shef ti frênin m’fyt,
Edhe shala si m’ka rá
Poshtë té kambët?..

BABATASI
Po, jam tue i pá.
Veç si mundet, tash, me kênë
Njikjo punë, s’e di.
A mos m’rrênë,
More i patenzonë?

S.S.
Jo, besà,
Jo: S’ka rrênë, as s’ka ngatrresa;
Veç të drejtën ktu po t’tham,
Se gomari i yt un jam:
Po, a thue veshët ti pa s’mi ké?

BABATASI
Po a gomar ti paske lé,
A veç bâ jé masandej!

S.S.
Jo zotni; q’n’vjeshtë e tèktej
Qi un jam bâ gomar.
Përpara Kam kenë njeri…

BABATASI
Lara-lara Mjaft, kujtoj, e stramastik…
Kámë-kujrril e krye-lladik…
Por kallxo si kênke bâ
Ti gomar!..

S.S.
Mos kjosha mâ! —
Kur u bânë zgjedhjet në Shkodër
E “Opozita” luejti atë lodër,
Si e din vetë, nji zotëni,
Qi e kish mirë me Qeveri
E, qi vû aj kishte dhámb
M’“Opozitë”, për me i bâ dám
M’lutë me i qitë nji Dityramb’ [1]
Kundra “Orës s’Maleve”. Edhe vetë,
Qi kurr kenë nuk jam poetë,
Por, si ngjeshëm kish’qillue,
N’ fjalë t’ti u vuna, atëherë, me shkrue,
E me krraba e me çengela,
Mbasi zhvjeva do kartela,
edhe 'i javë bana haram,
N’dritë e qita atë Dityramb,
Tue e quejtë: “Vallja Popullore”.

BABATASI
Mbasi vjershat s’t’vijn për dore,
Përse ti m’i a hi asaj kangë?
Po a nuk ké ti tjetër rangë,
Qi ia nisë vjersha me shkrue?..
Mbasandej: Ku ké mbarue
— N’kjoftë se n’krye ké mênd ndo’i fije —
Se, me atë buzë, porsi opângë dhije,
E me atë gjuhë — motrë e çangalleve
Ti po qet me 'i “Orë të Maleve”,
Qi shitue ka tjerë kaprreça,
Jo mâ ty e do kakareça
Tjerë, shokë t’ue.

S.S.
E dij, zotni. Oh! Po, mirë, mirë fort e di.
Se sa i rrebtë asht pezmi i sáj:
S’lèn anmik pa bâ me váj;
Si sivjet kém’ mujtë me pá,
Kè Shqipninë mbarë trândë e ká;
Por un deshta me t’kallxue
Se mue shnjalli m’pat germue
Mbrendë n’atë Dityramb me shtî
Disa fjalë, mjaft pa njerzi,
Kundra Fretënve shqiptarë.

BABATASI
T’a kish dijtë ketë fjalë ma parë,
Un ty m’shpinë t’kish vû samar
E, jo shalë. Ç’ké me Fretën,
Qi shnjerzue e ké ti veten,
Për tá n’shkrim tue folë pa lá?

S.S.
Un? Kurrgja, besà, e tue pá
Jam gabimin t’em me sy,
Se s’asht mirë kênd n’shkrim me fye.
Por, zotni, shnjerzue un kam veten;
Jo veç folë se kam për Fretën,
Por mâ tepër, tue vû gojë.
— Për pa pasë kurrkund nevojë —
Mbi drejtuer të “Hyllit t’Dritës”,
Qi as Qevrisë as “Opozitës”
E, as Shqipnisë s’i ka sjellë dám.

BABATASI
E ti shtî e ké n’Dityramb?

S.S.
Po, zotni; por npër terthuer.

BABATASI
Hangké bar, e? — e po qysh kur? —
Qi s’po mujtka aj me u kujtue
Se për ké n’vjeshtë ké guksue…

S.S.
Jo, po pra, si kjeçë tue thânë,
Un me kaq t’a kishe lânë,
Ndoshta s’kjé tue m’gjetë shka m’gjet:
Për gomar me u shitë n’pazar,
Por mue sorra m’i piu mêndt,
Edhe kapa do krení,
Kinse kshtu shkruej Dityramba
E ja lâ gjithkujë në zhel,
Kur t’më kapet mendja tel,
E medje — ty t’u ngjatët jeta! —
Njikaq mendja mue m’u rrit,
Qi un nji ditë dola prej Shkodret
Edhe u nisa për Parnas [2],
Ku lodrojnë Orë edhe Zana,
Kin me marrë un kezen larit.

BABATASI
A se veshët e nji magjarit…

S.S.
Jo, po, ashtu mandej duel puna —
Kur u kapa n’vrrî t’Parnasit,
Lâgë e ndrâgë e kputun rruget,
Qé po shof se, lshue pa zot,
Po kullotte i hjèdhtë Pagasi
Npër ato rudina t’blera,
Ku lulzon gjithmonë prendvera
E s’ka dimën as rreh era
Lodhë e kputë si un kish’ qillue,
Tèk e pava, i kceva m’shpinë,
Edhe e lshova brijs s’Parnasit,
Mos m’e e pa dy herë me sy.
Ashtu m’t katrat lshue Pegasin [3]
Gjatë asaj termales s’rryeshme,
Kam nisë kangën me kendue
Dityrambin, qi kish’ shkrue,
Kìn’ mërzín’ un me kalue.
Veç, zotni, shka me t’kallxue!
Porsa mora atë kangë me kndue,
Nisë Pegasi me turfllue,
Nisë me hjedhë, nisë me u tërbue,
Porsi thérë t’a kish m’mamuza.
Iu kukzova, atëherë, mbi shpinë,
Me t’dy duert qafën ia rroka
E mbërthye kamët nën bark t’tij,
U mundova me ì qindrue.
Por se kot, besà, zotni,
Pse t’u çue shàh m’kamë t’para,
Edhe t’m’ hòdh, si planc, n’nji prroskë.
Gjysa e s’keq’; por se m’i vuni
Shtjelma brish’ njadisa hera,
Qi edhe sod, besà, m’dhêm shtati.

BABATASI
Brè qi, kur fryte shirok,
Edhe t’lshojshe ndo 'i herë tròk,
Shkojshe rrugës ti tue marrë m’thue.

S.S.
Po, zotni; si urdhnon e thue! —
Ndìç, atëherë, qita bërtita,
Porsi shpirt i keq n’gajúsh.
Rrânë n’atë brîmë Orë edhe Zana,
Edhe muerën me m’pëvetë
Se shka sjellë m’kishte m’atë bjeshkë
E pse ashtu gërthitë un kishe.
Edhe un punën ua kumtova
Gjithsesì fill’ e për pê.
Kur ka ndie Zana Kajlopè’
Për guxim qi un kishe pasun,
Gur me gur m’hukati e Mira,
Njiketë námë tue lshue mâ t’mbramen:
“Ti m’u bâsh gomar me veshë,
Der m’atë ditë qi n’Shqipni
Asambleja t’çilet s’parit”…

BABATASI
Edhe ti u bane gomar?

S.S.
Po, zotni. Shì n’herë të parë
Qi m’Parnas m’hukáti Zâna,
Fill gomar me veshë u bâna:
Krejt njashtu si pá ti m’ké
M’rrugë t’Kavajës kur m’pate blé.

BABATASI
Çúdë me bâ!

S.S.
Po, pra, zotni;
Se me rrêjtë, besà, nuk di:
Nuk t’a tham nji fjalë p’r’i tjetër.
Ti edhe kndue do t’keshë në letër
Si njaj Aelius’ [4]. Shkrues i vjetër,
Na kallxon për s’dij se ç’nieri,
Qi kjé bâ gomar pa hiri
Tue u lye me do bar shtrigash,
Nuk e dij se n’ç’rasë intrigash.
Jo qi vetë mujë me t’diftue
Se n’Parnas un kam ndigjue
Orë e Zana tue ligjrue
Për nji tjetër djalë shkrimtar,
Qi edhe ky, shtatë muej ma parë,
Paskà kenë térnue n’gomar.
A e njef ti ‘i farë Nebil Çike,
— Turk a s’dij se i cillës fabrike —
Qi m’nji lvere masonike
Quejt “Revistë Pedagogjike”
Ia pàt nisë kinse me u kapë
Me “Hyll t’Dritës”, e klér e Papë?
Ketë tésh prá Pallas Athina [5]
Për arsye qi poshtërsina
Ky kisht’ shkrue për “Hyll të Dritës”,
Námë e paska nji “dishditës”
Edhe ky shkrimtar çyçek
Kenka bâ me 'iherë “Eshék”,
A se shqyp m’e thanë mâ mârë:
Kenka bâ me ‘iherë gomar;
E jo veç për dy a tre muej
Si un kjéçë bâ, por (posë gjithkujë)
Ky kjé bâ gomar për ymër;
N’mos e njifsh, e ké n’Tiranë
Tuj bajtë m’ “karro” pleh e ranë,
Per “Reformë” t’nji “burgu” t’gjanë
Mbrenda Ministrisë s’Arsimit.

BABATASI
Mirë ia paska bâ kulimit!
Por as ty keq bâ s’t’a ká,
Pse, po n’mênd tash asht tue m’rá
Se kto fjalë, si në kllapí,
Shkrue i ka pasun në “Vllazní”,
Kur stërklatshe ti gazetën,
Tue bâ fjalë për Deputetën:
"Se do t’kthejm në Shkodër-o,
Për me lidhë gomarin-o
Si e pat lidhë até dikur
Nji poetë, me 'i copë ushkur.
Lassen Sie nur [6]
Edhe tash mirë tue pá.
Se ké paske dashtë me vrá
Me kto fjalë e dokrra t’shkreta.
Po a s’din se kur poeta
Bân me lidhun nji gomar,
Besà, e lidhë ai me litar
Edhe 'i nye ma t’fortë i’a bân,
Se pàt kênë neni gordján,
E se vetë, po, shpata e Lekës
Nuk e zgjidhë e, mè sa dekës,
Pezmit t’tij s’mundesh me 'i pshtue?
Tash, kah t’duesh mundesh me shkue.
Edhe i lirë prej mejét jé;
Veç, t’a dijsh se borxh m’i ké
Gjashtë naplonat qi páçë dhanë
Kur gomar t’bleva n’Tiranë;
Por, jo sod; palè se kur…

S.S.
Un?.. Pse?..

BABATASI
(tue i rá qafës me kamxhik)

“Lassen Sie nur!”

S.S. Vehet m’t’hikun tue krue qafën. Babatasi merr rrugën kah Parlamenti, edhe për tash mbaron veprimi.



  1. Dityramb - poet: Hartim i lashtë poetik; té grekët e vjetër vinte prej kultit të Dionizit prandej, lidhej me dehjen dhe euforinë. ↩︎

  2. Parnas - mitologji: Mal që ngrihej mbi Delf, ku ndodhej vendi i shenjtë kushtue Apolit; për ketë arsye mendohej edhe si seli e Muzave (Zanave). ↩︎

  3. Pegas - mitologji: Kalë me flatra i mitologjisë greke; nga Olimpi pat zbritë në Helikonë; aty me një shkelm çili një gur magjik që frymëzonte poetët të cilët pinin në atë burim. ↩︎

  4. Aelius – personazh bihud, si duket deformon emnin e shkrimtarit dhe filozofit latin Lacius Apuleus (rreth 150 –180), autor i veprës së bujshme “Metamofoza ose Gomari i Artë”, ku shkruhet për aventurat e një djalit të rij të shndërruem në gomar nëpërmjet të magjisë dhe i kthyem përsëri në njeri. ↩︎

  5. Pallas Athina - mitologji: Një nga Hyjnitë ma të rendësishme të Panteonit grek; asht vizatue në dy mënyra, si Athinë dhe si Pallas Athinë. Hyjnesha e luftës, këshilltare e afërt e heronjve ma të mëdhaj; ma vonë edhe mbrojtëse e arteve, shkencave etj. ↩︎

  6. Lassen Sie nur - gjermaisht.- lene mâ!, mos e ço mâ gjatë! ↩︎