Po vrej si Agimi, ja, nga deti ngjitet,
Dëgjoj si era mbushet me freski:
Shoh si dheu me dritë krejt stoliset
E si dielli shtie zjarr e bukuri,
Në gjithë vëndet gumëzhima shqitet,
Jeta me shpresë qesh dhe ëmbëlsi,
E hapet gazi edhe gëzimi rritet,
Largohet mjegulla ngado që ri.
Koha shkoi e mesdita na pllakosi;
Mërzimi nëpër sheshet mbretëron,
Do të thotë se koha e mirë sosi.
Mbrëmja hapë dyert e natës edhe nxin,
Gjumi gjindjen e zë dhe s’e lëshon.
Njerinë fati ashtu në varr përpin.
Zef Serembe