Fati

Shkova të parat vjet me shumë hare,
Posi pasqyrë jeta më që dukur,
Për mua i qeshur qe qielli dhe ky dhe,
Para meje çdo gjë dukej e bukur.

Po mali u vrëjt dhe me t’egër gjëmoi,
U ktheva e pashë motin q’ishte nxirë;
E zeza re u hap e më mbuloi,
Kështu tufani i keq më ka përpirë.

Shkova në pyll e rashë në përrua,
Aqsa i mjeri unë i tëri u çora,
Gazi në buzë e në shpirt malli u shua
Dhe gëzimet e jetës krejt i bora.

Era më mori shpresat edhe vanë:
E me gërshërë skami më ka prerë;
Lulet e jetës sime gjithë u thanë,
Fati më ndjek edhe më bën të mjerë.

Pjesa e radhës
Miqësia